11 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6763

Mazreku kërkon punë nga drejtorët

0

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive komunale që të punojnë maksimalisht në realizimin e planit të punës për vitin 2016.

“Realizimi i këtij plani, është detyrë e juaja si drejtori komunale dhe e juaja mbetet të punoni për realizimin e këtij plani”, ka thënë Mazreku.

Nga ana tjetër drejtorët e drejtorive komunale, duke raportuar para nënkryetarit Mazreku, kanë thënë se planet e punës për vitin 2016, kanë filluar të realizohen, ndërsa aktualisht të gjitha punët dhe angazhimet e drejtorive, po shkojnë sipas planifikimeve.

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve është bërë me dije se kanë filluar përgatitjet për shënimin e 17 Shkurtit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe kanë filluar edhe përgatitjet e procedurave për realizimin e projekteve të planifikuara për këtë vit. /PrizrenPress.com

Universiteti i Prizrenit dhe Mitrovicës lidhin marrëveshje

0

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ai i Prizrenit “Ukshin Hoti” do bashkëpunojnë në fushën akademike duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe për anëtarët e departamente dhe fakulteteve.

Për këtë qëllim të hënën në Mitrovicë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre universiteteve, nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj.

Të dy rektorët e kanë vlerësuar si një marrëveshje të rëndësishme, që do të mundësoj zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve që ata udhëheqin.

Ata shprehën zotimin e tyre për të kryer aktivitetet që nevojiten për të realizuar objektivat e marrëveshjes.

Në kuadër të marrëveshjes me gjithsej tetë pika, janë precizuar obligimet që kanë universitetet për jetësimin e kësaj marrëveshjeje.

Parashihet shkëmbimi i vizitave të anëtarëve të stafit didaktik dhe kërkimor, që kanë për qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave etj.

Po ashtu planifikohet shkëmbimi i botimeve, materialeve akademike, shkëmbimi i studentëve pasuniversitarë dhe personelit kërkimor më qëllim të ndjekjes së seminareve etj.

Në një pikë të veçantë të marrëveshjes, saktësohet se bashkëpunimet e veçanta ndërmjet njësive akademike të të dy universiteteve do të përcaktohen me protokolle të veçanta. Si të tilla ato do të firmosen edhe nga përfaqësuesit e tyre kompetentë.

Rektori i Alush Musaj, potencoi se kjo marrëveshje bashkëpunimi, ashtu sikur të tjerat që janë nënshkruar me universitete jashtë dhe brenda vendit, është me interes dhe në dobi të vetë studentëve, si dhe të punës kërkimore në universitet. /PrizrenPress.com

Ndërron jetë akademik Kristo Frashëri

0

Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku i njohur Kristo Frashëri.

Lajmi u bë me dije nga Akademia e Shkencave, sipas të cilës, personaliteti i shquar i jetës akademike në vendin tonë, ndërroi jetë mbrëmjen e 31 janarit, nga një vdekje natyrale.

“Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella fëmijëve, familjarëve e të afërmve për humbjen e këtij personaliteti të shquar të historisë e të mbarë kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin e ASH-së.

Duke shtuar më tej se homazhet për nderin e tij do të mbahen më 3 shkurt 2016, në mjediset e Akademisë së Shkencave.

Profesori i njohur Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare, ku që nga viti 1938, kur ka botuar edhe shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ai ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare apo monografi shkencore.

Shok nga Londra në Los Angeles

0

Ekipi i Filmit Shok, regjisori Jamie Donougjue dhe producenti Eshref Durmishi, janë nisur për në Los Angeles, për promovimin e filmit kosovar të nominuar për Oscar.

Paraprakisht, ata kanë qëndruar në Londër, ku kanë takuar Ambasadorin e Kosovës atje, Lirim Greiçevcin.

“Duke i përcjellë nga Londra për në Los Angeles, te fushëbeteja kryesore artistike, regjisorin Jamie Donoughue dhe producentin Eshref Durmishi, të filmit Shok, të nominuar për çmimin Oscar, për herë të parë në historinë e filmit kosovar”.

“Pa marrë parasysh rezultatin e votimit më 28 shkurt, filmi tashmë ka fituar zemrat e gjithë shqiptarëve si dhe ka sensibilizuar vëmendjen e botës, duke përçuar historinë më të re të Kosovës në ekranet botërore”.

“Filmi ka vetëdijesuar edhe institucionet e Kosovës për fuqinë e ndikimit të filmit, artit dhe kulturës, duke ndarë 70 mijë euro për promovimit e filmit Shok Short Film ?#?Oscars ?#?Inspiration”, ka shkruar Ambasadori Greiçevci në llogarinë e tij në Facebook. /Politiko.net

Ka vdekur aktori Frank Finlay

0

Ka vdekur në moshën 89 vjeçare aktori britanik Frank Finlay, raporton BBC.

Finlay ishte më i njohur për rolet e tij në filmat “Othello” dhe “The Three Musketeers”.

Ai ka luajtur edhe në filmin Casanova dhe ishte pjesë e Laurence Olivier National Theatre Company.

Lajmi është dhënë fillimisht në faqen e tij zyrtare.

“Me pikëllim po e japim lajmin se Frank ka ndërruar jetë i rrethuar nga familja e tij”, shkruhet aty.

Finaly vdiq në shtëpinë e tij në Weybridge, pas një sëmundje të shkurtër.

Gati gjysma e Malit të Zi për hyrje anëtarësim në NATO

0

Anëtarësimin e Malit të Zi në NATO aktualisht mbështesin 47,3 për qind të qytetarëve të këtij shteti, del nga një hulumtimin i agjencisë Damar, transmeton agjencia Beta..

Diç më tepër se 37 për qind kundërshtojnë anëtarësimin, ndërkohë që 15,6 për qind të të anketuarve nuk ka ndonjë qëndrim ndaj kësaj çështjeje.

Hulumtimi është kryer mes 19 dhe 24 janarit në 10 komuna të Malit të Zi, me 1.100 të anketuar.

Agjencia Damar pohon se hulumtimet ndaj përcaktimit për NATO saj tregojnë një rritje konstante të mbështetjes për hyrje të Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike.

Në qershor të vitit 2015. godine, 63,6 për qind të të anketuarve kanë theksuar se besojnë që Mali i Zi do të hyjë në NATO, ndërkohë që për këtë tash janë të bindur janë 76,3 të qytetarëve.

Mali i Zi ka marrë ftesën për bashkangjitje NATO-s në fillim të dhjetorit të kaluar, ndërkohë që negociatat rreth përgatitjeve për formalizimin e anëtarësimit janë paralajmëruar për shkurt.

Remi e dorëzon mandatin e deputetit

0

Pas raportimit të mediave se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ti merret mandati deputetit Rrustem Mustafa – Remi, ky i fundit sot ka shkruar letër të hapur, nëpërmjet të cilës tregon se e dorëzon mandatin e deputetit, por shpreh mllef për prani të veprimeve autoritare të institucioneve.

Këtë letër të hapuar ai ia ka adresuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryeparlamentarit Veseli, presidentes Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaqi.

Në këtë letër ai shkruan se autoritarizmi rrezikon lirinë dhe sugjeron që duhet munduar fort për të ndërtuar kulturë tek qytetarët, që besnikërinë ndaj shefit (individit) ta zhvendosin në besnikëri ndaj shtetit.

“Zyrtarët e shtetit, jo vetëm që duhet, por kanë obligim kushtetues që të jenë konformist ndaj ligjeve dhe besnik në mbrojtjen e interesave shtetërore. Duhet shumë punë për të çrrënjosur apetitet individuale karshi zhvillimeve sistematike institucionale. Ne duhet të besojmë në institucionet tona dhe politikëbërjen tonë. Unë, respektoj vendimet e gjyqësisë dhe kam respektuar nevojën për konformizëm ndaj rendit dhe ligjit.

Vendimi për dorëzim të mandatit tim të deputetit ishte rrjedhojë e besimit tim të palëkundur në shtetin tonë dhe institucionet e tij dhe kam pritur që edhe veprimet e institucioneve do të përgjigjeshin me po këtë ndershmëri. Sidoqoftë, institucionet nuk kanë vepruar në pajtueshmëri me ligjet dhe procedurat të cilat adresojnë këtë çështje”, shkruan, ndër të tjera, Rrustem Mustafa – Remi.

Haradinaj: Opozita po tregon se si të dilet nga kriza

0

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se po vjen momenti kur Opozita po tregon përfundimisht se si të dilet nga kriza politike.

Në takimin me shoqërinë civile ai ka shtuar se tri partitë opozitare kanë sfida të ndryshme ku sipas tij kanë shumë të përbashkëta por edhe në disa prej tyre dallojnë, njofton Klan Kosova.

As Salihaj nuk do të jetë në seancë kur votohet Thaçi për president

0

Kandidatit për president sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçit, po vazhdon t’i ngushtohet kuorumi, për seancën në të cilën emri i tij do të jetë për votim.

Vjosa Osmani, Arben Gashi e Alma Lama nga LDK dhe deputeti i pavarur Gezim Kelmendi, kanë deklaruar tashmë se nuk do të marrin pjesë në seancën kur Thaçi do të votohet për president.

Por, kësaj listë së fundmi i është shtuar edhe emri i deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, që thotë se nuk do të jetë pjesë e një séance të tillë.

“Jam deklaruar qysh herët për votën time kundër Thacit. Por, edhe që nuk do të jem pjesë e procesit të votimit fare për Thaçin President”, tha Salihaj për Radio Dukagjinin.

Salihaj shtoi se të gjitha partitë, përfshirë edhe ato të opozitës, duhet të ulen e bisedojnë për një emër konsensual për postin e Presidentit.

Pa qëndrime janë edhe disa deputetë nga radhë e Lidhjes Demokratike. Anton Quni dhe Besa Gaxherri, të kontaktuar nga radio Dukagjini, nuk e kanë bërë publike vendimin e tyre.

Ndryshe, për ta pamundësuar kuorumin, në sallë nuk duhet të jenë të pranishëm 41 deputetë.

Opozita, ka 31 deputetë.

Çdo çast erotik vdes, poezia e bën atë të përsëritshëm

0

Flutura Açka mbledh në një libër vargjet e shkruara vitet e fundit, duke bërë një “Ftesë për flirt”

Dashuria më preku në buzë/Aq ëmbël sa duron shpirt’ i mjerë/Por sakaq u ndez u bë shpuzë/E jetojn’eter… Flutura Açka i ka përkthyer me mendje këto vargje të Robert Frost. Dikur burrat shkruanin vargje të mrekullueshme dashurie për femrat, këtë ia kujton dhe Tagora. Në një kohë që mbart gjithnjë e më pak poezi brenda saj, Açka hyn tek ata që vazhdojnë të shkruajnë vargje sa herë kanë një fletë bosh përpara, pavarësisht ku ndodhen. Pas debutimit në prozë me disa romane që janë pritur mirë nga kritika, duke krijuar një rrëfimtare ndryshe në letrat shqipe pas viteve ’90, Flutura Açka ka vetëm pak ditë që ka ardhur për lexuesin me një libër me poezi. “Ftesë për flirt” përmban poezi të reja shkruar vitet e fundit, të cilat ajo i mblodhi një ditë bashkë për t’i sjellë në një libër, e duke i quajtur një ftesë për flirt, pasi kjo e fundit është ndjesia më e mirë që poezia provokon shpesh brenda nesh.

E quani “Ftesë për flirt”, rikthimin tuaj sërish në poezi pas disa viteve ku keni hulumtuar me prozën. Çfarë ka brenda kjo ftesë…?

Janë përgjithësisht poezi të reja, të shkruara vitet e fundit, të cilat nuk isha kujdesur t’i tufëzoja për një libër, ndoshta ngaqë ende nuk e kishin një atmosferë për të qenë të gjitha bashkë. Unë shkruaj poezi vazhdimisht, por jo pa ndjesë them se gati i harroj për shkak të mahnitjes së shpeshtë nga proza. E pra, paskam pasur kaq nevojë për poezinë. Është një libër me një sens të dukshëm erotik, të paktën nga leximi i shpejtë i tij, por po aq një libër me një nerv social, që u bën disa prej poezive të vëllimit që ta zhbalancojnë sensin e tij. Një vëllim që ka trazimin tim të viteve të fundit, që mund të kuptohet edhe nga ditët kur janë shkruar poezitë, që e shoqërojnë botimin. Është shumë e vështirë të flasësh për poezinë, ta kategorizosh apo ta shpjegosh atë, së paku unë nuk mundem dot. Mendoj se poezitë e këtij vëllimi janë vazhdim i asaj natyre që është paracaktuar në pesë vëllimet e mëparshme poetike të miat, nga është krijuar lidhja e parë me lexuesin. Por natyrisht, flasim për një tjetër nivel maturimi, që lidhet me pjekurinë time letrare; e di, nuk janë poezi për masën, por as poezia nuk është art për masën, është shumë e brishtë dhe kryeneçe.

Si është ky rikthimi sërish te poezia, pas shkrimit të prozës… Ka ndryshime në këto kthime?

Janë gjendje të ndryshme, edhe në të shkruar, edhe në raportin me lexuesin. Në poezi ke më shkujdesje, ose për ta thënë më saktë, ke një lloj qetësie kur e boton, po sa paqetësi kur e shkruan. Kjo vjen ngaqë poezia është thelbi yt, shumë më afër teje, ka format, frymën, ahtet e tua, dhe ngaqë je më së shumti vetvete dhe më afër së vërtetës, nuk e ke shqetësimin se si do të reagojë lexuesi. Kjo edhe sepse lexuesi i poezisë, është një lexues besnik i yti, jo çdo lexues, është lexues poezie, dhe ky pakt është vendosur me herët, dhe nuk ke asnjë drojë të vazhdosh bisedën ku e ke lënë me të. Sado të eksperimentosh me poezinë, ajo ka spontanitetin, nervozizmin, ritmin, hovin, në njëfarë mënyre, ADN-në e qenies tënde. Ndërsa proza, ngaqë është kryekëput trill, ti ke drojën e pritshmërisë së lexuesit. Ankthi është më i madh dhe pritja më e gjatë, pasi do më shumë kohë të përtypet e të perceptohet. Kurse në dashurinë me poezinë ti e merr menjëherë shpërblimin, të mirë a të keq, varet nga poezia që ke ofruar. Megjithëse jam një shkrimtare e dashuruar me prozën tani, e di, se asnjë gjendje nuk mund të krahasohet me atë të poezisë, kjo për faktin se trazohen sensorë me ndjeshmëri shumë më të lartë sa ç’është proza dhe e përditshmja, që është vetë një prozë e rëndomtë.

Jeni më e hapur në këtë libër, flisni për seksin, ëndrrën. Ka një moment kuptimi që këto biseda mund të bëhen hapur… Pse tani kjo qasje më e hapur?

Ky libër nuk ndryshon shumë nga qasjet e mia të mëparshme ndaj seksit dhe sensualitetit në përgjithësi; e kam dëshmuar herët me prozën time. Flas për ata që e kanë lexuar, e dinë se “hapja” ime ndaj temave tabu, ka qenë shumë më herët. Dhe kur flas për erotikën, që duket se është shtjella ku vërtiten më së shumti vargjet e këtij libri, kam parasysh atë metafizike, e sjellë në vibrime të tilla, që për një që di ta shijojë poezinë, t’i kthehet edhe në vibrim fizik. Por jo mua vetë. Edhe poezia, si shkrimëria në përgjithësi, është thjesht trillim, por një trillim me qasje të forta të një subkoshience të trazuar, shumë afër thelbit tënd njerëzor, me pak rrëfim e me shumë intensitet, me pak fjalë dhe me shumë ndjeshmëri, me pak rreshta, por me shumë marrafrymje, nga ato të njeriut të robëruar nga nevoja për të përjetuar një çast të pazakontë dhe jashtë rutinës. Letërsia erotike nuk ka për detyrë të çlirojë mendjet, as t’u injektojë trupave adrenalinë, ajo thjesht hyjnizon atë çfarë njeriu e përjeton, edhe më tej akoma, i jep asaj një dimension gati të pavdekshëm dhe të përsëritshëm. Ti prandaj edhe lexon e rilexon një poezi: thjesht je në kërkim të atij sentimenti. Çdo çast erotik vdes, zëvendësohet nga tjetri e nga tjetri, ndryshe nga përvoja fizike, poezia në metafizikën e saj, e bën atë të përsëritshëm dhe superan. Flas për poezinë erotike, dhe poezitë e mia erotike kanë atë perceptim që kam unë për erosin, që mund të jetë i ndryshëm nga poetë të tjerë, dhe i ndryshëm nga çdo njeri, kështu që poezinë time e lexon dhe e pranon ai që ka po të njëjtë gjatësi vale në pranimin e seksit, të dashurisë dhe seksdashurisë, një koncept ky me të cilin merrem në këtë libër. Është tjetër seksi, është tjetër dashuria, dhe tjetër seksdashuria.

Kur një autore flet hapur dhe kur ajo është femër, shpesh shoqërohet me debate. A është shoqëria jonë e hapur ndaj leximeve të tilla?

Shoqëria jonë nuk merret shumë me këto debate, fatkeqësisht. Do të kishte qenë mirë të merrej shumë e më shumë, por e ka brejtur politika të gjithë hapësirën e debatit dhe arteve, edhe letërsisë mes tyre, i mbetet shumë pak vend. Unë kujtoj kur botova “Kukullat nuk kanë Atdhe”, m’u bënë shpesh pyetje nga gazetarët, se si ishte e mundur që një grua me skrupuj, e cila edhe skuqet ndonjëherë, një grua me kurajë, por me një drojë (po themi, morale), shkruante aq hapur dhe me atë fjalor që kam shkruar në atë libër. Për ca u duk fundi i botës, për ca të tjerë një letërsi kryefund pornografike. Përgjigjja ime është e thjeshtë: ose këta njerëz nuk e dinë se ç’është pornografia, ose nuk e kanë lexuar veprën, ose nuk dinë të lexojnë letërsi. Letërsia nuk ka të tilla barriera, letërsia është pafund, krejt e pafund. Një shkrimtar nuk mund të gjykohet kurrë se me ç’gjuhë, me ç’mjete dhe deri ku shkon me fjalorin e tij. Lexuesi ka për detyrë ta marrë ose ta lërë, kritika ka për detyrë ta cilësojë ose jo letërsi. Të tjerat, risku dhe privilegji, janë të shkrimtarit. Letërsia nuk ka moral, gjykimet mbi të janë morale, dhe ky është ndryshimi. Por sigurisht, kur pyesni, ju keni parasysh debatin e fundit mbi vëllimin “Vrima” të koleges sime, Rita Petro. Debati degjeneroi deri në poshtërsi, duke fyer dhe anatemuar poeteshën. Me çfarë të drejte? Nëse duhej gjykuar çmimi, pra nëse e meritonte ose jo, ky është një debat tjetër, por jo të denigrosh e të fyesh dhe të lëndosh artistin. Për mua ishte një debat i papranueshëm, dhe që tregon se niveli ynë i debatit është në kufij të mjerueshëm. Por më e keqja për mua ishte mosmbrojtja e poeteshës që iu bë pas debatit, nga vetë ata që ia dhanë çmimin. Më falni, por ç’donte të thoshte shpjegimi se çmimi iu dha për dizajnin dhe arsyetime ishin qesharake, duke e lënë të vetmuar poeteshën para furtunës baltuese. Poetesha ka shkruar një libër dhe ti si juri duhet ta mbrosh librin, ose ndryshe mos ia jep çmimin, kur nuk je i sigurt që e mbron. Ose çmimi yt është i dyshimtë, ose ti je i paaftë. Unë e ndoqa debatin nga larg, pasi ka kohë që kam hequr dorë nga kimia me çmimet shqiptare letrare, por qëndrimi im është ky që sapo shpjegova: në vend që kjo Shqipëri të merret me hajdutët që po e zhveshin vendin, i tregon një poeteshe se si duhet ta shkruajë vargun dhe se sa turp është fjala “vaginë”, a thua se kanë dalë nga sqetulla këta njerëz.

Poezia në një farë mënyre, është një histori. Nëse do të veçonit historinë e njërës prej tyre, cila do të ishte?

Po, është poezia “Orë e shurdhimit”. Po jap vetëm pak vargje të saj: “Në rrugën e madhe fryn erë,/në heshtjen e madhe bën zhurmë,/në lindjen e madhe ka shtrëngatë,/në prehjen e madhe ka kryengritje…/ Ç’e ka këtë ngut kjo botë,/që derdh paqetësi,/mbi turrin tonë?…” Poezia mban datën 4 shkurt 2011, dhe padyshim ka tronditjen time të ngjarjeve të 21 janarit të rëndë të atij viti, ku katër shqiptarë të pafajshëm u bënë kurban nga politika majtas dhe djathtas. Poezitë e mia janë të shkruara të gjitha me dorë, dhe janë në dorëshkrimet e mia bashkë me datën kur janë shkruar; një pjesë të tyre i kam lënë me datë edhe në libër enkas, ato bartin edhe gjendjen time, shumë prej tyre janë shkruar në rrugë e sipër. Fabulat e fshehura pas tyre, përtej fshehtësisë, janë histori që rrëfehen me një ndjeshmëri, që vetëm poezia mund t’ia dalë. E ndiej si një pasuri të madhe në jetën time këtë sinergji që të shkakton poezia, edhe pse shpesh ajo shpjegon gjendje të ulët të presion tim psikologjik. Por fundja poeti është një qenie biologjike, një qenie që mendon, por ndryshe ka të tjerët, thjesht ka dëshirë t’i thotë me zë të lartë ato që mendon, dhe t’i ndajë me të tjerët përpëlimat e tij.

Duket sikur shkruhet gjithnjë e më pak poezi sot. Si e shihni atë çfarë ndodh me poezinë jo vetëm në vend?

Kudo shkruhet më pak poezi sot, tirazhet e vëllimeve poetike janë qesharake; edhe në mes të Nju Jorkut madje botohen 500 kopje. Në Shqipëri, për fat, lexohet shumë më shumë nga ç’mund ta mendosh prej atij numri të kufizuar lexuesish që kemi. Ditët e fundit isha në një takim me Adonisin, poetin e madh sirian, në qytetin e Hagës dhe salla ishte plot. Por po flas për Holandë, ku njerëzit janë aq të lidhur me librin, ku rrallë ka familje pa bibliotekë. Te ne shkruhet poezi shumë, dhe ka poetë shumë të mirë, por nuk kanë fatin që poezitë e tyre të jenë publike. Nuk ka lexime publike të organizuar nga struktura të vërteta që merren me kulturën. Përveç Poetekës, që bën një punë shumë të lavdërueshme për ta mbajtur bërthamën e poezisë shqiptare sot, nuk shoh ndonjë shenjë tjetër. Poezinë, letërsinë dhe artet shqiptare i grinë klanet, inferiorët dhe mungesa e fondeve. Si mund të bësh poezi, letërsi dhe arte në këto kushte?

Ka një traditë në poezinë shqipe. Sa ndihmuese është kjo traditë, dhe cili është vendi i saj sot?

Më kujtohet në fillim të viteve ’90, njëri prej autorëve të rinj të asaj kohe, i cili nisi të shkëlqejë, nxitoi të bënte thirrje për përzvaltjen e traditës së poezisë, me cilësime se Naim Frashëri, Çajupi dhe ca mjeshtër të tjerë shumë përpara nesh, ishin të palexueshëm, se të tjerët më pas as kishin ndonjë vlerë, e të tjera. Në fakt, ai vetë nuk ndriti ndonjë gjë, edhe pse u përpoq të bindte njerëzinë shqiptare se poezia fillonte prej nesh, pra prej nesh të viteve ’90. Ne kemi një traditë të mrekullueshme në poezi, nuk po flas fare për lirikën tonë popullore, ndër më të pasurat dhe më befasueset mbi dhe; një poezi mahnitëse. Lista e traditës sonë është e gjatë, dhe i kthehem shpesh, por mjafton të përmend Migjenin. Çdo komb do ta kishte për nder të kishte në historinë e letërsisë së tij një poet të përmasave të tij. Shumë pak përmendet. Më në fund u botua Camaj në Shqipëri, të tjerët janë në programe dhe të botuar rastësisht nga botues që përpiqen t’i mbajnë në treg. Kur në fakt, poezia e traditës, dhe vetë autorët e traditës, duhet të ishin në projekte shtetërore për botime shteruese dhe të jenë në vitrinën shqiptare në mënyrë të përhershme. Kur kjo ndodh me traditën, mendoni se ç’ndodh me poezinë e re shqipe. Keni parë ju ndonjë shkrim pretencioz për poezinë e sotme shqipe? Edhe nëse ka, ka vetëm për rrethin e miqve.

Lexon poezi? Cilët janë poetët që lexon ende sot?

Ju thashë sapo kisha rastin të rifreskoja Adonisin, kohët e fundit rilexova Hamletin, sepse më duhej për një shënim timin. Mbrëmë, për fat të mirë, kam lexuar poezi nga Tagora, një poezi ku fliste për trupin e gruas, dhe mendova se sa bukur kanë shkruar ndonjëherë burra të dashuruar për ne, gratë. Madje, një poezi të Robert Frost e fiksova dhe e përktheva me mend. Ka të ngjarë të mos jetë përkthim i saktë, por ka ritmin që më mbeti në mendje:

Dashuria më preku në buzë,

Aq ëmbël sa duron shpirt’ i mjerë

Por sakaq u ndez u bë shpuzë

E jetojn’eter.

Cili është libri i fundit me poezi që keni lexuar nga një autor shqiptar?

Poezi lexoj më pak tani, por mbetet një nga dashuritë e mia. Libri i fundit që kam redaktuar dhe me të cilin jam marrë gjatë dhe e kam shijuar, është vëllimi poetik i poetit të mrekullueshëm, Dhimitër Pojanaku “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, një triumf i poetit, por që media nuk i dha vëmendjen e duhur. Kritika jo se jo. Unë lexoj me ëndje (ndonjëherë edhe përmes medias sociale) Demir Gjergjin, Alban Balën, Manjola Brahaj, Lisjana Demiraj, Alfons Zenelin, Lindita Komani. Mezi po pres të lexoj librin më të ri poetik të Linditë Ahmetit, një poeteshë ndër më të mirat shqiptare dhe natyrisht në pritje të librit të ri poetik të Natasha Lakos. /Shqip