Home Blog Page 6972

Diplomatët e “përjetshëm” të MPJ-së

0

Diplomacia kosovare është përfshirë në skandale të thella derisa askush në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk po preferon të flasë në lidhje me mbajtjen e paligjshme të shumë pozitave në diplomaci.

Gazeta “Zëri” në vazhdën e hulumtimeve të saj ka arritur të konfirmojë se Arjan Kashtanjeva, i emëruar nga viti 2009 si zëvendëskonsull në Gjenevë, është graduar në Konsull në vitin 2014. Kashtanjeva po vazhdon ta mbajë këtë pozitë edhe tash, në fund të vitit 2015.

Kjo është në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, që në Nenin 22 parasheh kohëzgjatjen e qëndrimit në misionet diplomatike. “Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhë katërvjeçare(4) ose ndryshe siç kërkohet për t’i përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në Nenin 22, të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm.

Kashtanjeva, sipas informatave që ka siguruar gazeta, tani ka synim transferin në Cyrih për të vazhduar edhe një mandat 4-vjeçar e që në total do të arrinte mbi 10 vjet shërbim, apo më shumë se dyfishi i kohës së lejuar ligjore për shërbime diplomatike. /Zëri

Arrestimi i Donikës, antikushtetues

0

Arrestimi dhe paraburgimi i deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është vlerësuar si antikushtetues dhe antiligjor, për shkak të imunitetit që ka deputeti.

Madje, njohësit e çështjeve kushtetuese ka thënë se organet e drejtësisë do të duhej të kërkonin sqarime nga Gjykata Kushtetuese dhe të mos nguteshin me arrestimin e deputetes opozitare. Ata thonë se Kushtetuta e përcakton qartë se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se shumë veprime që po ndodhin rreth nesh po dëshmojnë se institucionet e shtetit, duke përfshirë edhe Prokurorinë dhe gjyqësorin, madje edhe Odën e Avokatëve, kanë një deficit të madh profesional. Pasi, sipas tij, në të kundërtën nuk do të ndodhte arrestimi i deputetes së AAK-së.

“Sikur të kishim ekspertë të mirë, njohës të Kushtetutës, të ligjeve edhe të Kodit Penal të Kosovës, as fletarresti, as ndalimi e dënimi nuk kanë guxuar të ndodhnin. Deputetët kanë imunitet me Kushtetutë e me Ligjin për Deputetët. Kështu siç është bërë arrestimi, është antikushtetues dhe antiligjor. Deputetët nuk kanë imunitet për ndjekje penale, por kanë imunitet që të mos ndalohen dhe arrestohen në mënyrën si është vepruar me deputeten, Kadaj-Bujupi”, ka vlerësuar Krasniqi. Madje, sipas tij, do të duhej të kërkohej edhe sqarim nga Gjykata Kushtetuese rreth imunitetit të deputetes.

Sipas ish-kryeparlamentarit të Kosovës, imuniteti i deputetit nuk vlen vetëm në akuzat për krime lufte. /Zëri

Në Kinë vriten 28 terroristë

0

?Mediat shtetërore kineze kanë raportuar se policia ka vrarë 28 të dyshuar si “terroristë” gjatë një sulmi në një minierë qymyri, ku u vranë të paktën pesë policë në rajonin Xinjiang.

Rajon i banuar nga komuniteti Ujgurë, që janë banorë kryesisht myslimanë, të etnisë turke.

Portali i qeverisë Xinjiang ka raportuar se të dyshuarit u vranë gjatë një kërkimi që zgjati 56-ditë, pas sulmit të parë të kryer me 18 shtator, ku ishin vrarë 11 civilë dhe pesë policë, duke u therur me thikë.

“Pas 56 ditëve të luftimeve të vazhdueshme, Xinjiang shkatërroi një bandë të dhunshme terroriste direkt nën komandën e një grupi ekstremist të huaj,” ka njoftuar qeveria.

“Përveç një person i cili është dorëzuar, 28 persona të tjerë janë vrarë.”

Një gazetë lokale ka thënë se dy persona të cilët kishin emra ujgurë, ishin udhëheqësit e një grupi të huaj, të cilët besohet si ishin organizatorët e këtij sulmi.

Tensionet mes Ujgurëve myslimanë dhe kinezëve Han që jetojnë në Xinjiang, shpeshherë kanë qenë të dhunshme, duke lënë me qindra persona të vrarë. /Gazeta Express

Kërcënon ISIS: Shtëpia e Bardhë do të bëhet e zezë nga flakët

0

Terroristët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar se do ta shkatërrojnë Shtëpinë e Bardhë, vetëm një ditë pas kërcënimet se shpërthime vetëvrasëse do të ketë në Nju Jork.

“Ne e filluam me Parisin dhe do ta përfundojmë me Shtëpinë gjoja të Bardhë. Me lejen e Allahut, Shtëpinë e Bardhë do ta bëjmë të zezë më zjarrin tonë”, thotë një xhihadist në videon e re 6-minutëshe të terroristëve.

Video nis me një tjetër xhihadist i cili kërcënon Shtetet e Bashkuara dhe Francën, dy vendet të cilat kanë shpeshtuar sulmet kundër terroristëve të ISIS ditët e fundit.

Mirëpo, ajo që tërheq vëmendjen është fundi i videos, pasi në arabisht shkruhet “Parisi përpara Romës” dhe mediat ndërkombëtare pyesin mos është ndonjë paralajmërim për shtetin italian.

Alarmi për akte të mundshme terrorizmi në Itali është shtuar shumë së fundmi. Sipas një raporti të Drejtorisë hetimore të Antimafias, FBI ka paralajmëruar se rreziku i atentateve në Itali është rritur, megjithëse nuk ka sinjale të drejtpërdrejta kërcënimi.

Me sa dihet, pikat më delikate konsiderohen bazilika e Shën Pjetrit në Romë, ajo e “Duomos” në Milano dhe teatri “La Scala”, po në Milano. /Top Channel

Gërxhaliu: Dyshohet për dy varreza masive në Kosovë

0

Drejtori i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, në Klan Kosova,ka folur për dy lokacione ku do të fillojnë kërkimet pasi kanë dyshime për disa varreza masive.

“Lokacioni i parë që do të kërkojmë është në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, terreni i dytë më urdhërese të prokurorisë është fshati Kçiq në Mitrovicë. Gjysma e ekipit ndodhet në Serbi, e kemi pak të vështirë qasjen tani për shkak që antropologët ndodhen atje”, tha Gërxhaliu në emisionin Ora e Fundit të Klan Kosovës.

Gërxhaliu ka thënë se në Serbi terreni për kërkime është më i vështirë.

“Ne i kemi tre etazhe që duhet t’i përpunojmë. Rezultatet preliminare flasin për 20 persona, disa tjerë 14-15 persona, jemi duke shpejtuar pasi faktori kohë është i rëndësishëm”.

Ndërsa Gërxhaliu ka thënë se kryetarin e komisionit të të pagjeturve duhet ta emërojë kryeministri.

“Edhe sot e kësaj dite jemi duke u përballur me probleme burokratike. Ende nuk kemi laborator të ADN-së, duhet ta kemi një të tillë. Kosova duhet ta ketë laboratorin vetanak”, tha ai.

Ahmeti: Ramush Haradinaj nuk po lëshon pe, përkundër presionit të ambasadave

0

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti është i ftuar në Zona e Debatit të Klan Kosovës ku po diskutohet për situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Lëvizjes, pjesë e të cilës edhe është.

Ai është shprehur se opozita qëndron e bashkuar.

“Ramush Haradinaj dhe AAK-ja kanë ndryshuar disa qëndrime për marrëveshjet e Serbisë. Jemi të bashkuar në këto çështje”.

Ai është shprehur gjithashtu se i pari i AAK-së Ramush Haradinaj nuk po lëshon pe përkundër presionit të madh të ambasadave.

Ahmeti është shprehur se para se të jetë kryetar i Prishtinës ëhstë qytetar i këtij vendi andaj do të reagojë ndaj ngjarjeve, njofton Klan Kosova.

“Unë kurrë nuk kam thënë që do të bëhem kryetar dhe do të mbyllem në zyrën time dhe tani do t’i përcjellë të gjitha ngjarjet dhe do të jem vetëm kryetar qyteti. Nuk është fakti pse unë jam Vetëvendosje që unë dal në protestë, është fakti që unë e konsideroj padrejtësi këtë që po ndodhë”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ka momente në historinë e vendeve të ndryshme që demokracia ka përjetuar mënyrë më të vrazhdë.

“Ka momente në historinë e Amerikës që e kanë sjellë Amerikën në këtë nivel që është tani. Ka momente në histori të shteteve ku demokracinë e kanë përjetuar në mënyrë më të vrazhdë”,tha ai.

Ahmeti ka thënë se Vetëvendosja nuk është futur në politikë për pushtet.

“Shumë njerëz nuk po e kuptojnë që Vetëvendosja nuk ka hy në politikë për pushtet që lëshon pe për Asociacionin dhe hyn në pushtet. Vetëvendosja ka hyrë në politikë për ta ndryshuar gjendjen”.

Ahmeti është shprehur se Asociacioni do të ishte i mirë kur Serbia të njihte Kosovën.

“Mendoj që kemi arritur në një moment kur është rrezik të bëhemi Bosnje, ky është edhe dallimi mes Bosnjës dhe Kroacisë”.

“Asociacioni do të ishte i mirë kur Serbia do ta njihte Kosovën dhe do të thoshte se jam e shqetësuar për të drejtat e serbëve. Në këto kohë Serbia nuk të njeh dhe të sulmon”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje janë për një Kushtetutë të re.

Çollaku: Pa viza në 2016-n

0
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së në Bruksel.
“Ishte kënaqësi të takohemi dhe bisedojmë në takime të ndara me presidentin e Komisionit Evropian z. Jean Claude Juncker dhe Komisionerin për Punë të Brendshme z. Dimitris Avramopulos. Diskutuam për të gjitha çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët duke përfshirë zhvillimet aktuale në BE, situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Natyrisht, temë kryesore e takimeve ishte diskutimi dhe dakordimi lidhur me hapat e fundit procedural të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave. Ndihem i inkurajuar nga mbështetja e ofruar dhe konfirmimi se jemi në prag të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave. Pas këtyre takimeve ndihem shumë më tepër i sigurt se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016. Ky është një sukses tjetër krejtësisht i merituar”, ka shkruar Çollaku në profilin e tij në Facebook.

Krasniqi, Skender Hysenit: Ministër se jo mahi

0

Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi i është drejtuar përmes një statusi në Facebook, ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni me fjalët “Ministër se jo mahi”.

Kraasniqi thotë se “ministri Hyseni pa fije turpi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e tij e Punëve të Brendshme, e Policia e Kosovës nuk guxojnë të veprojnë në Mitrovicën përtej urës”.

“Kjo do të thotë se shteti ynë nuk ka sovranitet në një pjesë të tij. Aty ku ka sovranitet Vulini, për shkakun e të cilit dënohen policet që mbrojtën shtetin. Për paradoks, Ministri nuk ditka për ketë rast?! Ministër se jo mahi! Kurse Kryeministri i tij se bashku me vartësi e tij, deklarojnë se nuk i tërheqin marrëveshjet e dëmshme që kanë arritur ne Bruksel”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Epilogu i protestave: 24 policë dhe 2 qytetarë të lënduar (Video)

0

Dy protestat e fundit të opozitës së bashkuar gjatë ditëve të fundit, prapa lanë edhe shumë dëme, qoftë në njerëz, por edhe në objekte publike dhe private.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Tribuna Channel se referuar dy protestave të fundit ku është shfaqur dhunë ndaj policisë së Kosovës, ka pasur dëme të mëdha.

“Gjatë dy protestave të fundit janë lënduar gjithsejt 24 policë dhe dy qytetarë. Ndërsa sa i përket veprimeve policore, policia ka shoqëruar 26 persona të dyshuar, ku 19 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Janë dëmtuar 25 vetura zyrtare duke përfshirë të policisë, qeverisë dhe ministrive, janë dëmtuar 10 vetura civile si dhe janë dëmtuar edhe objekte të qeverisë, ministrive duke përfshi edhe shtatoren e ish-presidentit Ibrahim Rugova”, tha Kelani.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë se Policia e Kosovës është sjellë konform rregullave dhe procedurave të brendshme që i ka policia, dhe se policia asnjëherë sipas Shalës nuk ka përdorur dhunë por i është përgjigjur dhunës.

Shala shtoi se perimetri i sigurisë kërkon që protestat të mbahen aq larg objekteve publike sa nuk mund të dëmtohen ato, pasi ne në çdo protestë kemi dëmtim të pronës publike dhe taksapaguesve.

VV: Bastisjet e shtëpive të deputetëve, tensionojnë edhe më shumë situatën

0

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sonte për bastisjen e shtëpisë së prindërve të deputetit të kësaj parti Albin Kurti, të cilin policia po e kërkon në bazë të fletë-arrestit të lëshuar nga Gjykata e Prishtinës.

Në komunikatën e VV-së, thuhet se para pak orësh, Policia e Kosovës bastisi edhe shtëpinë e prindërve të deputetit Albin Kurti.

“Pushteti i kriminalizuar, që nuk ndërmorri asnjëherë asnjë veprim kundër strukturave paralele kriminale të Serbisë dhe kundër krimit e korrupsionit që e kanë vërshuar vendin, është vënë në përndjekje speciale të deputetëve të opozitës”, thuhet në komunikatë.

“Pushteti i Isa Mustafës dhe i Hashim Thaçit, që nuk ka guxim të përballet as edhe njëherë të vetme në mënyrë të dinjitetshme me Serbinë, kur kjo e fundit sulmon dhe bllokon Kosovën, po bastisë shtëpitë e deputetëve ngase nuk po mund ta durojë vendosmërinë e opozitës për ta mbrojtur Republikën”.

“Bastisjet e shtëpive të deputetëve dhe familjarëve të tyre, do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe do ta rrisin vendosmërinë e opozitës në rezistencën e saj kundër shtetit policor që është vënë totalisht në funksion të mbro jtjes së ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e VV-së.