10.4 C
Prizren
E premte, 3 Prill, 2026
Home Blog Page 6915

Poezia e Migjenit, në tablo

0

Ndërsa 104-vjetori i lindjes së Migjenit, një prej poetëve më të mirë të letrave shqipe, u kalua në heshtje gati një javë më parë (13 tetor), një grup artistësh kanë vendosur ta kujtojnë përmes një ekspozite. “Neomigjeniana” quhet ekspozita e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve nën kurimin e Krenar Zejnos, e cila ka bërë bashkë 21 artistë të gjinive, teknikave dhe kombësive të ndryshme, por që i bën bashkë elementi migjenian. Stefano Albanese, Arben Bajo, Izabela Beisert, Lume Blloshmi, Marco Fantini, Renee Fuhrer, Helidon Haliti, Edi Hila, Ardian Isufi, Idlir Koka, Genti Korini, Anastas Kostandini, Ilias Christo, Greta Dhaskali Lami, Agim Muka, Murat Keraj, Simone Pellegrini, Rakip Shabani, Zini Veshi, Gembi Xerxa dhe Enkelejd Zonja.

“Në dallim nga ç’mund të vijë në mend apriori, një jubile i Migjenit, apo një honorifikm i tij, asnjë nga këto vepra nuk ka një posaçmëri, nuk ka një qëllim që të ilustrojë Migjenin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por prej Migjenit është huazuar një koncept. Termi ‘Migenian’ është shumë i njohur dhe gjendja që ai përshkruan shpesh në shkrimet e tij, mund të shfaqet fare kollaj edhe tek një artist i huaj i cili nuk e ka njohur kurrë Migjenin, por diku mund ta mbartë, apo rikonfirmojë atë”, tha kuratori Zejno. Sipas tij, këto përkime janë përzgjedhur për të qenë pjesë të kësaj ekspozite.

“Ndoshta edhe subjekti në tablo është në një kontekst tjetër, edhe qeniet e fshehura në një tablo janë të një vendi tjetër, por megjithatë ata mund të bashkohen nga një lloj dramaciteti migjenian, apo një lloj poeticiteti migjenian që mbart këto elemente për të cilët ne kemi nevojë t’ju vendosim mbiemra, pra t’i quajmë ‘migjenian’. Asnjë nga tablotë nuk e ka pasur këtë qëllim, ky është thjesht një kurth kuratorial, pra tablotë janë pafajësisht aty, por në një përbashkësi kur një shenjues është e udhës të vendosë një thelb, që mund të jetë qoftë edhe një dinakëri kuratoriale, apo në rastin e një jubileu kërkon të bëjë bashkë artin e letërsisë me artin imazhit”, tha kuratori i ekspozitës. Për artistin Zini Veshi, cili jeton prej vitesh në SHBA, “arti është universal, arti rri mirë edhe në Nju Jork, arti nuk ka atdhe”.

Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 16 nëntor.

Neomigjeniane

Krenar Zejno

Ky do të ishte termi fjalëkyç i konceptimit kuratorial të kësaj ekspozite. Prej Migjenit është huajtur primati i tij për një koncept-emërtim, të cilin kur e lyp nevoja na vjen tashmë i gatshëm për përdorim: mjerim migjenian; imazhin përkatës: tablo migjeniane; hapësirën ku instalohet: skenë migjeniane; gjendjen që e banon: dramacitet migjenian.

Ndërkaq, në togfjalëshin ‘neomigjenian’, bashkëngjitur emrit prin një emërtesë që ka fituar prej kohësh qytetarinë si definicion i rrymave artistike me lidhje e përkime me artin e një periudhe të mëhershme, apo ndërlikime ricikluese mbi elemente të tij, risjellë në kohë të re, mbi një kontekst të ri.
Porse, edhe në lidhje me këtë, ekspozita që shfaqim nuk synon te një ndërlidhje e drejtpërdrejtë.

Së pari, me kalimin prej shkrimit te pikturimi, nga fjala tek imazhi, kapërcimi është apriori tjetërsues. Së dyti, s’është kërkuar një shpërfaqje analoge e mjerimit prekës dhe pikëllimit migjenian në objektin e një tabloje, por harkim dramatik në përmbajtjen e imazhit apo në formën dhe gjuhëzimin piktorik. Pra, nuk është qëllimi të ilustrohet vepra dhe marazi migjenian i skicimit letrar të dramës së mjerimit dhe vobektësisë së marrëdhënieve njerëzore si derivat i tij, përmes skicimesh prej arti pamor si derivate të inkursionit të shkrimtarit. As si vënie në shërbim të përndertë rikujtimi të tij përmes punësh të posaçme për këtë event.

Edhe teksti “I gjeni një qytet Migjenit”, kryer më parë e në tjetër kontekst, ripropozohet si pretekst metaforik i ngjarjes. Atëherë?!
Lakorja e gërshetuar e konceptit kuratorial, prej fjale dhe imazhi, shtrihet të lidhë njërin domen të shprehjes artistike me tjetrin, por rrjedhimisht edhe skajet kohore të këtij fillim shekulli me të përparshmin dhe anasjelltas. Dhe, për pasojë, edhe efektet e diskursin që implikon një vizion i propozuar nën këtë shenjues.
Ajo çka, së paku si premisë, tentohet në ekspozitë, është instalimi interier/interior i një atmosfere migjeniane për vizitorin, dhe prania në punët e autorëve që e bëjnë atë, e një trajte poeticiteti. Përmbushja me të cilën, dihet, e shpie një skicë a bocet drejt një pune të kryer e, me gjasë, drejt të qenët vepër arti.
Tekefundit, ç’do mund ta honorifikonte më efektvisht Migjenin se sa dëshmimi i poetikës së tij tek frymon edhe pas një shekulli dhe përmes veprash të një tjetër arti e të pavarura nga qëllimi për këtë.

‘Unë dhe ti, murgeshë, dy skaje po të një litari’…

Poeti nuk është këtu pikëmbërritja te memoriali, por pikënisja nga memoria për tek empatia. E jo për artistët që ekspozojnë, por për vizitorët që i ekspozohen përballjes me veprat. Për një “lexim” nga një pikëvështrim i njëjtë e nën të njëjtën shenjë i autorëve dhe zhanreve të ndryshme, si mes tyre edhe me shkrimtarin. Dikush vendas, por që ka për atelie dhe objekt tabloje kontekstin apo lëndën e një vendi të huaj, dikush i huaj, që as nuk di për Migjen, mirëpo diku e has dhe e bart e rikonfirmon edhe atë.

Një eskursus pamor nëpër ekspozitë, me ftesën nën sugjerimin për një perceptim të orientuar të shenjës dhe elementeve të mundshëm përbashkues. Kësisoj, me parakushtin kuratorial për të mbathur, në daç këpucët lustrafinë, pasqyrë për mjerimin e të vocërrit, n’daç tollumbat e shqyera vertikalisht përpjetë, gati të përpijnë edhe idhullin e ledhave në lëkurë (…po, po, një ditë tollumbat kanë me e hangër mësuesin e tyne) e jo detyrimisht vërsnikun e zilisë horizontale përballë. Iniciativa kuratoriale – edhe prej miradijes që arti nuk mundet ta këmbejë realitetin po veç ta bëj më të jetueshëm – nuk është apel për një ndjeshmëri e shprehje të re të shpresës apo të pashpresës sociale, por më së pari, shpresa dhe apeli për ndjeshmëri e shprehje të re artistike. E që të bëhen hesapet e një vepre arti dhe të përftohet interesi i kënaqshëm e i mbrothtë prej kësaj, lypset të pikaset diku shifra e saktë e saj dhe të njihet koeficienti i shumëzimit me të. Poema: pictura lokuens; pictura: poema silens.

Piktura në ekspozitë është mal që s’bëzan, pavarësisht dhe pafajësisht e pandjeshme ndaj përdorimit të vet në një kontekst (ndonëse ashtu si vepra e Migjenit mund të pësojë historinë e një përdorimi dinak kontekstual). Mirëpo, ja që metafora kuratoriale, për të thënë gjënë me anë të tjetër gjëje, është pranuar si ftesë për pjesëmarrje nga autorët, mbase edhe për një nevojë më tunduese se ajo e dëshirës për të ekspozuar: ekzigjencën për të mos kërkuar medoemos të drejtpërdrejtën deklamative në një vepër arti, por për të rrëmuar në nënshtresat e saj. E nëse një konceptim i tillë do t’i kryente sadopak një shërbim kësaj mundësie për të shquar të abstraguarën, sigurisht që kjo do t’ishte me voli edhe për vetë veprën e Migjenit, drejt këqyrjes së thellësisë matanë epitelit që mvesh skicimin e botës së tij në bocën e vet të papërfunduar. Përmbledhur pa mbetje, gjithë-gjithë në dy libra postume nga jo më shumë se dy vjet përvojtje e përvoje hovi dhe hareje shkrimi. Në demarshin e aktives së Migjenit dhe ndoshta në krejt synimin intentio operis të veprës, asgjë s’bëzan më ndjeshëm e don të dalë në pah më shumë se sa akti i tij i zbathjes, në publik e në rrethana cilësuese, i brekëve legjendare të prapanikes patetike të shkrimtarisë. Nga pamja te gjuha, nga fjala tek imazhi, marazi migjenian “shoh qartë e ma qartë/ e vuej thellë e ma thellë” u shkëput herët e s’mundi më gjatë të vuante aq thellë, sa ta rrotullonte mbarë vargun rreth vetes drejt një epifanie të anasjellë: vuaj thellë e më thellë, dhe shoh qartë e më qartë.

Vdes aktorja Maureen O’Hara

0

E lindur në Dublin, ajo kishte shkuar në vitin 1939 në Amerikë dhe më vonë ishte bërë shtetase e këtij vendi.

Aktorja amerikano-irlandeze Maureen O’Hara, një nga yjet e fundit e gjeneratës së artë të Hollywoodit, ka vdekur në moshën 95 vjeçare.
Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar menaxheri i saj, Johnny Nicoletti, transmeton Koha.net.

“Ajo ka vdekur në shtëpinë e saj në Boise, Idaho”, ka thënë Nicoletti, raporton BBC.

O’Hara është e njohur për rolin e saj në filmin “How Green Was My Valley”, që në vitin 1941 kishte fituar disa çmime Oscar. Ajo gjithashtu kishte luajtur në

“Quiet Man”, përkrah John Wayneit.

E lindur në Dublin, ajo kishte shkuar në vitin 1939 në Amerikë dhe më vonë ishte bërë shtetase e këtij vendi.

“Në karakteret e saj ajo ishte shumë energjike dhe e patrembur , ashtu siç ishte në jetën e vërtetë. Ajo gjithashtu ishte një irlandeze krenare që e ka kaluar tërë jetën e saj duke ndarë me botën trashëgiminë dhe kulturën e mrekullueshme të Emerald Isle”, ka thënë familja e saj përmes një deklarate. / KultPlus.com

Kush është i lig, mashtrues dhe i çmendur në këtë vend?

0

Nga Jakup Krasniqi

Pasi ditëve të fundit disa zëra, than e shkruan për të burgosurit politik dhe opozitën, pa hezituar, kush si mundi i quajtën: Dikush edhe duke fshehur çmendurinë e kultivuar ndër vite, thanë: “Të burgosurit politik janë të “çmendur”, një tjetër, duke e fshehur “shërbëtorin e përulur” ndaj UDB-ashëve serb dhe kujtdo tjetër, vetëm jo kurrë në shërbim të kombit e të atdheut, tha: “Të burgosurit janë shërbëtor të KGB-së”?! E ndonjë tjetër, e akuzuan opozitën si “pro Ruse” e “anti perëndimore”. Kjo po thuhet për njerëzit që po e duan vendin e tyre, kombin e tyre dhe perspektivën qytetare për sot e nesër.

Gjithë ky soj i shërbëtorëve të përulur, ndaj armikut shekullor nuk e morën guximin as edhe një herë në kohën e duhur, Atdheut e kombit nuk ia bënë asnjë argat të duhur sa herë që kërkohej pak sakrificë.

Tani në Kosovën e lirë e të pavarur, të çliruar nga të “çmendurit”, nga “spiunet” e “KGB-së”, i kanë veshur rrobat e “akademikëve”, të “çlirimtarëve” e të “demokratëve”, “shtetndërtues” e “pro perëndimorëve” duke ia dhuruar një pjesë te sovranitetit Serisë.

Të mjerët, ne asnjë kohë dhe as sot, “nuk janë të gatshëm ta trembin macen nga përsheshi”. Në jetë u ka mbetur vetëm një zanat: Të qenit shërbëtor të përjetshëm të të huajit, atë punë po e bëjnë edhe sot!

Madje gjithherë duke i shërbyer të huajit dhe bashkë me të huajin, i kanë etiketuar Luftëtarët e Çlirimit Kombëtar më etiketa më gërditëse! Ky ka mbetur zanati i tyre, i turpit të përjetshëm.

Ndërsa në kohën e luftës çlirimtare, me çdo mjet dhe mjete financiare, ishin sabotatorët e dëshmuar të saj. Ndërsa sot kërkohen të shpërblehen si “veteranë të luftës çlirimtare”?!

Më poshtë do u tregoj se pa proceset politike kundër atdhetarëve ndër vite, pa luftën çlirimtare dje, nuk do ta kishim lirinë e pavarësinë sot.

Sot pa opozitën e vendosur për të ruajtur sovranitetin e shtetit tonë, këta ligshtana do ta sillnin Serbinë këmbëkryq në Kosovë. Shyqyr që vendi ka opozitë të vendosur për t’i mbrojtur vlerat kombëtare dhe sovranitetin e shtetit.

Në vazhdim do të flasim për qëndresën kombëtare, kundër armikut shekullor, të cilit armik disa nga të akuzuarit nuk nguruan t’i shërbejnë me përkushtim e devotshmëri.

Procese politike për “kundërrevolucionarët”

Historia e proceseve politike kundër të burgosurve politikë shqiptarë të Kosovës, fillimin e ka nga periudha e Mbretërisë jugosllave për të vazhduar, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pra në Jugosllavinë e Titos. Qeveria e re jugosllave e Tito – Rankoviqit, menjëherë pas Luftës Nacionalçlirimtare, mbi popullsinë shqiptare kishte marrë një varg masash represive të përcjell edhe me masakra mbi njerëzit duarthatë siç ishin 3500 viktimat e Tivarit, të Sremit , por edhe ato mbi popullsinë e Drenicës në vitet 1944 – 1945, ku u dogjën 44 fshatra dhe u ekzekutuan 47.300 shqiptarë.

Proceset më të njohura politike janë: Procesi kundër pjesëtarëve të Lëvizjes Nacionaldemokrate Shqiptare ; të Prizrenit, dënimi i Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, i udhëhequr nga Kadri Halimi dhe Ali Aliu (1961), procesi kundër LRBSH, proceset kundër organizatorëve të Demonstratave të vitit 1968, procesi për dënimin e Adem Demaçit më 1975, Grupit Revolucionar maj 1974, dënimi i pjesëtarëve të LNÇSHJ më 1979 dhe proceset pas vitit 1981 e në vazhdim.

Gjithë këto masakra, dënime (edhe kapitale) që janë bërë për udhëheqësit e LNDSH-së e deri të dënimet e viteve që i kemi në shqyrtim (nga një deri në 15 vite), qëllim kryesor kishin mbajtjen nën zap të popullit shqiptar që ai mos të kërkonte të drejta e liri kombëtare. Në verën e vitit 1982 ndodhën një seri dënimesh drakonike për veprimtarët e organizatave politike të Ilegales, për të cilat informoi shtypi zyrtar i Prishtinës dhe ai ilegal. Këto organizata ishin: Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK) për të cilin u organizuan dy gjyqe, një në Prishtinë (18 veta) e një në Gjilan (16 veta), Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ), 10 veta gjyqi i organizuar në Prishtinë; Grupi “Pavarësia” prej 9 veta, gjyqi i organizuar në Pejë; Grupi i intelektualëve në Prishtinë, 9 veta, Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Të gjitha organizatat u dënuan për shkak të veprimtarisë nga pozitat e “nacionalizmit”’ “irredentizmit” si dhe për veprimtari “kundërrevolucionare”. Cilësimi më i zakonshëm ishte: “Bashkim për veprimtari armiqësore”, “propagandë” dhe “kundërrevolucion”, sipas nenit 136 e 133 lidhur me nenin 114 sipas LPJ. Për këto dënime të rënda politike, në shtypin e Kosovës dhe mjete tjera informative u shkruan edhe komente. Në komente në të shumtën e rasteve thuheshin fjalë më të rënda. Shpesh sikur bënin garë me aktakuzat e ngritura nga Prokuroria në bashkëpunim me policinë sekrete (UDB) që zakonisht i bënte hetimet dhe përcaktonte shkallën e dënimit. Dhe për këto vepra të dhunës se shfrenuar e kishin ndihmën e sojit te etiketuesve të sotshëm, mbase edhe vet etiketuesit!

Në ato komente, jo vetëm veprimtarët politikë, por e gjithë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, akuzohej se gjoja po kërkohej “Kosova e pastër etnikisht”. Një kërkesë e tillë asnjëherë nuk është shqiptuar nga të akuzuarit, por pse dhe ku e gjenin autorët e komenteve, nuk mund të dimë pasi komentet kishin autorësinë e shtëpisë botuese ose informative. Në rastin që po e shqyrtojmë komenti ishte i RTP-së.

Nga 5 deri në 11 qershor, në faqet e “Rilindjes” është botuar një fejton në shtatë vazhdime, me titull: “Gjurmëve të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë.” Edhe shtypi i ilegales në faqet e tija merret me proceset e përmendura, por qasja e tij ishte krejt tjetër. Në shtypin e ilegales hasim këta tituj: “Përpara drejt fitores” ishte kryeartikulli i gazetës “Liria” e muajt gusht 1981, “Dënimet e rënda nuk e frikësojnë popullin tonë”, “Demagogjia nuk mund ta mbulojë dhunën dhe terrorin” shkruante “Liria” e muajt dhjetor 1981 “Proceset e inskenuara politike formë e terrorit shovinist. “Zëri i Kosovës” shkruante gjerësisht për proceset gjyqësore, në shtator 1982. Artikulli përmbyllej me bindjen se ashtu siç i kemi tejkaluar inskenimet nga dimri i vitit 1944-1945, ashtu do t’i përballojmë edhe inskenimet politike të vitit 1981, se edhe nga ky terror politik do të dalim më të fort, më të kalitur e më vital për të ardhmen e sigurt të vendit e të popullit tonë.

Dallimet në mes prezantimeve në shtypin zyrtar dhe ilegal për gjyqet politike ishin të mëdha. Derisa në shtypin zyrtarë të Prishtinës, të burgosurit paraqiteshin: “nacionalistë”, “irredentistë”, gogolë, “kundërrevolucionarë”, “armiq” të shtetit, të “klasës punëtore” e të “popullit”, në shtypin e ilegales prezantoheshin: “krenari e kombit”, “sypatrembur e revolucionarë”, “luftëtarë të lirisë” e “çlirimtarë” etj., që përgjegjësi i jepnin vetëm popullit e askujt tjetër. Sulmi që kishte bërë politika jugosllave, nëpërmjet mjeteve të informimit publik në përgjithësi, e shtypit në veçanti për “armiqtë” e “popullit” e të “socializmit”, për “përmbysjen” e “shtetit” të “klasës punëtore”, të “socializmit Vetëqeverisëses”, etj., kishte ngritur në Jugosllavi urrejtjen ndaj popullit shqiptar e në veçanti ndaj të burgosurve politikë.

Të burgosurit politikë, në muajt e hetuesisë, deri në përfundim të hetimeve u janë nënshtruar torturave të rënda fizike e psikike. Pas dërgimit të burgosurve në burgjet e ndryshme të RSFJ, për ta fillonte një fazë e re e torturimit deri në gjymtim dhe mbytje.

Luftë mes “komandantëve”

0

Nga Mero Baze

Parlamenti i Kosovës arriti dje afër mesnatës të mblidhet në një sallë të improvizuar për të vazhduar seancën parlamentare të bllokuar nga gazi lotsjellës, i hedhur në mënyrë të përsëritur nga opozita, duke miratuar për ironi të fatit, ligjin për shëndetin mendor të qytetarëve të Kosovës. Ashtu si po shkon teatri i parlamentit në Kosovë, në të vërtetë ai është ligji i duhur për të gjykuar se çfarë po ndodh realisht në Kuvend.
Ajo që duket si një betejë e madhe opozitare për të bllokuar me dhunë Kuvendin, në të vërtetë është një bashkim betejash dhe objektivash, që në disa raste nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Vetëvendosja, e cila është iniciatore e radikalizimit të dhunshëm në Kuvend, e ka dhunën tashmë kauzë politike. Duke qenë qysh në themelim të saj kundër çdo lloj statusi në të cilin ka qenë Kosova, qysh prej shtetformimit të saj, ajo është edhe kundër këtij stadi politik. Kujtojmë se në filozofinë e Albin Kurtit, “Çlirimi i Kosovës, ishte një “lojë”, ndërhyrja e NATO ishte një “lojë”, vendosja e administrimit ndërkombëtar ishte një “lojë”, shpallja e Pavarësisë ishte një “lojë”, ardhja e Euleks” ishte një lojë, hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së Kosovës “ishte një lojë”….

Ai praktikisht nuk ka pranuar asgjë që është bërë në Kosovë qysh prej vitit 1999, nga pikëpamja e bilancit politik. I vetmi zhvillim pozitiv i tij dhe i partisë së tij, është që kanë pranuar realitetin politik në Kosovë dhe kanë hyrë në jetën parlamentare duke shmangur lëvizjen ilegale.

Brenda kësaj filozofie ata janë në betejën e tyre. Ata nuk janë aq shumë të shqetësuar për të drejtat e serbëve për të krijuar shoqatën e komunave, sesa janë të shqetësuar se kjo është një tolerancë që forcon kundërshtarët e tyre politik në pushtet. Dhe pikërisht këtu nis beteja.

Për Haradinajn kjo është një betejë kundër Thaçit, i cili e la të shëtiste gjashtë muaj si kryeministër në hije dhe pastaj për shkak të mungesës së elasticitetit të tij, i mori aleatin kryesor LDK-në, dhe bashkë me të rimori dhe pushtetin. Haradinaj ka qenë dy herë në Hagë për ato çfarë kanë ndodhur gjatë luftës, ndërkohë që rivali i tij Thaçi, edhe pse ka pasur status të njëjtë me të gjatë luftës, ende nuk ka parë ndonjë derë gjykate. Gjykata Speciale që po vjen në Kosovë, mund të rihapë letra të vjetra dhe nervozizmi që Hardinajt i ka rënë në pjesë gjithnjë të ketë punë me gjykatat dhe Thaçi me pushtetin, ka shkuar në skaj.

Limaj po ashtu e ka me Thaçin. Edhe ai ka provuar dy herë burgosjen për çfarë ka bërë gjatë luftës dhe ndërsa priste të ishte heroi i partisë së tij, u bë tradhtari i saj, duke e nxjerrë jashtë radhëve dhe duke e lënë në opozitë.

Hashim Thaçi natyrisht që është komod duke pasur përballë gjithë ish- komandantët e UÇK-së, të cilëve u lë shteg të sulmojnë Isën, derisa vezët të mos prekin kostumin e tij. Prej kësaj buron i gjithë nervozizmi i tyre me njëri-tjetrin. Njëri do të bëhet Ciprasi i Kosvës, dy të tjerë ndihen të persekutuar që mbetën dyerëve të gjyqeve, ndërsa rivali i tyre, ish-shok i vjetër i UÇK-së, ngeli 8 vite në karrigen e pushtetit. E gjitha është një luftë mes komandantëve të UÇK-së, të cilët nuk ia dolën dot të ishin kaq të egër me armiqtë e tyre serbë, sa janë me njëri-tjetrin.

Edhe pse ka një makth të përgjithshëm për skenat e dhunës në Kuvend, në finale nuk mendoj se imazhi i Kosovës dëmtohet nga kjo që ndodh. E gjitha lexohet si një nervozizëm politik, pa një kauzë të qartë dhe pa një rrugëzgjidhje. Kjo që po ndodh, ia bën më të lehtë qeverisë aktuale raportet me ndërkombëtarët dhe e bën më të largët shpresën e komandantëve të mërzitur me njëri-tjetrin dhe të gjithë së bashku me Thaçin, për rimarrje të pushtetit.

Për këtë shkak është mirë që kjo betejë të diferencohet dhe të kthehet në shtratin e vet. Ata që e kanë për politikë si lëvizje revolucionare, pra Vetëvendosja, le të vazhdojnë betejën. Të tjerët të negociojnë shqetësimet e tyre, përfshi dhe mundësinë për të hyrë në qeveri, nëse mendojnë se kështu janë më të qetë. Kjo është një betejë që ata nuk mund ta fitojnë duke u fshehur pas tymit të gazit lotsjellës, por duke fshirë fortë sytë dhe duke e parë të vërtetën në sy. Kosova nuk dëmtohet nga çfarë ata po bëjnë. Njerëzit janë të qetë pasi nuk i shikojnë në shumicë atë që ndodh aty si problem të tyre, por si problem të “komandantëve me njëri-tjetrin. Edhe pjesa tjetër e Kuvendit që është shumicë, e mori qetë dhe mes gazit lotsjellës, miratoi ligjin për shëndetin mendor në Kosovë. Ndaj deri tani, viktimat e kësaj beteje janë vet ata që po e bëjnë. Dhe kjo duhet kuptuar si alarm për ta.

Ish-ushtari i NATO-s: Kosova nuk ka trashëgimi, gjithçka është e Serbisë

0

Ish ushtari danez i NATO-s që ka shërbyer në Kosovë, tash deputet në Danimarkë, Jeppe Jakobsen, sipas gazetës serbe “Blic”, me keqardhje ka komentuar mbi votimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për ta rekomanduar anëtarësimin e Kosovës tek Asambleja e Përgjithshme.

“Kosova nuk do të pranohet në UNESCO. Kosova nuk është shtet sovran, as nuk do të jetë kurrë. Është pjesë e privuar e Serbisë. Pranimi i Kosovës në UNESCO do të ishte fyerje për Serbinë”, ka thënë ai, raporton “Blic”, transmeton Indeksonline.

Jakobsen tash është deputet në Danimarkë, ndërsa ka bërë thirrje për liderët e organizatës së UNESCO-s, se ata që duhet të merren nën krahët e tyre dhe të mbrohen janë serbët, pasi sipas tij, trashëgimia serbe është djegur e shkatërruar jo shumë kohë më parë.

“UNESCO mbron trashëgiminë a po? Nëse shikoni me vëmendje, dhe keni një dije bazike mbi historinë, do të vëreni se e gjithë trashëgimia kulturore në Kosovës është serbe. Patriarkana e Pejës, e Deçanit, kishat në Fushë Kosovë dhe e gjitha krahina… që të gjitha që janë djegur nga shqiptarët me qëllim. Sot, papritur, ata e shpallin trashëgiminë serbe si të veten. Trashëgimia dhe historia janë në anën e Serbisë, dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë. Kosova është pjesë e Serbisë”, ka shkuar më tej ai.

Ndërkaq, sipas deputetit danez dhe anëtarit të Partisë Kombëtare të Danimarkës, Jakobsen, një tjetër arsye se përse Kosova nuk duhet të jetë pjesë e UNESCO-s është se në këtë mënyrë Kosova do të njihet dhe legjitimohet si vend sovran.

“Kosova jo vetëm që nuk i plotëson kriteret për një shtet të pavarur, pasi nuk ka gjuhë dhe popullata nuk është e vetja (për shkak se Kosova nuk ekziston, ekzistojnë shqiptarët), por nuk ka as kulturë të veten. Përveç kësaj Kosova ka dëshmuar se nuk mund të funksionoj si një shtet i pavarur. Nuk kanë prodhim, ndërsa papunësia është si një lloj “sporti kombëtar”, emigrimi është i madh, të gjithë ikin. E vetmja gjë e begatë aty është krimi. Një vendi të tillë nuk mund t’i lejohet anëtarësimi në UNESCO”, ka përfunduar Jakobsen.

Politikanët e papërgjegjshëm po ia vënë flakën shtetit

0

Analistët thonë se qytetarët e Kosovës nuk kanë më nevojë për një Kuvend të tillë, të devalvuar, dhe një Qeveri të degraduar. Ata shprehen se sa më shpejt që Qeveria të tërhiqet, aq më mirë do të jetë për vendin, sepse kjo Qeveri dhe ky Kuvend nuk kanë më legjitimitet

Seanca e së premtes, që zgjati deri të shtunën pas mesnate, ishte një pasqyrë e qartë se politikanët e Kosovës rrezikojnë edhe zhbërjen e shtetit për interesat e tyre meskine dhe të inkriminuara. Këta politikanë të papërgjegjshëm nuk punojnë fare për interesa të vendit, por, pasi që për shumë kohë e kanë kapur shtetin, punojnë vetëm për interesa personale dhe të oligarkive të instaluara korruptive e kriminale në tërë vendin.

Ata mund të rrezikojnë vendin që sërish të kthehet në protektorat, pikërisht për shkak të paaftësisë dhe jokompetencës së këtyre politikanëve për të menaxhuar shtetin me ligje e Kushtetutë. Në fakt, edhe analistët mendojnë se kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe duhet të bjerë, sidomos pas ngjarjeve të 23/24 tetorit 2015 në Parlamentin kukull të Republikës së Kosovës.

Vazhdimi i saj i mëtutjeshëm vetëm mund të acarojë gjendjen e tensionuar gjithandej në Kosovë. Skenat e parmbrëmshme tregojnë se këta pushtetarë dhe kjo klasë politike nuk e duan ndërtimin e shtetit ligjor, nuk e duan stabilitetin dhe funksionalitetin e mirëfilltë të shtetit, por aty janë vetëm për interesa të tyre dhe grupeve kriminale që u takojnë. Pas asaj që është dëshmuar parmbrëmë në ndërtesën e Kuvendit dhe rreth saj, pas asaj që populli apo sovrani ka parë në sallën e Kuvendit si rezultat i veprimeve të pozitës dhe opozitës në Parlament, vendit do t’i bënte mirë që sa më shpejt të zgjedhë një qeveri teknike të përkohshme dhe që brenda 6 muajsh të shkohet në zgjedhje të parakohshme, që te sovrani të marrë besimin eventual përmes votimeve, shpresohet pa mashtrime, pa blerje dhe pa vjedhje industriale të votave../kosova sot/

Gazeta gjermane “Die Welt”: në Kosovë po qeverisë kaosi!

0

Një nga të përditshmet më të mëdha gjermane, Die Welt, në numrin e saj të së dieles raporton për situatën politike në Kosovë.

Me titullin “Në Kosovë po qeverisë Kaosi”, kjo gazetë raporton që parlamenti i Kosovës mbajti një seancë jo të zakonshme në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë (24.10)

Seanca u mbajt në një ambient tjetër të kuvendit jo në sallën e dedikuar për seanca të rregullta, për shkak se partitë opozitare disa herë hodhën gaz lotsjellës duke pamundësuar kështu mbajtjen e seancës në sallën kryesore të parlamentit.

Sipas udhëheqësve nga opozita, vetëm anulimi i marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi zhbllokon punën e Kuvendit. Në seancën që u zhvillua në një sallë të improvizuar, deputetët e shumicës miratuan disa ligje me votim klasik me ngritje dore, por pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët qëndronin në sallën kryesore të kuvendit.

Deputetët e opozitës seancën e improvizuar e cilësuan ilegale dhe të pavlefshme, shkruan kjo gazetë.

Kryesia e kuvendit pak para mesnatës së ditës së premte thirri sigurimin e parlamentit në sallën kryesore të seancave, të cilët krijuan një kordon parballë e deputetëve për t’u pamundësuar deputetëve të opozitës që fizikishit ta bllokojnë foltoren e parlamentit.

Kjo irritoi tej mase opozitën, përfaqësues hodhën gaz lotsjellës dhe gjuajtën me shishe uji e shkëmbyen fjalë të rënda me kryetarin e parlamentit dhe qeverinë duke bërë që mazhoranca të dalë nga salla e kuvendit.

Gjatë gjithë kohës kur brenda ambienteve të kuvendit të Kosovës ndodhnin zhvillime të pazakonta, jashtë ndërtesës së kuvendit simpatizantë të partive opozitare u përleshën me policinë, pasi këta të fundit hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën prej disa qindra simpatizantësh, shkruan kjo gazetë. /Express/

Thellohen mospajtimet

0

Zhvillimet e së premtes në Kuvendin e Kosovës kanë thelluar dallimet ndërmjet përfaqësuesve të koalicionit qeverisës dhe opozitës.

Përderisa pushtetarët thonë se ishte i domosdoshëm vazhdimi i seancës në një sallë tjetër në Kuvend, opozitarët thonë se kjo paraqet shkelje të demokracisë dhe paralajmërojnë se nuk do të ndalen së bllokuari punën e Kuvendit derisa të zhbëhet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka shprehur shqetësim e saj lidhur me zhvillimet në Kuvend dhe jashtë tij dhe ka apeluar te deputetët e opozitës që të heqin dorë nga dhuna.

“Jam thellësisht e shqetësuar dhe shpreh keqardhjen time të thellë për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme. Mjetet e përdorura janë plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare. Apeloj te deputetët e opozitës të heqin dorë nga dhuna”, ka deklaruar Jahjaga, duke thënë se aspiratat e vendit tonë po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ka qenë një situatë e vështirë për të gjithë./zeri/

Fitimet e shkrimtarëve

0

Të qenët “një artist i uritur” nuk është një “punë” për këdo. Siç na rezulton, shkrimi i librave ashtu siç duhet, mund të jetë një mënyrë shumë fitimprurëse e kalimit të kohës.

Revista Forbes, edhe këtë vit, si zakonisht, ka publikuar në stilin e saj të njohur, një renditje për shkrimtarët që kanë arritur të mbledhin më shumë të ardhura gjatë këtij viti dhe sasia e parave për të cilat bëhet fjalë, duket se është marramendëse.

10. John Grisham, 14 milionë dollarë

Fitimet e Grisham nga romani i tij më i fundit, “Gray Mountain”, së bashku me honorarët nga librat e mëparshëm, e kanë ndihmuar atë të klasifikohet ndër dhjetë shkrimtarët më të pasur të vitit. Po ashtu, shitjet tregojnë se historitë e krimit të Grisham mbeten ende të preferuara edhe pas kaq vitesh nga publikimi i tyre. Kjo është gjë e mirë, sepse pakti i Grisham për vetëm një libër në vit, është disi i ngadaltë krahasuar me disa autorë të tjerë në këtë listë.

9. Nora Roberts, 18 milionë dollarë

Libri më i fundit i Nora Roberts nuk ka pasur shitje të mëdha, historia e saj e 200 librave që vazhdojnë të shiten, i kanë ofruar sasi të mëdha parash. Klasikët e Roberts ende mbushin raftet e librave nëpër librari dhe duket se i kanë siguruar një vend në listën e shkrimtarëve që fitojnë më shumë për të paktën disa vite të tjera.

8. Stephen King, 19 milionë dollarë

Shkrimtari i zhanrit horror, Stephen King, bën aq shumë para saqë është e frikshme. Megjithatë, sipas “Forbes”, fitimet e tij janë ulur krahasuar me vitet e shkuara. Me gjithë uljen, fitimet e tij mbeten ende të larta.

7. J. K. Rowling, 19 milionë dollarë

Asnjë libër të ri “Harry Potter”, por ky nuk është problem! J. K. Rowling është ende një nga shkrimtaret më të paguara në planet. Duke shkruar si Robert Galbraith, Rowling ka ndërtuar një karrierë të dytë si një shkrimtare e krimit triller.

6. Janet Evanovich, 21 milionë dollarë

Evanovich është e njohur për serinë e saj të shkëlqyer të mistereve “Stephanie Plum”. Ajo është një shkrimtare pjellore, sepse nxjerr disa libra në vit. Nuk është mister fakti që Evanovich fitoi më shumë se 20 milionë dollarë këtë vit.

5. Jeff Kinney, 23 milionë dollarë

Jeff Kinney është autori i serive “Wimpy Kid”. Aftësia e tij për t’u lidhur me lexuesit e rinj, e ka bërë një milioner për të disatën herë. Kinney është gjithashtu shkrimtari që fiton më shumë nga lista e librave për fëmijë.

4. Danielle Steel, 25 milionë dollarë

Sipas “Forbes”, shumica e të ardhurave të Steel vijnë nga përparimet e romaneve të saj. Dhe ajo publikon shumë, duke qenë se ka shkruar rreth 100 romane që nga debutimi në vitet 1970. Me disa para ekstra që i vijnë nga librat e mëparshëm, Steel do të vazhdojë të fitojë goxha para në vitet në vijim.

3. Veronica Roth, 25 milionë dollarë

Trilogjia “Divergent” e Veronica Roth i dha asaj shumë para në kohën kur shumica e karrierës së saj ende i shtrihej para syve. Roth është vetëm 26 vjeçe, gjë që e bën atë shkrimtaren më të re të listës. Do të jetë diçka e këndshme të shohim se si do t’i përparojë karriera.

2. John Green, 26 milionë dollarë

26 milionë dollarët e Green nuk i afrohen fare maksimales që ky autor çon në shtëpi, por gjithsesi, është ende një shifër e lartë. Green kryeson një grup autorësh të rinj që po pushtojnë listën e atyre që fitojnë më shumë. Siç e thekson dhe “Forbes”, industria tani po sheh gjithnjë e më shumë shkrimtarë të rinj milionerë.

1. James Patterson, 89 milionë dollarë

Patterson është shkrimtari që fiton më shumë para në një vit mes të gjithë shkrimtarëve të tjerë. Ai publikon çdo vit më shumë se dhjetë libra, natyrisht edhe me bashkautorë të tjerë. Patterson është gjithashtu i njohur për bujarinë e tij, ndaj ndoshta është personi i duhur për të qenë në krye të klasifikimit.

“Harrohet” në sirtar hetimi për vdekjen e dyfishtë në Prizren

0

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” i shfaqur të premten zbuloi se janë “harruar” hetimet për vdekjen e dy fëmijëve nga fshati Serbicë e Ulët e Prizrenit.

Leotrim dhe Leonard Bytyqi 9 dhe 11 vjeçar u mbytën më 16 qershor të këtij viti në gropat e mbushura me ujë në afërsi të këtij fshati, ku edhe jetonin.

Besnik Bytyqi, babai i Leonardit tregoi për “Drejtësia në Kosovë” momentin e rëndë kur e kuptoi se djali i tij dhe ai i vëllait janë mbytur në njërën nga gropat e hapura ilegalisht.

“Fëmija janë kanë me bagëti këtu, edhe mu më ka telefonuar baba më ka thënë ‘hajde deri ka nalt përmbi fabrikë’. Kur kam ardhë unë nalt përmbi fabrikë fëmija veç ishin kanë të vdekur,” tha Besnik Bytyqi.

Sadik Bytyqi, babai i Leotrimit për gropën e hapur ku u mbytën këta dy fëmijë fajëson kompaninë I.M.N. “Tulltorja” Sh.P.K.

“Në këtë vend ka marrë dheun vetëm fabrika, askush tjetër, unë e di se jam që 7 vite këtu. Fëmija kanë qenë me bagëti, edhe janë hy me luajt nëpër ujë. Këtu ka pasë ujë rreth 80 centim, aty është një gropë deri 5 metra e thellë ku janë mbyt fëmija,” shpjegoi Sadik Bytyqi.

Zyrtarë të “Tulltores” në përgjigjen e tyre me shkrim, mohuan se kanë hapur gropën.

“Ne si kompani ndjejmë keqardhje për humbjen e jetës së fëmijëve. Edhe një herë dëshirojmë të cekim se ne si kompani nuk merremi me përdorimin e zhavorrit. Gropat në fjalë janë të hapura gjatë procesit të nxjerrjes së zhavorrit, dhe se vendi ku ka ndodhur fatkeqësia nuk gjendet në pronën tonë,” thuhet në përgjigje.

Sadik Bytyqi iu ankua ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” se hetimi për vdekjet e djalit dhe nipit të tij po zvarritet.

“Unë po kërkoj që drejtësia e atyre dy fëmijëve me dalë, e jo me i fsheh dokumentet nëpër fijoka. Që nuk merret policia edhe gjykata, që nuk del kjo punë në dritë, atëherë shteti i Kosovës më detyron mua vetë me qit drejtësinë e fëmijëve te mi në dritë,” tregoi mllefin e mbledhur Bytyqi.

“Drejtësia në Kosovë” zbuloi se pas pas ngjarjes tragjike, institucionet e ndjekjes, policia e prokuroria, nuk kishin ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përveç një raporti dyfaqësh të cilin policia e kishte dorëzuar në prokurori dy ditë pas vdekjes së dy fëmijëve.

Në këtë raport policia kishte intervistuar dëshmitarë, duke përfshirë punonjës dhe menaxherë të ndërmarrjes “I.M.N. Tulltorja”. Deklaratat e tyre të cilat ndodhen në dosjen të cilën policia e ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit përmbajnë elemente të shumta të veprave penale.

“…nuk kemi licencë për të eksploatuar dhe në atë pjesë,” thuhet në deklaratën e drejtorit të kompanisë Oliver Curri.

Se “Tulltorja” nuk kishte leje për të vepruar në atë zonë e pranojnë edhe zyrtarët e Komisionit të Minierave dhe Mineraleve.

“Në lokacionin ku ka ndodhur aksidenti , ndërmarrja I.M.N ”Tulltorja” sh.p.k nuk ka pasur licencë shfrytëzimi për aktivitet minerar, mirëpo kanë licencë shfrytëzimi në lokacionin tjetër. Pas marrjes se informatës për vdekjen e dy fëmijëve inspektorët e minierave kanë konstatuar se zona ku ka ndodh aksidenti nuk është brenda kufirit të licencës së shfrytëzimit për ndërmarrjen I.M.N ‘Tulltorja’ sh.p.k.,” thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrtarëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

AKP-ja nuk e di se në pronën shoqërore ka ndodhur kjo tragjedi

Të gjeturat tjera të ekipit hulumtues të “Drejtësia në Kosovë”, tregojnë se Agjencia Kosovare e Privatizimit që në vit i shpenzon rreth gjashtë milionë euro për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e pronave shoqërore, nuk e ka pasur fare idenë që në pronat shoqërore ishte eksploatuar kaq egërsisht.

“AKP-ja zyrtarisht nuk ka qenë në dijeni se në pronat e ndërmarrjes Lavërtaria-Blegtoria ka ndodhur ndonjë tragjedi dhe se ato janë duke u shfrytëzuar nga palët e treta. Lidhur me këtë rast AKP-ja nuk është informuar as nga ndonjë institucion. Pas vizitës që zyrtarët e AKP-së bënë me gazetarët në vend të ngjarjes ,u vërtetua se bëhet fjalë për ngastrën kadastrale 81-0, ZK Landovicë, e që është e regjistruar në emër të NSh Progres,” thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të AKP-së Ylli Kaloshi.

Besnik Bytyqi, babai i Leonard Bytyqit, njërit nga djemtë që vdiqën në gropën e hapur nga eksploatuesit ilegalë në pronën shoqërore, deklaroi se prokurori dhe policia i kanë thënë se rasti i djalit dhe nipit të tij është i mbyllur.

Policia dhe prokurori Sefer Morina kishin dalë në vend të ngjarjes pasi ishin njoftuar për tragjedinë, por të dy palët kuzuan njëra-tjetrën pse hetimet kanë ngecur.

Policia në emision pretendoi se është prokurori ai i cili është dashur që t`i autorizojë ata të vazhdojnë hetime mbi të gjeturat e para. E në anën tjetër prokurori Sefer Morina tha se policia është dashur t`i ndërmarrë vetë veprimet hetimore edhe pasi ka dorëzuar raportin hetimor te prokurori ,me kërkesën që prokurori të japë autorizime të mëtutjeshme.

“Policia, me datë 27.08.2015, ka parashtruar kërkesë të veçantë në Prokurori për ndërmarrjen edhe të disa veprimeve konkrete lidhur me rastin e ndodhur, duke potencuar dyshimin e veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm. Për këtë më datë 27.08.2015 është lëshuar autorizim nga prokuroria që policia t`i ndërmarrë edhe veprimet tjera hetuese lidhur me dyshimin e ekzistimit eventual të veprës penale,” thuhet në përgjigjen e prokurorit Sefer Morina.

Por zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit Hazir Berisha, tha se policia nuk ka pasur autorizim nga prokuroria për vazhdim të hetimeve.

“Sipas ligjeve aktuale, prokurori i shtetit e autorizon policinë që të hapë hetime për një çështje. Ne sipas ligjit jemi vetëm të obliguar ta informojmë prokurorin për gjetjet brenda 24 orëve. Dhe ne natyrisht e kemi informuar për të gjitha gjetjet dhe kemi kërkuar këshilla se si të veprojmë më tutje me këtë rast,” deklaroi Hazir Berisha.

Prokurori nuk kërkoi autopsinë e fëmijëve të vdekur

“Drejtësia në Kosovë” gjatë emisionit tregoi se prokurori Sefer Morina nuk ka kërkuar fare që t’u bëhet autopsia dy të vdekurve.

Prokurori e pranoi se nuk ka urdhëruar autopsinë, ngase sipas tij nuk kishte dyshime se dikush mund t’i kishte detyruar fëmijët të hyjnë në gropën ku vdiqën.

“Nuk ka pasur ndonjë ekzistim të dyshimit se vdekja është shkaktuar me ndonjë vepër penale nga personat eventualë, ndaj për shkak të mosekzistimit të këtij dyshimi lidhur me konstatimin e rrethanave të vdekjes së tyre, nuk ka qenë e nevojshme që të bëhet autopsia e trupave të pajetë, për të cilën fakt janë pajtuar edhe familjarët,” tha prokurori Sefer Morina në përgjigjet e tij.

Por zëvëndëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina tha se në rastet e vdekjeve të dyshimta autopsia e trupave është e domosdoshme.

“Prokurori i rastit për të kompensuar atë dështimin, ose lëshimin që është bërë në fillim, do të urdhërojë eks`humimin e trupave dhe meqenëse nuk qenka shumë gjatë, përmes eks`humimit edhe autopsisë tash pak më të vonshme do të përcaktohet shakatari i vdekjes së këtyre fëmijëve,” tha Sevdije Morina.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” gjatë hulumtimit për këtë rast të vdekjeve të pahetuara, ndikoi që mekanizmat hetimorë shtetërorë të aktivizohen. Një ditë pas intervistës me zëdhënësin Hazir Berisha, Policia Rajonale e Prizrenit vendosi t’i drejtojë kërkesë prokurorisë për vazhdim të hetimeve. /Kallxo.com