14.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Prizren: “Mos më lër” për dy miq, në vend të historisë për fundin e Belgjikës

Projekti që ka nisur me idenë që të tregohet se si po vjen fundi i shtetit të Belgjikës gradualisht është shndërruar në rrëfimin për dy miq, Bobin dhe Marcelin, të cilët shkojnë drejt vetëshkatërrimit me zhytjen në konsumimin e pakontrolluar të alkoolit.

Kësisoj Niels van Koevorden dhe Sabine Lubbe Bakker kanë arritur që të krijojnë dokumentarin “Mos më lër” (Ne Me Quitte Pas). Sekretin për “devijimin” në realizimin e projektit e ka bërë publik regjisorja Sabine Lubbe Bakker gjatë një bashkëbisedimi të mërkurën mbrëma me publikun në Prizren.

Ai është përcjellë në të njëjtën kohë edhe në Podgoricë, Lubjanë, Zagreb, Beograd e Shkup nëpërmjet videolidhjeve që ka pasuar pas shfaqjes së filmit në të këto vende.

“Kur e kemi nisur projektin kemi dashur që ta bëjmë një film për fundin e Belgjikës. Ka qenë një ide e tmerrshme, e pranoj”, ka thënë Bakker duke shpjeguar se me partnerin e saj Niels van Koevorden gradualisht kanë nisur të përcjellin rutinën jetësore të Bobit dhe Marcelit, që u ka dhënë atyre material të mjaftueshëm për të realizuar një dokumentar.

Këto dy personazhe të ndajnë dështimin, humbjen, absurditetin e miqësinë e pazakontë të dy burrave në një provincë të vogël belge “laget” me sasi të mëdha të alkoolit.

“Ka njerëz që kanë të afërm, që janë të varur nga alkooli dhe ky film i prek ata për shkak të përvojave të tyre personale, dhe i shtyn të flasin për këtë. Por filmi në veçanti nuk ka ngjallur ndonjë debat të veçantë mbi dukurinë e alkoolizmit”, ka deklaruar Bakker.
Megjithëkëtë ajo ka pranuar se me partnerin e saj, Niels van Koevorden ka kaluar kohë të mirë duke realizuar filmin përkatësisht duke përcjellë Bobin dhe Marcelin, të cilët regjisorëve u kanë mundësuar qasje të plotë në jetesën e tyre për një kohë relativisht të gjatë.

“Kemi kaluar mjaft kohë duke pritur që ata të bëjnë atë që bëjnë. Natyrisht ka pasur situata qesharake, por edhe serioze, madje që kanë mundur të jenë të rrezikshme”, ka bërë të ditur Bakker, gjatë shpjegimit të përvojës së realizimit të dokumentarit, që, sipas saj, ka një strukturë kryesisht fiksioni.
Dokumentari “Ne Me Quitte Pas” është shfaqur në Prizren dhe në pesë lokacione të tjera në kuadër të edicionit të tretë të “DokuVizionit” rajonal.

Veton Nurkollari, që është drejtor artistik në “DokuFest”, ka qenë nikoqir i bisedës me regjisoren holandeze Bakker. Sipas tij, ky organizim tregon shtimin e interesimit për këtë lloj të krijimtarisë filmike. “Interesimi i publikut për dokumentar sa vjen e rritet në Ballkan dhe kjo është inkurajuese për ne dhe për partnerët tanë”, ka thënë Nurkollari.

“Mos më lër” është një odë tragjikomike mbi dështimin, humbjen, birrën, absurditetin dhe miqësinë e afërt mes dy burrave. Bobin dhe Marcelin i bashkon vetmia, sensi i çuditshëm i humorit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit. Ata e kanë vetëm njëri-tjetrin, për shkak të vendimeve të gabuara në jetë, karakterit të rëndë dhe veseve të shumta.

Bob është një fermer i pensionuar, i cili jeton në pyll, përderisa Marceli është duke u përpjekur që të mos i humbë të gjitha kontaktet me gruan dhe fëmijët, të cilët e kanë braktisur. “Mos më lër” është një tregim i prezantuar përplot humor mbi kërkimin e kuptimit të jetës nga një perspektivë, si dhe të vdekshmërisë nga ana tjetër.

Më Shumë

Kapet me armë ilegale në Rahovec, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt

Në Rahovec, dje në ora 20:20, një person  është arrestuar pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë...

Liria shënon fitoren e dytë të sezonit

Skuadra e Lirisë ka arritur ta regjistrojë vetëm fitoren e dytë të sezonit sot, pasi që e ka mposhtur me rezultat solid 2:0 Fushë...

Lajmet e Fundit