5.4 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6941

Dokumentari për Amy Winehouse, së shpejti në Prizren

0

Ajo na tërheq me karizmën e saj. Demonët vetjakë që e ndjekin kudo, nuk mundet ta zbehin zërin e saj fenomenal dhe praninë e vërtetë në skenë dhe jashtë saj.
Në filmin dokumentar “Amy”, producenti Asif Kapadia sjell një kronikë të ngjitjes dhe rënies së këngëtares Amy Winehouse, një yll i muzikës xhaz.

Duke shfrytëzuar video amatore të regjistruara nga miq dhe producentë të Amy-t, materiale nga koncerte, intervista në publik dhe seanca regjistrimi, regjisori ka krijuar një portret magjepsës të këngëtares së talentuar.

“Amy”, së shpejti do të jepet edhe në DokuKino në Prizren. Kështu kanë paralajmëruar organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dhe Dokumentarit – DokuFest.

Regjisori Kapadia nuk synon të bëjë analizën e triumfit dhe rënies së këngëtares, por e le atë ta tregojë vetë historinë e saj. Përmes videove personale pafund, që ajo ka me miq dhe familjarë, ai sjell fjalët dhe mendimet e vetë Amy-t.

Filmi po ashtu na çon nëpër karrierën muzikore, në lulëzim. Ajo na tërheq me karizmën e saj. Demonët vetjakë që e ndjekin kudo, nuk mundet ta zbehin zërin e saj fenomenal dhe praninë e vërtetë në skenë dhe jashtë saj.

Filmi thekson ironinë tragjike se vetë Winehouse nuk e përballonte dot talentin e saj të jashtëzakonshëm. Filmi është po ashtu një kritikë e ashpër ndaj kulturës popullore dhe fiksimit të tabloidëve që shkatërrojnë pikërisht ata që duan më shumë. / KultPlus.com

Sa është kriza serioze?

0

SHKËLZEN MALIQI

Në “krizën” aktuale rreth bllokadës së Kuvendit një gjë është e çuditshme: përderisa opozitës i është lënë hapësira e pakufizuar e veprimeve dhe e radikalizimit të metodave të pengimit të mbajtjes së seancave, nga gjuajtja me vezë deri te përdorimi i gazit lotsjellës, udhëheqësia e Kuvendit me deputetet e pozitës mbajnë qëndrim defanziv, të mos themi edhe krejtësisht pasiv.

Për më shumë, ky pasivitet është i qëllimshëm. Na kujtohet reagimi i parë i Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, kur pati thënë se nuk do të ndërmarrë veprime kundër opozitës, p.sh., që të ftojë policinë pët ta vendosur rendin dhe mundësuar zhvillimin e seancave.

Veseli i ka kompetencat për këtë, ai mund t’i përdorë forcat e rendit për t’i larguar nga salla deputetët e rebeluar të opozitës. Ky edhe nuk do të ishte precedent ngase ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ua ka bërë këtë deputetëve të Vetëvendosjes, të legjislacionit të kaluar.

Pse s’po reagon Kadri Veseli?

Përcaktimi i Veselit për mospërdorimin e autoritetit dhe forcës në vendosjen e rendit në Kuvend është interpretuar në mënyra të ndryshme.

Nuk dua të futem në spekulime me çfarë qëllime e ka bërë këtë. Por një gjë më duket e padyshimitë. Veseli nuk e ka bërë këtë as nga mosdija dhe papërvoja politike, ose nga frika se mazhorancës i mungojnë argumentet që përligjin veprimet më të vendosura kundër sfidës së opozitës.

Mendoj se qëndrimi pasiv më parë kushtëzohet nga ndjenja e superioritetit që e ndien mazhoranca, sepse e ka shumicën superiore – mbi dy të tretat e mandateve në Kuvend.

Nga një pikëvështrim i këtillë, aksionet e opozitës janë konsideruar si manovrime të pashpresa dhe, në afate më të gjata, të padëmshme ndaj raportit real të forcave.

Kështu, opozitës i lejohet që ta zbraz dufin, ashtu sikur që i lejohet fëmijëve të lazdruar që të bëjnë disa sherre, për t’i mësuar pastaj se axhamillëku i tyre ka kufi dhe se duhet të zmbrapsen kur të kuptojnë realitetin duke u ndeshur me rregullat dhe murin e superioritetit të mazhorancës.

Për shkak të këtij rreshtimi të çuditshëm dhe tolerancës ndaj dhunës simbolike, dhe atë kërcënuese të opozitës, shumë opinionistë dhe politikanë kanë konkluduar dhe trumpetuar se Kosova qenka futur në një krizë të madhe që, madje, nuk do të mund të kapërcehet me mjete të disponueshme ligjore, por vetëm me masa ndërhyrëse.

Si më e preferuara dëgjohej ideja e instalimit të një tryeze të partive, e cila do të duhej ta pjellte një qeveri tjetër, të koncentruar, ose teknike e kalimtare, që do të duhej t’i përgatiste zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por këto ide përmbysëse sikur e huqin tërë një subjekt shumë të rëndësishëm të çështjes, që s’mund të anashkalohet si faktor.

Falimentimi i pozitës

Në këtë zhurmë idesh shpërtimtare nuk hetohet se mazhoranca vërtet është duke ndejtur e qetë, nuk reagon, i duron pa luajtur qerpikët gjuajtet me vezë, zhurmën e bilbilave dhe gazin lotësjellës.

Por, kjo nuk do të thotë se me këtë dëshmohet se ajo tashmë qenka një forcë e falimentuar, e cila do të duhej që, pothuajse pa rezistencë, t’i dorëzohet fatalitetit, duke bërë kompromise gati të detyrueshme me opozitën.

Krizë do të kishim nëse mazhoranca dhe pushteti i saj nuk do të kishin më asnjë instrument veprimi të ligjshëm dhe efiçient.

Për krizë më serioze do të mund të flsinim nëse grupi më radikal i deputetëve të opozitës (mbase në bllokun opozitar nuk është vetëm Ilir Deda që thërret për veprime më të arsyeshme dhe pa dhunë!), me gjithë përkrahësit militantë që tregohen të gatshëm që të mobilizohen për beteja të hapura me pushtetin dhe policinë, siç ndodhi natën kur u ndalua dhe u mor në pyetje nga policia Albin Kurti, do të kishin potencialin e një kërcënimi përmbysës, të një revolte të gjërë popullore. Ky edhe është skenari me të cilin po e kërcënojnë pushtetin liderët e opozitës.

Por, a e ka opozita përkrah vetes masën kritike që i jep shpresë se mund të konfrontohet me pushtetin dhe ta përmbys atë?

Kjo është vërtet një pyetje e hapur, por ama jo edhe aq kërcënuese siç e shohin opinionistët zhurmues që keqkuptojnë edhe heshtjen e opozitës por edhe, çka është më e rëndësishme – heshtjen dhe qëndrimin e rezervuar të shumicës së popullsisë – që megjithatë janë votues të partive në pushtet. Nuk janë grupimet militante të përkrahësve të opozitës ata që paraqesin rrezikun real për një përmbysje të pushtetit.

Tani që edhe pozita ka lëvizur deklarativisht, duke thënë se nuk do të lejohet më bllokimi i punës së Kuvendit, do të shohim se si qëndron puna me raportin real të forcave.

Nëse p.sh., mazhoranca vendos që t’i mbajë seancat e Kuvendit duke i imobilizuar ose përjashtuar deputetët trazovaçë të opozitës – çka është e pritshme – vërtet mund ta presim kushtrimin e opozitës për protesta masive popullore.

Por sa do të janë ato masive? Kjo është një pyetje që duhet ta mendojnë mirë krerët e opozitës. Agjenda e opozitës për anulimin e dy marrëveshjeve nuk më duket se e ka atë masë kritike të mllefit popullor që premton kryengritje të suksesshme.

(Mos)mbështetja popullore për opozitën

Në të vërtetë, të dyja marrëveshjet e kontestuara ultimativisht, edhe ajo e Aociacionit të komunave serbe, edhe e Demarkacionit me Malin e Zi, nuk perceptohen në opinion ashtu siç i sheh opozita.

Përkundër faktit se Qeveria nuk ka bërë shumë që marrëveshjet të arsyetohen mirë dhe në detaje, ato nuk shihen si diçka që është vendim arbitrar ose gafë e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, sepse prej kohësh dihet se bëjnë pjesë në dialogun me Serbinë, dhe rregullimin e raporteve me Malin e Zi, si shtet fqinj.

Për më shumë janë marrëveshje që gëzojnë mbështetje të parezervë të SHBA-ve dhe të BE-së, gjë që krijon një kundërpeshë dhe digë të madhe për ambicien e opozitës që t’i paraqet si të dëmshme për Kosovën.

Qytetarët e Kosovës, pjesa dërmuese e tyre, edhe kur heshtin dhe i “këqyrin punët e veta”, e ata po e bëjnë këtë në këtë “krizë të madhe”, vështirë se mund të mobilizoheshin për projekte politike të dyshimta të opozitës.

Ata e ndiejnë se ato objektivisht çojnë drejt një konfrontimi jo të mirëpritur dhe jo pa pasoja të vendit tonë me fuqitë aleate që e kanë mundësuar pavarësimin e Kosovës dhe po angazhohen në afirmimin e plotë të shtetësisë së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, çka edhe eshtë qëllimi i dialogut me Serbinë.

Kundër marrëveshjeve, kundër Amerikës

Përderisa Kosova e ka një mazhorancë stabile në pushtet, e cila mund të sulmohet dhe të delegjitimohet shumë më fuqishëm në aspektet tjera të të metave që i shfaq gjatë qeverisjes, por jo për marrëveshjet që janë arritur si të bashkërenditura dhe me mbështetje të fuqive aleate.

Shumica e popullsisë në Kosovë më parë i beson Amerikës se klithmave opozitare për “tradhti kombëtare”, nuk mund të flitet për ndonjë “krizë pa rrugëdalje”.

Rrugëdalja më racionale dhe më e shpejt është zbutja dhe zmbrapsja e opozitës që ka marrë një kurs të paudhë dhe avanturier.

Reflektimi im i aspekteve esenciale të situatës më çon te përfundimi se në Kosovë nuk ka krizë serioze.

Ka vetëm krizë të krijuar artificialisht, e shkaktuar nga dhuna interpretative e opozitës pakicë, e cila pretendon se flet në emër të popullit duke marrë njëkohësisht edhe rolin e prokurorit, edhe atë të gjykatësit, e pastaj edhe të ekzekutuesit ose xhelatit të “drejtësisë”.

Realisht, ky është një teatër ku po luhet farsa e mendësisë totalitare. Ajo nuk duhet dhe nuk mund të bëhet fuqi kërcënuese për ardhmërinë e Kosovës.

Opozita godet gabueshëm jo atje ku Qeveria nuk përmbushë interesat e përgjithshme, por në dy çështjet që janë projekte jetike për shtetndërtimin dhe proceset e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.

Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për Klan Kosovën (www.klankosova.tv)

Egzon Pireci me këngë sensibilizuese në Festivalin e RTSH-së

0

Më herët është konfirmuar konkurrimi i këngëtarit Egzon Pireci në Festivalin e 54-të të RTSH-së.

Por kënga me të cilën ai do merr pjesë ka një tematikë tejet të veçantë. Egzoni për Tribunën ka treguar se kënga flet për një dashuri e cila sfidohet me plot dhimbje por që fundi është i lumtur.

Fjala është për ‘të dashurën’ e tij e cila është diagnostifikuar me sëmundjen e kancerit dhe dashuria e madhe në mes çiftit ka bërë që të ai të mos e lërë atë në momente të vështira.

Ja si e shpjegon Egzoni:

“Sapo ma konfirmuan se edhe un do të jem pjesë e festivalit të madh të RTSH-së, festival ‘live’ në të gjitha komponentet, ku fituesi përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion. Do të marr pjesë me një këngë të kompozuar nga Faton Dolaku. Kënga flet për një temë shumë të ndjeshme dhe të veçantë… Pra flet për një histori dashurie të betuar se do të jenë bashkë në çfarëdo gjëje që ju servon jeta dhe ashtu bëhet…por papritmas e “dashuria” ime diagnostifikohet me kancer dhe humbë vetëdijen, ndërsa unë duke e dashur më shumë së çdo gjë në botë, vendos që ti qëndrojë pranë, që ajo të ngrihet dhe ta vazhdojmë dashurinë tonë aty ku e lamë…un e di se ajo e ndjen që jam pranë saj, dhe e di se do gjejë forcën që të luftojë më fortë…dhe vazhdojë ti qëndrojë pranë shtratit të saj, duke besuar se pa asnjë dyshim dashuria jonë ka forcën më të madhe sesa çdo gjë tjetër, madje më të madhe sesa kjo sëmundje… I gjithë mesazhi është,që kurrë dhurojmë dashuri me gjithë shpirt dhe marrim dashuri te tillë, çdo gjë kalohet dhe pa dyshim dashuria Triumfon dhe ka forcën ta mund çdo gjë që provon ta ndalë dashurinë”./Gazeta Tribuna/

Donacioni i grave të LDK-së në Prizren

0

Forumi i Gruas së LDK-së në Prizren, ka dhuruar një donacion simbolik me material shkollor dhe pajisje të ndryshme për nevoja të fëmijëve të prekur nga sindromi daun në Prizren.

Zyrtaret e Forumit të Gruas së LDK-së në Prizren, sot u solidarizuan me shoqatën e fëmijeve të prekur nga sindroma daun. Kryetarja e këtij forumi, Sadije Osaj- Jakupi, së bashku me disa bashkëpunëtore përmes një iniciative vetjake kanë dhuruar disa pajisje për nevoja të fëmijëve të prekur nga sindromi daun.Ajo me këtë rast tha se fëmijët e prekur nga kjo sëmundje, janë mjaft të talentuar por ata kanë nevojë për përkrahje, dhe për këtë arsye në kuadër të angazhimeve tona kemi ndërmarrë këtë iniciativë për të shprehur solidarizimin tonë me këta fëmijë, theksoi ajo.

Ndërkaq, drejtoresha e shoqatës së fëmijëve të prekur me sindromën daun në Prizren, Sebahate Zeqiri, e vlerësoi të rëndësishëm këtë donacion simbolik për anëtarët e këtij organizmi, të cilët kanë nevojë për mbështetje që ata të integrohen sa më lehtë në shoqërinë tonë, theksoi ajo. Zyrtaret e degës së FG të LDK-së në Prizren, premtuan se edhe në të ardhmen do të mundohen të sigurojnë ndihma të nevojshme për anëtarët e shoqatës që vuajnë nga sindromi daun në komunën e Prizrenit…/tv przreni/

Kadri Veseli me një plan të rrezikshëm për ta kthyer normalitetin në kuvend

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vendosur që t’ia jep vetëm edhe një mundësi opozitës për ta normalizuar punën në Kuvend.

Nëse edhe në seancën e radhës, e cila do të mbahet të enjten tjetër, blloku opozitar, VV- AAK dhe NISMA, do të vazhdojnë me bllokimin e kuvendit dhe me veprimet e njëjta si në dy javët e fundit, atëherë ai do të marr masa më rigoroze dhe që mund ta tensionojnë edhe me shumë situatën politike.

Kështu kanë bërë të ditur burime të afërta me kryetarin e Kuvendit.

Sipas këtyre burimeve, Veseli ka paraparë t’i përdorë forcat e policisë dhe sigurimit të Kuvendit për t’i nxjerrë me dhunë nga salla deputetët që do ta pengojnë mbajtjen e seancës.

Sipas këtij burimi të portalit INFOKUSI, Veseli për këto veprime është duke u konsultuar edhe me zyrtarë të tjerë të Kuvendit dhe të organeve të rendit.

Kjo sipas tij, është karta e fundit e Veselit për të kthyer normalitetin në Kuvendin e Kosovës.

Pse po protestojmë?

0

Besart Morina
Kohëve të fundit, e sidomos me të filluar viti i ri akademik, po diskutohet gjithandej rreth vendimeve të rektorit aktual të UP-së, Ramadan Zejnullahut, për kinse ngritjen e cilësisë në Universitetin e Prishtinës. Me këto vendime, rektori më tepër shkaktoi huti në mesin e studentëve, sesa të paktën ndonjë vetëdijesim të tyre për “rëndësinë dhe domosdoshmërinë” e këtyre shtrëngimeve. Për më tepër, këto ndryshime erdhën pa kurrfarë masash paraprake, të cilat do t’i sensibilizonin studentët dhe do t’i bënin më të pranueshme dhe të arsyeshme këto ndryshime.

Kur po flasim për gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës, natyrshëm po më vjen një mendje një krahasim i kësaj gjendjeje me kullimin dhe pastrimin e ujit. Ky rektor, me ato pa vetëdije, sikur po mundohet të bëjë diçka që është e përcaktuar të dështojë që në fillim. Thirrja në ngritje të cilësisë dhe ndalje të avancimeve pa kriter të stafit akademik po më ngjan me përpjekjen e një njeriu për ta kulluar ujin përmes një site mielli. Në këtë rast, sita tingëllon si një mjet i duhur për të pastruar diçka, për ta ndarë të mirën nga e keqja, por vlera e sajë po barazohet me zero kur po e bëjmë të njohur lëndën që duhet ta pastrojë, pra ujin. Kështu, rektori po mundohet që disa dukuri të këqija t’i çrrënjosë në mënyra të gabuara, sepse thjesht është huçur adresa nga duhet bërë me gisht dhe këto të këqija nuk po goditen në rrënjë, aty ku do të shkatërroheshim një herë e mirë.

Rektori po bëhet sikur nuk e di, por ne të gjithë e dimë se studentët janë të fundit që duhet fajësuar për mungesën e cilësisë në fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Studentët nuk janë fajtorë, i nderuar rektor, për mungesën e punës praktike në drejtimet ku ajo është e domosdoshme. As nuk kanë faj për mungesë të stafit akademik apo administrativ, e aq më pak për parregullsitë e dallaveret në angazhimin e tyre dhe keqpërdorimet që individë të caktuar prej tyre bëjnë nën petkun e të angazhuarit në Universitetin e Prishtinës. E ju, tërë faturën e gabimeve dhe parregullsive të kësaj natyre, po kërkoni t’ua vini barrë studentëve, të cilët nuk kanë asgjë në dorë për ta përmirësuar apo, larg qoftë, për ta përkeqësuar gjendjen e institucionit që ju drejtoni.

Një gjë që po i irriton edhe më shumë studentët e dëmtuar, është fakti se rektori po sillet si të ishte i paprekshëm, i pagabueshëm, apo sikur ka bërë ndonjë mrekulli gjatë kësaj kohe sa është në detyrë. Dëshirojmë t’ia bëjmë me dije se përkrahja deklarative e ministrive dhe ambasadave nuk nënkupton për të autoritet dhe pushtet të pakufizuar. Përkundrazi, këtë përkrahje ai do të duhej ta shndërronte në më shumë punë dhe transparencë, e kur i përmendim këto, duhet ta dijë që për to më së shumti u detyrohet studentëve. Duke e parë neglizhencën që po ua bën kërkesave tona, jemi të detyruar ta kundërshtojmë fuqishëm, sepse bëhet fjalë për punën e mijëra studentëve, përpjekjet e të cilëve rrezikojnë të shkojnë dëm, në rast se rektori vazhdon me të njëjtën qasje. Ndaj, ne do të vazhdojmë të protestojmë deri sa të rikthehen afatet që kanë qenë më parë dhe arritja e kushtit, kërkesa këto plotësisht legjitime dhe të arsyeshme.

(Autori është student i Universitetit të Prishtinës)

Prizren: “Mos më lër” për dy miq, në vend të historisë për fundin e Belgjikës

0

Projekti që ka nisur me idenë që të tregohet se si po vjen fundi i shtetit të Belgjikës gradualisht është shndërruar në rrëfimin për dy miq, Bobin dhe Marcelin, të cilët shkojnë drejt vetëshkatërrimit me zhytjen në konsumimin e pakontrolluar të alkoolit.

Kësisoj Niels van Koevorden dhe Sabine Lubbe Bakker kanë arritur që të krijojnë dokumentarin “Mos më lër” (Ne Me Quitte Pas). Sekretin për “devijimin” në realizimin e projektit e ka bërë publik regjisorja Sabine Lubbe Bakker gjatë një bashkëbisedimi të mërkurën mbrëma me publikun në Prizren.

Ai është përcjellë në të njëjtën kohë edhe në Podgoricë, Lubjanë, Zagreb, Beograd e Shkup nëpërmjet videolidhjeve që ka pasuar pas shfaqjes së filmit në të këto vende.

“Kur e kemi nisur projektin kemi dashur që ta bëjmë një film për fundin e Belgjikës. Ka qenë një ide e tmerrshme, e pranoj”, ka thënë Bakker duke shpjeguar se me partnerin e saj Niels van Koevorden gradualisht kanë nisur të përcjellin rutinën jetësore të Bobit dhe Marcelit, që u ka dhënë atyre material të mjaftueshëm për të realizuar një dokumentar.

Këto dy personazhe të ndajnë dështimin, humbjen, absurditetin e miqësinë e pazakontë të dy burrave në një provincë të vogël belge “laget” me sasi të mëdha të alkoolit.

“Ka njerëz që kanë të afërm, që janë të varur nga alkooli dhe ky film i prek ata për shkak të përvojave të tyre personale, dhe i shtyn të flasin për këtë. Por filmi në veçanti nuk ka ngjallur ndonjë debat të veçantë mbi dukurinë e alkoolizmit”, ka deklaruar Bakker.
Megjithëkëtë ajo ka pranuar se me partnerin e saj, Niels van Koevorden ka kaluar kohë të mirë duke realizuar filmin përkatësisht duke përcjellë Bobin dhe Marcelin, të cilët regjisorëve u kanë mundësuar qasje të plotë në jetesën e tyre për një kohë relativisht të gjatë.

“Kemi kaluar mjaft kohë duke pritur që ata të bëjnë atë që bëjnë. Natyrisht ka pasur situata qesharake, por edhe serioze, madje që kanë mundur të jenë të rrezikshme”, ka bërë të ditur Bakker, gjatë shpjegimit të përvojës së realizimit të dokumentarit, që, sipas saj, ka një strukturë kryesisht fiksioni.
Dokumentari “Ne Me Quitte Pas” është shfaqur në Prizren dhe në pesë lokacione të tjera në kuadër të edicionit të tretë të “DokuVizionit” rajonal.

Veton Nurkollari, që është drejtor artistik në “DokuFest”, ka qenë nikoqir i bisedës me regjisoren holandeze Bakker. Sipas tij, ky organizim tregon shtimin e interesimit për këtë lloj të krijimtarisë filmike. “Interesimi i publikut për dokumentar sa vjen e rritet në Ballkan dhe kjo është inkurajuese për ne dhe për partnerët tanë”, ka thënë Nurkollari.

“Mos më lër” është një odë tragjikomike mbi dështimin, humbjen, birrën, absurditetin dhe miqësinë e afërt mes dy burrave. Bobin dhe Marcelin i bashkon vetmia, sensi i çuditshëm i humorit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit. Ata e kanë vetëm njëri-tjetrin, për shkak të vendimeve të gabuara në jetë, karakterit të rëndë dhe veseve të shumta.

Bob është një fermer i pensionuar, i cili jeton në pyll, përderisa Marceli është duke u përpjekur që të mos i humbë të gjitha kontaktet me gruan dhe fëmijët, të cilët e kanë braktisur. “Mos më lër” është një tregim i prezantuar përplot humor mbi kërkimin e kuptimit të jetës nga një perspektivë, si dhe të vdekshmërisë nga ana tjetër.

Fatmir Gjurgjeali dënohet me kusht një vit burgim

0

Ish- zyrtari policor Fatmir Gjurgjeali, akuzohej për veprën penale të zbulimit të fshehtësive zyrtare nga neni 347 paragraf 2, për të cilën vepër parashihej dënimi deri në 5 vjet burg.

Mirëpo në fjalën përfundimtare, prokurori i çështjes Bajram Hamitaga, bëri ricilësimin e kësaj vepre nga paragrafi 2 në paragrafin 1, për të cilën dënimi i paraparë me kodin penal është deri në 3 vjet burg.

Gjykata shpalli aktgjykimin të premten, me të cilin e gjeti fajtor të pandehurin Gjurgjeali.

“I akuzuari Fatmir Gjurgjeali është fajtor për shkak të veprës penale zbulimi i fshehtësive zyrtare nga neni 347 paragrafi 1, dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me kusht, duke i vërtetuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afatin prej dy viteve nuk kryen vepër të re penale”.

I akuzuari, po ashtu, u obligua që të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, si dhe paushallin gjyqësorë në shumën prej 800 eurove.

Me këtë vendim të gjykatës, nuk u pajtua mbrojtësi i të akuzuarit Gjurgjeali, i cili paralajmëroi se do të bëjë ankesë në gjykatën e shkallës së dytë.

“Natyrisht që ne nuk jemi të kënaqur me një vendim të tillë, por është çështje e gjykatës se si do ta arsyetojë dhe ekziston edhe instancë e shkallës së dytë ku do të shqyrtohen gjërat, me siguri që do të bëjmë ankesë për arsye se një vendim i tillë, sipas meje, është një vendim jo i drejtë, që mos të them ndonjë fjalë më të rëndë…”, tha avokati Nevzati.

Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit është ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Ajo e ngarkonte të pandehurin se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren, i kishte dërguar pa autorizim informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione Gjurgjeali në mënyrë elektronike i kishte bartur fillimisht në e-mail-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje./kallxo.com/

Ja çfarë droge merrte Hitleri

0

Në një libër të botuar së fundmi janë zbuluar gjithë llojet e drogërave që përdornin udhëheqësist e Rajhut, që nga Fyhreri e deri te ushtarët e thjeshtë. Kështu, droga më e përhapur ndër ushtarët gjermanë ishte metamfetamina Pervititn, një drogë tërësisht e ligjshme që të mundësonte luftimin ditë e natë.

“Kujtohuni të më dërgoni shumë Pervitin radhën tjetër, bën mrekullira”. Kjo ishte letra e dërguar nga fronti i luftës nga një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të asaj kohe Hajnrih Bel. Ai i përgjërohet familjes së tij t’i dërgojë Pervitin me shumicë.

Asgjë skandaloze deri këtu. Pervitin ishte një drogë mëse e zakonshme në Gjermaninë e asaj kohe. Përdorimi i asaj në transhetë e luftës ishte tepër i madh. Pervitin u zhvillua nga mjeku Fritz Hauschil i cili u frymëzua nga efekti që kishte benzedrina te atletët amerikanë që shkuan në Berlin në 1936.

Një drogë që konsiderohej edhe si ilaç, por kishte efektin e pabesueshëm për të mbajtur zgjuar dhe euforikë për orë me radhë. Pas provës së parë, Pervitin u shpërnda me shpejtësi marramendëse në gjithë perandorinë e “të pathyeshmëve”. Madje Pervitin u përdor edhe te çokollatat që konsumonin shtëpiaket.

Euforia e Madhe

Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, droga pati një përhapje të madhe në krahinën e Vehrmahtit. Madje një autor jo vetëm që besonte se Pervitin pati një ndikim të madh në Blitzkrieg, aksionin për të pushtuar Francën, por ai theksonte se ndikoi shumë edhe në sjelljen e Hitlerit. “Mjekët dhe drogërat shpjegojnë fare mirë sjelljen dhe strukturën e brendshme të nazizmit”, shkruante Norman Ohler, autori i librit “Der Totale Rausch”, ose ndryshe Euforia e Madhe.

Sipas shefit të mjekëve nazistë, Otto Ranke, Pervitin ishte “medikamenti i çmuar për ushtarakët”. Kur Gjermania pushtoi Francën Ranke bindi gjithë gjeneralët që të furnizonin në masë ushtarët me Pervitin. Në majin e 1940 ushtarët gjermanë pushtuan edhe fortesën e fundit franceze në Avesnes.

Ushtarët francezë u habitën nga gjendja e ekzaltuar e gjermanëve. Janë të pandalshëm. Një blitzkrieg metamfetanimik! Por në 1941 sipas Ohler edhe Fyhreri filloi të sillej në një mënyrë që as mjekët nuk arrinin ta shpjegonin.

Sipas Ohler sjellja e Hitlerit ndryshoi për shkak të përdorimit në masë të madhe të drogërave. “Megjithatë kjo nuk shfajëson aspak sjelljen e Hitlerit”, thekson ai duke folur për krimet e Fyhrerit. Metamfetaminë, steroide dhe shumë substanca të tjera i janë injektuar Hitlerit 800 herë në 1349 ditë. Veç tyre Hitleri mori më shumë se 1100 pilula.

Kjo bëri që mjeku personal I Hitlerit ,Theo Morell të quhej ironikisht edhe “mjeshtri i injektimeve”. Por efekti i drogërave nuk vonon për Hitlerin dhe përveç sjelljes dhe aftësisë mendore ndikon edhe në fizik.
Në 1945, nisin t’i bien dhëmbët, pak para kapitullimit në 17 prill kërcënon mjekun me vdekje dhe ha sheqer pa masë për të shmangur krizat e ankthit.

Por ka edhe një episod që lidhet me Italinë dhe Duçen.

Në verën 1943, Benito Mussolini donte të ndahej me aleatin e tij nazist. Hitler udhëton për në Itali. Për shkak të udhëtimit Hitleri shkon në një gjendje të keqe dhe i trazuar. Mjeku i tij i injekton një lloj opiumi shumë të fortë, Eukodal.

Hitleri e merr veten sakaq, bëhet eufotik dhe e bind Duçen me një zjarr të madh që të mos largohet nga aleanca. Morell thotë në librin e tij se Hitleri i pati thënë që ishte meritë e mjekut që Mussolini qendroi në aleancë. Pjesa tjetër është histori…

Shkelet me veturë një femër në Lubizhdë të Prizrenit

0

Një këmbësore është shkelur me veturë në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Viktima ka pësuar lëndime trupore.

“Një i dyshuar duke vozitur veturën e tij në mënyrë jo të sigurt, godet një këmbësore femër”, njofton PK-ja.

“Si pasojë e aksidentit viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta pas tretmanit të nevojshëm mjekësor është liruar”./PrizrenPress.com/