9.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6868

IKD: S’ka rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit

0

Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se lufta kundër korrupsionit edhe pse e shpallur si prioritet absolut nga sistemi prokurorial, nuk po arrin të dëshmohet me rezultate konkrete në praktikë, sidomos në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Kështu thuhet në raportin e IKD-së “Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”.

Sipas IKD-së, institucionet, agjencionet që e zbatojnë ligjin dhe qytetarë të shumtë, vazhdojnë të sfidojnë Prokuroritë e Republikës së Kosovës me lëndë të shumta të korrupsionit, të cilat i parashtrojnë qoftë përmes ofrimit të informatave të shumta apo ushtrimit të kallëzimeve penale.

“Këto informata dhe kallëzime penale kanë mbetur të patrajtuara me dekada nga Prokuroritë, duke lejuar në shumë raste arritjen e afatit të parashkrimit të ndjekjes së kryesve të këtyre veprave penale të korrupsionit, rrjedhimisht duke amnistuar kryesit e dyshuar për vepra penale korruptive. Mos veprimi i Prokurorit të Shtetit në këto raste të korrupsionit ka ndikuar në mos zbulimin e së vërtetës, rrjedhimisht mos ndëshkimin apo amnistimin e kryesve të veprave penale të korrupsionit, që ndikon edhe në mos kthimin e pasurisë së paligjshme të fituar përmes korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Sipas IKD-së, ky mosveprim i institucioneve të shtetit, të thirrura dhe të autorizuara me ligj për të ndjekur penalisht kryesit e veprave penale dhe për të kërkuar drejtësi, po ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve dhe publikut në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në vullnetin dhe përkushtimin e tyre në luftimin e korrupsionit nga këto institucione.

“Gjetjet e monitorimit të IKD tregojnë se me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit më 4 nëntor 2013, prokuroritë kanë pasur të regjistruara në punë raste ndaj 1682 personave. Prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit deri më 30 qershor 2015, prokuroritë kanë pranuar në punë raste të reja ndaj 1441 personave. Përderisa nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit deri më datën 30 qershor 2015, janë zgjidhur raste ndaj 1598 personave. Prej tyre ndaj 383 personave i kanë hudhur kallëzimet penale, ndaj 435 personave i kanë pushuar hetimet, ndërsa ndaj 780 personave kanë ngritur aktakuza. Në fund të kësaj periudhe raportuese, më 30 qershor 2015, prokuroritë kanë të pazgjidhura raste ndaj 1706 personave”, bëhet e ditur në raport.

Krahasuar më gjendjen fillestare të rasteve të pazgjidhura, rezulton se trendi i rasteve të pazgjidhura vetëm sa ka shënuar rritje.

IKD vlerëson se këto rezultate janë dëshmi se shpallja e lëndëve të korrupsionit për tu luftuar me prioritet absolut përmes planeve të veprimit mbetet vetëm synim i pazbatuar në praktikë.

Gjetjet e IKD-së edhe në këtë raport periodik të IKD-së, i gjashti me radhë, dëshmojnë mungesën e vullnetit dhe përkushtimit për të zbatuar obligimet e përcaktuara me Plan të Veprimit, përmes të cilit do të mundësohej zgjidhja e rasteve të vjetra të korrupsionit.

IKD ka vendosur indikatorë përmes të cilëve, ka bërë matjen e zbatimit të Planit të Veprimit për lëndët e vjetra të regjistruara deri më 4 nëntor 2013. Zgjidhja e këtyre rasteve ka qenë prioritet absolut prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit, por në praktikë kjo nuk është dëshmuar.

Bazuar në indikatorin e IKD-së për matjen e zbatimit të Planit të Veprimit, rezulton se prokuroritë kanë zgjidhur raste ndaj 937 personave apo kanë arritur të zbatojnë 57% të Planin e Veprimit. Sikurse në periudhat paraprake për të cilat kishte raportuar IKD, edhe për këtë periudhë raportuese Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon të jetë prokuroria me efikasitetin më të dobët në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit. Pason PSRK, e cila ka arritur të zgjidhë mbi gjysmën e rasteve të vjetra, ndërsa prokuroritë tjera kanë përqindje më të madhe të zgjidhjen e rasteve të vjetra.

“Gjatë kësaj periudhe raportuese, Kryeprokurorët e PTH-ve dhe PSRK-së nuk kanë përmbushur një varg të obligimeve, të përcaktuara në Planin e Veprimit. Raportimi tek Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit nuk është përmbushur, gjithashtu nuk është përgatitur asnjë raport i veçantë për rastet e parashkruara të korrupsionit. Në të njëjtën periudhë, as obligimet e Koordinatores Nacionale nuk janë përmbushur karshi Planit të Veprimit. Arsyet për këtë neglizhencë, bien mbi garën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe vëmendjen që ka marr ky proces, si dhe muajt e verës, në të cilët bartësit e funksioneve prokuroriale nuk kanë qenë të përkushtuar në zbatimin e obligimeve ligjore dhe vendimeve të Këshillit Prokurorial”, thuhet në raportin e IKD-së.

Aspekti i llogaridhënies për dështimin e prokurorive në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit, mbetet vetëm çështje diskutimi, por në praktikë ende nuk ka asnjë zyrtar, i cili është mbajtur përgjegjës nga Kryeprokurorët apo nga Këshilli Prokurorial.

Kjo kulturë e pandëshkueshmërisë për dështimet e sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit, ka ndërtuar një sistem imuniteti për shkelësit e ligjit, të cilët po vazhdojnë me shkelje të ligjit pa pasoja.

Mekanizmi i vetëm funksional, i cili ka dhënë shenja se është duke bërë përpjekje për të zbatuar ligjin në rastet e shkeljeve ligjore nga ana prokurorëve, mbetet Zyra e Prokurorit Disiplinor, e cila sipas detyrës zyrtare ka iniciuar një numër të madh të rasteve disiplinore, bazuar në gjetjet e raporteve të IKD-së.

“Një numër i madh i këtyre rasteve tashmë gjenden në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, bëhet e ditur në raport. /PrizrenPress.com

Prizren: Një muaj paraburgim për hajnin nga Caparci

0

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit R.Th. nga fshati Caparc i Komunës se Prizrenit. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

“I pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 17.11.2015 në ora 14.00 dhe do të zgjasë deri me datën 16.12.2015”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke vepruar në mënyrë veçanërisht të rëndë dhe të rrezikshme, i njëjti duke hap kasafortën me një fleksnë Zyrat e lokalit komercial të Kompanisë “Transcomerce” pronë e të dëmtuarit M.C. nga Dragashi merr sasi të mëdha të parave në shumën prej 22.000 euro ,pasi që i njëjti është recidivist Gjykata Themelore e Prizrenit i cakton masën e paraburgimit”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Më të fortë se frika

0

U2 ka nderuar viktimat e sulmit terrorist në Paris, të mërkurën mbrëma, duke kënduar “City of Blinding Lights”, në Belfast, ndërkohë që është shfaqur Kulla Eiffel me mesazhin – “Më të Fortë se Frika”.

“Refuzojmë të urrejmë, sepse dashuria kryen punë më mirë”, ka thënë Bono para publikut.

U2 kishte planifikuar të performonte në dy koncerte, në Bercy Arena në Paris, vikendin e kaluar. Të gjithë anëtarët ishin duke bërë provat, kur terroristët goditën kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes. Rock bendi irlandez ndodhej më pak se 4 kilometra larg nga vendi i masakrës – Salla e Koncerteve “Bataclan”, ku mbetën të vrarë 89 veta.

“Kjo është goditja e parë në muzikë, në këtë farë lufte kundër terrorizmit. Është aq tronditëse. Janë njerëzit tanë. Kam mundur të isha unë në atë mbrëmje muzike, ka mundur të jetë secili në atë vend. Kjo është thellësisht shqetësuese”, ka thënë Bono. /Politiko.net

Kërkesat e mësimdhënësve barten në vitin 2016

0

Niveli lokal dhe ai qendror të shtetit ende nuk kanë realizuar kërkesat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për të drejtat e mësimdhënësve. Këto kërkesa, që lidhen me kompensimin, janë bllokuar nga institucionet në mungesë të buxhetit, si dhe legjislacionit të papërshtatshëm.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëpër komuna kërkesa që ka nisur të trajtohet është ajo e tri pagave para pensionimit që duhet t’iu kompensohen mësimdhënësve me rastin e pensionimit, si dhe pagesa për udhëtimin.

Mirëpo edhe kjo kërkesë, sipas tij, nuk po zbatohet në praktikë. “Në disa komuna ka lëvizje teorike, por jo dhe praktike që të zbatohet kërkesa për tri paga të pensionimit dhe ajo për pagesën e udhëtimit”, tha ai.

Këto dy kërkesa që duhet të përmbushen nga niveli lokal i shtetit, sipas Jasharajt, nuk po realizohen për shkak se nuk është bërë planifikimi buxhetor dhe se premtimi i komunave është se do të planifikohen në Buxhetin e vitit 2016. Ndërsa, shqetësuese për SBASHK-un mbetet kërkesa tjetër, e cila i është drejtuar nivelit qendror të shtetit për rregullimin e pagesës së pensionit.

Një mësimdhënës pensionist tash gëzon pagë prej 75 eurove. Por kjo pagë, sipas SBASHK-ut, duhet të jetë 140 euro dhe mësimdhënësi të llogaritet me këtë rast kontributdhënës. Sipas SBASHK-ut, progresi mund të llogaritet tek Ligji për Benefitet e Periudhës 1990/99, i cili ka shkuar në Qeveri. Madje për këtë ligj, Jasharaj thotë se Ministria e Financave po shqyrton edhe koston pasi që përmes këtij ligji parashihet edhe rregullimi i pagës së pensionit. /Zëri

Diplomatët e “përjetshëm” të MPJ-së

0

Diplomacia kosovare është përfshirë në skandale të thella derisa askush në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk po preferon të flasë në lidhje me mbajtjen e paligjshme të shumë pozitave në diplomaci.

Gazeta “Zëri” në vazhdën e hulumtimeve të saj ka arritur të konfirmojë se Arjan Kashtanjeva, i emëruar nga viti 2009 si zëvendëskonsull në Gjenevë, është graduar në Konsull në vitin 2014. Kashtanjeva po vazhdon ta mbajë këtë pozitë edhe tash, në fund të vitit 2015.

Kjo është në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, që në Nenin 22 parasheh kohëzgjatjen e qëndrimit në misionet diplomatike. “Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhë katërvjeçare(4) ose ndryshe siç kërkohet për t’i përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në Nenin 22, të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm.

Kashtanjeva, sipas informatave që ka siguruar gazeta, tani ka synim transferin në Cyrih për të vazhduar edhe një mandat 4-vjeçar e që në total do të arrinte mbi 10 vjet shërbim, apo më shumë se dyfishi i kohës së lejuar ligjore për shërbime diplomatike. /Zëri

Arrestimi i Donikës, antikushtetues

0

Arrestimi dhe paraburgimi i deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është vlerësuar si antikushtetues dhe antiligjor, për shkak të imunitetit që ka deputeti.

Madje, njohësit e çështjeve kushtetuese ka thënë se organet e drejtësisë do të duhej të kërkonin sqarime nga Gjykata Kushtetuese dhe të mos nguteshin me arrestimin e deputetes opozitare. Ata thonë se Kushtetuta e përcakton qartë se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se shumë veprime që po ndodhin rreth nesh po dëshmojnë se institucionet e shtetit, duke përfshirë edhe Prokurorinë dhe gjyqësorin, madje edhe Odën e Avokatëve, kanë një deficit të madh profesional. Pasi, sipas tij, në të kundërtën nuk do të ndodhte arrestimi i deputetes së AAK-së.

“Sikur të kishim ekspertë të mirë, njohës të Kushtetutës, të ligjeve edhe të Kodit Penal të Kosovës, as fletarresti, as ndalimi e dënimi nuk kanë guxuar të ndodhnin. Deputetët kanë imunitet me Kushtetutë e me Ligjin për Deputetët. Kështu siç është bërë arrestimi, është antikushtetues dhe antiligjor. Deputetët nuk kanë imunitet për ndjekje penale, por kanë imunitet që të mos ndalohen dhe arrestohen në mënyrën si është vepruar me deputeten, Kadaj-Bujupi”, ka vlerësuar Krasniqi. Madje, sipas tij, do të duhej të kërkohej edhe sqarim nga Gjykata Kushtetuese rreth imunitetit të deputetes.

Sipas ish-kryeparlamentarit të Kosovës, imuniteti i deputetit nuk vlen vetëm në akuzat për krime lufte. /Zëri

Në Kinë vriten 28 terroristë

0

?Mediat shtetërore kineze kanë raportuar se policia ka vrarë 28 të dyshuar si “terroristë” gjatë një sulmi në një minierë qymyri, ku u vranë të paktën pesë policë në rajonin Xinjiang.

Rajon i banuar nga komuniteti Ujgurë, që janë banorë kryesisht myslimanë, të etnisë turke.

Portali i qeverisë Xinjiang ka raportuar se të dyshuarit u vranë gjatë një kërkimi që zgjati 56-ditë, pas sulmit të parë të kryer me 18 shtator, ku ishin vrarë 11 civilë dhe pesë policë, duke u therur me thikë.

“Pas 56 ditëve të luftimeve të vazhdueshme, Xinjiang shkatërroi një bandë të dhunshme terroriste direkt nën komandën e një grupi ekstremist të huaj,” ka njoftuar qeveria.

“Përveç një person i cili është dorëzuar, 28 persona të tjerë janë vrarë.”

Një gazetë lokale ka thënë se dy persona të cilët kishin emra ujgurë, ishin udhëheqësit e një grupi të huaj, të cilët besohet si ishin organizatorët e këtij sulmi.

Tensionet mes Ujgurëve myslimanë dhe kinezëve Han që jetojnë në Xinjiang, shpeshherë kanë qenë të dhunshme, duke lënë me qindra persona të vrarë. /Gazeta Express

Kërcënon ISIS: Shtëpia e Bardhë do të bëhet e zezë nga flakët

0

Terroristët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar se do ta shkatërrojnë Shtëpinë e Bardhë, vetëm një ditë pas kërcënimet se shpërthime vetëvrasëse do të ketë në Nju Jork.

“Ne e filluam me Parisin dhe do ta përfundojmë me Shtëpinë gjoja të Bardhë. Me lejen e Allahut, Shtëpinë e Bardhë do ta bëjmë të zezë më zjarrin tonë”, thotë një xhihadist në videon e re 6-minutëshe të terroristëve.

Video nis me një tjetër xhihadist i cili kërcënon Shtetet e Bashkuara dhe Francën, dy vendet të cilat kanë shpeshtuar sulmet kundër terroristëve të ISIS ditët e fundit.

Mirëpo, ajo që tërheq vëmendjen është fundi i videos, pasi në arabisht shkruhet “Parisi përpara Romës” dhe mediat ndërkombëtare pyesin mos është ndonjë paralajmërim për shtetin italian.

Alarmi për akte të mundshme terrorizmi në Itali është shtuar shumë së fundmi. Sipas një raporti të Drejtorisë hetimore të Antimafias, FBI ka paralajmëruar se rreziku i atentateve në Itali është rritur, megjithëse nuk ka sinjale të drejtpërdrejta kërcënimi.

Me sa dihet, pikat më delikate konsiderohen bazilika e Shën Pjetrit në Romë, ajo e “Duomos” në Milano dhe teatri “La Scala”, po në Milano. /Top Channel

Gërxhaliu: Dyshohet për dy varreza masive në Kosovë

0

Drejtori i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, në Klan Kosova,ka folur për dy lokacione ku do të fillojnë kërkimet pasi kanë dyshime për disa varreza masive.

“Lokacioni i parë që do të kërkojmë është në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, terreni i dytë më urdhërese të prokurorisë është fshati Kçiq në Mitrovicë. Gjysma e ekipit ndodhet në Serbi, e kemi pak të vështirë qasjen tani për shkak që antropologët ndodhen atje”, tha Gërxhaliu në emisionin Ora e Fundit të Klan Kosovës.

Gërxhaliu ka thënë se në Serbi terreni për kërkime është më i vështirë.

“Ne i kemi tre etazhe që duhet t’i përpunojmë. Rezultatet preliminare flasin për 20 persona, disa tjerë 14-15 persona, jemi duke shpejtuar pasi faktori kohë është i rëndësishëm”.

Ndërsa Gërxhaliu ka thënë se kryetarin e komisionit të të pagjeturve duhet ta emërojë kryeministri.

“Edhe sot e kësaj dite jemi duke u përballur me probleme burokratike. Ende nuk kemi laborator të ADN-së, duhet ta kemi një të tillë. Kosova duhet ta ketë laboratorin vetanak”, tha ai.

Ahmeti: Ramush Haradinaj nuk po lëshon pe, përkundër presionit të ambasadave

0

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti është i ftuar në Zona e Debatit të Klan Kosovës ku po diskutohet për situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Lëvizjes, pjesë e të cilës edhe është.

Ai është shprehur se opozita qëndron e bashkuar.

“Ramush Haradinaj dhe AAK-ja kanë ndryshuar disa qëndrime për marrëveshjet e Serbisë. Jemi të bashkuar në këto çështje”.

Ai është shprehur gjithashtu se i pari i AAK-së Ramush Haradinaj nuk po lëshon pe përkundër presionit të madh të ambasadave.

Ahmeti është shprehur se para se të jetë kryetar i Prishtinës ëhstë qytetar i këtij vendi andaj do të reagojë ndaj ngjarjeve, njofton Klan Kosova.

“Unë kurrë nuk kam thënë që do të bëhem kryetar dhe do të mbyllem në zyrën time dhe tani do t’i përcjellë të gjitha ngjarjet dhe do të jem vetëm kryetar qyteti. Nuk është fakti pse unë jam Vetëvendosje që unë dal në protestë, është fakti që unë e konsideroj padrejtësi këtë që po ndodhë”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ka momente në historinë e vendeve të ndryshme që demokracia ka përjetuar mënyrë më të vrazhdë.

“Ka momente në historinë e Amerikës që e kanë sjellë Amerikën në këtë nivel që është tani. Ka momente në histori të shteteve ku demokracinë e kanë përjetuar në mënyrë më të vrazhdë”,tha ai.

Ahmeti ka thënë se Vetëvendosja nuk është futur në politikë për pushtet.

“Shumë njerëz nuk po e kuptojnë që Vetëvendosja nuk ka hy në politikë për pushtet që lëshon pe për Asociacionin dhe hyn në pushtet. Vetëvendosja ka hyrë në politikë për ta ndryshuar gjendjen”.

Ahmeti është shprehur se Asociacioni do të ishte i mirë kur Serbia të njihte Kosovën.

“Mendoj që kemi arritur në një moment kur është rrezik të bëhemi Bosnje, ky është edhe dallimi mes Bosnjës dhe Kroacisë”.

“Asociacioni do të ishte i mirë kur Serbia do ta njihte Kosovën dhe do të thoshte se jam e shqetësuar për të drejtat e serbëve. Në këto kohë Serbia nuk të njeh dhe të sulmon”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje janë për një Kushtetutë të re.