9.7 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 6777

Analistët: Shtimi i aktiviteteve nga partitë politike, shenjë për zgjedhje

0

Partitë politike parlamentare në Kosovë, në pjesë e dytë të muajit janar, kanë shtuar aktivitetet e tyre në disa nga degët në qytetet e Kosovës.

Në këtë drejtim, shumë aktive janë duke u treguar dy partitë në koalicion PDK e LDK, por edhe partitë opozitare kanë rritur aktivitetet brenda partiake.

Këto takime, sipas analistëve politikë, janë sinjale për përgatitje të zgjedhjeve të reja.

Për Nexhmedin Spahiun analist politikë, këto takime janë përgatitje për zgjedhje, pasi tash vendi është në prag të zgjedhjes së Presidentit dhe, dështimi i tij, do të dërgonte, sipas tij, vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kandidati i vetëm deri më tani për postin e Presidentit është Hashim Thaçi, por sipas Spahiut, edhe zgjidhja eventuale e tij në këtë, vendin mund ta dërgojë në zgjedhje bashkëpartiaku i Thaçit, Kadri Veseli, pasi ta merr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, raporton lajmi.net.

“Këto takime të partive politike janë përgatitje për zgjedhje, për shkakun se tani është koha e zgjedhjes së Presidentit dhe nëse nuk zgjedhet Thaçi president, natyrisht që vendi pa tjetër shkon në zgjedhje”.

“Po edhe nëse Thaçi zgjedhet president, kur Kadri Veseli të marr drejtimin Partisë Demokratike të Kosovës, sigurisht që do të jetë i interesuar që ta sprovojë veten dhe të dërgojë vendin në zgjedhje për tu bërë kryeministër”, ka thënë Spahiu për lajmi.net.

Por, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, në këtë kohë, sipas analistit Spahiu, më së paku do t’i konvenonte Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, zgjedhjet do të mund ti fitojnë paritë opozitare nëse nuk përçahen dhe shkojnë në një listë të përbashkët, në të kundërtën Spahiu vlerëson së PDK do të fitonte.

“Mendojë që vetëm LDK nuk është e gatshme për zgjedhje, dhe ajo do të ishte humbësi më i madh në këto zgjedhje, duke marr parasysh krejt atë çfarë ka ndodhe brenda LDK-së”.

Nëse blloku opozitar do të dilte më një listë të përbashkët është fituese, por në rast se Opozita përçahet atëherë PDK është fituese, ka vlerësuar Spahiu.
Se partitë politike janë duke u përgatitur për zgjedhje të jashtëzakonshme e thotë edhe analisti Belul Beqaj.

“Pushtetarët aktual janë aq shumë të pasionuar me pushtet sa që nuk dëshirojnë t’ia lëshojnë rastit asnjë situatë. Në njërën anë, po bëjnë çmos për të shtyrë atë që nuk mund të shtyhet – largimi nga pushteti, në anën tjetër, po përgatiten që të mbeten në pushtet duke mobilizuar anëtarësinë dhe simpatizuesit”, ka thënë ai për lajmi.net.

Beqaj vlerëson se zgjedhjet në këtë situatë nuk janë zgjidhja e duhur për shkak se, siç vlerëson ai, të kundërthënieve ekzistuese të cilat mund të përshkallëzohen gjatë fushatës dhe pas saj duke sjell Kosovën në situata të ngjashme, nëse jo edhe më të keqe, se këto që i kemi përjetuar deri më tashti.

Gjon Mili, jetë e mbetur në foto

0

Dy vjet në kërkim të jetës së Gjon Milit. Yllka Gjollesha tregon artistin ndryshe. Ndikimin që kishte Shqipëria në veprën e tij dhe fotografinë që i bëri Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes

“Nisur nga ideja për të fotografuar objekte ose njerëz në lëvizje, vendosa të eksperimentoja një teknikë të re si light painting, për ketë vendosa të takoj Pikason. Gjendesha në jug të Francës dhe e dija që dhe Pikaso kalonte muajt e verës aty. Disa të njohur më thanë se mund ta gjeja në plazh. Dhe ashtu bëra. I qepur pas plazhit ku Pikaso shkonte çdo ditë për not, e vrojtova atë nga një distancë për një mëngjes të tërë, derisa kuptova dhe u mësova me të. Ditën tjetër kur ai po largohej nga plazhi, i dola përpara dhe i preva rrugën. “Më falni. Jam fotograf, jam fotograf dhe do të doja t’ju bëja një portret”. “Oh, tha ai, duke qeshur dhe u vu në pozë”. “Seriozisht, i thashë dhe në atë çast i tregova atij një fotografi të marrë në errësirë ku tregohej kërcimi i një patinatoreje i skicuar prej dritash të vendosura në patinat e saj. Pikasoja reagoi menjëherë. I shtyrë prej kësaj fotografie, ai nisi të pikturojë me gisht në ajër…” Gjon Mili do ta përshkruante kështu në shënimet e tij, takimin e parë me Pikason. Seria e fotove që ai i bëri piktorit, vazhdojnë të shihen ende sot si një gjetje jo vetëm për lojën që bëri me dritën. I lindur në Korçë, Mili do të ishte vetëm pesë vjeç kur familja e tij emigroi drejt Rumanisë. Pasionin për fotografinë do ta zbulonte pas moshës 20-vjeçare kur emigroi në Amerikë. Kishte diçka që e mrekullonte djaloshin me sytë e thellë të kaftë. Ajo ishte drita. Pothuajse gjithë fotot e tij përshkohen nga drita, dhe Mili ka aftësinë t’i japë jetë gjuhës së saj. Para se t’i përkushtohej fotografisë Milit i pëlqente të shkruante. Disa novela të tij të shkruara në 1929-n do të botoheshin në revistën “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino. Pas studimeve në universitetin e famshëm MIT (Instituti Teknologjik i Massachusetts), ku u diplomua si inxhinier ndriçimi, Mili do ta dashuronte më shumë dritën. Në Amerikën e pasviteve ’40 Gjon Mili do të ishte një nga artistët më interesantë të kohës. Ekspozitën e parë vetjake do ta hapte në vitin 1934, ndërsa më vonë do të ekspozonte në galeritë prestigjioze të kohës. Por sa e njohim në Shqipëri Gjon Milin? Cili ka qenë rrugëtimi i këtij shqiptari të famshëm në historinë e fotografisë botërore. Dy artiste Yllka Gjollesha dhe Suela Bako të tërhequra herët nga ky personazh, prej dy vitesh janë duke hulumtuar jetën e Milit. Vetëm pak kohë më parë, ato udhëtuan drejt SHBA-së për të takuar njerëz që e kishin njohur, por dhe për të parë dimensionin e vërtetë të një artisti që sipas Gjolleshës e kishte të fortë Shqipërinë brenda tij. Dhe pse në asnjë nga fotot e tij nuk është Shqipëria, pasi Mili nuk pati mundësi ta vizitonte vendin e lindjes sa ishte gjallë me gjithë përpjekjet e dështuara për një vizë shqiptare, vendlindja ka pasur një rol të madh në atë çfarë Mili ishte si artist. Më poshtë Yllka Gjollesha tregon disa momente nga ky hulumtim që së shpejti do të vijë në një dokumentar.

Një artiste në kërkim të Gjon Milit. Ju ishit në Amerikë, për të hulumtuar për dokumentarin që do të ndërtoni mbi këtë figurë. Çfarë gjetët në Amerikën e tij?

Gjon Mili ishte inteligjent, kishte kuptuar Amerikën, vrullin e saj. Të gjithë vrapojnë atje, e megjithëse ndodhesh mes një dinamike marramendëse, ti ndihesh një grimcë rëre në shkretëtirë. E në këtë pikë t’i duhet t’ia dalësh mbanë. Mili arriti të shkonte te më të mirët. Ne takuam njerëz të famshëm dhe bashkëkohës të tij, të cilët kishin ndarë eksperiencat e tyre me fotografin shqiptar. “Të qenët shqiptar e bënte ekzotik”, kështu u shpreh ish-kolegu i tij në revistën e famshme LIFE, John Loengard, për Gjon Milin. E krejt i papritur për ne ishte Eliott Erwitt, një tjetër fotograf i LiFE magazine i cili kishte shumë për të na treguar për Milin. Edhe pse në një moshë të thyer, entuziazmi i tij ishte si i një të riu që kujtonte mësimet e marra prej tij dhe kërcimin e valleve shqiptare në festat e Amerikës së viteve ’60. Gjon Mili nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri, më 1946 i refuzohet viza e kërkuar pranë Ambasadës Shqiptare në Paris, e në të njëjtin vit, ai fotografon ish-diktatorin Enver Hoxha, delegatin tonë në Konferencën e Paqes, duke mbajtur fjalimin e tij. Diçka më tepër do të preferoja të ishte pjesë e dokumentarit “Dritë” me regji dhe skenar Yllka Gjollesha dhe Suela Bako. Do të doja të falënderoja Qendrën Kombëtare Kinematografike QKK dhe bordin e saj për mbështetjen dhe besimin që pati te ne, për ta çuar përpara filmin tonë, Ambasadën USA, tek e cila nisi ky projekt e që falë saj ne hulumtuam konkretisht pjesë nga jeta e Gjon Milit.

Çfarë ka mbetur në arkivin e Gjon Milit?

MIT, Massachusetts Institute of Technology në Boston dha një mbështetje shumë të madhe mbi bashkëpunimin e tij me Harold Eugene Edgerton në eksperimentin e dritës stroboskopike ku sot në MIT ishte një nga lëndët bazë për studentët. Gjon Mili ishte pjesë e arkivave të tyre në procesin e punës të realizuar me inxhinierin Edgerton. Meri Treska shqiptaria inxhiniere kimike dhe pedagoge në MIT bashkë me inxhinierin Robert F. Vieth na kanë mundësuar materiale të shumta mbi këtë fakt, të cilat do të jenë pjesë e filmit dokumentar që pritet të dalë së shpejti. Është mjaft i rëndësishëm fakti që projekti ynë tashmë ka përmasa ndërkombëtare. Jemi përpjekur të jemi pjesë e çdo bashkëpunimi të rëndësishëm që ai pati në mbarë Amerikën dhe Europë. Faktet tregojnë se ai përgjatë gjithë jetës së tij udhëtoi në të gjithë botën, e për qendrën e saj zgjodhi Nju Jorkun.

Si artiste ç’do veçonit nga ky hulumtim?

Çdo foto e tij është një dokumentar më vete. Nuk të mjafton asnjë minutazh i përcaktuar për të eksploruar botën e tij nëpërmjet fotografisë që ai na ka lënë. Jam e lidhur me shumë prej fotove të tij por në pamundësi për t’i trajtuar të gjitha, kam zgjedhur disa prej tyre. Mili duhet të këtë qenë shumë i ndjeshëm, ai njihte mirë natyrën femërore dhe kjo duket qartë në delikatesën, sensualitetin që ai ka trajtuar tek ato që ka pasur personazhe në fotot e tij. Edhe një temë krejt të thjeshtë si: do të veçoja “How to sleep”, ai do ta sillte ndryshe. Magjike janë fotot “vizatimet me dritë” nga Pikaso. Një vepër të cilën Pikaso nuk e pati kurrë e që Gjon Mili e fiksoi me aparatin e tij. Ai gjendet përpara një gjeniu siç ishte Pikaso, por jo më pak gjeni është Gjon Mili, i cili këmbënguli që pjesë e zhvillimit të eksperimentit të ishte Pikaso. Ky moment zë një pjesë të rëndësishme në filmin tonë, i sjellë me fakte tashmë nga një tjetër vend i rëndësishëm për të, siç ishte Franca. Fakti që unë zgjodha të trajtoj figurën e tij është pa diskutim magjia që ka ai në foto, ku secila prej tyre lëviz dhe të tregon se brenda tyre ka jetë. E nëse në foton e tij shprehet qartë kjo ndjesi, atë herë jeta e Gjon Milit është pa diskutim mjaft interesante. Do të doja të citoja një pjesë nga Jean-Paul Sartri: Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallëzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i lumtur. Të vret – më keq akoma, kërkon të robërojë…. Mili të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje”. Në dokumentarin tonë drita, ashtu sikurse përfaqëson edhe titullin “Dritë” do të jetë shoqëruese përgjatë gjithë kohës. Drita si një element jo vetëm për të zbërthyer teknikën e tij në realizim, por edhe faktin se si Mili përpiqej të zbërthente personazhet e tij duke u dhënë atyre një imazh krejt tjetër nga fotografë të tjerë, duke u dhënë DRITË në atë pjesë që është më njerëzorja. Ai dinte të zgjidhte momentin e duhur. Ndihem me fat që po punoj për figurën e Gjon Milit dhe mendoj se më shumë sesa një femër nuk mund ta zbërthente askush. Vetëm një femër mund ta kuptojë delikatesën e tij. Duket qartë që edhe frymëzimi për të ka qenë femra.

Për jetën e tij private dihet pak, çfarë zbuluat më shumë?

Çfarë kam zbuluar për jetën e tij private është interesante, po aq sa e panevojshme për t’u ndarë me të tjerë. Në dokumentarin “Dritë” ne do të sjellim faktin se sa i lidhur ishte Gjon Mili me familjen, motrën dhe vëllain, dashurinë që kishte për nënën dhe lidhjen e tij të veçantë me të edhe pse jetonin në kontinente të ndryshme. Dashuritë në jetën e tij dhe faktin përse nuk u martua kurrë. Pasionet e tij përveç fotografisë, ku miqtë dhe bashkëkohësit e tij të pakët kanë treguar për kamerën tonë. Ajo që dua të theksoj është se: në fotografinë e Gjon Milit nuk ka asgjë nga Shqipëria, por talenti dhe shpirti i tij buron prej këtej. Këtë kam arritur ta zbuloj përgjatë hulumtimeve të mia tashmë gati prej dy vitesh mbi jetën e Gjon Milit. Pjesë e dokumentarit ashtu siç e kam thënë edhe herë të tjera të cilët kanë qenë mjaft të rëndësishëm si, Qerim Vrioni, studiuesi i fotografisë dhe veçanërisht i Gjon Milit. Gëzim Qendro, kritik arti në idenë e të cilit janë risitë dhe modernizmi që solli fotografia e Gjon Milit. Stafi që punon në realizimin e dokumentarit janë artistë dhe gazetarë me shumë vlera në profesionin e tyre. Bashkëpunimi me skenaristen dhe producenten Iris Sojli në Francë, gazetaren Klara Buda e Radio France Internationale, e cila punon mes NY dhe Parisit, shtëpi filmike në Rumani dhe NY, gazetarja Lorina Pepo, kamera Agim Kuri dhe Erald Deda me skenografi të artistes, Matilda Odobashi dhe drejtor artistik, Ardian Isufi. Një prodhim i shtëpisë filmike AR Production me producente Ajola Daja.

Artisti

Gjon Mili është nga ata artistë që bota e ka vlerësuar ndër vite, e në Shqipëri shumë pak e njohin atë. Dokumentari i titulluar DRITË, është një dokumentar i cili synon të hedhë dritë mbi Gjon Milin, por tashmë nëpërmjet gjuhës së filmit. Studiues të rëndësishëm e kanë sjellë në vëmendje jetën dhe veprën e tij me anë të shkrimeve. Ai bashkëpunoi me emra të njohur botërorë si: Pikaso, Sofia Loren, Henri Matiss, Hichcock, Marlon Brando, Frank Sinatra, Federico Fellini, Edgerton etj., Jean Paul Sartri do t’i kushtonte atij një ese të veçantë. Fakt që dëshmon kontributet e tij të jashtëzakonshme në fushën e artit. Në fushën e kinemasë, ai ka realizuar një film të shkurtër “Jammin the Blues”, në të cilin është regjisor, kandiduar në “Oscar”, për kategorinë Filmi më i mirë i shkurtër, e cilësuar si vepra e parë filmike, në një improvizim të muzikës “Xhaz”, ndërsa në fushën e fotografisë ai cilësohet shpikësi i fotografisë stroboskopike (fotografimi me dritë). Gjon Mili, është një figurë mjaft e rëndësishme, figurë që vazhdon të vlerësohet në të gjitha vendet e botës e sidomos në Amerikë. Së fundmi, imazhi i çmimeve “Oscar” e 2013, iu referua shpikjes së tij, fotos Strobpskopike. /Gazeta Shqip

Kriza sjell në Kosovë ndihmës Sekretarin amerikan

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të dërgojnë edhe një diplomat në Prishtinë për të kërkuar kthimin e normalitetit në institucionet e Kosovës dhe për të rikonfirmuar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për lidershipin e Prishtinës zyrtare.

Top Channel ka mësuar nga burime pranë institucioneve të Kosovës, se më 26 janar Prishtinën do ta vizitojë ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee.

Sipas të njëjtave burime, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit deri tani ka konfirmuar takimet me përfaqësuesit e Qeverisë, kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Brian Yee pritet të përsërisë qëndrimet e Sekretarit John Kerry, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmën për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral me Kosovën.

Ai mësohet se po ashtu do të përsërisë kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për uljen e tensioneve politike dhe për kthimin e opozitës në institucione, duke kërkuar që të mos të përsëriten skenat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Të njëjtat burime i kanë thënë Top Channel se diplomati amerikan do të përsërisë kërkesën që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog.

Vizita e diplomatit amerikan në Prishtinë do të ndodhë vetëm një ditë para se ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi të udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qeveria dhe opozita kanë të meta

0

Sociologu dhe njohësi i rrethanave politike, Fadil Maloku, i ka kritikuar pozitën dhe opozitën për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin.

Ai ka thënë se të dyja palët kanë të meta, duke u bërë thirrje të ulen në tavolinë dhe të gjejnë një zgjidhje.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka vlerësuar se shkuarja e menjëhershme në zgjedhje të reja, siç po pretendon opozita, mund t’i kthehet bumerang kësaj të fundit.

“Nuk shoh zgjidhje as në këmbënguljen e opozitës për zgjedhje të reja. Mendoj se kalkulimet e saj për zgjedhje të parakohshme, pa ndryshimin e ligjit aktual zgjedhor, pa plotësimin e agjendës animuese me elemente të tjera të reja, që vërtet do ta rizgjonin interesin e qytetarëve, pa një platformë decidive të përpunuar hollësisht, pra pa një program të qartë qeverisës, do të ishte një tjetër vetëvrasje e mundimshme që edhe mund t’i kthehet si bumerang”, ka thënë Maloku.

Ai ka bërë me dije se Qeveria është ajo e cila duhet të reflektojë karshi situatës politike, duke mos hezituar t’i diskutojë çështjet që i ka ngrehur opozita.

“Padyshim sërish reflektimi do të duhej të vinte nga ‘qeveria e elefantëve’. Kjo është një rregull e pashkruar për situata të tilla, kur vendi ka krizë legjitimiteti dhe krizë legaliteti të pushtetit. Mos të harrojmë se janë mbledhur 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, pastaj demonstrimi i dhjetëra mijëra qytetarëve më 9 janar, një qeveri serioze dhe legale, do të duhej të reflektonte dhe t’i takonte opozitarët e vendit të vet”, është shprehur ai, duke kritikuar refuzimin e Qeverisës për të biseduar me opozitën për Demarkacionin dhe Asociacionin.

Sipas tij, as subjektet politike opozitare në këtë mënyrë nuk mund t’i arrijnë qëllimet e tyre politike.

“Qytetaria është e vetmja shpresë, e cila ende nuk e ka tretur veten në ‘kurthet’ e të dyja palëve. Kjo masë kritike mund t’i bëjë ndryshimet e duhura evolutive. Pra, duke katapultuar si fytyra, si subjekte të reja politike, që nuk vuajnë as nga hipotekat e ‘paqes’, as të ‘luftës’. Pse jo?! Për mendimin tim, zgjidhja do të ishte kjo”, ka thënë Maloku. /Epoka e re

Marrëveshja me Holandën, sfidë për Qeverinë

0

Ratifikimi i Marrëveshjes me Holandën për Gjykatën Speciale konsiderohet si sfidë për koalicionin qeverisës, pasi përveç çështjes së sigurimit të votave edhe salla për mbajtjen e seancës mund të jetë pengesë.

Opozita ka paralajmëruar se do t’i bllokojë të gjitha seancat, duke përfshirë edhe atë për Gjykatën Speciale, pasi, sipas tyre, kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, duke e bërë të qartë se opozita do t’i bllokojë seancat e Kuvendit, ka thënë se opozitarët nuk mund të sillet në atë formë që disa seanca t’i lejojnë të zhvillohen dhe të tjerat të mos i lejojnë. /Zëri

Presidenti mund të votohet në ‘tavan’

0

Zgjedhja e presidentit të Kosovës duket se do të jetë më problematike sesa që kanë menduar partnerët e koalicionit kur e kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Kandidati i dalë nga marrëveshja PDK- LDK, Hashim Thaçi, në skenarin më të mirë pritet që të zgjidhet president në “tavanin e Kuvendit”, pasi që opozita ka paralajmëruar se do të mundohet të bllokojë çdo tentim të votimit të tij për president në sallën kryesore.

Partia Demokratike e Kosovës shpreson te një efikasitet i organeve të Kuvendit që të sigurojë një ambient sa më të favorshëm në ditën e votimit, gjë e cila nuk ka ndodhur në seancat paraprake.

Ndërkohë që opozita akuzon Qeverinë se tashmë ajo ka “kontrabanduar” votat e Listës Serbe për votimin e Hashim Thaçit president. Krejt në fund edhe analistët parashikojnë zgjedhjen e Thaçit president si një “ditë të vështirë” për të, për shkak të të gjitha gjërave që priten të ndodhin atë ditë. /Zëri

Kosova në krizë (Video)

0

Korrupsion, urrejtje dhe dhunë: Kosova në krizë.

Ky është titulli i mediumit amerikan “Vice News”, me të cilin nis artikullin kushtuar situatës politike në Kosovë.

Momentalisht, Kosova po ballafaqohet me krizën më të madhe politike që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Një marrëveshje e arritur me Serbinë dhe me ndërmjetësim të BE-së, që i jep komunitetit serb në Kosovë më shumë të drejta në nivel lokal, në shtetin me shumicë shqiptare, ka shkaktuar pikë kthese, pas një periudhe të gjatë pakënaqësie me Qeverinë, shkruan tutje Vice News.

Partitë opozitare janë bërë së bashku për të provuar të mobilizojnë qytetarët, duke organizuar protesta, që në të shumtën e rasteve kanë përshkallëzuar në dhunë. Më shqetësuese, megjithatë, është se vendi vuan nga papunësia ekstreme, me 61 për qind të të rinjve të papunë, shkruhet tutje.

Vice News ka udhëtuar drejt Kosovës për të parë nëse vendi i vogël ballkanik shfaq shenja dështimi. Ekipi i mediumit ka takuar liderët opozitarë që janë në arrest shtëpiak, të cilët, sipas tyre, marrin pjesë në një protestë ku i vihet flakë objektit qeveritar, si dhe kanë diskutuar me të dy palët e popullsisë së varfër, të ndara etnikisht.

Një shekull nga vrasja e Isa Boletinit

0

Sot bëhen 100 vjet që nga vrasja e pabesë e Isa Boletinit. I lindur më 15 janar 1864 në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, patrioti shqiptar Isa Boletini, ishte vrarë pabesisht nga malazezët në Podgoricë më 23 janar 1916, së bashku me bijtë e tij Halilin dhe Zahidin, dy nipërit dhe tre luftëtarë të tjerë.

Isa Boletini, vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të vitit 1881, si 17-vjeçar, ai mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.

Edhe pse në vitin 1908 ishte në krahun e xhonturqve, kjo lidhje u prish shumë shpejt.

Në nëntor të vitit 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën antiosmane e kishte në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Më pastaj, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjetiu.

Ai ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së pranverës së vitit 1910.

Isa Boletini ishte bërë i njohur edhe për atë që i kishte ndodhur në Londër, kur edhe pas kontrollit që i kishin bërë rojat kur hyri për të takuar ministrin e jashtëm, Eduard Grej, ai ia kishte dalë që njërin revolver ta fuste brenda. Greji kishte bërë shaka me Boletinin duke i thënë se “atë që se bëri ushtria osmane, e bëra unë”.

Në korrik të vitit 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur.

Tupac i gjallë në Kubë? (Video)

0

Të gjithë po çmenden nga ideja se reperi i famshëm Tupac Shakur, është gjallë dhe po rikthehet pas 19 vitesh nga zhdukja e tij.

Reperi që tashmë do të ishte 44 vjeç, u qëllua për vdekje në makinë e tij në 7 shtator 1996, në Las Vegas. Por sipas faqes online, Reporterz, Tupac është gjallë dhe po jeton një jetë sekrete në Kubë.

Artikulli shkruan se: “Tupac Shakur, që mendohet se është vrarë në moshën 25–vjeçare, është gjallë dhe është fshehur gjatë gjithë kohës”.

Shkrimi aludon se këngëtarit i është bërë autopësi një pas ngjarjes dhe menjëherë kufoma është e djegur, pa varrim dhe pas asnjë memorial.

“Kjo sepse ne e dimë se Tupac nuk ka vdekur kurrë, por është e panjohur arsyeja përse ai fshihet”.

Për të përforcuar teorinë e tyre, ata kanë përfshirë në shkrim një foto të Tupac më yllin e muzikë pop të ditëve tona, Rihanna, ndërsa lajmi ka krijuar shumë bujë në rrjetet sociale.Tupac-Rihanna

Vazhdimisht gjatë këtyre viteve ka patur teori të ndryshme që legjenda e rrepit amerikan, është ende gjallë.

Pronari i një llogarie në YouTube ka postuar një video ku përmbledh, sipas tij, disa shfaqje misterioze të Tupac Shakur në këto vitet e fundit. Një ndër to ajo në mes të ditës gjatë një proteste të “Occupy Movement” në vitin 2011, ku ai shfaqet me një mushama shiu në ngjyrë të verdhë.

Në shtator të vitit 2015 David Myers, ish-oficer i policisë që ishte marrë me vrasjen e reperit nga Bregu Perëndimor i SHBA-ve, deklaroi se vrasja e tij kishte qenë një inskenim dhe se ai ishte paguar për të marrë në morg një kufomë./tvklan.al

 

Mehmet Bytyc, shpallet i pafajshëm

0

Është shpallur i pafajshëm ish-drejtori i Ekonomisë dhe Financave të Prizrenit, Mehmet Bytyc.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka konfirmuar se Bytyc nuk është gjetur fajtor në dyshimin se ka ngacmuar seksualisht të miturën në vendin e tij të punës.

“Nga provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është gjetur që Bytyc ka kryerë vepër penale”, ka thënë Kicaj për RTV Besa.

Mehmet Bytyc, ishte dyshuar se ka ngacmuar seksualisht të miturën në vendin e tij të punës,duke i ofruar para prej 10 deri 20 euro. /PrizrenPress.com/