Home Blog Page 6767

Opozita nuk e dërgon Hashim Thaçin në Kushtetuese

0

Opozita e bashkuar ka marrë vendim që mos ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të Kosovës, bëjnë të ditur burime të Gazetës Fjala brenda bllokut opozitar.

Mandati dhe Betimi i presidentit është përcaktuar me Neni 87  të  Kushtetutës  , pika 1 ku  thuhet se  Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës.

Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe zyrtarë të bllokut opozitar, por ata nuk kanë dashur të flasin shumë për këtë çështje.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ende nuk kanë informata dhe nuk e din se a do të dërgohet lënda për kontestimin e Hashim Thaçit për president në Gjykatën Kushtetuese.

“Ende nuk e dimë, do ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Nitaj për Gazetën Fjala.

Femra, bolla që pi cigare

0

Ankthi nga femra është ankthi nga pamundësia për ta kontrolluar dhe pamundësia për ta “pasur” femrën

Ballsor Hoxha

Ka një tregim popullor dhe krejtësisht surreal i shoqërisë sonë, që thotë se shumë burra e kanë takuar “bollën”, e cila për t’ua lëshuar rrugën, u ka kërkuar cigare. Është tregim shumë i vjetër. Por dhe nuk ka asnjë në botë që mund të më bindë se ka një shpjegim tjetër përpos se “bolla” është vetë gruaja, simbolikë e gruas. Dhe pikërisht për këtë simbolikë e ndërdijshme për pushtetin e femrës, për mosnjohjen e femrës dhe për frikën e burrit shqiptar nga femra, jo nga femra reale, por psika dhe e pakontrollueshmja brenda saj.

Ka, personazhi kryesor i romanit “Bora” të Orhan Pamuk, është një prej personazheve më të përafërta me dramën dhe strukturën e burrit shqiptar ndaj femrës së dashuruar. Kjo strukturë është pikërisht ankthi nga femra: ankthi nga pamundësi e posesivitetit / kontrollit të tij ndaj saj dhe nga paplotësia e saj.

Ankthi nga femra është ankthi nga pamundësia për ta kontrolluar femrën dhe pamundësia për ta “pasur” femrën. Ky ankth, sigurisht buron nga struktura e marrëdhënies fëmijë / nënë shqiptare dhe në besimin e pastërtisë absolute të nënës. Por, shih ironinë, pikërisht kjo, do të thotë se ka një “fëlliqësi” në nënën shqiptare, si në të gjitha nënat e botës apo për ta quajtur më saktësisht dhe jashtë diskursit burrëror shqiptar, ka një anë të errtë edhe brenda nënës / nënave shqiptare. Dhe se pikërisht ana e errët e femrës / nënës shqiptare do të thotë mungesë kontrolli ndaj saj.

Ankthi i burrit / djalit të sotshëm dhe në kohërat moderne të shqiptarëve është dhe buron nga mosnjohja e femrës.

Ankthi po ashtu është edhe për shkak të pamundësisë për të gjetur një harmoni dhe ndërveprim të pranueshëm për të dyja palët, pra jo vetëm për burrin.

Nëse e kërkojmë këtë strukturë, jo historikisht, në modelet letrare të letërsisë shqipe nga ndikimi dhe gjithëpërfshirja që kanë pasur dhe me këtë edhe ndërkomunikimit që kanë pasur, janë disa romane që duhet shquar në këtë aspekt: “Lulja e Kujtimit”, pastaj romani “Sikur të isha djalë” etj. Në të dy këto romane dashuria është tejet naive dhe pikërisht për këtë, është simbolikë e marrëdhënies së djalit me nënën e tij të “pastër” në nivel absolut. Në të dy romanet femra është ajo që e dimë vetëm si fëmijë dhe ende të papërfshirë brenda kompleksit të Edipit.

Por romani, i cili krijon dhe projekton një dashuri më të thellë, është romani “Lumi i vdekur”, dhe pikërisht dashuria ndërmjet personazheve të Adilit dhe Vitës. Në këtë marrëdhënie fiksionale, këta dy persona krijojnë një lidhje dashurie me ndërmjetësimin e misionit të letërsisë së asaj kohe, që ishte ruajtja e kombit, bashkimi i shtresave dhe përkatësive religjioze të ndryshme etj., e që në psikanalizë njihet si instinkti i “ruajtjes së llojit” apo vazhdimit të llojit.

Megjithatë, edhe kjo lidhje dashurie krijon një femër krejtësisht të pastër dhe të padyshimtë. Pikërisht kjo e bën artificiale këtë dashuri, gjë që krijon një formulë të “mundshme”, në nivel të dietetit (Zotit) të motivuar nga humanizmi, për ruajtjen e llojit.

Vita, personazhi i dashuruar në Adilin, në romanin “Lumi i vdekur”, tërë kohën vuan akuzimet e grave për papastërtinë e saj si femër, akuza të cilat gjithherë dalin të pavërteta dhe si intriga. Mirëpo shikuar në thelb, këto janë pikërisht konflikti i femrës shqiptare, femrës në tërë botën, që nga vendosja e strukturës moralizuese ndër njerëzimin për pastërtinë e femrës.

Femra që nga lindja e moralit e këndej ka një konflikt të tmerrshëm, bartur edhe në bashkëkohësinë tonë. Realitetin e “fëlliqësisë” që njihet në zhargonin e gjuhës moralizuese apo ndryshe të njohur si anë e errët apo edhe si anë e pakontrollueshme. Derisa në paragjykimin social dhe moral femra duhet të jetë e pastër, në të vërtetë pastërtia e saj është pakontrollueshme dhe e pamundshme. Ajo që kërkohet nga femra është e pamundshme.

Kështu edhe Vita, e fejuara e Adilit, te “Lumi i vdekur” nuk arrin të jetojë derisa i duhet të përballet me atë që në roman paraqitet si intrigë e ligë ndaj saj. Mirëpo parë më thellë, kjo mund të shihet edhe si projeksion i femrës naive (lexo: Vitës) së anëve të errëta të saj. Por me qenë se Vita duhet të shërbejë për një motivim gjithëkombëtar asaj i janë sterilizuar (lexo: kastruar) të gjitha mundësitë e “ikjes” në të pakontrollueshmen femërore dhe ajo është peng i misionit të “ruajtjes së llojit”.

Pikërisht për këtë arsye personazhet e Orhan Pamuk në romanet e tij si “Muzeu i pafajësisë” dhe “Bora”, janë shumë më të përafërt me mënyrën tonë të jetës. Duke e ditur jo vetëm influencën e kulturës turke në shoqërinë tonë shqiptare, por edhe konfliktet, dramat dhe aksidentimet e ngjashme tonat dhe të shoqërisë turke me zhvillimet sociologjike në Perëndim, ka një argument të fortë që të fillojmë prej aty trajtimin e temës së tradhtisë së femrës ndaj mashkullit.

Personazhi Ka, siç na jepet në roman, tërë jetën e tij ka qenë i dashuruar në Ipekun e bukur dhe në të njëjtën kohë tërë jetën ka ikur nga ajo. Tërë romani është njëlloj rikthimi dhe rigjetjeje e jetës për personazhin Ka, pikërisht në vendin më të izoluar në botë.

Por si strumbullar i tërë kësaj ikjeje të ankthshme dhe të tmerrshme në poezi, vetmi dhe trishtim i personazhit Ka, për tërë jetën e tij, është frika nga tradhtia e femrës. Në njërën anë Ka asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që të mbizotërojë modelin e burrit patriarkal, i cili ia – ndalon – (lexo: kastron) femrës anën e pakontrollueshme dhe me këtë e bën të kontrollueshme femrën; dhe, në anën tjetër, ai kurrë nuk ka mundur të bëjë jetë tjetër përpos sipas modelit të sociologjisë së “shëndoshë”, asaj të përsëritjes së strukturës së tij si fëmijë me nënën e tij, e që është ndarja e jetës me një grua. Dhe me këtë, mundësia e tradhtisë së një femre për Ka-në ka qenë edhe strumbullari i ankthit edhe argumenti i ikjes së tij.

Dhe pikërisht kur çdo gjë bëhet e mundshme, edhe jeta, edhe lumturia në jetë (në vendin më të braktisur dhe më të izoluar në botë dhe atë jo vetëm nga njeriu, por edhe nga natyra), dashuria dhe besimi i femrës etj., në atë moment Ka kupton se Ipeku e bukur është e dashuruar në përjetësi me personazhin tjetër të quajtur Kaltri.

Megjithëse i paralizuar psikologjikisht personazhi Ka nga mundësia e tradhtisë, që do të thotë dhembja e shkaktuar nga femra, ai arrin të tejkalojë faktin se e dashura e tij ka qenë e martuar me një burrë. Dhe megjithëse edhe në momentin kulmor të lidhjes së Ka me Ipekun ai kupton se Ipeku ka pasur edhe një dashnor tjetër dhe atë në strukturën e tradhtisë klasike, pra derisa ka qenë e martuar e ka tradhtuar burrin e saj me një shok të tij (përndryshe tmerri më i madh i strukturës së mashkullit të zakonshëm / shëndoshë), ai nuk arrin ta përmbushë këtë dashuri, këtë lidhje dashurie.

Ka një gjë që i bën femrat të pabesa, sidomos në strukturat patriarkale, si ato të moderuara, si ato ekstreme. Është kushtëzimi i jetës, pra kushtëzimi edhe i dashurisë, edhe i kënaqësisë, edhe i lirisë, edhe i përmbushjes së femrës nga fenomeni biologjik i virgjërisë. Pikërisht momentin kur femra e humb virgjërinë fizike, ajo është e lirë vetëm brenda zonës së përcaktuar nga përshkuesi i himenit të saj. Pavarësisht modelit, nëse ajo e ka humbur virgjërinë si e martuar, e dhunuar apo edhe e “përdalë”, ajo është dhe do të mbetet deri në fund të jetës së saj peng i virgjërimarrësit të saj. Dhe pikërisht për shkak të kësaj, ajo do të jetë e palogjikshme, e pakontrollueshme dhe e pazotërueshme, por edhe e pabesë ndaj po të njëjtit.

Duke qenë se femra mbetet pre e një “zoti” mashkullor, ajo do të rebelohet, do të “shkërdhejë”, do të luftojë, do të dashurojë dhe do ta tradhtoj atë që ka pushtetin absolut mbi femrën e zhvirgjëruar.

Dhe pikërisht këtu fillon drama e personazhit Ka në romanin “Bora” të Orhan Pamuk, sepse ai, megjithëse ka tejkaluar frikën dhe ankthin e strukturës së mashkullit në lidhje me femrën e kontrollueshme dhe megjithëse ka tejkaluar ankthin nga pabesia e femrës, ai assesi nuk mund të pajtohet me pamundësinë e zotërimit të femrës së dashuruar.

Pikërisht femra e kontrolluar është struktura e fëmijës me nënën e tij të kontrollueshme përmes dashurisë së plotë dhe të mjaftueshme, në shoqëritë patriarkale. Pikërisht në momentin kur e tërë dhembja shoqërore e Ka-së është tejkaluar, në vendin më të izoluar në botë, në qytetin Kars të Turqisë, lind sëmundja universale e mashkullit patriarkal, e pamundësisë së përsëritjes së dashurisë së nënës. Një nëne jo vetëm të pastër, por dhe të mjaftueshme e të plotë në dhe për tërë dëshirën e mashkullit.

Pikërisht këtu lind dilema se pse në letërsinë shqiptare tradhtia e femrës është tërësisht e panatyrshme dhe e izoluar brenda modeleve dhe strukturave të kontrollueshme e të zotërueshme nga mashkulli: nëse jemi ende pa model tejkalimi të kësaj paplotënie të femrës në dashurinë tonë dhe kjo është arsyeja e mungesës së një personazhi të këtillë në letërsinë tonë apo nëse tradhtia e femrës është tejkaluar pa u përjetuar, dhe tani gjendemi në nivel të avancuar përvoje, por pa një shpjegim të dokumentuar në letërsi?

Kjo nuk është dilemë e lehtë, zbërthimi i saj mund të shkaktojë cunami në tërë shoqërinë dhe vlerave të saj. Por, gjithashtu, edhe një letërsi pa një Zonja Bovari, pa një Ana Karenina apo pa një përballje me “bollën që pi cigare”, nuk është jetë e jetuar në plotëni. /Revistasaras.al/

Mbytet peshkatari amator në Shëngjin

0

Një peshkatar amator është mbytur në vendin e quajtur Skalierat, në Shëngjin.

Shtetasi Mark Ujka, sipas familjarëve, kishte dalë për të peshkuar dhe nuk ishte kthyer më.

Policia bashkë me familjarët nisën kërkimet dhe e kanë gjetur viktimën në ujë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të motit të keq dhe dallgëve që e kanë rrëmbyer peshkatarin nga bregu, shkruan Top Channel.

LDK nuk i përjashton ‘disidentët’

0

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i përjashtojë deputetët e saj që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Sipas drejtuesve të kësaj partie, LDK-ja asnjëherë nuk i ka përzënë anëtarët e saj. Ndërsa, zyrtarët që kanë dhënë këtë ide të apostrofuarit për largim i quajnë parashutistë

Ideja e dhënë nga disa kryetarë të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për përjashtim të pesë deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit është hedhur poshtë nga drejtuesit e kësaj partie. LDK-ja i konsideron spekulime mediale deklarimet për mundësinë e përjashtimit të deputetëve të saj, që në opinion njihen si “disidentët” e partisë.

Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se largimi i deputetëve për shkak se kanë qëndrim tjetër nga partia do të ishte i paarsyeshëm. Ata madje vlerësojnë se kjo do ta dëmtonte LDK-në.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë për “Zërin” se gjatë 26 vjetëve të ekzistimit të saj, kjo parti nuk e ka përjashtuar askënd. Sipas saj, LDK-ja është subjekt demokratik dhe se anëtarët e saj kanë të drejtë që ta shprehin lirshëm mendimin e vet.

“Kryesia nuk është trup që i përjashton deputetët dhe kjo çështje është ngritur nga mediet pa asnjë bazë. Në LDK për 26 vjet asnjë anëtar nuk është përjashtuar. Siç e keni parë, në LDK ka demokraci ku anëtarët mund të shprehin mendimin e tyre, ashtu siç e kanë bërë 5 deputetët që nuk kanë ardhur në seancë. Njëjtë kanë të drejtë edhe të tjerët të shprehin mendimin e tyre lidhur me zhvillimet dhe kjo paraqet bazën e demokracisë”, ka deklaruar Sahatqija. /Zëri/

Opozita sot bënë të ditur planin për kundërshtimin e marrëveshjeve

0

Opozita e bashkuar, VV-AAK-NISMA, do të mbajnë sot konferencë për media para Teatrit Kombëtar duke filluar nga ora 15:00.

Opozita pritet të njoftoj për hapat e tutjeshëm të saj në raport me kauzat e tyre që janë kundërshtimi i fuqishëm i Asociacionit dhe Demarkacionit.

Rikthimi i Enver Hoxhajt

0

Enver Hoxhaj është vendosur në vend të Petrit Selimit për ministër të Punëve të Jashtme. Hoxhaj shumë shpejt pritet ta marrë drejtimin e diplomacisë kosovare, i cili do ta zëvendësojë Hashim Thaçin në postin e ministrit të Punëve të Jashtme

Zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit ka lënë zbrazët dy poste, atë të zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme. Mirëpo, Enver Hoxhaj është personi që do ta pasojë atë në krye të diplomacisë, dikaster këtë që e kishte udhëhequr edhe në mandatin qeverisës shkurt 2011 deri në dhjetor të vitit 2014.

Gjatë kohës sa Hoxhaj ka udhëhequr Ministrinë e Punëve të Jashtme pati disa arritje të shtetit të Kosovës, njohje ashtu edhe në anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Duket se Hoxhaj është vlerësuar si më i denjë për ta rimarrë këtë post edhe pse zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka shprehur tash sa kohë dëshirën e tij për të marrë këtë post. /Zëri/

A po rrëshqet shteti në diktaturë?

0

Beteja politike nën hijen e dhunës qeveritare. Pushteti po e persekuton opozitën

Përveç përfaqësuesve të partive politike opozitare, të cilët në vazhdimësi janë duke denoncuar pushtetin se i ka instrumentalizuar politikisht të gjitha segmentet e institucioneve të sundimit të ligjit dhe po i përdorë ato kundër opozitës së bashkuar, për ta shpallur këtë aleancë politike si forcë ekstremiste dhe për ta shtypur e dekurajuar atë deri në një neutralizim të plotë të veprimit politik, këtë dyshim e ngritin edhe analistët politikë. Ata theksojnë se derisa për rastet e shumta kriminale të oligarkëve të lidhur me partitë në pushtet vjetërsohen rastet nëpër Gjykata, vetëm disa incidente miniaturale të opozitës po bëhen shfaqje të mëdha teatrale dhe me pretendime për gjykime bombastike.

Analistët theksojnë se presioni i institucioneve të drejtësisë së politizuar duhet ta mobilizojë akoma më shumë opozitën e bashkuar dhe të mos e dekurajon atë në qëllimin fisnik për mbrojtje të interesit të përgjithshëm dhe dekriminalizim të këtij pushteti nëpërmes detyrimit për të dorëzuar pushtetin e kapur nga krimi dhe korrupsioni.

“Pushteti po përdor të gjithë mekanizmat për ta shtypur opozitën”, tha analisti Ali Hertica.

“Ne e dimë që arrestimet e bëra së fundmi në bllokun opozitar janë arrestime politike dhe më shumë tentohet të bëhet shou-mediatik, mirëpo opozita duhet të reflektojë më e pjekur karshi institucioneve dhe karshi partnerëve ndërkombëtarë”, tha analisti Albrim Badallaj. /Kosova Sot/

Zgjedhja e Thaçit president, sot dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

0

Presidentit të zgjedhur Hashim Thaçi, të premten pritet t’i kontestohet mënyra, procedurat e zgjedhjes nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ylli Hoxha, aktivist i kësaj lëvizje, ka thënë se kontestimi do të përfshijë një spektër të gjerë të shkeljeve të bëra, siç pretendon opozita, të bëra në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ai ka thënë se një ndër shkeljet kryesore është dhuna e përdorur – përjashtimi i 10 deputetëve të opozitës nga seanca e zgjedhjes së presidentit.

Sipas tij, ka mundësi që ky proces të krijojë mundësi për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, si kërkesë e opozitës për zgjidhje e krizës.

Hashim Thaçi u zgjodh president i vendit më 26 shkurt, në një seancë maratonike, gjatë së cilës nuk mungoi gazi lotsjellës dhe nxjerrja zvarrë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Thaçi mori 71 vota nga 81 deputetë të pranishëm në seancën plenare, ndërsa interesant është fakti që kundërkandidati i tij Rafet Rama nuk e pati votuar as veten.

Sot mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

0

Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.

Siç bën të ditur Kuvendi përmes një njoftimi për mediat, disa nga pikat e rendit të ditës për seancë janë shqyrtimi i disa projektligjeve dhe pika të tjera.

Marrë parasysh mungesën e një marrëveshjeje mes koalicionit qeverisës dhe opozitës, nuk dihet nëse partitë opozitare do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Kryesi sot.

Konfiskohen 20 mijë uniforma të ISIS në Spanjë

0

Ministria e Brendshme spanjolle njoftoi mbrëmjen e së enjtes konfiskimin e rreth 20 mijë uniforma dhe furnizime të tjera të destinuara për Shtetin Islamik dhe frontin Al Nusra.

Autoritetet spanjolle bënë të ditur se uniformat u konfiskuan në një operacion policor që çoi në neutralizimin e një “rrjeti shumë aktiv dhe mjaft të efektshëm”, qëllimi kryesor i të cilit ishte sigurimi i furnizimeve ushtarake për organizatën terroriste të ISIS dhe disa degë të saj.

Uniformat ishin fshehur në kontejnerët e anijeve, për të cilët ishte deklaruar se mbanin rroba të përdorura për të shmangur dyshimet. Policia spanjolle publikoi një foto që tregon uniforma kamuflazhi.

Dy nga tre kontejnerët janë bllokuar në portin e Valencias dhe një në Algeciras. Policia vuri në pranga edhe 7 persona, të cilat dyshohen për dhënien e mbështetjes financiare dhe logjistike të grupeve terroriste.