18.7 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025
Home Blog Page 7475

Kurti: Gjykata Kushtetuese nuk është as gjykatë as kushtetuese

0

AlbinKurti1205Kurti është shprehur optimist se marrëveshja me LAN-in, e cila thotë se u arrit pa ndërmjetësues, nuk do të shkelet. Ai ka folur për ndikimin që kreu i PDK-së Hashim Thaçi ka ndaj deputeteve të partisë së tij.

“Duhet pasur parasysh një gjë, në momentin që të ketë çlirim nga qeverisja e PDK-së, automatikisht do të ndodhë një çlirim i deputetit. Kur nuk është Thaçi mbi kokë, deputeti doemos do të jetë më shumë vetja e tij”, ka thënë Kurti, në një intervistë për revistën “Sheshi” nga Gjilani.

Ai ka thënë se kapja e shtetit nga ana e PDK-së nuk është aq e butë. Ka treguar idenë e VV-së për qeverisjen.

“Vetëvendosje e ka dhënë propozimin 2+2. Dy vjet, në mënyrë që ministrat të mos relaksohen duke besuar se kanë kohë mjaft para tyre por edhe që dikush të mos mendojë se kjo qeverisje i ka vetëm tre muaj. Ndërkaq +2 vjet, në mënyrë që, nëse qeverisja ka sjellë rezultate në ‘çkapjen’ e shtetit, nuk ka arsye për të mos vazhduar”.

Kur ka folur për Gjykatën Kushtetuese, Kurti ka thënë se ajo nuk është as gjykatë e as kushtetuese.

Përveç politikës, kreu i Vetëvendosjes në këtë intervistë flet edhe për ndikimin që ka pasur filozofia në ndërtimin e karrierës së tij politike. Ka treguar edhe për flokët e gjata që i mbante dikur.

 

Z. Kurti, keni arritur marrëveshjen e shumëpritur me koalicionin. Ka pasur deri më sot shumë rezistencë ndaj kushteve të parashtruara nga Lëvizja Vetëvendosje. A mendoni se marrëveshja e arritur do të respektohet dhe se nuk do të ketë devijim nga kushtet që i keni parashtruar ju?

Ne jemi optimistë se marrëveshja nuk do të shkelet. Këto bisedime u zhvilluan pa ndërmjetësues dhe marrëveshja u lidh pa ndërmjetësues. Por, çdo lloj shkelje të marrëveshjes së lidhur ne do ta konsiderojmë prishje të saj dhe nuk do të jemi obligues ndaj LAN-it. Nëse do të ketë shkelje, devijimi do të jetë i palës që e bën shkeljen. Në këtë rast, trysnia e brendshme politike dhe trysnia e jashtme qytetare do të duhej të drejtohej mbi shkelësit e marrëveshjes e jo mbi konsistencën e Vetëvendosjes në qëndrimet e saj.

Kur flisni për trysninë e brendshme politike, në kënd po llogarisni?
Ka pasur një zhvillim interesant i cili ofron bazë për optimizëm. Unë e di që secila degë e LDK-së ka qenë që kjo parti të bëjë marrëveshje me Vetëvendosjen. Ngjashëm është edhe me partitë e tjera.

A do të thoni se tani e tutje në Parlament deputetët do të jenë deputetë e jo pjesëtarë të partisë përkatëse politike?
Duhet pasur parasysh një gjë, në momentin që të ketë çlirim nga qeverisja e PDK-së, automatikisht do të ndodhë një çlirim i deputetit. Kur nuk është Thaçi mbi kokë, deputeti doemos do të jetë më shumë vetja e tij. Ju kujtohen trysnitë mbi deputetët lidhur me Ligjin mbi Amnistinë, ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Shumica e deputetëve nuk kanë qenë për nënshkrimin e tyre, ndërsa shumica tani janë për nënshkrimin e marrëveshjes me VV. Ka pasur një kapërcim të madh prej mendimit autonom dhe deklarimit të tyre publik. Ky hendek është rezultat i trysnisë politike qeverisëse dhe do të mbetet i tillë. Në marrëveshjen për ratifikim, me të vërtetë i kanë pasur 84 vota, por realisht kanë qenë vetëm 7 nga grupi parlamentar i LDK-së.

Po supozojmë se do të kishte zgjedhje të reja? Çka do të ndodhë atëherë, si do të garoni dhe çfarë rezultatesh do të prisni? A mund të shkojnë zgjedhjet e reja në dëm të Lëvizjes Vetëvendosje?
Dy instanca në shtetin e Kosovës janë forcuar së tepërmi në llogari të demokracisë – Presidentja dhe Gjykata Kushtetuese. E kemi një presidente e cila u bë e njohur me rastin e bërjes presidente, dhe e cila erdhi si rezultat i një marrëveshjeje jokushtetuese dhe joinstitucionale (e cila gjithashtu nuk u respektua). Po ashtu, e kemi një presidente e cila ka shkuar në organizimin partiak të PDK-së, duke treguar qartazi me atë shkuarje e edhe me qëndrimet e saj të fundit se nuk është aspak e paanshme. Dhe kemi një Gjykatë Kushtetuese kreu i së cilës është tepër cinik për të qenë gjykatës, e bile tepër cinik për të qenë edhe politikan. Gjykata Kushtetuese nuk është as gjykatë e as kushtetuese.

Por, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, nëse do të kishte zgjedhje, ne do t’i hapim degët tona për njerëz të rinj, për sindikatat e ndryshme. 3/4 e propozimeve vijnë nga qendrat e VV-së ndërsa 1/4 e bëj unë si kryetar. Kriteri për t’u votuar nga propozimet e kryetarit në Këshill të Përgjithshëm është me votë të fshehtë për secilin person, pra kemi kriter më rigoroz pikërisht për propozimet e kryetarit. Dhe, Vetëvendosje do të garojë vetë.

A do të mund t’i paragjykoni rezultatet?
Sa i përket votave, janë dy faktorë kryesorë: i pari është koncepti i programit. Aty Vetëvendosje është e qartë, por edhe është shumë e ndryshme. E dyta është besueshmëria në listën e njerëzve. Nuk mund ta paragjykoj se çka do të bëjë votuesi, por unë e di që do të ketë një listë më të reduktuar të përzgjedhjes së partive, e që është reduktim progresiv. LAN-i do të garojë bashkë kurse AKR-ja do t’i bashkohet dikujt (ndoshta PDK-së). Përmasa e pluralizmit partiak në Kosovë ka një dozë të caktuar të falsitetit, të përsëritjes, ka redundancë. Ky reduktim është progresiv.

Sa mendoni se do të zgjasë qeveria e re e dalë nga koalicioni?
Vetëvendosje e ka dhënë propozimin 2+2. Dy vjet, në mënyrë që ministrat të mos relaksohen duke besuar se kanë kohë mjaft para tyre por edhe që dikush të mos mendojë se kjo qeverisje i ka vetëm tre muaj. Ndërkaq +2 vjet, në mënyrë që, nëse qeverisja ka sjellë rezultate në “çkapjen” e shtetit, nuk ka arsye për të mos vazhduar.
Kapja e shtetit nuk është aq e butë. Duhet ta kemi parasysh që edhe kur të vijmë në pushtet, PDK do t’i ketë paratë e realizuara përmes korrupsionit e krimit. Pra ndikimi tek mediat do të vazhdojë edhe një kohë, po ashtu në prokurori e organe të tjera. Pra, PDK do të jetë opozitë vetëm në Parlament por jo edhe në institucione.
Pra, do të na duhet kohë për të çliruar shtetin nga kapja që i është bërë. Kur ta kemi çkapur, atëherë do të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Me LDK-në, AAK-në dhe Nismën, me të vërtetë garuam në zgjedhje të 8 qershorit por aty ne garonim me një shtet të tërë të kapur PDK-ja.

Nëse nuk keni sukses, si mendoni se do të reagojnë qytetarët?
Qytetarët ndaj nesh do të jenë shumë më pak të durueshëm. Neve nuk na frikësohen si PDK-së. Durimi ndaj nesh do të jetë më i vogël.

Nga ku do ta filloni ta çlironi shtetin?
Ekspertët tanë do të ulen me ata të LAN-it dhe do ta hartojnë një plan dhe program qeverisës. Çështja e buxheteve të resoreve është mbase edhe më e rëndësishme se resoret. Konkretisht, se sa do të jetë e suksesshme, ta zëmë, Ministria e Bujqësisë, nuk varet vetëm nga ajo se cila parti e ka atë, por nga buxheti i alokuar. Pra, përcaktimi i resoreve dhe buxheteve është diçka që do të diskutohet pas ditës së premte e jo më herët.

A keni menduar atëherë se do të arrinit në këtë pikë ku jeni sot duke bërë ende përpjekje për të zgjidhur problemet e shumta?
Nuk i kam menduar as njërën dhe as tjetrën. Bile nuk kam menduar se do të përfundoj në politikë për shkak se angazhimin tim politik e kam konsideruar si çështje të një periudhe të rëndësishme në historinë e Kosovës – në atë kohë bëhej fjalë për çlirimin e vendit. Kam menduar që në momentin që kjo të përfundojë, unë do të merresha me profesionin tim. Atëherë isha student i Elektroteknikës, në thelb matematikan, i interesuar në veçanti për teorinë më shumë se për praktikën në shkencë. Kam pritur që angazhimi i im në politikë do të përfundojë atëherë kur do të përfundonin përpjekjet kolektive për çlirim, natyrisht nëse unë do të mbijetoja.
Nuk e di nëse do të kishte ndodhur kështu, nëse do të isha ku jam sot, po të mos isha arrestuar në vitin 1999. Por, në burg e kam kuptuar që në Kosovë ende nuk është realizuar ajo që kishim synuar, dhe kjo ka ndikuar që unë të mendoj për situatën politike vazhdimisht. Po ashtu, kanë ndikuar shumë leximet e mia në burg – kam lexuar më shumë shkenca shoqërore: shkenca politike, sociologji, filozofi politike, mandej edhe letërsi. Pra, krejt këto preokupime me aspektet shkencore dhe artistike të jetës dhe shoqërisë, ku në njëfarë mënyre politika është në të dyja dhe në asnjërën, kanë ndikuar që interesimi im për politikën dhe angazhimi politik të mos përfundojnë.

Po të isha i lirë qysh më 1999 natyrisht që do të isha përballur me situatën objektive të qëllimit të paarritur, që do të ishte një shtysë për t’u marrë me politikë, por në liri në Kosovë nuk do ta kisha leximin e burgut. Nuk jam i sigurt nëse do të kisha lexuar psikologji, filozofi, letërsi. Besoj se do t’i isha kthyer profesionit të inxhinierit të elektroteknikës.

A ju ka bërë filozofia politikan?
Me siguri ka ndikuar filozofia, edhe pse më duhet të them se unë edhe përpara burgut kam lexuar filozofi por jo me atë intensitet. Në filozofi më ka dërguar matematika, saktësia e së cilës gati ta bën edhe të vërtetën të panevojshme. Urëkalimi im drejt filozofisë politike ka qenë filozofia analitike, atomizmi logjik. E pastaj kanë ardhur rrymat e tjera të filozofisë dhe historia e filozofisë, sociologjia, psikologjia, shkencat politike e kështu me radhë. Filozofia politike nuk është e vetëmjaftueshme. Mirëpo ura lidhëse për mua ishte filozofia analitike, sidomos Bertrand Russell, Gottlob Frege etj.

A duhet të jesh pak filozof për të qenë politikan i mirë?
Pak ma shumë se pak.

A janë filozofë politikanët me të cilët ju rrini në tavolinë?
Nuk e di.

Në debatet tua televizive shpesh përdorni zhargon filozofik të cilin nuk e kemi dëgjuar nga politikanët e tjerë. Pse? A e bëni këtë për shkak se është fusha në të cilën atë mund të mos jenë aq të fortë apo për shkak se ajo që e mendoni bëhet më lehtë e kuptueshme duke përdorur zhargonin filozofik?

Për një politikë cilësore filozofia politike është e nevojshme. Nuk ka politikë cilësore pa filozofi politike. Por, të shprehurit tim përmes zhargonit të filozofisë politike ose elementeve teorike të diskursit të VETËVENDOSJE-s, po e pranoj për herë të parë, mund të jetë simptomë e traumave të mia prej debateve që i kam humbur brenda Lëvizjes Vetëvendosje me njerëzit aty të cilët diskutojnë.
Në Vetëvendosje, në njërën anë, ka një dimension eklektik që vjen pikërisht prej faktit se nuk jemi dogmatik, por edhe prej njëfarë papërcaktueshmërie në kuptimin filozofik. Dhe, në anën tjetër, vjen prej domosdoshmërisë së filozofisë. Filozofia për ne në Vetëvendosje është e domosdoshme.

Unë mund të them që si politikan në Kosovë jam ndër politikanët që kanë humbur më së paku beteja të jashtme me të tjerët dhe më se shumti beteja të brendshme në Lëvizjen tonë. Shumica dërrmuese e betejave të mia të humbura janë brenda Vetëvendosjes. Mendoj që këtu dalloj prej politikanëve të tjerë të cilët kanë shumë debate të jashtme të humbura, sidomos me njerëzit e Vetëvendosjes.

Po e lëmë politikën aktuale dhe po kthehemi te vitet 97-98. Keni pasur flokë të gjata atëherë. Pse i keni mbajtur të gjata, çfarë keni dashur të shprehni?

Unë jam fëmijë i viteve të ’80-ta, pra jo i internetit e Red Bullit por i televizorit dhe Coca-Colas, jo fëmijë i doënlodimit ilegal përmes Torrent-ave, por i kasetave VHS.

Në vitet ’80-të, përveç leximeve edhe të detyrueshme nga shkolla edhe të dëshirueshme për mua, muzika dhe filmat që i kam dëgjuar e shikuar kanë qenë me një shije artistike jo fort të zakonshme për moshën time. Nuk kam qenë i përshtatur me rrethin dhe gjithnjë kam besuar se ka diçka tjetër më të mirë sesa ai realitet që kishim. Për shembull, ndonëse Madonna ka qenë tejet e famshme dhe e preferuar në atë kohë, unë e kam dëgjuar Kate Bush. Dhe, jo dikë si Bon Jovi por Depeche Mode.

Në fund të viteve ’80-ta e në fillim të ’90-tave, ka pasur një dyzim interesant. Kanë qenë ata që kanë pëlqyer The Beatles dhe ata që kanë pëlqyer Rolling Stones. Ose, ishte e rëndësishme a ke qenë me Deep Purple apo me Led Zeppelin. Mua më kanë pëlqyer më shumë The Beatles e Led Zeppelin sesa Rolling Stones e Deep Purple.

Ca më vonë ka pasur një ndarje të re, me Nirvanën apo me Pearl Jam, dhe unë kam qenë me këta të fundit. Kjo ka qenë periudha “grunge”, për të cilën s’kam më simpati e nostalgji. Pra, asokohe ka qenë shumë e rëndësishme me kënd je. Shijet të poziciononin. Tamam ashtu qysh thotë sociologu i njohur francez Pierre Bourdieu: klasifikimi i klasifikon klasifikuesit.

Në vitin ’97 unë nuk kam qenë më grunge dhe mendoja t’i pres flokët. Por, protestat më 1 tetor më zunë me flokë të gjatë ashtu kot. Pra, pyetja e vërtetë në këtë rast do të duhej të ishte “pse nuk i ke prerë flokët e jo pse i mbaje të gjata”.

Gjatë kohës së protestave të studentëve unë isha shumë lehtë i identifikueshëm nga policia për shkak të flokëve të gjata, dhe njerëzit më sugjeronin t’i pres flokët. Por, prerja e flokëve pasi veç ato u bënë shenja dalluese e imja, më dukej si shfaqje e frikës dhe e dorëzimit. Ndonëse flokët e gjatë disi funksionojnë si fshehje e fytyrës, flokët e gjatë në atë kohë ishin bërë fytyra ime dhe unë nuk mund ta fshihja atë.

Flokët m’i kanë prerë të nesërmen pasi më kanë arrestuar në vitin 1999, më 28 prill. Kjo datë ka qenë përvjetori i 25-të i martesës së prindërve të mi. Në burg m’i prenë flokët duke menduar se përveç dhembjeve fizike që m’i kishin shkaktuar me të rrahura, po ma shkaktonin edhe një dhimbje të re shpirtërore. Në fakt, me prerjen e flokëve ata veç më shpëtuan ngase në burg flokët e gjatë janë armiku i brendshëm i njeriut për shkak të problemeve me higjienë.
Gjyshja ime me thoshte “ta marrshin të keqen”. Kjo edhe ka ndodhur.

Nëse nuk i dëgjon më as Led Zeppelin, as Depeche Mode, as Pearl Jam, çfarë dëgjon atëherë?

Nuk kam ndonjë autor ose zhanër të preferuar më. Shijet e mija artistike, për dallim prej bindjeve të mija politike, kanë ndryshuar vazhdimisht.

Sot interesohem të dëgjoj diçka aktuale, diçka që prodhohet e krijohet tash dhe ka njëfarë vlere artistike, përkundër ambientit edhe të egër edhe sipërfaqësor. Për shembull, dëgjoj një këngëtare të re, Sharon van Etten, dhe nja dy bende rock, Ëild Beasts dhe Arcade Fire. Përndryshe, dëgjoj shumëçka, prej Ravellit e deri tek Bill Evans.
Kohë të lirë gati që s’kam por nuk rri kot asnjëherë dhe arrij të lexoj filozofi e letërsi. Por, nëse dikush mundohet ta kuptoj aktualitetin tim përmes asaj që lexoj a dëgjoj, them që aktualiteti im nuk është ndonjë udhërrëfyes për karakterin tim.

Çka i tërheq të rinjtë e shumtë që vijnë tek Vetëvendosja pa kurrfarë presioni? A ndodh këtu ndonjë lloj edukimi?

Ne, në fakt, edhe zyrtarisht jemi njëfarë shkolle politike. Pra, po, ka shkollim e edukim. Por, besoj që disa prej njerëzve vijnë në Vetëvendosje për shkak të konceptit dhe frymës sonë, e produkt i kësaj është Alternativa Qeverisëse. Disa për shkak të aksioneve dhe vullnetit – vijnë për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në to. E disa edhe nga hallet e zemërimi me mjerimin socio-politik dhe mungesën e perspektivës.

Në Vetëvendosje kemi diçka që nuk e ka asnjë subjekt tjetër politik – njëfarë barazie jofromale brenda nesh. Ka plot zona në Vetëvendosje ku jemi të barabartë, duke filluar nga qasja tek udhëheqjet, votimet një anëtar një votë, forumet e diskutimeve e deri te bufeja e përbashkët. Pra, nuk jemi vetëm organizatë politike e strukturuar me hierarki por jemi edhe komunitet i qytetarëve të Republikës që janë bërë bashkë për ndryshime.

Çka do të kishit ndryshuar në sistemin arsimor?
Po kufizohem në dy gjëra themelore. E para – arsimi duhet të lidhet me ekonominë dhe ekonomia me arsimin. Kjo nuk ekziston dhe duhet të ndodhë patjetër. E dyta – është e rëndësishme ta kemi një sistem arsimor ku prirjet evidente të nxënësve ushqehen kurse ato latente zbulohen. Pra, duhet të jetë një sistem arsimor i cili ua zbulon talentin nxënësve dhe njëherësh e ushqen atë kur ai të jetë zbuluar.

Grupi 6+ nuk merr pjesë në seancë

0

Mahir Jagcilar-6plusKryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Jagxhillar, ka thënë se nuk beson se Grupi Parlamentar 6+ do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, e cila është thirrur nga partitë e bllokut.

Ai i ka thënë “Epokës së re” se vazhdimi i seancës konstituive, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të thirrej nga kryesuesja Flora Brovina.

“Ne e mbrojmë qëndrimin se seanca duhej të thirret, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nga ana e kryesueses. Bazuar në këtë nuk besoj se do të jemi pjesëmarrës”, ka deklaruar Jagxhillar.

AGK mirëpret vlerësimet e Raportit të Progresit për lirinë e shprehjes

0

AGPK-logoAsociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur vlerësimet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, në fushën e medies dhe shpreh shqetësim për lirinë e medies në vend dhe kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë.

Bazuar në të dhënat e prezantuara, Asociacioni i Gazetarëve kundërshton çdo lloj presioni mbi gazetarët përderisa shpreh bindjen se ndërhyrja politike në punën e gazetarëve dhe cenimi i fjalës së lirë është kundër interesave shoqërore.

Të vetëdijshëm se liria e shprehjes dhe e medies është një prej vlerave më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, udhëheqja e re e AGK-së, siç përmendet edhe në Raportin e Progresit, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe krijimin e një ambienti të sigurt për punë sa më profesionale. /PrizrenPress.com/

Presidentja nuk propozon zgjidhje

0

Jahjaga14-23Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga asnjëherë s’ka ofruar zgjidhje për bllokadën institucionale në të cilën ka hyrë Kosova, ka thënë këshilltarja e Jahjagës, Gentiana Kraja.

Kraja ka thënë se u takon partive politike që të gjejnë zgjidhje.

Sipas saj qasja e Jahjagës ndaj këtij procesi kritik politik, si faktor i stabilitetit dhe unitetit, është konform kushtetutës dhe ligjeve.

“Presidentja në asnjë moment nuk ka propozuar zgjidhje. Në fund të fundit, partitë politike janë përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjes”, tha Kraja në emisionin `Info Magazinë`, të Klan Kosovës.

Sipas saj, e para e vendit i ka ftuar partitë që të ulen në tavolinë, në mënyrë që vetë të gjejnë zgjidhje për ngërçin politik.

Zbogar: Kosova në rrugë pa krye

0

Zhbogar6-13Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se vendi ynë tashmë është në rrugë pa krye derisa elita politike nuk po ka gatishmëri për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj çështje.

Zbogar i ka bërë këto komente pas publikimit të raportit të progresit për vendin tonë ku e ka komentuar edhe situatën politike në vend.

“Katër muaj pas zgjedhjeve të suksesshme, vendi është në rrugë pa krye. Shihet stagnim i qartë në mundësinë apo gatishmërinë e elitës politike për të zgjidhur problemet. Kosova tashmë po ndjen pasojat e vonesës në formimin e institucioneve dhe ekziston një numër i madh çështjesh në të cilat ka për të punuar Kuvendi dhe Qeveria. Pra, duke paraqitur këtë raport dhe progresin e vitit të kaluar, apeloj te liderët tuaj që të vënë në rend të parë interesat e Kosovës dhe qytetarët e saj dhe të gjejnë një rrugë përpara”, tha ai.

Zbogar, ka folur edhe për gjendjen ekonomike e sociale në vend, ku ka thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë një jetë më të mirë e cila sipas tij mund të bëhet duke e zvogëluar papunësinë dhe duke i zhvilluar reformat ekonomike.

“Qytetarët e Kosovës presin dhe meritojnë një jetë më të mirë dhe një përmirësim të gjendjes ekonomike. Qeveria e re ka nevojë për riaktivizim të reformave të Kosovës. Ajo duhet të përqendrohet në një sërë reformash gjithëpërfshirëse. Midis tyre, prioritet janë reformat ekonomike strukturore për të zvogëluar papunësinë. Reformat duhet të përfshijnë edhe reformën zgjedhore dhe reformën e administratës publike”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Zbogar ka folur edhe për arritjet që Kosova i ka shënuar për vitin 2013.

Sipas tij, ndër arritjet e Kosovës gjatë këtij viti është nisja e MSA-së, zgjedhjet e drejta dhe transparente, progresi në liberalizimin e vizave, sundimi i ligjit duke e përfshirë edhe gjykatën speciale dhe bashkëpunimin e mirë me EULEX-in si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. /Telegrafi/

Vdes aktori i “keq” i James Bondit

0

James BonditAktori, valltari dhe koreografi i njohur gjithandej botës si Baron Samed në filmin “Live and let die”, ka vdekur nga një komplikim në mushkëri, ka njoftuar familja e tij.

Aktori Geoffrey Holde i njohur në filmin e James Bondit “Live and let die”, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.
Aktori, valltari dhe koreografi i njohur gjithandej botës si Baron Samed në filmin “Live and let die”, ka vdekur nga një komplikim në mushkëri, ka njoftuar familja e tij.

Holde ka lindur në Trinidad dhe Tobago, ndërsa më ës shumti njihet me rolin negativ në filmin e James Bondit me Roger Moore.

Gjithashtu ka luajtur në filmat “Annie” (1982), “Boomerang” (1992), etj. Është shpërblyer dy herë me çmimin Tony për pjesën “The Wiz” në Brodway, ndërsa së fundmi ishte narrator në filmin “Çarlli dhe fabiuka e çokollatës”. / KultPlus.com

Kushtetueses mund t’i dërgohen edhe dy lëndë tjera për ngërçin. Ja cilat janë ato

0

GjykataKushtetuese e KosovesGjykata Kushtetuese mund të trajtojë edhe dy çështje që kanë të bëjnë me ngërçin aktual politik. Njërën pyetje atje mund ta dërgojë Blloku për të sqaruar se çfarë ndodhë nëse PDK nuk mund ta zgjedhë Kryeparlamentarin, ndërsa Presidentja mund të dërgojë pyetje për të kërkuar sqarime për zgjedhjet, në rast se nuk konstituohet Kuvendi.

Pos çështjes së mandatarit për formimin e Qeverisë dhe ankesës së PDK’së për çështjen e kushtetutshmërisë së seancës së 17 Korrikut, Gjykata mund të trajtojë edhe dy lëndë që kanë të bëjnë me formimin e institucioneve respektivisht ngërçin aktual politik,shkruan Express.

Gazeta Express merr vesh se Blloku pritet ta dërgojë në Gjykatën më të lartë në vend pyetjen se çfarë ndodhë nëse PDK dështon të zgjedhë Kryeparlamentarin, si parti e cila ka të drejtën e nominimit për këtë post. Ndërsa Presidentja mund të dërgojë atje kërkesën për sqarime se kur mund të shkojë vendi në zgjedhje, në rast të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Nuk dihet nëse këto dy pyetje që eventualisht do të mund të dërgoheshin në Gjykatë, do të mund të zhbllokonin situatën aktuale pa një marrëveshje politike ndërmjet PDK’së dhe Koalicionit LAN dhe VV.

Ngërçi politik në vend ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, 4 muaj më parë, kur partitë LDK-AAK-NISMA, dhe më vonë edhe VV, vendosën të lidhin koalicion për të formuar institucionet, përballë PDK’së e cila i ka fituar zgjedhjet por nuk i ka numrat e mjaftueshëm as për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit. Palët kanë lënë të kuptohet se mund të lëshojnë pe ndërkohë që ndërkombëtarët deri më tani nuk kanë dhënë shenja se mund të ndërhyjnë duke evituar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Marifeti Mujës, prish asfalt e shtro rrasa ?!

0

Aferdita morinaShkruan: Aferdita Morina-Biffar
Zgjohuni qytetarë të Prizrenit dhe ejani ta bëjmë bashkë ndryshimin !

Nëse pyetemi se cfarë po ndodhë së fundi në Prizren, përgjigjja do të ishte: “po prishim asfalt e po shtrojmë rrasa “?! Populli thotë “prish shtëpi e bën kasolle “.

Shëtitorja buzë Lumbardhit dikur ishte e shtruar me asfalt dhe nuk kam dëgjuar kurr që ndonjë qytetar i Prizrenit të është ankuar rreth kësaj qështje. Mirëpo, pushteti në Prizren si duket ka vendosur që një shumë të madhe nga paratë publike, lexo : para të e prizrenasve, t’ ia dhurojë një firme, e cila prishi asfaltin dhe e zëvendësojë me do rrasa të këqija, nëpër të cilat, dorën në zemër, po nuk ece me kujdes, mund të zësh në thua e të thyesh qafen, ndonëse edhe estetikisht nuk duken aspak bukur. Nuk e di se sa të verbër duhet të jemi e mos t’i shohim këto marifete të Ramadan Mujes dhe kabinetit të tij ! Ndoshta këto marifetllëqe edhe nuk do të na kishin shqetësuar aq shumë, sikur e gjithë infrastruktura tjetër në komunën e Prizrenit të ishte Ok ! Por, duke pasur parasysh nevojat e shumta për intervenime në infrastrukturën primare, a ka logjikë që ky pushtet i mbrapsht dhe i korruptuar të shkatërrojë dicka për të rindërtuar sërish, vetem e vetem për t’ia dhënë paratë dikujt ?!

Prizrenasit do të vlerësonin më shumë idenë që paratë e tyre të shpenzuara në këto “rrasa” të investoheshin në rregullimin e rrjetit të stërvjetëruar të ujësjellësit, aq më parë kur dihet mirëfilli që në qytetin e Prizrenit, ku ujë ka më bollëk, qytetarët e shumë lagjeve nuk kanë ujë me orë të tëra. Apo, do të ishte me e drejtë që këto para që janë dhënë kot, të investoheshin në ndonjëren prej shkollave të qytetit. Shkolla fillore “Lek Dugagjini “, ku nxënësit e vijojnë mësimin në tri ndërrime, filloristët e dy lagjeve, asaj “11 Marsi “ dhe “ 2 Korriku “, kaherë kanë ndjerë nevojë që të intervenohet në infrastrukturën e brendshme dhe te jashtme te shkolles, e cila tashmë pothuajse është e shkatërruar. Tualete dhe paisje të ndryshkura që kurrë nuk dezinfektohen, koridore dhe klasa me parket të rjepur, banka dhe karrika të te thyera, oborr të shkretuar, ky është ambienti në të cilin nxënësit e kësaj pjese të qytetit kalojnë 7-8 orë.

Një ambient i cili kundërmon rëndë, ngjashëm me ndonjë ËC publike të papastruar kurrë ! Ndoshta, me paratë e investuara në “rrasa të shëmtuara” do të ishte shumë më mirë të intervenohej në këtë shkollë apo në shkolla të tjera. Qytetarët e Prizrenit nuk e besoj se do të ankoheshin pse nuk është investuar në rrugën buzë Lumbardhit ku është prishur asfalti për ta shtruar me alamet rrasash. Për fat të keq, shembuj të hargjimit të panevojshëm dhe të papargjegjëshëm të paras publike në komunën e Prizrenit ka edhe plotë të tjerë..?! Ka plotë rrugë që shtrohen e prishen vetëm pas disa muajve,si dhe gropa të hapura gjithandej nëpër rrugët e saposhtruara. Për më tepër, duhet të keni shumë kujdes nëse vendosni të bëni një shëtitje rreth e përqark Prizrenit që mos t’ iu befasojë ndonje e papritur kur në mes të rrugëve të asfaltuara së fundi, t’ iu shfaqet ndonjë shtyllë elektrike dhe atë e tensionit të larte ?! Dhe jo vetëm kaq.

Këtyre “marifetllëqeve”, papërgjegjësive,pse jo edhe keqpërdorimeve, mund t’ i shtohen edhe projekte që kanë nisur të ndërtohen në vitin 2011 apo 2012 e nuk kanë përfunduar kurr. Gërmadha ndërtimesh të nisura, por jo edhe të përfunduara gjithandej qytetit e fshatrave. Keqpërdorime, keqplanifikime e keqndërtime, janë të gjeturat e fundit të organizates “Ec Ma Ndryshe “ në Prizren ! Hulumtimi disa javor ka nxjerrë në pah se ekzistojnë një numër projektesh kapitale që janë financuar nga Komuna e Prizrenit me mjete të konsiderueshme nga buxheti komunal, por që punimet nuk janë kryer si duhet as pas disa vitesh. Pastaj ka objekte që nuk janë funksionale, nuk përdoren për destinimin për të cilin janë planifikuar dhe ndërtuar, derisa ka edhe raste kur punimet e nisura kanë ngelë pezull shkaku i planifikimit të pasaktë..?! A e meriton këtë qeverisje banditeske Prizreni i kulturës ? Me siguri se JO ! Prizreni dhe qytetarët e tij padyshim se meritojnë më mirë, e më mirë nuk do të bëhet për sa kohë në “Shtepinë e bardhë” do te ndihet si sulltan Ramadan Muja dhe vartesit e tij !

Edhe sa asfalt duhet të zëvendësohet me rrasa ? Edhe sa ngrehina dhe objekte të reja ende pa u perfunduar do të shëndrrohen në gërmadha ? Edhe sa vepra të tjera të turpshme duhet të na i servirë pushteti aktual që Prizreni të zgjohet fuqishëm ? A s’është koha t’ iu themi “Boll ma “? Zgjohu Prizren ! Zgjohu nga kjo agoni e pafund për hirë të së ardhmës së fëmijëve tanë, të rinjëve , të moshuarve dhe të qytetarisë prizrenase që meriton më mirë, më shumë dinjitet, më shumë respekt, më shumë llogaridhënje dhe më shumë përgjegjësi qeverisëse ! Zgjohuni per hirë të Zotit e popullit dhe ejani ta bëjmë bashk ndryshimin !

LDK-ja kërkon uji për fshatin Sërbicë e Poshtme

0

LDK-zyra ne PrizrenDega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, ka përcjellë shqetësimin e banorëve të fshatit Sërbicë e Poshtme, të cilët që katër ditë janë pa furnizim me ujin e pijes .

“Dega e LDK-së në ndërhyrje të shpejtë, pasi që gjendja në këtë fshat, për mungesë të ujit të pijshëm është tejet alarmante”, thuhet në komunikatën e LDK-së në Prizren.
“Për të shmangur epideminë e mundshme, deri sa nuk është bërë vonë, nga Hidroregjioni Jugor në përputhje me përgjegjësinë që kanë të ndërhyjnë sa ma parë” .

“Cila do që mund të jetë arsyeja, mungesa e ujit të pijshëm për katër ditë rresht nuk e arsyeton neglizhencën e kompetentëve”.

“Me këtë rast dhe për raste të ngjashme, ku bëhet fjalë për gjënë më esenciale për jetën e banorëve të komunës tonë, në mungesë të reagimit dhe veprimit nga Kuvendi Komunal i Prizrenit jemi të detyruar të reagojmë”,tregon zyrtari i Departamentit për Informim i Degës së LDK-së në Prizren,Abdullah V. Thaçi/PrizrenPress.com/

Brovina: Seanca mund të ftohet brenda 24 orëve nëse ka marrëveshje

0

FloraBrovina14-08Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka thënë se në takimin me liderët janë dëgjuar të gjitha kërkesat e deputetëve.

Sipas saj, kurdo që të ketë ndonjë marrëveshje, seanca mund të mbahet brenda 24 orëve.

“Ndëgjuam të gjitha subjektet në këtë takim, dhe duke marrë parasysh kërkesën e deputetëve në seancën e thirur nga unë pra nuk do të marrë pjesë. Me rregullorën e punës nuk parashihet një debat. Seancën e radhës mund ta thirrim për 24 orë nëse ka ndonjë marrëveshje”, ka thënë Brovina pas takimit. /Indeksonline/