Home Blog Page 6851

Digjet lokali i Kallashit

0

Në orët e hershme të mëngjesit është djegur lokali “Kobra City”, I valltares Donjeta Kosumi-Kallashi.

Zëdhënësi I Policisë në Prizren Hazir Berisha tha se ende nuk dihet se kush ia ka vënë flakën lokalit.

“Po është djegur sot në mëngjes”, konfirmoi Berisha për “PrizrenPress”.

Sipas tij, para se të digjet lokali tre persona kanë hyrë në objekt dhe janë përleshur me menaxherët e lokalit. /PrizrenPress.com/

“NGOM Fest” cakton datat për edicionin e gjashtë

0

Festivali i muzikës dhe i aktivizmit “NGOM Fest” ka rezervuar datat për edicionin e gjashtë të tij.Artistët e rrymave të ndryshme muzikore duke filluar nga ajo rock/alternative, jazz/ethno, punk, elektronike, drum and bass, hip-hop, do të performojnë në dy skenat kryesore të festivalit, që do të mbahet në qytetin e Prizrenit më datat 7, 8, 9 dhe 10 Korrik.

Skena e Marashit dhe ajo e Lumbardhit do të presin artistët, emrat e të cilëve Ngom Fest do t’i prezantojë gradualisht gjatë muajve të ardhshëm. Gjithashtu, në skenën e Lumbardhi-t do të mbahet edhe “Promo Stage” e cila mundëson promovimin e artistëve të rinj nga vendi dhe rajoni.

Njëra nga risitë e sivjetme do të jenë panelet dhe punëtorive rreth muzikës që do të sjellin një frymë të re në programin e festivalit.

Ngom Fest organizohet për pesë vite me radhë që nga viti 2011, kështu duke u bërë festivali muzikor më jetëgjatë në vend.

Kadare mbush tetë dekada jetë

0

Ismail Kadare, më i madhi shkrimtar shqiptar, i krahasuar me Kafkën, Orwellin e Danten për nga madhështia e shtatit të veprës, sot feston datëlindjen e tij të 80-të.

Gjeniu gjirokastrit tash e disa dekada i ka dhënë kombit – të shqipeve – një vend të nderuar në hartën e letërsisë botërore.

I nominuar disa herë për çmimin Nobel, fitues i çmimit Princi i Asturias, Man Booker International dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës – ku ka zëvendësuar akademikun Karl Popper, Kadare është pasaporta e letërsisë shqipe në botë.

Me veprat e tij Kadare arritur që ngjarje krejt të humbura në mugëtirën e thepave të Shqipërisë t’i kthejë në letërsi botërore, duke e bërë truallin e shqipeve krejt të afërt për botën.

Premtoi, nuk e bëri, dështoi

0

Isa Mustafa, kryeministri mashtrues i Republikës së Kosovës. Kreu i Qeverisë vazhdon të mos i mbajë zotimet

Tha që nuk do të bënte koalicion me PDK-në e SHIK-un, por bëri. Tha se do ta respektonte Marrëveshjen e Bllokut, e tradhtoi. Premtoi mijëra vende pune, i harroi fare. Tash, u shpreh se do ta kushtëzonte dialogun me Serbinë, me liberalizimin e vizave, por i hipi aeroplanit, i përqeshur edhe nga Vuçiqi për deklaratën e pamatur.

Mosmbajtja e premtimit nga kryeministri Isa Mustafa për ndaljen e dialogut në Bruksel me palën serbe, nëse nuk liberalizohen vizat, është cilësuar nga analistët dhe përfaqësues të partive politike opozitare si një sjellje jashtëzakonisht e papjekur e një qeveritari joserioz.

Politologu Albinot Maloku thotë se këto sjellje të kryeministrit po e dëmtojnë vetë imazhin e partisë që ai e kryeson dhe shtetin e Kosovës.

“Kosova ka ndërruar kryeministra të ndryshëm, por asnjëri nuk ka ndërruar fjalën e besën si kryeministri aktual i Kosovës, akademik Isa Mustafa. Kërcënimet e bëra nga ana e tij, se gjoja nuk do të shkojë në Bruksel për të dialoguar me Serbinë pa i hequr BE-ja vizat për qytetarët e vendit tonë, ishin gjëja më e shëmtuar dhe joserioze që mund të bëhet nga ana e kryeministrit të një shteti, që pretendon të jetë pjesë e botës së shteteve serioze”, është shprehur ai për “Kosova Sot”.

“T’u ofrosh luksin krerëve shtetërorë serbë për t’u tallur me krerët shtetërorë të Kosovës është mëkat që nuk falet dhe kryeministri Isa Mustafa e bëri këtë pa pikë konsiderate për vetën e tij, për ish-Presidentin Rugova, por edhe për Republikën e Kosovës”, tha politologu Maloku. /Kosova Sot

Tensionet politike nuk do të barten në shoqëri

0

Njohësi i rrethanave politike në vend dhe atyre të sigurisë, Arben Qirezi, ka vlerësuar se polarizimi në Kosovë ekziston vetëm në nivelin politik e jo në atë shoqëror.

Ai në një intervistë për “Epokën e re” ka mohuar mundësinë që tensionet aktuale politike të barten në shoqëri.

Sipas Qirezit, alternativa më e mirë në këto rrethana do të ishte nisja e një dialogu ndërmjet subjekteve politike për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Plani “B” i opozitës për rrëzimin e Qeverisë

0

Nëse Qeveria nuk reflekton deri në protestën e 17 shkurtit, opozita e bashkuar po planifikon të organizojë protesta të përditshme, duke ia rritur kështu presionin ekzekutivit për të dhënë dorëheqje,

Partitë opozitare i kanë dhënë afat kryeministrit, Isa Mustafa, deri më 17 shkurt që të japë dorëheqje dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, në të kundërtën do ta aplikojnë planin “B” për rrëzimin e Qeverisë, shkruan ‘Zëri’.

Sipas opozitarëve, nëse deri në përvjetorin e tetë të pavarësisë së Kosovës nuk reflekton kjo Qeveri, atëherë do t’i ndryshojnë metodat e veprimit, duke organizuar protesta edhe më të shpeshta, deri në ato të përditshme.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, thotë për “Zërin” se do të duhej të mjaftonin për Qeverinë që të reflektojë pas dy protestave masive, asaj të 28 nëntorit 2015 dhe 9 janarit të këtij viti, dhe të kuptojë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

Një i dyshuar për vrasjen në Suharekë

0

Në mbrëmje të së mërkurës në fshatin Sopijë të Suharekës është vrarë një 22 vjeçar ndërsa babai i tij është plagosur.

Komandanti i stacionit policor në Suharekë, Milazim Lumi ka treguar më detajisht për këtë incident.

“Sot në fshatin Sopijë ka ndodhur një vrasje, viktima që është një 22 vjeçar ka arritur pa shenja jete në Spitalin Rajonal ndërsa prindi i tij ëhstë plagosur me armë zjarri, për momentin është jashtë rrezikut për jetë”, tha Lumi, në Kosova Direkt të emisionit Ora e Fundit në Klan Kosova.

Lumi ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19 e 15, ndërsa Policia ka qenë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe deri tani është një i dyshuar.

“Është një person i dyshuar, ne jemi dukë bërë bastitsjet dhe hetimin në disa pista, deri tani kemi kryer bastisjet në 6 lokacione”, tha ai

Lumi gjithashtu ka thënë se tentim vjedhja është një prej pistave të mundshme por sipas tij ka edhe pista të tjera të hapura në këtë rast.

Studioja ime është rruga

0

Artisti kosovar Sislej Xhafa ekspozon në Poloni “Palëvizshmërinë e mendimit”. Një ekspozitë që nuk bën asnjë deklaratë politike, por që është thellësisht politike.

Sislej Xhafa i ka dhënë ngjyrën e tokës, një zemre të madhe vendosur në hapësirën e Galerisë së Artit Bashkëkohor në “BWA Sokol” në Nowy S?cz, Poloni.

Ndërsa duket sikur koha që vrapon na heq çdo ditë e më tepër nga e brendshmja, Xhafa provokon duke vendosur këtë zemër të madhe, si një ftesë për reflektim.

Në fakt, kjo vepër e realizuar në vitin 2007, është e realizuar me asfalt dhe glasa zogjsh.

“Zemra, është një vepër e cila ndriçon rreth padrejtësisë sociale dhe indiferencës politike që ekziston në shoqëri”, thotë Xhafa.

Në fakt, studioja e tij prej kohësh është rruga, ashtu si jeta e tij, e në këtë vepër asfalti (rruga) vjen si pjesë e rezistencës dhe ekzistencës jetësore.

“Palëvizshmëria e mendimit” quhet ekspozita që artisti i njohur nga Kosova hapi më 23 janar për publikun polak, duke qenë dhe hera e parë që ai prezantohet në këtë hapësirë. Kjo ekspozitë ka bërë bashkë veprat e hershme të artistit, duke i plotësuar me një pjesë specifike të re.

“Sislej Xhafa kombinon artin me përvojën e hapësirës; si rezultat, energjia e vendndodhjeve specifike aktivizohet në përballje me veprat e tij. Kjo është aq e vërtetë për vendet fizike – jemi në qytete të vogla ku personazhet historikë kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në identitetin bashkëkohor të atij vendi – ashtu edhe në hapësirat mendore që mbivendosen me to”, thotë kuratorja e ekspozitës Anna Smolak.

“Identiteti është subjekt i ndryshimit të vazhdueshëm”, është shprehur dikur artisti, duke parë nga lëvizja dhe zhvendosja si instrumente në formësimin e sistemit të vlerave. Hibridja e zbuluar në zakonshmërinë në dukje të pranëvënies së materialeve, kuptimeve dhe formave, të pavarura nga afiniteti i tyre origjinal, qëllimi dhe vendi e koha e krijimit të tyre, është marka e Xhafës dhe rrëfen për pushtetin e veprave të tij”, thotë ajo.

“Provokues e njëherazi i përmbajtur në sensacionalizëm, kritik por jo didaktik, pikant e njëherazi i pasur në nuanca – veprat e Xhafës, që zgjatet nga objektiviteti drejt performimit, gjenerojnë lëvizje të pandalshme. Lëvizja është një gjendje tranzicioni, e kuptuar njëherazi si fjalëpërfjalshëm si një ndryshim vendndodhjeje, por gjithashtu si një ndryshim në kuptim, emocion dhe mendim. Dhe ja ku jeni, të hutuar dhe të humbur në prozaizëm të ri, një perspektivë në të cilën afër dhe larg përkojnë”, kështu ka shkruar artisti revolucionar belg, Raoul Vaneigem në “Revolucioni i jetës së përditshme”.

“Në shikim të parë, objektet dhe imazhet e shpërndara rastësisht në hapësira duken prekshëm familjare: një fotokopje, një cigare, një copë asfalt. Sidoqoftë, rregullat e angazhimit nuk janë të përkufizuara nga mjedisi i tyre në mondanitet, por në veçimin prej tij. Dhe është pikërisht ky lloj tranzicioni, që dukshëm injoron të gjithë kufizimet dhe zakonet që gjenerojnë një numër të pafundmë të kombinimeve të përvojave të mbivendosura dhe kuptimeve”, shkruan Anna Smolak.

Veprat e paraqitura në këtë ekspozitë janë “CarettaCaretta”, e realizuar këtë vit nga artisti me materiale si rërë, litar, dru dhe pllaka metali me përmasa 250 me 500 centimetra. “Fshehja e Kristofor Kolombit”, e realizuar më 2003, me materiale plastike dhe akriliku, në pronësi të Koleksionit të Muzeut Maxxi në Romë. “Dera dhe Bjeshke?t e Nemuna” është një tjetër vepër e realizuar më 2011, aktualisht pronë e galerisë vjeneze e Christine Ko?nig. “Arkiva e Meduzës”, një vepër me materiale mikse e realizuar më 2014, “Romeo dhe Zhuljeta”, një vepër që daton më 2006 ku shfaqet një dritare dhe një cigare. “Autoportret”, është instalacioni ku shfaqet një shalqi në piedestal, koleksion i Nomas Foundation, Romë. “Kokëqethurit duke notuar”, instalacion video i realizuar më 2002–shin. “Boja pëshpëritëse” është vepër e 2009-s, ku shfaqet një fotokopje dhe myk dylli. “Qoshja e bardhë”, vepër e realizuar me akrilik, çarçaf, letër dhe dru, edhe kjo vepër e koleksionit vjenez Christine Ko?nig. “Gruaja në Blu” është një tjetër vepër e fundit e artistit, realizuar në teknikën vaj në pëlhurë, si edhe “Zemra”, vepër e 2007-s ku shfaqet një copë asfalt dhe glasa zogjsh.

“Artisti i udhëheq veprimet e tij semantike me delikatesë. Ai manovron mes vogëlsirave dhe asaj çka është shënjuar me patos, mes zyrtares dhe të margjinalizuarës, duke u arratisur etiketimeve të pangatërrueshme dhe kategorive. Dhe megjithëse ai kërkon të shmangë kompromisin, ai lë hapësirë për poetikën, imagjinatën dhe humorin,” shkruan kuratorja e kësaj ekspozite, Anna Smolak.

“Palëvizshmëria e Mendimit” është një ekspozitë pa një emërues të përbashkët. Është njëherazi rreth zbrazëtisë dhe rreth grumbullimit, rreth përjashtimit dhe rreth pronësimit. Bën fjalë sesi mendimi materializohet në një objekt dhe sesi objekti vetë bëhet kanal për mendimin. Është një ekspozitë që nuk bën asnjë deklaratë politike, e njëheri është thellësisht politike – e plotësuar siç është nga momenti në të cilin ndodh. Por, Xhafa e sheh politikën si një “oblique way”.

“Politikën e konfrontoj në paaftësinë e politikanëve, papunësinë, korrupsionin, mediokritetin dhe mungesën e një vizioni politik dhe ekonomik për të ardhmen. Në shoqërinë e sotme është emergjencë e domosdoshme dhe ekzistenciale të konfrontohet me atë të estetikës. Është vital roli i artistëve në çdo shoqëri të mos ketë ambiguitet, por një qëndrim (attitude)”, thotë Xhafa.

I larguar herët nga vendi i tij i lindjes, Kosova, Xhafa u vendos fillimisht në Itali për të ndaluar në Nju Jork. Por, jeta e tij ashtu si arti duket që nuk ka stacion dhe se punët më së miri bëhen në ato ndalesa, ku ndodhet qoftë për disa minuta. Kjo, pasi një vepër e mirë lind thjesht nga një mendim, dhe ky i fundit mund të vijë dhe teksa pret të marrësh metronë për në shtëpi. Ka një kod që fshihet në të gjitha veprat e Xhafës, një kod që ti nuk mund ta shohësh, por mund ta ndiesh. Kjo e bën atë një artist të kohës, i cili është thellësisht i vërtetë në përballjet që të bën. Ndaj në Poloninë me të cilën ndajmë një të shkuar të përbashkët siç është komunizmi, veprat e një artisti si Xhafa depërtojnë më lehtë dhe flasin më shumë. /Shqip

Një vit pa rockerin

0

“Jeta është një det i thellë e i trazuar, në të cilin duhet të luftosh për të mbijetuar”. Kështu do ta përkufizonte ciklin dhe betejën me jetën ish lideri i “Djemve të Detit”, i ndjeri Gentian Demaliaj, i cili pikërisht sot mbush një vit që i dha lamtumirën kësaj bote.

Familjarë të tij, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit kanë organizuar një ngjarje speciale për nder të kujtimit të tij.

I njoftuar nëpërmjet një ftese, bërë publike në adresën e Facebook-ut të Gentit, familjarët bëjnë me dije se, ceremonia përkujtimore do të organizohet në Qendrën Kulturore – Kisha e Re Ortodokse – Tiranë, më datë 31 janar, ora 19:00.

Ndërsa sipas burimeve të gazetës “Koha Jonë”, pjesë e kësaj përkujtimoreje mësohet se do të jenë personalitete, figura të shquara të artit, kulturës, sportit e medias, si dhe miq e dashamirës të rockerit. Në këtë ceremoni, përveç kujtimeve që miq e familjarë do të ndajnë me njëri-tjetrin, do të ketë edhe një program-nostalgji, ku kolegë të Gentit do të interpretojnë disa nga hitet e tij më të famshme.

Gentian Demaliaj u lind dhe u rrit në qytetin e Lezhës. U nda nga jeta në moshën 41-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë më 27 janar 2O15, duke lënë pas një krijimtari të pasur për artdashësit e tij dhe brezat në vazhdim. Ai do të mbahet mend gjatë për frymën e re që solli në rock-un shqiptar, si një ndër vokalet më të mira të viteve ‘90, si tekst shkrues i këngëve të grupit ku bënte pjesë, si dhe për hitet e mëdha që u la trashëgimi kulturore shqiptarëve. Kujtojmë këtu, “Baladë për Jakup Ferrin”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Mos qaj”, Lamtumirë”, “Zemërthyeri”, “Kohë pa ty”, “Dhimbje”, albumin “Epos”, etj.. “Djemtë e Detit” u krijuan në vitin 1990 dhe gjatë jarrierës së tyre janë vlerësuar me shumë çmime dhe tituj. Qyteti i Lezhës këtë vit i dorëzoi titullin “Qytetar nderi” familjarëve të Gentit dhe grurpit “Djemtë e Detit”.

Ky është 22 vjeçari që u vra sonte në Suharekë

0

Mësohet se i vrari sonte në Suharekë është Egzon Mazreku, 22 vjeç nga Sopija e Suharekës.

Gazeta NewBorn raporton se ai është vrarë deri sa hajnat ishin futur brenda shtëpisë së tij dhe kishin gjuajtur në drejtim të tij, ku e kishin lënë të vdekur.

Ndërsa babai i tij është i plagosur, raporton Gazeta NewBorn, nga burime të sigurta afër Familjes Mazreku.

Policia më herët kishte njoftuar për një ngjarje tragjike në një fshat të Suharekës sonte rreth orës 20:30.