14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Mizoria e enverizmit

Një ngjarje e gushtit 1948 zbulon deri në imtësi se çfarë torturash fizike e mendore bënin shefat e sigurimit në qelitë e hetuesisë. Rasti është i një nëntogeri, efektiv ushtarak, i cili ishte arrestuar befas në Pogradec, me akuzën për vepra armiqësore kundër pushtetit popullor. Pasi akuzat nuk ishin vërtetuar, ai ishte liruar nga burgu dhe pas kësaj shkruan një relacion me gjithë detajet e torturave që kishin ushtruar mbi të dy punonjësit e Sigurimit – Kapiten T. B. dhe N/Toger Sh. K., ku ai veçon si kulmin më të padurueshëm momentin kur torturuesi i thotë se do t’i sjellë në mbrëmje gruan dhe do ta përdhunojë në sytë e tij.

E njëjta ngjarje raportohet edhe nga majori SH.P., duke kërkuar që të hetohet ngjarja. Në të dy dokumentet, fraza që lidhet me kërcënimin për përdhunimin e bashkëshortes së të akuzuarit, nënvizohet me vijë të dukshme, duke lënë të nënkuptohet se ai ishte një akt i patolerueshëm, madje më shumë se torturat çnjerëzore si mbajtja varur për ditë të tëra pa ushqim e pa ujë. Për shkak të çështjes thellësisht intime, të gjithë emrat e përmendurve në këto dy dokumente vijnë me iniciale.

Më poshtë lexoni pjesë nga dokumentet ku rrëfehet dhuna në dhomat e hetuesisë:

RELACJONE

LANDA: Mbi vëmendjen në dijeni rreth arrestimit dhe vuajtjeve të mija.
Me rastin e daljes nga burgu Unë i nënshkruari N/Toger K. Z. efektiv i Zyrës Ushtarake Pukë ju paraqes këtë Relacjon.

Më 10 gusht 1948 unë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit Pogradec dhe mbranda 24 orëve më nisën për Tiranë, i lidhur me hekura dhe me uniformën si oficer i shoqruar nga dy policë me nji kamjon që ishte mbushur plotë me civila, para se të nisesha propozoj N/Toger L.Rr ish-oficer i Sigurimit Pogradec që të heq uniformën si oficer ose të paktën spaletat, por aj m’u përgjegj (Jo). Kur mbrita në Tiranë ju propozoj të di, se pse jam arestuar mbasi në të vërtetën arestimi i jem asht bërë krejt i pa drejtë dhe pa asnji fakt, por nuk prauan në asnji mënyrë shokët e Sigurimit.

Mbrenda 5 ditve i shoqruar më nisën për në Shkodër dhe me shpunë në nji birucë ngushtë, ku prej asaj dite filluan të më bëshin torturat çnjerëzore.

Me datën 15 gusht 1948 më marrin në pytje kapiten T.B. dhe N/Toger Sh. K. të cilët më thanë: Trego aktivitetin tënd kundër pushtetit dhe me çë njerëz njifesh mbasi neve kemi fakte të gjalla për ti si anti pushtet, për nji herë mbasi unë nuk kisha se çë farë t’u thonja pse nuk kisha bër ndonji vepër për kundra pushtetit u a dhash përgjegjen: Nuk kam bërë asgjë kundra pushtetit dhe as që kam pas ndërmend të bëj dhe ju lutemi më hidhni në gjygj mbasi atje pozita e ime do të skjarohet ku pastaj dhe ju do të bindeni me fakte se unë jam i pa fajshëm.

Pa pritur dhe të zemruar u dhanë urdhër rojeve: çojeni në burg dhe e lini në këmbë dhe lidhur për deri sa t’i vij mendja e të tregoj. Në këtë gjendje tortura më bënë 7 ditë e 7 netë ku ma në fund nga lodhja e tepërt filloj tue rrjedhë gjaku nga kambët e mija. Gjatë kësaj perjudhe më merrnin në pytje në mes të natës dhe gjithmon po nji fjalë më flisnin: Trego aktivitetin tënd kundra pushtetit, mbasi nuk kishin fakte të sigurta për se të më akuzonin për të tjera.

Gjatë këtyre shtat ditve me tortura e kërcnime dhe sharje u munduan që unë të mbush perçezin ashtu si e donin ata, por kjo u doli bosh krejtësisht dhe mbasi u dulën bosh akuzat pregatitën nji organizim me inisjativën e N/Toger Sh. K. që të më vrasin, se gjoja unë kam tentuar të hiki nga burgu. Me datën 22/8/1949 në orën 2 pas dreke i trullosun nga torturat dhe isha nde për çimente, po ndëgjoj nji za (Kush ti bije, unë apo ti).

Me të ndigjuar këtë za çohem dhe i ve nji rogoz derës dhe po qëndroj në nji qoshe të murit tue shikuar me vrejtje ngjarjen që do të zhvillohej, nuk vonoj shumë polici që ishte roje fut revolen për birucë e drejton mirë drejt meje për fat të mirë revolveri nuk shkrepi, mbasi nuk i ndezi fisheku i revolverit rëmbijen me nji herë automatikun, atëher tue parë vehten me nji rezik thirra me nji za të tmeruar, ku në atë kohë ndigjoj kapiten L. Z. Shefi i Seksjonit të Qytetit Shkodrës, i cili erdhi dhe më tërhoqi nga ai burg dhe më dërgoj në nji birucë pranë Seksjonit Punve të Mbrendshme të qytetit Shkodër…

Po në mbramje të kësaj darke në mes të natës më mori në dhomën e proçedimit N/Toger Sh. K. dhe më rrifte tue më thanë pse bërtite dhe pse i the Kapiten L. Z., i thash pse donin të më vrisnin, po duhet të jesh i sigurtë se shpëtove nga plumbi po do vdesësh në litar dhe në atë orë më shpuri në podrume dhe më lidhi duart mbrapa nga ana tjetër më lidhi me nji litar nën sjetullat dhe më varën tue ngritur nga toka dy pllëmbë jo për të vdekur po për të më torturuar rëndë. Kjo torturë e këtillë ka vazhduar për 19 dit me radhë varem në trarin e podrumit pa bukë e pa ujë dhe pa asgjë cderi sa më në fund e kisha humbur gjukimin tem dhe nuk merrja vesh gja mbasi po rrithte gjaku vijë nga goja dhe në momentin e prisja vdekjen teme.

Mbasi kisha qëndruar nji kohë të gjatë kështu më kishin zgjidh nga ku isha varur dhe më kishin ul për tokë por unë nuk kuptojsha asgjë se çfarë po bahej, vetëm mbas dy tri ditësh fillova të bije ndër mendë ma në fund akuzonin se unë kam patur lidhje me Nako Spiron dhe Mehmet Shehun se gjoja i kam favorizuar në qëndrimin e tyre në lidhje me këto akuza bazoshin se gruaja e ime ka miqësi me familjen e Nako Spiros dhe për Mehmet Shehun me pytshin se si i ka punët dhe si e mendon ti qëndrimin e tij. Unë ju thashë se nuk më mbushet mendja se Mehmeti të ketë qenë i atillë gjithashtu dhe për Nako Spiron u thash nuk e njoh…

Nuk mund të qëndroj pa ju vënë në dijeni për torturat dhe e ndjej për detyrë si një komunist i vërtetë që këtë vepër të disa personave të poshtë shënuar me ja thanë Partis dhe që Partija mendoj që këta shokë t’i kontrolloj. Emrat e personave për veprat e tyre shnjerzore Kapiten T.B., N/Toger Sh. K. dhe për këtë detyrohem të tregoj nji vepër e cila më ka revoltuar shumë pse më datën 3 shtator N/Toger Sh. K. më merr në dhomën e proçedimeve dhe më thotë: çfarë gjëra ushtarake ke në shpi. Unë i thashë: shko në shpinë time kontrollo dhe pyt gruan time e cila do t’ju tregoj të vërtetën pse dhe ajo asht antare Partije.

Mirë po N/Toger Sh. K. më përgjigjet: pse dhe gruan antare Partije e ke, prite se nesër mbrama do ta sjell këtu dhe ju do t’i mbani kokën dhe un do t’i mbledh kambët. Gjatë gjithë vuajtjeve e torturave kjo ka qenë vepra më shnjerzore për nji komunist dhe me gjithë se unë më vjen turp me shkruajt por nuk mundem të qëndroj pa e thënë mbasi më duket nji barrë e madhe në kurriz…

ME NDERIME ANTARI I PARTIS PUNËS SHQIPTARE

N/Toger (K. Z.)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

TIRANË

Nr. 3375 Prot.Lënda: Mbi sjelljet e këqija të N/Toger Sha.K.SHEFIT TË SEKSIONIT TË PUNËVE TË BRENDSHME

LUSHNJEInformohemi se në datën 10 gusht 1948, në Kampin e Pushimit të Oficerëve në Pogradec, është arrestuar N/Toger K. Z., i cili u përcoll për në Seksionin e Sigurimit – Shkodër, dhe atje u mor në procedim prej Kapiten T. B. dhe N/Toger Sh. K. të cilët e akuzonin për veprimtari grupazhi dhe antipushtet.

N/Togeri në fjalë është torturuar për 40 ditë rresht prej Sh. K. 9 ditë pa bukë, 20 ditë i varur në trarët e burgut dhe më në fund Sh. u jep urdhër dy policëve dhe një tetari për ta pushkatuar me pretekstin se tentoi të arratisej, por policëve nuk u ndezi revolveri dhe mandej marrin automatikët, kështu që i akuzuari në këto momente ulërin nga frika dhe vjen Kapiten H. Z., i cili e shpëton nga ekzekutimi.

Në datën 2 shtator shkon N/Toger Sh. dhe mbasi e rimerr në procedim N/Toger K. Z. e pyet se çfarë sendesh ushtarake ka në shtëpi, dhe i arrestuari i përgjigjet se juve shkoni dhe kontrolloni shtëpinë time, mbasi atje është gruaja e cila është dhe anëtare partie, mirëpo Sh. i thotë se e paske dhe anëtare partie gruan, të cilën në mbrëmje do ta sjell unë këtu dhe ti t’i mbash kokën e unë t’i ngre këmbët.

Përveç këtyre i përmenduri në shtëpinë e të arrestuarit ka marrë dhe këto plaçka: 1 palë spaleta, i kapele 1 rrip oficeri, 1 revole parabel, 1 nagant, 1 pushkë gjerman dhe gjithë librat që kishte në shtëpi.

Prandaj, për sa më sipër të pyetet N/Toger Sh. K. dhe me anën e një relacioni shkoqitës të përgjigjet për të gjitha akuzat që përmban kjo shkresë duke ia përshtatur realitetit.

Përfundimi pritet i shpejtë. KRYETARI I DEGËS SË KUADRIT

MAJOR (SH. P.)

Nga sigurimi i tillë dyshohet se është përdhunuar edhe intelektualja e madhe shqiptare, Musine Kokalari. Biografi Novruz Shehu shprehet se në ditarin e saj është rrëfyer kjo histori, që ia ka rrëfyer nipit të saj.

Më Shumë

Në Trepçë nuk ndriçon Ylli

Trepça ka shënuar fitore ndaj Yllit në ndeshjen e tretë finale me shifrat 85-78. Çerekun e parë e dominoi Ylli me shifrat 21-11, teksa në...

Kanosi dhe fyu policët, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti gjatë shqiptimit të një tikete kundërvajtëse në trafik, ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë. Në...

Lajmet e Fundit