8.6 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6885

Zafir Berisha tregon ca kujtime lufte, dhe ç’pa kur ishte në PDK-në e Thaçit

0

Deputeti i partisë NISMA për Kosovën, Zafir Berisha në një intervistë dhënë për portalin tesheshi.com flet për aktivitetin në ilegalitet gjatë viteve ’80 -’90, për aktivizimi e tij në UÇK dhe angazhimin në jetën politike. Tregon se çfarë mesazhi kishte përçuar veprimtari Ukshin Hoti në një tribunë politike të organizuar në vitin 1991. Ai në këtë intervistë shpreh edhe kritikat e tij për udhëheqjen e vendit nga Thaçi e Mustafa, tregon se si mund të zhbllokohet Kuvendi, derisa paralajmëron se zgjedhjet e parakohëshme janë në prag.

Që në fëmijëri i jeni përkushtuar çlirimit të vendit. Keni marrë pjesë në shumë ngjarje madhore në mbështetje të shtetësisë së vendit. Kur ishit 12 vjeç shkruajtët parullën Kosova Republikë. Na kujtoni pak atë kohë?

Në vitin 1981 isha fëmijë dhe, kur shpërthyen demostratat, vëllau i madh Shaniu ishte student dhe pjesëmarrës aktiv në ato demostrata.

Si fëmijë prej tij e ndëgjova fjalën Republikë dhe, pa qenë në dijeni shumë për rëndësinë, një natë gushti së bashku me një shok kam shkruar parullën Kosova Republikë.

Pas disa ditësh, në mëngjes herët familjen time e kishte rrethuar policia serbe. Nëna erdhi më lajmëroi se më kërkonin. Mbi 300 policë e kishin rrethuar lagjen për një fëmijë që isha unë në atë kohë për parullën që kisha shkruar.

Në pyetje me morën disa shqipfolës dhe nga pyetjet e kuptova se janë duke përcjellë vëllezërit pasi më bënin pyetje edhe për ta.

Nuk shkuan disa muaj, konkretisht më 13 tetor të vitit ‘81 sërish qindra policë rrethuan lagjen për të arrestuar dy vëllezërit, Shaniun dhe Sheradin, të cilët i dënuan me nga 3 vite burgim të rëndë të cilët i vuajtën në burgjet më famkeqe të ish-Jugasllavisë. Duke qenë dy vëllezërit në burg, në vitin 1983, vëllau i tretë Mujadini u dënua me 5 muaj burg, pasi në një tubim publik kishte djegur flamurin e Serbisë

Në shtator të vitit 1991 së bashku me vëllezërit tuaj organizuat tribunën politike me temën “Kosova, DJE SOT DHE NESËR”, ku foli edhe profesor Ukshin Hoti. Ju kujtohet çfarë mesazhi përçoi?

Në vitin 1984 tre vëllezërit u liruan nga burgu dhe së bashku vazhduam rrugën e çlirimit të vendit duke qenë pjesë e organizatave ilegale të cilat vepronin në Kosovë në atë kohë.

Unë me vëllain, Sheradinin organizuam një tryezë me titull “Kosova, DJE SOT DHE NESËR”, ku në mesin e disa veprimtarëve, padyshim kishim ftuar edhe profesor Ukshin Hotin, i cili dha mesazhe shumë të rëndësishme për qindra të pranishëm në xhaminë e fshatit Billushë. Mesazhi kryesor në atë kohë i profesor Hotit ishte që Kosova nuk çlirohet me fjalë dhe deklarata por me angazhim konkret, duke mos e përjashtuar as luftën e armatosur, mesazh ky shumë i qartë për të pranishmit në tryezë.

Në janar 1992, pasi forcat serbe sulmuan familjen legjendare Jasharaj në Prekaz, ju së bashku me shokët i siguruat kalimin ilegal në Shqipëri, Rifat Jasharit vëllait të madh të bacë Ademit. Sa ishte e vështirë ta bënit një gjë të tillë?

Përmes shokëve të ilegales me erdhi lajmi se duhet të përcjell një person të rëndësishëm për në Shqipëri i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të bie në duart e armikut. Si njeri i besuar që isha, unë shkova ta marrë personin në fjalë dhe e dërgova deri në Zhur, fshat afër kufirit. Në këtë vend më pas e kanë marrë në shoqërim disa shokë dhe e kanë kaluar ilegalisht në Shqipëri përmes bjeshkëve të Koritnikut. Normal, çdo lëvizje atëherë ishte me rreziqe të mëdha, mirëpo në asnjë moment nuk vinte në shprehje rreziku, sepse në pyetje ishte atdheu.

Pas ca viteve nisi edhe zyrtarisht mobilizimi i UÇK-së. Ju në atë kohë ishit në ilegalitet, ndodheshit në Gjermani. Kush ju tregoi për rrjedhat e fillimit të luftës në Kosovë, kur u inkuadruat dhe cili ishte roli juaj në hierarkinë e UÇK-së?

Unë dhe vëllezërit e mi ishim cak i policisë serbe, kështu në mënyrë ilegale për një kohë ikëm në perëndim. Atje kontaktuam me shumë veprimtarë që ishin të organizuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).

Në fund të vitit 1996 përmes vëllaut të madh, unë për herë të parë kontaktova me disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku kam marrë përsipër organizimin ushtarak në Komunën e Prizrenit.

Në janar të vitit 97-tës, udhëtova për në Shqipëri ku takova disa shokë që ishin në Kosovë nga edhe filluam organizimin e UÇK-së në rrethin e Prizrenit.

Gjatë kohës sa isha në Shqipëri bien në pritë të forcave serbe disa nga liderët e UÇK-së, Zahir Pajaziti me shokë dhe shumë ushtarë të tjerë arrestohen.

Këtu lindi edhe nevoja urgjente për përshpejtim të veprimeve ku në shtator të 97-tës. Me ndihmën e shokëve nga Kukësi, në veçanti të familjes Kovaqi dhe Dida, në Kosovë arritëm të fusim pesë kuaj armatim.

Shpërthimi i luftës frontale në Drenicë e gjen lagjen Tusuz të Prizrenit të rrethuar nga policia serbe, ku bien në burg disa shokë, në mesin e tyre edhe heroi Xhevat Berisha. Duke parë situatën e krijuar, unë filloj organizimin ushtarak në Prizren nga pika zero.

A keni takuar gjatë kohës së luftës Hashim Thaçin apo Kadri Veselin?

Gjatë luftës nuk i kam takuar as Thaçin e as Veselin. Para se me hy në Kosovë kam pasur kontakt me Xhavit Halitin, Azem Sylën, Fehmi Lladrovcin. Në Kosovë kam vepruar në rajonin e Prizrenit, por kam shkuar edhe në Drenicë për konsulta ku jam takuar me Sokol Bashotën dhe Bislim Zyrapin.

Ishit njëri nga themeluesit e PDK-së në Prizren. Pse u larguat nga kjo parti, cila ishte arsyeja kryesore?

Pas luftës kam menduar t’i kthehem jetës private si qyetar i thjeshtë sepse mendoja se kam kryer misionin tim për vendin. Por, meqenëse gjërat nuk shkuan si duhet, atëherë lindi edhe ideja që të inkuadrohem edhe në jetën politike, dhe ishte normale që të bëhem pjesë e PDK-së, pasi shumica e shokëve ishin në këtë parti.

Deri në vitin 2008 nuk kam vërejt shumë gjëra, por pas shpalljes së pavarësisë, pasi u bëra deputet i Kuvendit, isha më afër zhvillimeve politike dhe e vërejta se disa nga udhëheqësit e PDK-së kanë devijuar nga rruga dhe nuk ishin ata të dikurshmit, sepse ishin të verbuar nga interesat personale, andaj edhe vendosa të largohen nga PDK.

Të kthehemi tek aktualiteti politik në vend. Si e shihni zhbllokimin e Kuvendit? Si është të jesh deputet në një Kuvend jo funksional ku merren pagat dhe mëditjet pavarësisht se nuk mbahen seancat?

Opozita është duke vepruar në përputhje me Kushtetutën e vendit e cila po rrezikohet nga kampi qeveritar me marrëveshjet e dëmshme që po bën me Serbinë.

Dalja nga situata e krijuar në Kuvend është në dorë të qeverisë dhe kryeministrit Isa Mustafa, jo nga partitë opozitare që po e ruajnë funksionalitetin e shtetit. Pushteti duhet të tërhiqet nga marrëveshjet anti-kushtetuese.

Po udhëheq më mirë vendin kryeministri Mustafa apo ish-kryeministri Thaçi?

Janë e njëjta shkollë. Hashimi e ka filluar, Isa po e vazhdon. Jo rastësisht në raportet ndërkombëtare thuhet se qeveria aktuale është si ajo e drejtuar nga Hashimi, qeveri e korruptuar. Pra, kaosi po vazhdon njëjtë si PDK-në ashtu edhe me LDK-në.

Me cilin deputet keni më shumë miqësi, përmend një nga opozita dhe një nga pozita?

Hahaha (qesh). Nuk mundem ta veçoj, ndonjë sepse unë kam raporte të mira me të gjithë kolegët e mi.

Jeni kryetar i partisë “Bashkimi Demokratik”. A është partia e juaj e gatshme për zgjedhje të parakohshme?

Kurdo që të mbahen zgjedhjet jemi të gatshëm. Siç po shihet shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe do të jem pjesë aktive e fushatës elektorale.

Një pyetje për fund, është udhëhequr më mirë qyteti juaj Prizreni nga LDK apo nga PDK?

Nuk mund të dallohen shumë për keqqeverisjen asnjëra parti. Por PDK, kohëve të fundit e ka tepruar, sepse nga një subjekt politik ka kaluar në një bandë kriminale dhe këtë po dëshmojnë edhe arrestimet e kohëve të fundit që po ndodhin ndaj zyrtarëve politik të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Kapet shqiptari me 300 mijë stërlina në sirtarin e dollapit

0

Pas një hetimi disamujor, “National Crime Agency” sekuestroi në shtëpinë e një shqiptari në Londër 300 mijë e 500 stërlina, që i mbante në sirtarin e një dollapi rrobash.

Altin Nase, 41 vjeç, do të ndalohej me makinën që udhëtonte, nën dyshimin se transportonte drogë. Por oficerët e NCA-së gjetën një çantë sportive me 269 mijë stërlina.

Makina drejtohej nga bashkëpunëtori i Altin Nases, një shtetas algjerian i quajtur Shwan Abubaker, të cilit gjatë kontrollit të banesës iu gjetën 2.000 stërlina, si dhe dy kg kokainë me vlerë shitjeje në treg prej 440 mijë stërlinash.

Sipas policisë londineze, si pasojë e këtij investigimi u sekuestruan 626 mijë stërlina. Nase dhe Abubaker pranuan akuzat në gjykatën “Blackfriars Crown Court”, duke u dënuar në total me 9 vite e 8 muaj burg. /Top Channel

Çun Lajçi: Mos m’ngul kryqe bjeshkëve t’mia (Video)

0

Aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi, ka vazhduar atë që po e quan “lufta e tij për kufirin”.

Në një minutë e 26 sekonda ai ka bërë atë që di më së miri, aktrimin, për të shprehur gjithë kundërshtimin e tij me vijën kufitare të përcaktuar me marrëveshje mes Kosovës e Malit të Zi.

“Mos lasht Zoti pa t’marrue”, thotë Lajçi si nisje në vargjet e tij.

“Mos m’ngul kryqe bjeshkëve t’mia; mos mu sill si korb”, thotë ai në fund.

Për më tepër ndiqeni videon:

Poeti Pablo Neruda mund të jetë vrarë!

0

Qeveria kiliane ka konfirmuar se ka një mundësi që poeti dhe mbajtësi i Çmimit Nobel për letërsi Pablo Neruda është vrarë fill pas grushtit ushtarak të vitit 1973, e cila solli në pushtet gjeneralin Augusto Pinochet.

Njoftimi, i cili është dhënë pas disa njoftimesh gazete, sipas të cilit Neruda s’vdiq nga kanceri, konfirmoi tekstin e dokumentit fillestar e cila është përcjellë fillimisht nga gazeta spanjolle “Pais”.

“Është e qartë se kjo është e mundur dhe ka shumë gjasa që një palë e tretë është përgjegjëse për vdekjen e Pablo Neruda”, thuhet në dokument.

Autoritetet pohuan megjithatë se ekspertët janë duke hetuar rastin por nuk kanë ardhur ende në një përfundim definitiv. Neruda, i cili në vitin 1971 fitoi Çmimin Nobel për letërsi, është i njohur mirë për poezitë e tij të dashurisë.

Ai njihet si politikan i krahut të majtë dhe diplomat dhe mik i ngushtë i presidentit socialist Salvador Allende, i cili vrau veten në mënyrë që të mos binte në duart e atyre që kryen grusht shteti ushtarak më 11 shtator 1973, të udhëhequr nga gjenerali Pinochet.

Neruda, i cili në atë kohë ishte 69 vjeç dhe që pretendohej se vuante nga kanceri i prostatës, kishte planifikuar të shkonte në eksil, por një ditë para nisjes së planifikuar është transportuar me ambulancë në klinikën Santa Maria, ku ai u trajtua për kancer.

Sipas versionit zyrtar, Neruda vdiq në spital më 23 shtator, nga shkaqe natyrore.

Prizren: Paraburgoset personi që sulmoi familjarët

0

Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit B.M. nga Prizreni. Ai dyshohet se ka kryer veprat penale: sulmi, kanosje dhe shkelje të detyrimeve familjare.

“I pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 12.11.2015 dhe do të zgjasë deri me datën 12.12.2015”, bën të ditur zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, se me datën 11.11.2015 në shtëpinë e tij familjare nën ndikimin e alkoolit, i ka detyruar anëtarët e tjerë të familjes natën që të dalin jashtë në oborr duke iu mbyllur derën dhe ti pamundësoj që të hynë në shtëpi”, thotë Kicaj. /PrizrenPress.com

Romeo shqiptar dhe Zhulieta serbe

0

Me një shqiptar të Kosovës që luan Romeon dhe një serbe që luan Zhulietën, kjo kryevepër klasike e Shekspirit, e vënë në skenë nga regjisori Pedrag Miki Manojloviç, ka për qëllim të sjellë më pranë Beogradin dhe Prishtinën.

Vënia në skenë e Manojloviçit e “Romeos dhe Zhulietës” do të shfaqet për herë të dytë në Beograd në Teatrin Kombëtar të Beogradit nga 13-15 nëntor dhe regjisori beson se kjo vepër tashmë e ka bërë një ndryshim.

“Jam i sigurt se do të ndërtojmë një urë midis jush në Beograd që patë veprën dhe e pëlqyet dhe dikujt në Prishin që gjithashtu e pa dhe e pëlqeu,” tha për BIRN Manojloviç, i cili është gjithashtu një aktor i njohur serb.

Në shfaqje luajnë edhe aktorë shqiptarë të Kosovës që luajnë Romeon dhe Montagin dhe aktorë serbë që luajnë Zhulietën dhe kapuletët.

Ajo performohet në gjuhën serbe dhe shqiptare, me disa pjesë të shkurtra në anglisht, por pa përkthim.

Kjo është për të treguar se aktorët dhe anëtarët e të dy komuniteteve “mund ta kuptojnë shumë mirë njëri-tjetrin” pavarësisht pengesave gjuhësore, shpjegoi Manojloviç.

Një prodhim i përbashkët nga “Radionica Integracije” me bazë në Beograd dhe “Qendra Multimedia” e Prishtinës, e pati premierën e saj në teatrot kombëtarë serbe dhe kosovare respektivisht në prill dhe maj.

Ishte gjithashtu e rëndësishme se aktorë të mirënjohur nga të dy komunitetet punuan bashkë, u shpreh Manojloviç.

“Nuk e mbaj mend herën e fundit që gjuha shqipe u dëgjua në skenën e teatrove më të mëdhenj në Beograd,” vëzhgoi ai.

16 vjet pas luftës, marrëdhëniet midis dy vendeve mbeten ende të trazuara, me Beogradin që refuzon të pranojë pavarësinë e Prishtinës, të shpallur në vitin 2008.

Por ka pasur një sërë përpjekjesh për të rivendosur urat kulturore midis Kosovës dhe Serbisë.

Një prej tyre është e përvitshmja “Mirdita, Dobar Dan” (që do të thotë “mirëdita në gjuhën shqipe dhe serbe) e cila sjell filma shqiptarë të Kosovës, ekspozita dhe koncerte në Beograd.

Megjithatë, Manojloviç e pranoi se ai ishte paksa në ankth për mënyrën se si do të shkonte premiera në Beograd dhe Prishtinë.

Ai tha se kishte frikë se grupe të krahut të djathtë mund të përpiqeshin të organizonin trazira, por në fund gjithçka shkoi mirë.

I vetmi incident i vogël ka ndodhur para teatrit të Prishtinës, ku dikush vendosi një banderolë ku shkruhej se aktorët serb nuk ishin të mirëpritur atje, por e cila u hoq menjëherë pak më vonë.

“Ka njerëz që ndërtojnë vazhdimisht ura, e bëjnë vërtet këtë gjë. Më pas vjen një idiot, shpërthen lufta dhe ata shkatërrojnë gjithçka,” tha Manojloviç.

Por vepra ia doli mbanë të bashkonte dy komunitetet, edhe pse për pak kohë, këmbënguli ai.

“Mendimi im është se për se një orë e 52 minuta, që është edhe kohëzgjatja e veprës deri te duartrokitjet, ajo shuan definitivish kufijtë. Atë që ndodh pas shfaqjes, nuk e di,” tha ai.

Në muajt e ardhshëm, “Romeo dhe Zhulieta” e Manojloviçit do të shfaqet gjithashtu në teatrot në Prishtinë, Sarajevë, Tiranë dhe Zagreb.

“Ajo do të vihet gjithashtu në skenë në Kosovë ku jetojnë serbë, por gjithashtu në vende ku nuk ka serbë,” shtoi regjisori.

Është duke u realizuar gjithashtu një dokumentar mbi procesin e vënies në skenë të “Romeos dhe Zhulietës” me aktorë serbë dhe shqiptarë të Kosovës, i cili do t’u ofrohet kompanive televizive në të gjithë rajonin.

“Ne do ta realizojmë dhe do t’ia ofrojmë të gjithëve,” tha Manojloviç. “Kushdo që e pëlqen, do ta transmetojë. Ata që s’e pëlqejnë, s’kanë pse ta transmetojnë.” /BIRN

Ymeri: Thaçi përgjegjës për UNESCO

0

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një deklaratë të tij të publikuar në Facebook, ka bërë përgjegjës Zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi për dështimin e Kosovës në UNESCO.

Kështu, ai u është përgjigjur akuzave të Thaçit – i cili një ditë më parë ka thënë se fajtore për këtë çështje ishte Serbia em fushatë anti-europiane dhe Opozita e Kosovës që shpërndau pamje me gaz lotsjellës në Kuvend.

Ky është shkrimi i plotë i Ymerit:

Dështimi për t’u anëtarësuar në UNESCO do të na ndjekë, neve si shtet, për një kohë të gjatë. Përgjegjësia e drejtpërdrejtë politike bie mbi Hashim Thaçin, tash ministër i jashtëm e më parë kryeministër i Republikës.

Ka shumë faktorë që e kanë kushtëzuar këtë dështim. Por kryesori nga ta lidhet me Hashim Thaçin, me paaftësinë, sharlatanizmin e ambicien e tij të sëmurë personale.

Dështimi për sigurimin e votave madje edhe të shteteve që na kanë njohur nuk do koment. Aq më i rëndë është fakti kur 3 vende, Japonia, Polonia e Koreja e Jugut, të cilat abstenuan, janë njëkohësisht shtete të cilat nuk kanë nguruar fare ta njohin Kosovën dhe në të cilat ndikimi diplomatik i ShBA-ve është jashtëzakonisht i madh. Si dështoi Thaçi t’i sigurojë të paktën këto vota PËR? Apo edhe këto na qenkan vende diktatoriale!?

Procesi nuk duket të ketë qenë i mbështetur, ashtu siç po thuhet, nga shtetet e Quintit që nga fillimi i tij.

Fushata ka qenë e orientuar kah diplomacia publike e jo kah ajo klasike, për qëllime promovimi personal të Hashim Thaçit e Petrit Selimit, e që rezultoi në fund me disfatë të madhe. Ajo është udhëhequr si ndërmarrje private e Hashim Thaçit. Ndërkohë që tash dështimin po do t’ia faturojë tërë Republikës së Kosovës.

Fushata e Hashim Thaçit e Petrit Selimit nuk e ka respektuar fare parimin e konfindencialitetit dhe heshtjes duke bërë shumë bujë e tepër shumë reklamë personale nëpër rrjetet sociale e faqen e internetit të MPJ-së, gjë që e ka dëmtuar shumë procesin e lobimit.

Hashim Thaçi është sjellur karshi konferencës së UNESCO-s sikur aty shefa të shefave të ishin Adem Grabovci e Ismet Beqiri, të cilët i “sjellë e i pshtjellë”. Por ja që kjo sjellje e pshtjellje e Hashim Thaçit po i kushton shumë shtrenjtë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të kësaj Republike.

Nuk mund të shpëtohet edhe Thaçi edhe Republika. Ne duhet ta shpëtojmë Republikën. Prandaj Thaçi duhet të dorëhiqet.

Shkelet me veturë një këmbësore në Rahovec

0

Një këmbësore është goditur me veturë në Rahovec.

Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe e njëjta është dërguar në QKUK-Prishtinë për tretman mjekësor

Policia bën të ditur se ka arrestuar të dyshuarin.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Tre persona arrestohen në Rahovec

0

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Rahovec. Arrestimet janë bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

I arrestuari në qytetin e Rahovecit është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Prizrenit, kurse i arrestuari në fshatin Krushë është dërguar në burgun e Dubravës.

Arrestimi i tretë është bërë në PKK Vërmicë. I njëjti është dërguar në mbajtje në stacionin policor të Gjakovës. /PrizrenPress.com

‘Transparenca’ e shqetësuar për gjendjen e arsimit në Prizren

0

Forumi “Transparenca” me vëmendje dhe shqetësim ka ndjekur zhvillimet e fundit në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren, të cilat pothuajse kanë karakterizuar këtë vit, ndërsa tashmë janë përcjellë edhe me arrestime, burgosje, lirim dhe zëvendësime, siç është thënë të përkohshme, në njërin nga sektorët më të rëndësishëm komunal, prej të cilit varet jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja e vendit.

“Parregullsitë e skandalet e përfolura prej kohësh, të përcjella së fundi edhe me burgosje janë alarm se në këtë sektor duhet një intervenim serioz, jo vetëm nga qeveria lokale, por pas kësaj situate, edhe nga vetë Ministria e Arsimit e cila nuk duhet të rrijë duarkryq duke bërë sehir”, thuhet në reagim.

“Burgosja e pothuajse tërë personelit të Drejtorisë së Arsimit, si dhe për më keq edhe përfoljet e shumta, edhe për keqpërdorime të tjera në këtë fushë (disa prej të cilave të paraqitura edhe në raportet e auditimit të brendshëm e jashtëm) janë mëse të mjaftueshme për të treguar se është koha e fundit që Kryetari i Komunës, Ramadan Muja dhe qeveria lokale të ndërhyjë, për ta kthyer këtë sektor të ndjeshëm në binarët normal. Intervenimin sa më urgjent e bëjnë të domosdoshëm edhe dyshimet, se pos DKA-së keqpërdorimet janë shtrirë edhe tek disa drejtor shkollash, të cilët disa herë janë paraqitur në organet e drejtësisë”.

Forumi “Transparenca” shpreh habinë se si kryetari Muja, i cili jetën e ka kaluar në arsim i ka mbyllur sytë para kësaj gjendjeje, duke lejuar deri në këtë masë degradimin e arsimit, e duke lejuar që Prizreni i cili ka qenë shembull për të mirë edhe gjatë funksionimit para luftës, nëpër shtëpitë-shkolla, tashmë të kthehet në një shembull të keq, me një imazh negativ në vend. Padyshim që kjo gjendje, do të ketë pasoja, përfshirë edhe dekonspirimin, jo vetëm tek personeli arsimor, por edhe tek vet nxënësit dhe ata që janë të lidhur me arsimin.

“Kryetarit Muja i kërkojmë ndërhyrjen, jo në shkallën që të “suspenduarit” t’i zëvendësoi me familjarë të tij, por me ata që e njohin dhe duan arsimin dhe që reflektojnë, për ta tejkaluar sa më parë situatën e krijuar”.

“Po ashtu kërkojmë edhe nga PDK në pushtet që të kontribuojë për të dalë sa më parë nga kjo gjendje, pasi ky subjekt edhe ka përgjegjësinë para qytetarëve. Duke qenë të vetëdijshëm se PDK, udhëheqjen e sektorit të arsimit ia beson njerëzve të vet, atëherë për interesin e qytetarëve dhe të brezit të rinj kërkojmë që në këtë pozitë të dërgoi kuadrot e saj më të dëshmuara, e jo vetëm militantë partiak dhe servil, të cilët do ta katandisin edhe më tej edukimin prizrenas”.

“Me këtë rast shprehim edhe shqetësimin se njëri nga zyrtarët e arrestuar Reshit Kushaj, njëherësh është edhe në udhëheqjen komunale të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Konsiderojmë se SBASHK-u nuk duhet të hesht rreth kësaj çështjeje”, thuhet në reagim.

Forumi “Transparenca” po ashtu përkrah edhe nismën e organeve të drejtësisë në Prizren dhe kërkon edhe këmbëngultësinë e tyre në zbatim të ligjit për të mos lejuar që arsimi prizrenas të shndërrohet në një lëmsh, të cilit askush s’mund t’ia gjej fijen. /PrizrenPress.com