9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Ramush Haradinaj: Nuk tërhiqemi dhe pikë!

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa për marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi.

I pari i AAK-së, në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic ka theksuar se është kryeministri i vendit ai i cili e ka në dorë nëse dëshiron që ky vend të vazhdoj të funksionoj normal, dhe atë mund ta bëjë me tërheqjen e nënshkrimit.

Haradinaj në këtë intervistë të dhënë për Gazetën Blic thekson se nëse Isa Mustafa nuk tërhiqet, atëherë ekzistojnë edhe opsion se si do ta parandalojnë fuqizimin e këtyre marrëveshjeve.

“Ka shumë deputetë edhe të PDK-së edhe të LDK-së që e thonë se janë të shqetësuar dhe të hutuar me këto marrëveshjeve…”, ka thënë Haradinaj. Ai me këtë rast i ka ftuar deputetët e PDK-së e LDK-së dhe lidershipin e partisë më të madhe në vend që të distancohen nga Isa Mustafa dhe nga vendimet e tij.

Ish- kryeministri i vendit thekson se nuk kanë kurrfarë presioni nga ndërkombëtarët që të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Mirëpo, edhe nëse do të ketë, ai është i bindur se opozita është më unike se kurrë.

Haradinaj thekson se nuk është kusht i AAK-së posti i kryeministrit të vendit nëse do të ketë zgjedhje të reja e as nuk vija të kuqe me asnjë nga partite, nëse do të ketë zgjedhje të reja.

Gazeta Blic: Z. Haradinaj edhe në ditën e djeshme partitë opozitare nuk lejuan zhvillimin e seancës së Kuvendit, duke u thirrur në realizimin e kërkesave të tyre për tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit për marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sa mendoni se do të funksionojë kjo formë e opozitës?

Ramush Haradinaj: Ne i kemi bërë thirrje kryeministrit dhe koalicionit në vazhdimësi që të mos nxitohet me vendime, që janë aq të rënda për vendin, aq të vështira. Meqenëse ka pasur një nxitim të kryeministrit Mustafa për nënshkrimin e marrëveshjeve pa një debat të brendshëm, para nënshkrimit, e jo të vazhdohet të me diskutime pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe duke parë që po të fuqizoheshin këto marrëveshje, si ajo për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin, do t’i shkaktonin dëme të mëdha dhe të pariparueshme vendin, atëherë nuk na ka mbetur rrugë tjetër, pos që të insistojmë në tërheqjen e nënshkrimit. Nuk është bllokim i seancës, por është kërkesë, përmes asaj mënyrë që të ndalet fuqizimi i këtyre marrëveshjeve. Ne po protestojmë edhe në Parlament, dhe kemi një kërkesë të vetme- tërheqjen e nënshkrimit nga ana e Kryeministrit.

S’na mbeti opsion tjetër

Gazeta Blic: A mendoni se keni zgjedhur formën e duhur për ta detyruar kryeministrin Mustafa që ta tërheq nënshkrimin?

Ramush Haradinaj: Ne kemi mbetur edhe pa shumë opsione. Për ne është e papranueshme fuqizimi i këtyre marrëveshjeve. Duke u ndodhur në një situatë ku nuk kemi shumë alternative, pos shfrytëzimin e atyre mundësive që ekzistojnë, ne në fakt i kemi bërë këto veprime. Veprimi ynë i pengimit të zhvillimit të seancës, me një kërkesë konkrete, mendojmë se është më pak i dëmshëm se sa veprimet tjera që mund të ndodhin nëpër sheshet e Kosovës, nëpër rrugët e Kosovës, ose në brezin kufitar…

Megjithatë, kjo është një ndihmesë që ia bëjmë spektrit politik dhe jetës institucionale në Kosovë. Kjo është nuk është pamundësi. Ke penguar vazhdimin e seancës, por e kemi lënë të hapur mundësinë për zhvillimin e seancave, nëse tërhiqet nënshkrimi.

Gazeta Blic: Mirëpo, në rast se nuk do të tërhiqet Isa Mustafa a keni opsione tjera. E pamë liderin e Nismës, i cili tha se një opsion për tejkalimin e kësaj situate është miratimi i Ligjit për Referendumin. A është qëndrim i opozitës, apo i tij personal?

Ramush Haradinaj: Ligji për referendumin i mungon Kosovës. I ka munguar edhe para atyre temave. Pra, është një mungesë për të pasur një demokraci të kompletuar. E drejta e deklarimit përmes referendumit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ne e mirëpresim atë. Megjithatë, ne mendojmë se duhet të shkojmë më etapa. Tani kemi kërkesë konkrete tërheqja e nënshkrimit, ose rishqyrtimi i tyre. Për t’i rishqyrto këto marrëveshje, një mundësi është që kjo të bëhet edhe përmes referendumit, se a i pranon qytetari i vendit këto marrëveshje apo jo. Dhe natyrisht se referendumi do të ishte një ide e mirë. Nuk dua të them se referendumi është kërkesë eksplicite, por është një kërkesë e mirë, Kosovës i mungon gjatë një ligj i tillë dhe është i nevojshëm. Do të ishte njëra nga mënyrat për rishqyrtimin e këtyre marrëveshjeve…

Gazeta Blic: Pos referendumit, keni ndonjë mënyrë tjetër apo ndonjë opsion për t’i realizuar kërkesat tuaja dhe që të tejkalohet kjo situatë?

Ramush Haradinaj: Ne i kemi qartësuar kërkesat tona. E para, me e pamundësu normalitetin në Kuvend, derisa qeveria nuk reflekton, pra nuk e tërheq nënshkrimin ose nuk e jep një pozicion të ri, lidhur me këto marrëveshje. Ky është veprimi ynë i parë. Instrumenti i radhës është protesta. Në ndërkohë, një lloj referendumi është edhe peticioni, edhe pse ai nuk realizohet nga ana e institucioneve shtetërore, por nga partitë politike që e kanë shumë më të vështirë që të realizojnë një peticion. Ne po i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme që një ditë kryetari i qeverisë të reflektoj. Ai e ka në dorë që të vazhdoj me e dramatizua gjendjen në vend apo ta normalizoj. Ai e ka në dorë që ta normalizoj gjendjen me tërheqjen e nënshkrimit dhe ne me u marrë me gjendjen ekonomike, zhvillimin e vendit, luftimin e korrupsionit..

Ne s’kemi mundësi tjetër pos që të kundërshtojmë fuqizimin e këtyre marrëveshjeve. Nëse ne nuk i kundërshtojmë tash, këto marrin formën e plotfuqishme dhe është e pamundshme për Kosovën që t’i riparoj dëmet e këtyre marrëveshjeve. Nuk është e ngjashme situata sikurse me zhvillimet qeverisëse, ku një qeveri e ardhshme mund t’i abrogon ose mund t’i ndryshoj disa vendime të qeverisë paraprake. Në rast këto kthehen të plotë fuqishme, natyra e problemeve do të jetë shumë më e rëndë dhe të pamundshme që të zgjidhen nga një qeveri e ardhshme.

Nuk do të thyhemi

Gazeta Blic: Sot i pamë edhe deklaratat e disa diplomatëve, të cilët në një formë filluan një presion ndaj opozitës që të zhbllokohet Kuvendi. Sa do të jetë rezistente dhe unike opozita karshi këtyre presioneve?

Ramush Haradinaj: Ne u jemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare për kontributin që ka dhënë për Kosovën, për zhvillimin e saj, për lirinë, për zhvillimin e demokracisë, për pavarësinë e Kosovës, për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, nga ato sportive e deri tek UNESCO. Ne shpresojmë shumë që Kosova do të jetë anëtare e UNESCOS. Mirëpo, Kosova po vuan prej substancës, gjegjësisht qeverisjes së vetë, po vuan nga kualiteti i dobët qeverisës. Kosova pa marrë parasysh respektin që ka ndaj partnerëve ndërkombëtarë e ka nevojë jetike ndryshimin e qeverisjes në vend, mënyrën e marrjes së vendimeve edhe vendimet që janë të korruptime. Nëse në Kosovë niveli i korrupsionit është shumë i lartë, korrupsionit final, që është ekonomik, atëherë vetvetiu bëhet fjalë dhe kuptohet edhe për korrupsion politik dhe se edhe vendimet politike janë të korruptuara. Sepse qeveria dhe qeveritarët që kanë shkallë të lartë të korrupsionit financiar apo ekonomik, është e kuptueshme pastaj që pastaj edhe vendimet e kanë të njëjtin kualitet, si ato ekonomike dhe të tjera. Ne presim edhe prej faktorit ndërkombëtarë që vërtetë me e mbajt një balanc me qëndrimet e tyre sa i përket Kosovës, ngase edhe opozita është Kosovë, edhe opozita është aleate e partnerëve ndërkombëtarë, siç është edhe e tërë Kosova. Por, ne mendojmë se kërkesat tona janë në përputhje me të gjitha ato që deri më sot i kemi ndërtuar në Kosovë dhe që pretendojmë t’i ndërtojmë për një Kosovë demokratike dhe evropiane.

Gazeta Blic: Z. Haradinaj a keni pasur ndonjë presion apo kërkesë të drejtpërdrejtë nga diplomatët ndërkombëtarë për t’u tërhequr nga këto kërkesa?

Ramush Haradinaj: Ne flasim hapur me të gjithë diplomatët. Jo vetëm tani, por kjo është një praktikë. Kemi një komunikim me të gjithë. U shpjegojmë qëndrimet tona, nuk pajtohemi shpesh, mirëpo kjo është diçka e zakonshme…

Gazeta Blic: Do të thotë nuk keni pasur presion të drejtpërdrejtë që të tërhiqeni nga kushtet tuaja?

Ramush Haradinaj: Jo, nuk kemi pasur presion. Mirëpo në vazhdimësi kemi pasur diskutime, megjithatë nuk do të thotë se çdo herë pajtohemi. Ato bindje të sinqerta që i kemi nuk përtoj t’i elaboroj dhe shpjegoj se pse është ashtu…

Gazeta Blic: Në opinion sikur është krijuar përshtypja se ka presion jo vetëm ndaj z. Mustafa, por jo edhe ndaj z. Hashim Thaçi, sidomos nëse i marrim parasysh skenarët e fundit ku u bllokua Kuvendi, gjë që nuk ka ndodhur gjatë kohës së qeverisjes Thaçi 1 dhe 2…

Ramush Haradinaj: Shikoni, është pak e logjikshme që qeveria i dedikohet shefit të qeverisë…

Përgjegjës është Isa Mustafa, ai është kryeministër

isa-ramushi

Gazeta Blic: Megjithatë, skenarë të tillë nuk i kemi pasur gjatë 7 vjet të qeverisjes së Hashim Thaçit?

Ramush Haradinaj: Nuk është ashtu. Edhe gjatë qeverisjes Thaçi 1 dhe 2, qeveria është identifikuar me të. Dhe të gjitha që kanë ndodhur i janë dedikuar atij, dhe kritikat dhe veprimet tona të atëhershme janë në të gjitha evidencat…

Mirëpo, sot nuk dëshirojmë që ta hutojmë askënd, ngase kryetar i Qeverisë është z. Mustafa. Nënshkrimi është i z. Mustafa. Edhe nënshkrimi i ministrit, i cilitdo ministër, është nënshkrim i kryetarit të Qeverisë…

Gazeta Blic: A mos është njëfar taktike e partive opozitare që ta ruajnë njëfar raporti me PDK-në, duke e menduar të ardhmen dhe mundësine e bashkëqeverisjes?

Ramush Haradinaj: Ne nuk po e mendojmë këtë si një luftë të pastër pozitë- opozitë për pushtet. Ne e mendojmë si luftë për tema, për dy tema, për Asociacionin dhe demarkacionin. E kemi interes që PDK që të mos e përkrah asociacionin ose zyrtarë të LDK-së mos me e përkrah ato tema. Shpresojmë që PDK të distancohet ndaj këtyre vendimeve dhe presim që zyrtarët e lartë të PDK-së të distancohen nga këto veprime të kryeministrit Mustafa. Poashtu presim që një gjë të tillë ta bëjnë edhe ata të LDK-së.

LDK e kupton se këto janë të ndjeshme dhe me pasoja afatgjate. Ne u bëjmë thirrje dy partive që të distancohen nga këto veprime. Në ato marrëveshje ka vetëm një firmë, e ajo është e kryeministrit. Kur ai e vë atë nënshkrim, atëherë ajo vlen. Kur një anëtar i kabinetit vendos dicka, ajo është më e ulët.

Gazeta Blic: Ka zëra që theksojnë se ka një marrëveshje sekrete mes opozitës dhe PDK-së që ta rrëzojnë Isa Mustafën nga pushteti. A ka marrëveshje të tillë sekrete?

Ramush Haradinaj: Nuk mundemi tash që t’ia ndërrojmë emrin kryetarit të qeverisë, e as t’ia ndërrojmë partinë. Nuk është që ne po bëjmë ndonjë zgjidhje selektive, apo ka të bëjë me ndonjë strategji të caktuar, por ne…

Deputetët e PDK-së e të LDK-së të pakënaqur me marrëveshjet

Gazeta Blic: A ka sinjale që PDK do t’ju mbështet në drejtim, pra a ka sinjale për distancim të njerëzve të PDK-së nga këto marrëveshje?

Ramush Haradinaj: Ne i bëjmë thirrje edhe deputetëve të pozitës që të distancohen nga këto vendime të Mustafës. Ne komunikojmë me secilin deputet…

Gazeta Blic: A ka sinjale që do të dalin kundër këtyre marrëveshjeve?

Ramush Haradinaj: Ka shumë deputetë edhe të PDK-së edhe të LDK-së që e thonë se janë të shqetësuar dhe të hutuar me këto marrëveshjeve… Janë të habitur dhe nuk është që ka ndonjë përkrahje bllok të këtyre marrëveshjeve nga partitë në pushtet. Ne e shfrytëzojmë rastin që me e ftue lidershipin e PDK-së që mos me i përkrah këto marrëveshje. Gjithashtu i ftojmë që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe deputetët e LDK-së.

Ka shumë deputetë edhe të PDK-së edhe të LDK-së që e thonë se janë të shqetësuar dhe të hutuar me këto marrëveshjeve…
Mos harroni se Qeveria e Kosovës e ka vetëm një kryeministër. Ajo mund të ketë numër të madh të zëvendëskryeministrave e të ministrave, por kryetar i saj është vetëm një. Dhe në sistemin tonë parlamentar i kemi tre njerëz që kanë përgjegjësitë kryesore, e kemi presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin. Nuk figurojnë zëvendëskryeministrat dhe as ministrat… Nëse i drejtohesh një gabimi të qeverisë, i drejtohesh kryeministrit, sepse ai është shefi i qeverisë. Isa Mustafa i ka nënshkruar këto marrëveshje, dhe ai e ka në dorë që të korrigjoj këto gabime. Po të ishte edhe z. Thaçi, edhe ndaj tij do të veprohej njëjtë, apo kushdo që do të ishte kryeministër, do të veprohej njëjtë.

Gazeta Blic: Z. Haradinaj, a ju duket shumë i lehtë tërheqja e nënshkrimit për një marrëveshje ndërkombëtare?

Ramush Haradinaj: Nuk është i vështirë tërheqja e nënshkrimit nga një marrëveshje ndërkombëtare. Nuk do të ishte as një tërmet politik e as…

Gazeta Blic: Por, do të ishte fundi i kësaj qeverie?

Ramush Haradinaj: Mund të ishte fundi, ose nuk mund të ishte fundi. Mund të vazhdoj edhe më tutje kryetari i Qeverisë. Pse? Ai e ka shprehur dëshirën e vetë që të marrë obligime në emër të vendit të vetë, nuk ka ambient politik dhe ai e tërheq nënshkrimin dhe mbetet edhe më tutje kryeministër.

Askush nuk mund të falë territorin e Kosovës

Gazeta Blic: U përmend në medie si një opsion për tejkalimin e kësaj situate edhe kërkimi i votëbesimit nga ana e qeverisë, si forma e vetme për ta zhbllokuar Kuvendin. Do të lejoni që Kuvendi të zhvilloj punimet, nëse do të hidhej votëbesimi i qeverisë Mustafa?

Ramush Haradinaj: Problemi është diku tjetër. Nuk kemi fare dyshim që këta nuk i kanë numrat. Këta numra nuk janë për ta cenuar territorin e vendit, por vetëm që të qeveriset. Me qeveris nënkupton me i krye ato detyra që ua jep kushtetuta, por jo që të tjetërsohet përmbajtja apo materia, jo me dhanë territor të vendit.

Një qytetarë i vendit, thuhet se në Luftën e Dytë Botërore një Mujë Ulqinaku, ka luftuar në Durrës. E drejta për me e mbrojt territorin nuk është punë numrash, e as e drejta që t’i jepet dikujt një territor i caktuar nuk është punë numrash. Këta mund t’i kenë 2/3 sa herë të duan, por jo që të japin territore sa kryeqyteti me dy komuna për rreth.

Gazeta Blic: Ku e shihni fundin e kësaj pune?

Ramush Haradinaj: Ne kemi bërë kërkesë që të tërhiqet nënshkrimi. Nëse kryeministri e bënë një gjë të tillë, këto marrëveshje nuk fuqizohen. Në rast se kjo qeveri do të bjerë, për shkak të këtyre marrëveshjeve, të cilat ende nuk janë të fuqizuara, një qeveri tjetër do të thotë se nuk do t’i marrë këto obligime. Për këtë arsye ne po i themi që ta tërheq nënshkrimin. Në rast se dëshiron me vazhdu qeverisjen e vendit, atëherë të tërheq nënshkrimin. Parlamenti ia ka besuar qeverisjen e vendit, e jo faljen e territorit të vendit dhe ndërhyrjen në rendin kushtetues. Nuk do të lejohet as funksionimi i Qeverisë nëse nuk do të reflektoj kryeministri i vendit, Isa Mustafa

Gazeta Blic: Nëse nuk do të tërhiqet as Isa Mustafa e as opozita, opsion do të mbesin vetëm zgjedhjet. Nëse do të shkojmë në zgjedhje, si do të garoj AAK, e vetme, në koalicion apo cila është strategjia e saj?

Ramush Haradinaj: Aleanca po fiton me i fitu zgjedhjet vetë. Ne jemi në teren, jemi duke punuar, jemi afër qytetarëve. Aleanca preferon për partneritet me partitë opozitare, me ndihmu ndryshimin në vend. Ne mendojmë se këtij vendi i duhet ndryshimi, por nuk kemi vendosur vija të kuqe për spektrin politik dhe jemi të hapur për mënyrat e qeverisjes, me të gjithë ata që e përkrahin një koncept qeverisës që është ndryshimi.

Gazeta Blic: A e ka edhe më tutje AAK si kusht postin e kryeministrit?

Ramush Haradinaj: Posti i kryeministrit si kusht nuk ka qenë as në të kalurën realisht, nuk është as tash. Kanë qenë kërkesat që qeverisja të garantoj një ecuri zhvillimore në vend. Nuk mund t’i japim përkrahje ndonjë kryeministri që e stagnon Kosovën, këtu ka qenë i tërë problemi.

Më Shumë

Abdixhiku në Suharekë: LDK-ja ka program që u përgjigjet çështjeve të dekadës e rindërton aleancat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar qytetin e Suharekës dhe fshatrat Sopijë e Budakovë.   Nga atje, Abdixhiku tha se tek familjarët e kryefamiljarët shtroi...

Hodaj: 1697 ankesa nga qytetarët në Inspektoratin Policor të Kosovës

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka nisur raportimin në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës...

Lajmet e Fundit