8.6 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6951

Zgjedhjet e parakohshme i japin fund krizës

0

Analistët vlerësojnë se zgjedhjet e reja mund të jenë zgjidhje për të dalë nga situata, por së pari duhet të ketë shpërbërje të Kuvendit, që kërkon dy të tretat e votave, ndërsa sistemi zgjedhor i pareformuar është pengesë për zgjedhje të besueshme

Bllokimi i Kuvendit, në sesionin vjeshtor, është paralajmërim serioz se edhe zgjedhjet e reja të parakohshme po trokasin në derë të këtyre institucioneve të brishta, pasi po shihet që dita-ditës nuk mund të ecet me këtë Qeveri, e cila po kundërshtohet për shkak të marrëveshjeve të fundit.

Analistët politikë konstatojnë se zgjedhjet do të ishin si opsion për shmangien e rrugës dhe zgjidhjen e problemeve me dhunë, por për një proces të tillë duhet reformuar paraprakisht vetë sistemi zgjedhor, i mbetur peng nga mandati i kaluar, si dhe përgatitja e vetë partive politike, të cilat nuk kanë më shumë se një vit që përfunduan një cikël zgjedhor të nivelit nacional. Gjithashtu, para se të shkohet në zgjedhjet e parakohshme, sipas analistëve politikë, vendi duhet të përmbushë edhe disa obligime serioze sa i takon procesit të përafrimit me BE-në.

“Besoj që zgjedhjet e reja mund të jenë zgjidhje për të dalë nga situata, porse a ka ardhur momenti i duhur për zgjedhje të reja apo jo, kjo është një çështje shumë diskutabile për dy arsye: E para, për faktin se në kuptimin e mënyrës së shkuarjes në këto zgjedhje duhet të ketë shpërbërje të Kuvendit, që kërkon dy të tretat e votave që nuk mund të bëhet pa akordimin e vetë koalicionit qeverisës. E dyta, është vetë terreni i përgjithshëm politik dhe i gjithë procesi duhet të jetë i përgatitur në mënyrë të tillë që përmes kampanjës zgjedhore të mos manipulohet vullneti i qytetarëve”, tha Fisnik Korenica. /Kosova Sot

UNESCO sot shqyrton kërkesën e Kosovës

0

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, është thënë se do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë Agjenci të OKB-së.

Lajmi që Kosova ka aplikuar për anëtarësimi në Agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të njohur shkurtimisht si UNESCO, ka ngjalluar reagimin e qeverisë së Serbisë.
Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se vendi i tij do të bëjë çmos, që Kosova të mos anëtarësohet në UNESCO.

Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, është themeluar në nëntor të vitit 1945. UNESCO, ka 195 anëtarë të rregullt dhe nëntë anëtare të asociuara, të cilat nuk kanë të drejtë vote. Udhëhiqet nga Konferenca e Përgjithshme dhe Bordi Ekzekutiv. Sekretariati, i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm, zbaton vendimet e këtyre dy mekanizmave.

Nënshkrimet s’do të tërhiqen nga marrëveshjet

0

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë të premten se, pavarësisht bllokimit të punës së Kuvendit, nuk do të ketë tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Në në intervistë për “Epokën e re” ajo ka vlerësuar se nuk ka asnjë arsye, as politike e as juridike, për tërheqje të nënshkrimeve.

“Qeveria e Kosovës ka mandat për t’i negociuar marrëveshjet e Brukselit dhe ky mandat buron nga Kushtetuta e Kosovës. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës me dy rezoluta ka mbështetur dialogun e Brukselit dhe punën e Qeverisë në këtë dialog, si dhe ka kërkuar raportim për rrjedhat e këtij procesi. Prandaj, nuk ka asnjë arsye, as politike e as juridike, për tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet dhe kjo nuk do të ndodhë”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se sjellja e opozitës ka të bëjë me një angazhim për ta marrë pushtetin.

“Për mendimin tim, kjo sjellje e opozitës ka të bëjë me një angazhim për ta marrë pushtetin, mirëpo në vendet demokratike ndërrimi i pushteteve bëhet me zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka theksuar ajo. Ministrja Tahiri ka thënë se bllokimi i punës së Kuvendit është sjellje jodemokratike dhe e papranueshme.

“Kuvendi është vendi ku duhet të zhvillohet debati dhe ku, në fakt, paraqiten argumentet për çfarëdo çështje, në këtë rast edhe për marrëveshjet e Brukselit. Mirëpo nga zhvillimet që po i shohim në Kuvendin e Kosovës, opozita në njërën anë ka kërkuar raportimin e Qeverisë, në anën tjetër nuk krijoi mundësi të zhvillohen raportimi dhe debati lidhur me marrëveshjet e arritura së fundmi në Bruksel”, është shprehur Tahiri.

Kuvendi e çon Kosovën drejt kaosit

0

Përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, shumë lehtë mund të marrin përmasa tragjike, nëse zbatohet “urdhri” i Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që opozitarët të nxirren dhunshëm nga Parlamenti me polici, nëse vazhdojnë bllokimin.

Ky kërcënim i Grabovcit, deklarativisht nuk e ka marrë mbështetjen e kryeministrit Isa Mustafa, i cili u kthye nga New York-u, pa asnjë solucion për situatën në Kuvend. Ai menjëherë pas kthimit nga Amerika tha se nuk e ka ndërmend ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, duke ua përcjellë sinjalin opozitës se “kthim mbrapa nuk ka”.

E për të treguar se situata nuk është hiç stabile, e dëshmon një takim tjetër që kanë mbajtur tre liderët e partive opozitare, Visar Ymeri i “Vetëvendosjes”, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i “Nismës”. Pas këtij takimi doli qëndrimi i prerë i opozitës, se nuk do të heqin dorë deri në dorëzimin e kryeministri Mustafa dhe koalicionit të madh, për ta tërhequr nënshkrimin nga marrëveshjet e fundit. /Zëri

Salihaj: Fraksioni i SHIK-ut me VV-në duan ta prishin koalicionin PDK-LDK!

0

Jo vetëm tek analistët, por edhe te politikanët nga koalicioni PDK-LDK kanë nisur hamendjet nëse prapa “bllokadës” së punës së Kuvendit të Kosovës qëndrojnë edhe figura politike që janë në krye të këtij koalicioni.

Zërave nëse Kadri Veseli po “punon” me VV-në për rrëzimin e Qeverisë dhe sidomos Isa Mustafës i është shtuar edhe një.

“Në horizont po duket një koalicion shumë i fortë në mes të strukturave të SHIK-ut dhe lëvizjes ‘Vetëvendosje’… Fraksioni i Kadri Veselit brenda PDK-së është shumë i fuqishëm dhe besoj se, me veprimet që i përmenda, mund ta shkatërrojë me lehtësi këtë koalicion”, tha deputeti Adem Salihaj nga LDK për “Kosova Sot”.

Mediet serbe shkruajnë për Javën e Filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë

0

Hapja e këtij festivali do të bëhet më 6 tetor në Kinemanë ABC dhe deri më 10 tetor do të prezantohen pesë në filma në dy kinema: ABC në Prishtinë dhe Dokukino në Prizren.

Pas prezantimit të kulturës së Kosovës në Serbi, festivali “Mirëdita, dobar dan”, do të vazhdojë me Javën e Filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë, prej 6 deri më 10 tetor, shkruajnë mediet serbe mbi këtë festival.

“Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, është simbol i të kaluarës së përbashkët, përmes të cilës, me të gjitha sfidat, të arriturat dhe keqkuptimet, ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e këtij eventi”, thuhet më pas në këtë raport ku qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë pesë filma nga krijimtaria kinematografike e aktorit Bekim Fehmiu: “Mbledhësit e Puplave”, “Gethi i Gjerë”, “Era”, “Edukimi Special” dhe “Kurthi për Gjeneralin”. /KultPlus.com

Java e Bekim Fehmiu

Ramush Haradinaj: Nuk tërhiqemi dhe pikë!

0

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa për marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi.

I pari i AAK-së, në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic ka theksuar se është kryeministri i vendit ai i cili e ka në dorë nëse dëshiron që ky vend të vazhdoj të funksionoj normal, dhe atë mund ta bëjë me tërheqjen e nënshkrimit.

Haradinaj në këtë intervistë të dhënë për Gazetën Blic thekson se nëse Isa Mustafa nuk tërhiqet, atëherë ekzistojnë edhe opsion se si do ta parandalojnë fuqizimin e këtyre marrëveshjeve.

“Ka shumë deputetë edhe të PDK-së edhe të LDK-së që e thonë se janë të shqetësuar dhe të hutuar me këto marrëveshjeve…”, ka thënë Haradinaj. Ai me këtë rast i ka ftuar deputetët e PDK-së e LDK-së dhe lidershipin e partisë më të madhe në vend që të distancohen nga Isa Mustafa dhe nga vendimet e tij.

Ish- kryeministri i vendit thekson se nuk kanë kurrfarë presioni nga ndërkombëtarët që të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Mirëpo, edhe nëse do të ketë, ai është i bindur se opozita është më unike se kurrë.

Haradinaj thekson se nuk është kusht i AAK-së posti i kryeministrit të vendit nëse do të ketë zgjedhje të reja e as nuk vija të kuqe me asnjë nga partite, nëse do të ketë zgjedhje të reja.

Gazeta Blic: Z. Haradinaj edhe në ditën e djeshme partitë opozitare nuk lejuan zhvillimin e seancës së Kuvendit, duke u thirrur në realizimin e kërkesave të tyre për tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit për marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sa mendoni se do të funksionojë kjo formë e opozitës?

Ramush Haradinaj: Ne i kemi bërë thirrje kryeministrit dhe koalicionit në vazhdimësi që të mos nxitohet me vendime, që janë aq të rënda për vendin, aq të vështira. Meqenëse ka pasur një nxitim të kryeministrit Mustafa për nënshkrimin e marrëveshjeve pa një debat të brendshëm, para nënshkrimit, e jo të vazhdohet të me diskutime pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe duke parë që po të fuqizoheshin këto marrëveshje, si ajo për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin, do t’i shkaktonin dëme të mëdha dhe të pariparueshme vendin, atëherë nuk na ka mbetur rrugë tjetër, pos që të insistojmë në tërheqjen e nënshkrimit. Nuk është bllokim i seancës, por është kërkesë, përmes asaj mënyrë që të ndalet fuqizimi i këtyre marrëveshjeve. Ne po protestojmë edhe në Parlament, dhe kemi një kërkesë të vetme- tërheqjen e nënshkrimit nga ana e Kryeministrit.

S’na mbeti opsion tjetër

Gazeta Blic: A mendoni se keni zgjedhur formën e duhur për ta detyruar kryeministrin Mustafa që ta tërheq nënshkrimin?

Ramush Haradinaj: Ne kemi mbetur edhe pa shumë opsione. Për ne është e papranueshme fuqizimi i këtyre marrëveshjeve. Duke u ndodhur në një situatë ku nuk kemi shumë alternative, pos shfrytëzimin e atyre mundësive që ekzistojnë, ne në fakt i kemi bërë këto veprime. Veprimi ynë i pengimit të zhvillimit të seancës, me një kërkesë konkrete, mendojmë se është më pak i dëmshëm se sa veprimet tjera që mund të ndodhin nëpër sheshet e Kosovës, nëpër rrugët e Kosovës, ose në brezin kufitar…

Megjithatë, kjo është një ndihmesë që ia bëjmë spektrit politik dhe jetës institucionale në Kosovë. Kjo është nuk është pamundësi. Ke penguar vazhdimin e seancës, por e kemi lënë të hapur mundësinë për zhvillimin e seancave, nëse tërhiqet nënshkrimi.

Gazeta Blic: Mirëpo, në rast se nuk do të tërhiqet Isa Mustafa a keni opsione tjera. E pamë liderin e Nismës, i cili tha se një opsion për tejkalimin e kësaj situate është miratimi i Ligjit për Referendumin. A është qëndrim i opozitës, apo i tij personal?

Ramush Haradinaj: Ligji për referendumin i mungon Kosovës. I ka munguar edhe para atyre temave. Pra, është një mungesë për të pasur një demokraci të kompletuar. E drejta e deklarimit përmes referendumit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ne e mirëpresim atë. Megjithatë, ne mendojmë se duhet të shkojmë më etapa. Tani kemi kërkesë konkrete tërheqja e nënshkrimit, ose rishqyrtimi i tyre. Për t’i rishqyrto këto marrëveshje, një mundësi është që kjo të bëhet edhe përmes referendumit, se a i pranon qytetari i vendit këto marrëveshje apo jo. Dhe natyrisht se referendumi do të ishte një ide e mirë. Nuk dua të them se referendumi është kërkesë eksplicite, por është një kërkesë e mirë, Kosovës i mungon gjatë një ligj i tillë dhe është i nevojshëm. Do të ishte njëra nga mënyrat për rishqyrtimin e këtyre marrëveshjeve…

Gazeta Blic: Pos referendumit, keni ndonjë mënyrë tjetër apo ndonjë opsion për t’i realizuar kërkesat tuaja dhe që të tejkalohet kjo situatë?

Ramush Haradinaj: Ne i kemi qartësuar kërkesat tona. E para, me e pamundësu normalitetin në Kuvend, derisa qeveria nuk reflekton, pra nuk e tërheq nënshkrimin ose nuk e jep një pozicion të ri, lidhur me këto marrëveshje. Ky është veprimi ynë i parë. Instrumenti i radhës është protesta. Në ndërkohë, një lloj referendumi është edhe peticioni, edhe pse ai nuk realizohet nga ana e institucioneve shtetërore, por nga partitë politike që e kanë shumë më të vështirë që të realizojnë një peticion. Ne po i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme që një ditë kryetari i qeverisë të reflektoj. Ai e ka në dorë që të vazhdoj me e dramatizua gjendjen në vend apo ta normalizoj. Ai e ka në dorë që ta normalizoj gjendjen me tërheqjen e nënshkrimit dhe ne me u marrë me gjendjen ekonomike, zhvillimin e vendit, luftimin e korrupsionit..

Ne s’kemi mundësi tjetër pos që të kundërshtojmë fuqizimin e këtyre marrëveshjeve. Nëse ne nuk i kundërshtojmë tash, këto marrin formën e plotfuqishme dhe është e pamundshme për Kosovën që t’i riparoj dëmet e këtyre marrëveshjeve. Nuk është e ngjashme situata sikurse me zhvillimet qeverisëse, ku një qeveri e ardhshme mund t’i abrogon ose mund t’i ndryshoj disa vendime të qeverisë paraprake. Në rast këto kthehen të plotë fuqishme, natyra e problemeve do të jetë shumë më e rëndë dhe të pamundshme që të zgjidhen nga një qeveri e ardhshme.

Nuk do të thyhemi

Gazeta Blic: Sot i pamë edhe deklaratat e disa diplomatëve, të cilët në një formë filluan një presion ndaj opozitës që të zhbllokohet Kuvendi. Sa do të jetë rezistente dhe unike opozita karshi këtyre presioneve?

Ramush Haradinaj: Ne u jemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare për kontributin që ka dhënë për Kosovën, për zhvillimin e saj, për lirinë, për zhvillimin e demokracisë, për pavarësinë e Kosovës, për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, nga ato sportive e deri tek UNESCO. Ne shpresojmë shumë që Kosova do të jetë anëtare e UNESCOS. Mirëpo, Kosova po vuan prej substancës, gjegjësisht qeverisjes së vetë, po vuan nga kualiteti i dobët qeverisës. Kosova pa marrë parasysh respektin që ka ndaj partnerëve ndërkombëtarë e ka nevojë jetike ndryshimin e qeverisjes në vend, mënyrën e marrjes së vendimeve edhe vendimet që janë të korruptime. Nëse në Kosovë niveli i korrupsionit është shumë i lartë, korrupsionit final, që është ekonomik, atëherë vetvetiu bëhet fjalë dhe kuptohet edhe për korrupsion politik dhe se edhe vendimet politike janë të korruptuara. Sepse qeveria dhe qeveritarët që kanë shkallë të lartë të korrupsionit financiar apo ekonomik, është e kuptueshme pastaj që pastaj edhe vendimet e kanë të njëjtin kualitet, si ato ekonomike dhe të tjera. Ne presim edhe prej faktorit ndërkombëtarë që vërtetë me e mbajt një balanc me qëndrimet e tyre sa i përket Kosovës, ngase edhe opozita është Kosovë, edhe opozita është aleate e partnerëve ndërkombëtarë, siç është edhe e tërë Kosova. Por, ne mendojmë se kërkesat tona janë në përputhje me të gjitha ato që deri më sot i kemi ndërtuar në Kosovë dhe që pretendojmë t’i ndërtojmë për një Kosovë demokratike dhe evropiane.

Gazeta Blic: Z. Haradinaj a keni pasur ndonjë presion apo kërkesë të drejtpërdrejtë nga diplomatët ndërkombëtarë për t’u tërhequr nga këto kërkesa?

Ramush Haradinaj: Ne flasim hapur me të gjithë diplomatët. Jo vetëm tani, por kjo është një praktikë. Kemi një komunikim me të gjithë. U shpjegojmë qëndrimet tona, nuk pajtohemi shpesh, mirëpo kjo është diçka e zakonshme…

Gazeta Blic: Do të thotë nuk keni pasur presion të drejtpërdrejtë që të tërhiqeni nga kushtet tuaja?

Ramush Haradinaj: Jo, nuk kemi pasur presion. Mirëpo në vazhdimësi kemi pasur diskutime, megjithatë nuk do të thotë se çdo herë pajtohemi. Ato bindje të sinqerta që i kemi nuk përtoj t’i elaboroj dhe shpjegoj se pse është ashtu…

Gazeta Blic: Në opinion sikur është krijuar përshtypja se ka presion jo vetëm ndaj z. Mustafa, por jo edhe ndaj z. Hashim Thaçi, sidomos nëse i marrim parasysh skenarët e fundit ku u bllokua Kuvendi, gjë që nuk ka ndodhur gjatë kohës së qeverisjes Thaçi 1 dhe 2…

Ramush Haradinaj: Shikoni, është pak e logjikshme që qeveria i dedikohet shefit të qeverisë…

Përgjegjës është Isa Mustafa, ai është kryeministër

isa-ramushi

Gazeta Blic: Megjithatë, skenarë të tillë nuk i kemi pasur gjatë 7 vjet të qeverisjes së Hashim Thaçit?

Ramush Haradinaj: Nuk është ashtu. Edhe gjatë qeverisjes Thaçi 1 dhe 2, qeveria është identifikuar me të. Dhe të gjitha që kanë ndodhur i janë dedikuar atij, dhe kritikat dhe veprimet tona të atëhershme janë në të gjitha evidencat…

Mirëpo, sot nuk dëshirojmë që ta hutojmë askënd, ngase kryetar i Qeverisë është z. Mustafa. Nënshkrimi është i z. Mustafa. Edhe nënshkrimi i ministrit, i cilitdo ministër, është nënshkrim i kryetarit të Qeverisë…

Gazeta Blic: A mos është njëfar taktike e partive opozitare që ta ruajnë njëfar raporti me PDK-në, duke e menduar të ardhmen dhe mundësine e bashkëqeverisjes?

Ramush Haradinaj: Ne nuk po e mendojmë këtë si një luftë të pastër pozitë- opozitë për pushtet. Ne e mendojmë si luftë për tema, për dy tema, për Asociacionin dhe demarkacionin. E kemi interes që PDK që të mos e përkrah asociacionin ose zyrtarë të LDK-së mos me e përkrah ato tema. Shpresojmë që PDK të distancohet ndaj këtyre vendimeve dhe presim që zyrtarët e lartë të PDK-së të distancohen nga këto veprime të kryeministrit Mustafa. Poashtu presim që një gjë të tillë ta bëjnë edhe ata të LDK-së.

LDK e kupton se këto janë të ndjeshme dhe me pasoja afatgjate. Ne u bëjmë thirrje dy partive që të distancohen nga këto veprime. Në ato marrëveshje ka vetëm një firmë, e ajo është e kryeministrit. Kur ai e vë atë nënshkrim, atëherë ajo vlen. Kur një anëtar i kabinetit vendos dicka, ajo është më e ulët.

Gazeta Blic: Ka zëra që theksojnë se ka një marrëveshje sekrete mes opozitës dhe PDK-së që ta rrëzojnë Isa Mustafën nga pushteti. A ka marrëveshje të tillë sekrete?

Ramush Haradinaj: Nuk mundemi tash që t’ia ndërrojmë emrin kryetarit të qeverisë, e as t’ia ndërrojmë partinë. Nuk është që ne po bëjmë ndonjë zgjidhje selektive, apo ka të bëjë me ndonjë strategji të caktuar, por ne…

Deputetët e PDK-së e të LDK-së të pakënaqur me marrëveshjet

Gazeta Blic: A ka sinjale që PDK do t’ju mbështet në drejtim, pra a ka sinjale për distancim të njerëzve të PDK-së nga këto marrëveshje?

Ramush Haradinaj: Ne i bëjmë thirrje edhe deputetëve të pozitës që të distancohen nga këto vendime të Mustafës. Ne komunikojmë me secilin deputet…

Gazeta Blic: A ka sinjale që do të dalin kundër këtyre marrëveshjeve?

Ramush Haradinaj: Ka shumë deputetë edhe të PDK-së edhe të LDK-së që e thonë se janë të shqetësuar dhe të hutuar me këto marrëveshjeve… Janë të habitur dhe nuk është që ka ndonjë përkrahje bllok të këtyre marrëveshjeve nga partitë në pushtet. Ne e shfrytëzojmë rastin që me e ftue lidershipin e PDK-së që mos me i përkrah këto marrëveshje. Gjithashtu i ftojmë që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe deputetët e LDK-së.

Ka shumë deputetë edhe të PDK-së edhe të LDK-së që e thonë se janë të shqetësuar dhe të hutuar me këto marrëveshjeve…
Mos harroni se Qeveria e Kosovës e ka vetëm një kryeministër. Ajo mund të ketë numër të madh të zëvendëskryeministrave e të ministrave, por kryetar i saj është vetëm një. Dhe në sistemin tonë parlamentar i kemi tre njerëz që kanë përgjegjësitë kryesore, e kemi presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin. Nuk figurojnë zëvendëskryeministrat dhe as ministrat… Nëse i drejtohesh një gabimi të qeverisë, i drejtohesh kryeministrit, sepse ai është shefi i qeverisë. Isa Mustafa i ka nënshkruar këto marrëveshje, dhe ai e ka në dorë që të korrigjoj këto gabime. Po të ishte edhe z. Thaçi, edhe ndaj tij do të veprohej njëjtë, apo kushdo që do të ishte kryeministër, do të veprohej njëjtë.

Gazeta Blic: Z. Haradinaj, a ju duket shumë i lehtë tërheqja e nënshkrimit për një marrëveshje ndërkombëtare?

Ramush Haradinaj: Nuk është i vështirë tërheqja e nënshkrimit nga një marrëveshje ndërkombëtare. Nuk do të ishte as një tërmet politik e as…

Gazeta Blic: Por, do të ishte fundi i kësaj qeverie?

Ramush Haradinaj: Mund të ishte fundi, ose nuk mund të ishte fundi. Mund të vazhdoj edhe më tutje kryetari i Qeverisë. Pse? Ai e ka shprehur dëshirën e vetë që të marrë obligime në emër të vendit të vetë, nuk ka ambient politik dhe ai e tërheq nënshkrimin dhe mbetet edhe më tutje kryeministër.

Askush nuk mund të falë territorin e Kosovës

Gazeta Blic: U përmend në medie si një opsion për tejkalimin e kësaj situate edhe kërkimi i votëbesimit nga ana e qeverisë, si forma e vetme për ta zhbllokuar Kuvendin. Do të lejoni që Kuvendi të zhvilloj punimet, nëse do të hidhej votëbesimi i qeverisë Mustafa?

Ramush Haradinaj: Problemi është diku tjetër. Nuk kemi fare dyshim që këta nuk i kanë numrat. Këta numra nuk janë për ta cenuar territorin e vendit, por vetëm që të qeveriset. Me qeveris nënkupton me i krye ato detyra që ua jep kushtetuta, por jo që të tjetërsohet përmbajtja apo materia, jo me dhanë territor të vendit.

Një qytetarë i vendit, thuhet se në Luftën e Dytë Botërore një Mujë Ulqinaku, ka luftuar në Durrës. E drejta për me e mbrojt territorin nuk është punë numrash, e as e drejta që t’i jepet dikujt një territor i caktuar nuk është punë numrash. Këta mund t’i kenë 2/3 sa herë të duan, por jo që të japin territore sa kryeqyteti me dy komuna për rreth.

Gazeta Blic: Ku e shihni fundin e kësaj pune?

Ramush Haradinaj: Ne kemi bërë kërkesë që të tërhiqet nënshkrimi. Nëse kryeministri e bënë një gjë të tillë, këto marrëveshje nuk fuqizohen. Në rast se kjo qeveri do të bjerë, për shkak të këtyre marrëveshjeve, të cilat ende nuk janë të fuqizuara, një qeveri tjetër do të thotë se nuk do t’i marrë këto obligime. Për këtë arsye ne po i themi që ta tërheq nënshkrimin. Në rast se dëshiron me vazhdu qeverisjen e vendit, atëherë të tërheq nënshkrimin. Parlamenti ia ka besuar qeverisjen e vendit, e jo faljen e territorit të vendit dhe ndërhyrjen në rendin kushtetues. Nuk do të lejohet as funksionimi i Qeverisë nëse nuk do të reflektoj kryeministri i vendit, Isa Mustafa

Gazeta Blic: Nëse nuk do të tërhiqet as Isa Mustafa e as opozita, opsion do të mbesin vetëm zgjedhjet. Nëse do të shkojmë në zgjedhje, si do të garoj AAK, e vetme, në koalicion apo cila është strategjia e saj?

Ramush Haradinaj: Aleanca po fiton me i fitu zgjedhjet vetë. Ne jemi në teren, jemi duke punuar, jemi afër qytetarëve. Aleanca preferon për partneritet me partitë opozitare, me ndihmu ndryshimin në vend. Ne mendojmë se këtij vendi i duhet ndryshimi, por nuk kemi vendosur vija të kuqe për spektrin politik dhe jemi të hapur për mënyrat e qeverisjes, me të gjithë ata që e përkrahin një koncept qeverisës që është ndryshimi.

Gazeta Blic: A e ka edhe më tutje AAK si kusht postin e kryeministrit?

Ramush Haradinaj: Posti i kryeministrit si kusht nuk ka qenë as në të kalurën realisht, nuk është as tash. Kanë qenë kërkesat që qeverisja të garantoj një ecuri zhvillimore në vend. Nuk mund t’i japim përkrahje ndonjë kryeministri që e stagnon Kosovën, këtu ka qenë i tërë problemi.

Nobeli për letërsinë, ja cilat janë shanset e Kadaresë sivjet

0

Akademia Suedeze, ende nuk e ka treguar datën se kur do të ndahet Nobeli për Letërsi. Është bërë traditë që këto ccmime të ndahen në mesin e tetorit. Kështu që mendohet të jetë data 15 tetor ose java që pason pas kësaj date. Ndërkohë zëdhënësit e Akademisë së ccmimit Nobel kanë dhënë vetëm numrin e kandidatëve të propozuar për ccmimin

Nobel. Janë 259 emra të propozuar nga shtëpitë botuese, dhe sipas zëdhënësit të Akademisë, por nga ky numër tani është mbërritur në një listë më të ngushtë, nga e cila do të zgjidhet edhe fituesi. Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar me famë botërore, i cili disa vite me radhë favorizohej për çmimin në krye të listës, sivjet është më i spostuar në listë.

Ndërsa vitin e kaluar Ismail Kadare printe në krye të listës me Haruki Murakamin, shkrimtarin japonez.

Ndërkohë vetë Murakami mbetet ende në krye të listës. Murakami vlerësohet shumë nga kritika për veprat si “Pylli norvegjez” apo “E dashura ime Sputnik” dhe mbetet një nga emrat më favorite për Nobelin. Një nga emrat e tjerë që janë në listën e ngushtë për Nobel është shkrimtarja dhe gazetarja Svetlana Alexievich nga Bellorusia.

Cmimet Nobel, jo gjithmonë janë përputhur me renditjen në krye të listës së kandidatëve, ai gjithmoën ka ofruar supriza kundrejt parashikimeve. Philip Roth nuk ka se si të mungojë në këtë listë. Shkrimtari sirian Adunis, po ashtu gjendet në këtë listë.

Vitin e kaluar çmimin Nobel për Letërsi e mori Patrick Modiano, shkrimtari francez.

Gjykata në Prizren ua shqipton masën e paraburgimit 3 personave – dyshohen për fajde

0

Gjykata Themelore në Prizren- Departamenti për Krime të Rënda ua shqiptoi masën e paraburgimit tre personave për shkak të dyshimtë të bazuar se kanë kryer veprën penale të fajdes. Të dyshuarit janë : G.Shtufi, A.Domgjoni dhe K.Buduri. Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohë zgjatje prej një muaji.

Ky është njoftimi i Gjykatës Themelore:

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake – Departamenti Për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve K.Domgjoni nga fshati Velezhë-Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeja nga neni 343 par.3 lidhur me par.1 të KP-së, K.Buduri nga fshati Hoqë e Qytetit – Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të fajdesë në ndihmë nga neni 343 par.3 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 33 të KP-së, G.Shtufi nga fshati Shpenadi – Komuna e Prizrenit, A.Domgjoni nga fshat Velezhë – Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se në bash kryerje kanë kryer veprën penale të detyrimit nga neni 340 par.2 lidhur me par.1 të KP-së ndërsa G.Shtufi edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll dhe në posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KP-së. Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 01.10.2015 në ora 09:00 dhe do të zgjasë deri me datën 01.11.2015.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake e miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit e cila kërkoi mbajtjen në paraburgim të pandehurve. Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal , se prej një periudhe të gjatë kohore, në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, si dhe faktin se nga këto veprime përfitojnë shumë të mëdha parash, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve të ndryshëm, me të njëjtit kanë kontraktuar huazimin e shumave të ndryshme financiare me kamata dukshëm jo proporcional dhe sipas nevojës kanë përdorur edhe forcën ose kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarit të kryejnë ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tyre.

Këto janë aktivitetet e grave të PDK-së në Prizren

0

Forumi i Gruas së PDK-së në Prizren, nesër do të organizojë aktivitete të ndryshme. Këto aktivitete organizohen për nder të muajt tetor, që njihet si muaj i luftimit të sëmundjes së kancerit të gjirit.

Sekretarja për informim e degës së Gruas Demokratike të PDK-së në Prizren, Jehona Krasniqi- Morina, bëri të ditur se aktivitetet do të fillojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, me ç’rast në kabinetin e mamografisë do të bëhet ekzaminimi i të interesuarave për këtë këtë sëmundje.

“Aktivitetet vazhdojnë në Art Qendër, ku do të mbahen fjalime nga zyrtarë komunal dhe partiak, por do të ketë ligjërata profesionale për rrezikun që paraqet kjo sëmundje, si dhe do të shfaqet një film dokumentar”.

Pjesë e këtyre aktiviteteve do të jetë edhe radiologja, dr. Shpresa Gjoçaj,e cila tha se sëmundja e kancerit të gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë.Ajo thotë se çdo grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit, dhe se këtë sëmundje e bën më të vështirë edhe fakti se ajo paraqitet fshehtas.

Doktoresha Gjoçaj, tha më tej se fatkeqësisht kjo sëmundje sikurse në mbarë globin edhe në vendin tonë është mjaft e pranishme, andaj çdo shenjë që paralajmëron këtë sëmundje të rëndë nuk duhet neglizhuar, theksoi ajo.

Zyrtaret e Gruas Demokratike të PDK-së në Prizren, me këtë rast ftuan të gjitha gratë që të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve, si dhe apleuan që femrat mos të neglizhojnë me këtë sëmundje, por të konsultohen me mjekët në parandalimin dhe trajtimin sa më të duhur të kësaj sëmundje…/TV Prizreni/