Home Blog Page 6920

Prokuroria, e gatshme për t’i hetuar Mustafën dhe Thaçin

0

Liderët kosovarë mund të përballen me ligjin për tradhti shtetërore

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se askush nuk është imun ndaj hetimeve, në rastet kur shkelet ligji, dhe ka informacion të mjaftueshëm për nisjen e hetimeve edhe në rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë – Serbi, në lidhje me Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Pasi nga një foltore publike dha urdhër për arrestimin e deputetëve të opozitës, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka marrë përsipër të luajë rolin e viktimës, me pretekstin e uzurpimit të Kuvendit. Në seancën e fundit parlamentare, Thaçi u deklarua për uzurpim të Kuvendit, duke harruar se nëse duhet akuzuar dikush për uzurpim, është ai vetë së bashku me strukturat përkatëse, shkruan Kosova Sot.

“Ne nuk mund të sillemi sikurse nuk po ndodh asgjë. Sot, Kuvendi i Kosovës është uzurpuar dhunshëm nga deputetët opozitarë. Ata kanë uzurpuar sallën e Kuvendit të Kosovës. Mendoj që sot Kuvendi të dënojë uzurpimin e dhunshëm të Kuvendit, nga një grup i caktuar deputetësh opozitarë”, është shprehur Thaçi në seancës e datës 14.12.2015.

Sipas profesorit Sadri Ramabaja, akuza e Thaçit në adresë të opozitës së bashkuar, për gjoja uzurpimin e institucionit të Kuvendit të Republikës, përveç ironisë, ka brenda në esencë realitetin faktik të përmbysur, meqë ai çdo gjë e sheh nga pozicioni i përmbysur. Sipas të njëjtit, atë që e ka bërë që nga koha, kur bashkë me një grusht individësh të papërgjegjshëm kishin ushtruar puçin e njohur brenda UÇK-së, duke likuiduar apo duke mënjanuar Kryesinë e LPK-së, e deri dje, kur e shndërruan definitivisht Tempullin e Demokracisë në cirk politik.

Ramabaja mendon se hetimet ndaj dyshes Isa Mustafa -Hashim Thaçi duhej të kishin nisur sipas detyrës zyrtare nga Prokuroria e Shtetit dhe nga ana tjetër, nëse çdo gjë do të ishte në rregull, siç pretendon dyshja në fjalë, do të kishin qenë të parët ata, që do të kishin kërkuar hetime. /Kosova Sot

Kujt i kërkoi falje Edi Rama?

0

Nga Blendi Fevziu –

Edi Rama ka kërkuar falje sot në Shkodër! Nuk është falja e parë e Kryeministrit, por si çdo falje padyshim që ka vlerë. Ajo që ngre pikëpyetje është se kujt i kërkoi falje Edi Rama dhe përse?

Zyrtarisht Kryeministri kërkoi falje për dekorimin e disa ish veteranëve të luftës, që vitet e admiruara të rinisë si luftëtarë, i tretën në disa dekada si persekutorë të sistemit më të egër komunist. Kërkoi falje për ish oficerë të policisë sekrete dhe ish hetues e prokurorë që arrestuan, torturuan dhe dënuan me prova të rreme dhe procese të montuara dhjetra shqiptarë. Ata që nuk e deshën komunizmin dhe ata që u bënë target për pakënqësinë e shprehur apo thjeshtë për të krijuar terror.

Kryeministri i kërkoi falje Profesor Sami Repishtit që i dekoroi hetuesin që e kishte torturuar në burg; i kërkoi falje shpirtit të At Zef Pllumit dhe familjarëve të tij sërish për xhelatin që e dergji për 26 vjet në burg. Padyshim që bëri mirë, por edhe kjo nuk do të thotë ndonjë gjë. Ka shumë shqiptarë të tjerë që janë trishtuar me atë dekorim ose të ngjashmit e tij. Shqiptarë anonimë, që ju morën jetën dhe rininë; që ju shkatërruan familjet, ju vranë të afërmit, ju morën të ardhmen, pa pasur asnjë shkak. Falja për ta nuk mjafton me një fjalë. Nuk mjafton as të thuash që ai persektor ose të ngjashmit e tij marrin sot edhe pension për merita të veçanta. Dekorimi mund të jetë edhe një gabim dhe gabimet korrigjohen. Problemi nuk është gabimi, por filozofia që kjo mazhorancë po përcjell. Dualizmi me të shkuarën dhe mos dënimi i prerë i saj. Lënia e gjërave në rrjedhë të lirë, duke besuar se pak vota nostalgjikësh vlejnë më shumë se sa e drejta dhe raporti me të. Rastet nuk janë pak.

A nuk e shprehin Portretet e Enver Hoxhës në çdo aktivtet të së majtës këtë gjë? A i kujtoni deputetët e Ministrat e PS në një sallë që bërtiste Enver Hoxha në Përmet? A e mbani mend Ministrin Naço që përulej para portretit të diktatorit në Berat? Po fotot e tij në festën e 17 Nëentorit që detyruan Ambasadorin Arvizu të ndërhyjë në emër të SHBA? Po paradën në Gjirokastër, kur deputetë e ministra të PS e LSI qëndronin si tranguj para veteranëve me shall të kuq e fotot e Hoxhës e Stalinit?! Nuk po përmend pastaj ritualin e përvitshëm në Pezë. Të gjitha rastet kaluan pa ndonjë reagim të veçantë, pak nën zë dhe pak me justifikime që nuk ka qenë një organizim zyrtar. Në fakt ky qëndrim ambig, është edhe dënimi i dytë i gjithë atyre që kanë vuajtur dhe nëpërkëmbja e një të drejte të njohur nga të gjithë në Shqipëri. E kam thënë edhe një herë, nuk mund të jesh edhe me klerikët e pushkatuar, fotot e të cilëve i var në Bulevard kur vjen Papa dhe edhe me ata që i masakruan dhe dhunuan ata! Asnjë vend në botë nuk e bën këtë!

Dhe e fundit, Rama kërkoi falje për dekorimet, por ai nuk tha diçka. Nuk tha se përse Qeveria e tij nuk organizoi asnjë ceremoni për 25 vjetorin e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, kur të gjithë e njohin si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Të majtë e të djathtë në Lindje u bënë protagonistë të këtyre festimeve. Kujtoni cfarë bëri Berlini për 25 vjetorin e rrëzimit të Murit; cfarë bëri Rumania për 25 vjetorin e vrasjes së Causheskut, cfarë bëri Polonia për 25 vjetorin e ardhjes në pushtet të Solidarnostit dhe cfarë bëmë ne! Thjeshtë asgjë. Mos kishin qenë dy – tre ceremoni të Presidentit vendi do ishte për turp. Në fakt, mos veprimi, nuk ishte gjë tjetër, vecse një kompleks i vjetër që shoqëron PS. Por një kompeks që s’e ka pasur Nano, por e ka Rama që në atë kohë, ka qenë së paku me sa mbaj unë, në anën e drejtë të zhvillimeve.

Më shumë se sa për dekorimet, Kryeministri duhej të kishte kërkuar falje për këtë! Që i ka lënë shqiptarët pa një qëndrim të vërtetë dhe të drejtë ndaj të shkuarës dhe që forca e tij është ende e kompleksuar prej saj!

Burgosja e opozitës provokon zgjedhje të reja

0

Analistët konsiderojnë se nëse vazhdon arrestimi i opozitarëve Qeveria do të bjerë dhe Kosova pashmangshëm do t’i drejtohet sërish kutive të votimit

Opozita e bashkuar është e vendosur që të mos heqë dorë nga bllokimi i seancave të Kuvendit, duke përdorë çdo mjet të mundshëm, me përzgjedhje të veçantë hedhjen e gazit lotsjellës, si mjet i pengimit të punës normale të legjislativit, për shkak çështjeve të ngritura më aspektin politik. Nga ana tjetër, pushteti ka paralajmëruar se arrestimet do të ndodhin në raste të tilla deri në momentin e fundit, për të mundësuar funksionimin e Kuvendit.

Në këto rrethana të këtij konflikti politik dhe fizik, analistët politikë, paralajmërojnë thellimin e krizës, humbjen e legjitimitetit të Kuvendit të Kosovës dhe afrimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme nëse nuk gjendet zgjidhja në tavolinë të bisedimeve.

Analisti politik, Blerim Burjani, konsideron se pushteti gradualisht po bie në grackën e kurdisur nga opozita, prandaj duke arrestuar deputetët, duke vrarë demokracinë parlamentare, vendi do të shkojë shpejt edhe në zgjedhje të reja. /Kosova Sot

Opozita e bashkuar nis përgatitjet për manifestim në Prizren

0

Opozita e bashkuar në Prizren ka mbajtur takim të përbashkët për koordinimin e angazhimeve lidhur me “Manifestimin për Republikën”, i cili do të mbahet me 19 dhjetorë në ora 13:00 në sheshin “Shatërvan”.

Deputeti i Nismës për Kosovë, Zafir Berisha, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se opozita e bashkuar ka filluar përgatitjet për manifestimin. Thotë se strukturat e partive opozitare kanë vendosur të takohen me aktivistë e qytetarë, për t’i shpjeguar atyre qëndrimin dhe hapat e mëtutjeshëm opozitarë rreth dy marrëveshjeve.

“Në këtë takim u vendos që strukturat e partive opozitare ditëve në vijim të takohen me aktivistë e qytetarë, për t’i shpjeguar atyre qëndrimin dhe hapat e mëtutjeshëm opozitarë rreth dy marrëveshjeve të dëmshme të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës, marrëveshje për formimin e Zajednicës dhe Demarkacioni me Malin e Zi”, ka shkruar Berisha.

Opozita e bashkuar fton qytetarët në mbështetje të kauzës sajë për të mbrojtur, sipas tyre, kushtetutshmërinë dhe funksionalitetin e vendit, e cila po vihet në pikëpyetje nga koalicioni PDK-LDK-Serbska.

“Qytetarë të Prizrenit pjesëmarrja e juaj në ketë manifestim është fuqizim i kërkesave të opozitës së bashkuar dhe mbrojtje e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Berisha. /PrizrenPress.com

Shtimi i përmasave të librave

0

Librat po rriten gjithnjë e më shumë në përmasa. Sipas një sondazhi, është zbuluar se mesatarja e numrit të faqeve është rritur me 25 për qind gjatë 15 viteve të fundit.

Një studim i më shumë se 2500 librave që u klasifikuan si bestsellerë dhe libra të përzgjedhur, si dhe librat më të diskutuar në Google, zbulon se trashësia mesatare është rritur nga 320 faqe në vitin 1999 në 400 faqe në vitin 2014.

Sipas James Finlayson që kreu studimin, ka një rritje relative vit pas viti, gjë që ka shtuar rreth 80 faqe në përmasën mesatare të librave të marrë në studim që nga viti 1999.

Për Finlayson, një pjesë e madhe e këtij ndryshimi, mund të shpjegohet nga kalimi drejt dixhitales. “Kur zgjedh një libër të madh në një librari, mund të frikësohesh, kurse në Amazon përmasa e një libri është thjesht një shënim në fund, për të cilin nuk kushton tepër rëndësi”.

“Personalisht blej libra të mëdhenj vetëm kur shkoj me pushime, sepse nuk dua t’i lë në fund të çantës. Por kur ke një libër të trashë në Kindle, kjo nuk përbën problem”.

Agjentja letrare, Clare Alexander, bie dakord se librat e gjatë janë më të përshtatshëm në formatet elektronike, por thekson se shumica e leximit elektronik fokusohet te zhanret si romanca, krimi dhe erotika. Për Alexander, rritja graduale në përmasa, është provë e një ndryshimi kulturor.

“Pavarësisht bisedës së vdekjes së librit, për shkak të konkurrencës me mediat e tjera”, thotë ajo, “njerëzit që duan të lexojnë duket se preferojnë një rrëfim të gjatë dhe të shpalosur mirë, krejt e kundërta e informacionit të thatë që ne shkarkojmë nga Google.

“Amerikanët kanë çarë rrugën – mendoni për Donna Tartt, Jonathan Franzen, Hanya Yanagihara dhe së fundmi, Marlon James, por ata nuk janë të vetmit. Hilary Mantel nga Britania dhe Eleanor Catton nga Zelanda e Re, kanë shkruar të dyja romane të gjata dhe po të shohësh listën, kupton se sa prej tyre kanë fituar çmime. Është kaq e qartë se edhe juritë preferojnë librat e gjatë gjithashtu”.

Çmimi “The Man Booker” për shembull, në Britani është bërë eventi kryesor i librit që nga vitet 1970 dhe prova e zgjerimit mund të gjendet në regjistrin e fitimtarëve. Romanet fituese të çmimit në pesë vitet e para kishin rreth 300 faqe, por edhe duke llogaritur romanin triumfues të vitit 2011 nga Julian Barnes prej 160 faqesh, pesë fitimtarët e këtyre viteve të fundit kanë një mesatare prej 520 faqesh. Fituesi i këtij viti, Marlon James, kishte një libër prej 700 faqesh.

Për Max Porter, redaktorin në Granta, që publikoi librin fitues të vitit 2013 prej 800 faqesh nga Eleanor Catton, është e vështirë të kuptohet thelbi i një ndryshimi të të gjithë tregut, por është inkurajuese të shohësh këta libra të rinj dhe ambiciozë teksa shfaqen.

“Në të gjithë kulturën, njerëzit po përpiqen të zgjidhin çështjen nëse përmbajtja do të bëhet mobile, çfarë pajisjesh njerëzit do të përdorin për ta konsumuar atë”, thotë Porter, “ndaj jam shumë i inkurajuar nga libri i madh dhe i trashë që thotë ‘më lexo’”.

Shtimi i programeve televizive, ku shikuesit angazhohen në kalimin e dhjetëra orëve për të ndjekur një rrëfim të vetëm, duket se ka inkurajuar publikuesit të mbështesin shkrimtarët që shkruajnë gjatë, vazhdon Porter.

“Është vërtetuar se njerëzit kanë oreksin, durimin dhe energjinë që të qëndrojnë pas një ngjarjeje dhe të njëjtave personazhe, teksa rrëfimi zgjerohet”.

Librat e trashë mund të bëhen më të lehtë për t’u mbajtur me vete, ngaqë lexuesi elektronik nuk e ka problem, por Porter nuk është i bindur nëse është leximi dixhital ai që ka nxitur trendin. Redaktori citon studimet që tregojnë se vetëm 60 për qind e librave që blihen elektronikisht, lexohen dhe normat e përfundimi shkojnë deri në 20 për qind për disa tituj.

‘Një libër i trashë është një mishërim fizik i qëllimit tuaj për të kaluar kohën e nevojshme për ta lexuar atë”. Shtimi i faqeve të romaneve bashkëkohore, mund të jetë shkak i pohimit plot vetëbesim të identitetit tonë.

Listat bestsellerë janë dominuar gjatë viteve të fundit nga seritë që variojnë nga Harry Potter te trilogjia e El James “50 hijet”.

Megjithatë, nuk po ndodh vetëm shtimi i fjalëve, botuesit po lënë hapësira në fillim dhe në fund të faqes dhe po rrisin madhësinë e shkrimit për t’i shtuar peshën romanit.

“Ka disa audienca që duan ta ndiejnë peshën e librave që po blejnë”.

Sfida e vërtetë e tregut të botimit të librave, nuk janë ekstremet e mëdha ose të vogla, por botimi i së mesmes, emrat jo shumë popullorë, shkrimtarët në mes të karrierës dhe librat e përmasave të mesme. / The Guardian

Këto ishin premtimet e Thaçit për heqjen e vizave (VIDEO)

0

Ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci gjatë një fushate elektorale në vitin 2010 kishte premtuar se për 15 muaj do të hiqen vizat për kosovarët.

E këtë premtim që e kishte thënë para elektoralit, Thaçi e kishte arsyetuar se e kishte fjalën për nisjen e dialogut për liberalizmin e vizave.

Ndryshe sot Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit. Mirëpo lajmet e mira të pritura për Kosovën nuk erdhën. Sipas këtyre konkluzioneve Kosova nuk ka përmbushur ende kriteret për liberalizimin e vizave.

https://youtu.be/Ndfbg6Xh51E

Isa Mustafa pat premtuar liberalizim të vizave për 2015!

0

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa me të marrë postin e kryeministrit, një nga premtimet më të mëdha që kishte bërë, ishte pikërisht liberalizimi i vizave. Ai në një intervistë që e kishte dhënë për Radio Kosovën me datë 25 dhjetor 2014, saktësisht para një viti, ishte i bindur se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë vitit 2015, raporton Gazeta Blic.

I pyetur nga gazetari se a do të ndodhë liberalizimi gjatë viti 2015, Isa Mustafa në këtë intervistë ishte përgjigjur: “Përkundër disa deklaratave që ne po i dëgjojmë, unë jam i bindur – dhe besoj se do të kemi. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmbushim të gjitha detyrimet dhe t’i kryejmë detyrat që i kemi para BE-së. Të hyjmë në këtë proces, ta realizojmë këtë proces, të japim garancione të forta për këtë, por si parakusht i kësaj ne duhet t’i frenojmë migrimet të cilat tani i kemi, që ndoshta në pikëpamje të njerëzve të cilët po tentojnë që edhe në këtë mënyrë ta lëshojnë Kosovën – ka arsye, por s’kemi arsye fare si vend të manifestojmë sjellje të tilla, sepse duhet ta ruajmë pavarësinë që e kemi, dhe duhet ta kultivojmë besimin në shtetin e Kosovës”.

Pos kësaj interviste, Isa Mustafa me të marrë postin e të parit të Qeverisë, ndër të tjera kishte premtuar se liberalizimi mund të ndodhte madje në pranverën e vonë të 2015, por që doli të ishte një premtim i pa përmbushur, raporton gazeta Blic.

Ndonëse jemi në prag të vitit 2016, BE sot i ka dhënë një raport negativ Kosovës, sa i përket plotësimit të kushteve për liberalizim të vizave.

Pos Isa Mustafës, edhe dy anëtarë të kabinetit të tij, Hashim Thaçi e bekim Çollaku, ishin të bindur se se do të ndodhë liberalizimi shumë shpejt.

Pse i quajmë romantikë, shkrimtarët që vdesin të rinj?

0

Benjamin Moser

Romantiket “Mungesë talenti”, u tall romancieri holandez, Harry Mulisch, kur fliste për shkrimtarët që vdesin të rinj. Mulisch vetë jetoi 83 vjet dhe shkroi aq libra sa ishte gati gjysma e jetës së tij. Ai ishte shembull i përkryer i këmbënguljes që gjithmonë pohonte se pavarësisht nga mosha e tij fizike, “mosha absolute” e tij – në mendjen e vet kishte mbetur kokëfortësisht veçse 17 vjeç. Dhe nuk kishte të bënte fare me ata që përpiqeshin të përvidheshin në prapaskenë ende pa rënë perdja.

“Pse duhet t’ju shtypë tramvaji kur ju jeni i ri”, -pyeste ai, “ose të merrni goditje nga një meteor? Ku qëndron thelbi i kësaj? Ka njerëz që janë në depresion dhe të frikësuar për të ardhmen, por unë nuk jam nga ata. Dhe të vdes: Jo, nuk është për mua kjo punë. Dhe në kohën kur lëshoi këtë batutë sfiduese, tashmë ishte mplakur. Por nuk e kishte humbur atë forcë olimpike, as vetëdijen e tij se ku qëndron talenti i vërtetë: të mos heqësh dorë.

Ashtu si çdo talent tjetër –ai për të kënduar apo vallëzuar për shembull, edhe talentin për të mos vdekur nuk e kanë për hise të gjithë. Jo të gjithë mund të vallëzojnë dhe jo të gjithë mund të plaken. Por si me çdo talent tjetër, të trashëgosh rrethana të përshtatshme është një gjë dhe të bësh të mundur që dhuntitë e tua të lindura të lulëzojnë është diçka tjetër. Për këtë, vetëm gjeniu më i rrallë mund t’ia dalë pa dhuntinë më kryesore të artistit, që është aftësia për të punuar pa u lodhur.

Puna e palodhur mund të jetë e admirueshme në shumë mënyra. Por ajo kurrë nuk do të jetë romantike. Në këtë pikëpamje, ajo ngjan me paranë. Në të tashmen, paratë dhe puna janë thjesht të dobishme. Në të kaluarën –nëse paraja ka humbur, nëse puna është bërë, ato thjesht mund të bëhen pjesë e një historie. Dhe historitë mund të bëhen romantike: një plantacion që e kujtojmë nën sfondin e letrës së grisur të murit të një pensioni, apo një krijuesi të magjepsur nga muza e tij. Por që t’ia dalin mbanë në jetë, shkrimtarëve u duhen të njëjtat cilësi joromantike që u duhen dhe të tjerëve për jetën e tyre.

Si grua e re e sapombërritur në qytetin e madh, njujorkezja Joan Acocella u miqësua me një grup artistësh “aq të shkëlqyer, të guximshëm”, sa natyrisht mezi priste të shihte se çfarë rruge do të merrnin ata në jetë. Megjithatë, me kalimin e viteve njëri pas tjetrit ata dështuan me premtimet e tyre. Divorcet e këqija, zhgënjimet në profesion, kokaina, ua hëngrën kokën. Ata që mbijetuan, kombinuan famën me virtyte si: durimi, elasticiteti, guximi.

Këto vese dhe virtyte vështirë se bëhen objekt romance. Ne nuk mund ta dimë se çfarë mund të kenë qenë. Ndoshta gjenialiteti i Bajronit, Shelley-it dhe Keats-it për t’u shprehur, do të ishte tulatur nën mungesën e dukshme të cilësive të këqija që përshkruan Acocella. Ndoshta, ashtu si Rembo, ata vdiqën pasi thanë atë që kishin për të thënë.

A do të ishte kjo kaq e tmerrshme? Atletët dhe valltarët e pranojnë se karriera e tyre do të jetë e shkurtër. Por, me apo pa të drejtë, ne e mendojmë të shkruarit si ushtrim shpirtëror, si projekt i barasvlefshëm me jetën e shkrimtarit. Kur një projekt i tillë ndërpritet që në fillim, ai gjithmonë do të ndihet i paplotë, një katedrale e lavdishme, por që i mungon kulmi. Ideja, ashtu si imazhi, është në vetvete shumë romantike. Por mund të ndihmojë për të shpjeguar se çfarë na prek aq shumë te një shkrimtar që ka vdekur i ri.

Një shkrimtar i tillë është mbi të gjitha një qenie njerëzore e vdekur. Dhe për çdo qenie njerëzore, vdekja e hershme është realitet i kobshëm. Nuk është aspak më romantike se tuberkulozi apo sifilizi, sëmundje që dikur mendohej se u jepnin viktimave të tyre një pamje joshëse. Dhe vija e hollë që ndan romancën nga sentimentaliteti është e njëjta që ndan zinë nga sendet pa vlerë; ta kapërcesh atë do të thotë të ngresh lart një vdekje të trishtë, në vend që të kujtosh arritjet e një jete.

Ka diçka groteske në lidhje me gjetjen e romancës tek abuzimi me drogën, aksidentet me makinë, ose sëmundjet veneriane. Është shumë më mirë të admirojnë talentin e vërtetë të shkrimtarit: që ngrihet çdo mëngjes, që shkon te tryeza e punës, që përqendrohet i tëri aty dhe nuk vdes. Shkrimtarëve, si çdokush tjetër, nuk u mungojnë kurrë arsye për të hequr dorë. Dhe një shkrimtar nuk duhet ta kujtojmë për vdekjen e tij, për atë që mund të ketë qenë, por për atë që ai ishte, për atë që arriti të bëhet.

Thaçi akuzon rëndë Brukselin

0

Këshilli i Bashkimit Europian, i cili ka bërë publike konkluzionet e pakos së zgjerimit pa një lajm pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, e ka lënë të zhgënjyer Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçin, i cili ka shpërthyer në akuza ndaj Brukselit.

Thaçi ka thënë se ky është një provokim i rëndë dhe i qëllimshëm që Bashkimi Europian po ua bën kosovarëve. Për më tepër, kryediplomati kosovar ka akuzuar se Unioni në këtë mënyrë po e nxit edhe ekstremizmin në Kosovë. Thaçi është njëri nga politikanët që ka premtuar lëvizje të lirë të kosovarëve në Zonën Schengen gjatë vitit 2016. Por, kjo nuk është hera e parë që ia ka huqur. Heqjen e vizave e kishte paralajmëruar edhe në vitin 2010, teksa po kërkonte votën për Kryeministër.

Zyrtarët kosovarë, përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin e Integrimeve vazhdimisht kanë deklaruar se Kosova i ka plotësuar kushtet që parashihen në udhërrëfyes. Një nga kriteret për liberalizim të vizave është edhe lufta kundër korrupsionit. Por, mbetet të shihet se cilat janë arsyet për këtë vendim negativ.

Ky është postimi i plotë i Hashim Thaçit në facebook:

Sot Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.
Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës.

Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës dhe kështu të jap ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina. Good luck EU! HTH

Nuk ka liberalizim të vizave për kosovarët

0

Këshilli Evropian ka dalur  me Raportin për vendet aspiruese në Bashkimin Evropian me ç`rast ka konstatuar se përkundër  përparimeve që ka shënuar Kosova në implementimin e kritereve, ajo nuk ka marrë një rekomandim pozitiv, sa i takon liberalizimit të vizave, njofton Klan Kosova.