13.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

“Harrohet” në sirtar hetimi për vdekjen e dyfishtë në Prizren

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” i shfaqur të premten zbuloi se janë “harruar” hetimet për vdekjen e dy fëmijëve nga fshati Serbicë e Ulët e Prizrenit.

Leotrim dhe Leonard Bytyqi 9 dhe 11 vjeçar u mbytën më 16 qershor të këtij viti në gropat e mbushura me ujë në afërsi të këtij fshati, ku edhe jetonin.

Besnik Bytyqi, babai i Leonardit tregoi për “Drejtësia në Kosovë” momentin e rëndë kur e kuptoi se djali i tij dhe ai i vëllait janë mbytur në njërën nga gropat e hapura ilegalisht.

“Fëmija janë kanë me bagëti këtu, edhe mu më ka telefonuar baba më ka thënë ‘hajde deri ka nalt përmbi fabrikë’. Kur kam ardhë unë nalt përmbi fabrikë fëmija veç ishin kanë të vdekur,” tha Besnik Bytyqi.

Sadik Bytyqi, babai i Leotrimit për gropën e hapur ku u mbytën këta dy fëmijë fajëson kompaninë I.M.N. “Tulltorja” Sh.P.K.

“Në këtë vend ka marrë dheun vetëm fabrika, askush tjetër, unë e di se jam që 7 vite këtu. Fëmija kanë qenë me bagëti, edhe janë hy me luajt nëpër ujë. Këtu ka pasë ujë rreth 80 centim, aty është një gropë deri 5 metra e thellë ku janë mbyt fëmija,” shpjegoi Sadik Bytyqi.

Zyrtarë të “Tulltores” në përgjigjen e tyre me shkrim, mohuan se kanë hapur gropën.

“Ne si kompani ndjejmë keqardhje për humbjen e jetës së fëmijëve. Edhe një herë dëshirojmë të cekim se ne si kompani nuk merremi me përdorimin e zhavorrit. Gropat në fjalë janë të hapura gjatë procesit të nxjerrjes së zhavorrit, dhe se vendi ku ka ndodhur fatkeqësia nuk gjendet në pronën tonë,” thuhet në përgjigje.

Sadik Bytyqi iu ankua ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” se hetimi për vdekjet e djalit dhe nipit të tij po zvarritet.

“Unë po kërkoj që drejtësia e atyre dy fëmijëve me dalë, e jo me i fsheh dokumentet nëpër fijoka. Që nuk merret policia edhe gjykata, që nuk del kjo punë në dritë, atëherë shteti i Kosovës më detyron mua vetë me qit drejtësinë e fëmijëve te mi në dritë,” tregoi mllefin e mbledhur Bytyqi.

“Drejtësia në Kosovë” zbuloi se pas pas ngjarjes tragjike, institucionet e ndjekjes, policia e prokuroria, nuk kishin ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përveç një raporti dyfaqësh të cilin policia e kishte dorëzuar në prokurori dy ditë pas vdekjes së dy fëmijëve.

Në këtë raport policia kishte intervistuar dëshmitarë, duke përfshirë punonjës dhe menaxherë të ndërmarrjes “I.M.N. Tulltorja”. Deklaratat e tyre të cilat ndodhen në dosjen të cilën policia e ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit përmbajnë elemente të shumta të veprave penale.

“…nuk kemi licencë për të eksploatuar dhe në atë pjesë,” thuhet në deklaratën e drejtorit të kompanisë Oliver Curri.

Se “Tulltorja” nuk kishte leje për të vepruar në atë zonë e pranojnë edhe zyrtarët e Komisionit të Minierave dhe Mineraleve.

“Në lokacionin ku ka ndodhur aksidenti , ndërmarrja I.M.N ”Tulltorja” sh.p.k nuk ka pasur licencë shfrytëzimi për aktivitet minerar, mirëpo kanë licencë shfrytëzimi në lokacionin tjetër. Pas marrjes se informatës për vdekjen e dy fëmijëve inspektorët e minierave kanë konstatuar se zona ku ka ndodh aksidenti nuk është brenda kufirit të licencës së shfrytëzimit për ndërmarrjen I.M.N ‘Tulltorja’ sh.p.k.,” thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrtarëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

AKP-ja nuk e di se në pronën shoqërore ka ndodhur kjo tragjedi

Të gjeturat tjera të ekipit hulumtues të “Drejtësia në Kosovë”, tregojnë se Agjencia Kosovare e Privatizimit që në vit i shpenzon rreth gjashtë milionë euro për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e pronave shoqërore, nuk e ka pasur fare idenë që në pronat shoqërore ishte eksploatuar kaq egërsisht.

“AKP-ja zyrtarisht nuk ka qenë në dijeni se në pronat e ndërmarrjes Lavërtaria-Blegtoria ka ndodhur ndonjë tragjedi dhe se ato janë duke u shfrytëzuar nga palët e treta. Lidhur me këtë rast AKP-ja nuk është informuar as nga ndonjë institucion. Pas vizitës që zyrtarët e AKP-së bënë me gazetarët në vend të ngjarjes ,u vërtetua se bëhet fjalë për ngastrën kadastrale 81-0, ZK Landovicë, e që është e regjistruar në emër të NSh Progres,” thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të AKP-së Ylli Kaloshi.

Besnik Bytyqi, babai i Leonard Bytyqit, njërit nga djemtë që vdiqën në gropën e hapur nga eksploatuesit ilegalë në pronën shoqërore, deklaroi se prokurori dhe policia i kanë thënë se rasti i djalit dhe nipit të tij është i mbyllur.

Policia dhe prokurori Sefer Morina kishin dalë në vend të ngjarjes pasi ishin njoftuar për tragjedinë, por të dy palët kuzuan njëra-tjetrën pse hetimet kanë ngecur.

Policia në emision pretendoi se është prokurori ai i cili është dashur që t`i autorizojë ata të vazhdojnë hetime mbi të gjeturat e para. E në anën tjetër prokurori Sefer Morina tha se policia është dashur t`i ndërmarrë vetë veprimet hetimore edhe pasi ka dorëzuar raportin hetimor te prokurori ,me kërkesën që prokurori të japë autorizime të mëtutjeshme.

“Policia, me datë 27.08.2015, ka parashtruar kërkesë të veçantë në Prokurori për ndërmarrjen edhe të disa veprimeve konkrete lidhur me rastin e ndodhur, duke potencuar dyshimin e veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm. Për këtë më datë 27.08.2015 është lëshuar autorizim nga prokuroria që policia t`i ndërmarrë edhe veprimet tjera hetuese lidhur me dyshimin e ekzistimit eventual të veprës penale,” thuhet në përgjigjen e prokurorit Sefer Morina.

Por zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit Hazir Berisha, tha se policia nuk ka pasur autorizim nga prokuroria për vazhdim të hetimeve.

“Sipas ligjeve aktuale, prokurori i shtetit e autorizon policinë që të hapë hetime për një çështje. Ne sipas ligjit jemi vetëm të obliguar ta informojmë prokurorin për gjetjet brenda 24 orëve. Dhe ne natyrisht e kemi informuar për të gjitha gjetjet dhe kemi kërkuar këshilla se si të veprojmë më tutje me këtë rast,” deklaroi Hazir Berisha.

Prokurori nuk kërkoi autopsinë e fëmijëve të vdekur

“Drejtësia në Kosovë” gjatë emisionit tregoi se prokurori Sefer Morina nuk ka kërkuar fare që t’u bëhet autopsia dy të vdekurve.

Prokurori e pranoi se nuk ka urdhëruar autopsinë, ngase sipas tij nuk kishte dyshime se dikush mund t’i kishte detyruar fëmijët të hyjnë në gropën ku vdiqën.

“Nuk ka pasur ndonjë ekzistim të dyshimit se vdekja është shkaktuar me ndonjë vepër penale nga personat eventualë, ndaj për shkak të mosekzistimit të këtij dyshimi lidhur me konstatimin e rrethanave të vdekjes së tyre, nuk ka qenë e nevojshme që të bëhet autopsia e trupave të pajetë, për të cilën fakt janë pajtuar edhe familjarët,” tha prokurori Sefer Morina në përgjigjet e tij.

Por zëvëndëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina tha se në rastet e vdekjeve të dyshimta autopsia e trupave është e domosdoshme.

“Prokurori i rastit për të kompensuar atë dështimin, ose lëshimin që është bërë në fillim, do të urdhërojë eks`humimin e trupave dhe meqenëse nuk qenka shumë gjatë, përmes eks`humimit edhe autopsisë tash pak më të vonshme do të përcaktohet shakatari i vdekjes së këtyre fëmijëve,” tha Sevdije Morina.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” gjatë hulumtimit për këtë rast të vdekjeve të pahetuara, ndikoi që mekanizmat hetimorë shtetërorë të aktivizohen. Një ditë pas intervistës me zëdhënësin Hazir Berisha, Policia Rajonale e Prizrenit vendosi t’i drejtojë kërkesë prokurorisë për vazhdim të hetimeve. /Kallxo.com

Më Shumë

Suksesi në vlerësimin e brendshëm të shkallës së V-të në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit

Në gjimnazin "Gjon Buzuku", të enjten u zhvillua vlerësimi i shkallës së pestë për nxënësit e klasave të XI-ta. Drejtoresha e gjimnazit, Gylaj Shipkovica-Karjagdiu, njoftoi...

Akil Gjakova lë pas problemet jashtë sportit, përfaqëson Kosovën në Evropianin e xhudos

Xhudisti Akil Gjakova do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian për Senior që do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë nga 25-27 prill. Ky muaj...

Lajmet e Fundit