10.9 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6961

Kritika për kolonën zanore të 007

0

Kolona zanore e filmit të James Bond “Spectre” është në qendër të kritikave. Shumë nga përdoruesit e mediave sociale e kanë cilësuar si “më të keqen e të gjitha kohërave”.

Versioni i plotë i këngës “Writings on the Wall” zgjat 4 minuta e 38 sekonda dhe këndohet nga Sam Smith. Ai është i pari britanik që këndon kolonën zanore të filmit të Bondit, prej vitit 1964, kur Tom Xhons këndoi “Thunderball”.

“Skyfall” e Adele, një tjetër kolonë zanore e filmave me agjentin 007- u rendit singëlli i dytë në Britaninë e Madhe.

Sam Smith tha se dëshironin një këngë “klasike e përjetshme”.

“Kjo këngë nuk është për mua, për jetën time – tha ai gjatë promovimit të këngës. Shpresoj që të gjitha ata që e dëgjojnë të mendojnë “Është Bondi”.

Por duke iu referuar opinioneve dhe kritikave duket se misioni i tij nuk është përmbushur. Filmi i James Bond, me Daniel Craig, si protagonist për herë të katërt në rolin e agjentit special, do të shfaqet premierë në Londër më 26 tetor të këtij viti dhe më pas në të gjithë botën më 6 Nëntor.

Letër tim biri për kirurgët e huaj

0

Dr. Adem Harxhi

Të shkruaj nga Tirana. Siç e di, kam disa ditë që ndodhem këtu dhe çudirat janë pafund në vendin tonë të dashur. Do të të shkruaj për një çudi që ka lidhje me profesionin që unë i kushtova gjithë jetën dhe që ti sapo e ke filluar. Në Shqipëri ka diçka që nuk e gjen në asnjë vend të botës, këtu ka një “pazar” të madh doktorësh.

Jam i befasuar nga reklama e shfrenuar që u bëhet në radio, televizion, në gazeta, në internet, shumë kirurgëve të spitaleve të huaja që janë hapur në Shqipëri pa kursim. Nuk e di dhe nuk më intereson leverdia që kanë këto spitale në Shqipëri, ku popullata është e vogël dhe e varfër. Sigurisht, kjo është çështje e tyre, mua më intereson dhe më shqetëson ana mjekësore në këtë reklamë të shfrenuar. Kam parë e dëgjuar doktorë gjermanë, turq, italianë, shqiptarë që dalin e flasin se, unë bëj këtë dhe atë operacion me rezultate perfekte, për të gjitha rastet e operuara. Dëgjon e shikon reklama që thonë se filan doktor në spitalin gjerman bën këtë operacion në perfeksion, një doktor tjetër në spitalin amerikan bën një tjetër mrekulli , ndërsa, njëri në atë italianin të zbukuron dhe të ndryshon krejt lukun.

Jetoj në New York, dhe kam vizituar shumë vende të Amerikës dhe Botës, por reklamë të tillë nuk e kam parë gjëkundi. Në qoftë se këta kolegët tanë të huaj e kanë parë diku këtë “pazar” doktorësh si në Tiranë, ose në vendet nga vijnë, unë u lutem të më shkruajnë në këtë gazetë. Unë besoj se këtë reklamë që i nxjerr doktorët në pazar për t’u shitur, e bëjnë administratat e këtyre spitaleve dhe redaksitë e gazetave e televizioneve që fitojnë nga reklama në kurriz të mjekëve që i kanë nxjerrë në treg për shitje. Një mjek, veçanërisht, një kirurg i pjekur, këtë vetë reklamim nuk mund ta bëjë kurrë.

Si mjek dhe kolegu i tyre më i vjetër u them se, “perfeksioni që mundoheni të shisni, në mjekësi, është armiku i të mirës” . Pse? Sepse asgjë nga ato që bëhen në kirurgji nuk është perfekte. Çdo gjë në kirurgji është një kompromis. Shkencërisht pranohet, se po qe se arrin tetëdhjetë përqind të normales pas kirurgjisë, kjo konsiderohet e mirë. Si pacient, e them sinqerisht, se, edhe atëherë kur kam shpresuar për rezultat 100% (ashtu si shumë pacientë të tjerë) dhe prisja të restaurohesha në konditat që isha para sëmundjes, kjo në shumicën e rasteve nuk ka qenë e mundur. Një kirurg i pjekur, nuk parashikon një rezultat të caktuar për një pacient të caktuar, sepse rezultati nuk varet vetëm nga kirurgu, por edhe nga pacienti e shumë faktorë të tjerë.

Doktori duhet të jetë i çiltër, i ndershëm, i sinqertë dhe të mos vizatojë gjithnjë skenarë rozë. Që të veprojë kështu, doktori duhet të zotërojë një shkallë ndershmërie jo të zakonshme. Kjo është e jashtëzakonshme, pikërisht sepse kërkon një shfryrje të konsiderueshme të egos së doktorit, që tek këta doktorë që kanë dalë të shiten në pazar është me tepri.

Ekziston një kontrast i madh që duhet dalluar mirë, midis egos së shëndetshme dhe egos së pashëndetshme të doktorit.

Ego e shëndetshme, është e domosdoshme për të vënë thikën në mishin e një tjetri. Kjo rrit besimin në aftësitë e tua për të marrë vendime të drejta në sallën e operacionit dhe të lejon të punosh me shpejtësi për të kryer detyrën. Ego e pashëndetshme, është ajo që e imagjinon skalpelin (thika e kirurgut) si një shkop magjik, që rigjeneron në mënyrë perfekte pjesën e trupit që pritet, kështu siç pretendojnë doktorët në pazarin tonë. E di që ndershmëria, fatkeqësisht, nuk shpërblehet në shoqërinë e sotme shqiptare, ndaj pacientët dalin në “pazar” dhe kërkojnë të psonisin për doktorin.

Disa doktorë janë gati ta shesin veten sipas parimit: Shitesh më kollaj, kur e prezanton punën tënde si më të mirën. Kjo ngjan sikur shet një automobil luksi që navigon pa gabime në kthesat e forta dhe i ndërron marshet pa u vënë re. Por dora e dhimbsur e kirurgut, është një automobil i vjetër dhe vetëm kaq mund të vlejë në treg. Ajo kurrë nuk do të shitet si një Ferrari apo Lexus i ri.

Tani, natën e mirë.

Ja çka thoshte Albin Kurti për bisedimet në Rambuje, në vitin 1999 (Video)

0

Është shkurti i vitit 1999 kur liderët kosovarë vazhdonin diskutimet për arritjen e paqes në Rambuje të Francës, ndërkohë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdonte të përballej me forcat serbe që kryenin spastrim etnik në Kosovë.

Nga arkiva e Asocciated Press gjejmë se nga një mbledhje e thirrur në zyrën përfaqësuese të UÇK-së në Prishtinë, zëdhënësi i atëhershëm i UÇK-së, Albin Kurti u thotë gazetarëve se çdo marrëveshje që arrihet duhet të ketë për bazë situatën në terren, dhe se asnjë marrëveshje s’do të ishte e qëndrueshme nëse të dyja palët nuk do të përkushtoheshin në funksionimin e saj, transmeton Indeksonline.

“Kërkesa e palës shqiptare, delegacionit shqiptar në Rambuje, është që së pari të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi, që do të jetë shenjë e vullnetit të mirë se të dyja palët janë të interesuara për një rezolutë politke për marrëveshje, që më vonë mund të shndërrohet në rezolutë”, kishte thënë Kurti para gazetarëve.

Meqenëse nënshkrimi i marrëveshjes për armëpushim do të thoshte njohje e UÇK-së nga pala serbe, marrëveshja nuk ishte nënshkruar.

Diplomati amerikan Christopher Hill, që ndërmjetësonte bisedimet në Paris, e kishte pranuar se që të dyja palët, ajo serbe dhe kosovare, po përpiqeshin t’i iknin procedurave me kërkesa të reja, por kishte thënë se “bisedimet po vazhdojnë nëpër një terren jashtëzakonisht të vështirë”.

Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, gjatë kohës sa mbaheshin bisedimet në Rambuje, ishte shprehur i brengosur me Konferencën e Rambujes, duke thënë se UÇK-ja “nuk mund ta pranojë” propozimin e ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund konfliktit, thuhet në përshkrimin e AP-së në videon e viti 1999.

Ndërkohë, përkundër dimrit të acartë, UÇK-ja vazhdonte patrullimet nëpër Kosovë.

Isa Mustafa nuk raporton më në Kuvend për marrëveshjet me Serbinë

0

Kryeministri Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave më nuk do t’ju drejtohet deputetëve për të raportuar rreth marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel.
Këtë e ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili vlerëson se edhe po të mblidhet Kryesia e Kuvendit në rend ditë nuk pritet të jetë ri-raportimi i Mustafës.

Ai në një deklaratë për RTK ka thënë se tashmë i ka humb kuptimi këtij raportimi dhe se Kryesia do të vendos që Kuvendit t’ia përcjellë ligjet për liberalizim të vizave, por jo edhe raportimin e Mustafës.

E duket se edhe kjo nuk do të lejohet, pasi që opozita ka paralajmëruar bllokim të Kuvendit deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga Mustafa nga marrëveshjet me Serbinë. /Indeksonline/

Pushtetarët e Prizrenit i punësojnë dashnoret nëpër shkolla

0

Qeveritarët e Ramadan Mujës kanë filluar të kujdesen edhe për dashnoret e tyre. Për t’i pasur sa më afër dhe “nën kontroll”, ata i kanë sistemuar ato nëpër shkolla.

Kuvendari i PDK-së Naser Berisha, tregon për punësimet e tyre dhe diskriminimin e meshkujve.

“Për postin e sekretarëve të shkollave kanë konkurruar 30 meshkuj, mirëpo vetëm njëri prej tyre është punësuar”, tregon Berisha.

“ Vendet e tjera janë rezervuar për gjininë femërore”.

Punësimi i gjinisë femërore nëpër shkolla,sipas tij, përveç për përfitime familjare është bërë edhe për lidhje të dashurisë.

“Punësimi i tyre mund të jetë ërë edhe për shkak dashurisë”.

“Le të analizohen emrat dhe të shikohen si dhe pse janë punësur”.

Kuvendarja e VV-së, Drita Millaku thotë ndërkaq reagimi i kuvendarit të PDK-së për mënyrën e punësimeve nëpër shkolla, vërteton zërin e VV-së që ka ngritur për keqpërdorimet që po i bënë ‘Qeveria Muja’

“ Vetë kuvendarët e PDK-së sot po flasin për keqpërdorimet e këtij pushteti, që VV-ja vazhdimisht ka folur deri më tash”, shprehet Millaku./PrizrenPress.com/

Mes burrave dhe librave

0

Jacqueline Jill “Jackie” Collins mbretëresha e bestseller është ndarë nga jeta më 19 tetor 2015 në moshën 77-vjeçare.

Një grua e bukur, Collins e përdori letërsinë për të ndërtuar botën që donte.

E lindur në Britaninë e Madhe, ajo udhëtoi drejt Los Angeles në vitin 1960, ku do të qëndronte gjatë gjithë jetës së saj. Shkroi 32 romane, të cilat për vite me radhë kryesuan listën e librave më të shitur sipas “The New York Times” bestseller. Në total librat e saj kanë shitur më shumë se 5000 milionë kopje, dhe janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Disa prej librave janë ekranizuar. Libri që do ta kthente menjëherë në një nga emrat më të njohur të letërsisë amerikane ishte romani “Bota është e mbushur me burra të martuar”, të cilin e botoi më 1968.

Deri para se të botonte këtë libër, Jackie shkruante tregime të shkurtra dhe asnjëherë nuk kishte çuar në fund një novelë. Ishte bashkëshorti i saj i dytë, Oscar Lerman, i cili një ditë i thotë “Ju jeni një rrëfimtare e shkëlqyer, ti duhet t’i kthesh në libra këto histori”. Kaq do të mjaftonte që dashurinë e një burri Jackie ta kthente në frymëzim të pasionit të saj të heshtur. Romani i saj i dytë “Dashnori” 1969 do të kishte të njëjtin fati si libri i parë, duke u kthyer në bestseller. Vitet ’80 do të ndryshonin jetën e shkrimtares.

Zhvendosja në SHBA, duket se do të jetë me fat për të. “Nëse ka një vend ku ju do të ndieni suksesin, ai është Los Angelos”, do të shprehej ajo. Dhe Los Angelos i viteve ’80 ishte i tillë për Collins.

Në vitin 1981 ajo boton romanin “Shansi”, i cili vazhdon të lexohet ende sot për një personazh tepër interesant si Lucky Santangelo, një vajzë e rrezikshme dhe e bukur. Duket sikur Collins i kishte veshur këtij personazhi jetën e saj. Një grua me sharm, që kërkon me ngulm të jetë e suksesshme, por njëkohësisht dhe të jetë e vërtetë. Romani “Gratë e Hollivudit” të cilin e botoi më 1983 do të kryesonte për vite me radhë listën e “New York Times” për librat më të shitur.

Romani do të shiste 15 milionë kopje dhe Collins do të ndihmonte me këtë libër dhe motrën e saj aktore, Joan, e cila interpreton rolin kryesor në ekranizimin që iu bë librit. Më 1986-n ky libër do të pasohej nga një tjetër botim “Burrat e Hollivudit” dhe “Rock Star” më 1988-n.

Jeta e saj private nuk ka qenë e qetë. Më vitin 1960 ajo u martua me Wallace Austin, me të cilin do të divorcohej katër vite më vonë, për shkak të varësisë që ai kishte nga droga. Pas ndarjes një vit më pas, Austin do të vdesë nga mbidoza. Çifti kishte një djalë, Tracy i cili lindi më 1961. Më 1965, Collins martohet me Oscar Lerman, një galerist i njohur. Dasmën e tyre e bënë në shtëpinë e së motrës së Collins Joan, e cila në atë periudhë ishte e martuar me Anthony Newley. Collins dhe Lerman kanë dy vajza Tiffany dhe Rory. Lerman do të ndahej nga jeta në vitin 1992 nga kanceri.

Në vitin 1994, ajo fejohet me biznesmenin e njohur nga Los Angelos, Frank Calcagnini, i cili do të ndahet nga jeta katër vite më vonë nga një tumor në tru. Por këto humbje nuk e penguan Collins të vazhdonte të kërkonte dritë në jetë. Në vitin 2011 kur u pyet në ishte duke dalë me dikë, ajo u përgjigj se “ka gjithnjë një burrë diku, për çdo rast”. “Unë u rrita duke lexuar revistën e “Play boy” të babait tim, duke parë figura me apartamente e makina fantastike. Tani unë i kam të gjitha këto. Pse duhet të kërkoj sërish një burrë, kur unë kam pasur dy burra fantastikë në jetën time. I pari ishte bashkëshorti im për 20 vite, dhe i dyti i fejuari im për 6 vite”, u shpreh ajo. “The Sunday Times” e ka renditur atë si një nga shkrimtaret më të pasura të Britanisë së Madhe. Collins bëri gjithnjë një jetë të ndarë mes Britanisë dhe SHBA-së duke i dashur të dyja këto vende. Por letërsia duket se qe shpëtimi i saj, bota ku u ndje më e bukur dhe më e fortë.

“Unë shkruaj për gjërat që di. Më pëlqen të shkruaj, dhe gjithnjë bie në dashuri me personazhet e mi. Ata bëhen unë dhe unë bëhem si ata”, do të shprehej ajo në një konferencë.

Zemra e shkrimtares pushoi më 19 shtator 2015 nga kanceri i gjirit dy javë përpara se të mbushte 78 vjeç. Ajo u diagnostikua me kancer 6 vite më parë, por e mbajti të fshehtë. Motrave të saj u tregoi vetëm 9 ditë përpara se të ndahej nga jeta. Kjo, pasi Collins donte të jetonte bukur, pa fjali për sëmundjen në jetën e saj.

Vetëm dy javë më parë ajo ishte e ftuar në një emision televiziv për të folur mbi jetën. “Nuk shqetësohem për moshën time. Jam ende këtu, dhe bëj atë që kam dëshirë të bëj më shumë…kjo është më mirë se një alternativë”, do të shprehej ajo. Këto nuk u ngjasonin fjalëve të një gruaje që po luftonte me një kancer terminal. Vetëm disa ditë pas kësaj interviste, Collins do të mbyllte përgjithmonë sytë në apartamentin e saj, duke e mbajtur sëmundjen sekrete deri në fund. E motra Joan do të postonte menjëherë një foto me të në faqen e saj në Facebook, shoqëruar me shprehjen “Lamtumirë motra ime e bukur. Do më mungosh gjithmonë. Pusho në paqe”. Vetëm disa javë më parë ato pinin të dyja çaj në një hotel në Londër, ku Jack ishte ftuar për të folur mbi librin e saj të fundit. “Joan dhe unë jemi mikesha shumë të ngushta. Ne pimë çaj vetëm disa ditë më parë dhe ajo më dërgoi mua lule kur mbërrita në Londër. Njerëzit gjithnjë përpiqeshin të futeshin mes nesh, për të na ndarë, pasi ne ishim të suksesshme. Por ishim dhe krejtësisht të ndryshme. Joan është më sociale, më glamur dhe i pëlqen moda. Unë jam më e mbyllur, dhe më pëlqen më shumë të dal për dreka apo darka. Asaj i pëlqen të rrijë natën e të festojë, ndërsa mua të rri në shtëpi dhe të shkruaj”, do të shprehej Collins.

Është e çuditshme sesi ajo arrinte ta fshihte sëmundjen dhe pse ishte në ditët e fundit të jetës, duke u shfaqur tërheqëse veshur me një palë pantallona të zeza, duke u shfaqur plot humor dhe tërheqëse. Collins dha gjithnjë shumë pak informacione për jetën e saj private. Në Londër ajo tregoi se kishte nisur të shkruante kujtimet. “Është e vështirë të kthehesh pas në kohë dhe të shkruash. Por mendoj se kam shumë për të treguar mbi mënyrën sesi duhet ta përballosh jetën dhe kur ajo të përball me humbjet. I fejuari im, Frank, ishte i mahnitshëm. Ai ishte italian i bukur, dhe dukej si një hero i dalë nga librat e mi. Më kujtohet ajo ditë kur prisja që ai të dilte nga zyra e mjekut. Kishte shkuar të kontrollohej për një kollë. Ai doli i bukur si gjithnjë duke më thënë “Kam vetëm tre muaj jetë”. Tre muaj më vonë ai nuk ishte më. Gjithnjë mendoj ku shkuan flokët e tij të zezë të trasha dhe kaçurrela…”, do të shprehej Collins.

Në kujtime, shkrimtarja tha se kishte shkruar dhe për disa lidhje sekrete që kishte pasur, vajzat dhe shkrimin e librave. Iku mbretëresha e bestsellerëve, gruaja që e bëri shkrimin e bukur dhe u dha mijëra femrave kurajë për të dashuruar e për të ndryshuar jetët e tyre, përmes librave të saj./ Gazeta Shqip

Jeta dhe vepra e Charlie Chaplin e përmbledhur në një libër

0

Ndoshta nuk do të jetë kurrë një libër që do ta ketë merituar me të vërtetë cilësimin “si libri më me vlerë”. Ky libër peshon mbi 6 kilogram, “Arkivat e Charlie Chaplin-it” është ndoshta vepra më e plotë e shkruar ndonjëherë për një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë.

Ky vëllim i madh në anglisht ku tekstet janë përkthyer në frëngjisht në një broshurë të veçantë 82-faqesh është botuar nga Taschen nën drejtimin e Paul Duncan-it, historiani i madh britanik i historisë së filmit të cilit i detyrohemi tashmë shumë për Ingmar Bergman dhe Pedro Almodovar-in.

Libri i 560 faqeve, të ilustruara me mbi 900 fotografi të fton të kundrosh cilësinë e printimit të jashtëzakonshëm duke ndjekur hap pas hapi jetën dhe veprën e kineastit. E nisim me fëmijërinë e tij të mjerueshme në Londër për të vazhduar me performancën e tij të parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas në sallat e muzikës amerikane, duke kërkuar përulur filmin e tij të parë me metrazh të shkurtër dëshmi e qartë e përkushtimit të tij. Na pikëllon fakti i refuzimit të tij në Amerikën e obsesionuar nga “Gjuetia ndaj të kuqve” dhe vërejmë pafuqishëm katastrofën e “Konteshës nga Hong Kongu”, filmin e tij të fundit në vitin 1967.

“Parimi i këtij libri është i thjeshtë: për të treguar se si Chaplin ka mundur të realizojë filmat e tij”, thotë Paul Duncan në hyrjen e veprës. /KultPlus.com

Policia konfiskon armë dhe municion në Prevallë të Prizrenit

0

Në Prevallë të Prizrenit gjatë një kontrolli në veturën e një personi të dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një armë gjysmë automatike me 11 fishekë të kalibrit 7.62mm si dhe tre brisqe patentë.

Policia bën të ditur se me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Prizren: Gjuajnë me armë në dasmë, arrestohen dy persona

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, pasi që në një aheng familjar kanë shtënë me armë zjarri.

Policia bën të ditur se ka konfiskuar një pushkë gjuetie llojit “Altay Magnum” së bashku me pesë fishekë të kalibrit 12mm.

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Dy aksidente në Prizren, goditet një këmbësor

0

Dy aksidente të trafikut kanë ndodhur në Prizren.

Në fshatin Gernqare, një shqiptar duke lëvizur me veturën “VW Caddy” nga pakujdesia dhe mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës ka goditur një këmbësor boshnjak.

Policia bën të ditur se viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor.

Aksidenti tjetër ka ndodhur në rrugën “Ismet Jashari” ku një person deri sa ishte duke drejtuar veturën “Opel kadet” nga pakujdesia ka goditur veturën Renault Clio. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore pëson viktima dhe një pasagjere femër. /PrizrenPress.com