18.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6839

Thaçi president rrënon kredibilitetin e Kosovës

0

Marrëveshja kontratë në mes të PDK-së dhe LDK-së për koalicionin qeverisës, që për president të radhës, në mars të vitit që vjen, të zgjidhet kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, është vlerësuar në vazhdimësi nga analistët politikë edhe opozita si një marrëveshje jodemokratike dhe tepër e rrezikshme për stabilitetin dhe funksionalitetin e institucioneve të shtetit, shkruan Kosova Sot.

Fillimisht kjo është parë si marrëveshje joserioze, për faktin se zgjedhjen e Thaçit president e vë në pikëpyetje brishtësia e koalicionit qeverisës, mospajtimi i shumë deputetëve të LDK-së për ta votuar Thaçin për president, derisa edhe dyshimet që janë për rolin e tij në kohën e luftës, përfshirja e tij në raportin e Dick Marty-t dhe ngritja eventuale e akuzës nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale mund të vijnë si një tërmet që mund të shembë me themel kredibilitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

Analisti Blerim Burjani thotë se Kosova do të hynte në rrugë qorre, nëse Gjykata Speciale do të merrte si të dyshuar Hashim Thaçin.

“Kosova do të hynte në rrugë qorre, nëse Gjykata Speciale do të merrte si të dyshuar Hashim Thaçin. Do të ishte përfundimisht edhe fundi i PDK-së dhe karrierës së tij politike, por edhe fundi i të gjithë përfituesve në kurriz të Thaçit, e që shumë pakurrizorë, përkthyes të tij, tash ministra e ambasadorë e gjithçka, kanë përfituar nën emrin e tij dhe rolin e tij politik në vend. Kjo do të ishte katastrofë edhe për militantët e kësaj partie, sepse ata do të ndërroheshin prej fillimi deri në fund në një qeverisje të re të vendit, pra edhe do të humbnin”, thotë analisti Blerim Burjani. /Kosova Sot

Uji i kroit të Beledijes në Prizren “të çan ballin” dimër e verë

0

Berat Batiu, shkrimtar nga Prizreni, tregon se meqë në afërsi e ka shtëpinë, shumë shpesh ka marrë ujë te ky krua i Beledijes.“Thuhet se është krua me ujë të mirë, sepse ai ujë thonë se vjen nga ‘Bjeshkët e Pashës’”, thotë ai

Prizreni, përveç tjerash, shquhet edhe për krojet e shumta. Ato i japin freski qytetit. Ata u shërbejnë qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë për të shuar etjen gjatë verës. Por, për krojet e shumta të Prizrenit ka edhe shumë histori dhe gojëdhëna të ndryshme. Ato na i rrëfen edhe Bedri Çejku, i cili thotë se i mban mend qysh kur ishte fëmijë. Ai shprehet se ndër krojet më të mira në qytet është kroi i Beledijes, që sipas tij është i dobishëm edhe për shëndet. “Një ndër krojet më me famë në qytet është edhe Kroi i Beledijes”, tregon Çejku.

Ndërsa, shkrimtari Berat Batiu tregon se meqë e ka shtëpinë në afërsi të kroit, furnizohet nga ky ujë që është më i freskët se kudo tjetër. Ai thotë se edhe më të parët i kanë rrëfyer për “mrekullinë” e këtij uji. “Atëherë thuhej se është krua me ujë të mirë, sepse thonë se kishte ujin nga ‘Bjeshkët e Pashës’”, thotë Batiu. Ai shpjegon se emrin e ka marrë nga vetë objekti i Kuvendit Komunal të Prizrenit, që u ndërtua gjatë periudhës osmane, në shekullin XIX. “Kroi është ndërtuar në oborrin e Beledijes, siç quhet në gjuhën turke Kuvendi, gjatë shek. XIX. Kroi gjendej ndërmjet objektit të ,,Beledijes” dhe Xhamisë së Mustafë Pashës”, thotë Batiu, duke shtuar se në këtë vend kroi e kreu funksionin e vet primar që nga koha e ndërtimit e deri në vitin 1960.

Regjimi komunist nuk kurseu asgjë

Por, si shumë pasuri të tjera, edhe kroi do të pësojë fatin e njëjtë gjatë regjimit komunist. Kështu, asokohe lagjja pësoi ndryshime të papara. Xhamia e Mustafa Pashës u rrënua më 1952, kurse në anën e djathtë të lumit u asfaltua aksi rrugor nga ,,Tabakhana” e deri në ,,Marash”. Kroi që ndodhej në aks të rrugës, si rrjedhojë e ndërtimit të aksit rrugor, më 1963 u dislokua në “Sheshin e Dëshmoreve”, i cili gjendet në pjesën qendrore të qytetit, ndërmjet urës e Xhamisë së Arastës dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Batiu shpjegon se kroi është i ndërtuar nga gurët gëlqerorë të latuar. Gjatë përpunimit, blloqeve të gurëve u është dhënë forma e katrorëve, me madhësi të ndryshme. Në pjesën e sipërme, në të katër anët e tij, ngrihen harqe, e mbi to është vendosur një gur gjysmësferik./kosova sot/

Për tre minuta shiten biletat për Adele

0

Në një kohë rekord, për vetëm tre minuta pas daljes në treg janë shitur të gjitha biletat e këngëtares Adele për koncertet që ajo do të mbajë në Dublin të Irlandës.

Çmimet e këtyre biletave të cilat kanë dalë në shitje “online” startonin nga 300 euro deri në 850 euro.

Ylli i këngës “Hello” pritet të performojë në skenën e Dublinit më 4 dhe 5 mars të vitit të ardhshëm. Ajo do të performojë gjithashtu më 29 shkurt dhe 1 mars në Belfast.

Shumë fansa të zhgënjyer nga çmimet e larta kanë reaguar menjëherë në rrjetet sociale duke treguar se ishte vërtetë qesharak. Por, pavarësisht kësaj biletat tashmë janë të gjitha të shitura.

Ka qenë vetë këngëtarja, e cila më herët nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter ka njoftuar të gjithë fansat e saj për turneun që do të zhvillojë në Evropë përgjatë vitit 2016.

“Me zi pres që t’ju shikoj të gjithëve pas një kohe të gjatë pauze”, ka shkruar ajo.

Meta: Rrugët e dialogut mbeten të hapura

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimeve që ka pasur sot me liderët e opozitës, ka thënë se, gjatë takimeve ka diskutuar për mënyrën e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës përmes dialogut.

Meta beson se politikanët e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë dhe kanë vullnetin që nëpërmjet një procesi reflektues ta rivendosin një dialog.

“Vë re me kënaqësi që rrugët e dialogut mbeten të hapura dhe të pa shteruara. Dhe ka dëshirë dhe ka vullnet për të ecur drejt kapërcimit të këtij momenti delikat të funksionimit të institucioneve, me qëllim që të shënohet një progres për të gjitha ato çështje të debatuara deri tani dhe tanimë të njohura. Kështu që, unë besoj se politikanët e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë dhe kanë vullnetin që përmes një procesi reflektues të rivendosin një dialog të qëndrueshëm që do t’i shërbejë shumë Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, ka thënë Meta.

Kryeparlamentari shqiptar është takuar edhe me kreun e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, si dhe me kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Ndërkohë, pasdite kryeparlamentari Meta ka takuar edhe presidenten Atifete Jahjaga, me të cilën po ashtu ka diskutuar për krizën politike. Një natë më parë, kreu i Kuvendit të Shqipërisë ka takuar edhe homologun e tij kosovar, Kadri Veseli, me të cilin po ashtu ka diskutuar për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në Kosovë. /Top Channel

Mjegulla vështirëson lëvizjet në komunikacion, për dy ditë 95 aksidente

0

Ndryshimet klimatike të cilat kanë sjellë mjegull të dendur që ka përfshirë shumicën e qyteteve të Kosovës, ka ndikuar që numri i aksidenteve në trafikun rrugor të shënoj ngritje.

Gjatë 48 orëve të fundit në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë shkaktuar gjithsej 95 aksidente trafiku , ndër to një me fatalitet.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës gjatë ditë së shtunë, kanë ndodhur 44 aksidente në trafikun rrugorë.

Nga ky numër i përgjithshëm i aksidenteve në trafik, 16 kanë shkaktuar lëndime në njerëz, ndërsa 28 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Ndërsa në 24 orëshin e ditës së premte, ku u shënuan 51 aksidente, humbi jetën një person në komunën e Kamenicës, si pasojë e goditjes nga vetura, derisa ishte duke punuar në futjen e kabllove përgjatë rrugës.

Nga këto aksidente 16 kanë shkaktuar lëndime në njerëz dhe 34 kanë kaluar vetëm me dëme materiale.

Për gjatë këtyre 48 orëve të fundit Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 1390 tiketavozitësit e automjeteve të përfshira në trafikun rrugor.

Therët me thikë një person në Dragash

0

Është therë me thikë një person në Dragash.Policia e Kosovës njofton se therja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeve të dy personave.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht me thikë viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore”.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Fatmir Limaj: Me një analizim të thellë mund të dalim nga kriza

0

Kryetari i NISMA’s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se mund të dilet nga kriza aktuale politike pas një analizimi të thellë të situatës në të cilën gjendet Kosova.

Këto komente Limaj i ka bërë pas takimit që ka pasur me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po takohet me zyrtarët e pozitës dhe opozitës për të gjetur një zgjidhje për bllokadën politike.

Sidoqoftë, Limaj është lideri i parë nga opozita që jep shenja se mund të ketë zgjidhje politike me Qeverinë.

Haradinaj i palëkundur pas takimit me Metën

0

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ishte përpjekur për ta gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend.

Haradinaj e ka vlerësuar iniciativën e Metës, por ka thënë se opozita nuk ka ndryshuar qëndrim. “Qëndrimi ynë është anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të burgosurve politikë”, është shprehur ai.

Sa i përket thirrjes se kryeministrit Mustafa për një takim me liderët e opozitës, Haradinaj ka theksuar se opozita nuk shkon në takim te kryeministri. “Ne nuk shkojmë në takim me kryeministrin. Është një ftesë e vonuar dhe e thatë”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë për Epokën e Re.

Lideri i AAK-së, ka paralajmëruar se këto do ditë opozita mund të ketë takime edhe me presidenten Atifete Jahjaga.

Z. Haradinaj sot keni pasur një takim në Prishtinë me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Cili ishte qëllimi i takimit?

Haradinaj: Biseda ishte krejtësisht e fokusuar te gjetja e një mundësie për t’iu kthyer normaliteti institucioneve institucionale. Pra, z. Meta ishte i interesuar për ta gjetur një zgjidhje, e cila do ta kthente normalitetin e jetës institucionale. Ai ka thënë se do t’i dëgjojë të gjithë për ta parë mundësinë e gjetjes së një zgjidhje.

Takimet me z. Meta kanë qenë të ndara?

Haradinaj: Unë e kam pasur takimin vetëm me z. Meta. Ne kemi një traditë të komunikimit me të edhe më herët.

Çfarë përgjigje i dhatë ju z. Meta për situatën politike?

Haradinaj: Unë gjatë bashkëbisedimit me z. Meta prezantova qëndrimin tim se dalja nga gjendja e tashmë është anulimi i marrëveshjeve të dëmshme për vendin dhe lirimi i atyre, që janë të burgosur politikë.

A pati kërkesë z. Meta që të gjithë liderët të ulën në një tavolinë të përbashkët?

Haradinaj: Meta tha se në këtë etapë do të dëshironte t’i dëgjonte të gjithë.

Ju si e shihni këtë iniciativë të z. Meta?

Haradinaj: Çdo interesim për temat që kanë të bëjnë me situatën në Kosovë është i mirëseardhur. Pra kjo iniciativë e tij është e mirëseardhur. Meqenëse kemi një traditë të komunikimit me të gjithë, që vijnë nga Tirana zyrtare, ne jemi të interesuar që të bisedojmë.

Opozita mbetet në qëndrimin e njëjtë?

Haradinaj: Po. Ne e kemi pas rastin për të zhvilluar edhe takime të ndara si liderë opozitarë me presidenten e vendit. Mund të ndodhë që do të takohemi këto ditë sërish me presidenten Jahjaga. Kuptohet, qëndrimi ynë është anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të burgosurve politikë.

Kryeministri Mustafa i ka ftuar në takim liderët opozitare, i cili ishte planifikuar të mbahet nesër. A ka ndryshuar qëndrim opozita rreth kësaj ftese?

Haradinaj: Ne nuk shkojmë në takim me kryeministrin. Është një ftesë e vonuar dhe e thatë. Është i njëjti kryeministër, i cili ia ka shkaktuar këto trauma vendit që disa muaj. Tash së fundi, pas gjithë kësaj, ai kërkon një takim të thatë, pa përmbajtje dhe nuk ka kuptim kjo sjellje e tij.

Çka po pret Ramush?

0

ARIANIT KOCI

Ramush, je proamerikan. E di prej bisedave private, prandaj bisedo me pozitën dhe gjeje formën që t’ia kthesh besimin qytetarëve të Kosovës që ia vlen të jetohet në Kosovë.

Jemi populli më proamerikan në Evropë. Padyshim. Por, kjo nuk mjafton. Duhet edhe ta përcjellim frymën politike dhe këshillat që na i japin ata.

Vetëm ta kujtojmë si kemi jetuar deri sa nuk ra tomahawk-i i parë, më 24 mars 1999.

Çka mendoni kush është iniciues i sulmeve ndaj Serbisë? Evropa? Jo. mendoni që do të fitonim aq lehtë pa ndihmën e amerikanëve dhe të tjerëve?

Jo.

Zemërgjerësia dhe ndjenja e amerikanëve për drejtësinë, na ka sjellë lirinë. Pa asnjë dilemë.

Kosova është projekt amerikan dhe këtu nuk ka dilemë.

Jemi ku jemi, mu duke iu falënderuar atyre. Prandaj duhet të besojmë në ata.

Krejt jeta është besim. Besim në Zot. Besim në liri. Besim në kauzë. Mu ky besim e ka bindur Amerikën që e meritojmë lirinë. I njëjti besim që i ka udhëhequr heronjtë tanë të luftës së fundit: Ademin, Shkëlzenin, Zahirin, Fehminë, Luanin e shumë të tjerë.

Evropa na ka ndihmuar, por në momente kyçe, është dashur të përfshihet Amerika.

Ta kujtojmë faktin që Kosova, me 1.8 milion banorë, shumë lehtë ka mundur që me pavarësinë ta ketë liberalizimin e vizave. Liberalizim që kanë krejt fqinjët tanë shumë më herët.

Dhe mu izolimi i ynë, padyshim, ka sjellë ekstremizmat e të gjitha llojeve. Duke filluar prej terroristëve, Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi e deri të humbja e shpresës për një jetë normale për shumë nga ne.

Të gjithë e kemi kuptuar që izolimi për ne do të thotë zhytje në ekstremizëm. Dhe indicijet e para për paraqitjen e ideologjisë ekstremiste në Kosovë, të kombinuara me prapambeturinë dhe gjendjen e rëndë ekonomike, mund të krijojnë një situatë eksplozive në Kosovë. Energjia e rinisë Kosovare, nëse nuk kanalizohet si duhet, bëhet objekt i eksperimenteve të ndryshme dhe vend i përshtatshëm për përhapjen e ideologjisë radikale.

Zhvillimet e fundit politike – sjellja joparlametare në parlament, e ka bllokuar në tërësi funksionimin normal të shtetit – sado që kërkesat janë të drejta dhe legjitime. Sidoqoftë, anash lënë Zajadnicën dhe Demarkacionin, për të cilat edhe unë mendoj që duhet negociuar, kërkesa e një deputeti – Kryetar i një partie opozitare, për Shqipërinë e Madhe, me datën 28 nëntor, është argument i fuqishëm serbëve që të vazhdojnë me kërkesa për Zajednicën. Pse ata ta duan këtë Kosovë, kur vet ne nuk e duam? Pse, prej perspektivës së tyre, ata të mos kërkojnë bashkimin me Serbinë, kur ne kërkojmë bashkimin me Shqipërinë?

Kjo tiradë e cila na bën Kosovën shtet karikaturë, duhet të ndërpritet. Nuk ka rëndësi se kush ka faj. Në fakt, ti edhe mund të kesh të drejtë. Por kjo tani më nuk është çështja primare.

Ramush, je proamerikan. E di prej bisedave private. Je prej njerëzve me besnik dhe trim që e kam takuar ndonjëherë.

Prandaj, gjeje fuqinë me kuvendu. Nuk ka ndonjë problem edhe nëse ti i afrohesh pozitës. E dimë sakrificën tënde. I dimë heroizmat e tuaja. E dimë besnikërinë tënde.

Gjithmonë në histori, dikujt më shumë i bie ta bartë barrën e shoqërisë. Ti e ke atë fat – i keq apo i mirë.

Bëhu motor i shoqërisë dhe mos na mbyt shpresën. Zajednica dhe Demarkacioni shkojnë paralelisht me partneritetin me amerikanët. Sigurt që të gjithë jemi të përcaktuar që asnjë pëllëmbe te tokës sonë të mos e japim. E këtë përcaktim e kanë edhe partnerët tanë. Kemi shumë prova dhe argumente për këtë. Lëvizjet më të mëdha gjeopolitike tani, pas Luftës së Dytë Botërore, në mes të Amerikës dhe Rusisë, nuk guxojnë dhe nuk munden të na zhvendosin prej rrugës sonë në drejtim të botës demokratike.

Prej bombardimeve të NATO-s, nuk kemi qenë në situatë më kritike.

Prandaj, dëgjoji këshillat e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, z. John Kerry. Deklarimi i tij se: ” Së bashku, ne kemi investuar shumë për ardhmërinë e Kosovës dhe nuk do ta rrezikojmë atë”, janë garanca të fuqishme për neve. Kjo fjali ka të bëje me besimin, përcaktimin dhe vendosmërinë që aq shumë i ke.

Bisedo me pozitën dhe gjeje formën që t’ia kthesh besimin qytetarëve të Kosovës që ia vlen të jetohet në Kosovë.

Meta takon liderët e opozitës, por thotë se nuk ka ardhur të ndërmjetësojë

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka përfunduar takimet me tre liderët e partive opozitare në Kosovë, por thotë se nuk ka ardhur të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës politike.

Të fundit që e ka takuar Meta është kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ndërsa para tij politikani nga Shqipëria është takuar edhe me Visar Ymerin e Ramush Haradinajn, transmeton Klan Kosova.

Pas takimit Limaj-Meta ata edhe janë prononcuar për media.

Ilir Meta ka thënë se në Kosovë ka qëndruar vetëm për vikend dhe ka takuar miqtë e tij të shumtë që i ka këtu.

Ndërsa, duke iu referuar krizës politike, ka shtuar se ka parë shumë mundësi për zgjidhje dhe dialogë për ngërçin që po vazhdon në politikën kosovare.

Ai ka thënë e nuk ka ardhur këtu në rolin e ndërmjetësuesit, por ka pohuar se po të vinte në Prishtinë e të mos bisedonte me miqtë e tij për krizën politike do të ishte pa përgjegjësi.

Ndërsa Limaj ka thënë se me një analizim të thellë të situatës në të cilën gjendet Kosova, ka shumë mundësi për të dal nga kriza e tanishme politike.