10.7 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6869

Çollaku: Pa viza në 2016-n

0
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së në Bruksel.
“Ishte kënaqësi të takohemi dhe bisedojmë në takime të ndara me presidentin e Komisionit Evropian z. Jean Claude Juncker dhe Komisionerin për Punë të Brendshme z. Dimitris Avramopulos. Diskutuam për të gjitha çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët duke përfshirë zhvillimet aktuale në BE, situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Natyrisht, temë kryesore e takimeve ishte diskutimi dhe dakordimi lidhur me hapat e fundit procedural të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave. Ndihem i inkurajuar nga mbështetja e ofruar dhe konfirmimi se jemi në prag të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave. Pas këtyre takimeve ndihem shumë më tepër i sigurt se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016. Ky është një sukses tjetër krejtësisht i merituar”, ka shkruar Çollaku në profilin e tij në Facebook.

Krasniqi, Skender Hysenit: Ministër se jo mahi

0

Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi i është drejtuar përmes një statusi në Facebook, ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni me fjalët “Ministër se jo mahi”.

Kraasniqi thotë se “ministri Hyseni pa fije turpi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e tij e Punëve të Brendshme, e Policia e Kosovës nuk guxojnë të veprojnë në Mitrovicën përtej urës”.

“Kjo do të thotë se shteti ynë nuk ka sovranitet në një pjesë të tij. Aty ku ka sovranitet Vulini, për shkakun e të cilit dënohen policet që mbrojtën shtetin. Për paradoks, Ministri nuk ditka për ketë rast?! Ministër se jo mahi! Kurse Kryeministri i tij se bashku me vartësi e tij, deklarojnë se nuk i tërheqin marrëveshjet e dëmshme që kanë arritur ne Bruksel”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Epilogu i protestave: 24 policë dhe 2 qytetarë të lënduar (Video)

0

Dy protestat e fundit të opozitës së bashkuar gjatë ditëve të fundit, prapa lanë edhe shumë dëme, qoftë në njerëz, por edhe në objekte publike dhe private.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Tribuna Channel se referuar dy protestave të fundit ku është shfaqur dhunë ndaj policisë së Kosovës, ka pasur dëme të mëdha.

“Gjatë dy protestave të fundit janë lënduar gjithsejt 24 policë dhe dy qytetarë. Ndërsa sa i përket veprimeve policore, policia ka shoqëruar 26 persona të dyshuar, ku 19 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Janë dëmtuar 25 vetura zyrtare duke përfshirë të policisë, qeverisë dhe ministrive, janë dëmtuar 10 vetura civile si dhe janë dëmtuar edhe objekte të qeverisë, ministrive duke përfshi edhe shtatoren e ish-presidentit Ibrahim Rugova”, tha Kelani.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë se Policia e Kosovës është sjellë konform rregullave dhe procedurave të brendshme që i ka policia, dhe se policia asnjëherë sipas Shalës nuk ka përdorur dhunë por i është përgjigjur dhunës.

Shala shtoi se perimetri i sigurisë kërkon që protestat të mbahen aq larg objekteve publike sa nuk mund të dëmtohen ato, pasi ne në çdo protestë kemi dëmtim të pronës publike dhe taksapaguesve.

VV: Bastisjet e shtëpive të deputetëve, tensionojnë edhe më shumë situatën

0

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sonte për bastisjen e shtëpisë së prindërve të deputetit të kësaj parti Albin Kurti, të cilin policia po e kërkon në bazë të fletë-arrestit të lëshuar nga Gjykata e Prishtinës.

Në komunikatën e VV-së, thuhet se para pak orësh, Policia e Kosovës bastisi edhe shtëpinë e prindërve të deputetit Albin Kurti.

“Pushteti i kriminalizuar, që nuk ndërmorri asnjëherë asnjë veprim kundër strukturave paralele kriminale të Serbisë dhe kundër krimit e korrupsionit që e kanë vërshuar vendin, është vënë në përndjekje speciale të deputetëve të opozitës”, thuhet në komunikatë.

“Pushteti i Isa Mustafës dhe i Hashim Thaçit, që nuk ka guxim të përballet as edhe njëherë të vetme në mënyrë të dinjitetshme me Serbinë, kur kjo e fundit sulmon dhe bllokon Kosovën, po bastisë shtëpitë e deputetëve ngase nuk po mund ta durojë vendosmërinë e opozitës për ta mbrojtur Republikën”.

“Bastisjet e shtëpive të deputetëve dhe familjarëve të tyre, do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe do ta rrisin vendosmërinë e opozitës në rezistencën e saj kundër shtetit policor që është vënë totalisht në funksion të mbro jtjes së ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Rroftë Muzika, Rroftë Liria

0

Eagles of Death Metal thyejnë heshtjen pas masakrës në Bataclan: Jemi të tmerruar dhe ende po përpiqemi ta marrim veten.

Eagles of Death Metal, bendi që ishte duke performuar në Sallën e Koncerteve “Bataclan”, kur terroristët goditën Parisin javën e kaluar, kanë thënë të kenë mbetur të tmerruar dhe ende janë duke u munduar që ta marrin veten pas tragjedisë.

Xhihadistët sulmuan pamëshirshëm vendin ku njerëzit po kënaqeshin me muzikë rock, duke lënë të vdekur 89 veta aty.

Bendi amerikan ka bërë një deklaratë në Twitter.

“Jemi të tmerruar. Ende po provojmë ta kuptojmë çfarë ngjau në Francë”.

Të paktën 129 njerëz u vranë në një seri sulmesh të koordinuara në Paris dhe ISIS ka marrë përgjegjësinë për to.

Eagles of Death Metal – që përbëhet nga frontmeni Jesse Hughes dhe ylli i Queens of the Stone Age, Josh Homme , si dhe të tjerë anëtarë që u bashkohen nëpër turne – kanë humbur menaxherin e tyre Nick Alexander, 36 vjeç, i cili atë ditë u vra në “Bataclan”.

“Mendimet dhe zemrat tona janë, para së gjithash, me vëllanë tonë Nick Alexander, shokët nga kompania e incizimeve Thomas Ayad, Marie Mosser dhe Manu Perez, si dhe me të gjithë miqtë e adhuruesit – jetët e të cilëve u morën në Paris”.

“Ndonëse të zhytur në pikëllim për viktimat dhe për të gjithë ata që u goditën nga terrorizmi, le të jemi krenarë dhe së bashku në familjen e re – dashurinë dhe dhembshurinë”.

“Rroftë Muzika, Rroftë Liria, Rroftë Franca dhe Rroftë Eagles of Death Metal”. /Politiko.net

Dhjetë filma kosovarë synojnë Berlinalen

0

Në Zagreb të Kroacisë fillon sot, më 19 nëntor, shfaqja e filmave më të fundit të rajonit përpara përzgjedhësve të Berlinales. Kjo ngjarje do të zgjas për tri ditë dhe prodhimet më të reja filmike do të shfaqen duke synuar pjesëmarrjen në edicionin e 66-të të Berlin International Film Festival, i cili është një nga festivalet më të mëdha në botë.

Këtë vit bashkë me filmat nga rajoni do të shfaqen edhe 10 filma kosovarë. Filmat e metrazhit të gjatë që do të prezantohen në Zagreb janë: “Home Sweet Home” me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Faton Bajraktari, “Eho e Heshtur” me skenar dhe regji nga Dren Zherka dhe ”Engjujt janë larg” me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani. Ndërsa filmat e shkurtër që do të shfaqen janë “Fjala” me skenar nga Besian Hysaj dhe regji nga Ujkan Hysaj, “Treni” me skenar nga Selmon Beha dhe Jeton Rushiti dhe regji nga Selmon Beha, “Personazhi I” me skenar dhe regji nga Naim Berisha si dhe “Anestezion” me skenar dhe regji nga Noar Sahiti.

Në Zagreb do të shfaqen gjithashtu edhe tre filma kosovarë të animuar, “Alone” nga Jeton Lakna, “Ncuk, Ncuk, Ncuk” nga Visar Arifaj dhe “Përtej” nga Nexhat Krasniqi. /KosovaLive

Blerim Kuçi: Pushteti e ka vendos bombën të Kushtetuesja

0

ekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Blerim Kuçi sapo tha në RTK se ka informacione se pushteti e ka vendosur dje te Gjykata Kushtetuese mjetin shpërthyes, i cili më pas u shkatërruar në mënyrë të kontrolluar nga FSK-ja.

Një deklaratë e tillë e Kuçit duhet ta mobilizojë menjëherë Prokurorinë e Shtetit dhe të ftojë atë për informacione shtesë, sepse bëhet fjalë për rrezikim të sigurisë kombëtare, transmeton Indeksonline.

Më pas Kuçi, disi është tërhequr nga kjo deklaratë, duke thënë se e ka gjysmë-informacion.

“Opozita nuk e ka vendos atë, atëherë kush? Informatat shkojnë në drejt të asaj që organet e qeverisë e kanë vendosur”, ka thënë ai.
Derisa më pas është ftuar nga ministri Arban Abrashi që të shkojë në organet e rendit për ta raportuar një informacion të tillë. /Indeksonline/

Bastiset banesa e babait të Albin Kurtit

0

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion kontrolli në shtëpinë e babait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alib Kurti.

Aksioni ka nisur në orët e pasdites së të enjtes dhe mbërrin një ditë pas protestave të forta të opozitës kosovare, që kundërshton marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ndaj Albin Kurtit ka një fletë-arresti të lëshuar nga prokuroria e Prishtinës. Emri i ish-kreut të VV-së ishte në listën me katër deputetë që akuzohen për trazirat që shoqëruan seancën parlamentare të së enjtes.

Mes tyre është edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e arrestuar mëngjesin e së mërkurës. Ndaj deputetes së AAK-së, Gjykata Themelore e Prishtinës pranoi kërkesën e prokurorisë për 30 ditë paraburgim.

Arrestimi dhe më pas vendimi i gjykatës ngjallën protesta të dhunshme në sheshin Nën Tereza në Prishtinë, ku mbështetësit e opozitës u përleshën për disa orë me policinë.

/ Top Channel

Mobilizohet opozita në Prizren, për marshin e 28 Nëntorit

0

Partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Bashkimi Demokratik, Nisma për Kosovën dhe AAK në Prizren, kanë ftuar përmes një konference për medie qytetarët që të mbështesin iniciativat e opozitës së bashkuar kundër marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë të Demarkacionit me Malin e Zi.

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, tha se qytetarët duhet të mbështesin kauzën e opozitës.

“Pas marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel është duke u vënë në pikëpyetje perspektiva dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës”, ka thënë Berisha .

“Lidhur me ngjarjet e fundit pushteti po ushtron dhunë ndaj zyrtarëve dhe anëtarëve të opozitës, dhe më këtë rast bëri thirrje që të lirohen sa më parë nga masa e paraburgimit deputetja e AAK-së, Donika Kada- Bujupi, dhe aktivistët tjerë opozitarë në krye me zyrtarin e LVV-së në Prizren, Artan Abrashi”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Prizreni, Mytaher Haskuka, gjithashtu ju ka bërë thirrje bashkëqytetarëve që masovikisht të marrin pjesë në manifestimin e paraparë nga opozita për datën 28 Nëntor në Prishtinë, për të kundërshtuar fuqishëm marrëveshjet e fundit nga qeveria e Kosovës.

“ Zajednica” e rrezikon në radhë të parë të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thënë ai.

Thirrje për mbështetje të qytetarëve në kërkesat e opozitës, kanë bërë edhe kryetari I Nismës në Prizren, Sinan Alija dhe zyrtari i AAK-së Bajram Kastrati.

Zyrtarët e këtyre partive, ftuan qytetarët e Prizrenit që të dielën duke filluar nga ora 14;00, që të marrin pjesë në një debat në Shtëpinë e Kulturës “ Xhemajli Berisha”, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale në vend dhe për organizimin sa më të mirë të manifestimit paqësor në Prishtinë me 28 Nëntor./TV Prizreni/

“Zëri i Amerikës” vazhdon: Pse nuk hapen dosjet në Tiranë?

0

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare solli sot në Tiranë përvojën polake për hapjen e dosjeve të shërbimeve sekrete të regjimit komunist.

Përfaqësuesi i Institutit të Kujtesës Kombëtare të Polonisë, Kristof Persak shpjegoi përpjekjet që po bën vendi i tij për t’u shkëputur nga e kaluara komuniste, duke shqyrtuar një pjesë të madhe të dosjeve të shërbimeve sekrete dhe duke bërë hap pas hapi lustrimin e tyre, me pengimin e ish-agjentëve të regjimit të kaluar për t’u bërë pjesë e administratës së tanishme.

“Instituti i Kujtesës Kombëtare të Polonisë u krijua në vtin 2000, pra, 10 vjet pas tranzicionit. Tani po studion mijëra dosje nga e kaluara komuniste të sistemuara në dhjetëra kilometra arkiva, ku ruhen qindramijëra dosje dhe dokumenta. Ligji polak parashikon që dosjet t’u vihen në përdorim studiuesve dhe gazetarëve dhe ndërkohë ky institut i pavarur, – tha zoti Persak, – verifikon mijëra emra nga punonjësit e administratës të të gjitha niveleve nga presidenti deri tek kryebashkiakët nëse kanë qenë të përzierë me krimet e regjimit komunist apo atij nazist”.

Deputetja Mesila Doda është një nga protagonistet kryesore të lëvizjes studentore antikomuniste të viteve 90.

Së fundi ajo dhe veprimtarë të tjerë propozoi një projekt-ligj për hapjen dhe lustrimin e dosjeve, i cili u shmang nga ligjvënësit.

Ajo është e zhgënjyer se si sot pas 25 vjetësh dosjet nuk janë hapur dhe bashkëpunëtorët e sigurimit famëkeq të shtetit ende ata nuk po ndalohen të përfshihen në administratën shtetërore dhe e gjithë shoqëria ende nuk është ndarë nga e kaluara komuniste, madje ende nuk është krijuar as komisioni për hapjen e dosjeve.

Veprimtarët e të drejtave njerëzore pohojnë se lustracioni është e vetmja mënyrë për tu ndarë nga e kaluara dhe për të krijuar një të ardhme tjetër.

Parlamenti shqiptar sapo ka miratuar një ligj për hapjen e dosjeve për arsye studimore, i cili nuk parashikon lustrimin.

Diktatura komuniste dhe shërbimi i saj sekret vrau, burgosi dhe përndoqi dhjetëra mijëra kundërshtarë politikë.

Sot pas 25 vitesh, ish të burgosurit politikë po marrin vetëm disa dëmshpërblime për burgimin e padrejtë, por asnjë persekutor dhe informator i tyre nuk ka marrë asnjë ndëshkim apo pengim në karrierën administrative.