19.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Marifeti Mujës, prish asfalt e shtro rrasa ?!

Aferdita morinaShkruan: Aferdita Morina-Biffar
Zgjohuni qytetarë të Prizrenit dhe ejani ta bëjmë bashkë ndryshimin !

Nëse pyetemi se cfarë po ndodhë së fundi në Prizren, përgjigjja do të ishte: “po prishim asfalt e po shtrojmë rrasa “?! Populli thotë “prish shtëpi e bën kasolle “.

Shëtitorja buzë Lumbardhit dikur ishte e shtruar me asfalt dhe nuk kam dëgjuar kurr që ndonjë qytetar i Prizrenit të është ankuar rreth kësaj qështje. Mirëpo, pushteti në Prizren si duket ka vendosur që një shumë të madhe nga paratë publike, lexo : para të e prizrenasve, t’ ia dhurojë një firme, e cila prishi asfaltin dhe e zëvendësojë me do rrasa të këqija, nëpër të cilat, dorën në zemër, po nuk ece me kujdes, mund të zësh në thua e të thyesh qafen, ndonëse edhe estetikisht nuk duken aspak bukur. Nuk e di se sa të verbër duhet të jemi e mos t’i shohim këto marifete të Ramadan Mujes dhe kabinetit të tij ! Ndoshta këto marifetllëqe edhe nuk do të na kishin shqetësuar aq shumë, sikur e gjithë infrastruktura tjetër në komunën e Prizrenit të ishte Ok ! Por, duke pasur parasysh nevojat e shumta për intervenime në infrastrukturën primare, a ka logjikë që ky pushtet i mbrapsht dhe i korruptuar të shkatërrojë dicka për të rindërtuar sërish, vetem e vetem për t’ia dhënë paratë dikujt ?!

Prizrenasit do të vlerësonin më shumë idenë që paratë e tyre të shpenzuara në këto “rrasa” të investoheshin në rregullimin e rrjetit të stërvjetëruar të ujësjellësit, aq më parë kur dihet mirëfilli që në qytetin e Prizrenit, ku ujë ka më bollëk, qytetarët e shumë lagjeve nuk kanë ujë me orë të tëra. Apo, do të ishte me e drejtë që këto para që janë dhënë kot, të investoheshin në ndonjëren prej shkollave të qytetit. Shkolla fillore “Lek Dugagjini “, ku nxënësit e vijojnë mësimin në tri ndërrime, filloristët e dy lagjeve, asaj “11 Marsi “ dhe “ 2 Korriku “, kaherë kanë ndjerë nevojë që të intervenohet në infrastrukturën e brendshme dhe te jashtme te shkolles, e cila tashmë pothuajse është e shkatërruar. Tualete dhe paisje të ndryshkura që kurrë nuk dezinfektohen, koridore dhe klasa me parket të rjepur, banka dhe karrika të te thyera, oborr të shkretuar, ky është ambienti në të cilin nxënësit e kësaj pjese të qytetit kalojnë 7-8 orë.

Një ambient i cili kundërmon rëndë, ngjashëm me ndonjë ËC publike të papastruar kurrë ! Ndoshta, me paratë e investuara në “rrasa të shëmtuara” do të ishte shumë më mirë të intervenohej në këtë shkollë apo në shkolla të tjera. Qytetarët e Prizrenit nuk e besoj se do të ankoheshin pse nuk është investuar në rrugën buzë Lumbardhit ku është prishur asfalti për ta shtruar me alamet rrasash. Për fat të keq, shembuj të hargjimit të panevojshëm dhe të papargjegjëshëm të paras publike në komunën e Prizrenit ka edhe plotë të tjerë..?! Ka plotë rrugë që shtrohen e prishen vetëm pas disa muajve,si dhe gropa të hapura gjithandej nëpër rrugët e saposhtruara. Për më tepër, duhet të keni shumë kujdes nëse vendosni të bëni një shëtitje rreth e përqark Prizrenit që mos t’ iu befasojë ndonje e papritur kur në mes të rrugëve të asfaltuara së fundi, t’ iu shfaqet ndonjë shtyllë elektrike dhe atë e tensionit të larte ?! Dhe jo vetëm kaq.

Këtyre “marifetllëqeve”, papërgjegjësive,pse jo edhe keqpërdorimeve, mund t’ i shtohen edhe projekte që kanë nisur të ndërtohen në vitin 2011 apo 2012 e nuk kanë përfunduar kurr. Gërmadha ndërtimesh të nisura, por jo edhe të përfunduara gjithandej qytetit e fshatrave. Keqpërdorime, keqplanifikime e keqndërtime, janë të gjeturat e fundit të organizates “Ec Ma Ndryshe “ në Prizren ! Hulumtimi disa javor ka nxjerrë në pah se ekzistojnë një numër projektesh kapitale që janë financuar nga Komuna e Prizrenit me mjete të konsiderueshme nga buxheti komunal, por që punimet nuk janë kryer si duhet as pas disa vitesh. Pastaj ka objekte që nuk janë funksionale, nuk përdoren për destinimin për të cilin janë planifikuar dhe ndërtuar, derisa ka edhe raste kur punimet e nisura kanë ngelë pezull shkaku i planifikimit të pasaktë..?! A e meriton këtë qeverisje banditeske Prizreni i kulturës ? Me siguri se JO ! Prizreni dhe qytetarët e tij padyshim se meritojnë më mirë, e më mirë nuk do të bëhet për sa kohë në “Shtepinë e bardhë” do te ndihet si sulltan Ramadan Muja dhe vartesit e tij !

Edhe sa asfalt duhet të zëvendësohet me rrasa ? Edhe sa ngrehina dhe objekte të reja ende pa u perfunduar do të shëndrrohen në gërmadha ? Edhe sa vepra të tjera të turpshme duhet të na i servirë pushteti aktual që Prizreni të zgjohet fuqishëm ? A s’është koha t’ iu themi “Boll ma “? Zgjohu Prizren ! Zgjohu nga kjo agoni e pafund për hirë të së ardhmës së fëmijëve tanë, të rinjëve , të moshuarve dhe të qytetarisë prizrenase që meriton më mirë, më shumë dinjitet, më shumë respekt, më shumë llogaridhënje dhe më shumë përgjegjësi qeverisëse ! Zgjohuni per hirë të Zotit e popullit dhe ejani ta bëjmë bashk ndryshimin !

Më Shumë

Gjendet një mjet shpërthyes në fshatin Kijevë të Malishevës

Një mjet shpërthyes është gjetur në fshatin Kijevë të Malishevës. Rastin në polici e ka lajmëruar një burrë i cili ka thënë se derisa ishte...

Arrestohen dy të dyshuarit për tentim-vrasje në Prizren

Dy persona janë arrestuar në Prizren. Ata dyshohen për rastin e tentim-vrasjes që pati ndodhur para dy ditësh. "Më 11.05.2024 lidhur me rastin janë arrestuar dy...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit