Home Blog Page 6971

Shansi ynë i fundit në hapin e tyre të parafundit

0

Nga Albin Kurti

Në teori përmenden posaçërisht dy modele kushtetuese në një rregullim shtetëror demokratik. I pari është modeli i drejtësisë që nënkupton si bazë të drejtat e qytetarëve që do të duhej t’i sigurojnë ata nga sulmet dhe abuzimet e shtetit. Kurse, i dyti, është ai i konsensusit: ndarja e pushtetit, zgjidhja federale, ideja e Lijphartit për ‘demokracinë konsensuale’ që ka për qëllim stabilitetin dhe autonominë kulturore. Më tutje, në modelin e parë zakonisht ke një popull shumicë që vendos themelin dhe emrin e ngrehinës shtetërore por vullneti i të cilit kufizohet nga të drejtat e pakicave. Ndërkaq, te modeli i dytë që rregullisht përvetësohet nga shtetet e ndryshme federative kemi elementet e veçanta përbërëse si popuj a kombe pak a shumë të barabartë nën një kulm të përbashkët. Në rastin e parë, të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe ato politike shërbejnë herë si amortizues e herë vetëm si maskë e dominimit të shtetit komb. Në rastin e dytë, vazhdimisht kërkohen balanse delikate në mënyrë që forcat e veçanta centrifugale të mos e tejkalojnë gravitacionin e përgjithshëm të sistemit shtetëror.

Nga shkatërrimi i Jugosllavisë federative që nisi në fund të shekullit të kaluar dolën këto shtete kombe: Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Këto shtete janë para së gjithash shtete të sllovenëve, kroatëve, malazezëve, serbëve dhe maqedonasve, ndonëse në Mal të Zi malazezët janë veçse pakica më e madhe që përbën rreth 40% të popullsisë, në Maqedoni së paku një e treta e popullsisë janë shqiptarë, kurse në Serbi së paku 18% e popullsisë nuk janë serbë. Në anën tjetër, kemi edhe Bosnje dhe Hercegovinën e cila e pësoi më së shumti gjatë luftës por u bë një shtet federativ në të cilin një e treta e popullsisë që ishin serbë fituan gjysmën e territorit përmes Republikës serbe atje. Për të qenë më keq se kaq, Republika serbe sot e ka shndërruar Bosnje dhe Hercegovinën në një shtet jofunksional i cili po shkon drejt dështimit të sigurt. Marrëveshja e Daytonit e cila para dy dekadash ishte sajuar për ta ndalur luftën nuk po arrin ta mirëmbajë Bosnjën e për pasojë nuk do të arrijë ta mbajë as paqen.
Po Kosova, ku ndodhet në këtë mes vendi ynë i dashur? Kah po shkon njësia e dikurshme e federatës jugosllave ku filloi dhe (ende nuk) përfundoi shkatërrimi i Jugosllavisë? Cila është pozita dhe ardhmëria e shtetit që shpalli pavarësinë para gati tetë vjetësh? Kosova rrezikon të federalizohet përmes ‘Zajednicës’ së Serbisë duke iu bashkuar kështu Bosnjës, këtij shteti të par(e)alizuar e për të cilin diplomatët kureshtarë vënë baste nëse do të shpërthejë para dështimit apo do të dështojë para shpërthimit. Nga të gjitha shtetet që dolën nga ish Jugosllavia, Bosnja dhe Kosova po mbeten humbëset më të mëdha: pa integritet territorial e sovranitet, me qytete të ndara si Mostari e Mitrovica, me nga një Serbi të vogël brenda si ‘Republika Srpska’ dhe ‘Zajednica’, me sundim ndërkombëtar sipër që s’të jep llogari, dhe, me papunësinë e varfërinë më të lartë në rajon. Dy shtetet kombe që të parat dolën nga ish Jugosllavia, Sllovenia e Kroacia tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Tri shtetet kombe të tjera, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia janë asaj rruge. Bosnja dhe Kosova po ngelin në klasë, në të njëjtën klasë, me të njëjtën mënyrë. Sepse Kosova po e ndjek Bosnjën hap pas hapi.

Bashkësinë e 14 komunave të tyre në Bosnje, me planifikimin dhe ndihmën e Beogradit, serbët atje e formuan më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ata e shpallën pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratuan kushtetutën e tyre. Ndërkombëtarisht kjo u njihet me 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Daytonit, pas negociatave të cilat për çështjet e brendshme të Bosnjes, Alija Izetbegoviq i zhvilloi me Milosheviqin dhe Tugjmanin në Ohio të ShBA-ve. Ajo që u arrit në Bosnje dhe Hercegovinë përgjatë luftës e me luftë për katër vite e gjysmë, në Kosovë po realizohet më ngadalë në paqe. Le të themi, më së voni prej 2 shkurtit të vitit 2007 kur në Prishtinë ateroi Plani i Ahtisaarit që formonte dhjetë komuna të reja me shumicë serbe, e deri në ditët e sotme kur po përpiqen ta instalojnë ‘Zajednicën’që i bashkon këto komuna në një pushtet paralel të një formacioni të ri. Pra, Serbia njëherë i ndau territorialisht dhe administrativisht serbët e Kosovës nga Kosova dhe tani po i bashkon ata, sërish territorialisht e administrativisht, kundër Kosovës. Kësisoj, Kosova i është nënshtruar forcave centrifugale teksa serbët e Kosovës atyre centripetale, gjë që po shprehet në pavarësinë pa substancë të Kosovës dhe në autonominë substanciale të ‘Zajednicës’.

Në këtë orvatjen federalizuese për shtetin e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, sigurisht që duhet të shtypet shumica shqiptare e të fuqizohet pakica serbe. Kosova edhe mund të quhet vend e popullsi multietnike, por ajo s’mund të bëhet shtet multietnik pa dhunë mbi shqiptarët të cilët janë jo vetëm popullsi shumicë por përbëjnë plot 92% të popullsisë. Me 92% shqiptarë e me 6% serbë nuk ka kuptim ‘Zajednica’. Vetëm kur në ekuacion e fut edhe Serbinë, dialogun pa kushte me të dhe aspiratat e saj hegjemoniste, e sidomos me mirëkuptimin ndërkombëtar për mosnjohjen që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës, vetëm atëherë 6% serbë nuk janë më 6% por bëhen nja 25% me të drejtë vetoje. Asisoj, Serbia del e fituar në Kosovë edhe më shumë sesa në Bosnje: atje 33% të popullsisë fituan 49% të territorit, këtu 6% të popullsisë po fitojnë afër 25% të territorit.

Republikën serbe në Bosnje boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës sigurisht se nuk mund ta heqin pa një luftë të re e ndoshta as edhe me një luftë të re. Natyrisht që ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë nuk është identike me Republikën serbe në Bosnje. ‘Zajednica’ është para-shtet, tash për tash më i ngjashëm me ato që quheshin ‘Srpska Autonomna Oblast’ në Kroaci, si psh. Krajina, sesa me Republikën serbe në Bosnje. Mirëpo, ‘Zajednica’ është vetëm një hap larg Republikës serbe në Bosnje dhe për këtë hap asaj nuk do t’i duhet më Kosova. Qeveria e Kosovës i nevojitet Serbisë për ta bërë ‘Zajednicën’, ndërsa mandej nuk do t’ia ketë nevojën asaj për ta shndërruar ‘Zajednicë’ në Republikë Serbe. Me lidhjen politike dhe financiare me Serbinë, me kompetencat vendëse e ndërkombëtare që i fiton, me institucionet dhe administratën e saj, me përfaqësuesit dhe simbolet që do t’i përcaktojë vetë, ‘Zajednica’ ecën vetë në hapin e saj të fundit drejt edhe një Republike tjetër serbe në Ballkan. As Presidentja, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës nuk do të mund ta shpërbëjnë dhe as shuajnë ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. ‘Zajednicën’ mund ta ndalim tash dhe vetëm tash, në hapin e saj të parafundit, e jo më vonë në hapin e saj të fundit. Ta parandalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të parafundit do të thotë ta mbrosh Republikën e Kosovës. Ta ndalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të fundit do të thotë të shfaqesh si një agresor i pamundur.

Përfundimisht, ose do të rrojë Republika e Kosovës ose do të instalohet ‘Zajednica’ e Serbisë, dmth. ose do të bëhet Republika e tretë e Kosovës (si republikë-për-zhvillim, pas republikës-për-rezistencë të 2 korrikut 1990 dhe republikës-për-shitje të 17 shkurtit 2008) ose do të bëhet republika e tretë serbe në Ballkan (si ‘Zajednicë’, pas Republikës serbe në Bosnje dhe vetë Republikës së Serbisë).

Gërxhaliu kërkon një laborator të ADN-së (Video)

0

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se që nga e hëna ekipi është në terren në Rudnicë në një minierë ku po dyshohet për varrezë masive, bashkë me ekspertët e EULEX-it dhe palën serbe në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Etapa e parë është përfundim e sipër. Janë tri etapa, sepse është një terren shumë i vështirë meqenëse edhe kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen, po tentojmë që sa më shpejtë të vijmë deri tek gjetjet mortore”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai në emisionin”Kontakt” në Tribuna Channel, ka shprehur shqetësimin e tij për mos themelimin e laboratorit të ADN-së.

“Duhet të ulemi me institucionet që të diskutojmë, edhe më herët i kam paralajmëruar që në vend se të na vijnë ditët më të mira, po na vijnë më të këqija, me vetë faktin që Komiteti Ndërkombëtar do të largohet prej Ballkani do të kenë projekte të mëdha në Irak e Siri, dhe për laborator jemi të varur në këtë aspekt. Momenti i fundit është që të ulemi me institucionet dhe të trajnohen njerëz për këtë punë, ngase për fat të keq nuk ka kapacitetet dhe për të krijuar një profil të tillë njerëzit duhet dërguar jashtë për shkollim më të gjatë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai tha se sipas informacioneve që kanë në vendin ku po bëhen gërmimet dyshohet për afër 20 persona .

“Ka informacione të ndryshme, mund të jenë mbetjet mortore mbi 14 persona ose mbi 20, por pa marrë parasysh nuk kisha dashur të predikojë sepse shpesh edhe informacionet nuk po na dalin të sakta”, ka thënë ai .

Gërxhaliu në këtë emision ka folur edhe për dy lokacione tjera në Kosovë ku po dyshohet për varreza masive.

“Kapacitetet nuk janë ashtu çfarë duhet të jenë mirëpo në njëfarë forme duhet të organizohemi apo të ndahemi në dy gjysma që të kontrollojmë edhe këtë pjesë në Kosovë, në fshatin Kqiq të Mitrovicës, kam informacione prej medieve edhe për një pjesë në Llugagji me dyshime se mund të ketë varrezë masive”, ka thënë Gërxhaliu.

AAK-ja mbetet pjesë e opozitës së bashkuar

0

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka bërë me dije se AAK-ja nuk ka kurrfarë marrëveshje me PDK-në e LDK-në sa i përket çështjes së demarkacionit.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se raportimet që janë bërë të premten në disa medie, kinse AAK-ja është afër një marrëveshje me këto dy parti, janë përpjekje për ta zbehur veprimin e kësaj partie. Nitaj ka thënë se AAK-ja mbetet pjesë e opozitës së bashkuar dhe presin që Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi të reflektojnë.

“AAK-ja nuk ka hyrë për të bërë pazare, që të thuhet se plotësojeni njërën prej marrëveshjeve e për tjetrën nuk ka problem”, ka thënë Nitaj.

Megjithatë, Nitaj ka bërë me dije se për të dalë nga situata aktuale duhet të reflektojnë pozita dhe opozita. Ai ka deklaruar se secili lider duhet ta kuptojë përgjegjësinë që ka dhe të lëvizë nga pozicioni. Sipas Nitajt, në këtë drejtim përgjegjësinë më të madhe e kanë liderët institucionalë.

Ai ka vlerësuar se edhe liderët e opozitës duhet të tregohen më fleksibilë në kërkesat e tyre.

“Në këtë situatë duhet të reflektojnë të gjithë, përfshirë edhe presidenten e vendit, e cila i ka marrë disa hapa, duke përfshirë kryeministrin dhe zëvendësin e tij, pse jo edhe liderët e opozitës të tregohen më fleksibilë në kërkesat e tyre dhe në qasjen që ata e kanë”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij, në këtë iniciativë duhet të përfshihen edhe diplomatët e huaj me ndikim në Prishtinë.

“Normalisht, duke përfshirë këtu edhe diplomatët që kanë fuqi dhe janë akredituar në Prishtinë. Pra, besoj se të gjitha palët kanë nevojë të përfshihen në këtë projekt dhe ta rikthejnë Kosovën në gjendje normale”, është shprehur Nitaj. Ai ka thënë se dhuna në rrugë dhe në Kuvend tregon se ajo mund të eskalojë dhe të ketë përmasa më të mëdha./ Epoka e Re

Opozita mblidhet sot

0

Tri partitë opozitare do të mblidhen sot në Prishtinë. Takimi mbahet në mesditë në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Opozita vazhdon të qëndrojë e palëkundur në kërkesat e tyre, derisa kanë paralajmëruar manifestim më 28 Nëntor.

Arrestimet nuk e zhbllokojnë Kuvendin

0

Paraburgimi i shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, dhe kërkimi për arrestim i tre deputetëve të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, nuk do ta zmbrapsë opozitën nga bllokimi i punës së Kuvendit përderisa nuk anulohet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin.

Madje, opozitarët thonë se koalicioni qeverisë ose duhet t’i arrestojë të gjithë opozitarët, ose t’i anulojë marrëveshjet pasi, sipas tyre, në asnjë formë ata nuk do të lejojnë që të ketë normalitet në vend.

Sipas përfaqësuesve të bllokut opozitar, koalicioni qeverisës nuk duhet të thërrasë seanca të reja pa ndonjë marrëveshje politike. Kurse analistët thonë se Qeveria duhet të angazhohet për gjetjen e zgjidhjes e sipas tyre nëse as Qeveria nuk angazhohet për gjetjen e zgjidhjes, në atë rast duhet të reagojë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se përmes arrestimit të deputetëve pushteti po mundohet t’ia pamundësojë opozitës kundërshtimin e Marrëveshjes për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin. /Zëri

Hill kritikon BE-në për qëndrim jo konstruktiv ndaj Kosovës

0

Christopher Hill, dekan i Fakultetit Ndërkombëtar në Universitetin e Denverit, ndërmjetësues i dikurshëm amerikan në bisedimet paqësore në Rambouillet, ka komentuar për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe situatën aktuale në Ballkan sot pas Marrëveshjes së Deytonit dhe marrëveshjet që pasuan, çështjet e pazgjidhura që ende ekzistojnë në Bosnjë, Kosovë , Maqedoni…

Hill, siç transmeton qik-u, mendon se në masë të madhe tërë rajoni i Ballkanit ka pësuar për faktin se për shumë vende, pas marrëveshjes së Deytonit, ka ekzistuar ndjesia se Ballkani duhet vetë të zgjidhë problemet e tij.

Ai ka shtuar se “do të donte të shihte se një vëmendje më e madhe se po i kushtohet kësaj situate nga ana e SHBA-së.

Hill ka prekur edhe çështjen e Kosovës dhe situatën, e cila, sipas tij, nuk është konstruktive nga ana e BE-së ndaj saj.

“Kur e shikoni Kosovën, atë edhe sot nuk e njohin pesë anëtare të BE-së, gjë që nuk është situatë konstruktive”.

Andaj, Hill mendon se duhet të ekzistojë mirëkuptim, “se ja jemi këtu, 20 vjet pas Deytonit, por ka aq shumë të pakryera”.

“Duhet të nxjerrim energjinë e ripërtërishme nga shënimi i i këtij përvjetori për të mbaruar punën e pakryer”, tha Hill për Zërin e Amerikës”, transmeton qik.

Christopher Hill po merr pjesë në Konferencën dyditore në Deyton me të cilën po shënohet 20 vjetori i Marrëveshjes dhe arritjes së paqes në Bosnjë e Hercegovinës.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton tha se Deytoni solli paqen, po puna nuk u krye.

IKD: S’ka rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit

0

Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se lufta kundër korrupsionit edhe pse e shpallur si prioritet absolut nga sistemi prokurorial, nuk po arrin të dëshmohet me rezultate konkrete në praktikë, sidomos në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Kështu thuhet në raportin e IKD-së “Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”.

Sipas IKD-së, institucionet, agjencionet që e zbatojnë ligjin dhe qytetarë të shumtë, vazhdojnë të sfidojnë Prokuroritë e Republikës së Kosovës me lëndë të shumta të korrupsionit, të cilat i parashtrojnë qoftë përmes ofrimit të informatave të shumta apo ushtrimit të kallëzimeve penale.

“Këto informata dhe kallëzime penale kanë mbetur të patrajtuara me dekada nga Prokuroritë, duke lejuar në shumë raste arritjen e afatit të parashkrimit të ndjekjes së kryesve të këtyre veprave penale të korrupsionit, rrjedhimisht duke amnistuar kryesit e dyshuar për vepra penale korruptive. Mos veprimi i Prokurorit të Shtetit në këto raste të korrupsionit ka ndikuar në mos zbulimin e së vërtetës, rrjedhimisht mos ndëshkimin apo amnistimin e kryesve të veprave penale të korrupsionit, që ndikon edhe në mos kthimin e pasurisë së paligjshme të fituar përmes korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Sipas IKD-së, ky mosveprim i institucioneve të shtetit, të thirrura dhe të autorizuara me ligj për të ndjekur penalisht kryesit e veprave penale dhe për të kërkuar drejtësi, po ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve dhe publikut në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në vullnetin dhe përkushtimin e tyre në luftimin e korrupsionit nga këto institucione.

“Gjetjet e monitorimit të IKD tregojnë se me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit më 4 nëntor 2013, prokuroritë kanë pasur të regjistruara në punë raste ndaj 1682 personave. Prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit deri më 30 qershor 2015, prokuroritë kanë pranuar në punë raste të reja ndaj 1441 personave. Përderisa nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit deri më datën 30 qershor 2015, janë zgjidhur raste ndaj 1598 personave. Prej tyre ndaj 383 personave i kanë hudhur kallëzimet penale, ndaj 435 personave i kanë pushuar hetimet, ndërsa ndaj 780 personave kanë ngritur aktakuza. Në fund të kësaj periudhe raportuese, më 30 qershor 2015, prokuroritë kanë të pazgjidhura raste ndaj 1706 personave”, bëhet e ditur në raport.

Krahasuar më gjendjen fillestare të rasteve të pazgjidhura, rezulton se trendi i rasteve të pazgjidhura vetëm sa ka shënuar rritje.

IKD vlerëson se këto rezultate janë dëshmi se shpallja e lëndëve të korrupsionit për tu luftuar me prioritet absolut përmes planeve të veprimit mbetet vetëm synim i pazbatuar në praktikë.

Gjetjet e IKD-së edhe në këtë raport periodik të IKD-së, i gjashti me radhë, dëshmojnë mungesën e vullnetit dhe përkushtimit për të zbatuar obligimet e përcaktuara me Plan të Veprimit, përmes të cilit do të mundësohej zgjidhja e rasteve të vjetra të korrupsionit.

IKD ka vendosur indikatorë përmes të cilëve, ka bërë matjen e zbatimit të Planit të Veprimit për lëndët e vjetra të regjistruara deri më 4 nëntor 2013. Zgjidhja e këtyre rasteve ka qenë prioritet absolut prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit, por në praktikë kjo nuk është dëshmuar.

Bazuar në indikatorin e IKD-së për matjen e zbatimit të Planit të Veprimit, rezulton se prokuroritë kanë zgjidhur raste ndaj 937 personave apo kanë arritur të zbatojnë 57% të Planin e Veprimit. Sikurse në periudhat paraprake për të cilat kishte raportuar IKD, edhe për këtë periudhë raportuese Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon të jetë prokuroria me efikasitetin më të dobët në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit. Pason PSRK, e cila ka arritur të zgjidhë mbi gjysmën e rasteve të vjetra, ndërsa prokuroritë tjera kanë përqindje më të madhe të zgjidhjen e rasteve të vjetra.

“Gjatë kësaj periudhe raportuese, Kryeprokurorët e PTH-ve dhe PSRK-së nuk kanë përmbushur një varg të obligimeve, të përcaktuara në Planin e Veprimit. Raportimi tek Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit nuk është përmbushur, gjithashtu nuk është përgatitur asnjë raport i veçantë për rastet e parashkruara të korrupsionit. Në të njëjtën periudhë, as obligimet e Koordinatores Nacionale nuk janë përmbushur karshi Planit të Veprimit. Arsyet për këtë neglizhencë, bien mbi garën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe vëmendjen që ka marr ky proces, si dhe muajt e verës, në të cilët bartësit e funksioneve prokuroriale nuk kanë qenë të përkushtuar në zbatimin e obligimeve ligjore dhe vendimeve të Këshillit Prokurorial”, thuhet në raportin e IKD-së.

Aspekti i llogaridhënies për dështimin e prokurorive në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit, mbetet vetëm çështje diskutimi, por në praktikë ende nuk ka asnjë zyrtar, i cili është mbajtur përgjegjës nga Kryeprokurorët apo nga Këshilli Prokurorial.

Kjo kulturë e pandëshkueshmërisë për dështimet e sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit, ka ndërtuar një sistem imuniteti për shkelësit e ligjit, të cilët po vazhdojnë me shkelje të ligjit pa pasoja.

Mekanizmi i vetëm funksional, i cili ka dhënë shenja se është duke bërë përpjekje për të zbatuar ligjin në rastet e shkeljeve ligjore nga ana prokurorëve, mbetet Zyra e Prokurorit Disiplinor, e cila sipas detyrës zyrtare ka iniciuar një numër të madh të rasteve disiplinore, bazuar në gjetjet e raporteve të IKD-së.

“Një numër i madh i këtyre rasteve tashmë gjenden në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, bëhet e ditur në raport. /PrizrenPress.com

Prizren: Një muaj paraburgim për hajnin nga Caparci

0

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit R.Th. nga fshati Caparc i Komunës se Prizrenit. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

“I pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 17.11.2015 në ora 14.00 dhe do të zgjasë deri me datën 16.12.2015”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke vepruar në mënyrë veçanërisht të rëndë dhe të rrezikshme, i njëjti duke hap kasafortën me një fleksnë Zyrat e lokalit komercial të Kompanisë “Transcomerce” pronë e të dëmtuarit M.C. nga Dragashi merr sasi të mëdha të parave në shumën prej 22.000 euro ,pasi që i njëjti është recidivist Gjykata Themelore e Prizrenit i cakton masën e paraburgimit”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Më të fortë se frika

0

U2 ka nderuar viktimat e sulmit terrorist në Paris, të mërkurën mbrëma, duke kënduar “City of Blinding Lights”, në Belfast, ndërkohë që është shfaqur Kulla Eiffel me mesazhin – “Më të Fortë se Frika”.

“Refuzojmë të urrejmë, sepse dashuria kryen punë më mirë”, ka thënë Bono para publikut.

U2 kishte planifikuar të performonte në dy koncerte, në Bercy Arena në Paris, vikendin e kaluar. Të gjithë anëtarët ishin duke bërë provat, kur terroristët goditën kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes. Rock bendi irlandez ndodhej më pak se 4 kilometra larg nga vendi i masakrës – Salla e Koncerteve “Bataclan”, ku mbetën të vrarë 89 veta.

“Kjo është goditja e parë në muzikë, në këtë farë lufte kundër terrorizmit. Është aq tronditëse. Janë njerëzit tanë. Kam mundur të isha unë në atë mbrëmje muzike, ka mundur të jetë secili në atë vend. Kjo është thellësisht shqetësuese”, ka thënë Bono. /Politiko.net

Kërkesat e mësimdhënësve barten në vitin 2016

0

Niveli lokal dhe ai qendror të shtetit ende nuk kanë realizuar kërkesat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për të drejtat e mësimdhënësve. Këto kërkesa, që lidhen me kompensimin, janë bllokuar nga institucionet në mungesë të buxhetit, si dhe legjislacionit të papërshtatshëm.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëpër komuna kërkesa që ka nisur të trajtohet është ajo e tri pagave para pensionimit që duhet t’iu kompensohen mësimdhënësve me rastin e pensionimit, si dhe pagesa për udhëtimin.

Mirëpo edhe kjo kërkesë, sipas tij, nuk po zbatohet në praktikë. “Në disa komuna ka lëvizje teorike, por jo dhe praktike që të zbatohet kërkesa për tri paga të pensionimit dhe ajo për pagesën e udhëtimit”, tha ai.

Këto dy kërkesa që duhet të përmbushen nga niveli lokal i shtetit, sipas Jasharajt, nuk po realizohen për shkak se nuk është bërë planifikimi buxhetor dhe se premtimi i komunave është se do të planifikohen në Buxhetin e vitit 2016. Ndërsa, shqetësuese për SBASHK-un mbetet kërkesa tjetër, e cila i është drejtuar nivelit qendror të shtetit për rregullimin e pagesës së pensionit.

Një mësimdhënës pensionist tash gëzon pagë prej 75 eurove. Por kjo pagë, sipas SBASHK-ut, duhet të jetë 140 euro dhe mësimdhënësi të llogaritet me këtë rast kontributdhënës. Sipas SBASHK-ut, progresi mund të llogaritet tek Ligji për Benefitet e Periudhës 1990/99, i cili ka shkuar në Qeveri. Madje për këtë ligj, Jasharaj thotë se Ministria e Financave po shqyrton edhe koston pasi që përmes këtij ligji parashihet edhe rregullimi i pagës së pensionit. /Zëri