20.2 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 6799

PDK-ja në Has dënon ashpër dëmtimin e varrezave në Romajë

0

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Has të Prizrenit, ka dënuar dëmtimin e varrezave të komunitetit të besimit kaltolik në fshatin Romajë.

Kryetari i kësaj dege të PDK-së, Ramadan Hoti tha se personat që fshihen pas këtij akti, duhet të jenë të sigurt, se nuk do të mund të prishin harmoninë vëllazërore.

“Me shpresë që ky akt do të mbetet i izoluar, kërkojmë nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin këtë akt dhe të njëtit të marrin dënimin e merituar”, tha Hoti.

Në fshatin Romajë të Hasit, janë dëmtuar varrezat e komunitetit të besimit katolik të fshatit Dedaj.

Ndërkaq, policia ende nuk ka zbardhur rastin. /PrizrenPress.com

Nexhat Çoçaj pesëfishon kërkesën për dëmshpërblim nga Drita Millaku

0

Drejtori i Arsimit në Prizren pesëfishon kërkesën për dëmshpërblim nga asamblistja e Vetëvendosjes.

Drejtori komunal për Arsim në Prizren, Nexhat Çoçaj ka kërkuar dëmshpërblim prej 15 mijë euro nga asamblista e vetëvendosjes në Kuvendin komunal, Drita Millaku.

Çoçaj e ka paditur Millakun për shpifje kur ajo kishte deklaruar se ka dyshime që bashkëshortja e tij merr pagë të mësimdhënësit më të madhe se kolegët tjerë.

Në seancën e së hënës, Çoçaj e rriti kërkesën për dëmshpërblim në 15 mijë euro pasi më parë kishte kërkuar 3000.

Ai tha se kërkon nga gjykata që të vendosë në favor të tij, pasi me shpifje dhe shantazhe të tilla, është prishur imazhi i tij.

“Kërkoj nga gjykata që te vendos në favorin tim, sepse me mënyra të tilla të shpifjes dhe të shantazheve dhe të gënjeshtrave është prishur imazhi im personal, si dhe më të pavërteta të tilla, është organizuar edhe një protestë”, tha Çoçaj duke iu referuar një proteste të mbajtur më 7 mars të këtij viti.

Po ashtu ai tha se deklarimet se ka përfituar bashkëshortja e tij nuk ishin pyetje nga asamblistja, por komente dhe shpifje ndaj tij.

“Mendoj se shprehen dyshimet se bashkëshortja ime ka manipuluar ose ka marrë pagë, ka përfituar nga mosdhënia e listave të . Nuk ka të bëjë me pyetje, por me fyerje dhe shantazh”, tha ai.

Por asamblistja Millaku tha se nuk ka shpifur, por ka kërkuar sqarim nga drejtori.

Ajo tha se këtë të drejtë ia njeh edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

“Ligji thotë se anëtari i kuvendit të komunës ka të drejtë të kërkojë informacione lidhur me çështjet komunale nga kryetari apo zëvendësuesi i komitetit, në këtë rast e kemi fjalën për drejtorin”, tha Millaku.

Në këtë shqyrtim u dëgjuan edhe dy incizime me pyetje e shtruara në asamblenë komunale nga asamblistja Drita Millaku të cilat Çoçaj i konsideron fyerje dhe shpifje dhe një incizim tjetër i një deklarate për media e asamblistëve lidhur më këtë çështje.

Shqyrtimi në këtë rast ka përfunduar, ndërsa një aktvendim i gjykatës do t’u dërgohet palëve me shkrim brenda afatit të caktuar ligjor. /Kallxo.com

Kush është përgjegjës për Kosovën?

0

Nga Ruairi O’Connell

Për herë të parë erdha në Kosovë në vitin 2001, më kujtohet shumë mirë atë që pashë. Kosova ishte plot me të huaj – “ndërkombëtarë” – të cilët nën Rezolutën e KS të OKB-së 1244 ishin përgjegjës për drejtimin e Kosovës. Dy vjet pas luftës, ishte e qartë se bashkësia ndërkombëtare ka qenë në rolin udhëheqës. Çdo makinë e dytë ishte një 4RUNNER Toyota.

Kam jetuar këtu nga viti 2004 deri në 2008, kur kam shërbyer në atë që atëherë ishte “Zyra Britanike”. Kam kaluar orë, ditë, ndoshta edhe javë në grupet punuese për të ndihmuar autoritetet e Kosovës për zbatimin e “Standardeve”, kushteve për të lejuar nisjen e një procesi për të përcaktuar “statusin final” të Kosovës. Shumë zyrtarë të Kosovës kanë punuar pa pushim për ta përgatitur Kosovën për pavarësi. Një nga veprimet e fundit që ndërmora ishte që të dorëzoja letrat (që i mbaja në zarf) nga Qeveria Britanike, e cila e kishte njohur Kosovën si shtet, dhe kishte vendosur marrëdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ne ishim të parët që e bëmë këtë.

Unë kam qenë i nderuar për t’u kthyer në Kosovë në vitin 2015 si Ambasador Britanik. Kjo e ka bërë 2015-tën një vit të veçantë për mua. Dhe, pas kthimit në Kosovë, një gjë ishte e qartë. Përderisa Kosova ka qenë një vend i porsalindur ‘Neëborn’ kur u largova, tani është qartësisht një shtet, i pavarur dhe sovran, përgjegjës për fatin e vet. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

Kosova është përgjegjëse për të ardhmen e saj. Në vitin 2015, ne kemi parë shenja të Kosovës duke marrë përgjegjësi. Votimi i Kuvendit për të lejuar formimin e Gjykatës Speciale ishte një shenjë që, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme, Kosova ishte e gatshme të përballej me të vërtetën në lidhje me të kaluarën, edhe nëse ishte e nevojshme për të tjerët në rajon. Kjo ishte gjëja e drejtë për ta bërë.

Marrëveshja rreth një programi të FMN-së ishte një sinjal i qartë për investitorët se Kosova do të marrë hapat e nevojshëm për të tërhequr investimet dhe për ta ndërtuar një ekonomi të fortë për popullin e saj. Kjo ishte një gjë e duhur për ta bërë.

Por, ky ka qenë një proces i papërfunduar. Ka ende shumë gjëra që askush nuk dëshiron të jetë përgjegjës për to.

Kush e merr përgjegjësinë për luftimin e korrupsionit, i cili dëmton Kosovën? Kush e merr përgjegjësinë kur korrupsioni dhe politizimi i detyrës publike vazhdojnë të largojnë investitorët? Cili e merr përgjegjësinë për papunësinë e lartë?

Kush e merr përgjegjësinë kur politikanët e korruptuar dhe të dënuar lejohen të largohen nga vendi dhe t’i ikin drejtësisë? Kush merr përgjegjësi kur një i dënuar për krime lufte në mënyrë të përsëritur del nga burgu? Kush e merr përgjegjësinë për këto dështime?

Cili e merr përgjegjësinë për vargun e sulmeve kundër serbëve të Kosovës në fillim të këtij viti? Kush shkon në burg për këtë?

Kush e merr përgjegjësinë për të siguruar që fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë të kenë qasje në arsim? Kush siguron që të drejtat e tyre kushtetuese janë përmbushur?

Kush do të marrë përgjegjësinë për pasojat e rivendosjes së dhunës si mjet politik? Kush do ta marrë përgjegjësinë kur një gjë e tillë, si gjithmonë, çon te një rritje e dhunës? Kush do ta marrë përgjegjësinë kur përdorimi i nacionalizmit etnik çon, sikur që ndodh gjithmonë në Ballkan, drejt dhunës dhe vuajtjeve?

Kush e merr përgjegjësinë për vendimet që i merr Kosova?

Unë nuk do të pretendoj se Kosova e ka të lehtë. Ajo nuk e ka. Trashëgimia e luftës do të thotë se Kosova ka pasur një lindje të vështirë. Pengesat e vazhdueshme për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ndikojnë që Kosova të mbetet prapa. Le të mos harrojmë, megjithatë, pse Kosova është në një pozicion unik. Kosova ishte i vetmi vend në botë që pati një proces të miratuar nga OKB-ja, që çoi drejt pavarësisë. Nëse situata e Kosovës është unike, kjo është për shkak se çdo gjë në lidhje me historinë e fundit të Kosovës, nga ndërhyrja e NATO-s e deri te pavarësia, është unike.

Është e lehtë ta gjesh dikë për ta fajësuar. Serbia, dhe po, bashkësia ndërkombëtare, janë objektiva të lehta. Ndoshta ka edhe arsye të mira për të fajësuar veprimet e të tjerëve. Por, duke fajësuar të tjerët, thjesht, Kosova nuk do të lëvizë përpara.

Mbretëria e Bashkuar njohu pavarësinë e Kosovës, sepse kemi besuar se Kosova mund dhe duhet ta marrë përgjegjësinë për punët e veta. Unë besoj në popullin e Kosovës dhe fuqinë e tij për ta transformuar Kosovën dhe për të ofruar diçka të veçantë në Evropë dhe në botë. Lëvizja për ta mbështetur Rektorin e Universitetit të Prishtinës tregon se çfarë mund të arrijnë qytetarët. Qytetarët e Kosovës kanë votat e tyre në duart e tyre; me këto vota ata zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe do të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ne do të jemi këtu për të punuar me përfaqësuesit që ju i zgjidhni, dhe për të ndihmuar në përparimin e Kosovës.

Kur Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit, të dyja palët bënë një deklaratë se, tani e tutje, Kosova pritet të veprojë si shtetet e tjera evropiane. Nuk ka dyshim se këtë e vështirësoi fakti se pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën; nënshkrimi i MSA-së vetëm shtatë vjet pas pavarësisë ishte një arritje e vërtetë për Kosovën.

Por, kjo marrëveshje gjithashtu ka dërguar një mesazh të qartë: Është koha për të marrë përgjegjësinë.

(Autori është ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë)

Tendenca e dorës së dytë

0

Dyqanet e librit të përdorur po zhvillohen gjithnjë e më shumë në SHBA. Dora e dytë u ofron atyre mundësi për çmime të lira që konkurrojnë internetin.

Në fillim të janarit, Pablo Sierra do të hapë një librari për librat e përdorur në Uashingtonin Veriperëndimor, një bast i pazakontë në periudhën dixhitale, për më tepër i frikshëm për shkak se eksperienca e tij e vetme me librat është leximi i tyre.

“Besoj se është një çmenduri”, tha Sierra, duke cituar një vëzhgim të bërë nga disa prej miqve të tij.

Ose mbase jo. Sierra, ashtu si të pasionuar të tjerë pas librave, ka lexuar artikuj rreth ngadalësimit të shitjeve të librave elektronikë dhe ka parë se si librari të pavarura të tilla si Politics dhe Prose kanë lulëzuar, duke marrë reputacion te lexuesit që vlerësojnë vendet e librave dhe që mendojnë se letra është pajisja më e mirë e leximit.

Libraritë e librit të përdorur, me cilësitë e tyre të së vjetrës dhe çmimet e lira, po e gjejnë veten në një pikë rritjeje. Në shumë qytete, ka një pozicion de facto të tyre si të vetmet shitje të lira të librave në vend.

Ndërsa nuk ka statistika industriale për shitjen e librave të përdorur, shumë dyqane që i kanë mbijetuar periudhës dixhitale, thonë se shitjet e tyre po rriten.

“Po bëhet çdo vit dhe më mirë”, thotë Susan Buruell, bashkëpronare e Dyqanit të Librave të Përdorur Reston, i vetmi vend i librave të përdorur në qytetin e Virxhinias Veriore, me rreth 60,000 banorë.

Ky është një biznes me para të mira në mes. Libraritë e përdorura i mundin çmimet e Amazonës dhe atyre të shitësve të tjerë online, duke ofruar te blerësit një eksperiencë të soditjes dhe të kursimit të parave. Gjithashtu, normat e fitimit te librat e përdorur janë më të mira sesa ato të librit të ri.

Duke ndier një leverdi në fitim, sipërmarrësit po futen në lojë.

Sierra, 38 vjeç, është një ish-oficer marine dhe ka eksperiencë në kontratat qeveritare. Dyqani i tij i ri, një mjedis i vogël, por i këndshëm, quhet Muret e Librave dhe është pjesë e një zinxhiri dyqanesh filluar nga Gootwals Books në Xhorxhia.

Kompania ka hapur tetë degë që nga viti 2012 dhe ofron një program trajnimi për pronarët. Fillimi i biznesit mund të shkojë deri në 85,000 dollarë.

Shane Gottwals, bashkëthemeluesja e rrjetit, tha se disa nga degët po përmbushin ëndrrën afatgjatë të shitjes së librave. Të tjerë e bëjnë thjesht për para. Të gjithë kanë hasur në një kërkesë të çuditshme.

“Një nga komentet e para që dëgjojmë, është se libraria e fundit në lagje, u mbyll dhe se nuk ka më vend të përshtatshëm për të blerë libra”, thotë Gottwals.

“Është si të kesh një muze ose teatër. Është një qendër kulturore. Është një vend ku do të shkosh, dhe për këtë arsye përbën një investim të mirë”.

Por në asnjë mënyrë, nuk mund të quhet një biznes i lehtë. Shumë shitës të librave të përdorur me vendndodhje të keqe ose menaxhim jo të mirë – ende përballen me vështirësitë e periudhës dixhitale.

Një rrugë që disa e kanë zgjedhur, por që të tjerë nuk e preferojnë, është zgjerimi i konsumatorëve duke listuar inventarët e tyre te shitësit e palës së tretë të Amazon, një ide që shumë shitës të librit të ri e përçmojnë.

Wonder Book & Video i shet librat e vet të përdorur në Amazon dhe vende të tjera në internet. Shitjet janë aq të mëdha, saqë iu desh të zgjeronin ambientet. Rreth 4 milionë libra të përdorur gjenden në rafte.

Një rol të rëndësishëm luan edhe inventari. Libraritë e përdorura zhvillohen ose falimentojnë bazuar te librat që janë në gjendje të blejnë. Duhet të kenë paksa fat për t’i ecur.

Vdekja, divorci apo largimi i njerëzve janë një nga shkaqet që furnizojnë tregun me librat e përdorur.

“Ne marrim shumë nga librat tanë sipas kësaj mënyre”, tha Buruell.

“Njerëzit shpesh trishtohen që u duhet t’i shesin kur zhvendosen nga një vend në tjetrin. I them se mund të vijnë për vizitë derisa të shiten”.

Por pronarët ende duhet të bindin njerëzit të frekuentojnë dyqanet e tyre. Për këtë kanë ndihmuar eventet e leximit. Sierra, libraria e të cilit është në një lagje në ndryshim me banorë hispanikë, do të organizojë aktivitete dygjuhësore.

Por asgjë nuk është më e fuqishme sesa eksperienca e soditjes në ambientet e librarisë, humbja në tufën e madhe të librave, zbulimet e çastit dhe bisedat rastësore me njerëz interesantë.

Megjithëse fitimet nuk do t’i bëjnë pronarët e vegjël të librarive të përdorura pasanikë, ato janë një mjet i mirë për të paguar faturat dhe për të bërë atë që ata duan.

“Kurrë nuk e di se çfarë do të gjesh brenda një libri të përdorur”, thotë një klient i një prej këtyre dyqaneve. /Washington Post

Amnistia e turpit

0

Nga Imer Mushkolaj

Nëse për shkak të shkeljeve kushtetutese janë larguar nga postet Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, pse duhet të amnistohet Isa Mustafa? Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe gjithsesi duhet adresuar përgjegjësia e kryeministrit dhe qeverisë së udhëhequr nga ai. Amnistia e shkelësve të kushtetutës nuk duhet lejuar

Aktgjykimi i Kushtetueses e ka bërë të qartë se parimet e Asociacionit të Komunave Serbe nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e kushtetutës. Për ata që duan ta marrin vesh, kjo don të thotë se me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e këtij organizmi, është shkelur kushtetuta e vendit. Marrëveshjen e ka nënshkruar kryeministri Isa Mustafa, ai është shkelësi dhe ai duhet të marrë përgjegjësi.

Por, në vend se të jetë kështu, Mustafa dhe qeveria e udhëhequr nga ai vendimin e gjykatës po e konsiderojnë këshillues, pavarësisht vërtetimit të shkeljeve.

Ata që nuk i ka tradhtuar kujtesa e dinë mirë se në dy raste, në të kaluarën, dy presidentë të Kosovës i ka rrëzuar nga posti Gjykata Kushtetuese. Në rastin e Fatmir Sejdiut, ai u largua për shkak se u konstatua se kishte bërë shkelje duke e mbajtur në të njëjtën kohë edhe postin e të parit të partisë. Ndërkaq Behgjet Pacolli u detyrua ta lë postin pasi gjykata konstatoi se kishte pasur shkelje procedurale gjatë zgjedhjes së tij nga Kuvendi i Kosovës.

Në të dyja rastet, pra, vendimi i gjykatës u përfill, por kështu nuk po ndodh në rastin e Isa Mustafës. Ai dhe kabineti i tij, ashtu si dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij po sillen thua se s’ka ndodhur asgjë. Ata po shfaqen komodë dhe, pa i konstatuar fare shkeljet e bëra nga i pari i tyre, po zotohen se do t’i përmirësojnë ato gjatë procesit në vazhdim. Por, para se të përmendin përmirësimin e gabimeve, ata duhet të adresojnë diçka tjetër.

* * *

Përpara se të zotohen për përmirësimin e gabimeve dhe lëshimeve, që për ta mund të jenë të parëndësishme, është përgjegjësia politike e kryeministrit Mustafa dhe e qeverisë ajo që duhet adresuar. Nuk mund ta kalohet mbi shkelje kushtetuese, me arsyetimin se ato do të përmirësohen. Jo. Së pari përgjegjësia për shkeljet e bëra, ndërkaq përmirësimet në rend të dytë.

Dhe, nuk është se opozita ose opinionistët kritikë po thonë se kushtetuta është shkelur – këtë po e thotë hiç më pak se institucioni që e ka për detyrë ta mbrojë atë dhe t’i identifikojë shkeljet e saj.

Nëse për Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin është vepruar pa pardon, madje për shkelje edhe më pak të dëmshme se sa kjo e Mustafës, pse duhet që kryeministri të amnistohet nga përgjegjësia? Pse duhet të mbyllen sytë para një vendimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese? Pse duhet shmangur me çdo kusht adresimit të përgjegjësisë?

Po të mos evidentoheshin shkeljet kushetuese në parimet për themelimin e Asociacionit…, atëherë do të vazhdohej me hartimin e statutit. Athua do të identifikoheshin shkeljet kur statuti të hartohej?

Reagimi i opozitës dhe shoqërisë në përgjithësi dhe pastaj veprimi i presidentes që çoi çështjen në gjykatë, nxorën në pah faktin se Mustafa e ka vënë nënshkrimin në një dokument antikushtetues. Ai këtë mund ta ketë bërë edhe pa vetëdije. Ama kjo nuk e amniston atë nga dhënia e përgjegjësisë. Kjo nuk e amniston atë nga ndëshkimi i merituar.

* * *

Kryeministri Mustafa po përpiqet të krijojë përshtypje në opinion se nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakoshme, pas vendimit të Kushtetueses. Por, edhe opozita me qasjen e vet po krijon përshtypjen sikur gjithçka është në rregull.

Nuk ka arsye më të fortë se vendimi i gjykatës, që do t’i shërbente kauzës së opozitës. Nuk ka arsye më të fortë se ky vendim që të kërkohet përgjegjësi politike, institucionale dhe morale nga Isa Mustafa.

Opozita është dashur që qysh në momentin kur aktgjykimi është bërë publik të nisë ofensivën e sqarimit të vendimit për njerëzit e rëndomtë dhe krijimin e strategjisë që tash, bazuar edhe në një vlerësim zyrtar institucional, ta çojë kauzën përpara.

Nuk mjaftojnë vetëm thirrjet për protestën e 9 janarit, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat në media. Nëse e kanë seriozisht, partitë opozitare duhet ta shfrytëzojnë momentin e krijuar dhe nuk duhet lejuar hapësirë Mustafës dhe qeverisë së tij që të përpiqen të arsyetohen dhe t’i përligjin shkeljet e bëra.

Të gjithë duhet ta kuptojnë se një shkelës i kushtetutës nuk mund t’i sanojë shkeljet dhe as ka të drejtë morale ta bëjë një gjë të tillë.

Shoqëria nuk duhet lejuar që një shkelës i kushtetutës të fshihet pas vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për t’i përmirësuar ato. Mustafa është dashur të tregohet i kujdesshëm pa e nënshkruar marrëveshjen. Tash është vonë.

Më e pakta që duhet ta bëjë një shkelës i kushtetutës është largimi nga posti. Amnistia e shkelësve të kushtetutës kurrsesi nuk duhet lejuar. Ata duhet ndëshkuar.

Limaj: Më 9 janar fillon beteja për rrëzimin e Qeverisë me protesta (Video)

0

Viti 2015 ka qenë më i rëndi për Kosovën, vit me jostabilitet politik, me vendime të vështira, të rënda dhe të dëmshme për vendin, që nga fillimi i koalicionit qeveritar, nga deklarata e famshme e ministrit serb, që u shoqërua me protesta e për të vazhduar deri në bllokimin e seancave të Kuvendit, ka vlerësuar kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ai në një intervistë ekskluzive për Indeksonline ka thënë se asnjëri nga ne, në asnjë plan nuk ka me çfarë të krenohet për këtë vit, me shpresën që ky vit nuk do të përsëritet më asnjëherë.

“Në këtë vit për Nismën për Kosovën, si subjekt i ri politik në vend, situatat e tilla e kanë ndihmuar që të sfidohet. Me këto që jemi sfiduar këtë vit, kemi mundur të mos sfidohemi kurrë. Nisma pati fatin që menjëherë të sfidohet me këto realitetet politike, dhe kjo situatë e ka dëshmuar se e nevojshme ka qenë një parti si Nisma, sepse roli ynë ka qenë koheziv dhe bashkëpunues”, ka thënë Limaj.

Ai theksoi se partia të cilën e drejton është munduar që të jetik korrekte më të gjithë, duke luajtur rol koheziv në opozitë dhe duke sjell një frymë tjetër të gatishmërisë për të qëndruar fuqishëm kundër parimeve që janë në dëm të vendit.

Sipas tij, përbërja e kaluar e Kuvendit ka qenë në numër më të madh se pozita, por ka qenë e përçarë copë – copë dhe e paorganizuar, dhe për herë të parë pas lufte Kosova ka një opozitë të bashkuar e cila është edhe meritë e Nismës, e cila siç tha ai, ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin të aktiviteteve në interes të vendit.

Duke folur për zgjedhjet brenda Nismës, Limaj tha se për shkak të shumë zhvillime që kanë ndodh në vend, nuk kanë mundur t’i kushtojnë kujdes dhe të përkushtohen në këtë pjesë, duke shtuar se presin që në pranverë të shkojnë drejt Kuvendit të partisë, të cilën e quajti parti e mirëfilltë politike me program social-demokrat.

Duke folur për opozitën e bashkuar, Limaj ka thënë se ata janë bashkuar në dy kërkesat e tyre – kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

“Krejt aktivitetin tonë e kemi bërë të përbashkët në gjetjen e rrugës së ndalimit të marrëveshjeve. Ne asnjëherë nuk e kemi fsheh që jemi tri parti të ndryshme me koncept e program politik, dhe kemi qasje të ndryshme dhe asnjëherë nuk kemi pas tendencë që të bëhemi si njëri – tjetri, por të ruajmë subjektivitetin e vet secili”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, ata kanë bërë lëshime për çështje që janë në interes të vendit, por jo duke humbur identitetin dhe kjo, ka shtuar ai, është çelësi i suksesit të opozitës se bashkuar, e cila e përmbylli viti suksesshëm.

Sa i përkët përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend, lideri i Nismës thotë se ai ka qenë skeptik dhe nuk i ka pëlqyer kjo.

“Por koha po tregon ndryshe, se nuk kishte rrugë tjetër për të parandaluar marrëveshjet dhe vendimi i kushtetueses po na dëshmon këtë”, ka thënë ai.

Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, Limaj thotë se pas këtij vendimi është krijuar realitet i ri.

“Aktgjykimi i kushtetueses e vërtetoi se ne kemi pasur të drejtë dhe marrëveshja e 25 gushtit ku gjykata konstaton se shumica dërmuese është në kundërshtim me kushtetutën, tregon që opozita ka pas të drejtë në kauzën e saj. Pas vendimit të kushtetueses kemi një realitet të ri, dhe vendimi duhet pranuar dhe respektuar, dhe hapi i parë është që qeveria të jap dorëheqje sepse para vendimit është zotuar se marrëveshja është në pajtim me kushtetutën, e tash është momenti që të marrin përgjegjësi politike”, thotë Limaj.

Sa i përket protestës së 9 janarit të paralajmëruar nga opozita, Limaj thotë se ky manifestim do të jetë për tejkalimin e krizës dhe dorëheqjen e opozitës, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Shpresoj që më 1 janar qeveria të paktën të jap dorëheqje, sepse Kosova nuk mund të qeveriset nga dikush që ka shkel kushtetutën”, thotë ai.

Në vazhdim mund të ndiqni intervistën e plotë të Fatmir Limajt për Indeksonline ku ai flet për raportet me Hashim Thaçin, listën e përbashkët me opozitën, etj.

Rahovecianit ia vjedhin automjetin gjatë natës

0

Persona të panjohur i kanë vjedhur një automjet banorit në fshatin Fortesë të komunës së Rahovecit.

Pronari i automjetit e ka raportuar rastin në polici.

“N.N. me 29.12.2015 ka raportuar se persona të panjohur gjatë natës i kanë vjedhur automjetin e tipit VW-Kombi, me targa vendore”, thuhet në raportin e policisë.

Policia bën të ditur se janë duke hetuar rastin. /PrizrenPress.com

E rreh me shkop druri – e bën për spital

0

Një person është arrestuar në rrugën “Adem Jashari”, në qytetin e Malishevës.

Sipas policisë, i dyshuari për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme ka sulmuar një mashkull me një shkop druri, ku i kishte shkaktuar lëndime trupore.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në QKMF-Malishevë dhe më pas është liruar.

Ndërsa, edhe i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Gjykata e Prizrenit e vlerëson të suksesshëm vitin 2015

0

Gjykata Themelore e Prizrenit sot mbajti konferencën me media ku u prezentua raporti i punës vjetore për vitin 2015 të kësaj gjykate.

Kryetari Ymer Hoxha gjatë prezentimit të raportit të punës për gjykatën ka njoftuar për zvoglimin e numrit të lëndëve të bartura, të kryera për vitin 2015.

“Edhe pse gjykatat vazhdojnë të veprojnë me kapacitete të kufizuara, efikasiteti i gjyqtarëve gjatë vitit 2015 në përqindje ka qenë – Gjykata Themelore e Prizrenit me 79.28 %, Gjykata Themelore në Prizren dega Suharekë me 104.38%, Gjykata Themelore në Prizren dega në Dragash me 94.84% që është dëshmi e përkushtimit të stafit të gjykatës Themelore në Prizren së bashku me degët”, tha Hoxha.

Gjykata e Prizrenit-puna vjetore2015

Këto tabela janë tregues i rezultateve të reformave të cilat janë ndërmarr në gjykatën Themelore të Prizrenit si dhe degët e saj Suharekë dhe Dragash gjatë vitit 2015.

Vlenë të cekët se statistikat e lëndëve të Gjykatës Themelore të Prizrenit i rëndon më tepër Divizioni i Kundervajtjes, ndërsa lëndët me peshë si lëndët që i përkasin Departamentit për Krime të Rënda, Departamentit të Përgjithshëm Penal dhe Civil, ka arritur që numri i këtyre lëndëve të zvoglohet dukshëm.

Sipas kryetarit të kësaj gjykate, gjykatat vazhdojnë të kenë nevojë edhe për gjyqtarë shtesë, për bashkpunëtor profesional, për përkthyes, për rritjen e numrit të stafit administrative, në atë mënyrë që të shtohet niveli i efikasitetit në këtë gjykatë.

Gjatë periudhës raportuese gjykata ka bashkpunuar ngushtë me mediat, OSBE-në, policinë, prokurorine, organizatat joqeveritare e në veqanti me OJQ EC Ma Ndryshe. /PrizrenPress.com

Shënohet Dita e Veteranit të UÇK-së në Prizren

0

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot shënon Ditën e Veteranit, ditë që nderon kontributin e sakrificën e tyre për liri.

Me rastin e shënimit të kësaj Dite, Komuna e Prizrenit se bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe dhe buqeta me lule të varrezat e dëshmoreve në Landovicë dhe para “Monumentit të Lirisë”.

Kryetari i komunës se Prizrenit, Ramadan Muja dhe shumë qytetarë vlerësuan lartë kontributin e gjithë luftëtareve te lirisë, sidomos sakrificën sublime të dëshmoreve të kombit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë dhe shtetin tonë. /PrizrenPress.com