Policia në Suharekë ka bastisur shtëpinë e një të dyshuarit. Bastisja është bërë urdhëresë të gjyqtarit.
Gjatë kontrollit, siç bën të ditur policia, janë gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me një karikator, një scorpion me dy karikatorë, një pistoletë me një karikator, një boks metali, një shufër të gomës, gjashtë fishekë të cal- 7.62 mm, një gjoksore për vendosjen e municionit, dy palë targa gjermane dhe një komplet i pajisjeve për pastrimin e armëve.
I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, në emisionin “Info -Box” të RTV Dukagjini ka theksuar se nuk dëshiron që zgjedhja e presidentit në Kuvendin e Kosovës të përcillet me gaz lotsjellës dhe pengim të mbajtjes së seancës.
Ai theksoi se Kosovës i duhet një president që paraqet unitetin e popullit, dhe se për këtë duhet që partitë parlamentarë të pajtohen për shefin e ardhshëm të shtetit.
“Ne kemi strukturat e brendshme të partisë, ne kemi pasur konventën tonë, ku Hashim Thaçin e kemi rizgjedhur si kryetar, me ç’rast është paraqitur edhe kandidatura e tij për president të vendit. Kjo kandidaturë e ka mbështetjen e PDK-së. Tani është çështje e koalicionit se a do ta mbështet ose jo Thaçin në rrugën e tij për president, ndonëse marrëveshja për krijimin e qeverisë në mes PDK-së dhe LDK-së thotë se kandidati i PDK-së do të jetë zyrtarisht kandidat për shefin e shtetit. Unë personalisht e mbështes Hashim Thaçin për pozitën e presidentit”, ka thënë Hasani.
Ai ka folur edhe për atë se kush do të mund ta zëvendësonte Thaçin në pozitën e liderit të partisë, duke theksuar se PDK-ja ka shumë njerëz të përgatitur politikisht dhe profesionalisht.
“Kandidat mund të jetë Veseli ose edhe të tjerët. Kadri Veseli është një punëtor i mirë, një familjar i mirë, një njeri i gatshëm të përballet me sfida”, ka shtuar Hasani.
Një nxënës është goditur nga një autobus në fshatin Lutogllavë të Prizrenit, derisa ishte duke pritur përskaj rrugës.
“Dje rreth orës 15:05, i dyshuari duke drejtuar autobusin e tipit Setra nga pakujdesia ka goditur viktimën mashkull – nxënës i shkollës, i cili ishte duke pritur përskaj rrugës”, njofton Policia e Kosovës, transmeton ‘PrizrenPress’.
Si pasojë e aksidentit viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit. /PrizrenPress.com
Egzon Mazreku 22 vjeçar u vra mbrëmë në shtëpinë e tij në Sopij të Suharekës dhe babai i tij Naimi ka mbetur i plagosur, policia ende po e heton rastin, por nuk ka të arrestuar.
Ekipi i Klan Kosovës ka qëndruar sot në familjen Mazreku në Sopijë, ku ata kanë rrëfyer tmerrin që kanë përjetuar mbrëmë.
Njerka e Egzonit të vrarë, Drita Mazreku, ka treguar si ka nisur ngjarja. Ajo i ka thënë Klanit se dikush jashtë oborrit ka gjuajtur me gurë xhamat e shtëpisë me qëllimin që ndonjëri nga familjarët të dalë jashtë. Në ato çaste për të parë çfarë po ngjan ka dalë Egzoni i cili e ka parë një person, personi në fjalë që ishte më pastaj vrasësi i tij i kishte thënë Egzoni se do ta vras babain.
Më tej, Egzoni ishte futur në shtëpi rrëfen njerka e tij, ku ia kishte kumtuar çfarë po ndodh, në ato momente personi i panjohur është futur në korridor dhe ka filluar një përlshje fizike , më pastaj dorasi ka shtirë me armë ku ka lënë të vdekur Egzonin dhe Naimi ka marrë tre plumba dhe është dërguar për mjekim në spitalin e Suharekës,e më vonë në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë,njofton Klan Kosova.
Person pak i plotë dhe me mustaqe siç e përshkruan Drita ia ka mbathur pastaj, madje deri tek dera e ka ndjekur kjo vetë në ato momente tragjike.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjithë njësitë policore, përfshirë sot edhe atë hetuese, të cilët i kanë shfaqur familjes foto të ndryshme që do të mund të ishte ndonjëri nga sulmuesit. Drita tregon se ajo nuk e mbante mend fytyrën e tij, por këtë e ka bërë motra e Egzonit e cila në njërën nga fotot e shfaqura ka spikatur njërin si vrasësin e vëllait të tij.
Një kushëri i Egzonit në prononcim për Klanin ka kërkuar drejtësi për kushëririn e tij të cilin e quan punëtor dhe njeri që s’ka pasur të keq me askënd.
Drita Mazreku ka thënë se askush nga familja nuk ka pasur ndonjë problem me dikë, që do të mund të sillte një tragjedi të tillë.
Momentalisht, trupi i Egzonit është në obduksion , ku janë duke u bërë të gjitha hetimet përkatëse. /Klan Kosova
Një rojtar i lokalit në pronësi të valltares Donjeta Kasumi- Kallashi rrëfen për sulmin e sotëm.
Uran Badallaj, një nga rojat e valltares Donjeta Kasumi- Kallashi, në një bisedë ekskluzive për KALLXO.com ka rrëfyer për sulmin dhe djegien e lokalit “Kobra City” sot në orët e hershme të mëngjesit.
Rreth orës 4 të mëngjesit dy vetë të maskuar e të armatosur kanë hy në lokal dhe na kanë sulmuar me kondakë të revoleve”, rrëfen Badallaj.
Pas rrahjes Badallaj tregon se është lidhur nga sulmuesit të cilët të lidhur e kanë nxjerrë jashtë objektit.
“Kur kemi dalë jashtë kemi pa se jashtë kanë qenë rreth 20 vetë të armatosur me kallashë”, rrëfen ai.
Rrahja kishte vazhduar edhe jashtë ku Badallaj thotë se u rrah me kondak të automatikut dhe shkopinj druri.
“Masi ma kanë hupë vetëdijen më kanë pre me thikë”, thotë Badallaj.
I përgjakur Badallaj kishte parë sulmuesit tek e digjni lokalin me benzinë.
“E kanë pas një kantë të bardhë dhe me të e kanë djegë lokalin”, thotë ai.
Rojtari i lokalit thotë se nuk ka arritur ta identifikojë se kush ishin sulmuesit ndërsa ka një përgjigje interesante kur pyetet a i ka njohur
“Me e ditë, ata nuk ekzistojnë”, thotë ai.
Sot në mëngjes, policia njoftoi se sulmues të panjohur kishin sulmuar punëtorë të “Kobra City” dhe i kishin vënë flakën lokalit.
Sulmuesit, sipas policisë, pasi i kanë rrahur menaxherët dhe punëtorët e lokalit i kanë lidhur me zinxhirë e më pas i kanë vënë flakën lokalit.
Punëtorët e ‘Kobra City’ lokalit në pronësi të valltares Donjeta Kasumi disa herë janë përballur me ligjin përfshirë rrahje masive në Prizren.
Lokali për herën e fundit ishte bastisur nga policia në shtator të vitit të kaluar ndërsa eprorë të policisë e kishin quajtur këtë lokal si problematik për Prizrenin. /Kallxo.com
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë një takimi me përfaqësues të Federatës Sindikale të Kosovës, ua ka bërë të qartë atyre se nuk pranon kurrfarë ndikimi, ndërhyrje apo tentativa për të penguar punën e Prokurorit të Shtetit në rastin e hetimeve për “Stenda”.
Kryeprokurori Lumezi ka njoftuar sindikalistët me kompetencat ligjore dhe kushtetuese që ka Prokurori i Shtetit, duke theksuar se Prokurori i Shtetit kujdeset të siguroj trajtim të barabartë objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh se çfarë funksione ose profesione kanë dhe nuk do të pranojë kurrfarë ndikimi, ndërhyrje apo tentativa për të penguar punën e Prokurorit të Shtetit në fazën e kryerjes së funksioneve prokuroriale në hetime penale, pa paragjykuar epilogun e hetimeve.
Lidhur me rastin “STENDA” për të cilin kanë filluar hetimet në vitin 2014, kryeprokurori Lumezi njoftoi se në bazë të provave të siguruara gjatë fazës së hetimeve, prokuroria ka zgjeruar hetimin edhe për disa të dyshuar të tjerë.
“Në ketë rast bëhet fjalë për disa mjek kardiolog e jo për të gjithë kardiologët në Kosovë dhe për disa persona juridik, të cilët dyshohen së kanë kryer vepra penale”.
Kryeprokurori Lumezi njoftoi se Prokuroria do të ftoj të gjithë mjekët e dyshuar, që janë të përfshirë në hetime, që të japin deklaratat e tyre, të sqarojnë dyshimet që iu vihen në barrë dhe për të paraqitur mbrojtjen e tyre lidhur me ato dyshime.
“Në fund të këtij takimi, i cili ishte mjaft konstruktiv dhe frytdhënës, përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Kosovës, falënderuan kryeprokurorin Lumezi, për bashkëpunimin e ofruar, duke shtuar se nuk kanë asnjë interes që të ndërhyjnë në hetimin e këtij rasti dhe presin zhvillimin e hetimeve të drejta nga ana e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeprokurorit. /Politiko.net
80-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare ka tërhequr edhe vëmendjen e shtypit të huaj. Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” i kushton Kadaresë një shkrim me titullin “Klima e rebelimit”.
Ismail Kadare zëri letrar i patriotizmit shqiptar mbush 80-vjet shkruan publicisti dhe shkrimtari i njohur austriak, Karl-Markus Gauss në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung (28.01) duke theksuar se është pikërisht Ismail Kadare ai që e bëri letërsinë shqiptare-pjesë të letërsisë botërore. “Romanet e tij ngritën lart krenarinë e shqiptarëve, durimin në vuajtje të një populli të vogël, i kërcënuar disa herë nga shpërbërja në historinë e tij, një populli, të cilin ai e vlerëson si ‘popullin më rebel në botë….fryma e rebelimit ishte kaq e përhapur dhe e pandryshueshme si klima e vendit.’”
Süddeutsche Zeitung e vlerëson Kadarenë si një “autor patriotik i vendosur, i cili me mjetet e letërsisë moderne kërkon të rimarrë dhe vazhdojë një mision të vjetër të epikës.
“Fakti që Kadare shkrin në një magjinë dhe realizimin, nuk ka të bëjë vetëm me brumosjen e tij artistike dhe talentin, por edhe me vendlindjen e tij, së cilës ai i kushtohet me një fuqi të admirueshme që prej 60 vjetësh. Nga magjia dhe realizmi kanë dalë vepra grandioze si Kronikë në gur, e botuar në 1971 në shqip dhe më pas e sjellë në gjermanisht nga Joachim Röhm.”
Kritiku i ideologjisë neoosmane
Shkrimtari e publicisti Karl-Markus Gauss thekson se “patriotizmi e ka futur Kadarenë nganjëherë edhe në ngushticat e nacionalizmit duke bërë që fqinjët sllavë sidomos ata serbë të reagojnë me sulme të forta. Pakthyeshëm ai pohon prej kohësh, se janë pikërisht shqiptarët kombi i vetëm i lashtë europian i Ballkanit. Kjo ka bërë që Kadareja të jetë në vitet e fundit një nga kritikët e pakompromis të ideologjisë së re neoosmane, me të cilën Turqia, përkundër çdo lloj realiteti përpiqet të kthejë në një kohë të artë, sundimin e detyruar osman.”
“Madhështia artistike e Ismail Kadaresë është e pamohueshme, si romancier veprash të mrekullueshme ai i meriton të gjitha vlerësimet dhe çmimet, që mund të marrë një shkrimtar” nënvizon Süddeutsche Zeitung në artikullin e publikuar posaçërisht në 80-vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare.
Sot në orët e hershme të mëngjesit, lokali i njohur “Kobra City” në afërsi të Prizrenit, në të cilin punon valltarja e njohur Donjeta Kosumi (Kallashi), i është vënë flaka nga disa persona.
Lidhur me këtë rast, ‘Kallashi’ ka treguar për “Zeri.info” se, punën e kishte përfunduar në ora dy pasmesnate por që ka mësuar sot për flakën që i është vënë “Kobra Cityt”
“Po, është djeg. Unë sapo mora lajmin e sigurt që është djeg. Por mbrëmë kam qenë në lokal deri sa mbaroi, deri ka ora 2. Unë nuk di sen, veç e pash gazetën”, ka thënë ajo.
Ndonëse lokali është jashtë funksionit, Kosumi thotë se nuk brengoset se do të mbetet pa punë.
“Unë nuk do të mbes pa punë edhe pse është djeg lokali, jo jo… (qesh)”, thotë ajo.
Në fund, Donjeta thotë se deri më tani nuk kanë asnjë hasmëri me ndonjë person apo grup.
“Kërkujt keq si kemi ba, nuk e di vallai”, thotë ajo.
Ndryshe, tre persona raportohet se janë përfshirë në këtë rast. Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orën 04:00 të mëngjesit menaxherët e këtij lokali ishin bërë gati që ta mbyllin lokalin dhe ishin futur tre persona dhe kanë nisur të përleshën me ta.
“Sipas policisë, tre të dyshuarit kanë nisur të ushtrojnë dhunë ndaj menaxherëve të lokalit”. /Zeri.info
Seanca e gjykimit ndaj Hysni Hoxhës, ish-drejtuesit të Organit Shqyrtues të Prokurimit zgjati vetëm 15 minuta.
Në fillim të seancës Hoxha kërkoi nga gjyqtari Beqir Kalludra që ai të mos lejojë publikimin e fytyrës së ish-kreut të OShP-së. Gjykata e miratoi këtë kërkesë të Hoxhës.
Pastaj Sahit Bibaj, avokati i Hoxhës kërkoi që gjykata ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj Hoxhës. Me këtë edhe përfundoi seanca, ndërsa gjykata do të vendosë për këtë kërkesë të avokatit.
Hoxha akuzohet për keqpërdorim detyre dhe autoriteti zyrtar derisa drejtonte Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ky organ ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e palëve të interesuara në lidhje me shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik.
Aktakuza ndaj Hoxhës u ngrit më 4 dhjetor 2014, ndërsa atë ditë drejtori i atëhershëm i OShp_së i tha KALLXO.com se me aktakuzë po duan ta eliminojnë operatorët ekonomikë, pa saktësuar se cilët janë ata operatorë.
Hoxha dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të OShP-së në janar të këtij viti. Ai tha atëherë për KALLXO.com se nuk po tërhiqej nga detyra për shkak të aktakuzës. /Kallxo.com