Home Blog Page 6835

Ku janë zhdukur fëmijët e refugjatëve?

0

Askush nuk mund të thotë saktësisht se sa është numri i refugjatëve të mitur në Evropë që janë zhdukur, ose ku janë këta fëmijë. Është e qartë se gjatë regjistrimit janë bërë lëshime dhe gabime.

Pse për refugjatë të cilët janë ende fëmijë ose adoleshentë pas regjistrimit nuk është ndërmarrë kujdesi i duhur? Sa të mitur konkretisht mungojnë apo janë zhdukur? Në kërkim të një përgjigjeje për këtë pyetje zbulohen deficite të mëdha të krijuara gjatë regjistrimit të refugjatëve.

EUROPOL dhe Policia gjermane kundër kriminalitetit BKA (Bundeskriminalamt), paraqitën shifrat që vërtet nuk mund të quhen si të sakta për shkak se çdo ditë po ndryshojnë. Përveç kësaj, mënyra në të cilën janë mbledhur të dhënat ngre shumë dyshime. Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve dhe të refugjatëve flasin për shifra mjaft shqetësuese, por në fakte, edhe ata nuk mund të bazohen. Kështu BKA supozon se më 1 janar 2016 në Gjermani kishin ardhur 4,749 refugjatë të mitur dhe të pashoqëruar nga të rriturit. Ata janë të ndarë në dy grupe. 431 prej këtyre refugjatëve, sipas të dhënave zyrtare, kanë qenë më të rinj se 13 vjeç, kurse 4287 prej tyre ishin më të vjetër, në mes moshës 14 dhe 17 vjeç.

Megjithatë, këto janë vetëm të dhënat që janë mbledhur në një moment të caktuar, sepse shifrat janë vazhdimisht në ndryshim e sipër, tha në një intervistë për “Deutsche Welle”, një zëdhënëse e BKA-së, dhe shtoi se shifrat brenda një dite mund të ndryshojnë dhe shkojnë nga 200 deri në 300 raste.

“Nuk e dimë se ku janë ata”

Janë shënuar regjistrime të shumta në disa shtete federale gjermane, thotë zëdhënësja e sipërpërmendur, e cila më tej thekson se disa prej këtyre fëmijëve të zhdukur pas një kohe të shkurtër rishfaqen: “Por ne nuk mund të përjashtojmë që një pjesë e kësaj kategorie të refugjatëve, të cilët janë zhdukur në fillim të vitit të shkuar, kanë rënë në duart e kriminelëve”. Informacion të saktë në lidhje me këtë, BKA, megjithatë, ende nuk posedon, tha ajo.

Shefi i EUROPOL-it, Brian Donald, në një intervistë për gazetën britanike, “The Observer”, ka pranuar se mijëra refugjatë të mitur të regjistruar në vendet e ndryshme evropiane, më pas humbën pa lënë asnjë gjurmë. Donald paralajmëroi se disa nga këta fëmijë mund të kenë rënë në duart e kriminelëve. Në të njëjtën kohë ai shtoi: “Jo të gjithë janë viktima të kriminelëve, disa prej tyre ndoshta janë nën kujdesin e familjarëve të tyre. Por thjesht, nuk e dimë se ku janë ata, çfarë bëjnë ata, ose te kush po qëndrojnë”.

EUROPOL-i thotë shefi i kësaj policie, ka mbledhur prova që dëshmojnë se disa nga këta fëmijë dhe të rinj gjatë ikjes së tyre për në Evropë janë abuzuar seksualisht. Është formuar një infrastrukturë kriminale, e cila përfiton nga fluksi i emigrantëve, thotë Brian Donald.

Kontrabandistët, shpjegon ai, po përdorin refugjatët që të shfrytëzohen për punë që kanë të bëjnë me industrinë e seksit dhe si skllevër. Por kjo nuk është diçka e re, thotë Donald, sepse gjatë çdo fluksi refugjatësh në histori, është ushtruar dhunë ndaj të dobëtit. Megjithatë, në këtë pikë tani për tani ka më shumë spekulime sesa fakte, transmeton “Zëri”

Shifrat më të qarta janë në dispozicion të qyteteve dhe komunave gjermane. Sipas Zyrës Gjermane të Rinisë, në Gjermani, kujdesi aktual është për rreth 60,000 refugjatë të mitur të cilët arritën të pashoqëruar nga të rriturit apo familjet e tyre. Pretendohet se shumë prej këtyre fëmijëve minorenë rrëfyen për përvojat e këqija me të cilat ishin përballur gjatë arratisjes së tyre.

Autoritetet në këtë mënyrë, theksojnë se numri i përgjithshëm ende nuk dihet dhe se do të mbetet kështu. Sepse, ende nuk mund të thuhet se cili është në të vërtetë numri i atyre fëmijëve të pa regjistruar që vijnë me të afërmit apo njerëz të tjerë, dhe sa prej atyre u bënë viktima të trafikimit.

Gabimet në sistemin e regjistrimit

Situata e pasigurt statistikore edhe organizatave të fëmijëve ua bën më të vështirë punën në këtë drejtim. Kështu, UNICEF deklaroi: “Shifrat e publikuara nga EUROPOL i marrim shumë seriozisht, por këto të dhëna nuk mund të vërtetohen. Një nga problemet është se ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve refugjatë”. Sipas UNICEF-it, një e treta e refugjatëve, të cilët nga vera e vitit 2015, erdhën në Gjermani, janë fëmijë dhe adoleshentë.

Këto të dhëna janë të bazuara në të dhënat jo të plota të qeverisë, thotë kjo organizatë, duke shtuar se për shkak të gabimeve në sistemin e regjistrimit, ende nuk ka një ekzaminim të detajuar. UNICEF kritikon faktin se në këtë sistem nuk përfshihet mosha e refugjatëve dhe për këtë arsye kërkon që refugjatët e mitur të regjistrohen në të gjitha vendet e tranzitit dhe pritëse, dhe se gjendja e tyre të monitorohet vazhdimisht.

Aleanca gjermane për mbrojtjen e fëmijëve konsideron se janë bërë lëshime dramatike në mbrojtjen e refugjatëve të mitur. Kriminelët e shfrytëzojnë një situatë të tillë në të cilën fëmijët e vetmuar dhe të pashoqëruar kanë ikur për në Evropë, tha në një deklaratë për transmetuesin e shërbimit publik të Gjermanisë “SWR”, kryetari i kësaj organizate, Heinz Hilgers. Refugjatët nën moshë, shton ai, mund të mbrohen në mënyrë efektive në qoftë se ata përkujdesen nga një zyrë për të rinjtë ose nëse mund të jenë në gjendje të lidhën përsëri me familjet e tyre. /Zëri/

Mustafa pret për takim veteranët e UÇK-së

0

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë të ditur se sot kryeministri do të presë për një takim veteranët e luftës së UÇK-së.

Veteranët që po protestojnë për një kohë të gjatë po kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Takimi zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar nga ora 09:00.

Heshtja inkriminuese e Hashim Thaçit

0

Politikanë dhe analistë shprehen të shqetësuar me refuzimin e liderit të PDK-së për të sqaruar raportet e tij me Shërbimin Sekret Francez, duke kërkuar që ai të mos kandidojë, nëse nuk e bën transparente aktivitetin e tij në këtë drejtim

Me gjithë vazhdimin e deklarimeve të ish- zyrtarëve të Shërbimit Sekret Francez, agjentëve të këtij shteti të angazhuar edhe në misionin ndërkombëtar të OKB-së në Kosovë, se gjithçka që është thënë rreth lidhjeve të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, me Shërbimin Inteligjent të Francës është një e vërtetë zyrtare, ish- kryeministri i Kosovës, tanimë në pozitën e kryediplomatit të shtetit dhe kandidat për president, po vazhdon të heshtë rreth këtyre deklarimeve.

Sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të opozitës, një figurë e tillë politike, e përfshirë edhe në shërbimet e huaja sekrete, përveçqë duhet ta sqarojë pozicionin e vet, në asnjë mënyrë nuk bën për president të vendit. “Në atë moment që ish- kryeagjenti francez dha një deklaratë të tillë, Thaçi është dashur të deklarohej në lidhje me ato deklarata të ish- kryespiunit francez.

T’i demantojë apo t’i pohojë. Sepse, një kryespiun i një shërbimi inteligjent nuk guxon të japë deklarata të tilla, nëse nuk janë të vërteta. Këto deklarata të tij e forcojnë edhe më shumë argumentin, që një njeri i kompromentuar, një mashtrues, gënjeshtar dhe një njeri që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme, nuk i duhet Kosovës në skenën politike, e aq më pak të jetë president i Kosovës”, tha analisti politik Faik Krasniqi për “Kosova Sot”…

PDK e LDK, po përgatiten për zgjedhje

0

Dy partitë politike që përbëjnë koalicionin e ashtuquajtur të “elefantëve” PDK e LDK, edhe pse po kundërshtojnë kategorikisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ato tashmë kanë filluar mobilizimin e partisë nga brenda.

Madje intensifikimi i takimeve nëpër degë e nëndegë nga liderët e partive, nga analistët konsiderohet si fillim i fushatës për zgjedhje të parakohshme.

Më aktiv në terren është kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij Kadri Veseli.

Por, edhe LDK-ja është aktive në terren, pasi disa nga drejtuesit e kësaj partie po zhvillojnë takime të shumta me strukturat e partisë.

Gjithnjë sipas analistëve, dy partitë e mëdha përgatiten për zgjedhje, në rast se dështon përpjekja e Hashim Thaçit për t’u zgjedhur president.

Por, në anën tjetër vetë përfaqësuesit e këtyre dy partive politike, takimet e shpeshta nëpër degë e nëndegë i konsiderojnë të rëndomta…, shkruan Zëri.

Kurti: Vucic ta njeh Mustafën më mirë se LDK-ja

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Kushtetuese tregoi se Isa Mustafa nuk e kishte ditur se çfarë ka nënshkruar në Bruksel.

“Ne si opozitë nuk mund ta ndalemi. Ja kemi dhënë një goditje të fuqishme Serbisë. Aleksandër Vuçiq dështimin më të madh e ka krijimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë e tash ka zgjedhje në Serbi. Neve na bënë shumë të lumtur kjo”, ka deklaruar ai gjatë emisionit “Debat” në RTK.

Kurti thotë se protestat e opozitës nuk kanë të bëjnë gjë me dëshirën për pushtet.

“Ata e kanë lidh fatin me ‘Zajednicën’. Gazi nuk është hedh pse është formuar Qeveria, po pse kjo e solli ‘Zajednicën’”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk e urren Mustafën.

“Sinqerisht ju them, nuk e urrej, por s’kam edhe aq respekt. Nuk e konsiderojmë ne këtë si lider, si burrështetas aq të madh që ta urrejmë. Fare nuk është kjo situatë”.

“Por, le të largohen se e kanë shkel Kushtetutën. Gazi lotsjellës ik për 30 minuta, e ‘Zajednica’ as për 30 vjet. Na jemi paqësorë, pushtetin nuk e duam me dhunë”.

Sipas tij, nëse Kosova vazhdon rrugëtimin e saj, me hapat e kryeministrit Isa Mustafa e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, gjasat janë që brenda 4-5 vjetësh në Ballkan të ketë luftë.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së Thaçit president, Kurti tha se kjo nuk po bëhet për shkak të opozitës – e jo se nuk i ka deputetët e LDK-së – pasi opozita do të hidhte gaz në atë seancë.

“Opozita ka mjaftueshëm gaz lotsjellës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Isa Mustafa është totalisht i parashikueshëm nga kundërshtari dhe për këtë arsye ai nuk duhet të dërgohet në bisedime me Serbinë.

“Vucic ta njeh Mustafën më mirë se LDK-ja”, tha Kurti.

https://youtu.be/ucjdpGzt72s

Opozita mobilizon gratë në Malishevë për protestën e 17 shkurtit

0

Subjektet opozitare kanë mbajtur tubimin e radhës mobilizues me gra.

Përmes një njoftimi për media subjektet opozitare kanë treguar se në takimin që është mbajtur në Malishevë e ku salla ishte e mbushur plot, të pranishmet të cilat diskutonin për nevojën e madhe të angazhimit të grave për ndryshimin e gjendjes aktuale në vend.

Në këtë tubim folën përfaqësueset e tri subjekteve të Opozitës së bashkuar.

“Aty u tha se marrëveshjet duhet të ndalen meqë dëmi i tyre është kolosal. Këtë sipas tyre, do ta bëjnë qytetarët e shumtë e të shumte bëhen vetëm me pjesëmarrjen masive të grave. Shumë prej tyre duhet ta vazhdojnë aktivitetin. Disa duhet ta shtojnë atë e të tjera të fillojnë me angazhim në kundërshtimin e marrëveshjeve kriminale. Vetëm kësisoj mund të sigurohemi se do të jetojmë në një ambient më të siguritë e më të zhvilluar. I tillë mund të jetë pa ‘Zajednicë’”, thuhet në një njoftimin e opozitës.

“Prandaj, aktivitetet tona së bashku do të intensifikohen dhe mobilizimi për protestën e 17 shkurtit do të vazhdojë. Ky angazhim tregon qe protesta e datës 17 shkurt do të jetë madhështore ashtu siç është vullneti që kundërshton marrëveshjet kriminale dhe qeverinë antikushtetuese”, thuhet më tej në këtë njoftim. /PrizrenPress.com

Rama e Thaçi, darkë para Kerryt

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka treguar në llogarinë e tij në Twitter treguar se është duke darkuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçin.

Ai ka thënë se është në darkë vëllazërore me Thaçin për punët e vitit në rrugën e bashkëpunimit mes tyre dhe pranë vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Kerry pritet ta vizitojë Tiranën më 14 shkurt.

Paraburgim dy të dyshuarve për vrasjen e Egzon Mazrekut

0

Sipas një komunikate për medie nga Gjykata Themelore e Prizrenit, është bërë e ditur se dy te dyshuarve për vrasjen e Egzon Mazrekut, në Sopijë të Suharekës, Xhevat Hysenajt dhe Naser Makollit i është caktuar masa e paraburgimit.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake – Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve me iniciale XH. H. nga Lipjani për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 parg.1.5 dhe veprës penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim te paautorizuar te armëve nga neni 374 parag.1 të KP dhe i pandehuri N.M.nga Fushë Kosova për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në ndihmë nga neni 179 parg.1.5 lidhur me nenin 33 të KP. iu caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Prizrenit, transmeton Koha.net.

Më tej thuhet se me datën 05.02.2016, Prokuroria Themelore e Prizrenit – Departamenti për Krime të Rënda i ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit Gjykatës Themelore në Prizren Departamentit për Krime të Rënda ndaj të pandehurit me iniciale XH. H.dhe N.M. për shkak të veprës penale të cekur me lartë.

Të dy të dyshuarve u është caktuar nga një muaj masë paraburgimi.

“Po të njëjtën ditë Gjykata Themelore e Prizrenit Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën e paraburgimit ku të pandehurve me iniciale XH. H. i dyshuari kryesor për vrasje, i është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 1 (një) muaji i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, datë 04.02.2016 dhe do të zgjasë deri më datën, 05.03.2016 ,ndërsa për të pandehurin me inicialet N.M. iu është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 1 (një) muaji i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, datë 03.02.2016 dhe do të zgjasë deri më datën, 04.03.2016”, përfundon komunikata nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Skanimi në Doganën e Morinës, makth për tregtarët që presin 12 orë në radhë

0

Është kthyer në një makth të vërtetë procesi i skanimi të mallrave në Doganën e Morinës.

Dhjetra drejtues kamionësh vazhdojnë të presin me orë të tëra për të kryer skanimin e ngarkesave, duke humbur jo vetëm kohë, por edhe orarët që duhet të dorëzojnë mallrat nëpër tregje.

Televizioni Klan u interesua për të marë infomacion lidhur me këtë situatë të krijuar, në Ministrinë e Financave, por ky dikaster ia kaloi përgjegjësinë për këtë çështje Drejtorisë që ka në varësi, asaj të Doganave.

Doganat thonë se vonesat kanë ardhë si pasojë e fluksit dhe pranojnë që nuk e kanë menaxhuar situaten siç duhet, duke qenë se vetëm 4 ditë ka që është vendosur në punë skaneri.

Kjo e fundit thotë se procesi normal i skanimit, me ligj, nuk zgjat më shumë se 5 minuta, por vonesat krijohen në rastet kur sistemi jep sinjalin për kontolle më të imtësishme, në bazë rrisku dhe kjo mer më shumë kohë, duke shkaktuar radhë.

Por çfarë taksirati apo detyrimi kanë drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në radhë, kush mban përgjegjësi për këtë humbje kohe që i shkaktohet këtyre bizneseve?

Doganat thonë se primare është siguria kombëtare dhe sipas saj, kamionët duhet të llogarisin kohën që të shkojnë në dogana deri në 3 orë më herët, që të mos humasin tregjet.

Të pyetur se përse nuk zgjerohen pikat e skanerit, doganat thonë se marrëveshja koncesionare nuk e lejon.

Kjo përgjigje do të thotë që bizneset do të vazhdojnë të jenë peng i radhëve të gjata, vetëm për faj të një marrëveshje koncesionare. Marrëveshje e cila bëhet pengese që investimi më shumë se 1 miliardë euro për Rrugën e Kombit, të dalë jashtë loje, vetëm për shkak të vonesave pa kriter që shkaktohen gjatë skanimit.

Sikur mos të mjaftojë e gjitha kjo, veç vonesave, problem në këtë pikë është bërë edhe qarkullimi i mjeteve, pasi skaneri është vendosur në një pozicion totalisht të papërshtatshëm. Mjetet e rënda që udhëtojnë drejt Kosovës u duhet të përshkojnë autostradën tërthorazi për të kaluar në anën tjetër duke u bërë një burim i rrezikshëm për aksidente.

Arbeni nga Çifllaku ka nevojë për ndihmë

0

Arben Abaz Zatriqi – Kastrati, i lindur më 25 Korrik 1974 në Çifllak – Rahovec, URGJENTISHT i duhet transplanti i veshkës!

Ky operacion duhet të kryhet jashtë vendit dhe kushton 30 mijë euro.

Në pamundësi për sigurimin e këtyre mjeteve familjarët i lusin të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë për ndihmë!

Raiffesien BANK: Swift CODE RBKOXKPR, Iban XK05 1505010001429075
Teb BANK: Swift CODE TEB KXPR, Iban XK05 2019000006679933

Nr kontakti: +386 (0) 49 839 184