6.1 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6768

Arrestimi i Hotit, reagon opozita e bashkuar në Malishevë (Video)

0

Pas arrestimit të asambleistit të Kuvendit Komunal të Malishevës, nga radhët e Vetëvendosjes Valon Hoti, ka reaguar opozita e bashkuar në Malishevë e përbërë nga Nisma, Vetëvendosje dhe AAK.

Më poshtë komunikata e plotë së bashku me një video:

Sot në kohën kur po mbahej seanca e rregullt e Kuvendit Komunal në Malishevë, policia rrethoi ndërtesën e e Kuvendit dhe më pas arrestoi asmableistin e VETËVENDOSJE!-s, Valon Hoti.

Pushteti përmes policisë së instrumentalizuar futet dhunshëm në mjediset e Kuvendit Komunal duke bërë presion ndaj Komunës së Malishevës dhe asambleistëve të saj madje,dhe duke arrestuar njërin nga ta si hakmarrje ndaj qëndrimit që ky Kuvend kishte nxjerrë, në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën që dolën të jenë edhe antikushtetuese.

Malisheva si kurrë më parë është bashkuar rreth kauzës në mbrojtje të sovranitetit dhe Republikës, e veprimi i sotëm i regjimit nuk mund as ta frikësojë e as ta zmbrapsë këtë vullnet.

Opozita e bashkuar në Malishevë dënon ashpër këtë akt tinëzar dhe qyqar të orkestruar nga pushteti në theqafje, i cili tashmë në panik ka filluar të futet edhe në ndërtesat dhe institucionet që përfaqësojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.

Këtij regjimi po i numërohen orët dhe do t’i jepet goditja përfundimtare nga qytetarët e Kosovës. Ne nuk do të ndalemi. Qytetaret çdo ditë e më tepër po bashkohen rreth kauzës sonë dhe kështu së bashku do të vazhdojmë derisa ta ndalim degradimin e Republikës sonë.

29 janar 2016
Opozita e Bashkuar – Malishevë

Haradinaj në Rogovë të Hasit nderon 21 dëshmorët dhe 9 martirëve

0

Kryetari i AAK-së dhe ish-komandant i Zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj, në homazhet dhe akademinë përkujtimore për 21 dëshmorët e UÇK-së dhe 9 martirët që ranë në Rogovë të Hasit, tha se ata janë emra të historisë më të re të Kosovës dhe lavdia për ta do të jetë e përjetshme.

Në fakt ngjarja e para 17 vjetëve në Rogovë të Hasit, ka qenë njëra prej ngjarjeve të dhimbshme të Kosovës, por njëkohësisht edhe njëra prej momenteve më të lavdishme të luftës së UÇK-së për liri.

Në manifestimin e organizuar në përkujtim të kësaj ngjarjeje, në homazhet dhe në akademinë përkujtimore, morën pjesë qindra qytetarë, ish luftëtarë, familjarë dhe figura të rëndësishme publike.

Kuvendi i Rahovecit mban mbledhjen e parë në 2016

0

Kuvendi Komunal i Rahovecit mbajti sot mbledhjen e parë për vitin 2016, ku janë diskutuar nëntë pika të rendit të ditës. Me këtë rast, janë aprovuar Draft Plani i Veprimit për Transparencë, si dhe Draft Rregullorja për Transparencë.

Në mbledhje kanë marrë pjesë dhe kryetari i Komunës, Idriz Vehapi; nënkryetari Xhemali Haxhimustafa dhe kryesuesi i Kuvendit, Nahit Elshani.

Draft Planin e Veprimit për Transparencë e ka arsyetuar dhe elaboruar nënkryetari Haxhimustafa, duke thënë se ky dokument ka ardhur si produkt i kërkesës nga Ministria e Pushtetit Lokal, ku komunat obligohen të aprovojnë Plan Veprimin në fjalë. Ai tha se ndërkohë ky Plan Veprimi është përmirësuar dhe plotësuar me vërejtjet dhe sugjerimet e anëtarëve në mbledhjen e Komitetit për Politik dhe Financa.

Kuvendarët kanë aprovuar sot në parim Draft Rregulloren për Transparencë, të cilën para kuvendarëve e arsyetoi drejtori i Drejtorisë së Administratës të Përgjithshme, Sali Sallteku, i cili tha se aprovimi final i kësaj Rregullore do fuqizohet pas daljes në konsultim publik.

Kuvendi Komunal ka aprovuar edhe planin e Punës së Drejtorisë për Inspeksion, për çka drejtori Muhamet Behra, thotë se përkundër sfidave që kanë ekzistuar në punën e inspektorëve, këta të fundit e kanë kryer punën me sukses dhe ndërgjegje të pastër.

Po ashtu gjatë mbledhjes së mbajtur sot është bërë Shqyrtimi dhe aprovimi i Draft Rregullores për dhënien e lejeve mjedisore komunale dhe Rishqyrtimi i Vendimit të Kuvendit të Komunës së Rahovecit 01 Nr. 223/15 të dt. 09.12.2015,

Shqyrtimi i kërkesës së N.T.H. “Mowenpick” nga Rahoveci, u la për mbledhjen tjetër të Kuvendit, ndërsa është refuzuar Shqyrtimi i kërkesës së Razija Kryeziu nga Rahoveci.

Ndërpritet seanca e KK të Malishevës, arrestohet kuvendari i VV-së Valon Hoti

0

Është ndërprerë seanca e rregullt e Kuvendit të Komunës së Malishevës, pasi gjatë pauzës brenda hapësirave të Kuvendit të Komunës, përkatësisht në oborrin e objektit, është arrestuar anëtari i KK të Malishevës nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Hoti.

Me të dalë në korridorin e Kuvendit të Komunës, anëtari i kuvendit, Valon Hoti, është shoqëruar nga dy pjesëtar civil të policisë dhe me të dalë në oborrin e komunës, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët, kanë zbatuar një urdhër arresti për Hotin.

“Pas kthimit në sallën e mbledhjeve, kryesuesi i KK të Malishevës, z.Aziz Thaçi, tha se ‘për shkak të situatës së krijuar, seanca nuk mund të vazhdoj’. Më pas, kryesuesi Thaçi, ka bërë edhe një deklarim para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ku arrestimin në hapësira të kuvendit, e quajti cenim të integritetit të Kuvendit të Komunës, pasi Hoti, është i zgjedhur me votat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e komunës së Malishevës.

“Kjo sallë është vend pune për ne. Ne e respektojmë ligjin dhe drejtësinë, dhe jemi për zbatim të ligjit, por mendoj se një arrestim i tillë, në oborr të kuvendit, është jo në rregull dhe jo i mirë. Organet e rendit, kanë mundësi të arrestojnë këdo dhe kudo, por nuk ka pasur nevojë të cenohet integriteti i institucionit. Imuniteti, integriteti dhe privatësia, të respektohen dhe të ruhen. E çmoj qëndrimin e anëtarëve të KK të Malishevës, gjatë asaj skene dhe uroj që të mos shohim skena të tilla, për të zgjedhurit e popullit”, tha mes tjerash kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi.

Rita përgëzon Gjurmët

0

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, ka përgëzuar rok-grupin kosovar “Gjurmët” për koncertin e tyre “Gjurmët & friends”, që e mbajtën pas 30 vitesh pauzim.

Ora në rrjetin social Snapchat ka shpërndarë pamje që tregojnë se ajo e ka shikuar në kanalin Youtube koncertin e tyre në Tiranë dhe ka shkruar “Ju lumtë Gjurmët”.

Rita aktualisht është një nga shqiptarët më të njohur dhe më të suksesshëm në botë, por kjo nuk e ka penguar asnjëherë atë që të flas për prejardhjen e saj dhe ta përkrah shtetin dhe artistët.

Rita Ora per Gjurmet

BARDHYLI ME’TA DHE MEGAHIPOKRIZIA

0

Nga Bilall Sherifi

Dështimi i përpjekjeve për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës u shoqërua me një revoltë të përgjithshme të qytetarëve kundër qeverisë së korruptuar të Kosovës, si shkaktare kryesore e dështimeve të njëpasnjëshme. Me qëllim të manipulimit të qytetarëve dhe të identifikimit me ta, Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit në pritje të dorëheqjes, deklaroi me pompozitet se do të ndajë fatin e qytetarëve dhe se nuk do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me Kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç pa u liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës.

Duke e njohur mirë se si funksionon Isa Mustafa, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç shfrytëzoi rastin që të tallet me deklaratën e Isa Mustafës. Madje e ironizoi deri në atë shkallë sa që deklaroi se “Isa do të vijë të takohet me mua si Tulipan i Bardhë”. Për ata që nuk e dinë po theksoj se shprehja «Tulipan i Bardhë» simbolizon një dashuri ekstreme dhe mund të ofrohet pa marrë parasysh rastin.

I indinjuar nga ironia e kryeministrit serb që e trajton takimin me Isa Mustafën si dhuratë dashurie, Jakup Krasniqi shprehu pakënaqësinë e tij me këtë situatë: “Kryeministri ynë i hanger fjalët e veta. Problemi nuk është këtu, pasi jemi mësuar me njerëzit që i hanë fjalët e veta?! Me erdhi inat, pse Kryeministri ynë u tallë keq nga Vuçiqi!”

Në vend që kjo tallje e kryeministrit serb me Isa Mustafën të indinjonte të gjithë, sidomos ata që i qëndrojnë pranë, shpërthyen akuza kundër Jakup Krasniqit. Madje nga ai që më së paku pritej: nga Bardhyl Meta.

Them se nuk pritej reagimi i tij për arsye se opinionit publik i kujtohet fare mirë kur Isa Mustafa e dëboi Bardhyl Metën nga mbledhja e Këshillit Drejtues të LDK-së duke e poshtëruar në mënyrën më të keqe të mundshme: e akuzoi si informator i medieve!

Sikur Bardhyl Meta të polemizonte me Jakup Krasniqin dhe polemika të kufizohej në çështje që i konfronton pikëpamjet e tyre as që do të reagoja. Por, ajo që më shtyri të reagoj ka të bëjë me arrogancën e dyfishtë, si në aspektin gjuhësor ashtu edhe përmbajtjesor, të Bardhyl Metës.

Ky “demokrat” i sojit të vet i jep të drejtë vetes si në kohën e komunizmit jugosllav t’u drejtohet atyre që kanë guxim t’ia “ngucin shefin” që ” TË TRUKEN!”. Madje, për t’i dhënë përmasa “gjithëpërfshirëse” “urdhrit” të tij ai përdor fjalën krahinore “truku” që përdoret nga shqiptarët në Maqedoni. Për ata që nuk e dinë kuptimin e kësaj shprehje krahinore po e “përkthej” në “kosovarçe”:” MSHELE!”.

Jo vetëm që kërkon nga Jakup Krasniqi që ta “Mshelë” gojën por Bardhyl Meta shkon edhe më larg. Në stilin “gjithëkombëtar” ai i drejtohet Jakup Krasniqit me fjalën urdhëruese që përdoret kryesisht nga shqiptarët në Shqipëri: “IK”! dhe ndanë emrin e Jakupit me apostrof Ja’kup” që të krijojë lidhësen “JA” dhe fjalën “KUP”! Përsëri më duhet ta përkthej për ata që nuk e dinë se fjala “KUP” është një krahinorizëm që përdoret në Kosovë për fjalën “PËLCET”. Pra “demokrati” i sojit të vet, Bardhyl Meta përpiqet ta vë Jakup Krasniqin para alternativës: IK OSE KUP! Po sido që të jetë, ai këmbëngul që Jakup Krasniqi “TË TRUKET”!

Arroganca e kësaj sorte “demokrati”, që pretendon të jetë “model për të cilin paskëshim nevojë sot”, arrin kulmin kur pohon me fodullëk se “Kam me fol, edhe për shokët e miqtë e tu, të sotëm e të djeshëm – e edhe për ata të partisë sime, që janë soji hipokrit, i ngjashëm me Ty e Ju – por me parashenjë tjetër”…

Nuk ka arrogancë më të madhe se sa kur të tjerëve u drejtohet që ta “Mbyllin gojën” ndërsa të drejtën për t’u shprehur lirshëm e ruan vetëm për veten e vet. Bardhyl Meta e ruan të drejtën e shprehjes së lirë ekskluzivisht për vete dhe ai afirmon se do të shkruaj kundër të gjithëve që nuk mendojnë si ai. Dhe ata që nuk mendojnë si ai, sipas Bardhyl Metës, nuk mund të jenë asgjë tjetër pos “HIPOKRIT”!

Pikërisht hipokrizia dhe arroganca e Bardhyl Metës më shtyri të reagoj publikisht. Por, për dallim nga sorta e “demokratëve” që përpiqen t’ua mbyllin gojën të tjerëve unë i them Bardhyl Metës të flasë dhe të shprehet lirshëm sepse kohën kur njerëzve u është thënë “TRUKU” e kemi lënë pas dhe nuk besoj që do të mund ndokush ta kthejë sërish. Madje atë kohë nuk mund ta kthejnë as “demokratët” të cilët i marrin të tjerët për kuaj që mund t’i “shalojnë” .

Edhe pse jam nga rrethi i “SHOKUT JA’KUP” (siç e cilëson Bardhyl Meta) do t’i shkruaj disa fjalë dhe le të vlerësojë lexuesi se cila logjikë mund të cilësohet logjikë “SHOKU” e cila logjikë meriton të cilësohet “demokratike”.

Për dallim nga Bardhyl Meta, i cili nuk citon asnjë fjalë të Jakup Krasniqit, unë do të ndalem në atë që shkruan ai për të nxjerr në shesh edhe arrogancën përmbajtjesore të tij. Do ta citoj ashtu siç ka shkruar (me të gjitha gabimet drejtshkrimore).

Po filloj me “argumentet” përmes të cilave ai përpiqet ta mbështetë cilësimin e veprimtarisë së Jakup Krasniqit si HIPOKRIZI. Ai i drejtohet Jakup Krasniqi se në vitin”2002 ishe Ministër i Qeverisë së parë pas lufte – ku LDK kishte shumicë absolute, por u pervjedhe si super-Ministër, te Qeveria e Bajram Rexhepi (t’ambulances)… pra jo me forcë të votës por me zaptime”

Nëse postet e PDK-së në qeverinë e pasluftës ishin “poste të zaptuara” dhe nuk pasqyronin “forcën e votës” dhe një veprim të tillë e cilëson si hipokrizi, atëherë le të na tregojë Bardhyl Meta se a ka hipokrizi më të madhe se ta akuzosh Jakup Krasniqin për “zaptim të postit ministror” në atë qeveri, ndërsa me ideatorin dhe zbatuesin e atij zaptimi Hashim Thaçin të vazhdosh të bashkëqeverisësh tani.

Pra jam kureshtar të di se si do ta shpjegosh këtë fakt që tani je bërë bashkë me “Krye zaptuesin” e pushtetit tuaj që e fituat me votë ndërsa lufton kundër “zaptuesit” më të “vogël”, qoftë në postin e”super-ministrit”.

Meqenëse e përmend atë periudhë besoj se Bardhyl Meta nuk ka harruar faktin se PDK-ja ishte partia e dytë për nga forca e votës. Në vitin 2015 kur Isa Mustafa, të cilin ti e more në mbrojtje nga Jakupi, u bë kryeministër, LDK-ja ishte po ashtu partia e dytë, sikur PDK në vitin 2002. Do kisha dashur që Bardhyl Meta t’u thotë lexuesve se me çfarë force u bë Isa Mustafa kryeministër? Me forcën e votës apo me ZAPTIME? Lexuesit e shohin qartë hipokrizinë e kulluar të Bardhyl Metës i cili veprimin e njëjtë të vitit 2002 e quan “zaptim”, ndërsa veprimin e vitit 2015, kur përfiton LDK-ja, e quan “demokratik”. Sa i përket periudhës së vitit 2002 lexuesve u kujtohet se Jakup Krasniqi dhe një pjesë e veprimtarëve që nuk janë më pjesë e PDK-së kanë qenë unik se Kosovës i duhet një qeverisje gjithëpërfshirëse. Në kuadër të kësaj strategjie nuk përjashtohej asnjë mundësi koalicioni. Pra as mundësia e koalicionit me LDK-në. Lexuesit gjithashtu i kujtohet se edhe pas ndarjes nga PDK-ja, NISMA për Kosovën, ku Jakup Krasniqi është Kryetar i Këshillit Kombëtar, strategjinë e vet zgjedhore nuk e ndërtoi kundër PDK-së por në funksion të një qeverisje NDRYSHE! Dhe në përputhje me këtë strategji as që u zhvillua ndonjë bisedim për një koalicion qeverisëse me PDK-në. Lexuesit i kujtohet gjithashtu se LDK-ja tërë strategjinë e vet elektorale e bëri kundër PDK-së dhe në të gjitha paraqitjet publike përjashtonte kategorikisht qeverisjen e përbashkët ME TA!

Por kur LDK-ja i hëngër fjalët e veta dhe u bë koalicioni me PDK-në, edhe Bardhyli u bë ME’TA! Harroi të gjitha fjalët që kishte thënë publikisht dhe privatisht (në kuadër të bisedimeve në VLAN) dhe ndryshoi qëndrimin ndaj PDK-së së Hashim Thaçit. Ky kontekst nxori në shesh edhe fytyrën e dytë të Bardhylit kur është ME’TA. Nëse ka nevojë, po ja “rikujtoj” Bardhylit ME’TA se hipokrizinë e karakterizojnë, ndër të tjera, veprimet e njerëzve që nuk e zbulojnë fytyrën e vet të vërtetë por mbajnë qëndrime dyfytyrësh. Lexuesit vlerëson drejt se kush është hipokrit në kë situatë.

Me të njëjtën logjikë të paraqitjes dyfytyrëshe apo hipokrite siç i pëlqen Bardhylit ME’TA NUMËRON FUNKSIONET QË Jakup Krasniqi ka pasur në të kaluarën. Ai shkruan se: “Më 2007, n’Krye – në parti Sekretarë – i dyti (PDK) – dhe në Qeveri e institucione, i pari apo dyti… Me 2010, n’Krye – në parti Sekretarë – i dyti (PDK) – dhe në Qeveri e institucione, i pari apo dyti…”

A ka hipokrizi më të madhe se në kohën kur lufton kundër ish të dytit të PDK-së, TË MOS PËRMENDËSH FARE të parin e saj, Hashim Thaçin. Mendoni se lexuesit kanë harruar tërë vrerin që keni vjellë kundër Hashim Thaçit pak kohë më parë dhe përpjekjet për ta bërë Hashim Thaçin TË PARIN E VENDIT (PRESIDENT TË KOSOVËS nuk do të cilësohen HIPOKRIZI! Apo dyfytyrësia juaj ju duket e mirë dhe si të tillë mundoheni t’ia shitni të tjerëve! Është e drejta jote që u bëre ME’TA Bardhyl, por mos kujto se lexuesit janë kuaj që mund të “shalohen”, siç e lë të nënkuptohet në shkrimin e tënd. HIPOKRIZIA JUAJ është shembull për ta shkruar në enciklopedinë e hipokrizive!

Edhe në rastin kur Bardhyl ME’TA flet për privilegjet e funksioneve të Jakup Krasniqit nxjerr në shesh hipokrizinë e vet. Ai mendon se lexuesit e shkrimit të tij nuk e dinë se lideri i tij, Isa Mustafa, është i pashembullt në historinë e funksionarëve të Kosovës. Që nga koha e diktaturës komuniste SHOKU Isa Mustafa ishte kuadër i lartë i pushtetit. Në kohën e AzemVllasit, kur hoqën nga skena politike gjeneratën e Fadil Hoxhes, ai u shqua për dinakërinë e vet. Në kohën kur Millosheviqi arrestoi Azem Vllasin dhe grupin për rreth tij, Isa Mustafa u ngrit edhe më lartë në funksione përkrah Rahman Morinës. Të njëjtën ngritje e vazhdoi edhe me Bujar Bukoshin e deri te Hashim Thaçi. Vetën gjatë një periudhe të shkurtër kohore Isa Mustafa nuk mundi ta “SHALOJË” popullin (siç i pëlqen të shprehet Bardhyli ME’TA): Në kohën e Ibrahim Rugovës Isa Mustafa u struk në pritje të kontekstit të ri.

A ka hipokrizi më të madhe se të përmendësh funksionet e Jakup Krasniqit, që lidhen vetëm pas çlirimit të Kosovës dhe në kuadër të forcës politike që është bashkëthemelues dhe të strategjive të kësaj force politike dhe të dalësh në mbrojte të Isa Mustafës që ishte funksionar që nga koha e Millosheviqit dhe Rahman Morinës e deri te koha e Hashim Thaçit. Lexuesi e vlerëson vetë se nuk është dyfytyrësia.

Bardhyli, para se me u bë ME’TA pretendoje për vazhdimësinë e «Rrugës së Rugovës». Çka u bë me ty dhe me revoltën tënde kur të përzuri Isa Mustafa nga Mbledhja e Këshillit Drejtues të LDK-së? Apo strategjia e njohur e «puthjes së dorës që nuk e thyen» tu duk më e përshtatshme për ty? Si do që të jetë, është e drejta jote e pakontestueshme që t’i puthësh dorën cilitdo qoftë. Por, sado e drejtë që të jetë për ty, puthja e dorës së Isa Mustafës nga “kuadrot lojal ndaj frymës së Rugovës” është hipokrizi “e vogël” në krahasim me hipokrizinë që ju karakterizon ty, shefin tënd dhe të gjithë ata që puthët dorën e Hashim Thaçit! Pyetni anëtarët e LDK-së që ju votuan për premtimet që dhatë gjatë fushatës se si e cilësojnë këtë hipokrizi? T’i premtosh elektoratit se nuk do të bësh koalicion me personat që i cilësuat si kriminel që kanë kapur shtetin dhe të këmbëngulësh ta bësh Hashim Thaçin të PARIN E VENDIT për mua është një MEGA HIPOKRIZI!

Dhe në fund, unë që vij nga “Rrethi i SHOKUT Ja’kup” nuk i them “demokratit” Bardhyl ME’TA që të “TRUKET”, “AS TË KUP” . Përkundrazi, le të flet sa të dëshirojë sepse ka të drejtën e vet të flet. Madje sa më shumë që flet aq më tepër do të del në shesh hipokrizia. Fundi i fundit janë lexuesit të cilët do të vlerësojnë se cili është hipokrit e cili demokrat dhe cilin e karakterizon logjika e “SHOKUT”.

Zafir Berisha: Thaçi do t’i dalë ‘dardhë me bisht’ kryeministrit

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka vlerësuar se dialogu i vazhduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk do të duhej të niste në atë formë siç nisi. Sipas tij, Kosova do të duhej t’ia numëronte Serbisë, dëmet që ajo ia ka shkaktuar Kosovës.

Ai në një intersvistë të dhënë për Gazetën Blic, ka thënë se nëse zhvillimet shkojnë me këtë tempo, atëherë nuk duhet të përjashtohet mundësia për një luftë me serbët.

E sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit për president, ai ka vlerësuar se Thaçi do t’i dalë “dardhë me bisht” Kryeministrit.

“Unë besoj se Isa nuk po përpiqet që ta bëjë president Hashimin pse e ka në qejf , por, po përpiqet ta ruajë kolltukun e vet të kryeminstrit, po Hashimi ka për t’i dalë “dardhë me bisht”, siç thotë populli, se ne disa e njohim më mirë se Isa kush është Hashimi”, është shprehur deputeti i Kuvendit për Gazetën Blic.

Berisha ka folur edhe për protestën e ardhshme të opozitës, me ç’rast është shprehur i vendosur se protesta e 17 shkurtit do jetë plotësisht e qetë, ndërsa zgjedhjet e parakohshme sipas tij, do të ishte mirë të mbaheshin në muajin qershor apo korrik.

Po ashtu, deputeti i Nismës ka treguar edhe pse Sami Lushtaku është viktimë e Hashim Thaçit.

GazetaBlic: Z. Berisha, vendi qe disa muaj është në një krizë institucionale. Si do të mund të dilet nga kjo situatë sipas jush?

Zafir Berisha: Tash është e qartë se nga kjo situatë e rëndë politike dhe institucionale që e ka përfshirë vendin dilet vetëm me zgjedhje të parakohshme, duke formuar një qeveri teknike, e cila do ta bëjë një reformë në pakon e ligjeve zgjedhore dha pas disa mujash m’i mbajtur zgjedhjet parlamentare.

GazetaBlic: Ju si opozitë keni thirrur protestë më 17 shkurt. Pse pikërisht me këtë datë?

Zafir Berisha: 17 shkuri identifikohet me Republikën dhe meqë Republika është në rrezik nga kjo qeveri, e cila ka bërë marrëveshje të dëmshme për vendin, të cilat e vënë në pikëpytje sovranitetin dhe funksionalitetin e Republikës atëherë gjithsesi simbolika edhe në këtë datë e ka mesazhin e vet.

GazetaBlic: Si do të jetë rrjedha e kësaj proteste dhe me çfarë plani konkret do të dilni këtë ditë?

Zafir Berisha: Protesta është ftuar për të qenë paqësore si edhe protesta e 9 janarit, dhe për mbarëvajtjen e saj janë përgjegjëse organet e sigurisë. Opozita ka për mision masovizimin e protestës për ta treguar vendosmërinë në kërkesat e saj, po ne nuk mund të garantojmë që grupet e interesit veçanërisht ata që janë të lidhur me partinë në pushtet e që mund të infiltrohen si edhe më 9 janar.

– Isa e Hashimi janë në gjendje ta kallin Kosovën nga Merdara e në Vermicë!

GazetaBlic: Me rastin e protestës së 9 janarit, ju patët thënë se po nisë t’i vije fundi qeverisë aktuale. Kur mendoni se ky fund do të vije përfundimisht?

Zafir Berisha: Janari ka qenë fillimi i fundit të kësaj qeverie, po ne kemi menduar dhe mendojmë të vie një qeveri, që do të udhëheqet nga njerëz normal, e jo nga fundërrina si Isa e Hashimi qe janë në gjendje ta kallin Kosovën nga Merdara e në Vermicë, vetëm ta ruajnë pushtetin. Sido që të jetë, ne do të vazhdoimë me vendosmëri kundër këtyre infantilve politikë, të cilët janë duke e rrezikuar perspektivën evropiane të vendit për interesa meskine.

Gazeta Blic: Dje Kryeministri Isa Mustafa para dy dite mbajti takim me Kryeministrin serb në Bruksel. Si e shihni ju këtë, a duhet të vazhdojë dialogu? Pse?

Zafir Berisha: ? E zeza për Kosovën ka filluar më 19.04.2013 me Hashimin, por këtë të zezë për vendin edhe më shumë e ka nxirë Isa Mustafa, duke vazhduar rrugës së tij, edhe pse e ka thënë të kundërtën më herët. Dialogu as që është dashur të fillojë në këtë format si ka filluar dhe dihet se loja si është luajtur fillimisht, me gjoja biseda tenknike, biseda që janë bërë më shumë se politike, ku Serbia është bërë partnere në rregullimin e brendshëm të shtetit tonë. Me Serbinë është dashur të flitet për dëmet që ia ka bërë Kosovës , për mijëra të vrarë për mbi 1600 të pagjetur , për kthimin e librave katastrale , kthimin e fondit pensional , për kompenzimin e miliarda eurove dëme matriale që kanë bërë, e për shumë çështje të tjera , por jo të bisedohet se çka ne duhet dhe si duhet të vepromë në Kosovë.Ky gabim që është bërë në hapa kur kanë filluar bisedimet me Serbinë, do t’i kushtojë shumë Kosovës. Dhe me të drejtë kam filluar të dyshoj si shumë qytetarë, se kjo garniturë politike ka mision për ta copëtuar Kosovën dhe në histori nuk është i panjohur rasti kur ajo që është fituar në lufte, është rrezikuar në paqe, ose njerëz që kanë luftuar për vendin, e në fund janë bërë bashkëpunëtor të Serbisë. Dialogu duhet për një kohë të kalojë në moratorium dhe për vazhdimin e dialogut duhet të bëhet një agjendë shtetërore nga të gjithë faktorët në Kosovë dhe shumë gjëra duhet filluar nga zero, nëse vazhdohet kështu lufta e armatosur edhe njëherë me serbët, nuk duhet të përjashtohet në të ardhmen e afërt, sepse e dijmë logjikën të serbëve qysh nga ardhja e tyre në Ballkan, kah Karpatet e Rusisë- logjikë e luftës për territore.

– Hashim Thaçi do t’i dalë “dardhë me bisht” Isa Mustafës!

GazetaBlic: Isa Mustafa është deklaruar disa herë se Hashim Thaçi do të zgjedhet president. A do të ndodhë kështu, apo këtë post do ta marrë dikush tjetër?

Zafir Berisha: Unë besoj se Isa nuk po përpiqet që ta bëjë president Hashimin pse e ka në qejf , por, po përpiqet ta ruajë kolltukun e vet të kryeminstrit, po Hashimi ka për t’i dalë “dardhë me bisht”, siç thotë populli, se ne disa e njohim më mirë se Isa kush është Hashimi. Unë po besoi se nuk do të vie deri te seanca per ta zgjedhur president, sepse Kosova ka prioritete më të rëndësishme sesa Hashimi të bëhet president (përjashto edhe atë që ai është njeri që shumë dëm i ka bërë vendit dhe që s’e meriton këtë post, të cilin kushtetuta e definon si person i unitetit). Ky asgjë s’ka të bëjë me këtë shprehje, është karakter i perçarjes dhe i dështimeve në poltikën që i ka bërë shumë dëme Kosovës veçanërisht, pas shpalljes së pavarësisë.

GazetaBlic: Së fundi keni deklaruar se Sami Lushtaku është viktimë e Hashim Thaçit. Pse jeni të bindur për një gjë të tillë?

Zafir Berisha: Po me qindra luftëtarë që nga paslufta, janë trajtuar në mënyrë të padrejtë nga e ashtuquajtura drejtësi ndërkombëtare e vendore dhe Hashimi asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për asnjë rast . Për fat të keq, edhe shumë pas tij kanë heshtë për padrejtësitë që u janë bërë luftëtarëve , në mesin e atyre që kanë heshtë ka qenë edhe vetë Lushtaku, i cili për fat të keq po trajtohet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme dhe përsëri Hashimi heshtë, për të cilin unë dyshoj se ka për mision t’i elimionojë të gjithë njerëzit që të kaluarën e kanë me luftën dhe rezistencën kombëtare. Shikojeni kabinetin qeveritar: a ka ndonjë veteran të UÇK-së në kabinetin qeveritar? Ai, pra Hashimi, që nga 2003 ka filluar pastrimin e PDK-së nga luftëtarët e UÇK-së dhe aty kanë mbetur tash shumë pak luftëtarë, aty ku udbash e gjithçka ka, po luftëtarë të vërtetë nuk ka, dhe për këtë mendoj se Lushtaku është viktimë e skizofrenisë politike të Hashimit, i cili s’besoj se do të ndalet vetëm me grupin e Drenicës, po do të vazhdojë nëse ky popull nuk mbushet mend, e veçanërisht ata që e përkrahin PDK-në.

GazetaBlic: Ju si opozitë, keni thënë disa herë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kur saktësisht, mendoni se do të kemi zgjedhje?

Zafir Berisha: Qershori apo korriku janë idealë për të shkuar në zgjedhje.

Rahovecasi mbyll fëmijët e tij në dhomë të mjerueshme

0

Policia e Kosovës bën të ditur se ka arrestuar një person në Rahovec, pasi që i dyshuari i ka mbyllur dy fëmijët e tij të mitur në një dhomë në gjendje të mjerueshme, duke mos i lënë të dalin.

Policia e ka emëruar rastin si keqtrajtim apo braktisje e femijës.

Fëmijët janë marrë nga zyrtarët e Qendrës për Pune Sociale e më pasë janë dërguar tek e ëma,

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Shkelen me veturë dy këmbësore në Suharekë

0

Dy këmbësore janë goditur me veturë në fshatin Studeqan të Suharekës.

“I dyshuari deri sa ishte duke lëvizur me veturën Golf IV pa targa, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, rrëshqet dhe në trotuar godet dy këmbësore”, njofton Policia e Kosovës, transmeton PrizrenPress.

Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtat pas tretmanit mjekësor janë liruar. /PrizrenPress.com

Kosova pa humb mbështetjen evropiane

0

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar të enjtën Rezolutën për Kosovën, në të cilën nuk u përfshi asnjë propozim i palës kosovare, ndërsa kaluan të katër propozimamendamentet e Serbisë.

Ky është një prej argumenteve të radhës se Kosova me lidershipin që ka po e humb mbështetjen evropiane, karshi Serbisë, e cila vazhdimisht po e fiton mbështetjen evropiane, madje edhe me gjithë shantazhet që po ia bën Kosovës.

Propozimamendamentet e Serbisë që kaluan në Rezolutën për Kosovën kanë të bëjnë me respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, veçanërisht asaj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe; rritjen e kapaciteteve të UNMIK-ut për ta forcuar bashkëpunimin me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in; lehtësimin e hetimit dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës; si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, veçanërisht asaj të komuniteteve joshumicë.

Me 110 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar Rezolutën me titull “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”, e përpiluar nga deputeti spanjoll Agustin Conde. /KosovaLive