11.6 C
Prizren
E hënë, 6 Prill, 2026
Home Blog Page 6910

Jahjaga s’e zmbraps opozitën

0

Vendimi i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, nuk ia ka ndërruar mendjen partive opozitare për ta zhbllokuar Kuvendin.

Opozitarët thonë se do të vazhdojnë me protestën brenda Kuvendit, pasi që, siç thonë ata, nuk kanë shpresa nga Kushtetuesja, e cila, sipas tyre, më herët kishte refuzuar ta shqyrtojë Marrëveshjen e 19 prillit, marrëveshje kjo nga e cila buron edhe marrëveshja për Asociacionin.

Madje, sipas përfaqësuesve opozitarë, vendimin për t’iu drejtuar Kushtetueses, Jahjaga e ka marrë për shkak të presionit.

E parja e shtetit gjatë takimit që ka pasur së fundi me liderët partiakë veç e veç, ua ka propozuar idenë që t’i drejtohet Kushtetueses, gjë e cila, sipas saj, është përshëndetur nga palët. “Në takimet e ndara që i kam pasur edhe me kryeministrin e vendit dhe zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të Asociacionit të Komunave Serbe me Kushtetutën e Kosovës”, ka njoftuar Jahjaga të mërkurën pas takimit që ka pasur me presidentin austriak…/zeri/

Limaj sot para gjykatës për rastin MTPT

0

Ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si MTPT, sot pritet të paraqiten para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Limaj dhe 4 bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti e keqpërdorim të autorizimeve.

Në seancën pritet të harmonizohen datat e gjykimit në mes të prokurorit, avokatëve dhe të akuzuarve.

Aktakuzat për Fatmir Limajn ish-ministër i Transportit, Fatmir Limaj, këshilltari i tij, Endrit Shala, shefi i prokurorimit, Nexhat Krasniqi, biznesmeni Florim Zuka dhe truproja e Limajt, Shpëtim Telaku u konsolidua në shtator të këtij viti.

Presidenti i Austrisë, u kënaq në Prizren (Video)

0

Gjithçka ishte gati për pritjen e dy presidentëve në kishën katolike në Prizren. Kurse, ishin fëmijët ata që u uruan mirëseardhje presidentes kosovare kosovares, Atifete Jahjaga, e homologut të saj austriak, Heinz Fischer.

Gjatë vizitës që dy presidentët i bënë kishës katolike në Prizren, Fischer u tregua i interesuar të dëgjojë historinë e këtij institucioni fetar.

Pas kishës, së bashku me Jahjagën, presidenti austriak e vizitoi edhe xhaminë “Sinan Pasha”.

Nga krejt ajo që pa në Prizren, i pari i Austrisë u nda shumë i kënaqur.

Pas gjithë historisë që dëgjoi për vjetërsinë e institucioneve fetare, presidenti austriak ka shpresa të mëdha për pranimin e Kosovës në UNESCO. /Klan Kosova

Berisha: S’kam besu që Hashim Thaçi bjen në këtë derexhe (Video)

0

“Nuk mujsha me besu se në çfarë derexhe ka ra Hashim Thaçi… me i mbushë xhepat me gurë e me dalë me fol”, ka thënë deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha në emisionin Rrokum Roll.

“Ai njeri me vjet të tana i ka ba dam Kosovës, jo vetëm me krijimin e marrëveshjes së damshme, po me instalimin e një politike jo të mirë në Kosovë”, ka thënë Berisha për deklaratën e fundit të Thaçit, në lidhje me alkoolin në Kuvend”.

“Ai ka qenë ma ndryshe një kohë, ja ka nisë e po rrëshqet, në aspektin individual dhe si përfaqësues i një subjekti politik.

“Ndërvetëdije e din edhe ai që s’është të bë gjëra të mira. A është i detyruar a çka…nuk e di”, i bënte vetës pyetje Berisha.

“Tendenca për me manipulu deri në ekstrem, që ma herët nuk e ka pasë, më ban me dyshu se diçka s’është mirë me atë njeri”, tha Berisha per ish shefin e tij Thaçi.

Gjatë bisedës, Berisha foli edhe për qytetin e Prizrenit. Ai tha se kryetari i Prizrenit e ka shfrytëzu pozitën e tij për qëllime personale.

“Me një garniturë politike me SMS-a prej Prishtine, e ka prishë Prizrenin”, aludonte Berisha në zëvendëskryeministrin Thaçi. /Rrokum

Ben Blushi ndërhyn edhe në histori: Ismail Qemali ishte ‘lekist’

0

Libri i ri i Ben Blushit “Kandidati” përveçse ka thumbuar kryebashkiakun e Elbasanit Qazim Sejdini flet edhe për figura historike si Ismail Qemali dhe Fan Noli.

Blushi e cilëson Qemalin si “lekist” ndërsa për Nolin thotë se i vetmi akt bamirësie që ka bërë ka qenë kur i fali qenin Lef Nosit para se të ikte në Amerikë.

Madje Blushi thotë se edhe këtë e bëri që të kursente paratë e udhëtimit për të blerë cigare, pasi transporti i kafshëve me anije në atë kohë kushtonte më shumë se sa sot.

“Që Lef Nosi mes shumë që kishte në koleksion mbante portofolin e Islamil Qemalit. Kam dëgjuar se Ismail Qemali ishte një lekist i zellshëm dhe prandaj e shtova. Por nga ky detaj, historia nuk ndryshon. Megjithatë Lef Nosin nuk e kam rënduar aspak. Po, i thashë, mirë ke bërë. Ç’faj ka lef Nosi nëse portofoli i Ismail Qemalit ka qenë bosh. Më e shumta mund të akuzohet se ka lënë pa ngrënë qenin e Fan Nolit. Ndoshta nuk e beson, më tha, por ishte në Ëikipedia. Mund të regjistrohet si i vetmi akt bamirësie që Fan Noli ka bërë në jetën e vet. Në atë kohë transporti i kafshëve me anije për në Amerikë kushtonte më shumë se sot dhe Fan Noli i kurseu paratë për të blerë cigare”, shkruan Blushi në romanin e tij.

Çahet koalicioni i PDK-së në Prizren

0

Anëtarët e Kuvendit të Prizrenit nga grupi multietnik i njohur me emrin “Pro evropian”, që përbehet nga këshilltarët e NDS-it, KTAP-së dhe Partia e Drejtësisë, sot e kanë braktisur seancën e organit më të lartë legjislativ në Prizren.

Sipas shefit të këtij grupimi politik në Kuvendin e Prizrenit, Oruç Karadollam, një gjë e tillë është bërë për shkak të mosmarrëveshjeve me partnerin qeverisës me Prizrenin , Partinë Demokratike të Kosovës, që ka të bëjë me përzgjedhjen e lokacionit të Qendrës Kulturore Boshnjake.

“Grupi ynë i kuvendarëve ‘Pro evropian’ numëron 6. anëtarë,dhe me largimin nga seanca e sotme shprehim mospajtimet tona , pasi që nuk jemi të kënaqur me marrëveshjen për koalicion me PDK-në”.

“ Kupa është mbushur pasi që 5 herë është ndryshuar lokacioni për Qendrën Kulturore Boshnjake, dhe për këtë çështje ne nuk jemi dakorduar, dhe kjo është arsyeja që ne nuk do të marrim pjesë në mbledhjet e Kuvendit”, tha ai.
Shefi i “Pro evropianëve”, Karadollam, nuk e përjashton edhe mundësinë e largimit nga koalicioni, pas këtyre mosmarrëveshjeve , që janë bërë temë mediale ditëve të fundit.

“ Nuk deshirojmë që aq lehtë të braktisim koalicionin, por një gjë të tillë nuk e përjashtojmë. Ditëve në vijim ne do të marrim vendime rreth hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje, dhe do të njoftojmë opinionin e gjërë me kohë”, theksoi ai. /TVPZ/

Prizreni me temperaturë më të lartë gjatë vikendit

0

Sikurse fillimi i kësaj jave që ka qenë me diell, sipas të dhënave të sinoptikanëve edhe ditët e fundjavës priten të shoqërohen me mot të mirë.
Temperaturat minimale sillen nga 2 gradë celsius deri të ato maksimale të cilat pritet të arrijnë deri në 16 gradë celsius.

Të premten Prizreni dhe Gjakovë pritet që t’i kenë temperaturat më të larta, të cilat do të lëvizin nga 4 gradë Celsius deri në 16 gradë, derisa në qytetet tjera temperaturat do të sillen nga 2 gradë celsius minimalja deri në 14 gradë maksimalja.

Të shtundën sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHK), do të mbajë po ashtu mot i mirë, ku qytetet me temperaturat më të larta do të jenë Prizreni dhe Gjakova.

Derisa në Prizren temperaturë e cila do të lëvizë nga 2 gradë celsius minimalja deri në 15 gradë maksimalja, në Gjakovë temperaturat do të sillen prej 4 gradë celsius minimalja deri në 15 gradë celsius maksimalja. /Telegrafi/

Morali në krizë, po kush është fajtor?

0

Kushtrim GASHI

Qe jemi në kriza të vazhdueshme politike, ketë tanimë e kemi të qartë, por që jemi futur edhe në një krizë të thellë morale ketë vonë kemi arritur të kuptojmë.
Për këtë krizë që na ka kapluar dikush fajëson politikanet, dikush profesorët e mësuesit, dikush mediat, dikush gjendjen ekonomike, e dikush thotë që babai dhe nëna janë fajtor.

Duke mohuar dhe mos e pranuar përgjegjësinë e duke fajësuar njëri tjetrin, faji po ngel jetim.
Kur zinxhirët këputën a ka faj vetëm hallka që këputet apo të gjitha ato që ngrehin njëra tjetrën?
Kur ata këputën zakonisht ne themi që zinxhirët ishin të dobët e jo vetëm hallka që e lëshoi.
Andaj fajin dhe fajtorin duhet ta kërkojmë në kohën dhe mesin tonë. Kështu nëse ndalemi dhe analizojmë krizën morale nëpër të cilën po kalojmë, do ta gjejmë se të gjithë kanë faj, dikush më shumë e dikush me pak.

Familja është institucion dhe celulë themelore e shoqërisë dhe nëse babai dhe nëna si kryefamiljar dhe mbrojtës të pjesëtarëve tjerë të familjes degradojnë dhe degjenerohen, rrjedhimisht do të degjenerohet edhe shoqëria, ku kaosi dhe anarkia do të mbizotërojnë.
Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht shumica e femrave janë të paarsimuara dhe për ketë me se paku ato janë fajtore, duke pasur parasysh mentalitetin tonë. Deri vonë ka mbizotëruar bindja se femra nuk duhet të arsimohet sepse ajo duhet të merret vetëm me punët e shtëpisë. Ky rol i saj që të mos shkollohej i atribuohej ligjeve të Zotit, duke thënë se vetëm për ketë është krijuar edhe pse në fakt ishte mentalitet mesjetar e assesi ligj i Zotit.

Padyshim që Zoti e obligoi femrën me rolin e nënës, por atë nuk e privoi asnjëherë me asnjë urdhër nga kërkimi i diturisë.
Në veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë…”, është një kaptinë me titull “Dituria”, ku thotë: “Çdo grua, veçanërisht për të kryer mirë detyrat e saj, duhet të dijë këndim, shkrim, matematikë, mbajtjen e llogarive, ekonomi, politikë, higjienë, fizikë, kimi, e të tjera shkenca, kurse për të mos cenuar bukurinë e brishtë, për të shpëtuar nga gabimet që mund të rrëshqasin në raste bisedash, ka nevojë të ketë njohuri edhe nga letërsia, gjeografia, historia etj.” Samiu ndër të tjera shton se “ gruaja është themeli i shoqërisë, është shtylla e moralit të përgjithshëm….kush edukon një grua ka edukuar një shoqëri të tërë”.

Edhe djemtë me rezultate shumë te dobëta në shkollat e mesme dhe mos interesim për studime të mëtejmë, ju mungon vizioni për të ardhmen, gjë që ndikon në vullnetin dhe dëshirën e tyre për të ndryshuar diç në ambientin që i rrethon. Pasiviteti, dembelizmi dhe pavendosmëria janë faktor që ndikojnë në moralin e tyre.

Femrat që dalin të zhveshura, pothuajse lakuriq, në shkollë, në treg apo për tu shëtitur, a thua çfarë na tregojnë e demonstrojnë? A thua me ketë lakuriqësi na demonstrojnë lirin e tyre? Apo na demonstrojnë që prindërit e saj nuk kanë më pushtet mbi të? Apo na demonstron se ajo e sundon burrin? Apo na demonstron asetet trupore të saj? Apo na demonstron se me ketë lakuriqësi është në kërkim të partnerëve të rinj? Apo na demonstron se me ketë lakuriqësi është në kërkim të një vendi pune? Apo na demonstron se kjo lakuriqësi është cilivizim? Eh nëse është kjo e fundit, atëherë kafshët qenkan me të cilivizuara se ne.
Nj ndër shkaqet kryesore të krizës morale në vendin tonë janë lakuriqësia, telenovelat apo serialet, gjë që na dëshmon se imoraliteti në shoqërinë tonë është në shkallë të lartë.

Humbja e vlerave është problemi më i madh në ketë shekull, që vjen si rezultat i dobësimit dhe humbjes se besimit në Zot. Pa besim në Zot s’ka moral tha Alija Izetbegoviq. Për moralin, profeti Muhamed, 14 shekuj me parë na mësoi se kush s’ka turp bënë gjithçka!
Nga kjo krizë që po e kërcënon jo vetëm shoqërinë tonë, por mbarë njerëzimin do të mund të na nxjerr vetëm besimi i sinqertë në Zotin.

Artan Abrashi: Veturat e Komunës së Prizrenit po shfrytëzohen nga persona të paautorizuar

0

Asambleisti i VV-së, Artan Arbrashi, në Kuvendin Komunal të Prizrenit ka ngritur një çështje që po prekë pjesën më të madhe të qytetit të Prizrenit, ai ka folur për problemin e reduktimeve të ujit.

“Sipas informacioneve që kam, banorët e lagjes Tusuz po përgatisin një peticion kundër reduktimeve të ujit të pijshëm, drejtuar Kuvendit Komunal”, ka thënë Abrashi.

“Është e pakuptimtë të ketë reduktime gjatë kësaj periudhe të vitit, pasi që ka kaluar sezona e ngarkuar e verës”, vazhdoi më tej Abrashi.

Poashtu Artan Abrashi ka kërkuar nga Drejtoria për Ekonomi dhe Financa që t’i publikojë 10 firmat që janë borxhlinjët më të mëdhenjë të komunës, pasiqë sipas tij të shikohet puna e tenderave në mes të këtyre firmave dhe Komunës së Prizrenit.

Abrashi për fund ngriti edhe një çështje në lidhje me largimin e logove të komunës nga veturat zyrtare.

“Ka 6 muaj që veturat zyrtare po shëtiten pa logo të komunës, gjatë kësaj periudhe vërehet një shfrytëzim i pakontrolluar i këtyre veturave nga përfaqësues të komunës dhe persona të tjerë të paautorizuar”, përfundoi Abrashi./Megapress/

Mujë Berisha, kryetar i Këshillit për Qendrën Historike të Prizrenit

0

Në seancën e mbajtur të Kuvendit Komunal të Prizrenit, është zgjedhur kryetari i Këshillit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Kandidatë për këtë pozitë kanë qenë: Senad Haliti, Artnet Haskuka, Arbnore Kolgjeraj dhe Mujë Berisha.

Me shumicë votash nga asambleistët e pranishëm, kryetari i këtij Këshilli është zgjedhur Mujë Berisha.

Vlen të theksohet se asambleistët e VV-së nuk morrën pjesë në këtë votim. /Megapress/