26 C
Prizren
E shtunë, 14 Qershor, 2025
Home Blog Page 7472

Ja dy opsionet e Bllokut për formimin e institucioneve!

0

blloku opozitarKoalicioni LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje i ka vetëm dy mundësi reale për të formuar institucionet dhe për tejkalimin e ngërçit politik.

Burime të larta të Gazetës Blic brenda Bllokut kanë bërë të ditur se opsioni i parë është thirrja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me nënshkrimet e 2/3 të të gjithë deputetëve.

“Edhe më herët ka qenë një opsion i tillë si ide, mirëpo pas deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani se pos Brovinës askush nuk mund të thërras seancë, liderët e LVAN-it filluan të hezitojnë për këtë opsion. Mirëpo, pasi që Jahjaga refuzoi ta dërgoj edhe një herë cështjen para Gjykatës Kushtetuese dhe këmbënguljes së PDK-së për të mos thirrur seancën, i jemi rikthyer opsionit të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Në këtë seancë sipas këtij burimi do zgjedhej kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa dhe do të procedohej edhe zgjedhja e qeverisë. “Ky është opsoni kryesor që po diskutohet sërish”, thotë burimi i Gazetës Blic.

Megjithatë, në këtë situatë PDK do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.
Dhe opsioni i dytë sipa skëtij burimi, është heqja dorë nga posti i kryeparlamentarit.
“Brenda Bllokut është diskutuar opsioni për votimin e kandidatit të PDK-së për kryetar të Kuvendit, dhe LVAN të formoj qeverinë, mirëpo kjo po shihet se rrezik ngase PDK në këtë situatë do ta ketë shumë më të lehtë çuarjen e vendit në zgjedhje të reja”, ka thënë ky burim.

Pro idesë së dhënies së postit të kryeparlamentarit PDK-së është deklaruar publikisht edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Ai ka thënë se kjo është e vetmja mundësi në mënyrë që të tejkalohet ngërçi politik në vend.
Mirëpo, këtë ide mësohet se e kanë përkrahur edhe disa deputetë të tjerë të LAN-it.
Ndërkohë, Blloku LVAN të enjten i ishte drejtuar presidentes Atifete Jahjagan përmes një kërkese nga e cila kërkuan që t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, për sqarime shtesë se si të tejkalohet situata politike në të cilën ndodhet vendi.

Mirëpo, pa kaluar as 24 orë nga kjo kërkesë, Jahjaga i ka kthyer përgjigje negative Bllokut, ndërkohë që i ka bërë thirrje liderëve për një tryezë të përbashkët.
Pas këtij vendimi të Jahjagës, përfaqësues të Bllokut i kanë thënë Gazetës Blic se me gjasë Blloku do t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese.

Bajram Gecaj i LDK-së, ka thënë se Blloku në ditët në vijim do të dalë me qëndrim për hapat e mëtutjeshëm. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar si opsion që Blloku t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Përfaqësuesit e Koalicionit të Madh do të takohen shpejt për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm. Opinioni tashmë është i informuar se neve jemi të gatshëm që vetë t’i drejtohemi gjykatës. Por, se a do të veprojmë kështu apo do të kemi qasje tjetër do të dihet në ditët e ardhshme…”, ka thënë ai.
Kosova edhe pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vazhdon të jetë pa institucione. PDK edhe pse doli e para me 30 për qind të votave, nuk po arrin që të gjejë partner për bashkëqeverisje, derisa Blloku LVAN i ka numrat në Kuvend, mirëpo vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kryetarin e Kuvendit duket se ka bllokuar gjithçka./ Gazeta Blic

Në “Loyola-Gymnasium” në Prizren, u përmbyllën punimet e Konferencës Kombëtare

0

konPas dy ditësh punë dhe aktivitete të ndryshme, i përmbylli të shtunën punimet Konfereca Kombëtare e Mësimdhënësve të Gjuhës Gjermane. Konferenca mbahet një herë në vit dhe deri më tani është mbajtur në Shqipëri, ndërsa kësaj radhe, për herë të parë u organizua në Kosovë, në ALG “Loyola- Gymnasium”, në Prizren, në këtë gjimnaz gjerman me traditë 10- vjeçare në Kosovë, që tashmë përveç rezultateve të larta në procesin edukativo- arsimor, po bëhet qendër edhe e organizimeve të ndryshme arsimore e kulturore në Kosovë.

Pjesëmarrës në këtë Konferencë, përveç mësimdhënësve dhe profesorëve nga Kosova e Shqipëria, ishin edhe zyrtarë të lartë, si ambasadorja e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, zonja Angelika Viets, e cila u mahnit me ambientet e shkollës dhe me arritshmërinë e nxënësve të “Loyola-Gymnasium”, përfaqësues nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, Ministria e Arsimit e Austrisë etj.

Në hapje të Konferencës, ambasadorja Viets tha se ndjehet e lumtur që në Kosovë dhe Shqipëri është numër i madh i atyre që e kuptojnë dhe flasin gjuhën gjermane dhe se njohja e kësaj gjuhe pa dyshim se krijon shumë mundësi që në të ardhmen qytetarët nga Kosova e Shqipëria të studiojnë në Gjermani, e pse jo edhe të punojnë. Ne do të përkrahim të gjitha ato institucione të cilat mundësojnë përdorimin e metodave adekuate për mësimin e gjuhës gjermane edhe në të ardhmen, theksoi ambasadorja Viets.

Jonida Peza, drejtuese e Shoqatës së Mësimdhënësve të Gjuhës Gjermane në Shqipëri tha se qëllimi i Konferencës ishte bashkimi i mësimdhënësve të gjuhës gjermane dhe akterëve tjerë përmes këtij seminari dhe perspektiva e gjuhës gjermane. Poashtu ajo nënvizoi organizimin e mirë të Konferencës dhe kushtet e jashtëzakonshme në ambientet e gjimnazit “Loyola”.

konf 2

Seminari u vlerësua i suksesshëm edhe nga Herbert Mühlfeit, drejtues i shoqatës së degës dugjuhësore në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, Petra Behlke-Campos, drejtoreshë e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, Norber Habelt, përfaqësues nga Ministria e Arsimit të Austrisë, Adnan Kraja, përfaqësues nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë etj.

Konferenca kaloi mirë dhe kishte rëndësi të veçantë, pasi që ishte një mundësi e mirë e shkëmbimit të ideve dhe praktikave të mësimdhënies së gjuhës gjermane. Ne si nikoqirë jemi shumë të kënaqur që mundëm të kontribuonim në mbarëvajtjen e mirëfilltë të kësaj konference, falë edhe hapësirave të shkollës, tha Neki Jahaj, drejtues i aktivit të mësimdhënësve të gjuhës gjermane në “Loyola- Gymnasium”. Ai, poashtu shprehu kënaqësi të veçantë që aktivi i gjuhës gjermane në këtë shkollë, përveç që është bërë tanimë pjesë e komunitetit të mësimdhënësve të gjuhës gjermane dha kontribut të veçantë në mbarëvajtjen e kësaj Konference.
/Enver Sulaj/

KQZ-ja e bllokuar

0

KQZ-kati2Institucioni për organizimin e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tash e dy muaj është bllokuar, pasi nuk ka kuorum, meqë disa prej anëtarëve të këtij institucioni u ka përfunduar mandati. Ky Komision madje ka dy muaj që nuk është mbledhur fare, edhe pse ka shumë çështje që presin vendimin e KQZ-së.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për TV Rrokum se KQZ ka hyrë në një fazë paralizimi – të paqartë dhe të dëmshëm. Ai po ashtu theksoi se emërimi i anëtarëve të KQZ-së është përgjegjësi e Presidentes, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin mbi zgjedhjet, dhe se të gjitha sqarimet duhet t’i japë Presidenca. Por, sipas tij, asnjëherë nuk është sqaruar zyrtarisht se a bahet fjalë për emërimin e të gjithë anëtarëve apo të vetëm të disa prej tyre.

Ai shpreh shqetësim për, siç thotë, “faktin që kryesuesja e KQZ-së po e mban pengë funksionimin e KQZ”.

“Janë disa anëtarë të KQZ-së të cilët pas zgjedhjeve të 8 qershorit nuk e përfaqësojnë askënd në KQZ dhe si të tillë duhet me u zëvendësu në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin mbi zgjedhjet”, thekson ai.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, thotë se emërimi, shkarkimi dhe nderprerja e mandatit të anëtarëve të KQZ-së, është kompetencë e presidentes se Republikës se Kosovës. Ndërsa, këshilltari i presidentes së vendit, Arbër Vllahiu, thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet që veprimet e mëtejme të bëhen konform ligjeve.

Dy anëtarë të KQZ-së, ai i AKR-së dhe SLS-së, s’e përfaqësojnë askënd. Të njëjtët duhet të zëvendësohen. Ndërsa, dy anëtarë të tjerë, njëri nga komuniteti ashkali dhe tjetri nga ai boshnjak, po ashtu duhet ose të zëvendësohen ose të rikonfirmohen, pasi komuniteti ashkali dhe ai boshnjak përfaqësohen me nga dy parti politike dhe ato parti duhet të merren vesh se kë po e dërgojnë si përfaqësues në KQZ.

Ndërkohë, nëse katër anëtarët e KQZ-së s’kanë mandatin, sipas neni 3 të Rregullores së Punës së KQZ-së, asnjë mbledhje nuk fillon ose vazhdon pa sigurimin e kuorumit të domosdoshëm. Ndërsa, kuorumi ekziston nëse janë të pranishëm së paku shtatë anëtarë të KQZ-së. /Rrokum/

Nexhmi Krasniqi premton siguri për nxënësit e shkollave në Prizren

0

Nexhmi Krasniqi PKDrejtroi Policisë në Prizren Nexhmi Krasniqi,ka premtuar se policia do të ofrojë siguri për nxënësit e shkollave në Prizren.

Ai tha kontrollet e fundit të policisë nëpër shkolla kanë pasur për qëllim të rrisin sigurinë e nxënësve.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kuvendin Komunal dhe Prokurorinë do të punohet që të ketë atmosferë sa më të mirë nëpër shkolla”, ka premtuar Krasniqi, transmeton TVO.

Policia e Kosovës ditë më parë kanë marrë një aksion të kontrollimit të shkollave. Gjatë këtij aksioni janë gjetur dhe konfiskuar disa armë dhe thika./PrizrenPress.com/

Preç Zogaj: Ju tregoj “Fillimet” e viteve ‘90-’92

0

Preq Zogaj“Fillimet” nis pikërisht me vitin 1990, një vit pas rënies së Murit të Berlinit. Ky libër do të jetë botimi i ardhshëm i UET- PRESS, që mban autorësinë e Preç Zogajt.

Librat me natyrë eseistike nga zhanri i esesë politike që shkrimtari Preç Zogaj ka nisur të shkruajë që prej vitit 1996, janë përmbledhur në kuadër të kolanës “Scripta Imanent” (E shkuara mbetet), botuar nga UET- PRESS. Në vitin 2009 është botuar libri “Institucionet e Tranzicionit” 1 dhe 2, një përmbledhje e publicistikës së tij politike që nis me “Rënien e zgjedhjeve” e deri tek “Paradhoma e një presidenti”; të gjitha këto janë një fotografim e refleksion i ngjarjeve politike të kohës. Prania e autorit gjatë këtyre ngjarjeve që përshkojnë periudhën e gjatë të tranzicionit në Shqipëri, ka bërë të mundur që përmbledhjet të vijnë me një frymë realiste, duke sjellë bashkë me faktet një pjesë të mirë të përjetuar prej tij.

Përshtypjet e dikujt, i cili mund të dëshmojë që në gjenezë periudhën e tranzicionit, përbëjnë kështu një dëshmi unike të kësaj periudhe për lexuesin. Në vitin 2012 vjen një tjetër vepër; “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, pjesë e së njëjtës kolanë. Të dy këta libra tashmë të botuar, rrëfejnë për “Shqipërinë e tranzicionit” dhe atë të pas viteve 2000, ndoshta qëllimisht për t’u mbyllur me atë që duhet të ishte hapja e kësaj historie 24-vjeçare, viti i brishtë 1990. Viti ku filloi gjithçka. Viti ku Shqipërisë nuk i ishin tharë ende mirë “lotët” e vdekjes së diktatorit e ku kryetari i ri Ramiz Alia, një vazhdues besnik i stereotipeve komuniste, ishte gjendur në kohën dhe vendin e gabuar sepse mesa duket, regjimi ishte në grahmat e fundit. Protestat e studentëve të nëntorit, intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë ishin bërë një zë tashmë i fortë që dashje padashje do të përcaktonin rrjedhën e ngjarjeve në vazhdim…

Intervistoi: Silvi Bakiri

Çfarë përfaqëson për ju libri “Fillimet” në raport me librat e tjerë të zhanrit politik?prec zogajNë raport me librat e tjerë që siç e dini, ndjekin rendin kronologjik të ngjarjeve nga një periudhë në tjetrën, “Fillimet” është libri i parë që shkruhet dhe botohet i fundit. Kam nisur të shkruaj ese politike në vitin 1996, duke marrë shtytje nga zgjedhjet politike të atij viti dhe kam vazhduar deri në vitin 2012. Mungonte libri i fillimeve, i ngjarjeve të periudhës 1990-1992, në të cilat, sipas meje, është plazmuar njëzetvjeçari që jetuam më pas. “Fillimet” është ky libër.

Libri ka trembëdhjetë kapituj, një hyrje dhe një “në vend të mbylljes”. Çfarë është lënda e tij? Janë kujtime, dëshmi, histori, apo refleksione? Çfarë?

Çdo ngjarje e jetuar, posaqë shkruhet pasi ka ndodhur, qoftë edhe po të ketë ndodhur dje, është kujtim, në fund të fundit. Por as që më ka shkuar në mendje të shkruaj kujtime. Në këtë libër, sikurse në librat e tjerë të së njëjtës kolanë, ka dëshmi, ka episode, ka kronikë, ka histori për aq sa mund të precipitojë histori nga shoshitja në kohë e dëshmive. Ka padyshim refleksione që tentojnë të përtojnë kuptime dhe mendime të caktuara rreth një përvoje të caktuar. Reflektimet janë ato që i “sjellin” në aktualitet ngjarjet e dikurshme.

A mund të themi se kemi në këtë libër një histori më të sistemuar të ngjarjeve të startit të demokracisë së re shqiptare?

Ngjarje ka shumë, por nuk pretendoj se janë të gjitha këtu. Nuk më shkon mendja. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj se unë nuk jam historian, as i kam vënë vetes për qëllim të ulem e të shkruaj një libër historik. Jam një shkrimtar dhe publicist që ka qëlluar të jetë edhe pjesëmarrës në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme politike të viteve nëntëdhjetë dhe më vonë. “Fillimet” është thjesht libri im, nuk është historia e fillimeve. Janë shkruar disa libra për vitet nëntëdhjetë. Sekush ka shkruar librin e tij, por edhe sikur t’i shkrinim në një libër të vetëm gjithë librat e botuar nuk mund të themi se kjo është historia. Deviza e shkrimtarit është e vërteta për ngjarjet që fut në libër, jo tërësia e tyre.

Cili mendon se është raporti midis ngjarjeve të jetuara dhe ngjarjeve të hulumtuara në librin tuaj?

Ndoshta pesëdhjetë me pesëdhjetë? Eh, nuk e kam bërë në fakt këtë llogari. Ka ngjarje, episode dhe fakte që i kam marrë nga dëshmitarë dhe autorë të tjerë, nga konsultimi i dokumentacionit të ruajtur në arkiva privatë, partiakë apo të shtetit. Tabloja do të ishte e mangët dhe e varfër nëse do të mbështetej vetëm mbi çfarë kam parë unë.

Libri nis me ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri, vit ky që kishte pasuar rënien e Murit të Berlinit? Cilat janë momentet kyç që përcaktuan të ardhmen e vendit në atë kohë?

Në rrafshin ndërkombëtar janë përmbysjet në Europën ish-komuniste. Në planin e brendshëm mendoj se si momente kulmore, flas gjithnjë për vitin 1990, janë tentativa e një grupi shkodranësh për të rrëzuar bustin e Stalinit në lulishten kryesore të qytetit të tyre, protestat dhe demonstratat e qytetarëve të Kavajës, ngjarjet e ambasadave, disa intervista, shkrime dhe qëndrime të reja të intelektualëve dhe krijuesve të avanguardës, ku veçohen për rrezen e re të guximit në kontekstin e kohës dhe për impaktin e madh në publik artikulli i profesor Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur”, intervistat e Ismail Kadaresë dhe Sali Berishës, dhënë përkatësisht gazetave “Zëri i rinisë” dhe “Drita”; ikja e Kadaresë në muajin tetor, konferenca letrare e Korçës në fillim të muajit nëntor, aktet e rebelimit në Institutin e Lartë të Arteve, për të mbërritur te ngjarja më madhore, Lëvizja studentore e dhjetorit 1990.

Çfarë nënkuptoni saktësisht kur e quani Shqipërinë e asaj periudhe as Lindje, as Perëndim?

Deri në vitin 1990 Shqipëria në fakt kishte qenë Lindje, sa i takon sistemit. Komuniste si Rumania, Bullgaria e tjerë. Ashtu edhe ishte mbajtur në këmbë. Në vitin 1990, me rënien e komunizmit në Europë, Shqipëria ishte për herë të parë në historinë e saj realisht as Lindje, as Perëndim. Vetmia e saj kishte dalë e pritej të dilte në pah si asnjëherë tjetër, një vetmi në sytë e mbarë botës, që ka qenë më e rralla e vetmive. Vendi më i mbyllur, më i braktisur dhe më i harruar i Europës, doli papritur në pahun e kohës si guri i fundit i dominosë në lojën e madhe të përmbysjeve demokratike, duke tërhequr mbi vete një vëmendje të panjohur më parë.

Çfarë i bashkon dhe i ndan më së shumti këta tre emra: Azem Hajdari, Eduard Selami dhe Sali Berisha?

Po përpiqem të kuptoj cili mund të ishte interesi publik për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Të tre, Azemi, Berisha dhe Selami janë personazhe të një protagonizmi që nuk është i njëjtë dhe kanë secili vendin e vet, besoj të merituar, në librin tim. Ata dhe themeluesit e tjerë besoj se i kishte lidhur ëndrra e demokracisë. Azemi ishte një tribun dhe më kujtonte gjithnjë një përcaktim që kam lexuar diku për heroin, që ka diçka irracionale në besimin dhe guximin e tij për të hapur rrugën. Ishte një njeri i pambledhshëm në kornizën e partishmërisë. Ai konkurronte sipas meje në sfera të tjera, për sfida të tjera më popullore, më të epërme, që nuk kishin lidhje me jetën e partisë në atë kuptimin që kishte ngulitur doktrina puniste e partisë mbi të gjitha. Në këto sfera ma merr mendja se e kishte vetëdijen e të qenit unik, i pazëvendësueshëm. Berisha ishte projektimi i liderit politik prej kohës, formimit dhe natyrës së tij. Eduardi ka spikatur me moderacionin dhe finesën. Në libër këto skicime lexuesi i gjen më të zhvilluara.

Në libër rrëfeni për një takim të Berishës, Hajdarit, Selamit dhe tuajit me Ramiz Alinë një natë përpara demonstratës që çoi në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Një ditë që sot konsiderohet në mënyrë simbolike si “shpartallimi” përfundimtar i imazhit të paprekshëm të diktatorit Hoxha. Çfarë ndikimi pati PD dhe zoti Berisha në gjithë këtë ngjarje?

Delegacioni i PD-së qe thirrur në takim nga Presidenti i kohës, Alia, për të diskutuar situatën e krijuar në vend nga greva e urisë e studentëve që kërkonin heqjen e emrit të Enber Hoxhës universitetit. PD i mbështeste studentët, por rrëzimi i monumentit dhe heqja e emrit të Enver Hoxhës ka qenë vepër e studentëve grevistë, e sindikatave të pavarura, e qytetarëve të lirë dhe antikomunistë të Tiranës, ku janë shquar si protagonistë grupi i ish të përndjekurve politikë të rrugës së Kavajës dhe disa individë të tjerë që guxuan më shumë se të tjerët. Kjo ngjarje e madhe është trajtuar me hollësi në librin tim, duke e zhvendosur “ fokusin” sa në shesh, sa në Komitetin Qendror.

Në libër gjithashtu përmendet edhe momenti i ardhjes për herë të parë në Shqipëri i Sekretarit të Shtetit amerikan, Xhejms Bejker. Ju madje e quani këtë çast si shfaqjen më madhështore proamerikane të bërë ndonjëherë. Kur i riktheheni sot: ai çast u glorifikua nga etja e shqiptarëve për liri, apo sepse pati vërtet rëndësi strategjike në fatet e vendit?

Nga të dyja. Shqiptarët u kthen në aleancën e tyre natyrale gjeostrategjike. Ende e kam parasysh momentin kur në shoqërinë e kryeministrit Ylli Bufi, Xhejms Bejker u ngjit në tribunën e ngritur para monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe prej aty, përballë detit njerëzor që valëzonte deri në thellësi të bulevardit dhe rrugicave, i drejtoi Shqipërisë fjalët e paharrueshme “mirësevjen në familjen e kombeve të lira”. Akoma më rrënqethet mishi kur e kujtoj. Nuk ishim ne që po prisnim Amerikën, ishte Amerika që kishte zbritur në Tiranë dhe po na uronte mirëseardhjen. Nga gjithë një pështjellim pamundësie për të dhënë diçka të denjë në shkëmbim, kisha ngushëllimin e vogël të kisha marrë pjesë në përgatitjen e fjalës që do të mbante në atë miting madhështor kryeministri Ylli Bufi. Kur ishim ulur për të shkruar fjalimin, edhe pse të vetëdijshëm për rëndësinë historike të vizitës së Sekretarit të Shtetit, nuk e kishim imagjinuar dot gjithë atë masë të stërmadhe njerëzish dhe atë shpërthim të jashtëzakonshëm të mikpritjes popullore në sheshin “Skënderbej”. Më pat pushtuar një frikë se mos fjalimi do të stononte me muzikën madhështore të sheshit, por kur dëgjova kryeministrin, kuptova se kishim qenë në një gjatësi vale me bashkatdhetarët tanë dhe kishim kapur nga zyrat tona akordet e ndjeshmërisë popullore..

Ftohja me z. Berisha është një moment që ka ngjallur gjithnjë shumë debat. I kujt ishte vendimi për t’u shkëputur? A ishte ky vendim i shtrirë në kohë?

Me Berishën kemi hyrë pothuajse njëkohësisht në Lëvizjen e Dhjetorit. Jemi takuar në një mbledhje shumë të rëndësishme të shtabit studentor me një delegacion të Ramiz Alisë në datën 10 dhjetor në mbrëmje. Mua më kishin ftuar Azem Hajdari dhe Shenasi Rama. Berishën e kishte ftuar Azemi gjithashtu. Në korridorin e godinës ku ishte lënë të zhvillohej mbledhja mbërritëm pothuajse në një kohë. U takuam përzemërsisht, pa habi, si të ishim marrë vesh me kohë për t’u takuar në atë start apo udhëkryq të historisë së re. Njiheshim prej disa vitesh. Unë e kam mbështetur atë për t’u bërë kryetar i PD-së. Momenti i parë i thyerjes erdhi kur ai më kërkoi të shkarkoja F. Çupin pas një interviste që ky i fundit i kishte dhënë një gazetari nga Kosova për gazetën “Koha jonë”. Ka qenë fillimi i muajit gusht 1991, Çupi punonte drejtor i QNK-së, Berisha ishte lënduar jo pa të drejtë, por unë kisha disa arsye etike për të refuzuar kërkesën e tij. Folëm në telefon shumë gjatë dhe si përfundim, më tha ndershmërisht se nuk do të kisha më mbështetjen e tij. Pastaj erdhi Kuvendi i parë i PD-së, ai u ngrit nga llozha dhe erdhi në foltore për të replikuar me mua, e kështu me radhë.

“Fillimet që jetuam gjatë” shkruani diku. A vazhdojnë akoma fillimet?

Shqipëria është sot përpara përfytyrimeve që kam patur unë dhe miqtë e mi të ngushtë në dhjetor të vitit 1990 për të ardhmen e saj pas njëzet vjetësh, fjala vjen. Por disa gjëra kanë mbetur siç kanë qenë ose janë përkeqësuar. Manipulimi i zgjedhjeve është akoma problem i madh në tapet, nëna e gjithë të këqijave, që na ka privuar nga shija e të jetuarit në atë që duhet të jetë mrekullia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa të cilat nuk ia vlen të jetohet, siç ka thënë Izajak Berlin. Po na shkon jeta pa i jetuar. Tjetër! Është e njëjta gjuhë e ashpër e politikanëve në tribuna dhe ekrane, e njëjta mungesë e lëmimit dhe etikës së përsosur nëpër shekuj që do të lejonte bisedën, e njëjta traditë për t’u ujitur si lule të zeza në saksi të zeza me lajmet e këqija për kundërshtarin politik edhe kur lajmet janë shpifje, e njëjta pamundësi për t’u shprehur me respekt për kundërshtarin, për të kërkuar kompromis në emër të së mirës së përbashkët apo thjesht për të biseduar me të pa bindjen e brendshme se kundërshtari është një mashtrues cinik, e njëjta mungesë totale e përpjekjes për të kuptuar arsyet e tij dhe për të gjetur diçka të pranueshme në to, por vetëm tentativë për ta asgjësuar atë, e njëjta mosmarrëveshje për tema dhe çështje që nuk e përligjin mosmarrëveshjen, i njëjti acar, e njëjta ndërprerje e komunikimit dhe bashkëpunimit, e njëjta tërheqje në llogoret dhe bunkerët e konfliktualitetit dhe luftës së ftohtë, të njëjtat tema në shqyrtim, të njëjtat trajtime, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa që gjuha nuk ka fuqi t’i shprehë, të njëjtat fytyra të klonuara të padijes, dinakërisë dhe lëbyrjes, që duket qartë se kanë bërë e po bëjnë lekë me këtë zanat, e njëjta vështirësi për të pranuar ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e fushës së veprimit të politikës, e njëjta histori me të shkuarën që nuk mbetet asnjëherë prapa por u del kurdoherë përpara aktorëve politikë të radhës… A nuk është kështu? Kemi bërë zgjedhje të mira në vitin 2013, kemi patur një rotacion normal të pushtetit, por sot, një vit pas ardhjes në pushtet të koalicionit Rama-Meta, shumica dhe opozita janë në krizën më të rëndë të komunikimit dhe bashkëpunimit. Sërish e sërish, siç ka ndodhur gjatë 23 viteve të hapjes dhe siç ka pas ndodhur edhe më parë në komunizëm dhe në parakomunizëm, tradita e klaneve, kioskave dhe bajraqeve politike vazhdon ta mundë përpjekjen për një shoqëri të hapur e të drejtë, politika në plan të parë vazhdon ta mundë lirinë në plan të parë, sundimi i parisë vazhdon ta mundë sundimin e ligjit, sektarja vazhdon ta mundë liberalen, partishmëria vazhdon ta mundë intelektualen…

A ka zgjidhje, a ka rrugëdalje, sipas jush? Ç’duhet të bëjnë intelektualët?

Duke referuar një situate të përafërt në Poloninë e tij dhe duke shtruar të njëjtën pyetje, eseisti i madh polak Adam Michnik ka përdorur një përgjigje, që meriton të ripërdoret e “të vidhet”. “Me ç’duket, në situatën e sotme inteligjenca ka tri rrugë për të zgjedhur: bashkëfajësinë, frikën ose sakrificën. Ekziston ndoshta edhe një rrugë e katërt: të mos tradhtohet disiplina shpirtërore individuale në momentet më të vështira dhe nën kurrfarë presioni. A mund ta ndihmojmë njëfarësoj botën? Sikur ta dija se nuk mundemi, do t’i kisha dorëzuar armët dhe do të trishtohesha, por ja që e ndjej se ka ende për të fituar apo humbur”.

Ka ende për të fituar apo humbur…

LAN-i vendos ta kryejë vet punën me Gjykatën Kushtetuese

0

Blloku VVLDK-ja, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, si partnerë të koalicionit, kanë vendosur që vet ta kryejnë punën me Gjykatën Kushtetues, pasi presidentja refuzoi edhe kërkesën e tyre që të kërkojë sqarim për pikën 127 në këtë gjykatë.

Në emër të të gjithë deputetëve të bllokut, LAN-i do ta kërkojë sqarimin e Kushtetueses për pikën 127 për hapat e mëtejmë që duhet ndërmarrë për të dalë nga ngërçi politik, raporton KTV.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishi, ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë këtyre ditëve dhe se tani Kushtetuesja ka material të bollshëm për të marrë parasysh kërkesën e tyre.

Dëshpërues e ka vlerësuar refuzimin e presidentes, deputetja Donika Kada-Bujupi. Ajo, në rrjetin social Facebook, ka shkruar se presidentja nuk respektoi vendimin e shumicës.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pas refuzimit për të kërkuar sqarime nga Kushtetuesja, ka kthyer sërish topin te liderët që, sipas saj, janë përgjegjës për të dalë nga kriza, transmeton Koha.net.

Ajo e ka vlerësuar si të domosdoshëm një takim të përbashkët të liderëve të partive politike, që të gjejnë një zgjidhje brenda vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës së Kosovës.

Rahoveci në kërkim të qendrës së vjetër të qytetit

0

rahoveci vjeterKa së paku nja gjashtë dekada që Shatërvani gjëllin veç në kujtesën e qytetarëve të moçëm a në ndonjë foto të kahershme. E bashkë me të edhe qendra e vjetër e qytetit të Rahovecit, prej së cilës pak ka mbetur.

Por autoritetet komunale ia kanë mësyrë që t’ia rikthejnë pamjen e dikurshme. Hapat e parë tashmë janë hedhur me projektin për ta jetësuar këtë nismë.

Pjesa juglindore e këtij qyteti do të bëhet njashtu siç ka qenë e Komuna ka hartuar projektin e hollësishëm rregullues. Është pagëzuar “Qendra e vjetër e qytetit”.

Ideja është që të ruhen themelet e vjetra të qytetit, pjesë e trashëgimisë kulturore. Disa nga objektet e rrënuara me apo pa qëllim do të rikthehen ku kanë qenë./KD/

Arrestohet prizrenasi që dha veturën e huaj për borxh

0

arrestimi 2Një mashtrim i komplikuar ka ndodhur në Prizren, kur një person ia ka marrë makinën një qytetari tjetër, dhe të njëjtën e ka dhënë për një borxh me vlerë 3 fish më të ultë.

Viktima ka dhënë edhe 1500 euro për të rikthyer veturën e tij. Polica raporton se ka arrestuar të dyshuarin.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti ka marr në shfrytëzim me autorizim nga viktima mashkull shtetas turk veturën BMW në vlerë prej 12.000 euro. I dyshuari për shkak të një borxhi të tij prej 4000 euro i ka dhënë veturën një personi tjetër në Prishtinë”, njofton Policia, përcjell koha.net. “Viktima me datën 23.10.2014 i ka dhënë me kontratë të përpiluar te noteri edhe 1500 euro e qëllim që automjeti t’i kthehet. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”.

Vetura godet një këmbësor në Prizren

0

Aksident shiritatNjë veturë ka goditur një këmbësor në rrugën “Joni” në Prizren. Policia e Kosovës njofton se viktima ka marrë lëndime të rënda trupore dhe se është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.

“Raportohet se i dyshuari mashkull K-Shqiptar duke lëvizur me veturën ‘Audi A-6’ me targa lokale nga pakujdesi dhe mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës ka goditur këmbësorin-viktimën mashkull K-Shqiptar”.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor”, njofton Policia e Kosovës./PrizrenPress.com/

VV në Prizren: Shumica parlamentare është ajo që duhet ta zgjedhë Kryetarin e Kuvendit

0

visari ne pzLëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot tubim me qytetarët e Prizrenit, për të diskutuar bashkë me ta zgjidhjen për ndryshimin e situatës aktuale në Kosovë. Në këtë tubim ishin të pranishëm deputetët Visar Ymeri dhe Mytaher Haskuka, si dhe Koordinatori i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Prizren, Jeton Jagxhiu.

Deputeti Visar Ymeri tha në këtë tubim se partia që ka fituar më shumë vota në zgjedhje nuk po mund ta formojë Qeverinë, ndërkohë që po tenton ta mbajë të bllokuar shtetin përmes kapjes që ia ka bërë tashmë. “Po tentohet të krijohet një situatë e mjegulluar, dhe po tentohet të bindet qytetari që në këtë situatë nuk ka rrugëdalje. Situata është shumë e thjeshtë: Janë katër subjekte në njërën anë që i kanë 63 deputetë, shumicën absolute të Kuvendit, dhe në anën tjetër e kemi një subjekt të vetëm me 37 deputetë që përmes kapjes së shtetit, kapjes së Gjykatës Kushtetuese, po e mbajnë të bllokuar shtetin. Shumica në Kuvend e ka mundësinë, të drejtën dhe detyrën për t’i themeluar institucionet. Kjo është e vërteta, që rrallë po del nëpër media”, tha Ymeri, duke shtuar se VETËVENDOSJE! mban qëndrimin se duhet të vazhdojmë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e më pas t’i hapim rrugë formimit të Qeverisë.

Qytetarët ishin të interesuar që të dijnë më shumë për mënyrën e thirrjes së seancës konstituive, ngase ata tashmë janë të bindur se PDK-ja bashkë me Presidenten dhe Gjykatën Kushtetuese kanë bërë që Kuvendi të bllokohet e të mos konstituohet ende. Lidhur me këtë çështje, deputeti Ymeri shpjegoi në detaje të drejtën e deputetëve për ta zgjedhur Kryetarin e tyre. Kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve. E siç e dimë, shumica e deputetëve nuk është në anën e PDK-së që po bllokon, por në anën e subjekteve tjera që tashmë kanë marrëveshje të përbashkët të parimeve, të nënshkruar më 10 shtator të këtij viti. Ndërkaq, lidhur me çështjen e ngritur nga qytetarët se nëse partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje do të heqin dorë nga pozita e Kryeparlamentarit, Ymeri tha se një çështje e tillë nuk është diskutuar asnjëherë në takimet mes përfaqësuesve të LAN-it dhe VETËVENDOSJE!-s, dhe se partitë nënshkruese të marrëveshjes mbajnë qëndrimin e përbashkët për të mos lëshuar pe karshi PDK-së.

Njëri nga qytetarët e pranishëm në këtë tubim, tha se kemi një kryesuese të rastësishme të Kuvendit, për shkak të moshës që ka. “Nuk mund të kemi ligjshmëri e kushtetueshmëri përderisa një kryesuese ceremoniale që e mbanë atë pozitë për shkak të moshës, e bllokon Kuvendin duke thënë se e thërras seancën konstituive vetëm nëse partitë merren vesh. Nga po e merr kjo këtë të drejtë?”, pyeti ai. “Ju si VETËVENDOSJE!, bashkë me subjektet e LAN-it, duhet të insistoni në të drejtën tuaj, ngase jeni shumicë, duke e respektuar ligjin dhe rregulloren e Kuvendit, duke e shqyrtuar mundësinë edhe për shkarkimin e saj meqë nuk po e kryen punën që i takon”, u shpreh ai. Në këtë tubim ndër të tjera u fol edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast qytetarët thanë se duhet pasur guxim dhe vullnet nga ana e të gjitha subjekteve që janë përfshirë në marrëveshje, për ta kundërshtuar e për të mos e pranuar këtë vendim. Ata theksuan faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është në përputhje me parimet bazë të Kushtetuesës, pasi që po e pezullon pa të drejtë mandatin e deputetit deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Përderisa Qeveria në ikje po vazhdon që të marrë vendime, e në anën tjetër ka bllokuar të gjitha institucionet tjera, veçanërisht Kuvendin, e keqja është edhe më e madhe. Gjendja ekonomike dhe sociale po vazhdon të rëndohet edhe më shumë në vend. Prandaj, është e domosdoshmë rrëzimi i kësaj qeverie, ndryshimi thelbësor i politikave ekonomike dhe sociale, ashtu që ta vendosim Kosovën në binarët e duhur. Qeveria e re e Republikës së Kosovës do të ishte qeveri që do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik, dhe do t’ia niste seriozisht luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.