Home Blog Page 7002

Një muaj paraburgim për dy hajnat e Prizrenit

0

Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurve SH.K. dhe M.B. që të dy nga Prizreni, Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

“Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 03.11.2015 nga ora 16:00 dhe do të zgjasë deri me datën 03.12.2015”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, se me datën 29.10.2015, në kohë të pacaktuar në Prizren në kafiterin ”Rinia”, pronë e të dëmtuarit me iniciale P.A. në bashkëveprim ia marrin pasurinë e luajtshme tjetrit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, duke shfrytëzuar mos prezencën e njerëzve dhe të dëmtuarit me forcë e hapin derën hyrëse të lokalit dhe marrin sende me vlerë”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Qeveria pret respektim të rregullores për dorëzim të peticionit (Video)

0

Ka kaluar një javë qëkur tre liderët opozitar u futen në Kuvend me peticionin kundër Marrëveshjes për Asociacionin dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Ndonëse nuk e lanë aty, ata paralajmëruan se atë do ta dorëzojnë tek institucionet relevante vendëse e ndërkombëtare.

Por, tash e tetë ditë nuk është shënuar ndonjë lëvizje. Bile, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën vazhdon ta përcjell në mënyrë retorike përgjigjen që e kishte dhënë javën e kaluar për Tribuna Channel.

“Për këtë pyetje të kam kthyer përgjigje herën e kaluar. Por megjithatë po e bëjë copy paste edhe një herë”, ka thënë Sherifi përmes një mesazhi telefonik.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka garantuar se nëse respektohen proceduat ai do të pranojë peticioni e opozitës, edhe pse asnjë peticion nuk ka shkuar zyrtarisht në adresë të kuvendit.

Kurse Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i pyetur se cili është qëndrimi i Qeverisë karshi peticionit të opozitës ka thënë ekziston një procedurë për të gjitha peticionet, procedurë kjo e cila besoj do të respektohet në plotësi nga Kuvendi.

Opozita prin në zgjedhjet në Kroaci

0

Rezultatet paraprake tregojnë se koalicioni i qendrës së djathtë opozitare është prijës ndaj grupit të qendrës së majtë që është në pushtet në bazë të numërimeve në 31 për qind të vendvotimeve.

Sipas votave të hedhura dhe të numëruara në 31 përqind të vendvotimeve në vend, koalicioni opozitar i qendrës së djathtë i kryesuar nga Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, është përpara të qendrës së majtë koalicionit qeverisës Partia Social Demokrate, SDP, në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.

Rezultatet paraprake të publikuara në orën 22.00 nga Komisioni i Zgjedhor Kroat, DIP, tregojnë se Koalicioni Patriotik, i udhëhequr nga HDZ, kishte fituar 61 nga 143 të vendeve parlamentare.

“Kroacisa e Fortë” e udhëhequr nga drejtuesi i Partisë Social Demokrate, SDP, fitoi 53 vende, ndërsa e formuara Ura e listave të Pavarura, MOST, fitoi 19 vende, dhe kështu do të jetë një partner i rëndësishëm i koalicionit në aspektin e formimin të një qeverie.

Anketat e mbajtura patën një rezultat ndryshe nga ajo që ishte parashikuar, shumica duke sugjeruar që Koalicioni Patriotik kishte një avantazh të ngushtë prej 57 vendesh ndaj Kroacia e Fortë me 56.

Rezultatet ishin të bazuara në preferencat e votuesve në zonat brenda Kroacisë, të cilat llogariten për 140 vende në parlament. Tre vendet e tjera janë votuar nga kroatët që jetojnë jashtë vendit.

Sipas numërimeve të hershme, partitë rajonale Kuvendi Demokratik Istrias, IDS, dhe Aleanca Demokratike Kroate e Sllavonisë dhe Baranjës, HDSSB, fitoi katër dhe respektivisht dy vende.

Milan Bandiç 365 – Partia e Solidaritetit dhe Punës, e drejtuar nga kryebashkiaku i Zagrebit, Milan Bandiç, mund t’i fitojë dy vende. Qendra e majtë e koalicionit Kroaci e Suksesshme, e udhëhequr nga ish-Presidenti kroat Ivo Josipoviç dhe ish ministri i ekonomisë Radimir Çaçiç, e fitoi një vend. /BIRN

Greqia kthen 1761 emigrantë shqiptarë

0

Autoritetet greke do të kthejnë nën shoqërimin e policisë, plot 1761 shtetas shqiptarë që konsiderohen si persona me qëndrim të paligjshëm dhe të padëshiruar për Greqinë.

Lajmi konfirmohet për “NOA”-n në një komunikatë zyrtare nga Policia e Greqisë. Bëhet e ditur se vetëm për muajin tetor 2015, në një operacion të posaçëm të organeve për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe policisë greke, janë riatdhesuar 2056 shtetas të huaj.

“Nga këta, 1761 shtetas janë shqiptarë, kurse 295 nga vende të tjera, konkretisht 90 nga Pakistani, 36 nga Gjeorgjia, 28 nga Bullgaria, 15 nga Iraku, 13 nga Turqia, 12 nga India dhe 10 nga Afganistani”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Autoritetet thonë se ky operacion po vazhdon edhe gjatë muajit nëntor 2015 dhe po kryhet në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare.

“Kthimi i të huajve të kombësive të ndryshme në vendlindjet e tyre është pjesë e planifikimit operativ për trajtimin e migracionit të parregullt, – thonë zyrtarët grekë.

Mësohet se po ushtrohen kontrolle kryesisht në mjedise publike dhe qendra pune, ku identifikohen dhe shoqërohen personat e huaj që rezultojnë se janë të paligjshëm.

Gjithashtu evidentohen dhe shoqërohen me qëllim riatdhesim të shoqëruar me polici, edhe persona të huaj të cilët janë shpallur më herët ose së fundi të padëshiruar në Greqi, emigrantë që punojnë në të zezë, emigrantë që nuk kanë dokumentacion të plotë pune dhe jetese, si sigurime shoqërore dhe librezë shëndetësore, etj.

Vitet ’90, Selami: Askush nuk ka merita personale

0

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, duke folur në ekspozitën “Thirrje për liri”, të çelur në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 25-vjetorit të Lëvizjes për Demokraci, tha se askush nuk ka merita personale për atë lëvizje.

“Askush nuk duhet të marrë merita personale për atë që ndodhi në vitet ’90, me protestat, revoltën dhe reagimin qytetar. Ishin qytetarët ata të cilët i dhanë goditjen sistemit, në një kohë kur paralelisht po rrëzoheshin të gjitha regjimet komuniste. Siç tentojmë të marrim meritat për ato zhvillime, duhet edhe të ndajmë përgjegjësinë për faktin se edhe pse kanë kaluar 25 vite, nuk mundëm të realizojmë atë që shumnë nga ne besuan. Nuk arritëm të ndërtonim vend me demokraci të zhvilluar”, tha ai.

Selami, duke ironizuar me sloganin “Drejtimi i duhur”, tha se problemi i madh i Shqipërisë është fakti që nuk ka ndërtuar akoma institucione. /Mapo

Vetëvaret i burgosuri shqiptar

0

I burgosuri shqiptar 54 vjeçar Asllan Agoj është vetëvrarë pasditen e së dielës në burgun Marassi të Xhenovës në Itali.

Shqiptari është vetëvarur me llastikun e një tute në dritaren e qelisë së tij pozicionuar në seksionin e parë të institutit të vuajtjes së dënimit. Ka informuar mbi këtë lajm Donato Kapece, sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së pavarur të policisë së burgut.

“Vetëvrasja e rradhës, e një të burgosuri tjetër në burg, u shpreh ai, demostron se si problemet sociale e humane ekzistojnë pavarësisht uljes së numrit të të burgosurve”.

“Gjatë 20 viteve të fundit, vazhdoi ai, punonjësit e Policisë së burgut kanë evituar rreth 17 mijë tentativa vetëvrasjeje e më shumë se 125 mijë akte vetëlëndimi që mund të kishin shkaktuar pasoja të tilla të rënda. Për fat në burgun e Marassit, ndërhyrja e shpejtë e policit të shërbimit nuk mundi të ndaloj vdekjen e të burgosurit shqiptar.”

Ndërsa sekretari i kësaj sindikate për rajonin e Ligurias Mikele Lorenco deklaroi “se situata në burgjet italiane mbetet alarmuese e se punonjësit gra e burra të Policisë së burgut nuk mund të lihen vetëm në administrimin e përditshëm të rasteve konstante kritike në këto institucione.”

Shqiptari Asllan Agoj 13 vjet më parë kishte vrarë për motive xhelozie me ndihmën e një kazme bashkëshorten e tij. Për këtë krim ai dënohet me 14 vjet heqje lirie e falë amnistive kryen vetëm 9 vite burg.

Më nëntor të 2014, tashmë në gjëndje të lirë kryen një tjetër krim në komunën Sutri të provincës së Viterbos.

Asllan Agoj qëllon për vdekje me shtatë goditje thike të dashurën e tij të re, 31 vjec, shqiptare e nënë e dy fëmijve nga një martesë e mëparshme.

Prej gati një viti ai vuante dënimin e tij në burgun e qytetit të Xhenovës.

Policia e burgut e këtij institucioni informon se shqiptari 45 Asllan Agoj u vetëvra pasditen e së dielës 8 nëntor 2015. Tentativat për të reanimuar rezultuan të pasuksesshme./Ora

Ban Ki-moon dënon dhunën në Kuvend

0

Sekretari i Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon në raportin e tij më të ri për zhvillimet në Kosovë ka dënuar përdorimin e dhunës nga partitë opozitare. Ndërsa, ka përshëndetur dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës drejtuar kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë”, ka theksuar në raport sekretari Ban.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë klasës politike të përmbahen nga retorika dhe veprimet që janë të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.

“Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione si dhe imazhin e Kosovës në botë. U bëj thirrje sidomos aktorëve politikë të opozitës që të përmbushin detyrat e tyre me përgjegjësi dhe pjekuri, duke respektuar plotësisht procesin demokratik dhe institucionet për të cilat janë zgjedhur”, ka thënë Ban Ki-moon. /RTK

Kitara historike e muzikës

0

Kitara akustike Gibson J – 160E e Jon Lennon, e përdorur në incizimin e The Beatles për “Please Please Me” dhe LP “With Beatles”, ka thyer të gjitha të parashikimet e vlerësimit, në një ankand të mbajtur të shtunën, kur ajo është shitur për 2.41 milionë dollarë – rekord ky për një kitarë me rëndësi historike të muzikës.

Lennon e kishte blerë atë në Rushworth’s Music House, në Liverpool, në shtator të vitit 1962, për 161 funte.

Kitara, që ishte konsideruar e humbur për më shumë se 40 vjet, pasi ishte “zhdukur mistershëm”, është shitur tri herë më shumë sesa vlera e supozuar e saj – 800 mijë dollarë – te një blerës që ka dashur të mbetet anonim.

Kitara e John LennonKitara Akustike Origjinale e John Lennon, J-160E Gibson, e vitit 1962.

Është e paqartë se si Lennon ishte ndarë nga ky instrument, që ishte përdorur për singlin e parë të The Beatles “Love Me Do” / “P.S. I Love You”, por edhe në të tjera hite të hershme të tyre si “I Want to Hold Your Hand” dhe “She Loves You”. Ajo qe rishfaqur në një dyqan muzike në San Diego në verën e vitit 1967. Sidoqoftë, blerësi nuk kishte pasur ide që ajo dikur i takonte John Lennon.

Prejardhja e kitarës u zbulua në vitin 2008.

Rëndësia e saj në historinë e The Beatles është e madhe, e lidhur ngushtë me fillimin e karrierës së tyre dhe është kitara më e veçantë e Lennon që është hedhur në ankand. /Politiko.net

Europianë me protesta

0

Deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se Opozita vazhdon të jetë e vendosur në qëndrimet e saj për anulimin e marrëveshjesve për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Në një intervistë për Opinion.al, ai ka thënë se për të jetuar Republika e Kosovës – duhet të bjerë “Zajednica” ose Qeveria.

Kurti është shprehur se agjenda e tyre nuk është kundër integrimit, por nuk mund të pranojnë gjithçka dhe se ka vija të kuqe të cilat asnjë shtet nuk mund t’i shkelë.

Ai, po ashtu, ka thënë se të protestuarit nuk është virus ose sëmundje, por është shenjë e shëndetit dhe e jetës në një shoqëri.

“Të protestuarit është një nga mënyrat e të qenit europian. Të shtypurit e protestave është mënyrë e të qenit pjesë e ndonjë monarkie absolute”, ka thënë Kurti.

Intervista e plotë:

A mund te konsiderohet i mbyllur aksioni i opozitës në Kosovë?

Albin Kurti: Jo. Opozita vazhdon të jetë e vendosur në qëllimet e saj për të ndaluar marrëveshjet e dëmshme për ‘Zajednicën’ e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi i cili ia fal atij 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Nuk do ta ndalim aksionin opozitar deri në momentin kur kryeministri të vendosë të tërhiqet, e nëse jo, do ta detyrojmë ta sjellë ligjin për referendum në Kuvend ose ta çojë vendin në zgjedhje. Që të rrojë Republika ose duhet të bjerë ‘Zajednica’ ose Qeveria. Nuk mund të ketë vijim të rutinës institucionale, a thua se asgjë s’ka ndodhur, ndërkohë që Kosovës i cënohet integriteti i saj territorial dhe e ardhmja e saj si shtet sovran. Është dashur që Kuvendi të jep leje për kryeministrin e Kosovës Mustafa me 25 gusht që ai të bisedojë më kryeministrin e Serbisë Vuçiq psh. me 11 shtator 2015. E jo anasjelltas: Mustafa të bisedojë, negociojë e të merret vesh me Vuçiqin me 25 gusht, ndërsa neve të thotë se me 11 shtator do të vijë për informim në Kuvend! Në një shtet demokratik edhe mund të mjaftojë debati, por në një vend gjysëm autoritar si Kosova, qartazi nuk bën pa aksione simbolike e demonstrata popullore. Në fakt, në shtetet demokratike as nuk vie një situatë si kjo e Kosovës tani.

Çfarë kushtesh u plotësuan që tashmë seanca zhvillohet normalish?

Albin Kurti: Nuk u plotësua ndonjë kusht. Vendosëm si opozitë që të lejojmë zhvillimin e seancës ku u votua MSA-ja mes Kosovës dhe BE-së. Ne ishim shumë kritikë ndaj kësaj MSA-je, pasi është tepër e ndryshme nga MSA-të e vendeve të tjera dhe e bën integrimin e Kosovës në BE të varur nga Serbia. Avionit Prishtinë-Bruksel, MSA-ja ia bën një ‘connecting flight’ në Surçin të Beogradit! Megjithatë, vendosëm të mos e bllokojmë këtë seancë, për t’i dhënë një sinjal të forte partnerëve perëndimorë të Kosovës se ne, si opozitë, po ashtu jemi të përkushtuar për marrëdhënie të mira me ta dhe për forcim të shtetit e të institucioneve në Kosovë. Agjenda jonë nuk është agjendë kundër integrimit.
Por, nuk mund të pranojmë gjithçka, ka vija të kuqe të cilat asnjë shtet nuk mund t’i shkelë sepse dëmton vetveten. Ky është edhe rasti ynë.

Duket se virusi ‘veza’ preku dhe Shqipërinë. Është ky një frymëzim nga VV?

Albin Kurti: Të protestuarit nuk është virus apo sëmundje. Përkundrazi, është shenjë e shëndetit dhe e jetës në një shoqëri. Sipas meje shoqëritë ku nuk protestohet janë shoqëri të sëmura.

Të protestuarit me vezë apo gjëra të ngjashme fillimisht i kemi parë në televizione, nga vendet perëndimore. Edhe sot e kësaj dite ngjarje të tilla ndodhin në vendet të cilat i marrim shembull për demokracinë, qytetarinë dhe për zhvillimin e tyre. Kështu që, nuk është VETËVENDOSJE! ajo që shpik apo frymëzon, mendoj se shembuj protestash, me vezë apo edhe me gjëra të tjera, sidomos kohët e fundit, ka me shumicë në perëndim.

Sigurisht, nuk dua të them se protesta është gjithnjë e vetëjustifikueshme, apo që është një farë cirku demokratik. Protesta është mjet demokratik, por nuk është legjitime të protestosh për gjithçka e gjithnjë. Protesta legjitimohet vetëm atëherë kur pushteti nuk të dëgjon, nuk të përfshin, të përjashton dhe vendos për ty pa të marrë parasysh. Kjo psh. ka ndodhur në Kosovë, ku pushteti ka vendosur për këto dy marrëveshje kaq të dëmshme që prekin gjithë popullin e Kosovës, madje prekin edhe ata që ende s’kanë lindur, e megjithatë nuk e ka përfshirë në vendimmarrje as qytetarinë e gjerë, as opozitën parlamentare. Po flasim për kantonizim e federalizim sipas modelit të Bosnjës, e cila 20 vjet pas luftës vazhdon të jetë shtet i dështuar që pritet të pëlcasë. Një kantonizim e federalizim i tillë nuk mund të bëhet pa pyetur se ç’mendon populli. Normal që vendime të tilla despotike do të hasin në protesta, kjo do të kishte ndodhur kudo në botë dhe është tërësisht legjitime.

Ka pasur akuza që disa nga aktivistët që u përfshinë në hedhjen e vezëve në Tiranë ishin të VV…

Albin Kurti: E kemi sqaruar se nuk ka pasur asnjë aktivist të VETËVENDOSJE!-s pjesëmarrës në atë akt. Po ashtu e kanë sqaruar vetë protagonistët, që nuk kanë patur lidhje me VETËVENDOSJE!-n. Është e kotë të zgjatemi në sajesa e shpifje mediatike të nivelit të ulët, të cilat janë bërë me qëllimin e vetëm që të provokonin një mosmarrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe VETËVENDOSJE!-s në mënyrë që pastaj të thoshin “ja, VETËVENDOSJE! ka probleme edhe me kryeministrin e Shqipërisë”. S’ke ç’komenton për lojëra të tilla, që as fëmijët nuk i luajnë më.

A mund të krijohet një epidemi ‘hedhjesh vezësh’ si përpjekje për të luftuar klasën politike në Shqipëri dhe Kosovë?

Albin Kurti: Edhe një herë, nuk më duket që ka ndonjë ‘epidemi’, madje nuk besoj se kjo është mënyra më e mirë për të etiketuar protestat. Ne shqiptarët jemi popull me kulturë përgjithësisht më konservatore, dhe si pasojë protestojmë shumë më pak se popujt e tjerë. Nëse sheh vetëm muajin e fundit, protestohet në Londër, në Lisbonë, në Athinë e Berlin. Në Shqipëri e Kosovë, po të gjykosh nga varfëria, nga mungesa e zhvillimit, nga mungesa e perspektivës, e po të krahasosh me Evropën, protestohet shumë pak. Kjo tregon se jemi shoqëri ende e paçliruar, e nënshtruar, madje e ndrydhur, e cila prodhon dhe fuqizon pushtete autoritare. Kjo gjë i pengon demokracitë tona. Ndoshta protestat mund të jenë një lloj kritike e ashpër për udhëheqjet politike në vendet tona, por mungesa e protestave është një luftë ndaj demokracisë.

Në Shqipëri grupimi që ndërmorri këtë aksion njihet për qëndrimin pranë ekstremit majtas. Ndodh kjo dhe në Kosovë?

Albin Kurti: Shpeshherë pushtetet autoritare përdorin etiketa e kategorizime ndaj kundërshtarëve për t’i përjashtuar ata e për të mos iu përgjigjur argumenteve të tyre. Të tilla etiketa shpesh janë ato të ekstremizmave të djathtë e të majtë e kështu me radhë. Mua nuk më pëlqejnë këto etiketime, dhe mendoj se një politikë mendjehapur është ajo që dëgjon argumentin e
tjetrit, dhe jo ajo që përpiqet të kategorizojë tjetrin për ta skualifikuar.

Në Kosovë nuk ka parti ekstremiste. Lëvizja VETËVENDOSJE! është një parti socialdemokrate, e qendrës së majtë. Ka njerëz dhe grupime jashtë VETËVENDOSJE!-s që janë më të majtë se ne dhe që na kritikojnë për centrizmin tonë, por nuk mendoj se ka ekstreme as midis tyre.

Kjo është edhe çështje e ideologjisë që i përket ai që kategorizon. Sigurisht, të kërkosh arsim të lartë publik edhe falas sot, për një neoliberal dogmatik, mund të duket ekstremizëm. Por në fakt është një kërkesë tipike socialdemokrate, kejnsiane apo neokejnsiane. Arsim të lartë publik falas sot ka edhe Gjermania, edhe vendet skandinave. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk mund të quhet “ekstrem i majtë”, nëse duam të ruajmë një farë serioziteti në përdorimin e termave. Por për fanatikët e neoliberalizmit, ekstrem është gjithçka që nuk përkon me dogmën e tyre.

Është kjo një nga mënyrat e bashkëpunimit mes shqiptarëve mes dy kufijve?

Albin Kurti: Të protestuarit është një nga mënyrat e të qenit europian. Të shtypurit e protestave, frikësimi i protestuesve, sharja dhe ofendimi i tyre nëpër media, apo përqeshja e argumenteve të tyre janë më shumë mënyra të të qenit pjesë e ndonjë despotati apo monarkie absolute, nga ato që sot numërohen me gishta në gjithë botën, e që në Evropë nuk ka më të tilla.

Shqiptarët do të kenë një demokraci më të shëndetshme dhe një spektër më normal politik kur ta tejkalojnë tërësisht ndarjen. Në të gjitha aspektet e në të gjitha mënyrat.

“Virgjëria” e kosovareve

0

Publikimi i raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku mes tjerash konstatohet se cila është mosha e femrave të virgjëra në Kosovë, ka nxitur debat të ashpër.

Vetë pyetësori, ku direkt kërkon nga vajzat që t’i përgjigjen pyetjes nëse janë apo jo të virgjëra, pa marrë parasysh qëllimin e anketës, është vlerësuar si “përdhunim i dinjitetit” të femrave dhe e papranueshme nga një institucion që s’ka të bëjë me hulumtime shkencore.

Ky publikim, i financuar nga UNICEF-i, ka konstatuar me përqindje se nga 15 deri në moshën 24-vjeçare gati qind për qind e femrave nuk kanë kryer asnjëherë marrëdhënie seksuale.

Këto statistika, që u nxorën nga pyetjet e drejtpërdrejta që u janë bërë të rinjve e të rejave kosovarë nëpërmjet një pyetësori, kanë ngjallur debat.

Ka sociologë të cilët mendojnë se të dhënat e tilla në çdo fushë që ka të bëjë me jetën sociale janë të mirëseardhura, por të tjerët kanë shprehur dyshimet rreth metodologjisë së anketimit dhe kanë konsideruar se studime apo anketa të tilla mund të kërkoheshin nga Instituti i Shëndetit Publik.

Por prapë vetëpyetja direkte e parashtruar në pyetësor se “a je apo jo e virgjër” ka nxitur reagim të ashpër.

Fuqishëm kundër mënyrës së pyetësorit është shprehur aktivistja për të Drejtat e Grave, Igballe Rugova.

Ajo ka thënë se pyetjet e tilla direkte cenojnë intimitetin dhe se nxjerrin të dhëna të pasakta. Rugova ka thënë se për këtë do të kërkojë sqarime shtesë nga UNICEF-i. /Zëri