Home Blog Page 6784

Lista Serbe kushtëzon votimin për president

0

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq tha se nuk është e sigurt nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, të premten, kur do të zgjidhet presidenti i vendit.

Ai ka deklaruar për agjencinë serbe “Beta” se Lista Serbe kërkon nga partnerët në koalicion PDK dhe LDK të nënshkruajnë një dokument me të cilin ata sigurohen se pas zgjedhjes së presidentit, kërkesat e Listës Serbe do të plotësohen.

Kryetari i Listës serbe, Slavko Simiq i tha agjencisë serbe “Beta” se Lista Serbe ka kërkesa, të cilat dalin nga marrëveshja e koalicionit me PDK-në dhe LDK-në, që lidhen me marrëveshjet e Brukselit, për sa i përket interesit të komunitetit serb të Kosovës, e që nuk janë plotësuar, transmeton RTK.

“Me partnerët tanë kemi pasur konsultime për sa i përket mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, por nuk kemi pasur ndonjë qëndrim zyrtar. Ne nuk kemi dashur që mbledhja e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të mbahet të premten, para se ne të definojmë disa kërkesa tona që lidhen me zgjedhjen e problemit të bashkësisë serbe në Kosovës”, ka thënë Simiq.

Ai ka deklaruar se fjala është për kërkesa për zgjidhjen e problemeve, me të cilat serbët në Kosovë ballafaqohen që nga viti 1999 dhe që edhe më tej nuk janë realizuar.

“Nuk është mirë që të merren vendime pa u definuar qëllimet midis partnerëve në koalicion”, ka thënë lideri i Listës Serbe.

“Ne kemi pasur disa konsultime me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike dhe ata na kanë dhëne fjalën se do të plotësojnë kërkesat tona. Por siç mund të shihet muajve dhe viteve të fundit, fjala e dhënë (besa) nga politikanët shqiptarë ka humbur kuptimin dhe nuk do të thotë asgjë… I kam lutur partnerët në koalicion që mos ta caktojnë seancën për të premten para se ne të merremi vesh dhe marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e Presidenti ta bëjmë përmes një dokumenti valid, i cili do të garantonte se kërkesat tona në të ardhmen do të realizohen. Prandaj, ne jemi në pritje që partnerët tanë sa më parë të tregojnë pjekuri politike dhe të na thërrasin në një takim ku do të definohen kërkesat tona dhe ato të konfirmohen përmes një dokumentit të cilën do ta nënshkruajmë së bashku”, ka nënvizuar shefi i Listës serbe, Simiq.

Nëse kjo nuk bëhet, nuk është e sigurt nëse Lista serbe do të votojë për presidentin dhe nëse do të marrë pjesë fare në seancën e thirrur për të premten, ku duhet të zgjidhet Presidenti i Kosovës, ka deklaruar lideri i Listës Serbe, Simiq.

Vritet një 20-vjeçar në Kurbin

0

Një 20-vjeçar është vrarë me armë zjarri pak pas mesnate në Kurbin të Shqipërisë.

Ervis Zyba ka humbur jetën nga plumbat e marrë në orët e para të ditës së sotme. Sipas policisë, vrasja ka ndodhur pas një konflikti të çastit në një lokal muzike.

Policia ka identifikuar autorët dhe po punon për kapjen e tyre, raporton Top Channel.

ISIS kërcënon Myftiun e Madh të Bosnjës: “Do ta presim fytin”

0

Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë po përpiqen të ofrojnë siguri shtesë për klerikun më të lartë islamik të vendit, Myftiun e Madh, Husein Kavazoviq, pasi një boshnjak, i cili mendohet se lufton me grupin militant Shteti Islamik (IS) në Siri, ka lëshuar një kërcënim për të, përmes internetit.

Në klip, militanti Amir Selimoviq zotohet se “do ta presë në fyt” Myftiun e Madh dhe paralajmëron, përpara një flamuri të Shtetit Islamik, se “muxhahedinët po vijnë në Bosnje”.

Kërcënimi dhe serioziteti me të cilin zyrtarët po e trajtojnë atë, nxjerrin në pah frikën se disa pjesë të Bosnjës po bëhen vatra për militantët islamikë, si dhe shqetësimet e ndërkombëtarëve rreth mundësive operacionale të Shtetit Islamik dhe të grupeve të tjera ekstremiste.

Selimoviq thuhet se ka qenë anëtar i Ushtrisë Myslimane të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-95. Besohet se luftëtarëve islamikë në Siri u është bashkuar më 2014.

Fshatarët nga vendlindja e tij, Svojat, pranë qytetit të Tuzllës, e përshkruajnë atë si njeri të mbyllur, por që ka pasur problem me alkoolin përpara se të bëhej radikal. Ata thonë se Selimoviq “është zotuar se do të bëjë diçka, për të cilën gjë do ta kujtojë e gjithë Bosnja”.

Një banor thotë se Selimoviq, derisa ka “lypur para” dhe “ka shitur gjithçka” për të blerë alkool, nuk ka paraqitur rrezik dhe nuk ka ngacmuar askënd.

Por, sipas disa dëshmitarëve, sjellja e tij ka detyruar gruan e tij të marrë dy fëmijët dhe të largohet, përpara se Selimoviq t’iu bashkohej myslimanëve vahabistë dhe të rimartohej me një grua konservatore nga qyteti Travnik i Bosnjës.

“Ajo ka ardhur këtu, e mbuluar me vello islamike, vetëm sytë i dukeshin”, tregon një fshatar, duke shtuar se Selimoviq dhe gruaja e tij janë larguar në vitin 2014 me djalin e tyre foshnje.

Burime të afërta me Selimoviqin kanë treguar se ai është rekrutuar për Shtetin Islamik nga një kushëri i tij, i cili është raportuar se është vrarë në Siri në fund të vitit të kaluar.

Një grua nga fshati Svojat thotë se Selimoviq, përpara se të largohej për në Siri, ka vizituar fshatin pranë Graçanica, ku besohet se mblidhen anëtarë të komunitetit vahabi.

Një komunitet i fshehtë vahabist në një fshat verior të Bosnjës, Gornja Maoca, ka qenë i lidhur me terrorizëm në të kaluarën.

Kavazoviq, Myftiu i Madh i cili është cak i kërcënimeve të Selimoviqit, ka dënuar vazhdimisht ekstremizmin islamik dhe radikalizmin e myslimanëve të Bosnjës.

Ministri i Sigurisë i Bosnjës, Dragan Mektiq, ka thënë se kërcënimi është serioz dhe se shteti është duke marrë masa shtesë të sigurisë për të mbrojtur Kavazoviqin.

Zyrtarët në Bosnje, Kosovë dhe Serbi kanë bërë përpjekje të luftojnë pjesëmarrjen e shtetasve të tyre në konfliktet jashtë vendit, përfshirë Irakun dhe Sirinë, ku Shteti Islamik kontrollon territore të mëdha dhe kryen vrasje brutale dhe krime të tjera.

Autoritetet thonë se së paku 26 nga rreth 200 boshnjakë që u janë bashkuar grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak, janë vrarë dhe se rreth 50 të tjerë janë kthyer në shtëpi.

Myslimanët përbëjnë 40 përqind të popullsisë gati 4-milionëshe të Bosnjës.

(Kosova Sot)

LDK-ja drejt rënies nga “Liga”

0

“Vota për zgjedhjen e Thaçit president do ta pezmatojë jashtë mase elektoratin e LDK-së, sepse për herë të tretë LDK-ja po vepron në kundërshtim të plotë me vullnetin e këtij elektorati. Kjo me siguri do t’i hakmerret keq në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh deputeti Adem Salihaj

Zhvillimet në PDK po priten në mënyra të ndryshme në LDK. Disa, që mezi presin ta votojnë Hashim Thaçin për pozitën e presidentit të vendit, e varin shpresën që me ardhjen e Kadri Veselit në krye të PDK-së, si një figurë me të kaluar të dyshimtë në drejtimin e SHIK-ut, do ta kenë më të lehtë që ta mundin këtë parti në proceset e ardhshme zgjedhore. Por, ka zyrtarë të tjerë dhe analistë politikë që mendojnë se e kaluara e deritanishme e këtij koalicioni do ta dëmtojë papërmirësueshëm LDK-në, duke nxitur rrjedhje të reja të elektoratit drejt partive të opozitës aktuale.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, që vazhdimisht ka qenë i zhgënjyer me koalicionin PDK-LDK dhe kundërshtar i fuqishëm, thotë se pas kësaj “martese” të padëshirueshme politike me SHIK-un nuk pret më ditë të mira dhe perspektivë elektorale për LDK-në, pavarë- sisht ndryshimeve të mëdha që mund të ndodhin në PDK me shkuarjen e Thaçit në Presidencë dhe marrjen e timonit të PDK-së nga Kadri Veseli. Ai shpreh drojën se elektorati i LDK-së në zgjedhjet e reja do të synojë të mbështesë subjekte të tjera politike, jo më për LDK-në.

“LDK-në pa dyshim e ka dëmtuar shumë koalicioni me PDK-në dhe fillimisht edhe votimi i Kadri Veselit për kryetar të Parlamentit. Duhet thënë hapur se edhe vota për zgjedhjen e Thaçit president do ta pezmatojë jashtë mase elektoratin e LDK-së, sepse për herë të tretë LDK po vepron në kundërshtim të plotë me vullnetin e këtij elektorati. Kjo me siguri do t’i hakmerret keq në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai..

Analistët: Thaçi president, pastaj zgjedhje

0

Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas zgjedhjes së Hashim Thaçit si president i vendit.
Kështu deklarojnë për “Zërin” analistët politikë, pavarësisht se drejtuesit e dy partive më të mëdha politike në vend deklarojnë se do të vazhdojnë të qeverisin deri në qershor të 2018-s.

Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë për “Zërin” se Kosova do të shkojë në zgjedhje më së largu në vjeshtën e këtij viti.

“Nëse Thaçi zgjidhet president, ai do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme më së largu deri në vjeshtë”, ka thënë Matoshi.

Edhe Imer Mushkolaj, analist, ka thënë se qëllimi i Hashim Thaçit është që të zgjidhet president dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, duke shpresuar se PDK-ja do ta marrë edhe Kryeministrinë.

“Qëllimi i Hashim Thaçit është të zgjidhet president dhe ta çojë vendin në zgjedhje. Dhe në këtë formë duke shpresuar se do ta marrë shumicën, do ta marrë edhe Kryeministrinë. Pikërisht për këtë shkak ai po insiston dhe po dëshiron të zgjidhet president dhe t’i mbetet atij merita që e ka dërguar vendin në zgjedhje dhe jo të lëshojë pe karshi kërkesave të opozitës”, ka thënë Mushkolaj.

As analisti tjetër politik Fadil Lepaja, nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. /Zëri/

PDK në Prizren mobilizohet për të festuar zgjedhjen e Thaçit, president të Kosovës

0

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren, ka nisur përgatitjen për të festuar zgjedhjen e Hashimi Thaçit, president i Kosovës.

Kryetari i Degës Minir Krasniqi ka mbajtur një takim me të rinjtë e partisë me të cilët ka diskutuar për organizimin e festës

Kryetari i RDK-së në Prizren Shkodran Kryeziu tregon se të premten nga Prizreni do të nisen 30 autobusë me qytetarë për të festuar zgjedhjen e Thaçit, president i Kosovës.

“ Do të festojmë në mënyrë të organizuar. Kemi planifikuar që të nisemi për Prishtinë me 30 autobusë”, tregon Kryeziu. /PrizrenPress.com/

rdk prizren

Ndryshon plani i opozitës: Protesta do të mbahet të premten, më 26 shkurt

0

Deputeti i opozitës nga Nisma për Kosovën Zafir Berisha, bashkë me liderin e kësaj partie Fatmir Limaj e Valdete Dhushica-Bajramin, tani për momentin ndodhen te tendat e protestë-në shesh, raporton GazetaBlic.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti Berisha, me ç’rast ka publikuar disa fotografi, si dhe ka dhënë lajmin se protesta e opozitës është vendosur për t’u mbajtur ditën kur Hashim Thaçi do të zgjidhet president, pra, protesta e paralajmëruar për të shtunën (27 shkurt), do të mbahet të premten (26 shkurt), raporton GazetaBlic.

Më poshtë mund ta gjeni të plotë shënimin e tij në facebook:

Opozita e Bashkuar vazhdon rezistencën e saj në mbrojtje te Republikës së Kosoves.

Rezistenca duhet të rritet edhe me teper për të mbrojtur kauzën opozitare e cila është ne mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe Republikës së Kosoves.

Protesta e paralajmruar me 27 shkurt do te mbahet të premten me 26 shkurt.

Ftoj te gjithe qytetaret dhe aktivistet e subjektit politik në Kosovë të bashkohen në protesten paqesore dhe t’a shporrim këtë Qeveri kuislinge nga pushteti. /GazetaBlic/

Presidenti të premten në 11:00

0

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Pas përfundimit të mbledhjes, Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se Kuvendi do të mblidhet këtë të premte, në orën 11:00.

Ai ka thënë se janë dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama, deputeti i PDK’së.

Sipas Veselit, ky do të jetë një moment historik dhe i veçantë, ndërsa ka premtuar se procesi do të jetë transparent dhe gjithpërfshirës.

“Të premten, në orën 11:00, Kosova do të kalojë një nga momentet më të veçanta. Kemi zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit”.

“Pas një kohe shumë të gjatë,  patëm mbledhjen me kolegët e Opozitës. I inkurajoj ata të jenë pjesë e këtij procesi. Megjithatë, ajo që ndodhi brenda po i kalon të gjithë kufijtë e një normaliteti. Kjo që po ndodh është e re në Kosovë, por nuk është e panjohur”.

Veseli ka ftuar qytetarët të kenë përgjegjësinë për ruajtjen e familjeve të tyre.

“Ka një vendosmëri të fanatizmin për të arritur qëllimet e veta në mënyrën e vet. Kisha ftuar qytetaret familjarët që ta ruajnë njëri-tjetrin”.

“Ne nuk do të ndalemi duke thirrur Opozitën që të jetë pjesë e  vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, nuk do të kenë suksese ata që mendojnë se shteti ligjor në Kosovë nuk funksionin. Të na imponohet nuk ka mundur as Serbia, shtet 22 milionësh. Kur e ka tepruar, i kemi thënë mjaftë”, ka thënë Veseli.

Opozita: Zgjedhja e Thaçit president e thellon krizën

0

Liderët opozitarë kanë mbajtur një konferencë për media nga sheshi i Prishtinës ku po qëndrojnë me tenda në protestë kundër Qeverisë dhe zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nisma-s për Kosovën kanë thënë se pozita po tenton ta trafikojë një seancë ilegalë në mënyrë që të zgjidhet Thaçi president.

Ata kanë bërë thirrje që shumica të mos ta bëjë këtë sepse një veprim i tillë do ta thellonte edhe më shumë krizën,njofton Klan Kosova.

Lideri i AAK-së ka thënë se nëse thirret një seancë e re deputetët do të marrin pjesë në seancë.

Kurse Limaj ka shtuar se çfarëdo që bën ky Kuvend është ilegale dhe nuk është legjitime.

Në këtë paraqitje nuk ka marrë pjesë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri,mungesën e tij e sqaruan kolegët e tij, ata thanë se Ymeri kishte disa takime me strukturat e partisë së tij – kështu që me marrëveshje në paraqitje për media kanë dalë vetëm dy liderët e tjerë.

Nishani kërkon nga Bosnje e Hercegovina njohjen e Kosovës

0

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, pas takimit me anëtarët e Presidencës së BeH vuri në dukje se dëshira e Shqipërisë, të cilën ia përcolli edhe anëtarëve të Presidencës, Dragan Çoviçit, Mladen Ivaniçit dhe Bakir Izetbegoviçit është që Bosnja dhe Hercegovina të njohë Kosovën sepse kjo, siç tha, do ti shërbente gjithë rajonit.

“Diskutuam shumë çështje të interesit dypalësh, por edhe të interesit rajonal. Besoj se marrëdhëniet e BeH me Kosovën janë të interesit dypalësh, por edhe të interesit rajonal. Gjatë këtij takimi ndava me tre anëtarët e Presidencës së BeH dëshirën e Shqipërisë që edhe BeH të njohë pavarësinë e Republikës e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm”, tha Nishani gjatë konferencës për media.

Ai përsëriti qëndrimin se njohja e Kosovës është një akt që i shërben stabilitetit, paqes dhe mirëkuptimit në rajon.

Nishani vuri në dukje se njohja e dokumenteve të Kosovës është në interes reciprok të të dyja vendeve dhe se kjo çështje ka të bëjë me dimensionin human, që ka të bëjë me parimin themelor të të drejtave për lëvizje të lirë, dhe është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Lidhur me këtë Nishani shprehu kënaqësinë për mirëkuptimin që kishte nga tre anëtarët e Presidencës së BeH për të trajtuar këtë çështje.

Presidenti i Shqipërisë kërkoi që në frymën e re të krijuar në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit të jepet konsensusi edhe nga BeH për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut. /AA/