8.5 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6769

Kadare i shkruan letër kryetares së Gjirokastrës

0

Në Shqipëri kanë nisur aktivitetet e planifikuara për nder të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, në vitin 2016, të shpallur “Vit kulturor i Ismail Kadaresë”, për nder të ditëlindjes së tij të 80-të, që u festua më 28 janar.

Festimet nisen me maratonën e leximit “Gjirokastra lexon Kadarenë” dhe do të vazhdojnë më 30 janar, kur shtëpia ku lindi e u rrit shkrimtari do të përurohet si muze.

Mirëpo, në aktivitetet e zhvilluara deri më tash shkrimtari Kadare e kishte të pa mundur pjesëmarrjen, ndaj ai iu drejtua kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Ramit, me një letër.

Ndër të tjera, Kadare në letër thotë së është përpjekur ta ruaj një marrëdhënie të përhershme me qytetin e lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë ka dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që i ka dhënë ai.

Letra e plotë e Kadaresë:

E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës,

Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falenderimin tim, gjithë emocionin dhe, pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj.
Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai.
E dashur zonja Rami,
Ju drejtoni bashkinë e qytetit, që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot.
Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat.
Duke ju uruar gjithë të mirat dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj.

Ismail Kadare
Paris, 25 janar 2016.

17 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit

0

Janë bërë 17 vjet që nga masakra në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.

Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.

Kallashi tregon shumën e dëmeve në ‘Kobra City’

0

Në Landovicë të Prizrenit një grup i madh njerëzish të cilët raportohet se ishin të armatosur e dogjën lokalin shumë të frekuentuar të natës ‘Kobra City’. Ata i rrahën edhe dy rojet që ishin në objekt sot herët në mëngjes.

Nga ky incident lëndime morën dy rojet, njëri prej tyre më rëndë.

Donjeta Kosumi e cila nuk ishte në vendin e ngjarjes në kohën e incidentit shpjegon atë që i rrëfyen rojet.

Por dy sulmuesit që hynë brenda në lokal nuk ishin të vetëm.

Teksa thotë se i janë shkaktuar dëme rreth 200 mijë euro, ajo mohon të ketë pasur problem me dikë.

Ndërkohë në polici thonë se ende nuk dihen motivet e sulmit./Klan Kosova

Hasan Hasani: Kuvendarët, bëjnë pyetje dhe ikin !

0

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren Hasan Hasani, ka kërkuar nga kuvendarët që të qëndrojnë në seancë, kur parashtrojnë pyetje për drejtorët e

Ekzekutivit. Sipas tij, kuvendarët po parashtrojnë pyetjeve vetëm sa për të shënuar pyetjen e tyre përfaqësuesit e KDI-së.

“ Kur të bëjnë pytje duhet me qëndru deri në fund me digju përgjigjen,e jo vetëm sa për të shkruar KDI se cka kam fol”, është shprehur Hasani.

Ai tha se ikja nga përgjigjet është papërgjegjësi e kuvendarëve të Kuvendit Komunal./PrizrenPress.com/

Shani Berisha: Ramadan Mujës ia kanë mbyllur gojën

0

Kuvendari i Bashkimit Demokratik(BD) në Prizren, Shani Berisha ka thënë se kryetari i Komunës e ka gojën e mbyllur. Sipas tij, Muja edhe pse ka kompetenca të mjaftueshme, për shkak të dënimit,po tentohet ta largojnë nga përgjegjësia.

Berisha këtë konstatim e ka bërë, pas propozimit të drejtorit të Urbanizmit Nijazi Kryeziut, që të gjitha pronat komunale të shkojnë në tenderim përmes Kuvendit Komunal.

“Kryetari ka kompetenca që t’i qesë në tender pronat komunale. Tjetër është pse atij ia keni mbyll gojën dhe tash kërkoni nga Kuvendi të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Berisha.

/PrizrenPress.com/

Ka disa çështje që Blushi duhet t’i sqarojë…

0

Nga Arjan Vasjari

Përgjithësisht Ben Blushi është koherent në sjelljen e tij politike. I afeksionuar pas standardeve dhe gati kalorësiak në betejën e tij për ta konservuar PS-në si një parti procedurash, ai përfaqëson, ndoshta, Moikanin e fundit brenda së majtës, që ende vijon ta kërkojë te rregulli sensin e politikës si organizim. Edi Rama për shembull,nuk ka kurrkund lidhje me këtë skemë të menduari. Transhendent për antonomazi, alergjik ndaj strukturës, shpërfillës ndaj disiplinës së grupit, kryeministri mishëron simbolikën perfekte të antipolitikës. Jo rastësisht, po mbush shtatë vjet pa u votuar si kryetar i socialistëve! Në këtë kuptim, Blushi ka plotësisht të drejtë kur e sulmon se është në një flagrante delicto në raport me statutin e partisë. Mirëpo bash këtu marrin udhë disa çështje që Blushi duhet t’i sqarojë publikisht. Sepse nuk janë thjesht çështje të procedurës politike, por të moralitetit politik, bartës i të cilit, zoti Blushi pretendon se është në atë parti.

Fjala vjen: çfarë ka ndryshuar sot, në sjelljen e Edi Ramës ndaj statutit të Partisë Socialiste, krahasuar me sjelljen e tij pas zgjedhjeve të vitit 2009? Cilësisht, asgjë! Në të dyja rastet, dokumenti themeltar i socialistëve është shkelur me këmbë. Statuti i socialistëve ia ndalonte Edi Ramës të vijonte të ishte kryetar i saj nëse humbte zgjedhjet. Ben Blushi asokohe, ishte i qartë në pranimin e humbjes së zgjedhjeve nga socialistët, duke besuar se “ humbja ishte jashtë kutive”, në ndryshim nga zoti Rama, i cili qartësisht besonte se “rezultati i zgjedhjeve qëndronte brenda kutive”. Se ku ishte e vërteta e atyre zgjedhjeve, nuk u mor vesh kurrë, por ndërkaq zoti Blushi, jo vetëm në heshtje, e pranoi kompromisin e shkeljes së statutit dhe asnjëherë nuk vuri në dyshim seriozisht legjitimitetin e zotit Rama si kryetar i Partisë Socialiste. Atëherë, më rezulton se Edi Rama është shumë më i “sinqertë” në arrogancën e tij për të përsëritur shkeljen e statutit publikisht, sesa Blushi në kritikën e tij për ta toleruar shkeljen e statutit, kur i intereson, dhe temperuar, kur nuk i intereson. Çështja është, a ka një “pse” morale kjo inkoherencë qëndrimesh ndaj statutit nga ana e Ben Blushit? Në fund të fundit “..moraliteti i sjelljeve tona nuk është çfarë duam, por pse e duam…”, thoshte Kant. Këtë, Blushi duhet ta sqarojë.

Në të famshmen letër të hapur drejtuar socialistit imagjinar (por jo vetëm) në prill të 2015, retorika e pyetjes së 100-të që Blushin e mundonte ishte: “A e di se, partitë e atyre që vranë në bulevard janë ende në aleancë me ne?”. E kam përgjithësisht të vështirë të besoj se zotit Blushi iu deshën pothuajse dy vjet për të kuptuar se LSI, pra, ajo që kishte vrarë në bulevard, po qeveriste me partinë e tij. Nuk besoj se një mendje e kultivuar si ajo e Blushit, kishte nevojë për kaq shumë kohë që të elaboronte një të dhënë të tillë. Megjithatë, nuk ka rëndësi… Sot Blushi është i kthjellët se socialistët kanë asgjësuar 21 janarin dhe përgjithësisht kauzën e tyre morale, kur vendosën të qeverisin me LSI-në. Çështja është esenciale dhe Blushi duhet të sqarojë esencialisht dy gjëra: e para, a duhet që socialistët të vijojnë aleancën me ata që, sipas tij, “kanë vrarë”? E dyta, a beson Blushi njësoj si në 2013-ën, kur deklaronte për MAPO se “socialistët mund të fitojnë pa LSI-në,madje mund të fitojnë më mirë”? Janë çështje, që Blushi duhet t’i sqarojë njëherë e mirë, për të kuptuar se cili është kufiri i tij i tolerancës morale në politikë.

Çështja tjetër është edhe më delikate. Blushi, duke pasur një raport shumë më të përpunuar me fjalën, ka një qëndrim antiqeveritar disa herë më të artikuluar edhe se vetë opozita politike e vendit. Në terma të kritikës, qëndrimi i tij ndaj Edi Ramës është më shumë se i ashpër, është asgjësues. Ai e akuzon atë si të dështuar në gjithçka. Të dështuar në ekonomi, të dështuar në rend publik, të dështuar në shëndetësi, të dështuar në fisk, të dështuar në rrafsh social, të dështuar në infrastrukturë, të dështuar në punësim, të dështuar në parlamentarizëm, të dështuar në politikë etj., etj., etj. Atëherë, nëse është kështu si thotë Blushi, shkelja e procedurës dhe statutit të socialistëve prej Ramës është një Theatre du Vaudeville, krahasuar me dramën që i paska shkaktuar Shqipërisë. Që do të thotë: Blushi ka plotësisht të drejtë që, në emër të statutit të shkelur prej tre vjetësh, të kërkojë votimin e Edi Ramës si kryetar i socialistëve. Por, a është i gatshëm që, në emër të programit politik të shkelur sipas tij prej Ramës, por edhe të dialektikës demokratike të alternancës t’u thotë socialistëve se, nuk duhet vetëm të votojmë kryetarin prej nesh, por të votojmë edhe partinë prej shqiptarëve? Pra, Blushi duhet ta bëjë të qartë dhe pa ekuivoke nëse për atë, Edi Rama është më shumë problem si kryetar i paligjshëm i socialistëve apo si kryeministër i dështuar i shqiptarëve, siç thotë ai. Kjo duhet bërë edhe për të fashitur zërat se beteja e tij kundër Ramës frymëzohet vetëm prej një aspirate karriere dhe asgjëje tjetër.

Nuk besoj se Blushi e ka të vështirë t’i qartësojë këto pak çështje (ka edhe të tjera sigurisht), që veç të tjerash, nuk pretendohen për herë të parë prej tij. Ka të ngjarë, ta ketë më të vështirë të zgjojë besimin tek socialistët që mund të mendojnë njësoj si ai. Duhet pranuar se braktisja e pashpjegueshme e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, e ka ndryshuar disi mendimin për lëvizjen e tij. Sepse, problemi tani nuk është te besimi rreth atyre që thotë Blushi, por te Blushi. Ndoshta, duke qartësuar çështjet e mësipërme, do krijojë mundësinë që t’i besohet edhe një herë tjetër. Ndoshta…

Suharekë: Policia bastisë shtëpinë e një të dyshuarit

0

Policia në Suharekë ka bastisur shtëpinë e një të dyshuarit. Bastisja është bërë urdhëresë të gjyqtarit.

Gjatë kontrollit, siç bën të ditur policia, janë gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me një karikator, një scorpion me dy karikatorë, një pistoletë me një karikator, një boks metali, një shufër të gomës, gjashtë fishekë të cal- 7.62 mm, një gjoksore për vendosjen e municionit, dy palë targa gjermane dhe një komplet i pajisjeve për pastrimin e armëve.

I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Nait Hasani: Presidenti të mos zgjidhet nën tymin e lotsjellësit

0

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, në emisionin “Info -Box” të RTV Dukagjini ka theksuar se nuk dëshiron që zgjedhja e presidentit në Kuvendin e Kosovës të përcillet me gaz lotsjellës dhe pengim të mbajtjes së seancës.

Ai theksoi se Kosovës i duhet një president që paraqet unitetin e popullit, dhe se për këtë duhet që partitë parlamentarë të pajtohen për shefin e ardhshëm të shtetit.

“Ne kemi strukturat e brendshme të partisë, ne kemi pasur konventën tonë, ku Hashim Thaçin e kemi rizgjedhur si kryetar, me ç’rast është paraqitur edhe kandidatura e tij për president të vendit. Kjo kandidaturë e ka mbështetjen e PDK-së. Tani është çështje e koalicionit se a do ta mbështet ose jo Thaçin në rrugën e tij për president, ndonëse marrëveshja për krijimin e qeverisë në mes PDK-së dhe LDK-së thotë se kandidati i PDK-së do të jetë zyrtarisht kandidat për shefin e shtetit. Unë personalisht e mbështes Hashim Thaçin për pozitën e presidentit”, ka thënë Hasani.

Ai ka folur edhe për atë se kush do të mund ta zëvendësonte Thaçin në pozitën e liderit të partisë, duke theksuar se PDK-ja ka shumë njerëz të përgatitur politikisht dhe profesionalisht.

“Kandidat mund të jetë Veseli ose edhe të tjerët. Kadri Veseli është një punëtor i mirë, një familjar i mirë, një njeri i gatshëm të përballet me sfida”, ka shtuar Hasani.

Autobusi godet një nxënës në Prizren

0

Një nxënës është goditur nga një autobus në fshatin Lutogllavë të Prizrenit, derisa ishte duke pritur përskaj rrugës.

“Dje rreth orës 15:05, i dyshuari duke drejtuar autobusin e tipit Setra nga pakujdesia ka goditur viktimën mashkull – nxënës i shkollës, i cili ishte duke pritur përskaj rrugës”, njofton Policia e Kosovës, transmeton ‘PrizrenPress’.

Si pasojë e aksidentit viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit. /PrizrenPress.com

Familja e Egzon Mazrekut rrëfehet për tragjedinë e mbrëmshme në Suharekë

0

Egzon Mazreku 22 vjeçar u vra mbrëmë në shtëpinë e tij në Sopij të Suharekës dhe babai i tij Naimi ka mbetur i plagosur, policia ende po e heton rastin, por nuk ka të arrestuar.

Ekipi i Klan Kosovës ka qëndruar sot në familjen Mazreku në Sopijë, ku ata kanë rrëfyer tmerrin që kanë përjetuar mbrëmë.

Njerka e Egzonit të vrarë, Drita Mazreku, ka treguar si ka nisur ngjarja. Ajo i ka thënë Klanit se dikush jashtë oborrit ka gjuajtur me gurë xhamat e shtëpisë me qëllimin që ndonjëri nga familjarët të dalë jashtë. Në ato çaste për të parë çfarë po ngjan ka dalë Egzoni i cili e ka parë një person, personi në fjalë që ishte më pastaj vrasësi i tij i kishte thënë Egzoni se do ta vras babain.

Më tej, Egzoni ishte futur në shtëpi rrëfen njerka e tij, ku ia kishte kumtuar çfarë po ndodh, në ato momente personi i panjohur është futur në korridor dhe ka filluar një përlshje fizike , më pastaj dorasi ka shtirë me armë ku ka lënë të vdekur Egzonin dhe Naimi ka marrë tre plumba dhe është dërguar për mjekim në spitalin e Suharekës,e më vonë në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë,njofton Klan Kosova.

Person pak i plotë dhe me mustaqe siç e përshkruan Drita ia ka mbathur pastaj, madje deri tek dera e ka ndjekur kjo vetë në ato momente tragjike.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjithë njësitë policore, përfshirë sot edhe atë hetuese, të cilët i kanë shfaqur familjes foto të ndryshme që do të mund të ishte ndonjëri nga sulmuesit. Drita tregon se ajo nuk e mbante mend fytyrën e tij, por këtë e ka bërë motra e Egzonit e cila në njërën nga fotot e shfaqura ka spikatur njërin si vrasësin e vëllait të tij.

Një kushëri i Egzonit në prononcim për Klanin ka kërkuar drejtësi për kushëririn e tij të cilin e quan punëtor dhe njeri që s’ka pasur të keq me askënd.

Drita Mazreku ka thënë se askush nga familja nuk ka pasur ndonjë problem me dikë, që do të mund të sillte një tragjedi të tillë.

Momentalisht, trupi i Egzonit është në obduksion , ku janë duke u bërë të gjitha hetimet përkatëse. /Klan Kosova

Suhareke-familja Mazreku