Home Blog Page 6841

“Agnus Dei” kthehet nga Britania me tri çmime

0

Filmi kosovar “Agnus Dei”, me skenar dhe regji të Agim Sopit, kthehet me tri çmime kryesore nga Mbretëria e Bashkuar, ku mori pjesë në festivalin prestigjioz, North Wales International Film Festival.

Në një komunikatë të lëshuar nga produksioni i këtij filmi thuhet se filmi “Agnus Dei” ka fituar çmimin kryesor “Dragon Shield Award” si filmi më i mirë /Best pictures/, regjisori Agim Sopi është shpallur regjisori më i mirë /Best Director/, kurse çmimi i tretë ka shkuar për kompozitorin Mendi Mengjiqi /Best music and soundtrack/.

KosovaLive ka informuar se filmi “Agnus Dei” edhe një ditë më parë ka fituar dy çmime të rëndësishme në festivalin dyjavor amerikan, Atlas & AIRES International Film Festival, i cili është mbajtur nga data 16 janar deri më 31 janar në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filmi i metrazhit të gjatë “Agnus Dei”, rrëfen historinë e Petrit, i cili jeton një jetë të dëshpëruar me nënën e tij, Marian, e cila jeton në Serbi, mirëpo kishte qenë e dashuruar me një burrë shqiptar, me të cilin edhe lindi të birin. Gjatë luftës në Kosovë, Petrit bëhet pjesë e ushtrisë serbe dhe gjatë një aksioni, ai vret të atin e tij.

Kjo dhe të tjera ngjarje e çojnë personazhin e luajtur nga Astrit Alihajdaraj në një gjendje të tmerrshme shpirtërore. Pos Alihajdarajt, në film luajnë Dafina Berisha, Zhaklina Ostir, Enver Petrovci, Çun Lajçi, Bajrush Mjaku, etj.

Ky film ka arritur 61 çmime, të fituara në të katër anët e globit, duke qenë pjesë zyrtare e më shumë se 140 festivaleve dhe duke u shikuar nga më shumë se 120 mijë spektatorë të zgjedhur nga e mbarë bota.

Filmi ka marrë pjesë në dhjetëra festivale ndërkombëtare, përfshirë këtu The Prestige Film Festival në Kaliforni, The international Film Award Berlin, European Film Festival, Ionian International Film Festival në Lefkas, London Crystal Palace International Film Festival, London Film Awards 2013, California Film Awards 2013, etj.

Filmi i metrazhit të gjatë “Agnus Dei” është produksion i kompanisë “AS Productions” dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës. /KosovaLive

Misioni kundër Thaçit president

0

Disponimi brenda LDK-së kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit vazhdon të rritet. Pas qëndrimit të disa nëndegëve të kësaj partie, kundër mbështetjes së kreut të PDK-së për postin e të parit të shtetit, kanë dalë edhe deputetët e pavarur. Në LDK s’e mohojnë mundësinë që ta qesin në organet e partisë vazhdimin e koalicionit me PDK-në

Kohëve të fundit është rritur dukshëm disponimi i votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që po e kundërshtojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit. Disa nëndegë të LDK-së, por edhe ish-kandidatë për deputetë nga kjo parti, po kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, që të mos e mbështesin kreun e PDK-së të zgjidhet president. Por, kjo kërkesë nuk po i shqetëson zyrtarët e LDK-së që ta mbështesin Thaçin, edhe pse pranojnë se kjo çështje do të diskutohet në instancat e partisë.

Deri më tani kundër Hashim Thaçit ka dalë nëndega e LDK-së në “Ulpianë”, nëndega “Tophane2”, në Prishtinë (pjesë e degës IV e LDK-së), nëndega në Miresh, të cilat kanë marrë vendim që të mos mbështetet Thaçi për president.

Kryetari i nëndegës “Tophane2”, Ergyn Janjevaliu, ditë më parë i ka thënë “Zërit” se pas takimit të kryesisë së kësaj nëndege kanë vendosur t’u drejtohen organeve të partisë dhe deputetëve të LDK-së, që të mos votohet ish-kryeministri Thaçi për postin e presidentit.

“Kemi sjell një vendim me një kërkesë, duke iu drejtuar edhe organeve qendrore të LDK-së dhe deputetëve të LDK-së në Parlamentin e Kosovës: Në asnjë formë dhe asnjë mënyrë të mos e votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës”, kishte deklaruar ai, duke shtuar se nuk i besojnë Thaçit që nëse zgjidhet president i Kosovës nuk do ta prishë koalicionin pas një kohe shumë të shkurtër./Zëri

Opozita mobilizon gratë në Prizren

0

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën kanë filluar që të mobilizojnë elektoratin e tyre për protestën e 17 shkurtit.

Ato sot në orën 17:00, do të mbajnë një tubim mobilizues me gra në Prizren.

Tubimi mbahet në restaurant “Marashi” dhe do të ketë përfaqësuese prej tri subjekteve opozitare.

Opozita po kërkon që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi Qeveria nënshkroi marrëveshje me Serbinë për themelimin e Asociacionit si dhe marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. /PrizrenPress.com

Dy prokurorë për krime të luftës (Video)

0

Dy prokurorë janë caktuar që nga janari i këtij viti në Departamentin për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të hetuar krimet e luftës, edhe pse ishte paraparë që të rekrutoheshin tre prokurorë.

Reshat Millaku, kryeprokuror në Prokurorinë Speciale ka thënë për Tribuna Channel përmes postës elektronike se dy prokurorët e caktuar do të punojnë në lëndët që kanë qenë në punë para janarit të këtij viti por edhe me të gjitha lëndët e reja u janë dhënë në punë.

Millaku nuk ka dashur që t’i bëjë publik emrat e prokurorëve.

Procesi i përzgjedhjes është zvarritur që nga viti i kaluar me arsyetimin se prokurorët nuk kanë shprehur dëshirën për t’u marrë me krimet e luftës, ndonëse është përmendur edhe numri i vogël i prokurorëve.

Por ndryshe thuhet në Raportin e deputeti spanjoll, Augustin Conde që paraqiti në Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës më 28 janar.

Në këtë raport përmendet se në vitin 2014, grupi i gjyqtarëve të EULEX-it publikoi një letër të hapur ku shprehu pikëpamjen se gjyqtarët e Kosovës nuk do të jenë në gjendje për t’i trajtuar në mënyrë efektive rastet e nivelit të lartë dhe rastet e ndjeshme të krimeve të luftës.

“Një nga arsyet e supozuara ishte se ata mund të ndikohen nga disa politikanë të nivelit të lartë, të cilët mbështesin publikisht ish- bashkëluftëtarët e akuzuar për krime lufte, duke shprehur solidaritetin me ta”, thuhet më tej në raport.

Rastet e krimeve të luftës që deri më tani janë trajtuar kryesisht nga prokurorë ndërkombëtarë të misionit EULEX. Por në dhjetorin e vitit të kaluar 30 raste janë transferuar nga EULEX te prokurorët vendorë.

Sylë Hoxha: Personat që e vranë Egzonin janë shumë të rrezikshëm

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se policia vendosi të publikojë fotografitë e personave që janë të dyshuar për vrasjen e Egzon Mazrekut nga Sopija e Suharekës, sepse u duhet edhe ndihma e qytetarëve për t’i gjetur ata.

Ai shtoi se personat e kërkuar janë shumë të rrezikshëm.

“E kemi ndje si obligim edhe ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit, të publikojmë fotografitë e të dyshuarve e që duhet patjetër ndihma e qytetarëve si nga regjioni i Prizrenit ashtu edhe në të tjera, të bashkëpunojnë me ne”, ka thënë Hoxha, në Ora e Fundit në Klan Kosova.

“Kemi informata që personat që janë duke u kërkuar kanë kryer edhe vepra të tjera të rënda”.

“Por, personi që ka kryer vrasjen në Sopijë, kemi informacione që ka qenë i kërkuar nga Policia edhe më herët’’.

“Kërkoi nga të gjithë qytetarët nëse dinë për vendndodhjen e tyre të na ndihmojnë, e të mos fshehin në lidhje me raste të tilla sepse edhe ajo është vepër penale”.

“Hetuesit janë duke punuar në këtë drejtim, ata kanë bërë punë të mirë profesionale deri më tani”, ka thënë Hoxha.

Thaçi provon më 11 shkurt për tu bërë president

0

Isa Mustafa e Hashim Thaçi po punojnë intensivisht që zgjedhja e këtij të fundit për president të vendit të kryhet në fillim të këtij muaji.

Burime të RTV Dukagjinit kanë shpjeguar se të dy liderët e partive më të mëdha PDK dhe LDK nëse arrijnë të sigurojnë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit dhe eventualisht të kenë pajtim me opozitën që mos të përdoret gazi lotsjellës, atëherë gjasat që Hashim Thaçi të provoj të zgjidhet i pari i shtetit, është data 11 shkurt.

Partitë në koalicion sipas këtyre burimeve po presin që opozita të mos pengoj seancën solemne përmes gazit, por që ta kontestojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse gjatë këtij procesi ka pasur shkelje kushtetuese.

Burimet më tej kanë rrëfyer se nëse partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca dhe Nisma, insistojnë që të ketë gaz lotsjellës gjatë tentimit të parë të Thaçit për zgjedhjen e tij në krye të presidencës, atëherë Thaçi do të mund të provoj zgjedhjen përmes Kuvendit më 18 shkurt, një ditë pas protestës së radhës të partive opozitare.

Burime të RTV Dukagjinit më tutje kanë shpjeguar se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është në gjendje që të zgjidhet në krye të shtetit edhe në sallat alternative të Kuvendit të Kosovës, në rast se opozita e bashkuar nuk do të tërhiqet nga ideja e bllokimit të seancës përmes gazit apo edhe metodave të tjera.

Mirëpo zgjedhja e Thaçit në sallën alternative do të paraqiste problem pasi që procedurat e përjashtimit të opozitës janë mjaftë të komplikuara.
Sipas rregullores së punës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk do të mund të merrte vendim për përjashtimin e komplet opozitës.
Për ta bërë kushtetuese zgjedhjen e Hashim Thaçit president pa praninë e opozitës , kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të duhej të pres sjellje jo konstruktive nga secili deputet veç e veç në mënyrë që t`i suspendoj një nga një.
Nëse kjo llogaritet, teknikisht do të qonte në një seancë të pafundme.

Teqja e Planejës, një vatër atdhetarie

0

Teqeja e Planejës ishte njëra ndër teqetë më atdhetare për shekuj të tërë. Sheh Sylejmani ishte bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës e Isa Boletinit. Rrahman Shehu ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Shtjefen Gjeçovit, Muharrem Shehut, që ishte pjesëtar i kësaj teqeje, por kishte edhe miqësi me gjithë Hasin

Teqja e Planejës në komunën e Prizrenit ishte strehimore e pafund e atdhetarisë. Dr. Nexhat Çoçaj, studiues i etnologjisë është shprehur për “Kosova Sot” se vendet e kultit, që kanë të bëjnë pikërisht me tarikatin, që si drejtim fetar islam edhe sot është i përhapur në Has.

“Ndër vendet më të njohura të kultit islam është Varri i Sari Salltëk Babës, që në popull njihet si Varri i “Babës Pashtrik” e më pas vijnë teqetë sipas radhës që janë themeluar në fshatrat e Hasit, ku gjithsesi ndër teqetë më të vjetra jo vetëm në Has, por edhe në Kosovë është Teqeja e Babës Mustafë, ndërsa ndër teqetë më të dëgjuara për aktivitetin kombëtar janë teqetë e Sheh Tahirit në Planejë dhe ajo e Dervish Salihut në Lugishtë”.

Sheh Tahiri kishte shërbyer si udhëheqës i disa institucioneve arsimore në Stamboll

Teqeja e Sheh Tahirit në Planejë, u ngrit në mesin e dytë të shekullit XIX, po në atë vend ku gjendet edhe sot. Themelues i Teqesë në Planejë është Sheh Tahiri, i biri i Imerit.

“Ndonëse nuk kemi të dhënat e sakta për jetën dhe veprën e Sheh Tahirit të parë, për të cilin mendohet se ishte bashkëkohanik i atdhetarit Ymer Prizreni, mendojmë se Teqeja e Planejës është themeluar përafërsisht rreth vitit 1853, pra para 159 viteve. Këtë përllogaritje të themelimit e mbështes në numrin e kuburëve në tyrben e kësaj teqeje, në udhëheqësit e teqesë dhe në analizën e disa rrethana historike, që lidhen me kontributin e kësaj teqeje”, shprehet Çoçaj.

Shton se Sheh Tahiri, i cili kishte arritur të shkollohet, për një periudhë kohore kishte shërbyer si udhëheqës i disa institucioneve arsimore në Stamboll.

“Në mungesë të të dhënave historike, këto supozime mund t’i bazojmë vetëm në gojëdhëna, të cilat jo se nuk kanë bazë, por mbetet detyrë e studiuesve e në veçanti e familjarëve, që të hulumtojnë në arkivat e Stambollit, kohën kur ai ka qenë drejtor i shkollave të mesme në Stamboll. Në anën tjetër, Sheh Tahiri, themelues i teqesë në Planejë, për pak kohë kur ishte kthyer nga Stambolli ka shërbyer kadi në Prizren”./Kosova Sot/

Policia kërkon këta dy të dyshuar për vrasjen e Egzon Mazrekut (Foto)

0

Policia Rajonale e Prizrenit ka bërë të ditur se ka arritur që të identifikojnë kryerësit e vrasjes së Egzon Mazrekut nga Sopija e Suharekës, që kishte ndodhur më 27 janar, derisa njëri është arrestuar e dy të tjerë janë në kërkim.

Kryerësit e kësaj vepre sipas Policisë janë: Xhevat (Shyqeri) Hysenaj i lindur në vitin 1990 me vendbanim në Lipjan si dhe Naser (Faik) Makolli i lindur në vitin 1971 me vendbanim në Fushë Kosovë.

Në komunikatën e Policisë thuhet se pasi të dyshuarit janë me precedent të shumëfishtë kriminal, të armatosur dhe të rrezikshëm në konsultim me prokurorin e shtetit është vendosur që të bëhen publike fotografitë e dy personave të dyshuar me qellim të identifikimit me të lehtë të tyre.

Policia kërkon nga qytetarët të cilët posedojnë ndonjë informacion sado të vogël për këta dy persona të njoftojnë stacionin më të afërt policor. /PrizrenPress.com

Në vazhdim gjeni të dhënat për personat e dyshuar:

Xhevat Shyqeri HysenajNaser Faik Makolli

Hajnat e ETC-së në Prizren dënohen me nga 500 euro

0

Gjykata Themelore e Prizrenit ka dënuar me nga 500 euro dy shtetas të Republikës së Shqipërisë për vjedhje si dhe me nga 3 muaj burgim me kusht, që brenda një viti nuk do të përsërisin veprën.

Të akuzuarit me inicialet A.P dhe P.Ll  e kanë pranuar fajësinë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 325 par.1 lidhur me nenin 31 të KP-së.

“Gjykata i shpalli fajtorë të akuzuarit, dhe secilin veç e veç i dënoi me gjobë në shumën prej 500 euro, si dhe dënim me kusht duke ia vërtetuar dënimin me burgim prej 3 muajve, i cili dënim me burgim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit në afatin e verifikimit prej 1 viti nuk kryen vepër të re penale”, bën të ditur zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

Të akuzuarit me datën 30.12.2015, rreth orës 16 e 40 minuta në Prizren, pikërisht në Qendrën Tregtare ETC, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vjedhjes. /PrizrenPress.com

Nait Hasani: Marrëveshja për presidentin, mund të bëhet!

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Nait Hasani, ka komentuar deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha sot se presidenti duhet të zgjedhet me votën e popullit.

Ai në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se kjo mund të ndodhë, vetëm nëse partitë politike ulen dhe arrijnë një marrëveshje.

“Çdo gjë është e mundshme. Por nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë duhet të ndërrohet kushtetuta dhe të zgjedhet presidenti nga populli. Nëse jo, presidenti do të zgjedhet nga Kuvendi, ashtu si është në kushtetutë”, ka deklaruar Hasani.

Megjithëkëtë, ai nuk ka dhanë një përgjigje se a mund të mos zgjedhet Thaçi për president, përkundrazi, është shprehur skeptik lidhur me arritjen e një marrëveshjeje të tillë, ndonëse siç është shprehur tutje, ai ka thënë se me marrëveshjemund të bëhen të gjitha.

Ndryshe, lideri i AAK-së, deklaroi sot se Presidenti i ardhshëm i vendit duhet të zgjedhet direct nga qytetarët dhe se një marrëveshje e tillë politike, sipas tij, duhet të arrihet deri më 17 shkurt.

Për dallim nga kjo, Kryeministri i Kosovës e ka garantuar disa herë Hashim Thaçin për marrjen e postit të të parit të shtetit, respektivisht zbatimin e marrëveshjes në plotni, të koalicionit qeverisës PDK-LDK. /GazetaBlic.com