15.9 C
Prizren
E mërkurë, 15 Prill, 2026
Home Blog Page 6814

Beqir Letaj : Nuk e kam keqpërdorë detyrën zyrtare

0

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Beqir Letaj, ka mohuar se ka keqpërdorë detyrën zyrtare. Ai pranon se akuzohet  për nënshkrimin e një marrëveshje për transportimi e maturantëve për në Shqipëri.

“Ju informoj se unë akuzohem se gjoja kam bërë krim ekonomik, se kam nënshkruar në cilësinë e Drejtorit në detyrë një marrëveshje për transportimin e maturantëve e të Gjimnazit “Gjon Buzuku” për në Shqipëri”, tregon Letaj.

Ai thotë se në vitin 2013-të, ka pasur zhegitje të procedimit të tenderit për realizimin e ekskursionit të maturantëve të Gjimnazit “Gjon Buzuku”.

“Për shkak se drejutori,Shaip Buduri me datën 3 tetor 2013, kishte hyrë në garë elektorale për zgjedhjet lokale,dhe   kishte ngrirë postin”.

“Unë, Beqir Letaj,me përgjegjësi morale dhe ligjore ju deklaroj se nënshkrimin e kontratës për bartjen e maturantëve me Kompaninë “Atmaxha”,  e kam bërë për nderë të 595 maturantëve dhe assesi për ndonjë interes material”.

 “Këtë e kam bërë edhe për shkak se në  njëfarë mënyre ishim edhe nën presion të maturantëve,të cilët për shkak të prolongimit të ekskursionit, kishin protestuar para DKA-së dhe kishte rrezik të bëhej kaos në shkollë”./PrizrePress.com/

Ecjet dhe ngecjet

0

Letërsia shqipe është zhvilluar duke ecur herë para, herë mbrapa. Ky zhvillim i panatyrshëm e ka sjellë atë në pikën ku tashmë nuk dihet çka është vlerë dhe çka është antivlerë

Në letërsinë evropiane kemi poetikat që ndjekin një rend kronologjik: Mesjeta, Rilindja, Neoklasicizmi, Sentimentalizmi, Romantizmi, Realizmi, Modernizmi dhe Postmodernizmi. Natyrisht, ka edhe shumë formacione të tjera, por që mund të shihen si të subordinuara brenda këtyre formacioneve përfaqësuese, të cilat kanë autorët, stilet, figurat dhe format dominuese.

Në letërsinë shqipe ky rend përmbyset. Pas modelit mesjetar (letërsia probliblike), vjen modeli arabik (letërsia alamiado), e cila pasohet nga romantizmi (De Rada, Naimi etj.) i identifikuar me Rilindjen (kombëtare), pas të cilit vjen sentimentalizmi (Ndoc Nikaj, Haki Stërmilli etj.), ndërkohë që ndërtohet një urë mes romantizmit dhe realizmit (Çajupi, Asdreni, Migjeni) që pasohet nga “folklorizmi” (Fishta, Kuteli, Koliqi, Lasgushi), krahas të cilit zhvillohet neoklasicizmi (Ethem Haxhiademi) që i hap rrugë modernizmit (A. Pashku, R. Kelmendi, A. Shkreli etj.), paralel me të cilin zhvillohet realizmi, i cili mbytet shpejt nga socrealizmi, kurse postmodernizmi provohet me sukses vetëm në një roman kosovar deri në mbarim të shekullit njëzet.

Siç po shihet, letërsia shqipe është një mishmash modelesh, me një zhvillim atipik. Për të nuk mund të thuhet se ka evoluar, derisa ka aq kthime mbrapa, aq anakronizma.

Më poshtë do t’i shohim poetikat (drejtimet) e mëdha të kësaj letërsie, duke synuar edhe mbajtjen e një kriteri kronologjik.

Mesjeta

Atëherë kur Mesjeta mbaron në Evropë, fillon në Shqipëri. Letërsia shqipe vihet në shërbim të kishës dhe mjaftohet me përmbushjen e funksionit etik kristian. Edhe si letërsi kishtare, ajo nuk përpunohet mjaftueshëm si model, derisa dihet se modeli mesjetar në letërsinë evropiane kishte sjellë edhe pasuri zhanrore, formale e stilistikore; kishte zhvilluar një teatër dogmatik dhe kishte derdhur doktrinën fetare në forma të reja poetike. Pastoralet, fabulat, alegoritë, apo dramat e mistereve, moraliteteve, mrekullive, pasioneve, nuk janë provuar ndonjëherë në letërsinë shqipe. Prandaj, sot mund të thuhet lirisht se letërsia shqipe nuk e ka provuar me sukses modelin mesjetar.

Alamiado

Si në vendet e tjera të Evropës, edhe në letërsinë shqipe modeli arabik nuk është ngulitur mirë. Edhe pse ndikimi është në natyrën e letërsisë, kur bëhet fjalë për këtë model letrar ai na del si fenomen i papranueshëm. Ndoshta, kjo duhet të shihet ndryshe: ndikimi që vjen nga pëlqimi estetik është i natyrshëm, por jo edhe ndikimi që vjen nga imponimi politik. Alamiado ka format dhe figurat e veta, të tilla çfarë i ka edhe në letërsinë shqipe të quajtur “letërsi e bejtexhinjve”, por nuk i ka të atij niveli çfarë i ka letërsia origjinale arabe. Divani, gazeli, kasida etj., në letërsinë shqipe kanë ngelur gjithmonë si shartime të pasuksesshme. Edhe ky model shkrimi nuk mund të thuhet se ka dhënë fryte në letërsinë shqipe, ashtu siç nuk mund të thuhet se u tregua i frytshëm për letërsitë e tjera të Evropës që e provuan këtë model.

Romantizmi

Në letërsinë evropiane Romantizmi dhe Rilindja kanë shekuj ndërmjet, ndërsa në letërsinë shqipe këto janë e njëjta gjë. Romantizmi është Rilindje (jo si Rilindja evropiane që ishte rilindje e shpirtit të lirë, ringjallje e modelit klasik), por rilindje kombëtare. Romantizmi shqiptar rilindi një figurë të kohës së Rilindjes evropiane, Skënderbeun, të cilin e paraqiti si model të përkyer të atdhedashurisë. Ky është një romantizëm i instrumentalizuar që plotësoi kërkesat kombëtare, por mbeti larg plotësimit të kritereve letrare të modelit të cilit i përkiste. Romantizmi shqiptar është një romantizëm i zbehtë përballë romantizmit evropian. Shumë nga poetikat e subordinuara të këtij modeli romantizmi shqiptar nuk i provoi asnjëherë. Kështu që, as ky model nuk mund të konsiderohet i suksesshëm, sepse nuk shënoi ndonjë ecje estetike progresive, gjithpërfshirëse.

Realizmi

Krahas devijimeve të tilla si sentimentalizmi dhe neoklasicizmi, në letërsinë shqipe u provua edhe modeli i realizmit, që u mjaftua kryesisht me qëndrimin realist, por jo me kultivimin e formës tipike të këtij modeli. Më shumë realizëm pati në poezi sesa në roman dhe ky është një ndër paradokset e këtij modeli, proza e të cilit në letërsinë shqipe u mjaftua me skica tregimesh. Pikërisht kur pritej që të vinte koha e pjekurisë së realizmit, u instalua realizmi socialist që është ikje nga qëndrimi i realizmit dhe kthim në disponimin e romantizmit.

Modernizmi

Modernizmi është termi më i përdorur dhe më i keqpërdorur në letërsinë shqipe. Brenda këtij termi janë futur shpesh edhe autorë që nuk përfillnin as kushtin e parë të modernizmit: ikjen nga tradita. Fishta, Lasgushi, Koliqi, Kuteli etj., të cilët njihen si autorë të lidhur së tepërmi me traditën dhe folklorin, sigurisht që nuk do të duhej të pretendohej të futeshin brenda këtij termi që është alergjik ndaj traditës.

Mirëpo, brenda këtij termi mund të futen disa autorë të gjysmës së dytë të shekullit njëzet të cilët, edhe pse nuk deshën apo nuk ditën t’i shmangen traditës, së paku arritën ta përsosin stilin, ta bëjnë tekstin më të figurshëm dhe të paraqesin një disponim të dilemave të njeriut modern. Prandaj, është e kotë të kërkohet letërsi moderne në Shqipëri, ku menjëherë pas realizmit të lehtë, erdhi socrealizmi i hekurt. Letërsia moderne fillon në Kosovë, ku poezia, proza dhe drama marrin modele nga letërsitë moderne evropiane. Natyrisht, shumica e studiuesve në botë konsiderojnë se modernizmin ka mbaruar në vitet ’50, ndërsa në Kosovë veprat moderniste shkruhen pas viteve ‘50.

Megjithatë, sot mund të konstatohet që modeli modernist, edhe pse jo i liruar krejtësisht nga ruraliteti dhe tradita, ekziston në letërsinë shqipe, por ekziston vetëm në letërsinë e Kosovës.

Postmodernizmi

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, njerëzit humbën besimin në shpëtimin që vjen nga shkenca, sepse shkenca solli bombat atomike. E, rrjedhimisht u përmbys besimi në metarrëfimin modernist dhe gjithçka nisi të shihet me sy kritik. Duke dyshuar se të gjitha mundësitë e shkrimit i kishte shteruar modernizmi, John Barth shkroi esenë “Letërsia e shterimit”, ku i referohej letërsisë postmoderne, të cilën disa vjet më vonë e pa si “Letërsi të rimbushjes”. Vërshoi debati për postmodernizmin, ashtu siç vërshuan edhe veprat postmoderne. “Gjithçka lejohet” ishte motoja e të gjithë autorëve, të cilët në veprat e tyre iu kthyen të kaluarës të cilën e kishte mohuar modernizmi, por ky kthim u bë nëpërmjet filtrave ironikë dhe me teknikën e montazhit, si teknikë tipike postmoderne që thyen dhe bashkon gjithçka.

Shembullin e këtij modeli në letërsinë shqipe të shekullit njëzet e gjejmë te “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, ndërsa shkëlqimin e figurës së ironisë si figurë kryesore të postmodernizmit e gjejmë te kapitulli “Deklarata” në po atë roman. Në fund të shekullit të kaluar dhe në dekadën e parë të këtij shekulli, ky model u bë modë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Edhe pse shumë studiues shqiptarë ende nuk e pranojnë postmodernizmin, në botë ka më se dy dekada që flitet për fundin e tij dhe për lëvizje dhe poetika të reja, si: performatizmi, dixhimodernizmi, rimodernizmi, post-postmodernizmi etj. I pari ia kundërvë erudicionit postmodernist idiotësinë performatiste, po ashtu ironinë e zëvendëson me sinqeritetin; i dyti tregon sesi teknologjia e çmonton postmodernën dhe e rikonfiguron kulturën; i treti ka vënë si moto fjalinë “drejt një spiritualiteti të ri në art”, duke sugjeruar kështu një fund dhe një fillim, sepse tani është koha për një art që kërkon jo thjesht një sensibilitet të ri (siç bënte dikur postmodernizmi), por një spiritualitet të ri; i katërti insiston të tregojë fundin e postmodernizmit nëpërmjet një termi që vështirë ta pagëzojë epokën e radhës.

Shkrimtarët shqiptarë kanë ngecur te postmodernizmi, thuajse ai është fundi i risive. Për të dalë nga ky pellg, duhet tejkaluar postmoderna, duhet kuptuar që ka ende shtigje për gjetjen e risive dhe se bindja që “gjithçka e mençur tashmë është thënë” ka ekzistuar që në antikitetin grek, veçmas tek Eskili. Mjafton të shihet se sa shumë gjëra të mençura e të reja janë thënë nga koha antike, për ta kuptuar që hapi nuk duhet të ndalet këtu. Idetë dhe temat mund të kombinohen deri në pambarim.

Njëmend tash mund të thuhet se postmodernizmi në botë ka dy dekada që ka vdekur, por letërsia është gjallë, madje më e gjallë sesa në kohën e postmodernizmit. Edhe në letërsinë shqipe, largimi i autorëve nga modeli postmodern do të jetë një hap drejt një letërsie që kthen spiritualitetin dhe sinqeritetin, aty ku tash ka vetëm formalitet dhe ironi. /GazetaExpress

Ju n’burg, ne t’lirë!

0

Nga Imer Mushkolaj

Qeveritarët u bënë copë këto ditë për të na mbushur mendjen se i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, madje duke e akuzuar Brukselin se qenka bazuar në një raport të shtatorit, teksa ka bërë të ditur edhe tetë kritere të palotësuara. Ata me çdo kusht po përpiqen të na bindin se raporti qenka pozitiv, por në fakt nuk është kështu. Përndryshe, nga Brukseli do të vinte porosia se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandohet liberalizimi i vizave, e jo se duhet plotësuar edhe tetë sish. Dhe detyrat që duhet kryer janë të qarta dhe praktike.

Por, në gjithë këtë muhabetin rreth liberalizimit ka fort demagogji e hipokrizi. Përderisa zyrtarët qeveritarë në njërën anë përpiqen të na mbushin mendjen se gjithçka është OK, në anën tjetër thonë se kriteret e mbetura do t’i plotësojnë shpejt. Nëse gjithçka qenka kryer, si paska mundësi që “ato që kanë mbetur” të përmbushen shpejt. Këtë logjikë duket se më së miri e kuptojnë ata që qytetarët po duan t’i shtyjnë t’iu besojnë, pavarësisht se faktet tregojnë të kundërtën.

Dikush edhe mund t’i besojë Qeverisë se i ka plotësuar të gjitha, por të paktën një ndër kriteret është mjaft i vështirë dhe nuk mund të përmbushet brenda natës. Brukseli po kërkon aktgjykime të nivelit të lartë për krim dhe korrupsion dhe konfiskim të pasurisë. Ose, “përkthyer” në shqip, po kërkohet që kriminelët dhe të korruptuarit e profilit të lartë të dënohen dhe të futen në burg. Shkurt e qartë.

* * *

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy fenomenet që e kanë dëmtuar më së shumti vendin. Që nga nivelet e ulëta e deri te më të lartat qeveritare, zyrtarë të shumtë e kanë vjedhur e dëmtuar shtetin, duke krijuar pasuri marramendëse. Që nga nivelet e ulëta e deri te më të lartat në kompani publike udhëheqës të tyre kanë zhvatur para e të mira tjera materiale, duke u kthyer në milionerë brenda natës.

Tenderët kanë qenë burim i pashtershëm korrupsioni, ndërkohë që janë zvarritur me qëllim ndryshimet në ligjin për prokurimin publik. E në krye të Organit Shqyrtues të Prokurimit vazhdon të jetë njeriu i PDK’së, i cili madje akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për çfarë përmbushje kriteresh po flasin qeveritarët?

Ndërkohë, përderisa demagogjia e hipokrizia nuk kanë fund, bordet e ndërmarrjeve dhe agjencive tjera publike vazhdojnë të popullohen me militantë partiakë.

Përderisa qeveritarët na flasin për sundim rendi e ligji, një proces gjyqësor i profilit të lartë për korrupsion zvarritet tash pesë vjet, një ish kryetar komune i dënuar na përshëndet nga arratia, e ndaj një kryetari tjetër komune vendimi përfundimtar i gjykatës zvarritet pa kurrfarë arsye. Për çfarë përmbushje kriteresh po flasin qeveritarët?

Përpara se të fajësojnë Brukselin, kryeministri dhe zëvendësi i tij do të duhej që ta shohin veten ku janë, do të duhej të paktën ta pyesin veten se çfarë kanë bërë për luftimin e korrupsionit dhe krimit, do të duhej të shohin se si e kanë kapur shtetin me militantë partiakë gjithandej nëpër institucione, do të duhej që të paktën t’ju vijë keq për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin. Fajet për mosliberalizimin e vizave nuk i ka Brukseli, por Prishtina. Prishtina dhe askush tjetër. Dështimet nuk mund të mbulohen me fajësimin e të tjerëve.

* * *

Ndryshe nga qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, kosovarët ende kanë mbetur peng i politikanëve të papërgjegjshëm të cilët krimin dhe korrupsionin i kanë mënyrë qeverisjeje, mënyrë jetese. Atyre ende iu duhet të presin para ambasadave të huaja, me shpresë se mund të marrin një vizë. Ata ende fyhen e përçmohen.

E politikanët nuk e kanë problemin e vizave. Ata mund të lëvizin lirshëm dhe me paratë tona gjithandej Europës. Kryeministri Isa Mustafa e tha qartë se qytetarët mund të jetojnë edhe pa liberalizim. Me siguri ka menduar për vetën dhe klikën e tij, për të cilët procesi i liberalizimit nuk thotë asgjë. Por jo edhe për 1.7 milion qytetarët e shkretë të cilët jetojnë të izoluar dhe rrezikojnë jetën e vet dhe të familjarëve të tyre, duke udhëtuar drejt Europës në rrugë ilegale.

Për të gjithë ata që dinë të lexojnë, kushtet e Brukselit janë të qarta. Andaj askush nuk mund të na hedh hi syve e të na mbushë mendjen ndryshe.

Kosovarët mund të dalin nga burgu dhe të lëvizin lirshëm në Europë vetëm atëherë kur kriminelët dhe të korruptuarit të futen në burg. Ne mund të ndihemi e të lëvizim të lirë vetëm kur ju jeni në burg. Nuk mund të mbetemi më peng i krimit, korrupsionit dhe papërgjegjësisë suaj.

Kurti e Haxhiu në arrest shtëpiak

0

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka ndryshuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak për Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun
“Kolegji prej tre gjyqtarësh ka vendosur që masa e paraburgimit në rastin e, tani të pandehurve, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të ndryshohet me masën e arrestit shtëpiak.

Gjykata Supreme duke vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësve të të pandehurve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, ka aprovuar pjesërisht kërkesën dhe ka ndryshuar aktvendimin e formës së prerë, ashtu që ndaj të pandehurve ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe u ka caktuar arrest shtëpiak. Të pandehurit Albin Kurti, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri me datën 28.12.2015, ndërsa të pandehurës Albulena Haxhiu, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri me datën 07.01.2016”, thuhet në kumtesë.

Puna e QRTK-së në Prizren

0

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha ka prezantuar punën që është bërë gjatë vitit 2015-të.

“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, gjatë periudhës njëvjeçare, duke u bazuar në Planin vjetor të punës, në përputhje me mandatin, ka realizuar një varg aktivitetesh, për të cilat dua që në veçanti të falënderoj bashkëpunëtorët e QRTK-së, për angazhimet e tyre gjatë këtij viti”, ka thënë Hoxha.

Do përpiqem që në mënyrë telegrafike të pasqyroj disa nga të arriturat dhe aktivitetet e QRTK-së, në Prizren për vitin (2015)

• Përmbyllja e procesit të inventarizimit të trashëgimisë kulturore të paluajtshme në regjionin e Prizrenit, bazuar në politikat programore të MKRS për vitin 2015;
• Përgatitja, kontrollimi dhe plotësimi i dokumentacionit për propozim listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, për vitin 2015 sipas udhëzimeve të MKRS-së;
• Futja e 16 monumenteve në mbrojtje të përkohshme në rajonin që mbulon QRTK- Prizren;
• Përgatitja materialit dokumentues për 105 objekte të ndryshme dhe futja e të dhënave në ueb faqe të MKRS-së, për objekte të inventarizuara në Prizren dhe rajonin që mbulon QRTK;

• Në Prizren është kompletuar dokumentacioni për 55 objekte:
• Në rrethinën e Prizrenit për 9 objekte,
• Në Komunën e Rahovecit për 17 objekte,
• Në Komunën e Malishevës për 5 objekte,
• Në Komunën e Dragashit për 9 objekte,
• Në Komunën e Suharekës për 10 objekte,
• Gjatë vitit 2015 QRTK në Prizren, ka shqyrtuar 92 kërkesa të ndryshme dhe ka dhënë 72 pëlqime. Prej tyre 45 kërkesa për në Qendrën Historike të Prizrenit, ndërsa 27 në Zonën e Mbrojtur;
Në Qendrën Historike të Prizrenit prej 45 pëlqimeve të lëshuara nga QRTK – Prizren :
– 28 janë për ndërtim – restaurim, pëlqimet janë dhënë sipas vendimeve të komisionit për shqyrtimin e lëndëve të MKRS-së,
– 17 pëlqime janë dhënë për renovime – renovimi i kulmit, fasadës, ndërrimi i vitrinës. etj.
Në Zonën e Mbrojtur prej 27 pëlqimeve të lëshuara:
– 17 janë për ndërtim,
– 6 për renovim,
– 4 për intervenime të ndryshme.
• 12 pëlqime janë për punime të ndryshme, si pëlqime për pastrim-rrënim, hapjen e kanalizimeve, vendosjen e reklamave, etj.
• 8 kërkesa janë refuzuar për mungesë të dokumentacionit të rregullt, në Qendrën Historike të Prizrenit.
• Gjatë kësaj periudhe për punimet pa pëlqim të QRTK-së, apo tejkalimet janë bërë 15 reagime që i janë adresuar Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit;
• Përurimi i punimeve në Muzeun Arkeologjik, pas punëve restauruese – konservuese, që janë bërë me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe MKRS-së;

• Mbështetje profesionale për punimet konservuese – restauruese në Kalanë e Prizrenit, të cilat janë duke u financuar nga fondi i Ambasadorit Amerikan i akredituar në Kosovë dhe MKRS-ja;

• Përurimi i restaurimit të mullirit të Tabakhanës, në kuadër të projektit “Masat preventive-ndërhyrjet emergjente”
• Mbikëqyrja e punimeve në restaurimin e shtëpisë së Katarina Josipit në fshatin Zym të Prizrenit, projekt ky i investimeve kapitale të MKRS-së,
• Përgatitja e projekt propozimit për restaurimin e pjesshëm të Kinemasë Lumëbardhi si dhe dokumentacionin themelor për data bazë;
• Në bazë të projektit për intervenime emergjente të financuar nga MKRS-ja, është bërë përgatitja e dosjes për 10 objekte të trashëgimisë kulturore;
• Me rastin e themelimit të “TASK FORCES” QRTK në Prizren, ka ngritur çështje për të gjitha ndërtimet pa pëlqimin e QRTK-së, si dhe tejkalimet gjatë ndërtimit që ka pasur në zonën Historike të Prizrenit që nga pas lufta;
• Bashkëpunimi me studentët e fakultetit të Arkitekturës dhe tjera në incizimin e disa objekteve të vjetra në Prizren, duke ofruar ndihmë teknike, asistencë profesionale dhe qasje në dokumentacionin ekzistues të QRTK-së (Shtëpia e familjes Myftiu, familjes Ereni, kompleksi i LSHP-së, xhamia e Sinan Pashës, hamamet, etj.);

• Sipas projektit: “Kthimi i qëndrueshëm në Prizren” nga donacioni i Mbretërisë së Bashkuar në implementim nga OJQ e Danimarkës, QRTK ka udhëzuar dhe ka dhënë këshilla teknike në hartimin e dokumentacionit teknik të objekteve të cilat po rindërtohen në kompleksin e nënklasë, zonë kjo që gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit;

• Incizimi dhe vlerësimi i gjetjes së rastit të lokacionit antik në sheshin e “Lidhjes”;
• Mbikëqyrja e punimeve restauruese në xhaminë e Emin Pashës;
• Mbikëqyrja e punimeve në kompleksin e kishës katolike, respektivisht në ish shkollën e mjekësisë që financohet nga Bashkimi Evropian;
• Mbikëqyrja periodike e punimeve restauruese si masë emergjente të investuara nga MKRS-ja dhe donacione të juaja të zbatuara nga MKRS-ja dhe CHËB-ja (Kulla e Mahmud Pashës në Opterushë, Namazxhahu në Buzez, Minarja e xhamisë së Sejdi Beut, shtëpia e Adem Aga Gjonit, etj.)
• Ridizajnimi i Sektorit Etnologjik /SE/ të Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit;
• Veprimtaria e Kompleksit të LSHP-së, ishte fokusuar në menaxhimin e suksesshëm të Kompleksit; pritjen, shoqërimin dhe përcjelljen e vizitorëve; në hulumtimin e vlerave që kanë të bëjnë me LSHP-në dhe në pasurimin e Muzeut me eksponateve të tjera;
• Kompleksi gjatë kësaj periudhe është vizituar prej mbi 48.000 vizitorëve

Aktivitetet e mbëtetura nga QRTK

• Mbështetje për hapjen e ekspozitës e OJQ Festivali Ndërkombëtar “Zgjimi me Art “- Prizren;
• Në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, u hapë ekspozita e OJQ “Genc Birlik Dernegi” – Prizren.
• Në bashkëpunim me produksionin filmik ASHA nga Prishtina, është bërë xhirimi i ambienteve të monumentit të Hamamit me qëllim të promovimit;
• Është mundësuar realizimi e programit “Transformimi i Konfliktit” organizuar nga Forumi për Kulturë;
• Ekspozita e OJQ “Sharski Behar” – Prizren.
• Ekspozita personale e Fatmire Shehu-Salla “Promovimi i Artit përmes punimeve artistike nga Lëkura”në Prizren.
• Ekspozita e Fondacionit për Trashëgimi Kulturore “Legatum” në Prizren.
• Shënimi i 137 vjetori të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit;
• Ceremonia nga FSK në Homazhin e eshtrave të heroit Kombëtar, Isa Boletini;
• Takim ndërkombëtar i Bjeshkatarëve;
• Festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”;
• Ora e Madhe Letrare “Ora e Lidhjes”;
• TEDx Prizren etj.

Gjashtë zyrtarë nga Prizreni, akuzohen për “keqpërdorim të autoritetit zyrtar”

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë (6) të pandehurve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, njofton kumtesa nga Prokuroria.

Të pandehurit S. J., H. K., A. SH., H. B., A. G. dhe B. G, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër dhe shkaktimin e dëmit të një personi tjetër, ku me atë rast kanë shkelur me dashje Ligjin lidhur me detyrat e tyre zyrtare.

Të gjashtë të pandehurit me këtë kanë kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1, 2.2 dhe 2.4 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Prizren: Aktakuzë për “kontrabandim me emigrantë”

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “kontrabandim me emigrantë”, duke u bazuar në nenin 170, paragrafi 1 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kundër M.N. shtetas i Republikës i Kosovës, i lindur në vitin 1980, në Prizren, banues në Brezovicë të Komunës së Shtërpcës, njofton kumtesa nga Prokuroria.

Në aktakuzën e ngritur, ndër të tjera thuhet se: Shtetasi M.N. më datë 28 prill 2015, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, ju premton shtetasve M.V. dhe S.V. nga Komuna e Prizrenit, së do t’i dërgojë nga Prizreni në Suboticë të Republikës së Serbisë dhe nga aty pa përfillë obligimet ligjore të kalimit të kufirit, do t’i dërgojë në Budapest të Hungarisë.

Aktakuzë ndaj një inspektori të Komunës së Prizrenit

0

Prokuroria Themelore në Prizren, duke u bazuar në neni 423 të paragrafit 1 të Kodit Penal të Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj një Inspektori të Komunës së Prizrenit, për “keqpërdorim të informatës zyrtarë” me qëllim që te personi tjetër të përfitojë përparësi që nuk i takojnë, njofton kumtesa nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas aktakuzës, inspektori komunal duke keqpërdorur pozitën zyrtare, ka njoftuar personin tjetër për një veprim që pritej të merrej nga inspektorati komunal në bashkëpunim me policinë e Kosovës, për ekzekutim të një vendimi të marrë më herët.

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Bujar Nerjovajt

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj kuvendarit të AAK-së, Bujar Nerjovajt.

Ai bashkë me drejtorin e Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri dhe zëvendësdrejtorin Beqir Letaj, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka konfirmuar se Bujar Nerjovaj, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Bujar Nerjovaj dyshohet për vepën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, Neni 422.1”, tha Kicaj./PrizrenPress.com/

Drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, akuzohet për keqpërdorm të detyrës zyrtare

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri.

Ai bashkë më zëvendësin e tij, Beqir Leta, akuzohet  për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Buduri është paraqitur edhe në gjykatë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka konfirmuar se Buduri dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Për këtë rast është mbajtur edhe seanca e parë në fillim të këtij muajt”,tha Kicaj./PrizrenPress.com/