17.4 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 6913

Kurti: Kosova si Bosnja, hapësira e shqiptarëve në Ballkan po rrudhet

0

Ai është njeriu i gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Në fakt nuk do të donte të mbahej mend si i tillë. Do të preferonte të ishte një aktivist i çështjeve të barazisë, por me një kusht: Në një vend normal. Ai është Albin Kurti dhe për të Kosova nuk është një vend normal.

Çështjet kombëtare dhe shtetformuese nuk janë vendosur, ndaj “Vetëvendosja” ka nisur një ndër aksionet e saj më të forta e më të ashpra politike. Albin Kurti dhe të tijtë po kundërshtojnë hapur dhe me forcë një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, lidhur me organizimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që duket ta ketë vënë në vështirësi të mëdha qeverinë Mustafa-Thaçi.

Albin Kurti thotë në intervistën për “Shekulli”- n se nuk e dëshiron Kosovën si Bosnja, mendon që hapësirat e shqiptarëve në rajon po pakësohen dhe sigurisht që ka një vërejtje edhe për Tiranën zyrtare. Në ndryshim nga serbët, të shpërndarë edhe ata në disa shtete, Kurti mendon se shqiptarët janë a-centrikë.

Tensioni politik në Kosovë është shtuar gjatë ditëve të fundit, ndërsa Kuvendi u mblodh të premten në një seancë të mbushur me incidente të rënda. Si do ta përmblidhnit ju gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Gjendja aktuale në Kosovë është e pazakontë. Përfaqësuesit zyrtarë të Kosovës, kryeministri Mustafa dhe ishkryeministri Thaçi, tani si zëvendës i Mustafës, në vite të tëra negociatash me Serbinë, kanë shkelur shumë vija të kuqe të shtetësisë së Kosovës. Ajo që po ndodh në Kosovë është një puç institucional, kur qeveritarët, pra ata që kanë pushtetin, për shkak të interesave vetjake në konsolidim të kapjes së shtetit, për shkak të inferioritetit të tyre moral e ideor, kanë pranuar të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila e gjymton unitetin territorial të Kosovës dhe funksionimin e shtetit. Pra, e rrezikon edhe të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, e rrezikon paqen në Kosovë dhe në rajon, dhe pamundëson zhvillimin normal të ekonomisë dhe të shtetndërtimit në vendin tonë. Përveç kësaj, ata e kanë përgatitur këtë marrëveshje pa përfshirë opozitën, madje kanë parashikuar që të mos ratifikohet fare në Parlament.

Ndonjë lexues mund të pyesë se pse vallë nuk e sjellin për ratifikim në Parlament marrëveshjen e 25 gushtit, meqë kanë shumicën dhe mund ta votojnë në çdo moment? Arsyeja e parë është se nuk duan ta sjellin në Parlament, pasi Serbia nuk i ratifikon këto marrëveshje në Parlamentin e saj, pasi nuk i konsideron ndërkombëtare (Serbia e konsideron Kosovën pjesë të sajën). Dhe, qeveritarët tanë nuk mund ta ratifikojnë njëanshëm, as Serbinë nuk mund ta detyrojnë, kështu që e kanë çuar veten edhe vendin në pozita të reja të pranimit të nënshtrimit ndaj Serbisë. Arsyeja e dytë është se ndoshta nuk i kanë dy të tretat për ta ratifikuar këtë marrëveshje kaq të dëmshme. Ne ishim dëshmitarë gjatë verës se si u votua në Kuvend kundër Gjykatës Speciale. Në atë çast po ashtu u bë një përpjekje për zhvlerësim të Kuvendit, dhe u soll përsëri propozimi. Ishin në gjendje ta votonin edhe disa herë të tjera, deri sa rezultati i votave të ishte ai që donin ata. Pra, situata është aq e pazakontë, sa që ka nevojë urgjente për rikthim në vlerat e republikës dhe të demokracisë. Kosova ka nevojë për njerëz që sakrifikojnë nga vetja për vendin e tyre, jo për ata që sakrifikojnë vendin për veten e tyre.

A ndjen përgjegjësi Lëvizja “Vetëvendosje” për skenat në Kuvendin e Kosovës, hedhjen e gazit lotsjellës, pengimin e zhvillimit të seancës plenare, etj?

Lëvizja nuk ka bërë asnjë veprim të papërgjegjshëm. Secilin veprim që kemi bërë e kemi shpjeguar me argumente publikisht. Përgjegjësia për tensionimin e situatës është tërësisht e qeverisë. Ajo nënshkroi një marrëveshje që e bën Kosovën si Bosnja. Pranimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, me kompetenca ekzekutive, legjislative e përfaqësuese, me kufij të caktuar e me demografi të prodhuar prej spastrimit etnik, është sikur të ecësh në hapat e Bosnjës. Dhe Bosnja, 20 vjet pas luftës, konsiderohet nga gjithë bota si shtet i dështuar. Ajo ka për të qenë gjithnjë shtet i dështuar, për sa kohë të ketë brenda Republikën Serbe, e cila kontrollohet drejtpërdrejt nga Serbia, dhe që njëherazi e vendos edhe Sarajevën nën shantazhin e Beogradit. Edhe Republika Serbe në Bosnje pat nisur si Bashkësi e komunave me shumicë serbe fillimisht. Skenare të tilla nuk janë të reja. Serbia e ka bërë me Bosnjën, e bën me Maqedoninë, u përpoq ta bëjë me Kroacinë (me Republikën e Krajinës atje), por nuk ia doli, sepse kroatët e ndalën me luftë. Ne me luftë nuk e ndalim dot, sepse nuk kemi ushtri. Por duhet të bëjmë çmos që ta ndalim me protesta, me angazhim qytetar, me rezistencë në Kuvend.

Aksionet tona në Kuvend, sado të pazakonta, e kanë patur një efekt të mirë e të dobishëm. Ato i kanë treguar gjithë botës, gjithë aleatëve të Kosovës, se kjo marrëveshje nuk është një sakrificë që Kosova mundet t’ia lejojë vetes. Të gjithë e kanë parë se në Kosovë, një pjesë e mirë e përfaqësuesve është me çdo kusht kundër kësaj marrëveshjeje. Pastaj, me peticionin, i cili i ka kaluar 200.000 nënshkrime dhe ende po vijon, kemi treguar edhe se një pjesë e madhe e popullsisë dhe elektoratit në Kosovë është kundër marrëveshjes. Veprimet tona e kanë patur një efekt të duhur, në një situatë kaq problematike. Ne jemi të bindur se me aksionin tonë do ta detyrojmë qeverinë të tërhiqet nga kjo marrëveshje, si dhe nga marrëveshja për demarkacionin e kufijve me Malin e Zi, e cila po ashtu është e dëmshme, pasi është zgjedhur për demarkacion një metodologji e cila i jep avantazh Malit të Zi, dhe Kosova humbet mbi 9.000 hektarë tokë.

Cili është përjetimi juaj personal, përtej atij politik, për çfarë po ndodh në Kosovë?

Sigurisht që nuk është e këndshme. Personalisht do të preferoja të jetoja në një vend normal, ku çështjet kombëtare dhe shtetformuese të ishin realizuar. Aty do të isha sërish aktivist, por i çështjeve të barazisë, të transformimit të ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm e social, etj. Por kushtet janë këto që janë, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me forcat e tjera opozitare e kanë për detyrë të ndryshojnë modelin e të bërit politikë në Kosovë. Nuk bëhet politikë duke lëshuar pe, duke toleruar gjithçka që i ndodh publikes. Politikanët tanë, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, shpeshherë tolerojnë shkatërrimin e publikes, sepse kështu ua kërkon një mik, ndërkombëtar ose jo, apo se kështu këshillohen prej tjetërkujt. Por projektet publike, kryesori prej të cilëve është kombi e shteti, janë tepër delikatë. Ato ndërtohen me shumë mund, me gjak e djersë. Ama prishen shumë lehtë, me fare pak korrupsion. Ne duhet t’i vëmë një barrierë të madhe këtij fenomeni, prandaj unë besoj se në politikë duhet rikthyer morali. Por kujdes, nuk po them se duhet rikthyer moralizimi, por morali, i bazuar në ideologjinë tek e cila thirret secila parti. Ata që pretendojnë se kanë zhdukur ideologjitë, në fakt thjesht e kanë degraduar moralin në moralizim, dhe tani veprojnë të kontrolluar prej shantazheve që rrjedhin nga dosjet e tyre të korrupsionit.

Hashim Thaçi ju ka ftuar të ktheheni në shoqërinë civile, pasi nuk pranoni rregullat e sistemit politik. Mendoni se “Vetëvendosje” po vepron në kufijtë apo jashtë sistemit politik?

Hashim Thaçi nuk shquhet për urtësi, e as për zemërgjerësi. Kështu që këshillën e tij duhet ta lexojmë me kujdes, dhe të shohim se si brenda saj përfshihet një ofendim i madh për shoqërinë civile të Kosovës. Zv/kryeministri është duke thënë se shoqëria civile nuk e pengon atë, pasi veprimet e saj janë të dobëta, jashtë sferës politike, dhe nuk munden ta detyrojnë aspak të ndryshojë. Kjo nuk është perspektiva ime për shoqërinë civile, e cila sipas meje, por edhe sipas shumë autorëve, është themeli i politikës e jo një cirk ekstrapolitik me fokus te filantropia. Megjithatë, meqë jemi në rendin e ftesave, unë do ta ftoja z. Thaçi të heqë dorë nga kontrolli i shoqërisë civile përmes presionit mbi donatorët, përmes shantazhit me dosje të keqpërdorimit të fondeve, apo përmes promovimit të personave të katapultuar prej tij nga media në shoqëri civile, nga shoqëria civile në politikë, e anasjelltas. E di që Thaçi nuk mund ta bëjë këtë, pasi praktikë e tij dhe e Kadri Veselit është kontrolli i gjithçkaje, por sërish, është detyra jonë që ta çlirojmë hapësirën publike dhe demokratike për të gjithë, edhe për shoqërinë civile që sot punon nën presion.

Sa e dëmton imazhin dhe përpjekjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare situata më e fundit në Kuvend?

Imazhi i Kosovës në botë paraprakisht ka qenë i keq, pikërisht për shkak të qeveritarëve të mëparshëm, të cilët kanë qenë të njohur vetëm për korrupsion, për vjedhje galopante me tenderë, për krime ordinere e të organizuara, për brutalitet e për injorancë. Pjesën kryesore të imazhit të keq të Kosovës e shkakton papunësia dhe emigrimi. Nëse në Shqipëri ju ankoheni për nivele të larta të papunësisë, dhe ashtu është, po të dini sa është papunësia në Kosovë, do të skandalizoheshit. Është zyrtarisht mbi 40%, e realisht diku rreth 60%. Jemi vendi me papunësi më të lartë në kontinent, e ky është imazhi më negativ që mund të ketë Kosova. Qytetarët tanë në masë të madhe, sidomos të rinjtë, mezi ç’presin të ikin nga ky vend dhe në fakt po ikin, në mënyrë klandestine drejt Gjermanisë e Francës.

Për këtë imazh e kanë fajin pikërisht këta politikanë që na kanë sjellë deri këtu. Aksionet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë të parat mesazhe të dala prej politikës së Kosovës, që nuk janë mesazhe mjerimi, varfërie, injorance, lufte për pushtet, brutaliteti e krimi. Janë mesazhe politike. Gjithë bota e sheh dhe e kupton, se në Kosovë situata politike qenka në krizë, sepse është nënshkruar një marrëveshje anormale, raciste, për krijimin e territoreve sipas parimit etnik. Nëse aksionet tona në Parlament nuk do të ishin të tilla, askush nuk do ta dinte për marrëveshjen, përveç atyre që janë marrë drejtpërdrejt me të, dhe situata do të kishte imazhin e normales, por përmbajtje monstruoze. Ne nuk dëshirojmë t’ia japim një përbindëshi një imazh normal. Marrëveshja që po i imponohet Kosovës nga qeveritarët e saj të shantazhuar, është një përbindësh. Njëkohësisht, nuk duhet harruar që imazhi është preokupimi i të pasurve dhe i shtresës së epërme të klasës së mesme. Këta përbëjnë pakicën e vogël të popullsisë. Të tjerët, që janë shumicë dërrmuese, thonë se imazhi nuk hahet.

Shqipëria të interesohet më shumë për Kosovën

Si e shihni zgjidhjen e krizës politike të krijuar tashmë? Jeni të gatshëm për dialog me shumicën?

Shikoni, koha për dialog është para se një marrëveshje të lidhet. Kur marrëveshja nënshkruhet, nuk ka për çfarë të dialogohet. Nuk ka dialog post-factum. Sot për sot, pa u dëgjuar kërkesat e opozitës, nuk ka dialog. Ne jemi të gatshëm për dialog, nëse kryeministri tërheq nënshkrimin, përkatësisht tërhiqet nga marrëveshja dhe ajo anulohet. Në atë rast, ne do të pranonim ta shqyrtonim me dialog të gjerë politik, duke përfshirë edhe opinionin publik, gjithë marrëveshjen. Kuptohet, dialog do të thotë që të ketë pranim të argumenteve prej të gjitha palëve, përndryshe do të ishte monolog. Por, unë mendoj se qeveria nuk është gati dhe nuk ka potencial për dialog. Në kushte të tilla, qeveria këmbëngul të na detyrojë që monologun e saj ta quajmë dialog.

A rrezikon Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Zgjedhjet e parakohshme janë opsioni i tretë që ne i kemi dhënë qeverisë. Opsioni i dytë është referendumi, le të deklarohen me referendum qytetarët e Republikës për fatin e vendit dhe shtetit të tyre. E, nëse z. Mustafa ndihet i pafuqishëm, dhe nuk mundet ta tërheqë nënshkrimin prej marrëveshjes, si dhe nuk guxon ta pranojë referendumin, atëherë le të japë dorëheqje dhe shkojmë në zgjedhje të përgjithshme, ku opozita do të mbajë qëndrimin e saj kundër marrëveshjeve të dëmshme, e qeveria le t’i mbrojë ato marrëveshje përpara popullsisë. Në rast se qeveria nuk i dëgjon kërkesat e opozitës, zgjedhjet do të ishin një zgjidhje.

A mund të ketë Shqipëria apo figurat politike rol negociues mes palëve?

Shqipëria duhet të interesohet më shumë për Kosovën. Por jo si e dërguar e Brukselit në Kosovë, pasi të dërguar të Brukselit në Kosovë kemi shumë. Shqipëria duhet të shqetësohet për faktin që hapësirat ku jetojnë shqiptarët në Ballkan vazhdojnë të jenë në rrudhje. Hapësirat ku jetojnë shqiptarët duhet të jenë prioritet i Shqipërisë, por jo në sensin e politikës ditore dhe deklaratave të bujshme, as në sensin e kërcënimit të ndërkombëtarëve përmes çështjes kombëtare. E arritur kombëtare shqiptare do të jetë ajo e cila e ndërpret rrudhjen e tkurrjen territoriale. Çkado që shpallim a nënshkruajmë, çfarëdo suksesi që proklamojmë, është i kotë nëse nuk e ndalon shpopullimin e trojeve të banuara me shqiptarë në skajet e tij si Tivar e Ulqin, Tuz, Plavë e Guci, Mitrovicë e Zveçan, Medvegjë e Bujanoc, Kumanovë e Shkup, Ohër e Manastir. Shqipëria mund të ndikojë shumë opinionin e përgjithshëm në Kosovë, mediat e Shqipërisë atje ndiqen shumë. Ndikimi, në perspektivën time duhet të jetë për një rritje të rëndësisë së faktorit shqiptar në Ballkan, në ekonomi, në prezencë shtetërore, në mirëqenie, në demokraci, në ushtri, në diplomaci, në akademi etj. Figurat e politikës në Shqipëri duhet të kuptojnë dimensionin thellësisht politik e publik të kombit, e jo vetëm atë simbolik-folklorik, i cili shpesh përfundon të jetë edhe reaksionar.

Kryeministri Rama preferon të përmendë në intervista se shqiptarët sot në Ballkan ndodhen në pozicionin më të mirë që kanë patur ndonjëherë. Ju si e shikoni faktorin shqiptar?

Për këtë na duhet një ushtrim i thjeshtë, të cilin jam i sigurtë se do ta bënin shumë lexues. Një krahasim i ekonomisë së Shqipërisë, Kosovës dhe pjesës shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi, me ekonomitë e Serbisë, Kroacisë, Greqisë, pjesës joshqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi. Po ashtu do të mund të bëhej ky krahasim edhe sa i përket mirëqenies, zhvillimit të arsimit, etj. Po ashtu, le të shohim se si trajtohen shqiptarët si minoritet, krahasuar me minoritete të tjera. E kështu me radhë. Mund të krahasohet edhe kohezioni politik në një projekt të caktuar. Psh. serbët, në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni, Kroaci a kudo ku jetojnë, ndërkohë që kanë pluralizmin e tyre, gjejnë kohezion në projektin drejtues të Beogradit. Shqiptarët jo, ata janë përtej pluralistes, janë thuajse a-centrikë. Projekti i komb-shtetit do të ofronte një vektor koheziv për shqiptarët. E për këtë do të duhej një përpjekje serioze, ndoshta titanike, por jo shumë e zhurmshme, prej Tiranës në bashkëpunim me faktorët konstruktivë (por kujdes, mafian nuk mund ta konsiderosh faktor konstruktiv) në të gjitha vendet ku ka shqiptarë.

Çollaku: MSA, më e rëndësishmja pas Pavarësisë

0

Kosova të martën ka vulosur përcaktimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, në një proces që tani kalon nga rrafshi deklarativ në atë formal dhe kontraktual.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, duke shtuar se MSA-ja lirisht mund të konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme për vendin që nga Shpallja e Pavarësisë në vitin 2008.

Çollaku po ashtu ka premtuar se brenda pak javësh do ta prezantojë para institucioneve dhe qytetarëve të vendit Platformën për arritjen e statusit të vendit kandidat për BE, të cilin më herët e kanë siguruar Shqipëria dhe Serbia.

Duke folur për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, ku opozita po i kundërshton fuqishëm marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi, ministri i Integrimeve Evropiane shprehet i bindur se mospajtimet e tilla nuk do të reflektohen edhe me MSA-në, pasi që, sipas tij, agjenda evropiane gëzon një konsensus të plotë institucional, politik dhe qytetar në vend.

Gjatë kësaj interviste ai ka premtuar se gjatë vitit të ardhshëm kosovarët do të mundë të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian. /Zëri

I vetmi komb, ajka e të cilit kritikon gjuhën standarde

0

Nga Rexhep Qosja

Prej se është shpallur e krijuar, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972, në Tiranë, dhe e pranuar prej shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre, gjuha e njësuar letrare kombëtare, tani e quajtur më shpesh, gjuha standarde, vazhdon të jetë e kritikuar apo, madje, e mohuar prej dy anësh, në të vërtetë prej dy fronteve: prej frontit që mund të quhet politik e ideologjik dhe prej frontit që mund të quhet krahinor e dialektor.

Megjithëse partizanët e këtyre dy fronteve, argumentet e tyre me të cilat i kritikojnë qoftë edhe parimet themelore të saj apo, madje, e mohojnë në tërësi dhe kërkojnë Kongres të ri, megjithëse, pra, partizanët e këtyre dy fronteve argumentet e tyre i quajmë kur shkencore, kur historike e kur thjesht kulturore, është e padyshimtë se ato kanë karakter në njërën anë politik e ideologjik, kurse në anën tjetër krahinor e dialektor.

Partizanët e frontit të parë – politik dhe ideologjik, që e kritikojnë apo, madje, e mohojnë gjuhën e sotme standarde të krijuar në Kongresin e Drejtshkrimit vijnë prej së djathtës, por, nuk ndodh gjithnjë kështu: një numër i tyre, sado më i vogël, vjen edhe prej së majtës.

Kështu mund të thuhet edhe kur është fjala për frontin krahinor e dialektor.

Sado mund të hamendësohet se partizanët e këtij fronti, të cilët e kritikojnë apo, e mohojnë gjuhën e sotme standarde, të krijuar në Kongresin e Drejtshkrimit, vijnë prej krahinave të Veriut dhe prej dialektit të gegërishtes, prapë nuk mund të thuhet se gjithnjë ndodh kështu: një numër i tyre, sado shumë i vogël, vjen edhe prej Shqipërisë së Mesme.

Nyja e kundërthënieve në jetën tonë kulturore kombëtare, jo rrallë, ndodh të jetë e ndërlikuar po aq sa nyja e kundërthënieve në jetën tonë politike kombëtare.

Këto dy fronte midis të cilave gjëllin, zhvillohet, pasurohet dhe përsoset gjuha e njësuar letrare kombëtare nuk janë krijuar pas shpërbërjes së institucioneve politike dhe shtetërore komuniste në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, që konsiderohen krijuesit të gjuhës së sotme standarde: ato janë paraqitur, natyrisht me numër më të vogël partizanësh se sot, menjëherë posa është shpallur e krijuar gjuha e njësuar letrare kombëtare, domethënë gjuha e sotme standarde. Dhe, janë paraqitur në diasporë: në Europë dhe në SHBA.

Kritika dhe, madje, mohimet që i janë bërë gjuhës standarde në diasporë gjatë nuk janë marrë seriozisht prej krijuesve të kësaj gjuhe, prandaj, po ashtu gjatë, nuk u janë dhënë përgjigje as politike, as shkencore. Janë parë qartë dhe janë dendësuar me përgjigje edhe politike, edhe shkencore pas rënies së komunizmit, kur është parë se numri i kritikëve apo, madje, i mohuesve të kësaj gjuhe po shtohej dhe po përshtrihej, sidomos në Shqipërinë shtetërore një herë e pastaj edhe në Kosovë.

Kronika e kritikës apo e mohimeve që i bëhen gjuhës së njësuar letrare kombëtare gjithsesi është interesante dhe ajo do të jetë dikur një krye i veçantë, gjithsesi i çuditshëm, i historisë së gjuhës shqipe në përgjithësi. Do të jetë kronikë interesante, madje, e çuditshme, jo pse është shkencore, po pse është çka është: politike e ideologjike, në njërën anë dhe krahinore e dialektore, në anën tjetër.

Pse them kështu?

Njohuritë e mia mbi historinë e gjuhëve letrare, domethënë të gjuhëve standarde të popujve europianë nuk më bëjnë të mundshme të pohoj se këto gjuhë janë kritikuar apo janë mohuar me të ashtuquajturat argumente politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore. Kritika apo mohimi i gjuhëve letrare, domethënë i gjuhëve standarde, të disa prej këtyre popujve mund të jetë mbështetur në argumente etnike apo fetare, po jo politike dhe krahinore. Dhe, kjo ka ndodhur te popujt e shteteve të përbëra, federative, po jo te popujt e shteteve kombëtare. Kështu, fjala vjen, gjuha letrare ruse, domethënë gjuha standarde ruse në Rusinë cariste dhe më vonë në Bashkimin Sovjetik është kritikuar apo është mohuar prej pjesëtarëve të etnive të tjera të shtetit rus, në të vërtetë të federatës së quajtur Bashkimi Sovjetik. Gjuha letrare, domethënë gjuha standarde, serbokroate është kritikuar apo është mohuar prej kroatëve e më vonë prej myslimanëve dhe prej malazezve po ashtu me të dhënë etnike, por prej kroatëve dhe myslimanëve edhe me të dhëna fetare.

Shqipëria shtetërore dhe Kosova janë shtetet e vetme kombëtare në Europë sot, domethënë shqiptarët janë kombi i vetëm në Europë sot, në gjirin e të cilit paraqiten intelektualë, gazetarë, gjuhëtarë, zyrtarë politikë, që gjuhën letrare kombëtare, e kritikojnë apo, madje, e mohojnë me argumente politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore.

Prej viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar e deri sot është shkruar jo pak si për shkaqet e paraqitjes së këtyre kritikave e mohimeve, ashtu edhe për të dhënat politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore në të cilat mbështeten ato kritike dhe mohime.

Nuk e quaj të nevojshme t’i përsëris, i bindur se i dini të gjithë, kurse disa prej jush edhe më mirë se unë.

Pa qëllimin që t’ia mohoj kujt të drejtën e paraqitjes së lirë qoftë edhe të mendimeve më profane, më sektare, apo më separatiste, lejohem të them se mohimi i gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë i gjuhës së sotme standarde, që bëhet prej dy fronteve të sipërpërmendura – prej frontit politik e ideologjik dhe prej frontit krahinor e dialektor, është shprehje e krizës së përgjithshme morale, të mos them e patologjisë shoqërore, që e rëndon jetën shqiptare sot. Dhe, kjo krizë jo vetëm se vërehet, por pasojat e saj i përjetojmë në të gjitha fushat e jetës: më së pari e më së shumti në fushën e jetës politike e pastaj edhe në fushën e jetës kulturore.

Pse them kështu?

Them kështu sepse nuk mund të quhet racional, as natyrisht, etik jo vetëm mohimi, por nuk mund të quhet racionale, as, natyrisht etike as kritika që një gjuhë letrare kombëtare, domethënë një gjuhë standarde, i bëhet për shkaqe politike, domethënë pse është krijuar në një rend politik dhe kushtetutar juridik të caktuar. Të gjitha gjuhët letrare kombëtare, të gjitha gjuhët standarde, në këtë botë janë krijuar në një rend të caktuar politik e ideologjik dhe kushtetutar juridik, i cili ose është përmbysur prej revolucionit, ose është tejkaluar në procesin e zhvillimit historik. Por askush te këta popuj nuk është ngritur që me të dhëna të shtira politike e ideologjike të mohojë atë gjuhë.

Po t’u nënshtroheshin gjuhët standarde pikëpamjeve politike e ideologjike të partive grupeve e vetjeve të ndryshme, atëherë numri i gjuhëve letrare, domethënë i gjuhëve standarde, në historinë e popujve të veçantë do të ishte i pafund, kurse dëmet kulturore shoqërore në përgjithësi po ashtu të pafund.

Në qoftë se nuk mund të quhet racionale, as natyrisht etike, kritika aq më pak mund të quhet racionale a etik mohimi që gjuhës letrare kombëtare i bëhet për shkaqe krahinore e dialektore: domethënë pse është krijuar duke u mbështetur në përparësitë qoftë objektive, qoftë të supozuara gjuhësore, kulturore, historike të një dialekti karshi dialekteve a të folmeve të tjera.

Krizat shoqërore, qoftë edhe kur paraqiten në trajtë të patologjive më afatgjata, zakonisht, janë dukuri kaluese. Dhe, janë kaluese jo pse merr fund njëherë e përgjithmonë paraqitja e tyre. Ato, siç dihet, zëvendësojnë njëra tjetrën në rrjedhën e kohës.

Ne sot kemi një luftë politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore për ndryshimin e parimeve të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde apo, madje, për krijimin e dy gjuhëve standarde dialektore; dhe kemi përpjekjet e shtuara për krijimin e një kombi të ri brenda kombit ekzistues shqiptar!

Pas shtjellimit të mësipërm për shkaqet e kritikës apo, madje, të mohimit të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde, dhe për karakterin e tyre politik e ideologjik dhe krahinor e dialektor, është e arsyeshme, madje e domosdoshme, tani të shtrohet pyetja: ku na çojnë përpjekjet e partizanëve të këtyre dy fronteve që kërkojnë ndryshimin e parimeve themelore të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde apo, madje, krijimin e dy gjuhëve dialektore standarde?

Sikundër na mëson historia, politikat separatiste në jetën e një populli në shumicën e herëve kanë çimentuar themelet e ndarjeve apo të shpërbërjeve të tyre. Rrjedhimisht del përfundimi se përpjekjet për ndryshimin e parimeve të gjuhës së njësuar letrare kombëtare apo për krijimin e dy gjuhëve letrare, domethënë të gjuhëve standarde dialektore përfaqësojnë konkretizimin e politikës dhe të ideologjisë së shpërbërjes në fushën më integruese të jetës kombëtare në fushën e kulturës.

Në qoftë se ky pohim është i saktë, e unë tjetër përgjigje nuk di t’i jap pyetjes së shtruar, atëherë vetvetiu shtrohet edhe një pyetje: a kemi ne sot një ide kombëtare. E me togfjalëshin ide kombëtare unë kuptoj idenë integruese në jetën e popullit shqiptar siç ishin gjatë 150 vjetëve të fundit ideja e ruajtjes së tërësisë së tokave etnike në vitin 1912, kur krijohet shteti shqiptar jashtë të cilit mbesin gati gjysma e trojeve etnike dhe më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe ideja e bashkimit kombëtar pas këtij viti.

Po ta mbështesim përgjigjen në krizën që e jeton Shqipëria tani e njëzet vjet dhe në disa ide të prodhuara prej intelektualëve në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë atëherë do të përgjigjem: jo. Neve sot na mungon Ideja kombëtare.

Kjo përgjigje na shpie në fusha të tjera të kërkimeve që do të duhej të bëheshin në jetën politike e kulturore shqiptare sot.

Është në të mirën e kombit shqiptar sot dhe nesër që këto kërkime të bëhen sa më parë. /DITA

Limaj: Zgjidhje reale është referendumi

0

Fatmir Limaj ka ripërsëritur edhe një herë se zgjidhja e mundshme për tejkalimin e situatës aktuale në vend është referendumi.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se Qeveria ka vendosur jashtë rendit të saj kushtetues duke vendosur për Kosovën.

Ai ka deklaruar se referendumi është një opsion real dhe do të mund të realizohej, derisa deklaroi se Parlamenti u anashkaluar nga Qeveria, pasi nuk u sjellën marrëveshjet fare në Parlament para se ato të nënshkruheshin.

“Nuk i kanë fituar zgjedhjet për më vendos diçka jashtë mandatit të zgjedhjeve. Me këto veprime ata kanë vendosur për Kosovën nuk e ka të drejtën për të vendosur përtej rregullit kushtetues. Zgjidhja është t’i drejtohemi populli, ose me zgjedhje ose me referendum. Një ligj për referendum me 8 nene. Bëhet referendumi mbyllet dhe kryhet kjo punë. Është nda pozitë dhe opozitë në qëndrimet e tyre.Ne themi ata kanë kaluar mandatin ata thonë ne jemi në mandatin tonë, atëherë shkojmë përmes referendumit ta pyesim qytetarin për marrëveshjen. Vërtet janë këto veprime të pahijshme në parlament, një pozitë e përgjegjshme nuk e sjellë vendin në këtë pozitë”, deklaroi Limaj.

“Nuk shkohet në Parlament pasi të nënshkruhet diçka, është dashur që para nënshkrimit të debatohet, kjo është fyese. Këta e kanë marrë një vendim tjetër që të shkojnë me implementim pa e pyetur fare Parlamentin. Pse këtë njerëz nuk e kanë sjellë në Parlament si më herët. Ajo e 19 prillit ka qenë në Parlament, e mirë apo e keqe, kjo e fundit nuk ka ardhur në Parlament. Informimi bëhet për të treguar procesin, ku janë zhvillimet. Parlamentin e kanë qitur jashtë lojës”, tha ai.

Limaj i pyetur për dërgimin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ai tha se Gjykata Kushtetuese e ka shpall vetën jo kompetente.

“Gjykata Kushtetuese në 2013 patë thënë që kjo kërkesë e juaj për ta interpretuar marrëveshjen e 19 prillit, nuk është kompetencë e jona”, tha Limaj.

Limaj tha se gazi lotsjellës nuk është vepër penale dhe ka shtuar se nuk duhet që të ftohen seanca tjera të Kuvendit.

“Nuk duhet të thirret seanca të terrorizohen qytetarët, deri të gjendet zgjidhja. Gazi lotsjellës nuk është vepër penale është një veprim politik. Ne kemi dy gjëra, opozita dëshiron t’i adresoj çështjet, pozita po dëshiron me përfitu vetëm në vota dhe abuzon me Kuvendin”, ka thënë Limaj.

Lunacek: MSA të ratifikohet sa më shpejt

0

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, e quan lajm të mirë për Kosovën dhe Bashkimin Europian, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Në mesazhin e Lunacek, bëhet thirrje për ratifikim të marrëveshjes në Parlamentin Europian dhe Parlamentin e Kosovës.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin me BE-në është një lajm i mirë dhe një tjetër hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE. Kjo marrëveshje përbën marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Tani bëj thirrje për ratifikim të menjëhershëm në Parlamentin Europian dhe Parlamentin e Kosovës sepse MSA do të jetë një shtytje për implementimin dhe institucionalizimin e reformave dhe mundësive të reja për Kosovën në rrugën e fuqizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe kontribuon në stabilizimin e rajonit”, thuhet në urimin e Lunacek.

Haradinaj: Opozita me skenar të njëjtë edhe në seancën tjetër

0

Opozita mbetet e palëkundur rreth qëndrimit të saj. Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj thotë se opozita do të përdor skenar të njëjtë edhe në seancën e së hënës derisa nuk shfuqizohen marrëveshjet.

Aleanca sipas tij nuk do të sjellë probleme në seancë vetëm në momentin kur pikë e rendit të ditës do të jetë MSA-ja.

Haradinaj thotë se situata nuk ka ndryshuar prandaj nuk do të ndryshojnë edhe mjetet e kundërshtimit.

“Është situatë e njëjtë, ne jemi të vendosur me kundërshtu zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Haradinaj për RTK-në.

Tha se askush nuk do të mund t’i ndalojë në realizimin e qëllimeve të tyre, siç tha deri në arritjen e qëllimit, të shfuqizimit të marrëveshjeve të Brukselit.

“Nuk ka forcë as e Kadri Veselit, as e Kryeministrit Mustafa as e zëvendëskryeministrit Thaçi, nuk ka devijim prej teme, as çaji i parlamentit, as gurët, a çka i ka pru ai…”, tha Haradinaj.

Gratë deputete akuzojnë dhe mbrojnë Kadri Veselin

0

Shprehja “Çka po bërtet si gru e keqe” që iu tha një deputeti nga kryeparlamentari Kadri Veseli në seancën e 23 tetorit po shqetëson avokuesit e barazisë gjinore në Kosovë.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës këto fjalë të kryetarit të Kuvendit i konsideron si “sjellje të pahijshme dhe të patolerueshme”.

Ky rrjet thotë se Veseli ka shkelur nenin 41 të rregullores së Kuvendit që e obligon kryeparlamentarin të kujdeset për “rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në Kuvend”.

“Në vend që të sigurohet për mbajtjen e rendit, ai bëri sjellje të pahijshme dhe të patolerueshme, përdori ‘gjuhë joparlamentare’ dhe më saktësisht përdori ‘gjuhë ofenduese’ ndaj grave,” thuhet në reagimin e rrjetit të grave.

Sipas këtij rrjeti, Veseli “ka shkelur Ligjin kundër Diskriminimit (2015) dhe më specifikisht Ligjin për Barazi Gjinore (2015) duke shkaktuar ‘diskriminim’ gjinor: ‘kur një individ trajtohet në mënyrë më pak të favorshme për shkak të gjinisë’”.

Rrjeti është ndier i ofenduar edhe nga deklarata e deputetes së LDK-së Besa Gaxherri gjatë një interviste të saj në “Klan Kosova”.

Sipas rrjetit, Gaxherri tha se fjalët e përdorura nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën parlamentare të së premtes mbrëma mund të falen pasi që “ai është burrë”.

“Si një grua deputete, znj. Gaxherri, duhet t’i vijë turp që toleron, në vend se të dënojë fjalorin diskriminues të përdorur ndaj grave në parlament,” thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave.

Por deputetja Besa Gaxherri, thotë për KALLXO.com se deklarata e saj u keqinterpretua nga mediat.

“Unë nuk kam deklaruar ashtu, mediat më kanë nxjerrë prej konteksti….Ky Rrjet i Grave, si duket se ka dëgjuar mirë deklaratën time,” thotë Gaxherri.

Deputetja shpjegon se në të njëjtin emision ka thënë edhe “Nuk ka gra më të këqija, sesa ata burra që janë sjellë mbrëmë ashtu”.

Gaxherri është e bindur se kërkimfalja e Veselit nuk mjafton.

“Unë jo që e dënoj, por mendoj që çdo kërkimfalje e z. Veseli është e pakët, edhe dorëheqja e tij është e pakët, në krahasim me ofendimin që u bë ndaj grave. Unë do të kërkoj që jo vetëm të merren masa ndaj Veselit, por edhe të caktohet një pikë e veçantë në një seancë në Kuvend që të diskutohet për fjalor të tillë,” thotë Gaxherri.

Ajo nuk përkrah as sjelljet e deputeteve të opozitës në mbledhjen ku njërës nga to Veseli i tha “Çka po bërtet si gru e keqe”.

Deputete me qëndrime të ndryshme për Kadri Veselin

Në përgjithësi, gratë deputete në Kuvend kanë qëndruar indiferente ndaj kësaj deklarate të Veselit.

Por njëjtë indiferente ato nuk kishin qëndruar para disa vitesh, kur një deputet i LDK-së, Arben Gashi, me një gjuhë joparlamentare përshkroi takimet e ish ministres për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, me një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Menjëherë pas kësaj deklarate, gratë deputete të të gjitha partive politike u larguan nga Kuvendi, ndërsa deputeti Gashi më pas e tërhoqi fjalën dhe kërkoi falje.

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është i formuar Komisioni për Barazi Gjinore dhe të Drejta të Njeriut.

Ky komision disa herë ka qenë i zëshëm për të drejtat e grave në vend, si dhe fjalorin e përdorur ndaj tyre si në institucione publike, po ashtu edhe në private.

Por pas fjalëve të Veselit ende nuk pati reagim nga anëtarët e këtij komisioni.

Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së dhe anëtare e Komisionit për Barazi Gjinore, thotë se sikur të merrte pjesë në mbledhjet e këtij komisioni, do të kërkonte marrje të masave ndaj Kadri Veselit.

“Atë ditë që unë do të kthehem në Komision, do të kërkoj që kjo punë të mos mbetet me një falje aq të thjeshtë nga i pari i Kuvendit,” thotë Haxhiu.

Opozita përveçse po pengon punën e Kuvendit, nuk po merr pjesë as nëpër mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Por fjalët që Veseli përdori natën e 23 tetorit, Haxhiu thotë se i kanë ofenduar të gjitha kosovaret, pa dallim.

“Një fjalor i tillë, na ka ofenduar të gjithave, të gjitha femrave në përgjithësi. Nga z. Veseli më së paku është pritur një gjë e tillë”, thotë Haxhiu.

Mexhide Mjaku-Topalli, anëtarja tjetër e Komisionit për Barazi Gjinore dhe deputetja e PDK-së, megjithëse fjalët e Veselit i konsideron të pamatura, e arsyeton deri-diku kryeparlamentarin.

“Këto fjalë të lëshuara nga goja e Kryeparlamentarit janë të pamatura, unë s’di çka të them, sepse e dini ju çfarë situate ka qenë dhe mund të dalë diçka që t’i kurrë s’ke dashtë me e thënë,” thotë Mjaku-Topalli.

Për të, Kryeparlamentari ishte në stresin e situatës, ndërsa një fjalor i tillë nuk ka nevojë as të diskutohet.

“Gjërat që janë më madhore, po largohen nga mediat dhe po merreni më gjëra shumë të imëta, shumë, shumë të imëta,” thotë Mjaku-Topalli.

Ajo tregon se nuk i ka dëgjuar këto fjalë, pasi në ato momente nuk e ka ditur ku ka qenë.

Në natën mes 23 e 24 tetorit, kur Veseli i tha këto fjalë, opozita në përpjekje për ta ndërprerë punën e Kuvendit, disa herë hodhi gaz lotsjellës në sallën e mbledhjes dhe afër zyrës së kryeparlamentarit.

Mexhide Mjaku-Topalli thotë se për fjalorin e përdorur nga Veseli nuk do të kërkojë të diskutohet në Komisionin për Barazi Gjinore.

“Unë nuk kam me kërku me u diskutu në komision për këtë fjalor, s’ ka nevojë… unë nuk dua ta komentoj a e përkrahi, a jo këtë fjalor. S’kemi pas kohë me u marrë me këto gjëra të imta, seriozisht po e them, shumë të imta,” thotë Mjaku-Topalli. /Kallxo.com

Krasniqi për MSA-në: Kosova si shtetet tjera? Kjo është rrena e ditës

0

Ish-Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një postim në Facebook në ka reaguar ndaj nënshkrimit të MSA-së duke akuzuar partitë në pushtet për mashtrime.

“Po na thonë përralla pozitarët: “Po trajtohemi si shtetet tjera”?! Kjo është rrena e ditës!”, ka shkruar Krasniqi.

Më poshtë mund të lexoni të plotë postimin në të cilin thotë se ka përdorur edhe fjalë të urta të George Orwell.

LUM SI NA PËR TA!

“Gjuha politike është e tillë që t’i bëjë gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta dhe vrasjen si të respektueshme” (G. O). Unë e besoj ketë, duke u nisur nga mashtrimi që mashtruesit po thonë: njëri

”Kjo është dita më e madhe historike pas pavarësisë”?! E tjetri: “Kosova po ecën përpara”?! Kosova po ecën, për ku, nuk po guxoj ta them! Kush po i thonë këto gjëra të bëjnë për të mos besuar, bile për të dyshuar dhe shumë bile! Qofsha i gabuar!

“Në kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar” (G.O). Nëse mashtrimi është universal, pse ky mashtrim te ne mos të jetë sui generis, ashtu siç është MSA-ja e Isahashimit?! Po na thonë përralla pozitarët: “Po trajtohemi si shtetet tjera”?! Kjo është rrena e ditës!

“Liria është e drejta për t’u thënë të tjerëve atë që nuk duan ta dëgjojnë”(G.O). Nuk ka më asnjë dyshim: njerëzit i vret e vërteta,e vërteta krijon armiq, prandaj shpresat njerëzit i varin në mashtrimin e madh. Fiton pushtet me lehtësi ai që mashtron më shumë! Se paku kjo po i ndodh Sui Generisit tonë?!

“Çdo brez e imagjinon veten si më inteligjent se paraardhësi dhe më i mençur se pasardhësi” )G. O). Kjo u shkon përshtati qeveritarëve tanë. Te cilët bota nuk i ka. “Lum” si na për ta! Për mashtruesit në krye te institucioneve te shtetit/! Pasi shtetin (R. K) na e bënë rajon?! Edhe ketë po na shesin si fitore! Pse jo, pasi po hamë gjithçka! që na servirë politika jonë!

“Lufta është paqe; liria është skllavëri; injoranca është forcë” (G.O). Pjesa e parë është flori, por skllavëria dhe injoranca na janë bërë përditshmëri e dhimbshme!

Me falni që u shërbeva me fjalët e urta të George Orwell-it

Duke të vështruar

0

Shkruan: Skender Berisha

Çilet një tjetër kapitull fare i ri
kallen shikimet e kryqëzuara
si takohen rrufetë e nxehta
pastaj shtohet një rend tjetër
pasi të të them diçka
përshembull
tungjatjeta
dhe nisim si prej fillimit një takim
që është shembëllim i atyre tjerëve
po nuk ngjanë me ta
se vlon ndryshe te kraharori
nuk numërojmë asgjë
se palohen puthjet
njëra pas tjetrës
çahet qielli me një fluturim
shqiponjë ishte
dikah shpejtonte me nxitim
tashti dijmë shumë
edhe ti edhe unë
dyzohen shikimet që nuk tretin tjetërkah
më rri e dridhshme përkrah
të them edhe pak veç edhe pak
gjtiçka dihet e trupi mpihet
kur niset sa vonë mbaron
shtrëngimi jonë shtegtim
nëpër ijet e jetës te uji
që ecë e gurgullon
të rrimë them deri natën vonë
ti më kallxon unë të kallxoj
dhe psherëtimat e thella nuk ndihen
praptohemi gjunjas atje te rrënjët e gurrës
që nuk trembet aspak
trokon diçka sikur në sokak
përvidhemi nën krahët e njëri-tjetrit
strehë e erëndshme
nuk dua gjë të pikojë
as mbi vetullat që flasin
as mbi xinxrrat
që me melodi na miklojnë
rrimë sa duam kush s’na shqetëson
ngihemi frymë të shpeshtë
në blerimin e sheshtë
që fëshfërin
si në fillim si në mbarim.

KDTP, Ramadan Mujës: Faleminderit !

0

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) në Prizren i ka dal në mbrojtje Qeverisë së Ramadan Mujës.
Mbështetja ka ardhur pas përplasjeve të partnerëve të koalicionit PDK-NDS.

“Partia Demokratike Turke e Kosovës dega në Prizren, falënderon kryetarin e Komunës së Prizrenit Prof. Dr. Ramadan Muja, për vendimin e Qendrave Kulturore Turke dhe Boshnjake”, thuhet në komunikatën pëe media.

“ Sipas marrëveshjes së koalicionit ndërmjet PDK dhe KDTP, kryetari i Komunës së Prizrenit ka filluar procedurat për ndarjen e parcelave për Qendrën Kulturore Turke dhe kjo na dëshmon se bashkëpunimi i koalicionit ndërmjet dy partive është në interesin e qytetarëve dhe të Prizrenit”.

“Më këtë rast e falënderojmë edhe Komisionin për Pronë pranë komunës së Prizrenit për bashkëpunimin e tyre dhe besojmë se ky koalicion do të realizojë edhe shumë projekte të tjera në interesin e qytetarëve të komunës së Prizrenit”./PrizrenPress.com/