9.7 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 6778

Hapet gara për fotografinë më të mirë

0

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe British Council ftojnë qytetarët e Kosovës në vend dhe në diasporë që të marrin pjesë në garën e tretë tradicionale #InstaKosova, dedikuar imazheve më të mira nga Kosova të botuara në rrjetet sociale.

Gara organizohet çdo vit në kuadër të kremtimit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt. Kjo garë do të zgjasë deri më 1 shkurt 2016.

“I ftojmë të gjithë që të publikojnë pamje të Kosovës, rajoneve, njerëzve, festave dhe ngjarjeve të ndryshme që kanë shënuar Kosovën në tetë vitet e fundit”, njofton MPJ.

Fotot e përzgjedhura si fituese në edicionet e shkuara të #InstaKosova nuk do të kualifikohen për në garën e sivjetme, ndërsa nga autorët e fotografive kërkohet që t’i titullojnë ato dhe të përfshijnë edhe datën e fotos.

Fotot duhet të postohen në rrjete sociale Facebook, Twitter, Instagram apo Flicker, me thurjen #InstaKosova apo #InstaKosovo.

Fotografia më e mirë do të shpërblehet me 500 euro, ndërsa autorët e 10 fotove më të mira do të fitojnë nga 50 euro. Njëqind fotot më të mira do të botohen në një libër ku do të përfshihen edhe fituesit e garës së vitit të kaluar #KosovoinUNESCO.

Përzgjedhja do të bëhet nga një juri e pavarur dhe profesionale.

Ky libër me imazhet më të mira të Kosovës, të promovuara nga vetë kosovarët, do të shpërndahet falas në ambasadat e Republikës së Kosovës në botë.

Gara #InstaKosova është pjesë e projektit të diplomacisë dixhitale, i sponsorizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë dhe i zbatuar nga British Council. /PrizrenPress.com

Lirohet ish-drejtori i Arsimit në Rahovec

0

Behar Rama që akuzohej për shpërdorim detyre dhe konflikt interesi është liruar nga këto akuza.

Vendimin për lirimin e ish-drejtorit të Arsimit në Rahovec Behar Rama e mori sot Gjykata Themelore në Gjakovë.

Rama u lirua ngase trupi gjykues konstatoi se me provat e administruara në gjykatë i akuzuari Rama nuk i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohej në aktakuzë.

Rama akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për konflikt të interesit.

“Në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit të Rahovecit duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkaloi kompetencat duke shkelur të drejtat e profesorëve Vjosa Silka, Afrim Oruqi, Albana Isma, Eshref Haxhiu dhe Rasim Dula në atë mënyrë që ka shpallë konkursin për plotësimin e vendeve të lira të punës në shkollën ‘Xhelal Hajda – Toni’ dhe ka pranuar kandidatët – profesorët te cilat ishin edhe familjarë dhe të së njëjtës parti PDK”, thuhej në aktakuzë. /Kallxo.com

Drita Millaku: Jam forcuar

0

Kuvendarja e Lëvizjes Vetëvendosje! Drita Millaku, ka komentuar vendimin e gjykatës, ndaj padisë që kishte bërë drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj.

“Ky vendim veç sa me forcon edhe më shumë që çdo shqetësim dhe problem të qytetarëve të vazhdoj t’i paraqes edhe përkundër shantazheve dhe kërcënimeve që po më bëhen nga kjo qeverisje e korruptuar,” tha Millaku për KALLXO.com.

Millaku u shpall e pafajshme për shpifje ndaj drejtorit të Arsimit Nexhat Çoçaj./PrizrenPress.com/

Nexhat Çoçaj paralajmëron ankesë

0

Drejtori i Arsimit në Prizren Nexhat Çoçaj, ka paralajmëruar do të bëjë ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, për refuzimin që ia ka bërë padisë së tij ndaj kuvendares së VV-së Drita Millaku.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, tha se ende nuk e ka pranuar aktgjykimin me shkrim.

“Unë ende nuk e kam pranuar vendimin me shkrim dhe nëse është e vërtetë që më është refuzuar padia, unë ju paralajmëroj se do të bëj ankesë brenda afatit ligjor në gjykatën e shkallës së dytë kundër këtij vendimi,” tha Çoçaj.

Kuvendarja e “Vetëvendosjes” Drita Millaku u shpall e pafajshme për shpifje ndaj drejtorit të Arsimit Nexhat Çoçaj.

KDI kërkon transparencë

0

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një tryezë diskutimi me temën “Transparenca e shpenzimeve financiare ne nivel lokal”. Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze ishte diskutimi mbi mënyrën e publikimit të raporteve tremujore të shpenzimeve, për të qenë lehtë të qasshme dhe të lexueshme, si pjese e transparencës dhe llogaridhënies së komunave mbi menaxhimin e parasë publike.

Qendresa Hamzaj në fillim të tryezës pasqyroj një analizë të shkurtër mbi të gjeturat rreth transparencës financiare të 11 komunave të Kosovës, ku vuri theksin në mungesën e respektimit të afateve kohore për raportim tremujor financiar në Kuvendin e Komunës, si dhe mungesë të respektimit të publikimit të raporteve në ueb faqet e komunave.

Pasqyrimi i shpenzimeve financiare të komunave ndryshon në formën dhe mënyrën e raportimi mirëpo duhet të bëhet përpjekje që shpenzimet të jenë më të detajuara që qytetarët dhe grupet e interesit të kenë mundësi në qasje.Petrit Popova drejtor i Departamenti të buxheteve komunal në Ministrisë së Financave tha se “ komunat duhet të prezantojnë transparencë më të madhe në raportim të rregullt që dikton korniza ligjore aktuale ,si dhe kualiteti i raportimit duhet të shkoj paralel me ekzekutimin real të fondeve publike për vitin fiskal që disponon komuna. Ai shtoi se forma se si shpenzohen paratë publike na jep pasqyra e raportit të auditorit të përgjithshëm ku komuna ka kompetenca dhe përgjegjësi të plotë se si shpenzohen buxhetet e taksapaguesve të vendit.

“ Duhet të tentojmë që secili zyrtarë të ketë disiplinë ngase ka diferenca të ndryshme rreth kostove dhe nuk ka standardizim për kategoritë buxhetore të shpenzuara (derivate, orendi etj) ” përfundoj Popova. Agim Dibrani këshilltar i Ministrit të Ekonomisë dhe Financave tha se: “ problemet prioritare janë në nivel lokal, komunat kanë sfida që ballafaqohen dhe njëra nga to është mos raportimi financiar si një vërejtje direkte për komunat”.

Albulena Nrecaj nga INPO tha se: “është jo logjike që pas 6 muajve të publikohen raportet financiare, kësisoj grupet e interesit nuk mund të kenë qasje sistematike se si shpenzohet paraja publike. Raportet financiare shpesh herë dalin në kundërshtim me raportin e auditorit. Komunat kanë mungesë të standardizimit të raportimit financiar dhe kjo çështje duhet të rregullohet dhe këto raporte duhet të detajohen. Nazmije Krasniqi udhëheqëse e departamentit për transparencë dhe performancë në MAPL, ka theksuar nevojën e transparencës më të madhe të financave lokale, dhe nga ky vit edhe Udhëzimi Administrativ i ri për transparencë në nivel lokal i ka konkretizuar.

Komunat e Kosovës nuk qëndrojnë mirë më publikimin e raporteve gjashtë mujore në ueb faqe ku vetëm 37% e komunave kanë një raport të tillë.Drejtorët e Drejtorive Komunale për Financa janë shprehur të gatshëm në raportimet financiare duke respektuar afatet kohore si dhe janë dakorduar që të iniciohet një takim i përbashkët i drejtorëve që të standardizohen raportimet financiare sidomos në përshkrimin më detaj të shpenzimit të parasë publike në gjitha kategoritë buxhetore, thuhet në njoftimin e dërguar medieve nga zyrtari i KDI-së, Naim Cahani./TV P/

Arsyet pse Kadare e meriton Nobelin

0

Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar një letër komitetit të Nobelit, duke i propozuar Ismail Kadarenë për çmimin e madh të letërsisë

Lajmi konfirmohet nga prof. Floresha Dado, Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, të Akademisë së Shkencave. Ajo tregon në “Gazeta Shqiptare” se cilat janë argumentet me të cilat Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka argumentuar propozimin e bërë, ku veç vlerave të letërsisë së Kadaresë, përmendet edhe: “Si shkrimtar dhe eseist me vetëdije të fuqishme kritike, si në raport me realitetet historike të Shqipërisë, ashtu edhe në plane më të gjera, të realiteteve të sotme, ballkanike dhe evropiane; Si shkrimtar me shpirt të disidencës, të shprehur artistikisht, gjatë viteve të krijimtarisë së tij.

Ekzili politik në Francë, në 1990, ishte nxitje për proceset demokratike në Shqipërinë e diktaturës”.“Nëse kritika botërore vazhdon të shkruajë dhe ta vlerësojë Ismail Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, nëse çmimet më prestigjioze botërore i janë dhënë, atëherë nuk di se cili do ishte kriteri tjetër për të merituar çmimin ‘Nobel në Letërsi’?”-pyet Prof.Floresha Dado. Pyetjes se sa merren parasysh këto propozime, ajo i përgjigjet: “Nuk mund të them se në ç’masë merren parasysh propozimi dhe argumentet që përcjell Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht Komiteti i Nobelit ka kriteret e veta”. Ndërkaq Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës e kanë shpallur këtë vit, vitin e Kadaresë dhe kanë bërë me dije kalendarin e aktiviteteve.

– Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka propozuar Ismail Kadarenë për çmimin “Nobel”. Çfarë është shkruar në letrën dërguar komitetit të Nobelit?

Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka rinisur komitetit të Nobelit, të Akademisë Suedeze, propozimin për të vlerësuar me çmimin e lartë shkrimtarin tonë të madh, me përmasa botërore, Ismail Kadare. Në të vërtetë ka qenë e vështirë të paraqiteshin, në pak faqe, vlerat shumëdimensionale të këtij prozatori, poeti dhe eseisti të shquar. Prandaj në argumentimet e propozimit tonë jemi përqendruar në disa boshte kryesore, që kanë të bëjnë me dimensionin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit dhe mendimtarit, që i kapërcen kufijtë e kulturës shqiptare:

– Si shkrimtari më i madh i letërsisë moderne shqiptare, me famë botërore, që i ka dhënë përmasa të veçanta gjithë letërsisë bashkëkohore, si në problematikat e trajtuara, ashtu edhe në strukturat e jashtëzakonshme, origjinale dhe të magjishme të ligjërimit artistik.

– Model i faktit se si kultura universale, botërore, pasurohet nga tradita artistike e popujve të vegjël, siç është ajo shqiptare, e cila është produkt i njërit prej popujve më të vjetër të Ballkanit.

– Si prozator modern, që zgjeroi artistikisht paralelet, asosacionet e legjendave dhe mitologjisë kombëtare dhe ballkanike. Ai i dha letërsisë evropiane dhe botërore vlera të jashtëzakonshme të kulturës rajonale, me ngjyrat më karakteristike të konceptimit artistik modern.

– Si shkrimtar, i cili, përmes veprave të tij përcjell një tingëllim të fuqishëm për ngjarje historike dhe aktuale, duke i dhënë prozës së tij një hapësirë universale, ndërnjerëzore.

– Si shkrimtar dhe eseist me vetëdije të fuqishme kritike, si në raport me realitetet historike të Shqipërisë, ashtu edhe në plane më të gjera, të realiteteve të sotme, ballkanike dhe evropiane.

– Si shkrimtar me shpirt të disidencës, të shprehur artistikisht, gjatë viteve të krijimtarisë së tij. Ekzili politik në Francë, në 1990, ishte nxitje për proceset demokratike në Shqipërinë e diktaturës.

– I. Kadare është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që nga viti 1996 anëtar i Akademisë Franceze, është vlerësuar me titullin ‘doctor honoris causa’ në disa universitete, është nderuar me “Prix Mondial Cino Del Duca” in 1992, Çmimin Ndërkombëtar “The Books International Man” in 2005, Çmimin Ndërkombëtar “Prince of Asturias” in 2009, Chevalier, Officier dhe së fundi “Commandeur de la Légion d’honneur”, në 2015 dhe me shumë e shumë çmime të tjera.

– Për vlerat e jashtëzakonshme artistike dhe të mesazheve universale, që përcjell, vepra e I.Kadaresë është përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës. Është vlerësuar nga kritika ndërkombëtare si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sotme.

– Ju keni dërguar edhe më herët një propozim të tillë për Kadarenë, si janë procedurat?

Sigurisht propozimi bëhet mbas kërkesës zyrtare, që vjen nga komisioni i Nobelit, i Akademisë Suedeze. Në përgjigje të kësaj letre, Akademia e Shkencave ka dërguar propozimin për t’i dhënë çmimin ‘Nobel’ I.Kadaresë edhe në vitin 2012.

Por, në propozimin që kemi nisur tani, krahas vlerësimit të disa aspekteve të krijimtarisë së shkrimtarit tonë të madh, kemi përcjellë, për herë të parë, edhe një Fletë-Aneks, ku pasqyrohet informacioni i plotë mbi të gjitha gjuhët në të cilat janë përkthyer dhe botuar veprat e Kadaresë, shoqëruar edhe me numrin e botimeve në secilën gjuhë. Kështu, mendoj se nuk ka si të mos jetë impresionuese për komitetin e Nobelit fakti që vepra e Kadaresë ka njohur 1301 botime në 45 gjuhë të ndryshme.

Mendoj se dy argumentet: Një numër kaq i madh përkthimesh në gjuhët e ndryshme të botës dhe vlerësimet e jashtëzakonshme që kritika botërore ka bërë për këtë shkrimtar, nuk do mund të kaloheshin pa vëmendjen e merituar. Nga ana tjetër, fakti që shkenca, mendimi kritik-letrar shqiptar përcjell vazhdimisht në komitetin e Nobelit emrin e Ismail Kadaresë, është shprehje e bindjes sonë për vlerat e jashtëzakonshme, kombëtare dhe ndërkombëtare, të këtij shkrimtari, i cili duhet të marrë vlerësimin e merituar.

– Sipas jush, sa merren parasysh këto propozime nga shtetet për Nobelin?

Nuk mund të them se në ç’masë merren parasysh propozimi dhe argumentet që përcjell Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht komiteti i Nobelit ka kriteret e veta. Por mendoj se: Nëse një shkrimtar vazhdon të përkthehet në shumë gjuhë të botës (pra është bërë pjesë shpirtërore e lexuesve të vendeve të ndryshme të botës) dhe, nëse kritika botërore vazhdon të shkruajë dhe ta vlerësojë Ismail Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, nëse çmimet më prestigjioze botërore i janë dhënë, atëherë nuk di se cili do ishte kriteri tjetër për të merituar çmimin ‘Nobel në Letërsi’?

Paraburgim për kërcënuesin e zyrtarit të Gjykatës së Prizrenit

0

Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit me inicialet F.K. nga fshati Billush – Komuna e Prizrenit.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të kanosjes.

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 21.01.2016 prej orës 09:20 minuta, dhe do të zgjasë deri me datën 21.02.2016”, thotë zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 21.01.2016, në Prizren në Gjykatën Themelore në vendin e punës në prezencën e gjithë zyrtarëve të tjerë seriozisht e kanosë zyrtarin e kësaj gjykate të dëmtuarin F.H. duke shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Vehapi shkon në dy shkolla

0

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit, Vjollca Vuçiterna, kanë vizituar Shkollën Lartë të Mesme Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” dhe ShM “Xhelal Hajda-Toni” në qytetin e Rahovecit.

Vehpi, gjatë vizitës, u prit nga drejtorët dhe profesorët e të dy shkollave, dhe u interesua për mbarëvajtjen e procesit mësimor, për funksionimin e nxehjes qendrore dhe për temat të cilat ishin në interes të stafit të të dy shkollave.

Për funksionimin e nxehjes qendrore dhe për procesin e mësimit, kryetari u informua nga drejtorët dhe profesorët e të dy shkollave ku thanë se sa i përket nxehjes është duke funksionuar mirë dhe ambienti i shkollës është i ngrohtë, kurse për procesin e mësimit u shprehen se nuk kanë ndonjë problem të theksuar në mbarëvajtjen e procesit mësimit dhe mësimi është duke vazhdon normalisht.

Remzie Cana, drejtoreshë në ShM “Xhelal Hajda-Ton”, kërkojë që të rrethohet oborri i shkollës dhe te rregullohet parkingu.

Ndërkaq, Vehapi në përgjigjen e tij tha se pas përfundimit të punëve në rrugën që do të lidhe rrugën “Gëzim Hamza-Piktori” me rrugën “28 Nëntori”, do të shikohet mundësit për rrethimin e oborrit dhe rregullimin e parkingut. /PrizrenPress.com

Opozita i jep afat Qeverisë deri më 17 shkurt

0

Qeverisë së Kosovës, sipas tri partive opozitare, i ka mbetur afat për t’u dorëhequr deri më 17 shkurt, në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Krerët e tri partive opozitare në Kosovë, përmes një konference për media, ftuan qytetarët që të bashkohen në protestën gjithëpopullore për, siç thanë ata, mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Liderët e Vetëvendosjes, AAK dhe Nismas, tashmë kanë mendimin se Qeveria duhet të japë dorëheqje dhe që nga 9 janari sipas tyre kjo Qeveri nuk duhet të vazhdojë punën.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se Qeveria duhet ta kuptojë se qytetarët nuk kanë ndërmend ta tolerojnë faljen e tokave e as t’i pranojnë marrëveshjet e bëra në Bruksel.

“Kjo Qeveri ka afat deri me 17 shkurt të largohet nga marrëveshjet dhe pushteti i uzurpuar. Deri atëherë ka mundësi që qeveria të reflektojë, përndryshe në këtë shesh qytetarët do të protestojnë prapë. Nuk u bë shtet si e duan qytetarët por si e duan pushtetarët”, tha Ymeri.

I vendosur u shfaq edhe Fatmir Limaj i Nismës, i cili ftoj qytetarët në mbrojte të Republikës. E po ashtu edhe Ramush Haradinaj i AAK-së. Ky i fundit tha se qytetarët do të bashkohen me 17 shkurt, duke u bazuar në numrin e masës në protestën e kaluar.

Nën muzikën e ndjeshme të Gottschalk

0

Pianistja Manjola Trebicka vjen sot në një koncert recital në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Jeta e saj është e lidhur fort me pianon. Me një karrierë të suksesshme jo vetëm koncertore, por dhe akademike, Manjola Trebicka vjen nesër në orën 19:00, me një koncert recital në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ajo ka përzgjedhur pjesë nga veprat e kompozitorit të njohur Louis Moreau Gottschalk, për t’i sjellë para publikut. Manjola Trebicka është diplomuar në Akademinë e Arteve në vitin 1992. Po këtë vit ka marrë pjesë në konkursin prestigjioz botëror të pianos “Marguerite Long” në Paris. Ajo nis studimet në Francë, ku diplomohet në Konservatorin Europian në klasën e znj. Wright me çmimin e parë dhe përgëzimet e jurisë. Është nderuar me çmimin e parë në konkursin International në Saint -Nom-la – Bretèche dhe çmimin e dytë në konkursin International në Sucy en Brie. Ka dhënë koncerte në të gjithë Francën, duke marrë pjesë në festivale të ndryshme, si në Ohër me sopranon Inva Mula dhe në Chamonix me violinistin Philippe Grafin. Luan në muzikë dhome në festivale të ndryshme dhe me kuartetin Gaudi. Është zgjedhur ambasadore e pianove “Pleyel-made in France”, duke dhënë recitale me integralen e baladave të Shopenit, të cilat i regjistron me Atelier d’Euterpe në 2004-n. Ka marrë pjesë në përhapjen e muzikës aktuale të kompozitorëve francezë, si Pierre Thilloy e Henri Nafilyan, si dhe në njohjen e kompozitorëve shqiptarë në Francë. Prej vitit 1997, ajo është profesoreshë e pianos dhe e muzikës së dhomës në Shkollën e Legjionit të Nderit. Për gjithë aktivitetin artistik, kulturor e mësimdhënës, ajo është nderuar nga Republika Franceze, në korrik të 2015-s, me Urdhrin e Legjionit të Nderit.

LOUIS MOREAU GOTTSCHALK

Pianist virtuoz dhe kompozitor, amerikani Louis Moreau Gottschalk (1829-1869) lindi në Nju Orlins, nga një baba britanik dhe një nënë kreole e bardhë. Mik i Shopenit e Berliozit gjatë kohës së qëndrimit në Paris, ai u angazhua në shumë turne në Europë, Kuba, Antile, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kompozimet e tij pëlqeheshin në sallonet e Parisit, ku temës romantike i shtohej edhe ekzotizmi i origjinës dhe turneve të tij. Koncertet e tij, përveç recitaleve, përmblidhnin në skenë me qindra muzikantë dhe dhjetëra pianistë. “Muzika e tij është mjaft e vështirë nga ana teknike dhe shpesh “torturuese” nga ana fizike për pianistin që e interpreton. Ajo kërkon një teknikë perfekte, një prekje të shpejtë të tastierës, një delikatesë, të lidhura me një vrull, me një entuziazëm për jetën, me një bukuri të ndjeshme, në mënyrë që interpretimi të jetë “perfekt”. /Gazeta Shqip