25.1 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025
Home Blog Page 7392

Sahatqia: 90 për qind e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së e përkrahi koalicionin me PDK-në

0

Teuta SahatqijaNënkryetarja e LDK-së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës Teuta Sahatqia, nuk e ka mohuar faktin se në LDK, mund të ketë mos pajtime me arritje e kësaj marrëveshje.

Por, ajo ka thënë se me shumë se 90 % e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike, i kanë thënë po kryetarit të partisë që të bëj marrëveshje me cilën do parti politike.

“Mendoj që e bukura e demokracisë është ajo që njerëzit të tregojnë vullnetin e tyre flasin dhe votojnë sipas bindjes së vet. Por, demokracia nuk përfundon vetëm me biseda. Demokracia e ka edhe vullnetin e shumicës dhe obligimin që ai vullnet i shumicës të respektohet”, tha Sahatqia.

Partitë e tjera opozitare marrëveshjen PDK- LDK e kanë cilësuar të dëmshme dhe kthim parapa për Kosovën.

Që nga 10 qershori, përkatësisht 10 shtatori, LDK-ja, AAK-ja partia Nisma të mbështetur edhe nga Vetëvendosje ishin në një Bllok me synimin që të formonin qeverinë, duke e lënë PDK-në në opozitë.

Sido që të jetë, zvarritja që po bëhet në krijimin e institucioneve të reja, sipas analisteve politik, mund t’i rëndoj edhe më tej proceset nëpër të cilat duhet të kaloj Kosova.

Filmat fitues të DokuFest-it shfaqen në Tiranë

0

20141123145453108600Ky aktivitet është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe marrëveshjes ndërkulturore të dy qeverive.

Me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë DokuFest në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë do të shfaqin një program të filmave fitues të disa kategorive të edicionit të kaluar të festivalit në Tiranë.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun e “Dokufest”, Nita Deda ka bërë të ditur se programi do të shfaqet në datën 27 dhe 28 nëntor 2014 në sallën e UNESCO në Tiranë ndërsa filmat që do të shfaqen janë: “Përqafimi” nga Lulzim Guhelli , fituesi i çmimit të publikut; “Domino effect” nga Elwira Niewiera dhe Piotr Roso?owski – Fituesi i çmimit të dokumentarit ndërkombëtar; “Heshtje” nga Bekim Guri – Fitues i garës kombëtare dhe “Evaporating Borders” nga Iva Radivojevic – fitues i garës së dokumentarit nga Ballkani.

Ky aktivitet është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe marrëveshjes ndërkulturore të dy qeverive. Si pjesë e këtij bashkëpunimi, Ministria e Kulturës së Shqipërisë sivjet mbështeti disa aktivitete të festivali DokuFest.

Përveç mbështetjes së festivalit, DokuFest dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë po bashkëpunojnë përgjatë vitit në organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore.

“Rapsoditë” e de Radës në Letërsinë Romantike Evropiane

0

Jeronim De RadaNga Françesko Altimari* Në vitin 1866 Jeronim De Rada botoi në Firence përmbledhjen e tij të parë folklorike Rapsodi të një poeme shqiptare1, që, siç dihet, tërhoqi vëmendjen e mjaft dijetarëve dhe shkrimtarëve të shquar të Evropës së asaj kohe, mbi kulturën dhe çështjen kombëtare të popullit shqiptar.

Në këtë botim, qe mbetët një nga përmbledhjet me të pasura të folklorit arbëresh dhe që ka një rëndësi veçanërisht të madhe jo vetëm për folkloristikën shqiptare, por edhe për atë ballkanike dhe evropiane, De Rada vëmendjen kryesore ia vuri epikës legjendare dhe historike të arbëreshëve. Në të vërtetë, ai, duke botuar këtë vepër, kishte besim se poezia popullore shqiptare, me vlerat e saj të çmuara, mund të lozte një rol të madh edhe ndaj letërsisë evropiane të shekullit XIX, në të cilën, nën ndikimin e romantizmit, ishte zgjuar interesimi për folklorin e popujve të ndryshëm.

Rëndësia e tematikës së këngëve të përfshira në këtë përmbledhje është vënë në dukje, në botime të veçanta ose në studime të përgjithshme, që prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar deri në ditët tona, nga shume studiues, shqiptarë dhe të huaj, ndër të cilët po përmendim këtu De Grazia, Meyer, Lambertz, Marchian?, Schmaus, Camaj, Shuteriqi, Fico, Desnitskaja, etj.2.

Është përkrahur në të kaluarën dhe, në mënyre jokritike, përtëritet edhe sot teza se De Rada, duke i parë – nën influencën e romantizmit – këngët popullore historike të arbëreshëve si pjesë të një poeme kombëtare të shpërndarë, si fragmente të një poeme të humbur të një bardi anonim të kohës së Skënderbeut, aq u rrëmbye nga ky “paragjykim letrar” sa i konsideroi dhe i titulloi ato Rapsodi të një poeme shqiptare. Gjithnjë sipas kësaj teze, De Rada vetë, pasi u bind se këngët tradicionale qe kishte mbledhur nëpër fshatrat arbëreshe të Kalabrisë, nuk ishin – si besonin më parë – pjesë të epopesë kombëtare shqiptare të shekullit XV, por vetëm këngë epike të veçuara dhe të palidhura, pa një fare uniteti tematik midis tyre, e ndreqi më pas këtë interpretim të tij të gabuar, fryt i paragjykimit të tij letraro-romantik, dhe prandaj nuk e përmendi me fjalën poemë në ribotimin e kësaj vepre, që doli në shtojcën “Biblioteca Albanese” , të revistës Fjamuri Arbërit, dhe që titulloi me thjeshtësisht Rapsodi Kombëtare.
Me të vërtetë, analiza e “rapsodive “ dhe e krijimtarisë letrare të Poetit tonë, provon qartë se askurrë De Rada qe i bindur se këngët tradicionale që ai, me ndihmën edhe të intelektualëve të tjerë arbëreshë si Dorsa, Basile, Santori, Petrassi, Lopez, mblidhte në ambientin arbëresh, ishin vërtet rapsodi “, d.m.th. pjesë të një poeme të vjetër shqiptare të shekullit XV. Me fjalë të tjera, mendojmë se kurrë ndonjëherë Poeti i Maqit e pati këtë iluzion romantik.
Mirëpo, nga analiza e veprimtarisë deradiane, del në pah se Poeti ynë nuk e ushqeu dot këtë iluzion për vetveten, por për tjerët, duke u përpjekur të bindte bashkatdhetarët e tij dhe, sidomos, intelektualët e huaj për ekzistencën e një poeme kombëtare shqiptare të kohës së Skënderbeut.
Dhe kjo ide e tij, menjëherë pati një përhapje të gjerë dhe një pranim entuziast në qarqet letrare shqiptare, ku bindja për ekzistencën e një poeme kombëtare të shekullit XV, qe një element i rëndësishëm për nxitjen e lëvizjes patriotike nacionale. Kujtojmë këtu se më 1872, gjashtë vjet pas botimit të kësaj vepre të De Radës, dhe në shembullin dhe nën ndikimin e tij, Zef Jubani botoi në Trieste veprën Raccolta di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi qe në vetë titullin përmend botimin folklorik të De Radës.
Por kjo ide nuk bindi tërësisht disa nga albanologët e huaj, si Dozon dhe Meyer, e kështu, pas vërejtjeve dhe kritikave të tyre – dhe jo pasi u kishte bindur për mosekzistimin e poemës kombëtare De Rada ia ndërroi titullin përmbledhjes së tij folklorike, duke e cilësuar në botimin e dytë Rapsodi Kombëtare. Domethënë se ndodhemi këtu para një fincioni letrar që De Rada huazoi, nga njëra anë, prej ideve romantike të kohës dhe të ambientit në të cilin jetonte3, nga ana tjetër, prej edukimit thelbësisht klasik që ai kishte marrë në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit, ku mbeti që prej vitit 1822 deri në vitin 1833.

Lidhur me këtë aspekt të fundit, d.m.th. me formimin kulturor të De Radës, nuk duhet të nënvlerësojmë faktin se mu në periudhën që ai kaloi si student në kolegjin e Shën Mitrit u ndie drejtimi i ri që i solli sistemit arsimor të këtij instituti peshkopi-kryetar Domeniko Bellushi, nën udhëheqjen e të cilit studimet me orientim klasik dhe shkencor mbisunduan gjerësisht mbi ato teologjike dhe në përgjithësi fetare, qe përbënin disiplinat dalluese të kolegjit, që, siç dihet, në origjinë ishte një seminar për përgatitjen e klerikëve arbëreshe të ritit bizantin-ortodoks4 .
Përveç kësaj, duhet edhe të nënvizojmë iniciativat e ndryshme që ndërmori Bellushi kur drejtoi kolegjin – në periudhën 1806-1833 – dhe që i sollën një transformim rrënjësor drejtimit edukativ të këtij instituti, që në atë kohë ishte sigurisht një ndër shkollat e larta më të famshme dhe të përparuara në tërë Mbretërinë e Napolit. Përmend këtu çeljen e katedrave të reja, zgjedhjen e një trupi mësimor me një nivel të lartë profesional, pasurimin e fondit të bibliotekës së kolegjit me vepra të reja me përmbajtje historike, politike dhe letrare.

Gjithë këto iniciativa patën, pa tjetër, një ndikim krejt pozitiv dhe vendimtar në formimin pedagogjik dhe në zgjerimin e horizonteve kulturore të nxënësve që aty studionin. De Rada vetë, në Autobiologjinë5, na përshkruan në mënyrë të hollësishme klimën e re kulturore që karakterizonte jetën e kolegjit arbëresh nën udhëheqjen e Bellushit, kur, me të gjitha kufizimet politike që kishte sjellë Restauracioni – jo vetëm në Mbretërinë e Napolit, por në gjithë Evropën – aty mund të qarkullonin pothuajse lirisht, idetë e reja romantike e patriotike, bashkë me veprat me të rëndësishme të kulturës evropiane të asaj kohe. I ndikuar thellësisht nga kultura klasike që mësoi në kolegj, De Rada i ri ndieu në mënyre të veçantë influencën e teorive që studiuesi gjerman Friedrich August Wolf kishtë shprehur në veprën Prolegomena ad Homerum, botuar me 17956, që e shtynë të thelloni disa aspekte dhe disa motive që gjejmë sidomos në letërsinë pararomantike angleze dhe gjermane. Në këtë vepër, siç është e ditur, Wolf gjente një farë analogjie midis poemave të Omerit dhe atyre që i atribuoheshin Osianit, një luftëtar legjendar dhe bard gaelik i shek. III të e.s. që u botuan nga poeti skocez James Macpherson në veprat : Fragments of ancient poetry (1760) e Fingal, an ancient epic poem in six books, together with several other poems, composed by Ossian, the son of Fingal, translated from the Gaelic language (1763).

Të çmuara si këngë legjendare shumë të lashta, Këngët e Osianit patën një popullaritet dhe një përhapje të gjere ndërmjet shkrimtarëve dhe intelektualëve të kohës. Ato, drejtpërdrejt ose tërthorazi, patën një jehonë të madhe në qarqet kulturore evropianë dhe ushtruan një ndikim të konsiderueshëm dhe të rëndësishëm, jo vetëm në letërsitë më të afirmuara, me një traditë të vjetër dhe të pasur kulturore, si p.sh. në letërsitë angleze, gjermanë dhe franceze, por edhe – dhe sidomos – në letërsitë e popujve të pushtuar.

Duke u ndalur në letërsinë pararomantike angleze, pranë Macpherson-it dhe në të njëjtën përvoje letrare, gjejmë Thomas Gray, që dëftoi në veprat e tij interes sidomos për folklorin skandinav, Thomas Percy e Thomas Chatterton, që shkruan poezi në frymën e poezisë popullore mesjetare angleze. Johann Gottfried von Herder, një ndër figurat qendrore të neoklasicizmit gjerman, përveç se nismës i lëvizjes letrare “Sturm und Drang”, botoi më 1773 veprën Auszug aus einem Briefwechsel über Ossian und die Lieder alter Völker që është e konsideruar si manifesti i neogotizmit gjerman. Idetë e Herderit, më në përgjithesi, ia hodhën themelet romantizmit të parë në Gjermani. Në sajë të kësaj vepre të Herderit, rryma letrare osianike u bë menjëherë element përbërës i kulturës së kohës. Edhe shkrimtari francez Prosper Mérimée, nën ndikimin e Macphersonit, botoi në vitin 1827 veprën La Guzla ou Chais des poésies illyriqaes recueillies dans la Dalmatie, la Bosnie, la Croatie et lHerzegovine, të paraqitur si përmbledhje këngësh të një rapsodi popullor sllav, por që në të vërtetë e kishte shkruar ai vetë.

Siç kemi thënë, suksesi i mistifikimit letrar të Këngëve të Osianit, qe i madh, në periudhën e romantizmit, veçanërisht pranë atyre popujve që asokohe fillonin të manifestonin shenja domethënëse të një ringjalljeje kulturore, përveç se politike, dhe që luftonin për të fituar pavarësinë kombëtare.
Është rasti i letërsisë finlandeze, poema kombëtare e së cilës, Kalevala, u “ rindërtua “ dhe u përpunua filologjikisht, në bazë të këngëve popullore, nga shkrimtari Elias Lönnrot, që e botoi në redaktimin e parë më 1835. Edhe në Çeki, në njëzetvjeçarin e parë të shekullit XIX, nën gjurmat e Macphersonit “zbulohen” disa poema kombëtare, i ashtuquajturi Kralodvorski rukopis (1819) dhe Zelengorski rukopis (1821), që u paraqitën kinse tekste të disa poemave popullore çeke të shekullit XIII, por që ishin krijime poetike origjinale të vetë “zbuluesit” të tyre, Vaclav Hanka.
Një shembull të ngjashëm e kemi gjithashtu edhe në letërsinë estone, me poemën Kalevipoeg (1861) të shkrimtarit Friedrich Reinhold Kreutzwald.

Fenomeni i poezisë osiane, siç e pamë shkurtimisht në këtë pasqyrë përmbledhëse – megjithëse në vija medoemos të përgjithshme – pati kështu një influence të gjerë në tërë letërsinë evropiane, duke ngjallur admirimin e lexuesve dhe të letrarëve me të shquar, si, bie fjala, Diderot në Francë, Grimm e Herder në Gjermani, Cesarotti e Foscolo në Itali. Me vonë, rreth të ashtuquajturve Këngë të Osianit të Macphersonit, siç është e ditur, u çel një diskutim i zjarrtë për sa i përket çështjes se autenticitetit dhe të vjetërsisë të tyre. U zbulua, në fund, se këngët që Macphersoni thoshte se kishte mbledhur nëpër malet e vendlindjes, e se kishte përkthyer nga gjuha gaelike në anglisht, qënkeshin krijuar, në të vërtetë, nga vetë Macphersoni, që nga poezia e vjetër gaelike kishte marrë vetëm emrat e heronjve e disa nga motivet.

Qe, në fund të fundit, ky i Macphersonit një falso i bujshëm, nga i cili rrodhi një traditë të pasur letrare: intelektualët e Evropës së tërë gjetën në Këngët e Osianit një model, një burim të pashtershem për shpikjen e të ashtuquajturve poemë kombëtare.

Krahas kësaj, vëmendjeje të përgjithshme për letërsinë folklorike apo folklorizuese, regjistrojmë në kulturën evropiane të periudhës së romantizmit, por edhe më parë, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XVIII, siç dijet, një interes të spikatur ndaj krijimtarisë gojore të popujve të ndryshëm.
Në Gjermani edhe në këtë fushe u shqua Johann Gottfried von Herder, qe botoi në vitet 1778-79 përmbledhjen e parë gjermane me këngë popullore Stimmen der Völker in Liedern. Duke ndjekur shembullin e tij, në fillim të shekullit të kaluar, në vitet 1806-08, Clemens Maria Brentano e Ludëig Achim von Arnim, botuan përmbledhjen tjetër folklorike Des Knaben Wunderborn.

Kujdesi i kulturës italiane ndaj krijimtarisë folklorike u shfaq për herë të parë, në shekullin e kaluar, me botimin Canti popolari toscani, corsi, illirici e greci të dijetarit të njohur Niccol? Tommaseo, që u shtyp në Venedik në vitet 1841-42. Ky studiues, ndër të tjerat, u interesua ngrohtësisht për botimin e përmbledhjes folklorike të De Radës Rapsodi të një poeme shqiptare, deri edhe për pastërtinë e përkthimit italisht të saj. Një ndër përmbledhësit e parë të folklorit italian qe edhe Angelo De Gubernatis, i cili ishte në marrëdhënie të ngushta miqësore me De Radën dhe që më 1869 botoi studimin Storia comparata degli usi nuziali in Italia e presso gli altri popoli indoeuropei7.
Një interesim të dukshëm ndaj krijimtarisë gojore gjatë shekullit të kaluar e gjejmë edhe pranë popujve ballkanike. Në këtë hapësirë u shqua shkrimtari serb Vuk Stefanoviq Karadzhiq, që me qëllim që ta përsëriste kulturën letrare të kombit të vet duke u mbështetur në trashëgiminë kulturore të popullit, u kujdes të botonte, që prej vitit 1814, përmbledhjen e parë me këngë popullore të sllavëve të jugut, Prosto narodne srpske pjesme.

Gjithë ky lulëzim poemash kombëtare, të “gjetura” ose të “ rindërtuara “, sipas shembullit të Macphersonit, dhe interesimi i përgjithshëm për letërsinë popullore, ishin, nga ana tjetër, në lidhje me rivendikimet politike të asokohshme të borgjezisë që sollën kudo në Evropë, në shekullin XIX, një rritje progresive të lëvizjeve nacionale pranë atyre popujve qe ishin nën sundimin e huaj, o, që sidoqoftë, nuk kishin ende arritur unitetin kombëtar8.

Por vetëm një përngjasim, sado që tërheqës, i rrethanave të jashtme na shtyu të qasim midis tyre veprën e De Radës dhe atë e Macphersonit, dhe jo sigurisht bindja se kemi të bëjmë me të njëjtin fenomen letrar.
Që kur, më 1833, f?lloi të interesohej për mbledhjen e këngëve tradicionale arbëreshe – pasi u kishte bindur se mungesa e një letërsie kombëtare përfaqësonte një ndër pengesat më të rënda në rrugën e autonomisë së plotë politike dhe kulturore të popullit të vet – De Rada, atëherë njëzetvjeçar – si vuri mirë në dukje Vinçenc Dorsa në veprën e tij të çmuar Mbi Shqiptarët – Kërkime dhe mendime “vendosi të krijonte një letërsi shqiptare dhe i qëndrueshëm në këtë objektiv, e për tia arritur qëllimit, vërente se duhej të niste nga këngët popullore, meqenëse nga ato f?llon letërsia e gjithë popujve” 9. Përmes veprave të tij folklorike dhe letrare, Poeti ynë u bë një përhapës i shquari ideve dhe i synimeve politike të “ Rilindjes “ dhe i solli një kontribut të vyer zgjimit kombëtar të popullit shqiptar. Prandaj, duke pasur përpara modelin e poezisë osiane e duke qenë i gjalle asokohe interesi i nxitur nga teoritë e Wolfit dhe të Lachmannit mbi kompozimin e poemave të Omerit, De Rada deshi të bëjë të mendohej se edhe letërsia shqipe, njësoj si letërsia greke e vjetër e ajo anglosaksonë, fillonte me “rapsodi “ popullore të tipit epik, në të cilat do të gjenin vend bëmat heroike të Skëndërbeut e të gjithë popullit shqiptar, në shekullin XV, gjatë luftës kundër pushtuesve osmanë.

Shkruan gjithashtu Dorsa:
Kjo epokë e poezisë së Shqiptarëve (d.m.th. epoka e Skëndërbeut – shënimi im – F.A.) është për ta kështu, si qe për Grekët ajo para Solonit, për Romakët periudha e imitacionit grek, për Arabët epoka para Muhametit, për Kaledonët epoka e Osianit”10.
Nuk është e rastit, mandej, qe De Rada e paraqiti veprën e tij të parë letrare Milosao me nëntitullin domethënës “ poezi shqiptare të shekullit XV “ 11 e në të njëjtën mënyrë bëri pas edhe me veprën tjetër të tij letrare, Serafina Thopia, që në botimin e parë – që nuk hyri, siç dihet, në qarkullim sepse u ndalua nga censura – e titulloi “Këngë historike shqiptare të Serafinës Thopia, e shoqja e princit Nikolla Dukagjini, të përkthyera në prozë italisht”12.
Me këtë fincion letrar qe vetëm për ngjashmëritë e përjashtme mund ta krahasojmë me atë të Macphersonit, De Rada deshi t’i ngarkonte “ideologjikisht” këngët popullore që kishte mbledhur nëpër komunitetet arbëreshe, duke i ndërruar me qëllim në “rapsodi”.

Por ky fakt me vete nuk më duket i mjaftueshëm për të na shtyrë në supozimin, krejt i pathemeltë, se gjoja tërë veprimtaria e De Radës, në fushën e folklorit, qe mistifikuese. Në veçanti, prania e motiveve dhe e personazheve të ciklit të Skënderbeut në këngët historike të botuara në veprën Rapsodi të një poeme shqiptare, nuk shpjegohet vetëm, sipas mendjes sime, me ndërhyrjet, shtesat, zgjerimet ose me përpunimet e mëvonshme të “rilindasve” arbëreshë të shekullit XIX.
Ka, anasjelltas, dëshmi të padyshueshme, qoftë letrare, qoftë onomastike, që s’u morën deri sot parasysh, dhe që dëftojnë se si këngët mbi Skënderbeun dhe kujtimi vetë i heroit kombëtar nuk ishin harruar, në shekujt e mëparshëm, d.m.th. para ‘Rilindjes’, midis arbëreshëve, siç ka pohuar ndonjë studiues i traditës letrare shqiptare.

Ndër këto dëshmi letrare, po zë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm vepra – deri sot aspak e përfillur – e arbëreshit Michele Scutari, Të dhëna historike mbi origjinën dhe vendosjen e arbëreshëve në Mbretërinë e të dy Siçelive, mbi natyrën, gjuhën, dhe ritin e tyre, që u botua në Potenza më 1825.
Shkruan ky studiues në kreun e tretë të kësaj vepre:

“Në ditët e festëve popullore, e, posaçërisht në ditët e Karnaval?t, mbretëron një gëzim i përgjithshëm, del gjith gjindja jashtë nëpër rrugët dhe e rreshtuar në kor e duke improvizuar këndon bëmat heroike dhe luftarake të stërgjyshërve të tyre më të famshëm që a shquan për trimëri në sipërmarrjet e vështira …”13.
Përveç kësaj dëshmie të Michele Scutarit – që provon në mënyrë të padiskutueshme se si para të fillonte veprimtaria e “rilindësve”, në përgjithësi, dhe e De Radës, në veçanti, njiheshin dhe këndoheshin në fshatrat arbëreshe këngë për Skëndërbeun – në kuadrin e një kërkimi të bërë nga katedra e shqipes e Universitetit të Kalabrisë dhe të drejtuar nga prof. Francesco Solano, janë gjetur, kohët e fundit, përmes -konsultimit të regjistrave famullitare, dëshmi të rëndësishme në fushën e onomastikës që provojnë gjithashtu vazhdimësinë e pandërprerë të kujtimit të Skëndërbeut, në ambientin arbëresh të Kalabrisë, së paku që prej fundit të shekullit XVI14.

Pra, në përfundim, dua të shtoj se me këto konsiderata të mia të përgjithshme, që parashtrova në ketë kumtesë, kurrsesi nuk më shkoi me mend të konsideroja të zgjidhur problemin e origjinalitetit të “rapsodive” të De Radës, problem ky qe mbetët i hapët dhe që kërkon natyrisht një thellim dhe një zgjerim të mëtejshëm të studimeve të zhvilluara deri sot, duke sjellë më tej në këtë fushë – sipas vëzhgimeve të çmueshme, që gjetën edhe përpjekje të pjesshme por të suksesshme zbatimi, të disa studiuesve di Schmaus, Camaj e Desnitskaja përdorimin e metodës së krahasimeve tipologjike, që paraqitet mjaft i arsyeshëm në shqyrtimin e teksteve për t’i ndarë tekstet popullore autentike nga krijimet letrare.

Shënimet
1-Rapsodie d’un poema albanese, raccolte nelle colonie del Napoletano, tradotte da Girolamo De Rada, e per cura di lui e di Niccol? Jeno de’ Coronei ordinate e messe in luce, Firenze, Tipografia di Federigo Bencini, 1866.
2- Demetrio DE GRAZIA, Canti popolari albanesi tradizionali nel Mezzogiorno d’Italia, Noto 1889; Gustav MEYER “Über Sprache und Literatur der Albanesen”, në Nord und Sud, Breslau 1883; Maximilian LAMBERT “Albanische Mundarten in Italien”, në Indogerm. Jahrbuch, 2, 1915; Michele MARCHIANO , L’A, lbania e l’opera di Girolamo De Rada, Trani 1902; Alois SCHMAUS “Balkanische Motive in der italo-albanischen Volksdichtung”, in Gesammelte Slauische zind Balkanologische Abhandhngen, I1 Teil, Munchen 1973; Idem, “Relikte der Skanderbeg Epik in der Volksdichtung des Italo-albaner”, Munchen 1963; Martin CAMAJ-Alois SCHMAUS, “Ein italo-albanisches Lied aus dem Skanderbeg-Zyklus”, në Beiträge zür Sud-osteuropa-Forschung, Munchen 1970 ; Dhimitër S. SHUTERIQI “Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve”, Kënget arbëreshe mbi Skënderbeun”, “Një këngë mbi Skëndërbeun” në përmbledhjen Ndër shekujt letrarë, Tiranë 1973; idem, “Një variant kënge arbëreshe e pabotuar mbi Skënderbeun” në përmbledhjen Gjurmime letrare, Tiranë 1974; idem, “Gjashtë këngë arbëreshe mbi Skënderbeun dhe një tregim mbi Dukagjinin” në revistën Nëntori, n. 11, viti XXIX, Tiranë 1982; Klara KODRA, « La figura di Skanderbeg nell’opera del De Rada », në Deuxi?me Conferente des études albanologiques, I, Tiranë 1969; Agnia DESNITSKAJA “Folklorizmi në letërsinë e arbëreshëve të Italisë në kohën e Rilindjes”, në Seminari mbi kulturën shqiptare për të huaj, vëllimi IV, Prishtinë 1978; Agron FICO, Probleme të epikes popullore historike dhe figura e Skëndërbeut në revistën Studime Filologjike, n. 4, Tiranë 1967.

3- Shih: Gottlieb STIER, “Die Albanesen in Italien und ihre Literatur” (f. 864- 874), në Allgemeine Montsschrift, 1853.
4- Mbi këtë periudhë të historisë së kolegjit arbëresh, shih: Guglielmo Tocci, Francesco Saverio Elmo e il Collegio italo-greco in Calabria, Torino 1877; Francesco CAPALBO, “Collegio italo-greco (1732-1923)”, në Annuario del R. Liceo-Ginnasio Italo-Albanese di S. Demetrio Corone, Castrovillari 1927; Maria Franca Cucci, “I1 Collegio di S. Adriano e le comunit? italo-albanesi di Calabria (1820-1945)”, në përmbledhjen: Aspetti e Problemi di Storia della Societ? Calabrese, Reggio Calabria 1975 ; Domenico CASSIANO, La cultura minoritaria arbereshe in Calabria, Cosenza 1981.

5- Girolamo DE RADA, Autobiologia – primo periodo, Cosenza 1898, f. 13-14.
6-Ndikimin e teorive të Ëolfit në veprimtarinë folklorike dhe letrare të De Rades, e nënvizoi, për herë të parë, Michele MARCHIANO, në veprën e tij të famshme L’Albania e l’opera di Girolamo De Rada, Trani 1902, f. 152: Paragjykimi qe se këngët popullore arbëreshe qe Poeti akoma i ri, shkonte duke i mbledhur nga goja e popullit, i bënë përshtypje se ishin fragmente të një poeme të vjetër shqiptare. Unë besoj se kjo përshtypje i lindi atij nga dy faktorë: kultura e tij klasike dhe patriotizmi. Ishin të reja në fillim të shekullit të kaluar teoritë e Wolfit dhe të Lachmannit rreth kompozimit të poemave të Omerit … “.
7- De Rada pati, qoftë me Tommaseon, qoftë me De Gubernatis, një letërkëmbim të shpeshtë dhe të rregullt, që ruhet në një fond të posaçëm të Bibliotekës Kombëtare të Firences. Shih për këtë: Emilia GIGLIO, “Cronologia ragionata del carteggio tra G. De Rada, N. e G. Tornrnaseo, A. De Gubernatis D, f. 283-289, në revistën Shejzat (Le Pleiadi), viti VIII, n. 7-8-9-10, Roma 1964:
8- Për ketë aspekt të fundit, dhe, në përgjithësi, për tematikën e mistifikimit në letërsinë e
“Rilindjes” shih edhe studimin e çmuar të Latif BERISHËS “Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes”, në revistën Gjurmime Albanologjike – seria e shkencave filologjike, V – 1975, Prishtinë 1976.
9- Vincenzo DORSA, Su gli Albanesi – Ricerche e pensieri, Napoli, dalla Tipografia Trani, 1847, f. 132.
10- Vincenzo DORSA, vepër e cituar, f. 124.

11- Poesie Albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari, Napoli, Da’ Tipi del Guttemberg, 1836.
12- Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del Principe Nicola Ducagino. Tradotti in prosa italiana, Napoli, dalla Tipografia Boeziana, 1839.
13- Notizie Istoriche sull’origine e stabilimento degli Albanesi nel Regno delle Due Sicilie, sulla loro indole, linguaggio e rito, compilate dal R. Arciprete di S. Costantino D. Michele Scutari, Potenza, nella Tipografia di Basilicata (sic), 1825, f. 17.
14- Po sjellim këtu disa nga këto dëshmi onomastike mbi Skëndërbeun ato më të vjetrat dhe prandaj me interesante – që janë gjetur kohët e fundit gjatë hulumtimeve të bëra në arkivat e famullive të katundeve arbëreshe të provincës së Kozencës dhe që do të jenë shqyrtuar hollësisht në një studim të veçantë nga prof. Francesco Solano, që nisi dhe drejtoi këtë kërkim:
– ARKIVI I KISHËS SË KARMINIT TË SPIXANËS: Liber Baptizatorum 1598 (vëllimi I , 1598-1620) Libro de quelli che son stati baptezati per me D. Martino Barbato, cappellano ac Vicario foraniale in Spizzano, fatto per ordine dello Illustrissimo ac everendissimo sig. Lucio Sanseverino, Archiepiscopo de Rossano sub die X mensis Angusti 1598.

Në listën e të pagëzuarve të vitit 1598 gjendet një “Cola Lanza”, i ati i të cilit quhej Scanderbeg Lanza H,
– ARKIVII FAMULLISË SË SHËN MITRIT: Regjistri më i vjetër që ruhet është një Libër B?ptizatorum qe përfshin emrat e të pagëzuarve në periudhën 1600-1670, ku, në faqen e përparme të fletës 9, midis të pagëzuarve të vitit 1602, ndodhet një “Scanderbech Arcondizza” që kishte për prindër “Marcello ed Eleanora Marchian?”.
– ARKIVI I FAMULLISË SË SHËN SOFISË: në regjistrin Liber Matrimoniorum
Ab Anno Domini 1591 usque ad annum 1805 descriptus, në faqen e prapme të fletës 22, përpiqemi në një “Scandilbecco Arcondizza” që u martua në datën 1.2.1615. Në faqen e prapme të fletës 23 figuron edhe një “Scandilbecco Baffa”.
– ARKIVI I FAMULLISË SË ÇIFTIT: në më të vjetrin Liber Baptesimorum, që ruan emrat e të pagëzuarve në këtë katund në periudhën 1610-1766, gjendet në vitin 1618 një “Scandibecci, figlio di Schalizo e di Vitora Frega”, e, dy vjet pas, një Bech, figlio di Sannecasi e di Driana Busesa”.
– ARKIVI I FAMULLISË SË STRIGHARIT:dëshmitë e para onoinastike mbi Skëndërbeun i kemi këtu në regjistrin Liber Mortuorum 1631-1702, ku ndodhet një “Soda, figlia di Scanderbeco Tocci”, që vdiq, foshnjë mezi dymuajshe, me 6.10.1633, dhe një « Scanderbecco, figlio di Maurizio Tocci” që vdiq me 21.8.1641.
– ARKIVI I FAMULLISË SË SHËN VASILIT:emrin “Scanderbech” e gjejmë për të parë të regjistruar në vitin 1775 (“Margherita Bellizzi de Scanderbech”), në një Liber Mortuorum që fillon mu prej atij viti. Pas tri vjetësh, në të njëjtin regjistër, takojmë një (( Scanderbegh Bellizzi di Salvatore”.
Duhet të shtojmë, në fund, se regjistrat me të vjetër që kemi gjetur gjatë këtyre hulumtimeve, datohen në fundin e shekullit XVI, epokë kjo në të cilën, pas Koncilit të Trentit (1515-1563), filluan të përdoreshin rregullisht regjistrat kishtare në famullitë e kishës katolike.

Alma Lama: Elektorati nuk është i kënaqur me lidhjen e koalicionit PDK-LDK

0

alma lame ldkEdhe pse është arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ende nuk ka diçka konkrete për atë se si do të ndahen postet.

Ajo që dihet pesë ditë pas arritjes së marrëveshjes është se grupet punuese të dy subjekteve politike, janë duke punuar për të harmonizuar çështjet programore.

Megjithatë, kjo marrëveshje e arritur e këtyre dy partive, ka nxitur reagime të forcave politike, por edhe vet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Alma Lama, thotë se nuk e mbështet marrëveshjen edhe koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës për disa arsye.

Njëra nga to, sipas saj është që disa individ në ketë subjekt politik kanë probleme me drejtësinë.

“Raportin me sundimin e ligjit që e ka PDK-ja dhe duke qenë se unë personalisht luftoj për demokraci për sundimin e ligjit, kjo është arsyeja pse jam në politike, nuk më duket se nëpërmjet këtij koalicioni do të punohet në ketë drejtim. (PDK) është një subjekt që përbëhet nga shumë individ që kanë problem me drejtësinë ose janë akuzuar për korrupsion ose që kanë kapur shtetin. Mjafton të shihni situatën e fundit me Gjykatën Kushtetuese”, tha Lama.

Deputetja Lama, tha po ashtu se nuk është e vetmja në LDK, e cila është kundër këtij koalicioni.

Ajo thotë se ka edhe të jetë anëtar dhe votues të këtij subjekti e që nuk janë dakord me ketë marrëveshje.

“Besoj se elektorati nuk është fort i kënaqur, ka reagime. Unë mund të flas vetëm në raport me kontaktet e mija, nuk mund dua të marrë përgjegjësinë për të folur për subjektin. Kam shumë shumë reagime nga njerëz të ndryshëm që janë votues të LDK-së, e që nuk është se kanë pritur mirë ketë koalicion”, tha Lama.

Nga ana tjetër nënkryetarja e LDK-së dhe deputet në Kuvendin e KosovësTeuta Sahatqia, nuk e ka mohuar faktin se në LDK, mund të ketë mos pajtime me arritje e kësaj marrëveshje.

Por, ajo ka thënë se me shumë se 90 % e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike, i kanë thënë po kryetarit të partisë që të bëj marrëveshje me cilën do parti politike.

“Mendoj që e bukura e demokracisë është ajo që njerëzit të tregojnë vullnetin e tyre flasin dhe votojnë sipas bindjes së vet. Por, demokracia nuk përfundon vetëm me biseda. Demokracia e ka edhe vullnetin e shumicës dhe obligimin që ai vullnet i shumicës të respektohet”, tha Sahatqia.

Partitë e tjera opozitare marrëveshjen PDK- LDK e kanë cilësuar të dëmshme dhe kthim parapa për Kosovën.

Që nga 10 qershori, përkatësisht 10 shtatori, LDK-ja, AAK-ja partia Nisma të mbështetur edhe nga Vetëvendosje ishin në një Bllok me synimin që të formonin qeverinë, duke e lënë PDK-në në opozitë.

Sido që të jetë, zvarritja që po bëhet në krijimin e institucioneve të reja, sipas analisteve politik, mund t’i rëndoj edhe më tej proceset nëpër të cilat duhet të kaloj Kosova. /rel/

Luftëtari i lirisë dhe kolaboracionisti

0

Avdi IbrahimiShkruan: Avdi Ibrahimi

Sapo kishte përfunduar lufta çlirimtare, vendi mbante akoma erën e shtëpive të djegura. Qe edhe prag vere, gruaja Nektarja kur e pa në oborr, pranë shtëpisë së djegur, qau në heshtje nga mallengjimi, deshte ta përqafonte por në sy të vjehrrit dhe vjerrës, nuk bëhej dote ajo punë.

Azemi ishte një burrë më vështrim të sertë, por mjaft i këndshëm kur i buzëqeshte fytyra, dhe qalonte më njërën këmbë, se kishte mbetur invalid lufte. Prindërit u gëzuan nga përqafimet e tij. Në përqafim të përmallshëm iu bë edhe nga vëllai i tijë Çeçua, i cili nuk ishte angazhuar aspak në këtë luftë dhe as që e kishte ndihmuar fare familjen e Azemit. Por edhe ai u gëzua, se lirisë do t’i gëzohej edhe vetë ai.
Të nesërmën sapo dielli kapi fshatin Kujeshi dukej si një fushë përplot me lule.
– A nuk di shkosh në qytet Azem, të takosh qeverin komunale, mbase do fillosh edhe ndonjë punë aty?- e pyeti i ati Asimi.

– Qeveria ime është kjo tokë more baba, pemët, zabeli me drunj, bagëtia, – tha ai.
– më qe ishe në luftë, më qe je edhe invalid nga këmba e djathë, me të cilën mezi po shkelën mbi tokë, ndaj edhe të thashë, – nguli këmbë plaku i moshuar.
– Në luftë ishim për lirin e mëmëdheut, jo për qeveri lum baba, – tha ai, dhe doli nga shtëpia.
Nektarja pa nga vjehrri me keqardhje që mori atë përgjigje. Edhe ajo mbase kishte dëshir që burri t’i punonte si nëpunës në komunë të Therranjetit, sepse luftoi, e mori plagë në kmbë e po çalonte. Gjatë kohës sa ishte në luftë, ata mendonin se kur të mbaronte lufta ai mund të bëhej qeveritar, si vëllai i tij Çeçua, që ishte afër shtëpisë së tyre. Çeçua, edhe kur ndërroheshin pushtetet, ai ishte po në qeveri. Nëna po i thoshte Azemit, se Çeçua, është shumë i zoti, ua gjen derën njerëzve u përshtatët atyre në parti.

– Që me Titon komunist, tani fapë e ka hy në parti me krahun e luftës, ay aty në qeveri edhe tani, shikoje se si e ka ndërtuar shtëpin e djegur,me ndihmat humanitare,që po sjellë Europa, kurse ty që lufteve, askujt nuk po i bie ndërmend për ta renovuar të paktën shtëpinë. Po, more bir unë me mendtë e mia kështu e kujtoj, se ai është i zoti, – thoshte ajo. Azemit i mjaftonte që kishte tokën, pemët, zabelin e bagëtinë, të jetonte pa e shqetësuar askush. Ky lloj njeriu mendonte se liria e atmëmëdheut është mbi të gjirtha, kjo liri është më e modhe se postet qeveritare, pa të tjerat me kohë do të rregulloheshin. Ai mjaftohej që kishte dy lope, ca dele dhe dhi, për bulmet, pula, rosa e pata. Kjo ishte më pak fjalë historia e tij.

Por babai i tij, Asimi një ditë kishte zbritur në qytet dhe ishte ankuar te qeveritarët komunal se nuk e kishin ndihmuar me asfarë ndihmash familjen e tij, anipse djalin e kishte invalid lufte, kurse djalin tjetër Çeçon po e ndihmon qeveria me gjitha të mirat. – Si është e mundur kjo, – i kishte thënë zyrtrit te qeverisë komunale.

– Zyrtari qeveritar i kishte dhënë këtë përgjigje, – xhaxhi Asim, djalit tuaj Azemit po i del biografia e keqe, se ka patur një vëlla kolaboracionist! – Si more ashtu, – po ai djali kolaboracionist është në qveri me ju, – po, ashtu është, ama atij poi del biografia e mire se ka vëllaun invalid lufte.
Njëherë u mat ta pyeste atë zyrtarin e pamend si e qysh, a ishin në vete këta njerëz, por ndërroi mendje. Më mire t’i lë gjërat të rrjedhin në udhën e tyre, edhe pse ishte i bindur se kjo udhë ishte e mbrapshtë, por e mbante shpresa mbase një ditë edhe kjo udhë do marri fund, e do filloj një jetë e re.

Shkelet me veturë një person në Prizren

0

Aksident shiritatNjë këmbësor është shkelur nga vetura në rrugën “Shkronjat” në Prizren. Policia e Kosovës njofton se viktima nga aksidenti ka pësuar lëndime trupore.

“Deri të aksidenti ka ardhur si pasoje e mospërshtatjes se shpejtësisë me kushtet e rrugës nga ana e të dyshuarit. Si pasoj e aksidentit viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor e me pas është liruar”, njofton Policia e Kosovës./PrizrenPress.com/

Marrëveshja PDK-LDK u arrit para tri javësh?!

0

HashimThaci-IsaMustafaLideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi marrëveshjen për bashkëqeverisje e kishin arritur thuajse para tri javësh. Kështu kanë bërë të ditur për Gazetën Blic burime brenda Kryesisë së LDK-së.

Sipas këtyre burimeve vizita në Berlin dhe gjoja presioni ndërkombëtar për një koalicion ishin kamuflazh e parisë së LDK-së për t’u arsyetuar para liderëve të Bllokut dhe para anëtarësisë së LDK-së.

“Marrëveshja ndërmjet dy liderëve është arritur në Prishtinë, pak ditë para se Mustafa të udhëtoj për në Berlin. Vizita në Berlin ka qenë një kamuflazh për t’u arsyetuar me një far forme nga Blloku dhe për t’u arsyetuar para elektoratit të LDK-së”, ka thënë ky anëtarë i Kryesisë së LDK-së në kushte anonimiteti.

Sipas këtij anëtari të Kryesisë, të martën kur është mbajtur mbledhja e Kryesisë gjithçka ka qenë e përfunduar. “Madje, në mbledhje është thënë se LDK ka një ofertë të mirë nga PDK, ku do të marrë postin e kryeministrit dhe 50% të ministrive. Mirëpo, në fakt gjithçka ka qenë e kryer”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, për dallim nga informatat që i janë dhënë Kryesisë në mbledhje, Këshillit të Përgjithshëm të partisë nuk i është thënë asnjë fjalë për këtë ofertë, por u është kërkuar vetëm “viza” për bisedime me PDK-në.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe një anëtar tjetër i Kryesisë, mirëpo ka preferuar që të mbetet anonim, për shkak të presionit që kanë nga partia në rast se flasin publikisht.

Marrëveshja PDK- LDK u zyrtarizua vetëm pak orë pasi lideri i LDK-së, Isa Mustafa mori leje nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë për negociata me partinë e Hashim Thaçit.

Gazeta ka kontaktuar disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së, mirëpo nuk kanë qenë të gatshëm që të flasin në lidhje me arritjen e marrëveshjes PDK- LDK.

LDK edhe pse në vazhdimësi po thotë se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi i ka thënë Gazetës Blic se nuk është diskutuar ende posti i kryeministrit. Megjithatë, Kuçi ka thënë se do të tejkalohen të gjitha paqartësitë ndërmjet koalicionit.

Hyrja e LDK-së në koalicion me PDK-në ka shkaktuar pakënaqësi të shumta. Pos që shumë anëtarë të LDK-së të rebeluar janë larguar nga partia, madje disa edhe duke iu bashkuar edhe Vetëvendosjes, pakënaqësi ka pasur edhe në Kryesi dhe në Këshillin e Përgjithshëm. Të paktën pesë deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar se ata nuk do të votojnë koalicionin me PDK, e ata janë: Vjosa Osmani, Alma Lama, Doruntinë Maloku, Adem Salihaj, Kujtim Shala. /Gazeta Blic/

Rugova: Isa kryeministër, ose prishet koalicioni

0

HakiRugova-ldk14Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se s’ka asnjë fije dyshimi se LDK-së do t’i takojë udhëheqja e Qeverisë dhe se në këtë pozitë do të jetë Isa Mustafa.

Rugova ka thënë se nëse nuk ndodh kjo atëherë prishet marrëveshja me PDK-në.

“Natyrisht, Isa Mustafa do të jetë Kryeministër. Nëse nuk realizohet kjo marrëveshje ne e prishim këtë punë”, ka thënë Rugova për Express.

Por, zyrtarët e PDK-së deri më tash kanë thënë se ende nuk është e qartësuar se kush do të jetë në krye të Qeverisë.

Mirëpo, Rugova thotë se gjithçka është sqaruar pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku është votuar për të shkuar në koalicion me PDK-në por me kush që Isa Mustafa të bëhet Kryeministër.

“Vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është i qartë. Ne e udhëheqim Qeverinë”, ka shtuar ai.

Sa i përket pozitave ministrore, Rugova ka thënë se LDK i ka dërguar ekspertët për të biseduar me PDK-në dhe pushteti do të ndahet gjysmë për gjysmë me PDK-në.

Ai ka thënë se është çështje e marrëveshjes ndërmjet partive se cilat fusha do t’i udhëheqin.

Por, ai ka thënë se LDK nuk do të pranojë të marrë nën udhëheqje vetëm ministri që nuk janë të rëndësishme.

“Konkretisht nuk kemi biseduar për pozitat por LDK do të udhëheqë me ministri të rëndësishme”, ka thënë Rugova.

E dhimbshme: Ish-pjesëtari UÇK-së dhe TMK-së, siguron bukën nëpër kontejnerë

0

uckIsh luftëtari i UÇK-së dhe ish pjesëtari i TMK-së, Hajredin Sejdiu, tash dhjetë vjet siguron kafshatën e gojës duke mbledhur ato që të tjerët i hedhin nëpër kontejnerë. Ai sot më shumë ia ka frikën dimrit, sesa luftës dikur.

Ai që dikur qëndronte stoikisht në front përballë armikut si ushtar i UÇK-së dhe që deri para 10 vitesh ecte nëpër qytet në uniformën e TMK-së, sot kacavaret nëpër kontejnerë e rrugëve të Gjilanit, për të gjetur ndonjë copë buke për t’ua çuar në shtëpi fëmijëve, ose ndonjë metal për ta shitur në hekurishte.

I tillë është fati i Hajredin Sejdiut, i cili asesi të gjejë një punë të dinjitetshme, kurse krenaria nuk e lejon të kërkojë lëmoshë, andaj siguron ekzistencën e familjes duke mbledhur hekurishte dhe gjësende të tjera nëpër kontejnerë.

“Hedhurinat nuk bëjnë shumë para, sepse ato blihen me kile, por mbetet diçka prej tyre. Ne fukarenjtë mjaftohemi edhe me pak”, thotë Sejdiu, shkruan Kosova Sot.

Ai thotë se me rëndësi është që kur të shkojë në mbrëmje në shtëpi, t’u çojë bukë fëmijëve që të mos flejë të uritur.

Thotë se vështirë ia del, sepse nuk mund të sigurojë para për ilaçet e gruas së sëmurë.

Hajredini më shumë i frikësohet dimrit, sesa luftës.

Thotë se për të dhe fëmijët e tij, që banojnë në njërin nga dy objektet e banimit social, dimri do të jetë shumë i vështirë.

“Verës ia bëj disi, sepse mund të gjendet diçka nëpër kontejnerë, kurse dimrit nuk gjejmë diçka që vlen”, thotë ai.

Këshilli Prokurorial po amniston prokurorët e papërgjegjshëm

0

syle hoxha 23Luftimi i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet sfida më e madhe e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, ndërsa promotori më i madh i kësaj lufte, Prokurori i Shtetit, nuk po tregon efikasitet në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.

Plani i Veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, i cili ishte vlerësuar si shumë ambicioz, tashmë po dështon në shumë segmente, ndërsa Këshilli Prokurorial, përkundër obligimeve që ka për të mbajtur llogaridhënës të gjithë dështakët, deri më tash nuk ka disiplinuar asnjë prokuror dhe asnjë punonjës edhe pse për këtë ka pasur argumente të mjaftueshme.

Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut i cili monitoron dhe vlerëson zbatimin e Planit të Veprimit për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, thotë se Këshilli Prokurorial deri më tash ka dështuar të zbatojë njërin prej segmenteve më të rëndësishme të obligimeve të këtij plani.

“Plani i Veprimit qartë përcakton detyrimet e prokurorëve dhe Kryeprokurorëve për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit… Çdo dështim në zbatimin e këtij plani duhet të sanksionohet dhe përgjegjës për këtë nuk janë vetëm prokurorët por drejtpërdrejtë edhe Kryeprokurorët”, thotë Musliu, përcjell Express.

Sipas tij, monitoruesit e IKD-së, kanë gjetur se një numër i madh i rasteve të korrupsionit, nuk janë regjistruar në – bazën e të dhënave – Mekanizmin Përcjellës, të krijuar enkas për veprat penale karakteristike, ku hyjnë edhe rastet e korrupsionit.

“Këtë dështim e ka konstatuar edhe Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, duke nxjerrë në shesh papërgjegjshmëri të madhe të një zinxhiri të zyrtarëve nëpër prokurori, prej prokurorëve deri te zyrtarët e stafit mbështetës, të cilët nuk kishin respektuar rregullat e Mekanizmit Përcjellës për regjistrimin e rasteve të korrupsionit. Paramendojeni nëse dështon ky mekanizëm, mashtrohet Këshilli Prokurorial, mashtrohet Bashkimi Evropian dhe të gjithë mekanizmat që monitorojnë fushën e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Në raportin e IKD-së për monitorimin dhe vlerësimin e Planit të Veprimit, thuhet se Këshilli Prokurorial kishte marrë vendim më 25 shkurt 2014, duke i obliguar të gjithë Kryeprokurorët që të ndërmarrin masa disiplinore ndaj personave që kanë dështuar të respektojnë rregullat për regjistrimin e lëndëve të korrupsionit në Mekanizmin Përcjellës.

Më tej thuhet se përkundër shkeljeve të shumta të cilat ishin evidentuar nga Komisioni dhe vendimit të prerë të Këshillit Prokurorial që të merreshin masa ndaj personave përgjegjës, Kryeprokurorët nuk kanë marrë asnjë masë disiplinore ndaj asnjë prokurori dhe punonjësi.

“Këshilli Prokurorial duke parë këtë hezitim të Kryeprokurorëve për të ndëshkuar zyrtarët e tyre, në prill 2014, ka marrë sërish vendim që Kryeprokurorët të raportojnë në lidhje me masat që kanë ndërmarr. Por, kanë kaluar gjashtë muaj prej këtij vendimi dhe kemi vazhdim të injorimit të Këshillit Prokurorial”, thotë Musliu.

Ai thotë se kjo kulturë e pandëshkueshmërisë dëshmon për një dështim të tërësishëm të sistemit prokurorial, duke amnistuar personat që janë përgjegjës për shkeljet e evidentuara.