Home Blog Page 6842

Nait Hasani: Marrëveshja për presidentin, mund të bëhet!

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Nait Hasani, ka komentuar deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha sot se presidenti duhet të zgjedhet me votën e popullit.

Ai në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se kjo mund të ndodhë, vetëm nëse partitë politike ulen dhe arrijnë një marrëveshje.

“Çdo gjë është e mundshme. Por nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë duhet të ndërrohet kushtetuta dhe të zgjedhet presidenti nga populli. Nëse jo, presidenti do të zgjedhet nga Kuvendi, ashtu si është në kushtetutë”, ka deklaruar Hasani.

Megjithëkëtë, ai nuk ka dhanë një përgjigje se a mund të mos zgjedhet Thaçi për president, përkundrazi, është shprehur skeptik lidhur me arritjen e një marrëveshjeje të tillë, ndonëse siç është shprehur tutje, ai ka thënë se me marrëveshjemund të bëhen të gjitha.

Ndryshe, lideri i AAK-së, deklaroi sot se Presidenti i ardhshëm i vendit duhet të zgjedhet direct nga qytetarët dhe se një marrëveshje e tillë politike, sipas tij, duhet të arrihet deri më 17 shkurt.

Për dallim nga kjo, Kryeministri i Kosovës e ka garantuar disa herë Hashim Thaçin për marrjen e postit të të parit të shtetit, respektivisht zbatimin e marrëveshjes në plotni, të koalicionit qeverisës PDK-LDK. /GazetaBlic.com

Mazreku kërkon punë nga drejtorët

0

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive komunale që të punojnë maksimalisht në realizimin e planit të punës për vitin 2016.

“Realizimi i këtij plani, është detyrë e juaja si drejtori komunale dhe e juaja mbetet të punoni për realizimin e këtij plani”, ka thënë Mazreku.

Nga ana tjetër drejtorët e drejtorive komunale, duke raportuar para nënkryetarit Mazreku, kanë thënë se planet e punës për vitin 2016, kanë filluar të realizohen, ndërsa aktualisht të gjitha punët dhe angazhimet e drejtorive, po shkojnë sipas planifikimeve.

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve është bërë me dije se kanë filluar përgatitjet për shënimin e 17 Shkurtit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe kanë filluar edhe përgatitjet e procedurave për realizimin e projekteve të planifikuara për këtë vit. /PrizrenPress.com

Universiteti i Prizrenit dhe Mitrovicës lidhin marrëveshje

0

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” dhe ai i Prizrenit “Ukshin Hoti” do bashkëpunojnë në fushën akademike duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe për anëtarët e departamente dhe fakulteteve.

Për këtë qëllim të hënën në Mitrovicë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre universiteteve, nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj.

Të dy rektorët e kanë vlerësuar si një marrëveshje të rëndësishme, që do të mundësoj zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve që ata udhëheqin.

Ata shprehën zotimin e tyre për të kryer aktivitetet që nevojiten për të realizuar objektivat e marrëveshjes.

Në kuadër të marrëveshjes me gjithsej tetë pika, janë precizuar obligimet që kanë universitetet për jetësimin e kësaj marrëveshjeje.

Parashihet shkëmbimi i vizitave të anëtarëve të stafit didaktik dhe kërkimor, që kanë për qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave etj.

Po ashtu planifikohet shkëmbimi i botimeve, materialeve akademike, shkëmbimi i studentëve pasuniversitarë dhe personelit kërkimor më qëllim të ndjekjes së seminareve etj.

Në një pikë të veçantë të marrëveshjes, saktësohet se bashkëpunimet e veçanta ndërmjet njësive akademike të të dy universiteteve do të përcaktohen me protokolle të veçanta. Si të tilla ato do të firmosen edhe nga përfaqësuesit e tyre kompetentë.

Rektori i Alush Musaj, potencoi se kjo marrëveshje bashkëpunimi, ashtu sikur të tjerat që janë nënshkruar me universitete jashtë dhe brenda vendit, është me interes dhe në dobi të vetë studentëve, si dhe të punës kërkimore në universitet. /PrizrenPress.com

Ndërron jetë akademik Kristo Frashëri

0

Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku i njohur Kristo Frashëri.

Lajmi u bë me dije nga Akademia e Shkencave, sipas të cilës, personaliteti i shquar i jetës akademike në vendin tonë, ndërroi jetë mbrëmjen e 31 janarit, nga një vdekje natyrale.

“Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella fëmijëve, familjarëve e të afërmve për humbjen e këtij personaliteti të shquar të historisë e të mbarë kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin e ASH-së.

Duke shtuar më tej se homazhet për nderin e tij do të mbahen më 3 shkurt 2016, në mjediset e Akademisë së Shkencave.

Profesori i njohur Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare, ku që nga viti 1938, kur ka botuar edhe shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ai ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare apo monografi shkencore.

Shok nga Londra në Los Angeles

0

Ekipi i Filmit Shok, regjisori Jamie Donougjue dhe producenti Eshref Durmishi, janë nisur për në Los Angeles, për promovimin e filmit kosovar të nominuar për Oscar.

Paraprakisht, ata kanë qëndruar në Londër, ku kanë takuar Ambasadorin e Kosovës atje, Lirim Greiçevcin.

“Duke i përcjellë nga Londra për në Los Angeles, te fushëbeteja kryesore artistike, regjisorin Jamie Donoughue dhe producentin Eshref Durmishi, të filmit Shok, të nominuar për çmimin Oscar, për herë të parë në historinë e filmit kosovar”.

“Pa marrë parasysh rezultatin e votimit më 28 shkurt, filmi tashmë ka fituar zemrat e gjithë shqiptarëve si dhe ka sensibilizuar vëmendjen e botës, duke përçuar historinë më të re të Kosovës në ekranet botërore”.

“Filmi ka vetëdijesuar edhe institucionet e Kosovës për fuqinë e ndikimit të filmit, artit dhe kulturës, duke ndarë 70 mijë euro për promovimit e filmit Shok Short Film ?#?Oscars ?#?Inspiration”, ka shkruar Ambasadori Greiçevci në llogarinë e tij në Facebook. /Politiko.net

Ka vdekur aktori Frank Finlay

0

Ka vdekur në moshën 89 vjeçare aktori britanik Frank Finlay, raporton BBC.

Finlay ishte më i njohur për rolet e tij në filmat “Othello” dhe “The Three Musketeers”.

Ai ka luajtur edhe në filmin Casanova dhe ishte pjesë e Laurence Olivier National Theatre Company.

Lajmi është dhënë fillimisht në faqen e tij zyrtare.

“Me pikëllim po e japim lajmin se Frank ka ndërruar jetë i rrethuar nga familja e tij”, shkruhet aty.

Finaly vdiq në shtëpinë e tij në Weybridge, pas një sëmundje të shkurtër.

Gati gjysma e Malit të Zi për hyrje anëtarësim në NATO

0

Anëtarësimin e Malit të Zi në NATO aktualisht mbështesin 47,3 për qind të qytetarëve të këtij shteti, del nga një hulumtimin i agjencisë Damar, transmeton agjencia Beta..

Diç më tepër se 37 për qind kundërshtojnë anëtarësimin, ndërkohë që 15,6 për qind të të anketuarve nuk ka ndonjë qëndrim ndaj kësaj çështjeje.

Hulumtimi është kryer mes 19 dhe 24 janarit në 10 komuna të Malit të Zi, me 1.100 të anketuar.

Agjencia Damar pohon se hulumtimet ndaj përcaktimit për NATO saj tregojnë një rritje konstante të mbështetjes për hyrje të Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike.

Në qershor të vitit 2015. godine, 63,6 për qind të të anketuarve kanë theksuar se besojnë që Mali i Zi do të hyjë në NATO, ndërkohë që për këtë tash janë të bindur janë 76,3 të qytetarëve.

Mali i Zi ka marrë ftesën për bashkangjitje NATO-s në fillim të dhjetorit të kaluar, ndërkohë që negociatat rreth përgatitjeve për formalizimin e anëtarësimit janë paralajmëruar për shkurt.

Remi e dorëzon mandatin e deputetit

0

Pas raportimit të mediave se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ti merret mandati deputetit Rrustem Mustafa – Remi, ky i fundit sot ka shkruar letër të hapur, nëpërmjet të cilës tregon se e dorëzon mandatin e deputetit, por shpreh mllef për prani të veprimeve autoritare të institucioneve.

Këtë letër të hapuar ai ia ka adresuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryeparlamentarit Veseli, presidentes Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaqi.

Në këtë letër ai shkruan se autoritarizmi rrezikon lirinë dhe sugjeron që duhet munduar fort për të ndërtuar kulturë tek qytetarët, që besnikërinë ndaj shefit (individit) ta zhvendosin në besnikëri ndaj shtetit.

“Zyrtarët e shtetit, jo vetëm që duhet, por kanë obligim kushtetues që të jenë konformist ndaj ligjeve dhe besnik në mbrojtjen e interesave shtetërore. Duhet shumë punë për të çrrënjosur apetitet individuale karshi zhvillimeve sistematike institucionale. Ne duhet të besojmë në institucionet tona dhe politikëbërjen tonë. Unë, respektoj vendimet e gjyqësisë dhe kam respektuar nevojën për konformizëm ndaj rendit dhe ligjit.

Vendimi për dorëzim të mandatit tim të deputetit ishte rrjedhojë e besimit tim të palëkundur në shtetin tonë dhe institucionet e tij dhe kam pritur që edhe veprimet e institucioneve do të përgjigjeshin me po këtë ndershmëri. Sidoqoftë, institucionet nuk kanë vepruar në pajtueshmëri me ligjet dhe procedurat të cilat adresojnë këtë çështje”, shkruan, ndër të tjera, Rrustem Mustafa – Remi.

Haradinaj: Opozita po tregon se si të dilet nga kriza

0

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se po vjen momenti kur Opozita po tregon përfundimisht se si të dilet nga kriza politike.

Në takimin me shoqërinë civile ai ka shtuar se tri partitë opozitare kanë sfida të ndryshme ku sipas tij kanë shumë të përbashkëta por edhe në disa prej tyre dallojnë, njofton Klan Kosova.

As Salihaj nuk do të jetë në seancë kur votohet Thaçi për president

0

Kandidatit për president sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçit, po vazhdon t’i ngushtohet kuorumi, për seancën në të cilën emri i tij do të jetë për votim.

Vjosa Osmani, Arben Gashi e Alma Lama nga LDK dhe deputeti i pavarur Gezim Kelmendi, kanë deklaruar tashmë se nuk do të marrin pjesë në seancën kur Thaçi do të votohet për president.

Por, kësaj listë së fundmi i është shtuar edhe emri i deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, që thotë se nuk do të jetë pjesë e një séance të tillë.

“Jam deklaruar qysh herët për votën time kundër Thacit. Por, edhe që nuk do të jem pjesë e procesit të votimit fare për Thaçin President”, tha Salihaj për Radio Dukagjinin.

Salihaj shtoi se të gjitha partitë, përfshirë edhe ato të opozitës, duhet të ulen e bisedojnë për një emër konsensual për postin e Presidentit.

Pa qëndrime janë edhe disa deputetë nga radhë e Lidhjes Demokratike. Anton Quni dhe Besa Gaxherri, të kontaktuar nga radio Dukagjini, nuk e kanë bërë publike vendimin e tyre.

Ndryshe, për ta pamundësuar kuorumin, në sallë nuk duhet të jenë të pranishëm 41 deputetë.

Opozita, ka 31 deputetë.