30.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
Home Blog Page 7465

Bashkimi me fjalë

0

Flamuri kombetarKombëtarja e Shqipërisë në futboll frymon me kolonën zanore që promovon bashkimin kombëtar. Dy shkodranë do ta shkruanin dhe kompozonin më 1993 për një këngëtare popullore kosovare.

Dyvargëshi “xhamadani vija-vija/është Kosova, është Shqipnia” jehonte fuqishëm më 2002 në stadiumin e Prishtinës në ndeshjen miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe dhjetë vjet më vonë, italiani Gianni de Biasi, pak ditë pasi mori drejtimin e Përfaqësueses shqiptare, e shpalli himn të Kombëtares.

Por vendimi i De Biasit vetëm sa konfirmonte diçka që dihej prej kohësh. Kënga tashmë ishte himn jozyrtar i Kombëtares shqiptare në futboll. Asnjë këngë nuk dëgjohet edhe sot e kësaj dite as përafërsisht sa “Xhamadani” kur zhvillon ndeshje Shqipëria. Njëzëri e këndojnë tifozët “KuqeZi”dhe lojtarët. E ka kënduar edhe vetë italiani De Biasi. Me këtë këngë paralajmërohen ndeshjet, ngrihet morali i lojtarëve, kallet atmosfera në tribuna dhe festohen sukseset.

Në të vërtetë, autorë të këngës janë kompozitori Zef Çoba dhe poeti Alfred Çapaliku, e Shkurte Fejza do ta këndonte e para, përpara se të përpunohej më 1997 nga grupi kosovar “Ilirët”. Versioni i frontmenit Shemsi Krasniqi – Shemi ka marrë në “YouTube” afro 3 milionë klikime. Më pas ai solli edhe këngën: “Oj Kosovë, ty t’kam hajmali”, me shpresën se do të bëhej himn i tifozerisë së Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Por ajo jo vetëm që nuk u dëgjua asnjëherë të këndohej nga “Dardanët”, por në “YouTube” nuk ka arritur të mbledhë as tetë mijë klikime…/koha ditore/

Primo Shllaku: Ka ardhë koha me e standardizue gegnishten

0

Primo Shllaku1- Ç’do të thotë të jesh shqiptar?

primo shllakuMe qenë shqiptar do me thanë me i përkitë nji kulture të caktueme. Dhe me i përkitë nji kulture të caktueme dmth me i përkitë nji gjuhe (për ne kjo âsht specifike), nji historie, nji mendsie ose psikosinteze, nji kujtese historike, nji territori gjeografik ose virtual. Shqiptari prototipik i ngërthen të gjitha kto njiherash në qenien e tij. Shqiptari i natyralizuem mund “të pranohet” edhe me nji pjesë të ktyne kërkesave.

2- A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?

Antropologët thonë se qysh mbas Dyndjes së popujve, në Europë nuk ka ma raca të kullueta. Na jemi, me nji fjalë, aliazhe racore, fisnore e kombsish me nji strukturim që mund të gjurmohet vetëm tek individë që kanë pedigree të sigurtë. Sa ma në shmang që të jetë zhvillue ose mbetë pa zhvillue nji njisi kombtare, aq ma pak shanse ka pasë që të përzihet dhe të shkartiset. Për shkak të kushteve historike të pafavorshme dhe atyne gjeografike “të favorshme” popullsitë shqiptare janë tërheqë ndër male dhe janë izolue. Cikli i Kreshnikëve na thotë dhe na befason se edhe të strukun ndër male, mes pejzazhesh tipikisht alpine, shqiptarët e kanë shpërfillë izolimin. Halili i Mujit bâhet nismëtar i nji “vale” antiendogamike dhe e inicion përziemjen e vet me sllavët. Unë mendoj – dhe e kam shprehë – se ilirët u përzien me sllavët kur kta të fundit u dukën në Ballkanet prendimore. Komponentja e ksaj përziemje pati dy rezultate: atje ku geni dhe elementi kulturor sllav ishte ma i fortë, u formuen sllavët e jugut, me të cilët jemi fqinj sot. Atje ku geni e elementi kulturor ilir ishte ma i fortë se ai sllav, rezultati ishte produkti shqiptar. Zakonisht kam njifarë kërshërie fiziognomike dhe në vende të ndryshme të Shqipnisë shof tipa nga ma të ndryshmit. Në mungesë të dokumentave, na vetë i kemi caktue arketipat tonë fiziognomikë dhe mendojmë se malësori i veriut mund të jetë njifarë arketipi. Them se ky âsht nji shestim rilindas, për shkak të rolit e kontributit luftarak të malësive tona të veriut në atë periudhë, kur po sajohej edhe logoja vizuale e kombit. Por në zonën e Vlonës shef njeriu tipare të çuditshme antropomorfike, sidomos në fshat. Koka masive, kubike lehtësisht të rrumbullakosuna në qoshet, bradicefale gjithsesi. Kam idenë se kta individë, bartës masivë të ktyne të dhanave, na i sjellin me fare pak ndryshime pamjen se si mund të ishin kaonët e famshën që tashti na modernët i kemi pranue vetëm si emën birre (?!?). Por mund të them se në vezhgimet e mia kam hasë edhe raca të leshta e zimokë (zeshkanë të thellë në ngjyrën e flokëve si dhe të lëkurës) dhe, me pak interesim, kam gjetë informacione të vagullta se aty osmanët kishin sjellë kolonë.

3- Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?

Shqipnia âsht e stërpikun me qytete. Dendësia e tyne nuk âsht e njajtë si në veri ashtu edhe në jug. Ndoshta zonat me denduri qytetesh flasin për nji histori ma të qetë dhe për nji zhvillim ma të patrazuem. Veriu shqiptar edhe pse me Shkodrën, Lezhën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën,Ulqinin e, ma poshtë Krujën dhe Elbasanin, Tiranën e Durrsin na kujton ma fort sistemin urban francez që ka nji qytet të madh dhe të tjerët i rrinë periferikisht. Kurse jugu shqiptar ka shum qytete të barazvlefshme dhe për ketë të kujton rrjetin urban italian.

Faktikisht na po jetojmë nji epokë ku qytetet shqiptare kanë ra dhe po bien. Ramja e qyteteve shqiptare vazhdon me ritme të ndryshueshme, por rritja përbind e Tiranës nuk ka asgjâ të mirë. Pamja e sotme e sistemit urban shqiptar i pëngjet nji sistemi që ka në qendër një planet prej betoni dhe përreth ca satelitë prej rane të shkriftë. Demokracia e ardhun nuk ka ende nji koncept zhvillimor periferik.

4- Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?

Unë shkruej dhe magjepsjet e mia janë të pafund. Gjithsesi unë mund të magjepsem dhe të rimagjepsem. Stina historike që kaloi, i pati konsumue shum fjalët e delikatesës dhe na po presim me ankth rikuperimin e tyne. Në nji poezi timen kam nji varg që thotë: «Si dy dashnorë që shkojnë në agim / zbulova dhe unë magjinë e foljes “me shkue”». Në atë kohë na ishim të ngujuem si fosilet në materien prej guri të epokës dhe andrra e vetme ishte “me shkue”.

5- Gegnishtja apo standardi?

Shif, pyetja kërkon përgjigje të shkurtë e unë s’mund të jap të tillë. Gegnishtja âsht koiné, pra edhe njifarë standardi. Por ka mbi shpinë akuzën se âsht gjuhë mahallash. E po, atyne që Kosova-shtet u duket mahallë, ata me siguri janë UFO dhe vijnë prej nji planeti gjigand. Pra ata nuk jetojnë me ne dhe aq ma pak për ne. Standardin e quej tosknishte dhe them se për tê janë harxhue miliarda nga paret tona, pa na e pasë marrë mendimin lirisht se a do të ishim dakord. Tashti ka ardhë koha me e standardizue gegnishten. Ajo âsht e jona dhe jo e njerkës. Në kujtesën e gjithkohëshme të saj kemi nji traditë brilante që ka trung, degë, gjethe, sythe e lule me erë të mirë që ta ngjyejnë me të verdhë majën e hundës. Na nuk e lshojmë traditën, sepse as ajo nuk na lshon ne. Gustav Mahler thoshte se tradita âsht ruejtje e zjarrit, jo adhurim i hinit. Pra…

6- Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?

E majta shqiptare âsht e ftoftë ndaj problemit kombtar. Qysh te romani “Para agimit” i Sh. Musarajt ky diskutim i ndau nacionalistët me (atëherë) internacionalistët, e sot me fredistët (term imi ky i shpikun tashti që duhet të na sugjerojë ata që janë të ftoftë ndaj nji çeshtje që askush në botë nuk do ta falte përmes heshtjes). Bashkimi kombtar do klasë politike që e shtron si problem. Po të gjenden nja 5 kryeministra shqiptarë që janë gati me dhanë dorëheqje, poqese ndërkombtarët do të rrudhnin buzët ndaj kësaj kërkese, atëherë të gjashtit pa dyshim që do t’i thonin “po na thuej pak se si e ke idenë ”. Por politikanët shqiptarë janë të gjithë makina pa marshin indietro. Prandej gulshon politika shqiptare sepse nuk e ka idenë se me marrë frymë ka dy procese: frymëthithje dhe frymënxjerrje. Por gjithsesi çeshtja âsht shtrue. Sot flitet për bashkim dhe për federalizëm. S’ka ma bukur.

Bashkimi kërkon energji, shum energji. Por sa i humbasim energjitë në diatriba shterpa pa bereqet, do të dalë dikush që do ta ekonomizojë energjinë konstruktive të kombit dhe na do të përballemi me nji sforco të fundit. Jo shum të gjatë besoj, por produktive dhe lançuese pënjimend.

7- A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Tashti, kumbona bie për me ndigjue. Turqia po thinjet në pritje të antarsimit për në BE. Si shtet që i ka bâ e i ban shërbime Prendimit, ajo mund të jetë tue e humbë durimin. Tashti varet se sa padurim turk mund të jetë në gjendje me durue Europa. Ketë unë nuk mund ta di sepse kjo nuk ban pjesë në politikat e shpërfaquna të saj.

Me sa duket ish-perandoria po troket fort në dyert e Europës me politika anësore. Nuk mund të rri pa e përmendë se sot vetëm vendet muslimane të Europës ende nuk janë “rehatue” në Europë. Pra edhe ndaj tyne ka njifarë skepticizmi. Turqia mbase po mundohet të krijojë nji aleancë të “viktimave” të ktij lloj skepticizmi. Poqese punët mund të jenë kshtu, i bie që na shqiptarët do të hyjmë në Europë përmes Turqisë. Ktu ka nji diskrepancë kulturore dhe logjike që unë e kam të vështirë me e kapërdi. Megjithatë në tregun e ideve shqiptare kanë dalë tash sëfundmi ide që na kujtonim se ishin arkivue qysh me Rilindjen tonë Kombtare, kur vetë muslimanët u vunë në krye të luftës për dalje nga Turqia. Nejse. Prova janë kto. Për të pa se sa ecin…

8- A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Po të adoptojmë nji gjykim rokambolesk të Konitzës them se po. Derisa ai pranon se rreziku ma i madh shqiptarëve i vjen nga vetja e tyne, atëherë të gjithë të tjerët kanë të drejtën me qenë të rrezikshëm ndaj nesh pa bâ ndonji krim të hatashëm. Dami ma i madh Shqipnisë i asht bâ prej anglezëve të cilët, edhe pse kishin misione në vendin tonë, qysh herët e kishin nda mendjen me na dhanë tek Lindja në këmbim të Greqisë, e cila po bante nji luftë antifashiste shum të përzieme e me komponente të dukshme komuniste. Anglezët janë arkitektët e ktij “trami” politik, që bashkë me pushtimin fashist i faturuen shoqnisë shqiptare edhe nji gjysëm tjetër shekulli ravgim ekonomik, kulturor dhe politik. Mosmirënjoftja që morën nga zhvillimet greke, i ka bâ anglezët ma të vëmendshem ndaj nesh dhe këtë vemendje unë due me e pa si nji lloj ndjese për braktisjen e mbas mbarimit të Luftës II Botnore.

Sa për Amerikën mund të them se deri në vjetët ’90 kemi qenë na të dashunuem me tê dhe jo ajo me ne. Mjeda, Fishta e Gurakuqi kanë pasë iluzione pozitive për qytetnimin amerikan. Por dashunia fillon prej gjysmës. Gjatë diktaturës “Zani i Amerikës” fliste marrina me thes dhe na mëkonte me entuziazëm të tipit “prit gomar, sa të mbijë bar”. Sot, mbas vjetëve ’90, Amerika ka ndrrue qëndrimin ndaj shqiptarëve. Duket se shqiptarët janë diçka në optikën e tyne. Shembulli me Kosovën flet për shum interesim. Markimi i jetës sonë politike prej ambasadorësh metodikë na ngushllon se nuk jemi ma vetëm për vetëm e në dorë të politikanëve vendas, arrogantë e egocentrikë.

9- A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?

Para se të ketë ndamje, duhet të ketë ndryshime. Unë them: po, ka ndryshime. Ndryshimet janë të rangut kulturor e zakonor, lidhen me psikosintezën e ktyne zonave, me gjeografinë, me lidhjet qytetnuese, me rrugët e komunikimit, me cilësinë e fqinjve si dhe me orientimet historike. Deri në Rilindje kta dy pjesë kanë pasë orientime të ndryshme si dhe nji pavarësi të lehtë zhvillimore historike. Ndamja veri-jug ishte pika ma delikate e trajtimit të kohezionit kombtar dhe zhvillimet që do të vinin mbas pavarësisë dhe krijimit të tregut të përbashkët kombtar, do të njisonin disa pika që kanë të bajnë me jetën në bashkësi. Diktatura komuniste, për dava pushteti, krijoi tensione mes ktyne dy zonave, të cilat u orientuen jo njilloj gjatë Luftës II Botnore. Veriu shqiptar u shkërmoq prej armatës partizane dhe mbasi ndodhi kjo, pushteti i atëhershëm iu soll veriut me nji ndjeshmëni të shtirë për ta zhvillue. Veriu ishte i pasun në miniera dhe minerale të rralla. Por veriorët patën pak e aspak akses në pushtetin e kohës, sidomos atê qendror. Nën zâ ata stigmatizoheshin si reaksionarë, pra si anmiq natyrorë të sistemit, dhe aksesi i tyne në pushtet ishte selektiv dhe për hir të faqellëkut statistikor.

10- Si do e përkufizonit një toskë e si një gegë?

Ma parë do të thoja që të biem dakord se ekziston ky binom. Dhe do të më pëlqente që kufizat e ktij binomi të rreshtoheshin ndryshe, pra gegë e toskë. Një ndër ndryshimet që po më bie ndër mend tashti âsht se gegët nuk kanë qenë historikisht popullsi migratore, kurse toskët vazhdimisht dhe kryesisht mërgimtarë ekonomikë. Mbas 1990-ës, edhe veriorët, të shpërhjedhun nga trysnia e diktaturës, morën masivisht rrugën e kurbetit, tue shenue kshtu nji primat të ri për ta dhe për vendin. Toskët kanë qenë mburrë për nji mnyrë jetese ma të rafinueme si dhe për nji higjenë të përgjithsueme në të gjithë trevat e tyne. Emigracioni i vonuem i gegëve i barazoi ata me toskët dhe mnyra e jetesës dhe higjena u kthye në nji virtyt të gjithmbarshëm. Po ashtu duhet të shenohet se, kta vjetët e demokracisë, popullsitë veriore u mësuen me pushtetin dhe me postet drejtuese që dikur në socializëm as nuk do t’u binin në sqep. Shumkush thotë se kjo âsht meritë e Partisë Demokratike, kurse unë jam i prirum me e pa ma fort si dukuni të nji trashendence historike, e cila sillet njilloj me pjesët konstitutive që i përbajnë sistemet. E, meqë gegët e toskët janë pjesë konstitutive e kombit shqiptar, të pazhdukshëm dhe të papërsëritshëm, politika do të bante mirë me i kursye energjitë në nji maratonë simbas refrenit “ato maja rripa-rripa”, ku energjitë zhvillimore harxhohen në manevra alternative barazpeshimi. Ktu mbase ka vend për nji Ent Rregullator Kushtetues që do të penalltizonte çdo ekces njianshmënie ndër prerogativat.

11- A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?

Edhe pse ka kritikë nostalgjikë që nuk u hyn në sy letërsia alternative ose e ashtuquejtuna “letërsi tjetër”, pas90-ta âsht e mbushun me përpjekje letrare, disa prej të cilave janë me shum interes. Letërsia nën diktaturë ishte e vaditur me përkujdesje të mdha nga shteti, sidomos me mbështetje ekonomike. Por ajo letërsi ra si gardh i kalbun dhe gjithë ajo energji njerzore e investueme në tê shkoi dam. Sot shteti ka vëmendje krejt të pakët sepse letërsia âsht e lirë prej detyrimit propagandistik dhe shteti e hjedh ndonji pare të vogël sa me thanë. Kur të bâhemi gati me nxjerrë shumatoren e saj, vetëm atëherë do ta marrim vesht se çfarë ka ndodhë me letërsinë dhe energjitë artistike të çlirueme në nji vend tashma pa censurë.

12- Përmendi një shqiptar/e që ju frymëzon?

Na shqiptarët nuk e kemi për zanatë frymzimin, ma fort jemi shfrymzues. Jemi nji shoqni pa modele të mbrendshme. Figurat publike me spikamë të afirmueme ma fort na udhëheqin se si mos me veprue sesa se si me veprue. Mjerisht…

13- Kontesha hungareze Geraldine Apponyi u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Duke dhënë e marrë, Shqipëria e Geraldina e kanë plotësuar apo zbehur njëra-tjetrën?

Diktatura që gjeta në vendin tim kur u linda e fillova me marrë mend e shqisa, nuk lente me dëshirue për ndonji nevojë monarkie ndër ne. Ajo ishte e tillë dhe unë nuk pata se si me dalë jorepublikan. Tradita europiane e aleancave me krushqi rrallë here nuk ka funksionue si bazë për nji ridimensionim aleancash ma të reja. Shteti komunist ndërtoi aleanca koniunkturale dhe simbas precedentësh që i ndeshim vetëm në kohën e kryqzatave, ai kërcente degë më degë. Geraldina qe nji grue e përshpirtshme dhe mundsonte nji lidhje “natyrore” me shtetin e ndritun të maxharëve, ashtu si majka Angelina e Aranitasve të Vlonës shkoi nuse në Serbi dhe sot venerohet si bamirëse e kombit serb dhe kisha ortodokse e mban për shejtneshë. Sa here që të kemi nevojë për pajtim, kto raste do të na e japin fillin e fillimit…

14- Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?

Nuk loz shah, nuk pi duhan, nuk jam tifoz.

15- Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…

Jeta ime âsht shum e vorfën në ngjarje të jashtme. Mund të them jo pa njifarë skuqje se martesa ka qenë për mue e vetmja ngjarje e jetës sime, për të cilën unë kam qenë fillim e mbarim autori. Diktatura ka pasë edhe ajo ndonji të mire. Të paktën nuk na ndalonte me u martue. Përndryshe ekzistencat tona do të ishin po aq të thjeshta sa të mizave që lejnë në prill dhe vdesin në shtator.

16- A ekzisiton një Shqipëri europiane dhe një orientale?

Patjetër që po. Oksidentalizmi shqiptar u godit prej diktaturës me sistem dhe me adresë. Enver Hoxha ishte shum i nevrikosun që Shqipnia e gjunjëzueme prej tij nuk ishte sa nji tepsi që ai të mund ta vente majë koke dhe ta çonte edhe fizikisht drejt Lindjes. Me mend ai na çoi deri në Kinë. Kina ishte fundi, mendojnë disa optimistë. Jo, ishte izolimi zhvillimi ma ekstrem i orientalizmit, mërtisja, burka, xhadori mbi qenien tone mu në mes të Europës. Unë mendoj se socializmi real shqiptar ka pasë nji bazë fetare, kulturore orientale, me nji komponente të fuqishme dhe të msheftë bizantinizmi. Ende nuk ka në Tiranë nji shtatore të Gjergj Balshës II, i cili në atë vjetë të hershëm të 1369 e lidhi përfundimisht Shqipninë me kristianitetin prendimor, pra me Europën. Nuk e dimë ket fakt apo nuk na pëlqen që âsht kshtu ky fakt? Unë nuk kam pa anije që hyjë në liman me bark, të gjitha hyjnë me bash. Prandej s’na len ecja me bark që të hyjmë shpejt…

17- Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?

Jam rritë në nji familje me besim të forte dhe epsh sacrifice. Kam sakrifikue shum për të qenë i vërtetë me veten dhe nuk kam mundë me e realizue ket pikësynim. Me letrat e mia që merrem, fantazia vlen sa nji mijë realitete. Me krijue do me thane me qenë zvarranik i përjetshëm. Kur je zvarranik nuk ke frikë askënd ma, sepse askush nuk ta ka lakmi durimin. S’i njof bestytnitë.

18- Haxhi Qamilin e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. A është ai një gjemb në histori, dhe pse Enver Hoxha u mundua ta paraqiste lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë?

Haxhi Qamili âsht i pari nostalgjik për të cilin flet historia jonë. Pra, atij i takon me qenë ma i famshmi nostalgjik që na njofim. Ikja e Turqisë nga Shqipnia nuk pati depejzazhue vetëm Haxhi Qamilin. Nji pjesë e madhe e mehmurëve turq të perandorisë, që pinin kafe gjithë ditën dhe lëvrinin tespijet, e përjetuen si fund bote ajrin e ri të pavarësisë. Por Haxhi Qamili nuk âsht i vetmi nostalgjik i së vetmes periudhë nostalgjizmi në historinë tone të re. Mjerimi krijon partizanllëk të verbtë.

Enver Hoxha e përdhunoi mendimin e historianëve të asaj kohe lidhun me ketë figurë. Nostalgjikët e Enverit e mistifikojnë ket veprim të tij me idenë se “hajt, hajt se e dinte ai se ç’bënte”. Enveri kishte boshllëk kulturor dhe kur binte në sy për tê, imponohej me arrogance se mos merrej vesht deficienca e tij. Shenj vaniteti nga ana e tij.

19- Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan. Po ju?

Komunizmi âsht produkt kulturor, komunizëm në natyrë nuk ka. Në natyrë sundon gati gjithkund ligji i ma të fortit. Pra komunizmi âsht kundër natyrës ose kundër asaj sa na jemi ende natyrë mbas përpunimit tonë kulturor. Barazimi i njerzve sjell vrasjen e interesit. Interesit i bie me pasë edhe nji komponente instinktive. Pra në marrëdhaniet ekonomike interesi lidh prodhimin me shpërndarjen. Për shkak të natyrës së dyfishtë të interesit, komunizmi âsht kundër natyrës aq sa ka element natyrorë në përbamjen e interesit.

20- ‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

E kam pa gjithnji ketë vjershë të Nolit si propagandistike dhe panagjirike. Diasporat tona kanë qenë gjithnji indiferente. Ato kanë ndihmue pak në punët tona të mbrendshme. Tash sa vjet flitet se shqiptarët emigrantë mund dhe duhet të votojnë. Deri tashti hiç. Sa për ndihma nuk e di, por besoj se vetëm me vizitat e tyne në atdhe si turistë ata mund të kenë dhanë nji ndihmesë modeste dhe të parregullt. Sa shkon koha e ma indiferentë bâhen. Shteti shqiptar nuk po i josh sa e si duhet.

21- Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?

Unë mendoj se shtete shum ma të “arrira” se na nuk kanë hjekë dorë prej devizash patriotike. Për sa kohë nji komb ka vorfni e skamje, patriotizmi âsht mnyrë e detyrueshme të menduemi, por edhe mnyrë efikase mobilizimi. Në kohën tonë kur kanë ra pak a shum ideologjitë, tek na patriotizmi nuk âsht bateri e shkarkueme plotsisht. Patriotizmi shqiptar gjithmonë ka qenë i pafat. Gjithmonë e kanë marrë për nacionalizëm. E nacionalizmi ka emën të keq në Europë. Ndër ne duhet të dalë dikush me bâ diferencën mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Frika se mos shqetsohen fqinjët, na ka bâ thjesht patriotë me llafe.

22- Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes! Për Shqipëri apo, për Zotin?

Për besë, nuk di çfarë të them.

23- Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?

Nji popull i vogël që nuk ka bâ kurr luftë totale, ndeshet gjithnji me vogëlsinë, brishtësinë dhe thyeshmëninë e vet. Dueli âsht barazi me kundërshtarin. Deri në Mesjetë kemi edhe duele, edhe kalorsiakizëm, por zakonisht kemi ndigjue për lufta që e konsiderojnë befasinë si kompensim të forcës së pamjaftueshme. Shqiptarët i kacavaren jetës, ata duen me jetue me çdo kusht, prandej edhe lakmojnë ma fort luftën joortodokse. Prita ka shanse të mdha fitorje dhe, për ma tepër, e mban anonim dorasin.

24- Duket se të gjithë e përdorin Kanunin si strehë: ca për të përligjur një veprim gjakatar e ca për të përkufizuar një impas social që nuk arrijnë ta shpjegojnë. A mund të jemi më pak kanonikë ndaj Kanunit?

Kanuni sot âsht vetëm nji pretekst. Ai si i tillë ka pushue së vepruemi, sepse të gjitha vrasjet që bâhen në emën të tij, nuk kryhen simbas tij. Kanuni âsht autorizimi i vetgjyqsisë në kushtet e mungesës së shtetit. Ai që vret sot âsht nji kanun inercial, nji hije e tij që merr landë në kushte kur prania e fuqia e shtetit zbehen, kur drejtësia nuk mund të japë drejtësi. Në kushtet e shpërbamjes së plotë të familjes patrialkale me ngjyresa të forta të hegjemonizmit mashkullor, ndjekja qoftë edhe joadekuate e Kanunit e rikthen disi ket autoritet. Sot ndoshta e vetmja mnyrë për t’u ndie burrë “si dikur” âsht imitimi i vetgjyqsisë simbas reminishencave e ritualit kanunor. Në kushtet e lëvizjes së lirë të shqiptarëve nëpër botë, impotenca e shtetit për të gjetë vrasësit a fajtorët rizgjon tek individë autoritetin historik të burrit dhe kshtu riafirmohet në prapavajtje struktura patrialkale e familjes, tashma në degradim e pa kthim mbrapa.

25- Çfarë u ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?

Nuk jam konitzian aspak. Ky vend po bâhet dhe s’ka se si ndryshe. Thjesht ideja e krahasimit me minimalet e të tjerëve vepron si deterrent dëshprimi mbi vetdijet tona, tue na dhanë shenja reference të lëvizshme dhe të pasigurta. Kjo jona ka qenë nji shoqni e “dekurajueme”. Kuraja âsht element i madh mungues ndër ne. Na nuk kemi kurajo as me krijue nji sistem stabil matës të lëvizjes sonë. Shqiptarët kërkojnë ma mirë atdhena të gatshëm.

26- Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?

Të jesh shqiptar âsht çeshtje identiteti, ontologji, ka të bâjë me qenien tonë. Problemet e qenies ende nuk vehen në relacion me diçka tjetër, pra nuk i nënshtrohen cilësimit moral si e mirë apo e keqe. Edhe akrepi âsht i mirë në vetvete. Shën Toma i Akuinit i njef sendeve tri vetitë e famshme unum, bonum, verum, çka do të thotë se në shkallë absolute me qenë âsht nji e drejtë parësore. Mbas qenies fillon njehsimi. Kjo parullë shum populiste në formë e që shpesh na ban të ndihemi edhe keq, âsht në fakt provokimi që ajo i ban qëndrimit tonë ndaj vetes dhe vetvlersimit tonë. Zotnimi i saktë i vetes nuk lejon që të lindë dëshira me e zotnue veten. Ekziston vetëm nji zotnim dhe ai âsht i mjaftueshëm. Me çka duhet na zotnohemi mungueshëm…

27- Kriza e zgjatur, ka bërë që në aula të ndryshme të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. A jemi në një botë pa rend shoqëror, por me ndarje të thella klasore?

Jetojmë në nji kapitalizëm të riafirmuem mbas dështimit të nji eksperimenti të dhimbshëm me viktima të shqueme dhe eponime. Mesa duket kapitalizmi zbutet kur ka rivalë. Kur âsht pa rival dhe i ripërtërihet mandati, kalon në çmenduni dhe adhuron foshnjërinë e vet. Rendi âsht dhe humnerat klasore janë, por rruga kah barazitarizmi âsht nji e keqe po aq e madhe. Historia ka në themelin e vet dilemën dhe kjo âsht dilema.

28- Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?

Nuk mendoj se besimi te Zoti âsht edhe aq fort mister. Teoria darëiniane mbeti esencialisht e pavërtetueme. Koha e domosdoshme për ndodhjen e evolucionit nuk përputhet me moshën e tokës dhe shumllojshmënia e specieve nuk përligjet me sasinë aritmetike të klimave e mikroklimave. Perendia âsht i shfaqun gjithkund si krijesë. Ai vetë âsht i pahulumtueshëm dhe na njerzit perden ku fillon e pahulumtueshmja e kemi për kollaj ta quejmë mosekzistencë. Trupi njerzor âsht i mbushun me zona e objekte ende të panjoftuna. Deri sa t’i zbulojmë s’do mend që do t’i konsiderojmë të paqena.

29- Fan Noli dhe prini gjerman von Ëied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. A ka një shpjegim për këtë?

Fan Noli ishte politikan i keq, kurse princ von Wied ishte gjerman i mirë.

30- 1913, 1939, 1944, 1997…cilin konsideroni ‘Vit të mbrapshtë’ për shqiptarët?

Vit i mbrapshtë âsht ai që shenon historinë dhe pasojat ndihen ma vonë. Vit të mbrapshtë po quej 1939-ën që solli direkt periudhën e mbrapshtë të 1944-1990-ës.

31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Alarmet mund të jenë edhe njilloj frymëmarrje artificiale. Të jesh viktimë e teknologjisë në kohën tonë nuk âsht aspak e re dhe s’kemi pse të çuditemi. Na mbetet me u trishtue dhe me kalue në degën tjetër, poqese ka.

32- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

A më kupton?

33- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?

Pse nuk të kuptokam unë ty?

Kadaj-Bujupi: Blloku nuk lëkundet, shërbyesit e PDK-së po spekulojnë

0

DonikaKadaj-Bujupi-aakNë një prononcim për TV Dukagjinin, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar ndaj – siç ka thënë – “tendencave që shërbyes të PDK-së po i bëjnë për ta hutuar opinionin duke u marrë me thashetheme rreth Bllokut LAN dhe VV-së.

Ajo ka thënë se pengesat që po i bënë, sipas saj PDK, “po dëshmojnë edhe njëherë mentalitetinautoritar qeverisës”.

“Por, këto pengesa asnjëherë nuk do ta ndalojnë koalicionin e madh në rrugën drejt formimit të institucioneve”, tha ajo.

Kadaj ka shtuar se “ss spekulimet përmes shërbyesve të PDK-së në disa media dhe as ato të disave të ashtuquajturve analistë nuk do ta lëkundin marrëveshjen e bllokut për të ndërtuar institucionet mbi parimin e besimit, mirëkuptimit dhe interesave të vendit”.

Qeveria teknike është maksimumi për PDK-në

0

Artan MuhaxhiriNë bazë të rrethanave të krijuara në skenën politike Kosovare, maksimumi që mund të merrë PDK-ja është hyrja në një Qeveri teknike.

Kështu ka vlerësuar analisti, Artan Muhaxhiri, i cili ka shtuar se PDK-ja edhe po angazhohet për një qeveri të tillë, pasi që sipas Muhaxhirit kjo parti me 36 vota nuk mund të bëjë diçka më shumë.

“Maksimumi që mund të marrë PDK-ja në rrethanat aktuale është hyrja në ndonjë Qeveri teknike, prandaj me çdo mjet po mundohet që mos të lëshoj pe në postin e kryeparlamentarit. Kjo është në rast se Blloku vazhdon të jetë unik, sepse në të kundërtën, nëse nonjëra parti largohet nga ky koalicion, atëherë mund të ndryshojnë rrethanat”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Sot disa lagje në Prizren, pa uji

0

uji 3Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni -Jugor” Prizren, ka njoftuar se të dielën në disa lagje do të ketë ndërprerje të ujt.

“Për shkak të defektit në gypin transportues fi 400, i cili kalon nëpër Zonën Industriale, konkretisht të ish ‘Printeksi’,  do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes me date: 02.11.2014 ( e diel) nga ora 09 -16 në lagjet: ‘Bajram Curr”, “Arbanë” dhe Jeta e Re”, njofton “Hidroregjioni Jugor në Prizren./PrizrenPress.com/

Prit pak vogëlush

0

Flora tota

 

 

 

 

 

 

 

 

Prit edhe ca vogëlush i dashur
prit mos nxito te rritesh shpejt
prit mor engjëlli i botës
se dashurin veç ëndërr e sheh.

Prit luaj me lojra
kënaqu me dashuri
dëgjoj si të thërrasin
herë engjëll herë yll.

Prit mos nxito
shpirti vogël
me hapat e guximtarit
kënaqu me dashurin zemër
se kjo jetë është e mëkatarit !.

Shkruan: Flora Z. Totaj

NISMA kërkon zgjidhje

0

Nisam bashkPartia e Fatmir Limajt ka kërkuar zhbllokimin e situatës politike duke gjetur zgjidhje në bazë të Kushtetutës dhe duke respektuar shumicën parlamentare.

“Degët i dhanë mbështetje të fuqishme qëndrimit dhe angazhimit të Kryetarit Limaj dhe Kryesisë së NISMA-së për te gjetur zgjidhjen sa më shpejtë për formimin e institucioneve të vendit, zgjidhje kjo që reflekton shumicën parlamentare në Kuvend poashtu dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Partisë së Limajt.

Lexojeni të plotë njoftimin e NISMA për Kosovën

NISMA për Kosovën sot ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt javore me kryetarët dhe koordinatorët e këshillave të degëve nëpër komuna.

Në këtë mbledhje është diskutuar për situatën politike në vend, për qëndrimin e NISMA për Kosovën në raport me situatën aktuale politike në vend dhe për projektet e ardhshme të subjektit NISMA për Kosovën.

Kryetari i NISMA për Kosovën, z. Fatmir Limaj ka njoftuar kryetarët e këshillave të degëve të Nismës, për zhvillimet politike në vend.

Degët i dhanë mbështetje të fuqishme qëndrimit dhe angazhimit të Kryetarit Limaj dhe Kryesisë së NISMA-së për te gjetur zgjidhjen sa më shpejtë për formimin e institucioneve të vendit, zgjidhje kjo që reflekton shumicën parlamentare në Kuvend poashtu dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhjen me kryetarët e këshillave të NISMËS për Kosovën nëpër komuna, e mbizotëroj debati për situatën e rëndë në vend, poashtu temë e rendit të ditës ishte edhe riorganizimi nëpër këshillat e NISMËS, me qëllim të një funksionimi sa më të mirë të projekteve të ardhshme politike, të cilat do të realizoj NISMA për Kosovën.

Blloku “ndezë turbinat”, kërkon me doemos vazhdimin e seancës

0

Blloku VVKoalicioni paszgjedhor, VLAN, (LDK,AAK, Nisma dhe VV) pritet që javën e ardhshme të “ndezë turbinat”. Përfaqësuesit e këtij koalicioni kanë paralajmëruar që nuk do rrinë duarkryq dhe do të bëjnë përpjekje për vazhdim të seancës.

Avni Arifi, këshilltari i Parë i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj në një prononcim të shkurtër për ‘Zërin’ e ka konfirmuar këtë gjë.

“Javën e ardhshme i dërgojmë nënshkrimet për seancën e pastaj shohim”, ka thënë shkurt ai.

Përpos VLAN-it, mësohet se edhe grupi i minoriteteve jo serbe do të përkrahin këtë iniciativë të nënshkrimeve.

Nga ana tjetër, kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka ripërsëritur që nuk do të ketë seancë pa pasur konsulta të përbashkëta të liderëve të partive. /Zëri/

Imri Ahmeti: Isa Kryeministër, Ramushi s’bën të bëhet pengesë

0

Imri AhmetiRadhëve të zyrtarëve të LDK’së që po kërkojnë ndryshimin e marrëveshjes së LDK’së me Bllokun është edhe Kryetari i Degës së LDK’së dhe i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti. Në një intervistë për Express, ai thotë se strukturat e LDK’së po kërkojnë emrin e Isa Mustafës si Kryeministër për tejkalimin e bllokadës politike. Ai thotë se as Haradinaj nuk duhet të bëhet pengesë për formimin e Qeverisë së re
Express: Zyrtarë të LDK’së, i fundit Muharrem Sfarqa, tha se marrëveshja e Bllokut duhet të ridizajnohet dhe që Isa Mustafa të votohet për Kryeministër. A është duke shkuar në këtë drejtim marrëveshja e Bllokut?

I. Ahmeti: Në fakt, interesi i jonë i përbashkët dhe i gjithë qytetarëve, në veçanti e Bllokut, është ruajtja e kësaj marrëveshje. Synimi i përbashkët është ndërrimi i kësaj qeverisje. Dinamika e realizimit të kësaj marrëveshje si duket do të ketë nevojë të ridizajnohet. Pak është e rëndësishme për emra të përveçëm, do të jetë Ramush Haradinaj apo Isa Mustafa. E rëndësishme është të krijohet Qeveria e vendit me figura të reja që ndërrojnë këtë gjendje. LDK nuk ka emër tjetër për Kryeministër përpos Isa Mustafës. Besoj se nuk duhet të jetë pengesë as emri i Ramushit e as emri i Isës apo i kujtdo qoftë, por duhet të gjejmë një zgjidhje që do ta zhbllokonte situatën në Kosovë. Normalisht, në LDK ka zëra dhe janë të interesuar të zhbllokojnë situatën politike me figurën e Isa Mustafës për Kryeministër.

Express: Pse tash po kërkoni të ridizajnohet kjo marrëveshje pasi dihet se mund të ketë edhe kundërshtime?
I. Ahmeti: Nevoja që njerëzit të mos jenë bllokues të procesit detyrimisht na bien në situatën që ne detyrimisht duhet ta rikonfigurojmë këtë marrëveshje. Gjithmonë, ne duhet ta ruajmë gjithë Bllokun sepse interesi jonë i përbashkët është që të ndërrohet kjo keqqeverisje.

Express: Por, zyrtarët e AAK’së kanë dalë kundër ridizajnimit të marrëveshjes së Bllokut?

I. Ahmeti: Nuk besoj se duhet të jenë individët pengesë për ridizajnimit dhe zhbllokimit të kësaj situate. Nuk po flasim për emra të përveçëm, por flasim për procesin. Nëse ndonjë individë paraqet problem në proces, besoj se duhet të gjejmë mirëkuptim dhe të tejkalojmë këtë situatë në favor të zhbllokimit të situatës politike.

Express: Sot, Ramush Haradinaj tha se ridizajnimi i marrëveshjes së Bllokut është shpikje e PDK’së. Cila është përgjigja juaj?

I. Ahmeti: Nuk mund të prejudukoj ide e kujt është, por nevoja e rishikimit dhe gjetja e një rruge për zhbllokimin e situatës është çështje në vetvete. Esencile është që individët nuk duhet të bllokojnë proceset sepse interesi nuk është individual sepse interesi është kolektiv. Në rastin kur interesi është kolektiv atëherë besoj se individët duhet t’i abstrahojnë interesat personale në kuadër të interesave të përgjithshme.

Express: Mirëpo, nëse bllokada vazhdon atëherë Presidentja do të shpallë zgjedhjet?

I. Ahmeti: Të gjitha partitë politike duhet të jenë të gatshme edhe për zgjedhje. Megjithatë, nuk është interes i vendit që të shkohet në zgjedhje dhe unë sa po e kuptoj asnjë parti politike nuk është duke i shtyrë proceset kah zgjedhjet por secili po mundohet të gjejë zgjidhje këtij ngërçi aktual.

Express: Sa e ka dëmtuar kjo bllokadë politike Shtetin e Kosovës por edhe komunat, njërën prej të cilave e udhëhiqni ju?
I. Ahmeti: Praktikisht, është e vërtetë se ka pengesa jashtëzakonisht të mëdha për shkak të kësaj bllokade të nivelit qendror. Realisht, çdo ditë e më shumë që vonohemi është në dëm të qytetarëve, është në dëm të zhvillimit të vendit. Edhe interesi jonë si Kryetar të komunave është që një orë e më përpara të zgjidhet ky problem dhe të formohen institucionet e reja.

Kurti: PDK e ka bllokuar Jahjagën, Hasanin dhe Brovinën

0

AlbinKurti1205Në një takim diskutimi të mbajtur me studentë, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka folur për, siç e quan ai, kapjen e shtetit që po bëhet nga partia në pushtet. Në një njoftim për media, rreth kësaj ngjarje, Kurti citohet të ketë thënë se PDK si pakicë parlamentare tani i ka vënë në lëvizje tre persona: Flora Brovinën, Enver Hasanin dhe Atifete Jahjagën.

“Janë këta tre persona të cilët pamundësimin që ia kemi bërë ne PDK-së, që ta ripërtërijë regjimin e vjetër me një Qeveri të re, në të njëjtën kohë e kanë shndërruar në një bllokim të shumicës parlamentare që të mos lejohet që ne ta konstituojmë Kuvendin e më pas ta formojmë edhe Qeverinë e re”, ka thënë Kurti.

Duke folur për PDK-në, si një parti-shtet, Kurti ka thënë më tutje, se kjo parti përveç të tjerave e ka keqkuptuar edhe idenë e zgjedhjeve demokratike.

“Zgjedhjet demokratike nuk janë garë sportive mbi atë se kush doli i pari siç mendon PDK. Shumica e tërësisë shënon rezultatin legjitim. Por, PDK-ja nuk e konsideron tërësinë – popullin dhe republikën, por veten – partinë me farefis”, citohet të jetë shprehur Kurti.

Sipas njoftimit, edhe studentët e pranishëm në këtë tubim kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen aktuale në Kosovë, dhe kanë dhënë komente të ndryshme lidhur me atë se si do të mund të dilej nga kjo situatë.

Gjithmonë sipas njoftimit, njëri nga studentët i është drejtuar Albin Kurtit, me pyetjen, se: nëse Vetëvendosje dhe LAN e kanë konsideruar ndonjëherë mundësinë që ta lejojnë PDK-në në postin e Kryeparlamentarit.

E sa i përket kësaj, Kurti ka thënë se PDK nuk është e interesuar për kryeparlamentarin.

“Ne besojmë që shumica duhet t’i formojë institucionet. Mendoj që PDK nuk është e interesuar për kryeparlamentarin. Janë të interesuar ta mbajnë qeverinë, siç e tha edhe vetë Bajram Rexhepi. Ata nuk ngopen me kryeparlamentarin. Ata duan marrëveshje paketë. Flora Brovina kur e ka shtyrë seancën, ende pa u bërë 24 orë e ka thënë shumë qartë që pa marrëveshje të liderëve nuk thërret seancë. Pra, PDK nuk do marrëveshje për kryeparlamentarin, por për të gjitha. Duan marrëveshje totale!”, ka thënë Kurti.
Lidhur me termin e shumë përdorur kohëve të fundit “ngërç institucional”, që u ngrit si çështje edhe nga njëri prej studentëve të pranishëm, Kurti tha se këtu nuk bëhet fjalë për ngërç institucional, por për shtet të kapur.

“Kosova është shtet i kapur. Pra, ka kapje të shtetit. Ky shtet duhet të ç’kapet, por nuk e bën këtë askush përveç nesh. Nuk na e zgjidh këtë problem askush. Është problem i pastër i brendshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet të ketë thënë ndër të tjera Kurti.

Në njoftim thuhet po ashtu se studentëve iu interesonte ta dinin edhe atë se nëse formohet qeveria e re sipas marrëveshjes së 10 shtatorit, a do të ketë ndryshim në Kosovë dhe a do të ketë sukses ajo qeveri?

E lidhur me këtë çështje, Kurti, ka thënë se në këtë bashkëpunim ata kanë dallime në të tashmen, probleme nga e kaluara, por Kurti ka thënë se VV është e orientuar në të ardhmen, me një qeveri emergjente e cila sipas tij, më së miri do të ishte 2 vjet plus 2 vjet.

“Kjo nuk është Qeveri e stabilitetit, por Qeveri e ndryshimit të kursit të shtetit. Po iu përmbajtëm marrëveshjes së 10 shtatorit, natyrisht që do të ketë progres”, tha ai.