13 C
Prizren
E mërkurë, 8 Prill, 2026
Home Blog Page 6903

Zhbogari propozon dialog mes palëve

0

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i ka kritikuar subjektet politike opozitare për mospjesëmarrjen e tyre gjatë votimit për ratifikimin e MSA-së.

Ai ka thënë se hedhja e gazit lotsjellës dhe shisheve në Kuvendin e Kosovës janë veprime që nuk përputhen me demokracinë.

Zhbogari në takim e djeshëm me Komisionin për Integrime Evropiane, ka thënë se ekziston nevoja të mbahet një dialog politik mes palëve, që debati të kthehet në Kuvend dhe të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për asociacionin e komunave me shumicë serbe. /Epoka e re

SHBA dhe Kosova në garë për vende në UNESCO

0

SHBA dhe Kosova po zhvillojnë garë për vende në UNESCO, SHBA për të ruajtur vendin e saj në Bordin Ekzekutiv, ndërkaq Kosova për t’u bërë anëtare, pas futjes në agjendë me votë të Bordit Ekzekutiv dy javë më parë. Vendimi merret deri më 10 nëntor në sesionin e 36-të me radhë që po i zhvillon punimet në Paris.

Për ruajtjen e vendit të SHBA në Bordin Ekzekutiv është angazhuar drejtpërdrejt edhe sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. SHBA presin se do të ketë rezistencë për rizgjedhje të saj edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Washingtoni nuk ka paguar detyrimet e anëtarësisë tash katër vjet dhe që nga nëntori 2013 ka humbur të drejtën e votës në Konferencën e Përgjithshme.

Deri më 2011 SHBA paguante rreth 22 për qind të të gjithë buxhetit të UNESCO-s, mirëpo në bazë të ligjeve amerikane në fuqi ndalohet kontributi në organizatat ndërkombëtare nëse ato e kanë njohur shtetësinë e Palestinës. Detyrimet e papaguara të anëtarësisë arrijnë në rreth 300 milionë dollarë.

Kryediplomati Kerry ka deklaruar se Washingtoni është i vendosur që të zgjidhë çështjen e financimit dhe se prania e mëtutjeshme në Bordin Ekzekutiv do ta bëjë më të lehtë bindjen e ligjvënësve për arritjen e një marrëveshje.

“Ne po kërkojmë rizgjedhjen në bordin ekzekutiv, sepse besojmë të dyja edhe SHBA dhe UNESCO do të jenë më mirë,” ka thënë Kerry. Ai ka shtuar se bashkë me presidentin Obama po punojnë me ish kolegët në Kongres që të rivendosin financimin.

“Dhe derisa secili prej jush e konsideron të ardhmen e UNESCO-s dhe udhëheqjen e saj, kërkoj nga ju dhe ju lutem ta shqyrtoni edhe kërkesën e SHBA,” ka thënë Sekretari Kerry.

Në anën tjetër votimi mbi anëtarësimin e Kosovës pritet të mbahet më 9 nëntor ku do të marrin pjesë udhëheqës të shumë vendeve botërore. SHBA, ndonëse pa të drejt vote, hapur ka lobuar tek shumë vende për pranimin e Kosovës në këtë organizatë të specializuar të Kombeve të Bashkuara. /RTK

PDK në Prizren: Organet e drejtësisë të veprojnë paanshëm

0

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren ka kërkuar sot nga Prokuroria që të mos zbeh partneritetin e bashkëpunimit me arrestime.

“PDK në Prizren, inkurajon organet e pavarura dhe të paanshme gjyqësore, që të mos lënë hapësirë të nxitjes për motive politike në procesin e arrestimit të zyrtarëve të DKA-së”, thuhet në komunikatën e PDK-së në Prizren.

“PDK dega në Prizren, njofton opinionin se përkushtohet për implementimin e programit politik të koalicionit qeverisës në Komunën e Prizrenit, për arsim cilësor dhe ndërtim të sistemit arsimor në nivelin më të lartë Europian”.

“PDK në Prizren, kërkon nga Prokuroria e Shtetit, që të jetë partnere e shtetëndërtimit dhe përpjekjeve të qeverisë komunale për politika të shëndosha për arsim cilësor, e mos ta zëvendësoj dhe mos ta zbeh me arrestime dhe ndalime mediale të zyrtarëve komunal, por me çasje profesionale të zbardh të gjitha dilemat, dhe të bëjë ndarjen e veprimeve administrative e ligjore mbi sistemin arsimor”.

“Drejtori dhe zyrtarët e DKA-së, kanë qenë bashkëpunues me organet hetuese gjatë gjithë proceseve”.

“PDK, mbështet Kryetarin e Komunës që DKA-ja, të jetë në shërbim të plotë të nxënësve, mësimdhënësve , prindërve dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit”. /PrizrenPress.com/

Takim përkujtimor për poetin Abdullah Thaçi

0

Biblioteka Ndërkomunale në Prizren së bashku me Redaksinë e Revistës “Fidani” organizojnë një takim përkujtimor për poetin Abdullah Thaçin.

Taskimi përkujtimor mbahet sot në ora 17:00 në Qendrën kulturore “Evropa” në Prizren. /PrizrenPress.com

LDK-ja në Dragash kërkon arrestimin e drejtorit të Arsimit

0

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Dragash kërkon nga organet e drejtësisë që të veprojë edhe ndaj drejtorit të Arsimit të këtij qyteti Hajri Ramadani. Sipas këtij subjekti politik, Ramadani ka keqpërdorë detyrën zyrtare.

“Nuk është vetëm Drejtori i DKA-së në Prizren ndaj të cilit është lëshuar fletëarrest për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të së drejtës në punësim. Edhe ndaj drejtorit të DKA-së në Dragash tashmë ekziston një aktakuzë e ngritur dhe është duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda pranë gjykatës themelore në Prizren për keqpërdorim të pozitës zyrtare së bashku me drejtorin e gjimnazit të Dragashit”, thuhet në reagimin e LDK-së në Dragash.

“Përveç një aktakuze të ngritur ndaj tij dhe disa zyrtareve tjerë të DKA-së në Dragash ka edhe disa kallëzime penale të paraqitura në Polici dhe në Prokurorinë Themelore në Dragash për vepër penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe cenim të së drejtës në punësim”.

“Punësimet partiake the familjare tashmë janë bërë trend në komunën e Dragashit, dhe thuajse deri më tash institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit kanë heshtur ndaj këtyre keqpërdorimeve. Kohëve të fundit kemi parë një shtim të efikasitetit të mekanizmave të sundimit të ligjit siç janë policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, duke vepruar në kohë në trajtimin e shkeljeve të bëra nga Drejtoori i DKA-së së bashku me bashkëpunëtoret e tij”.

“Që nga viti 2010 filloi një trend i tillë, kur në mënyrë masovike u larguan nga puna në procesin arsimor arsimtarë dhe profesor të cilët punuan me dhjetëra vite në arsim, me pretendimin e atëherë të kryetarit të Komunës së nuk kanë përgatitje adekuate, dhe se kandidatet e pranuar në gjimnaz, sidomos për Informatikë dhe Gjuhë Angleze kanë përgatitje adekuate”.

“Më pas, gjegjësisht pas dy vitesh, disa nga kandidatet e pranuar si “adekuatë”, kur nuk u përshtaten urdhrave të pushtetarëve, më mirë me thënë kur nuk u benë servil të tyre, dolën se janë jo adekuat dhe u larguan nga puna, për tu marr përsëri kandidat jo adekuat, por tash që duhet të jenë të dëgjueshëm për pushtetin”.

“Keqpërdorimet jo që janë ndalur, por tashmë vetëm sa janë shtuar. Ketë vit në komunën e Dragashit, akoma vazhdojnë të ligjërojnë në gjimnaz dhe në shkollat fillore profesor dhe mësues me shkollë të mesme, edhe pse ka dhjetëra kandidatë me diploma që bredhin rrugëve”.

“Madje ka pasur rast kur në një konkurs kanë kandiduar një kandidatë me fakultet adekuat dhe një tjetër me shkollë të mesme, dhe është pranua ai me shkollë të mesme. Kemi raste kur janë manipuluar edhe vitet e përvojës së punës dhe procesverbalet, vetëm e vetëm për ti eliminuar kandidatet të cilët nuk i përshtaten vijës së pushtetit. Ne do të ofrojmë edhe fakte për këto parregullsi, por këtë do e bëjmë më vonë, ngase janë duke u gjykuar këto shkelje, dhe janë duke u zhvilluar hetime në prokurorinë themelore në Prizren gjithashtu edhe në gjykatën komunale në Dragash, palët kanë iniciuar padi”.

“Ne besojmë dhe shpresojmë thellë se institucionet e drejtësisë do të veprojnë drejtë dhe do të vendosin drejtësinë dhe do ti ndalin këto keqpërdorime që po i bënë DKA në Dragash, ashtu siç veproi drejtë në të shumtën duke arrestuar keqpërdoruesit e pozitave zyrtare në DKA-në e Prizrenit”. /PrizrenPress.com/

Greqia kryen zhvendosjen e parë të azilkërkuesve

0

Greqia ka kryer zhvendosjen e parë të azilkërkuesve nga territori i saj drejt Luksemburgut, si pjesë e një plani të miratuar nga BE-ja dhe të financuar me 780 milionë euro për dy vjet, për të lehtësuar barrën e shteteve të përmbytura nga fluksi i qindra e mijëra refugjatëve përgjatë këtij viti, të cilët kanë mbërritur nga zonat e nxehta të Lindjes së Mesme.

Duke përcjellë bashkë me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Aselborn, dhe komisionerin europian për Emigracionin Dhimitris Avramopoulos, gjashtë familje nga Siria dhe Iraku në aeroportin e Athinës, Tsipras ka theksuar se ky transferim është vetëm një pikë uji në oqean, por që shpresohet të bëhet një lumë humanizmi dhe përgjegjësie të përbashkët, sipas parimeve mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.

Gjithsej 86 persona janë transferuar deri tani direkt drejt Italisë, Suedisë dhe Finlandës në bazë të skemës. Në shtator, BE-ja miratoi transferimin e rreth 160 000 azilkërkuesve nga shtetet anëtare të prekura drejtpërdrejt nga kriza, ndërkohë që prej janarit të këtij viti, mbi 580 000 refugjatë kanë hyrë në Greqi përmes kufirit të saj detar me Turqinë. Në këtë përpjekje, mbi 435 vetë kanë humbur jetën dhe sipas kryeministrit grekm i cili pritet të vizitojë Ankaranë së shpejti, një rrezik i tillë mund të shmanget vetëm nëse refugjatët regjistrohen dhe transferohen në Europë drejtpërdrejt nga Turqia.

Duke pasur në sfond fotografinë që ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, me tre gjyshe nga ishulli i Lesbos që ushqejnë një foshnje nga Siria, Tsipras dhe kreu i PE-së, Martin Shultz, i cili po viziton Greqinë, kanë theksuar se kjo është fytyra e vërtetë e Unionit dhe jo ajo e një Europe që ndërton mure dhe ngre gardhe me tela me gjemba.

“Do të rrisim numrin e refugjatëve që ikin nga Greqia drejt Europës. 28 shtetet anëtare duhet të marrin përsipër një ndarje të drejtë të tyre”, ka theksuar Martin Shultz, ndërsa kryeministri i Luksemburgut, Jean Aselborn, ka theksuar se e ardhmja e Europës varet nga zgjidhja e krizës së refugjatëve./TCH

Seks jashtëmartesor, ekzekutohet me gurë e reja afgane

0

Një vajzë e re afgane është ekzekutuar duke u goditur me gurë, pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me të dashurin e saj, duke mos qenë e martuar me të.

Një video 30-sekondëshe e ekzekutimit brutal është postuar “online” dhe aty shihet vajza e futur në një gropë, e rrethuar nga burra të cilët e godasin me gurë.

I dashuri i saj ia hodhi vetëm me fshikullime kamzhiku.

Agjencia e lajmeve Tolo raporton se ky ekzekutim ka ndodhur rreth një javë më parë në Firozkoh, në kryeqytetin e provincës Ghor, zonë e kontrolluar nga talebanët.

Mizoria e enverizmit

0

Një ngjarje e gushtit 1948 zbulon deri në imtësi se çfarë torturash fizike e mendore bënin shefat e sigurimit në qelitë e hetuesisë. Rasti është i një nëntogeri, efektiv ushtarak, i cili ishte arrestuar befas në Pogradec, me akuzën për vepra armiqësore kundër pushtetit popullor. Pasi akuzat nuk ishin vërtetuar, ai ishte liruar nga burgu dhe pas kësaj shkruan një relacion me gjithë detajet e torturave që kishin ushtruar mbi të dy punonjësit e Sigurimit – Kapiten T. B. dhe N/Toger Sh. K., ku ai veçon si kulmin më të padurueshëm momentin kur torturuesi i thotë se do t’i sjellë në mbrëmje gruan dhe do ta përdhunojë në sytë e tij.

E njëjta ngjarje raportohet edhe nga majori SH.P., duke kërkuar që të hetohet ngjarja. Në të dy dokumentet, fraza që lidhet me kërcënimin për përdhunimin e bashkëshortes së të akuzuarit, nënvizohet me vijë të dukshme, duke lënë të nënkuptohet se ai ishte një akt i patolerueshëm, madje më shumë se torturat çnjerëzore si mbajtja varur për ditë të tëra pa ushqim e pa ujë. Për shkak të çështjes thellësisht intime, të gjithë emrat e përmendurve në këto dy dokumente vijnë me iniciale.

Më poshtë lexoni pjesë nga dokumentet ku rrëfehet dhuna në dhomat e hetuesisë:

RELACJONE

LANDA: Mbi vëmendjen në dijeni rreth arrestimit dhe vuajtjeve të mija.
Me rastin e daljes nga burgu Unë i nënshkruari N/Toger K. Z. efektiv i Zyrës Ushtarake Pukë ju paraqes këtë Relacjon.

Më 10 gusht 1948 unë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit Pogradec dhe mbranda 24 orëve më nisën për Tiranë, i lidhur me hekura dhe me uniformën si oficer i shoqruar nga dy policë me nji kamjon që ishte mbushur plotë me civila, para se të nisesha propozoj N/Toger L.Rr ish-oficer i Sigurimit Pogradec që të heq uniformën si oficer ose të paktën spaletat, por aj m’u përgjegj (Jo). Kur mbrita në Tiranë ju propozoj të di, se pse jam arestuar mbasi në të vërtetën arestimi i jem asht bërë krejt i pa drejtë dhe pa asnji fakt, por nuk prauan në asnji mënyrë shokët e Sigurimit.

Mbrenda 5 ditve i shoqruar më nisën për në Shkodër dhe me shpunë në nji birucë ngushtë, ku prej asaj dite filluan të më bëshin torturat çnjerëzore.

Me datën 15 gusht 1948 më marrin në pytje kapiten T.B. dhe N/Toger Sh. K. të cilët më thanë: Trego aktivitetin tënd kundër pushtetit dhe me çë njerëz njifesh mbasi neve kemi fakte të gjalla për ti si anti pushtet, për nji herë mbasi unë nuk kisha se çë farë t’u thonja pse nuk kisha bër ndonji vepër për kundra pushtetit u a dhash përgjegjen: Nuk kam bërë asgjë kundra pushtetit dhe as që kam pas ndërmend të bëj dhe ju lutemi më hidhni në gjygj mbasi atje pozita e ime do të skjarohet ku pastaj dhe ju do të bindeni me fakte se unë jam i pa fajshëm.

Pa pritur dhe të zemruar u dhanë urdhër rojeve: çojeni në burg dhe e lini në këmbë dhe lidhur për deri sa t’i vij mendja e të tregoj. Në këtë gjendje tortura më bënë 7 ditë e 7 netë ku ma në fund nga lodhja e tepërt filloj tue rrjedhë gjaku nga kambët e mija. Gjatë kësaj perjudhe më merrnin në pytje në mes të natës dhe gjithmon po nji fjalë më flisnin: Trego aktivitetin tënd kundra pushtetit, mbasi nuk kishin fakte të sigurta për se të më akuzonin për të tjera.

Gjatë këtyre shtat ditve me tortura e kërcnime dhe sharje u munduan që unë të mbush perçezin ashtu si e donin ata, por kjo u doli bosh krejtësisht dhe mbasi u dulën bosh akuzat pregatitën nji organizim me inisjativën e N/Toger Sh. K. që të më vrasin, se gjoja unë kam tentuar të hiki nga burgu. Me datën 22/8/1949 në orën 2 pas dreke i trullosun nga torturat dhe isha nde për çimente, po ndëgjoj nji za (Kush ti bije, unë apo ti).

Me të ndigjuar këtë za çohem dhe i ve nji rogoz derës dhe po qëndroj në nji qoshe të murit tue shikuar me vrejtje ngjarjen që do të zhvillohej, nuk vonoj shumë polici që ishte roje fut revolen për birucë e drejton mirë drejt meje për fat të mirë revolveri nuk shkrepi, mbasi nuk i ndezi fisheku i revolverit rëmbijen me nji herë automatikun, atëher tue parë vehten me nji rezik thirra me nji za të tmeruar, ku në atë kohë ndigjoj kapiten L. Z. Shefi i Seksjonit të Qytetit Shkodrës, i cili erdhi dhe më tërhoqi nga ai burg dhe më dërgoj në nji birucë pranë Seksjonit Punve të Mbrendshme të qytetit Shkodër…

Po në mbramje të kësaj darke në mes të natës më mori në dhomën e proçedimit N/Toger Sh. K. dhe më rrifte tue më thanë pse bërtite dhe pse i the Kapiten L. Z., i thash pse donin të më vrisnin, po duhet të jesh i sigurtë se shpëtove nga plumbi po do vdesësh në litar dhe në atë orë më shpuri në podrume dhe më lidhi duart mbrapa nga ana tjetër më lidhi me nji litar nën sjetullat dhe më varën tue ngritur nga toka dy pllëmbë jo për të vdekur po për të më torturuar rëndë. Kjo torturë e këtillë ka vazhduar për 19 dit me radhë varem në trarin e podrumit pa bukë e pa ujë dhe pa asgjë cderi sa më në fund e kisha humbur gjukimin tem dhe nuk merrja vesh gja mbasi po rrithte gjaku vijë nga goja dhe në momentin e prisja vdekjen teme.

Mbasi kisha qëndruar nji kohë të gjatë kështu më kishin zgjidh nga ku isha varur dhe më kishin ul për tokë por unë nuk kuptojsha asgjë se çfarë po bahej, vetëm mbas dy tri ditësh fillova të bije ndër mendë ma në fund akuzonin se unë kam patur lidhje me Nako Spiron dhe Mehmet Shehun se gjoja i kam favorizuar në qëndrimin e tyre në lidhje me këto akuza bazoshin se gruaja e ime ka miqësi me familjen e Nako Spiros dhe për Mehmet Shehun me pytshin se si i ka punët dhe si e mendon ti qëndrimin e tij. Unë ju thashë se nuk më mbushet mendja se Mehmeti të ketë qenë i atillë gjithashtu dhe për Nako Spiron u thash nuk e njoh…

Nuk mund të qëndroj pa ju vënë në dijeni për torturat dhe e ndjej për detyrë si një komunist i vërtetë që këtë vepër të disa personave të poshtë shënuar me ja thanë Partis dhe që Partija mendoj që këta shokë t’i kontrolloj. Emrat e personave për veprat e tyre shnjerzore Kapiten T.B., N/Toger Sh. K. dhe për këtë detyrohem të tregoj nji vepër e cila më ka revoltuar shumë pse më datën 3 shtator N/Toger Sh. K. më merr në dhomën e proçedimeve dhe më thotë: çfarë gjëra ushtarake ke në shpi. Unë i thashë: shko në shpinë time kontrollo dhe pyt gruan time e cila do t’ju tregoj të vërtetën pse dhe ajo asht antare Partije.

Mirë po N/Toger Sh. K. më përgjigjet: pse dhe gruan antare Partije e ke, prite se nesër mbrama do ta sjell këtu dhe ju do t’i mbani kokën dhe un do t’i mbledh kambët. Gjatë gjithë vuajtjeve e torturave kjo ka qenë vepra më shnjerzore për nji komunist dhe me gjithë se unë më vjen turp me shkruajt por nuk mundem të qëndroj pa e thënë mbasi më duket nji barrë e madhe në kurriz…

ME NDERIME ANTARI I PARTIS PUNËS SHQIPTARE

N/Toger (K. Z.)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

TIRANË

Nr. 3375 Prot.Lënda: Mbi sjelljet e këqija të N/Toger Sha.K.SHEFIT TË SEKSIONIT TË PUNËVE TË BRENDSHME

LUSHNJEInformohemi se në datën 10 gusht 1948, në Kampin e Pushimit të Oficerëve në Pogradec, është arrestuar N/Toger K. Z., i cili u përcoll për në Seksionin e Sigurimit – Shkodër, dhe atje u mor në procedim prej Kapiten T. B. dhe N/Toger Sh. K. të cilët e akuzonin për veprimtari grupazhi dhe antipushtet.

N/Togeri në fjalë është torturuar për 40 ditë rresht prej Sh. K. 9 ditë pa bukë, 20 ditë i varur në trarët e burgut dhe më në fund Sh. u jep urdhër dy policëve dhe një tetari për ta pushkatuar me pretekstin se tentoi të arratisej, por policëve nuk u ndezi revolveri dhe mandej marrin automatikët, kështu që i akuzuari në këto momente ulërin nga frika dhe vjen Kapiten H. Z., i cili e shpëton nga ekzekutimi.

Në datën 2 shtator shkon N/Toger Sh. dhe mbasi e rimerr në procedim N/Toger K. Z. e pyet se çfarë sendesh ushtarake ka në shtëpi, dhe i arrestuari i përgjigjet se juve shkoni dhe kontrolloni shtëpinë time, mbasi atje është gruaja e cila është dhe anëtare partie, mirëpo Sh. i thotë se e paske dhe anëtare partie gruan, të cilën në mbrëmje do ta sjell unë këtu dhe ti t’i mbash kokën e unë t’i ngre këmbët.

Përveç këtyre i përmenduri në shtëpinë e të arrestuarit ka marrë dhe këto plaçka: 1 palë spaleta, i kapele 1 rrip oficeri, 1 revole parabel, 1 nagant, 1 pushkë gjerman dhe gjithë librat që kishte në shtëpi.

Prandaj, për sa më sipër të pyetet N/Toger Sh. K. dhe me anën e një relacioni shkoqitës të përgjigjet për të gjitha akuzat që përmban kjo shkresë duke ia përshtatur realitetit.

Përfundimi pritet i shpejtë. KRYETARI I DEGËS SË KUADRIT

MAJOR (SH. P.)

Nga sigurimi i tillë dyshohet se është përdhunuar edhe intelektualja e madhe shqiptare, Musine Kokalari. Biografi Novruz Shehu shprehet se në ditarin e saj është rrëfyer kjo histori, që ia ka rrëfyer nipit të saj.

Rrezik për luftë civile

0

Nëse pozita dhe opozita nuk merren vesh për tejkalimin e krizës parlamentare, atëherë rreziku për një konflikt brenda shqiptarëve është shumë i mundshëm. Madje konflikti mund të eskalojë në një luftë të panevojshme civile, që do të ishte katastrofike për Kosovën.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Zëri”, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe “rezistuesi i fundit” opozitar në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda.

Ai ishte i vetmi deputet nga opozita i cili jo vetëm që qëndroi në seancën e ratifikimit të MSA-së, por edhe votoi pro dhe bëri që të futet shtesa “Republikë” në marrëveshje.

Deda për këto dallime me partinë e tij dhe bllokun opozitar ka thënë se është i gatshëm që të bartë përgjegjësinë individuale, edhe pse këto dallime në botën demokratike, sipas tij, janë normale dhe “ata që mendojnë ndryshe kanë probleme me të kuptuarit e demokracisë”.

Deda ka ftuar kolegët e tij deputetë që të mos jenë “piun” të liderëve politikë, por të bartin përgjegjësinë individuale.

Ndërkohë ka përmendur Komisionin e Venedikut si propozim i cili do t’i jepte fund maratonës së krizës. /Zëri

Historianët: Serbia po e humb betejën për UNESCO

0

Konferenca e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) të martën i ka nisur punimet dhe e ka aprovuar agjendën në tërësi.

Pjesë e saj është edhe kërkesa për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Historianët Bujar Dugolli dhe Frashër Demaj kanë shprehur optimizëm se Kosova do të bëhet pjesë e UNESCO-s dhe sipas tyre, Serbia është duke bërë përpjekje të kota për ta penguar këtë rrugëtim.

Pranimi i Kosovës në këtë organizatë pritet të hidhet në votim më 9 nëntor. /Epoka e re