12.4 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6762

Prizren: Kërcënon me jetë femrën përmes telefonit

0

Një person përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike ka kërcënuar me jetë një femër në Prizren.

Policia e ka arrestuar të dyshuarin, dje rreth orës 11 e 30 minuta ne rrugen “Jusuf Gërvalla”.

“Me datën 01.02.2016 është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike ka kërcënuar me jete viktimën femër”, njofton PK-ja, transmeton PrizrenPress.

 Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPrees.com

Avokati i Komunës së Prizrenit, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

0

Avokati i Komunës së Prizrenit, Besim Morina, i është bashkuar listës të të akuzuarëve të Qeverisë së kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit publik të Prizrenit, Besim Morina, transmeton PrizrenPress.

Ai akuzohet se ka keqpërdorë detyrën zyrtare të tij.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, thotë se aktakuza ndaj avokatit Besim Morina është dorëzuar në gjykatë.

“Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Besim Miftar Morina nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422.1 të KP”, tregon Kicaj.

“Lënda është në procedim të mëtejme”. /PrizrenPress.com/

Rrëfimi i babait që vrau vajzën me thikë: Nuk durova, ato rrinin bashkë, unë vetëm

0

“Më kishin mërzitur shumë. Në shtëpi rrija vetëm dhe këtë gjë nuk po e duroja dot më”. Kështu është shprehur, i papenduar për krimin që ka kryer, 56-vjeçari Kujtim Ibraj. Ky i fundit, qëlloi pa mëshirë me thikë mbi dy vajzat e tij, 23-vjeçaren Esmeralda Ibraj dhe motrën e saj më të vogël, 17-vjeçaren Elidona Ibraj. Ngjarja e rëndë u shënua dy ditë më parë në kryeqytet, në rrugën “Jordan Misja”.

Si pasojë e plagëve të marra në trup, Elidona ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa vajza tjetër ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ku ka marrë vetëm një plagë sipërfaqësore në gjoks. Menjëherë pas krimit, policia vuri në pranga autorin, i cili u konstatua se kishte qenë në gjendje të dehur. Çifti i bashkëshortëve kishte disa vite që ishin divorcuar, por sërish jetonin në të njëjtën banesë. Në njërën anë të shtëpisë jetonte gruaja me 6 fëmijët e saj (4 vajza e 2 djem), ndërsa në dhomën tjetër jetonte Kujtimi. I pyetur në lidhje me rrethanat e ngjarjes, 56-vjeçari ka treguar në polici se nuk po mundej t’i duronte më vajzat, pasi dyshonte se ato kishin pasur një lidhje dashurie dhe nuk mund të qëndronin më në banesë. Sakaq, grupi hetimor mori në pyetje edhe të plagosurën, Esmeraldën, si dhe nënën e saj.

“Babai erdhi i dehur në shtëpi. Filloi të zihej me nënën. Unë dhe motra ndërhymë për t’i ndarë, por ai mori thikën dhe qëlloi mbi ne”, – ka deklaruar 23-vjeçarja Esmeralda Ibraj. Burimet e sipërpërmendura pohuan se Kujtimi u kishte kërkuar dy vajzave që të largoheshin nga shtëpia, pasi sipas tij, nuk duhej të jetonin në shtëpinë e prindërve.

I ndodhur nën efektin e alkoolit, Kujtim Ibraj nuk ka shfaqur asnjë pendesë për vrasjen që ka kryer ndaj vajzës së tij më të vogël, ndërsa la të plagosur bijën tjetër. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se 56-vjeçari ka deklaruar se kohët e fundit kishte filluar të bezdisej shumë nga prania e vajzave në shtëpi. “Kishin filluar të bëheshin të padurueshme. Nuk po i duroja dot më. Nuk po e duroja më faktin se ata rrinin të gjithë së bashku ndërsa mua më linin të vetëm në një dhomë”, ka pohuar para hetuesve Kujtim Ibraj. “Dyshoja se vajzat kishin lidhje dashurie dhe nuk kishin pse të qëndronin më në shtëpi. Ato duhej të shkonin te të dashurit e tyre”, mësohet të ketë shtuar ai më tej.
Dëshmia e Esmeraldës

E pikëlluar prej humbjes së motrës së saj, 23-vjeçarja Esmeralda Ibraj ka rrëfyer në polici se prej disa vitesh kishin rënë pre e dhunës së babait të tyre. E mbuluar nga lotët dhe me zë të dridhur, Esmeralda ka treguar momentin se si babai i vrau të motrën para syve. Gjatë fjalës së saj, e reja ka pohuar se nuk ka mundur ta denoncojë më parë për shkak të mentalitetit që kishin. Ajo ka treguar se prindërit i kishte të ndarë dhe i kishte ardhur turp të shkonte në polici. “Babai erdhi i dehur në shtëpi dhe filloi të konfliktohej me nënën. Së bashku me motrën e vogël ndërhymë për t’i ndarë, por ai filloi të na qortonte se nuk duhej të qëndronin më në shtëpi”, ka pohuar para efektivëve të policisë 23-vjeçarja. Pikërisht në këto momente, mësohet se vajzat i kishin thënë babait se do ta nxirrnin nga shtëpia, pasi nuk kontribuonte në familje. “Ai vinte pothuajse çdo ditë i dehur në shtëpi. Nuk punonte dhe asnjëherë nuk ka kontribuar në familje. I thamë se do ta largonim nga shtëpia. Në ato momente mori thikën që ishte mbi tavolinë dhe qëlloi mbi motrën. Kur ua afrova t’ia hiqja nga duart, qëlloi edhe mbi mua”, ka shtuar më tej Esmeralda Ibraj. /Gazeta Shqiptare

Në Gjenevë vazhdojnë bisedimet për Sirinë

0

Sot në Gjenevë të Zvicrës po mbahet dita e dytë e bisedimeve për paqe në Siri, pasi të hënën janë takuar diplomatët e Kombeve të Bashkuara dhe opozitarët sirianë.

Për disa ditë ka qenë e paqartë nëse opozitarët e Sirisë do të marrin pjesë në bisedime.

Në ditën e parë të bisedimeve, Rusia është kritikuar nga diplomatët perëndimorë dhe nga opozita siriane, për sulmet ajrore vdekjeprurëse dhe për mbështetjen në tokë të regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Në ditën e parë, përfaqësuesit e opozitës e kanë akuzuar Rusinë dhe regjimin sirian, se janë më brutalë se Gjermania naziste.

“Regjimi është ai që po e vret popullin sirian”, ka thënë Salem al-Mislet, zëdhënës i opozitës siriane.

Ai teksa e ka kritikuar Rusinë, ka thënë se populli sirian po vuan nga një “Hitler i ri”.

Bisedimet për paqe në Siri janë vonuar të fillojnë, për shkak se opozita ka thënë se nuk merr pjesë në bisedime nëse nuk ndalen sulmet ajrore të regjimit në Siri dhe nëse nuk lejohet dërgimi i ndihmave humanitare për banorët atje.

Qeveria siriane, më 1 shkurt, e ka miratuar një kërkesë të Kombeve të Bashkuara, për dërgimin e ndihmave në tri qytete të rrethuara, ku civilët po përballen edhe me uri, Madaja, Foua dhe Kfarya. Tri fshatrat janë në mesin e 15 lokacioneve të rrethuara nga qeveria siriane ku, sipas OKB-së, më shumë se 400 mijë njerëz janë duke vuajtur për gjërat elementare. /REL

“Agnus Dei” kthehet nga Britania me tri çmime

0

Filmi kosovar “Agnus Dei”, me skenar dhe regji të Agim Sopit, kthehet me tri çmime kryesore nga Mbretëria e Bashkuar, ku mori pjesë në festivalin prestigjioz, North Wales International Film Festival.

Në një komunikatë të lëshuar nga produksioni i këtij filmi thuhet se filmi “Agnus Dei” ka fituar çmimin kryesor “Dragon Shield Award” si filmi më i mirë /Best pictures/, regjisori Agim Sopi është shpallur regjisori më i mirë /Best Director/, kurse çmimi i tretë ka shkuar për kompozitorin Mendi Mengjiqi /Best music and soundtrack/.

KosovaLive ka informuar se filmi “Agnus Dei” edhe një ditë më parë ka fituar dy çmime të rëndësishme në festivalin dyjavor amerikan, Atlas & AIRES International Film Festival, i cili është mbajtur nga data 16 janar deri më 31 janar në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filmi i metrazhit të gjatë “Agnus Dei”, rrëfen historinë e Petrit, i cili jeton një jetë të dëshpëruar me nënën e tij, Marian, e cila jeton në Serbi, mirëpo kishte qenë e dashuruar me një burrë shqiptar, me të cilin edhe lindi të birin. Gjatë luftës në Kosovë, Petrit bëhet pjesë e ushtrisë serbe dhe gjatë një aksioni, ai vret të atin e tij.

Kjo dhe të tjera ngjarje e çojnë personazhin e luajtur nga Astrit Alihajdaraj në një gjendje të tmerrshme shpirtërore. Pos Alihajdarajt, në film luajnë Dafina Berisha, Zhaklina Ostir, Enver Petrovci, Çun Lajçi, Bajrush Mjaku, etj.

Ky film ka arritur 61 çmime, të fituara në të katër anët e globit, duke qenë pjesë zyrtare e më shumë se 140 festivaleve dhe duke u shikuar nga më shumë se 120 mijë spektatorë të zgjedhur nga e mbarë bota.

Filmi ka marrë pjesë në dhjetëra festivale ndërkombëtare, përfshirë këtu The Prestige Film Festival në Kaliforni, The international Film Award Berlin, European Film Festival, Ionian International Film Festival në Lefkas, London Crystal Palace International Film Festival, London Film Awards 2013, California Film Awards 2013, etj.

Filmi i metrazhit të gjatë “Agnus Dei” është produksion i kompanisë “AS Productions” dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës. /KosovaLive

Misioni kundër Thaçit president

0

Disponimi brenda LDK-së kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit vazhdon të rritet. Pas qëndrimit të disa nëndegëve të kësaj partie, kundër mbështetjes së kreut të PDK-së për postin e të parit të shtetit, kanë dalë edhe deputetët e pavarur. Në LDK s’e mohojnë mundësinë që ta qesin në organet e partisë vazhdimin e koalicionit me PDK-në

Kohëve të fundit është rritur dukshëm disponimi i votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që po e kundërshtojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit. Disa nëndegë të LDK-së, por edhe ish-kandidatë për deputetë nga kjo parti, po kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, që të mos e mbështesin kreun e PDK-së të zgjidhet president. Por, kjo kërkesë nuk po i shqetëson zyrtarët e LDK-së që ta mbështesin Thaçin, edhe pse pranojnë se kjo çështje do të diskutohet në instancat e partisë.

Deri më tani kundër Hashim Thaçit ka dalë nëndega e LDK-së në “Ulpianë”, nëndega “Tophane2”, në Prishtinë (pjesë e degës IV e LDK-së), nëndega në Miresh, të cilat kanë marrë vendim që të mos mbështetet Thaçi për president.

Kryetari i nëndegës “Tophane2”, Ergyn Janjevaliu, ditë më parë i ka thënë “Zërit” se pas takimit të kryesisë së kësaj nëndege kanë vendosur t’u drejtohen organeve të partisë dhe deputetëve të LDK-së, që të mos votohet ish-kryeministri Thaçi për postin e presidentit.

“Kemi sjell një vendim me një kërkesë, duke iu drejtuar edhe organeve qendrore të LDK-së dhe deputetëve të LDK-së në Parlamentin e Kosovës: Në asnjë formë dhe asnjë mënyrë të mos e votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës”, kishte deklaruar ai, duke shtuar se nuk i besojnë Thaçit që nëse zgjidhet president i Kosovës nuk do ta prishë koalicionin pas një kohe shumë të shkurtër./Zëri

Opozita mobilizon gratë në Prizren

0

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën kanë filluar që të mobilizojnë elektoratin e tyre për protestën e 17 shkurtit.

Ato sot në orën 17:00, do të mbajnë një tubim mobilizues me gra në Prizren.

Tubimi mbahet në restaurant “Marashi” dhe do të ketë përfaqësuese prej tri subjekteve opozitare.

Opozita po kërkon që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi Qeveria nënshkroi marrëveshje me Serbinë për themelimin e Asociacionit si dhe marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. /PrizrenPress.com

Dy prokurorë për krime të luftës (Video)

0

Dy prokurorë janë caktuar që nga janari i këtij viti në Departamentin për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të hetuar krimet e luftës, edhe pse ishte paraparë që të rekrutoheshin tre prokurorë.

Reshat Millaku, kryeprokuror në Prokurorinë Speciale ka thënë për Tribuna Channel përmes postës elektronike se dy prokurorët e caktuar do të punojnë në lëndët që kanë qenë në punë para janarit të këtij viti por edhe me të gjitha lëndët e reja u janë dhënë në punë.

Millaku nuk ka dashur që t’i bëjë publik emrat e prokurorëve.

Procesi i përzgjedhjes është zvarritur që nga viti i kaluar me arsyetimin se prokurorët nuk kanë shprehur dëshirën për t’u marrë me krimet e luftës, ndonëse është përmendur edhe numri i vogël i prokurorëve.

Por ndryshe thuhet në Raportin e deputeti spanjoll, Augustin Conde që paraqiti në Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës më 28 janar.

Në këtë raport përmendet se në vitin 2014, grupi i gjyqtarëve të EULEX-it publikoi një letër të hapur ku shprehu pikëpamjen se gjyqtarët e Kosovës nuk do të jenë në gjendje për t’i trajtuar në mënyrë efektive rastet e nivelit të lartë dhe rastet e ndjeshme të krimeve të luftës.

“Një nga arsyet e supozuara ishte se ata mund të ndikohen nga disa politikanë të nivelit të lartë, të cilët mbështesin publikisht ish- bashkëluftëtarët e akuzuar për krime lufte, duke shprehur solidaritetin me ta”, thuhet më tej në raport.

Rastet e krimeve të luftës që deri më tani janë trajtuar kryesisht nga prokurorë ndërkombëtarë të misionit EULEX. Por në dhjetorin e vitit të kaluar 30 raste janë transferuar nga EULEX te prokurorët vendorë.

Sylë Hoxha: Personat që e vranë Egzonin janë shumë të rrezikshëm

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se policia vendosi të publikojë fotografitë e personave që janë të dyshuar për vrasjen e Egzon Mazrekut nga Sopija e Suharekës, sepse u duhet edhe ndihma e qytetarëve për t’i gjetur ata.

Ai shtoi se personat e kërkuar janë shumë të rrezikshëm.

“E kemi ndje si obligim edhe ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit, të publikojmë fotografitë e të dyshuarve e që duhet patjetër ndihma e qytetarëve si nga regjioni i Prizrenit ashtu edhe në të tjera, të bashkëpunojnë me ne”, ka thënë Hoxha, në Ora e Fundit në Klan Kosova.

“Kemi informata që personat që janë duke u kërkuar kanë kryer edhe vepra të tjera të rënda”.

“Por, personi që ka kryer vrasjen në Sopijë, kemi informacione që ka qenë i kërkuar nga Policia edhe më herët’’.

“Kërkoi nga të gjithë qytetarët nëse dinë për vendndodhjen e tyre të na ndihmojnë, e të mos fshehin në lidhje me raste të tilla sepse edhe ajo është vepër penale”.

“Hetuesit janë duke punuar në këtë drejtim, ata kanë bërë punë të mirë profesionale deri më tani”, ka thënë Hoxha.

Thaçi provon më 11 shkurt për tu bërë president

0

Isa Mustafa e Hashim Thaçi po punojnë intensivisht që zgjedhja e këtij të fundit për president të vendit të kryhet në fillim të këtij muaji.

Burime të RTV Dukagjinit kanë shpjeguar se të dy liderët e partive më të mëdha PDK dhe LDK nëse arrijnë të sigurojnë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit dhe eventualisht të kenë pajtim me opozitën që mos të përdoret gazi lotsjellës, atëherë gjasat që Hashim Thaçi të provoj të zgjidhet i pari i shtetit, është data 11 shkurt.

Partitë në koalicion sipas këtyre burimeve po presin që opozita të mos pengoj seancën solemne përmes gazit, por që ta kontestojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse gjatë këtij procesi ka pasur shkelje kushtetuese.

Burimet më tej kanë rrëfyer se nëse partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca dhe Nisma, insistojnë që të ketë gaz lotsjellës gjatë tentimit të parë të Thaçit për zgjedhjen e tij në krye të presidencës, atëherë Thaçi do të mund të provoj zgjedhjen përmes Kuvendit më 18 shkurt, një ditë pas protestës së radhës të partive opozitare.

Burime të RTV Dukagjinit më tutje kanë shpjeguar se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është në gjendje që të zgjidhet në krye të shtetit edhe në sallat alternative të Kuvendit të Kosovës, në rast se opozita e bashkuar nuk do të tërhiqet nga ideja e bllokimit të seancës përmes gazit apo edhe metodave të tjera.

Mirëpo zgjedhja e Thaçit në sallën alternative do të paraqiste problem pasi që procedurat e përjashtimit të opozitës janë mjaftë të komplikuara.
Sipas rregullores së punës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk do të mund të merrte vendim për përjashtimin e komplet opozitës.
Për ta bërë kushtetuese zgjedhjen e Hashim Thaçit president pa praninë e opozitës , kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të duhej të pres sjellje jo konstruktive nga secili deputet veç e veç në mënyrë që t`i suspendoj një nga një.
Nëse kjo llogaritet, teknikisht do të qonte në një seancë të pafundme.