14.2 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 8619

BE-ja aprovon krijimin e Gjykatës Speciale

0

Gjykata-qekiqiJava e ardhshme do të jetë vendimtare sa i përket vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe krijimit të një gjykate speciale për krime lufte. Në këtë drejtim tashmë kanë përfunduar pothuajse të gjitha procedurat e nevojshme, duke përfshirë edhe pajtimin e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në një takim që këto të fundit kanë pasur të premten në nivel ambasadorësh në Bruksel, unanimisht janë pajtuar me përmbajtjen e letrës për EULEX-in dhe gjykatën.

Burime të gazetës Tribuna, të afërta me këtë proces, kanë bërë të ditur se diskutimet janë zhvilluar të premten pasdite, ndërsa ka pasur pajtim të plotë për përmbajtjen e letrës. “Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së nuk kanë pasur vërejtje për përmbajtjen letrës pasi në tërësi janë pajtuar që ajo të ecë tutje. Tash i mbetet presidentes të dërgojë ftesë, ndërsa atë ta konfirmojë përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton.

E gjithë kjo procedurë pritet të përfundojë më së largu deri të martën”, ka thënë ky burim. Nëse gjatë rrugës nuk paraqitet ndonjë telash procedural, atëherë Kuvendi i Kosovës do ta fusë për votim këtë dokument në seancën që parashihet të mbahet të enjten më 17 prill. Deri atëherë grupet parlamentare duhet të vendosin nëse do ta votojnë këtë pako.

Banorët e Prevallës të revoltuar me ministrin Gashi

0

Prevalla 2Banorët e Prevallës, të cilët thonë se janë banorë autoktonë, janë revoltuar me vendimin e Ministrisë së Mjedisit për rrënimin e të gjitha shtëpive të ndërtuara pas vitit 1986 kur kjo pjesë është shpallur park nacional.

Banorët thonë se shtëpitë e reja të ndërtuara pas luftës janë ndërtuar në themelet e shtëpive të vjetra të ndërtuara në vitet e 40-ta gjë që sipas tyre është duke u bërë e padrejtë.

“Na jemi banorë të përhershëm sjemi që kemi ardh dje jemi me shekuj ne sot e kemi ndreq shtëpine e aty ku na kanë lanë gjyshërit, 47 e ka ba gjyshi jem unë në të njëjtin temel e kam bërë para 10 vjetëve”, thotë
Allmir Bajrami banorë.

Mos të na trajtojnë neve si kta tjertë që vijnë për vikende këtu, na jemi me shekuj këtu gjysh e stërgjysh kanë jetu këtu, na kemi dhi e lopë e mos të na trajtojnë njëjtë ky është problemi, thotë ai.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, thotë se ekspertët janë duke bërë verifikimin e të gjitha shtëpive, duke shtuar se do të rrënohen të gjitha shtëpitë e reja. “Ata pretendojnë ashtu por është çështje e ekspertëve kjo, parimisht është kështu shtëpitë që janë ndërtu para 1986 nuk rrënohen shtëpitë që janë ndëtu pa leje pas parkut nacional do të rrënohen kështu e thotë ligji ne e kemi zbatu ligjin dhe do ta zbatojmë”.

Sa u përket lejeve të shtëpive ministri Gashi thotë se janë të vetëdijshëm se shtëpitë e ndërtuara para parkut nacional nuk ekzistojnë lejet e tyre por shton se të dhënat janë të ruajtura në kadastër gjë që dëshmon se kur janë ndërtuar.

Kuvendi Komunal i Rahovecit me Plan të punës për vitin 2014

0

kuvendi rahovec KDIInstituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Misionin e OSCE-së në Kosovë ka mbajtur aktivitet lidhur me hartimin e Planit vjetorë të punës së Kuvendit të Komunës së Rahovecit.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte edhe ngritja e efikasitetit të punës së Kuvendit të Komunës së Rahovecit dhe komiteteve obligative.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Nahit Elshani, anëtarë të Komitetit për Politik dhe Financa si dhe drejtorë të drejtorive komunale të Rahovecit.

Nahit Elshani ka përshëndetur organizatorët e këtij aktiviteti duke e konsideruar të domosdoshëm bashkëpunimin në ngritjen e efikasitetit të punës së kuvendit përmes asistencës nga organizatat bashkëpunuese.
Adem Kollari përfaqësues i OSCE-s në theksoi nevojën e hartimit të Planit të punës së Kuvendit të Komunës, plan ky i cili edhe obligohet me ligj që kuvendet e komunave ta kenë si dokument andaj edhe ky aktivitet do të orientohet drejt finalizimit të planit të punës.

Naim Cahanaj përfaqësues i KDI-së po ashtu potencoi nevojën e hartimit të Planit të punës së Kuvendit të Komunës së Rahovecit dhe falënderojë Kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit dhe të tjerët të pranishëm për bashkëpunimin e treguar deri më tani me KDI-në duke përmendur faktin e gatishmërisë së këtij institucioni për themelimin e Komiteteve konsultative, si pjesë e inicimit nga ana e organizatës sonë andaj edhe ky aktivitet do të kontribuon në ngritje të efikasitetit të punës së kuvendit të komunës së Rahovecit dhe në interes të qytetarëve.

Aktiviteti është realizuar në tri pjesë, ku pjesa e parë ka qenë ndarja në grupe për identifikimin e qëllimi në hartimin e Planit të punës, pjesa e dytë në prezantimin e agjendës legjislative nga ana e drejtorëve të drejtorive komunale dhe pjesa e tretë në hartimin të Planit të punës së Kuvendit të Komunës së Rahovecit për vitin 2014, në korniza të trasha.

Të gjithë të pranishmit kanë dhen kontributin e tyre në plotësimin e Planit të punës për vitin 2014, plan ky i bazuar edhe në transparencë të plotë karshi publikut dhe në ngritjen e efikasitetit të punës së këtij institucioni.
Si rezultat i këtij aktiviteti është arritur të hartohet Plani i punës dhe ky Plan i punës është paraparë që në seancën e prillit të miratohet në Kuvendin e Komunës së Rahovecit.

Demaçi: Zoti mos e lashtë pa e vra Dick Martyn

0

Adem DemaciVeprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi është shprehur i dëshpëruar me faktin që në Kosovë do krijohet Gjykatë Speciale, për të hetuar krimet e supozuar të UÇK-së sipas raportit të Dick Martyt.
Ai në një prononcim për Indeksonline, tha se Tribunal do të duhej të krijohej për Serbinë, e jo për Kosovën. Madje, Demaçi nuk ka hezituar edhe ta ‘nem’ ish-senatorin zviceran, Dick Marty, të cilin e akuzon se po paguhet nga Serbia.

“Evropa, kjo ‘nëna jonë e madhe’, siç i them unë, është ka koritet edhe me parimet e demokracisë, edhe me parimet e humanizmit. Ku na ka gjet neve të shkretave të fundit të Evropës, me na balavitë nëpër gjyqe, kurse po i harron ata që e vranë Ukshin Hotin e ia humben me emër e me nishan e me trup e me krejt, e me qindra të tjerë që i kanë fsheh prej Batainices e nëpër njëqind vende tjera, për ata nuk pat kurrfarë mundësie me u rikthy edhe një herë me u marrë nëpër gjyqe ata fajtorë, por na u kanë kap neve me shpifjet e Serbisë që po ia hanë paret ai Dick Marty, e ato Zoti pa e vra mos e lashtë. Ky është një dëshpërim i madh për shqiptarët. Po na dëshpëron neve Evropa jonë që aq shumë e kemi dashtë e po e duam”, tha Demaçi.

Demaçit pyet se çka të mendoj ky popull siç e quajti ai, i shkretë kur po e sheh atë armatë e atë ushtri që e kemi pas, e që me mija e mija shkuan për këtë liri të shkretë që e fituam.

“Edhe këtë çerek liri që e kemi, edhe këtë po donë me na e ba me gjak, edhe këtë po duan me na përlye”.

Demaçi akuzon ndërkombëtarët ku thotë sipas tyre “s’paskemi pas drejtë ne as me u qu në kryengritje e as me kërkuar lirinë e as me i luftuar ata që na vranë e na dogjën e na vodhën e na shkrumbuan me njëqind e sa vjet, na përzunë prej trojeve tona, me miliona shqiptarë”.

Ai thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur kapacitete të bëjë atë për edhe çfarë akuzohet nga Marty.

“Krejt këto gjëra, ata nuk po i shohin, e po i shohin do pallavra e do marrëzira. Ku ka mund UÇK-ja jonë e shkretë sa që me sharrë ia u kanë pre kamt të plagosurve të vet, ku ka pas kapacitet ajo me nxjerr organe, me bajt organe?!“, pyet Demaçi.

Veprimtari i çështjes kombëtare në fund të prononcimit për Indeksnoline, tha se Evropa ka rënë shumë poshtë me trillimet e Serbisë dhe se Kosova e ka pësuar mjaft.

“Nuk po di si ta shpjegoj se si është puna me këtë Evropë që na u ka trrukë neve tash. Po a pak bre na banë e na imponuan, deri në projektin e Ahttisaarit që na masakroj neve, na i bani edhe 9 shtete brenda truallit të Kosovës”, ka thënë Demaçi në fund.

Kin Dushi

0

Kin Dushi“Ai u duk përsëri rrugëve të qytetit. Sytë e kureshtarëve e ndiqnin si me habi, atë fytyrë disi të njohur, por që tani u dukej pak më e hequr, e pak më e zbehtë; ata sy të zinj e të bukur, por tani të futur disi thellë në zgavra e që kishin nisur ndoshta të humbitnin bukurinë e gjallërinë e tyre të dikurshme. Vetëm trupi i kish mbetur gati ashtu, si edhe më parë, i gjatë dhe i drejtë…”. Ky është përshkrimi që Kin Dushi, i bën personazhit të tij kryesor në romanin “Një emër në mes yjeve”, një rikthim që i ngjason shkrimtarit rrugëve të Shkodrës, pas burgut. Duket sikur shkrimtari ka parandier të ardhmen e tij. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të luftës nacionalçlirimtare, në plenumin e 15-të të KQPPSH. Kim Dushi do të arrestohej 3 vjet më vonë, më 3 tetor 1967, dhe do të dënohet me 8 vjet burg politik, si “armik i popullit”. Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi. Ribotimi i këtij romani, duket sikur e shpie Kin Dushin në vendin e duhur. Pikërisht në atë komunikim aq të dëshiruar me lexuesin, të cilin ai e nisi që pas viteve 1940-të. I lindur në Shkodër më 27 maj 1922, pas mbarimit të shkollës së mesme Normale të Elbasanit, ai përfshihet në Luftën e Dytë Botërore në krahun antifashist. Në vitin 1942-1943 arrestohet nga pushtuesit e dërgohet në kampin e Prishtinës. Pasioni për të shkruar kishte lindur herët te djaloshi, që kërkonte të shihte përtej luftës. Ditët në kampin famëkeq të Prishtinës, ai i shkroi në një ditar të cilin e botoi në vitin 1951. Është interesante rrëfimi që Dushi ka bërë në këtë ditar, i cili u botua në formën e një romani, i cili konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por që historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë. Ai roman nuk është vetëm një rrëfim ndryshe në prozën shqipe, por mbart dhe një vlerë historike, për vetë ngjarjet që tregohen aty. Në vitin 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Këto ishin vite të arta për djaloshin që mbante syze dhe flokët me onde. Njohja me klasikët rusë, por dhe me veprat e tjera të letërsisë botërore, do ta çonin në një tjetër dimension stilin e tij të të shkruarit. E vetmja gjë që ëndërronte pas kthimit në Shqipëri ishte të shkruante libra. Por kthimi në atdhe do të ishte fatal për Dushin, ashtu si për një pjesë të mirë të shkrimtarëve apo artistëve të asaj periudhe.  Ai nis të punojë si gazetar te “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkruan “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Vitet e para pas kthimit duken plot shpresë për të ardhmen për shkrimtarin e ri. Në vitet 1955-1956 ai bëhet laureat i çmimit të Republikës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve” me regji të Endri Kekos. Dushi provoi të shkruante dhe dramaturgji. Në vitin 1962 shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 6”, që u vu në skenën e Teatrit Popullor të asaj kohe një vit më vonë nën regjinë e Mihal Luarasit. Kjo vepër është rivendosur sërish në skenë në vitin 2009 nën regjinë e Sonila Ulqinakut. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të tyreve viteve. Kin Dushi i vendos personazhet në një mjedis të përbashkët, në një shkallë pallati me nr. 5. U përkasin shtresave të ndryshme: një punëtor jeton në një kat me një drejtor, një i ri me një plak etj. Në shkallën e këtij pallati banon një drejtor i Ministrisë së Arsimit, i cili është i martuar me një vajzë të re, që punon mësuese në një shkollë të mesme. Aty është edhe një çift tjetër, Vali me Kriston, një punëtor që ka përqafuar idetë revolucionare të partisë, ka pranuar emancipimin e gruas (por që gruan e vet e ka shtëpiake). Kemi edhe një vajzë, specialiste në Drejtorinë Arsimore, Fatbardha, e cila e ka frikë martesën, nuk do që të martohet, por ambienti imponon idenë që një vajzë duhet të martohet kur i vjen mosha për t’u martuar, pavarësisht se çfarë mendon ajo. Është edhe një djalë, Agroni, një robot i sistemit. Në këtë shkallë imagjinare të Dushit, gjen gjithë elementet e një sistemi. Ishte viti 1962 kur Kin Dushi e shkroi këtë komedi, e cila me një koncept të ri regjisorial mund të vendoset në çdo teatër edhe sot. Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Kritikat për këtë roman do të bënin që ai të arrestohej më 3 tetor 1967. Të gjitha shkrimet e bëra prej tij dhe librat hiqen nga qarkullimi. Në vitin 1975 ai del nga Burgu i Burrelit. Vitet në burg e kishin bërë shëndetin e tij më të dobët. Shikimi iu vështirësua dhe nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”. Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi u nda nga jeta. Këtë vit është 20-vjetori i ikjes së tij. Një përvjetor i cili na bën të kthejmë sytë larg tek e shkuara, tek ata që kontribuuan në rritjen e prozës shqipe, por që sistemi i mbuloi me mjegullën e harresës për vite të tëra. Është e trishtë një letër e shkruar prej tij në vitin 1989, e gjetur nga i biri mes dorëshkrimesh. Tashmë në një moshë të vonë, ai nuk ka më as fuqi t’i kundërvihet atyre që i dhanë një tjetër drejtim jetës së tij. “Oh, sa do doja të flisja në këtë letër! Të shfryja gjithë atë mllef që kam në zemër, të grumbulluar prej më shumë se 25 viteve, por jo nuk mundem. Jo se nuk mund të shkruhen mllefet, por nuk e di a mund të lexohen. Sa i qetë do mbetesha sikur të m’i lexonte dikush këto fjalë.Idealist: Po kështu kam qenë gjithmonë, idealist, kuptimi i thjeshtë i fjalës. Më ka pëlqyer e mira dhe e hijshmja dhe jo vetëm më kanë pëlqyer, por edhe kam luftuar për to. Kam urryer kundërshtarët deri në neveri dhe kjo më ka kushtuar shumë, sepse kundërshtarët, mjerisht nuk kanë qenë të pakët, as të pafuqishëm, as edhe të paaftë. Keq, keq për mua, por edhe për çdo njeri që mendon mirë. 25 vjet të shkuara u gjeta përballë një akuze që paralajmëroi shkatërrimin tim total. U mallkova dhe dola jashtë partie. Dola jashtë partie dhe hyra në burg. Mandej pas burgu u gjeta edhe më i burgosur, sepse shpresat m’u prenë. Shoqëria më shkelmoi, familja m’u shkatërrua. Mbeta i braktisur, i vetmua dhe i fyer…Megjithatë duke i trokitur vazhdimisht si kujtesës aq edhe arsyes, nuk mbaj mend të kem ngrënë ndonjë “mollë të ndaluar”… Një gjë duhet të dish o shok, unë nuk kam frikë nga vrasësit, hajdutët dhe të gjithë keqbërësit e tjerë, kam frikë vetëm nga ata që nuk kanë turp”, shkruante Kin Dushi, në këtë letër intime, gjetur vite më vonë mes dorëshkrimeve të pafund në apartamentin e tij. Botimi i librave dhe dorëshkrimeve të lëna pas nga Kin Dushi, është jeta e vërtetë që ia kemi borxh Kin Dushit…

Lily Allen, “këngë të tmerrshme” në shtatzëni

0

Lily AllenPara se të kthehej në qendër të vëmendjes me albumin e saj të fundit “Sheezus”, ylli 28-vjeçar ka marrë një pushim nga diskografia për t’iu përkushtuar të bijave Ethel, dy vjeçe, dhe Marnie, 15 muajshe.

“Desh ‘hodha poshtë’ këngët e mia të reja kur isha shtatzënë me vajzën time të parë. I kisha hormonet komplet të ‘çmendura’ dhe ndjeja se këngët që kisha realizuar ishin të ‘sforcuara’, ishin të tmerrshme”, ka thënë ylli për gazetën angleze The Sun.

Jevtiç: Serbët në Rahovec do të jenë të mbrojtur

0

rahovec jevicMinistri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jeviç, sot gjatë një vizite në Komunën e Rahovecit ka dënuar mbishkrimet e vëna në shtëpitë serbe. Sipas tij, pavarësisht këtyre mbishkrimeve kërcënuese, serbët në Rahovec do të jenë të mbrojtur.

Ministri Jevtiç u informua nga kryetarin e Komunës së Rahovecit Idriz Vehapin rreth situatës e përgjithshme në Rahovec, për strukturën parlamentare, si dhe për faktin që kohë më parë ka formuar Komisionin për siguri, ku është i emëruar edhe një anëtarë i komunitetit serb.

Duke folur për sigurinë,Vejhapi tha se situata e sigurisë në komunë përgjithësisht është në një nivel të mirë, por përmendi edhe incidentin e fundit, kur u panë mbishkrime në shtëpitë serbe, gjë kjo që krijojë shqetësim në mesin e pjesëtarëve të komunitetit serb të Komunës së Rahovecit.

Ndërkaq, ministri Jevtiç tha se si ministri përgjegjëse për kthimin e komuniteteve na interesojnë vetëm problemet e komuniteteve pakicë. Ai tha se beson se mbishkrimi është një incident i izoluar, por që veprimet e tilla duhet së bashku të dënohen në mënyrë që mos të përsëriten më.

“Pas mbish krimeve kërcënuese në muret e shtëpive të familjeve serbe në Rahovec,jam këtu sot për të dërguar një mesazh të qartë se serbët në Rahovec do të jenë të mbrojtur, serbët në Rahovec do të kthehen, sepse kjo është shtëpia e tyre. Familja Shutakovic pas zhvendosjes në Obrenovac më në fund mori këtu shtëpinë e vet dhe së shpejti do të presin lindjen e një fëmije. Mbijetesa dhe kthimi i serbëve në Rahovec është i rëndësishme për ne dhe akti i sotëm i dorëzimit të çelësave kësaj familje të kthyer është një thirrje dhe mesazh për të zhvendosurit nga Rahoveci që të kthehen këtu dhe të jetojnë të lirë me fqinjët e tyre. Në këtë më bindi edhe vet kryetari i Komunës së Rahovecit “,ka theksuar Jevtiç, thuhet në njoftim për media nga Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Jevtiç informoi kryetarin për planet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që ka së bashku me Zyrën për Çështje të Komuniteteve pran zyrës së Kryeministrit e që kanë të bëjnë me ndriçimin e rrugës e cila çon në Hoçë të Madhe. Kjo ka qenë një kërkesë e komunitetit gjatë vizitës së komunës vitin e kaluar. Ministria nuk do të bëjë asnjë projekt pa një marrëveshje me qeverinë vendore, sepse qeveria lokale është ajo që di më së miri kush janë prioritetet e komuniteteve në komunë.

Mujës i shtohet edhe një padi penale

0

Ramadan Muja 2Këshilltari i Bashkimit Demokratik(BD),Osman Hajdari, ka vendosur që të ulë në bankën e të akuzuarit edhe një herë kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujën.

Ai, sot ka shkuar në Prokurorinë Themelore në Prizren, për të dorëzuar padinë penale kundër Mujës.

“Sot kam qenë në Prokurori për të dorëzuar padinë për kërcënim ndaj kryetarit Muja. Prokuroria më sugjeroi që paraprakisht rastin e kërcënimit ta paraqes në polici”, tregon Hajdari për “PrizrenPress”.

Ai thotë se pas këtij sugjerimi, rastin e kërcënimit të kryetarit Ramadan Muja, e ka paraqitur edhe në Stacionin e Policisë në Prizren.

“Në polici më thanë që për shkak se rasti ka të bëjë me kryetarin e Komunës, padia të bëhet drejtëpërdrejt në Prokurorinë Themelore”.

Këshilltari i BD-së,Osman Hajdari është kërcënuar dje nga kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja. Hajdari shkaktoi nervozë dhe reagimin e kryetarit Muja, kur nga foltorja e pyeti atë se kur duhet një zyrtar i lartë publik duhet të jap dorëheqje.

Ndërkaq, Muja nga vendi replikoi duke i thënë të mos shtirej i mençur dhe të mbyllë gojën . “Mylle gojën mos m’shtin me të fshi përpara”, i ka thënë Muja, Osmanit.

Për këtë kërcënim të Ramadan Mujës, kanë reaguar ashpër të gjitha partitë opozitare dhe shoqëria civile në Prizren.

Këshilltari i BD-së,Osman Hajdari thotë se dorëzimi i padisë penale kundër kryetarit Muja, ka mbetur të dorëzohet të hënën.

“Të hënën ka mbetur që të dorëzohet padia kundër Mujës në Prokurori”./PrizrenPress.com/

 

Dikush e ka gabim

0

Shtepia e Bardhe-PrizrenKomuna e Prizrenit ka demantuar të dhënat e shpenzimeve të derivateve të veturave, që janë publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).

Drejtori i Ekonomisë dhe Financave,Mehmet Bytyç, dhe zëdhënësi i Komunës së Prizrenit,Ymer Berisha kanë thënë se të dhënat e publikuara nga KDI nuk janë të sakta. Sipas tyre KDI nuk i ka interpretuar mirë statistikat e shpenzimeve të veturave të Komunës.

“Për veturat e Administratës janë shpenzuar 46 mijë e 780 euro, ndërsa për shërbime të tjera edhe 23 mijë euro të tjera”, ka thënë Bytyç.
“Me këto të dhëna KDI po i shërben interesave të opozitës në Prizren”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, përfaqësuesit e KDI-së kanë thënë se të dhënat e shpenzimeve të veturave janë marrë nga Komuna e Prizrenit.

Naim Cahanaj ka publikuar dokumentet që janë marrë nga Komuna.

“Këto dokumente janë dhënë pas kërkesës së KDI-së për qasje në dokumente publike, përkatësisht në kartelat analitike të kontos për vitin 2013”

“KDI konsideron se qëndrimet e zyrtarëve publik me dokumentet e ofruara janë kundërthënese dhe me tendencë të minimizimit të rolit të organizatave monitoruese, për raportimet enorme të buxhetit të qytetarëve të komunës së Prizrenit në disa kategori buxhetore”./PrizrenPress.com/

“Ec Ma Ndryshe”: Ka filluar dorëzimi i shkresave të qytetarëve në Komunën e Prizrenit

0

Shkresta Ec Ma NdrysheOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ka filluar sot  dorëzimin e shkresave të qytetarëve në organet kompetente komunale, të cilat shkresa janë pranuar përmes platformës online www.merrpjese.org.

Stafi i projektit së bashku me disa të rinjë aktiv të qytetit të Prizrenit, kanë dorëzuar dhe protokoluar në komunë katër peticione elektronike, njëkohësisht, tre prej tyre që janë iniciuar nga nxënës të shkollave të mesme, i janë drejtuar edhe Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Peticionet elektronike që janë dorëzuar sot në Komunë dhe në DKA, janë:
– Ndërtimi i një biblioteke;
-Kërkohet kabinet i informatikës në Gjimnazin “Remzi Ademaj”;
-Kërkojmë laborator në shkolla;
-Të ndërpritet praktika e grumbullimit të hollave nga nxënësit për sigurimin fizik të shkollave.

“EC Ma Ndryshe” ka marr përsipër kanalizimin e vullnetit të këtyre nxënësve, studentëve dhe qytetarëve të Prizrenit, përmes adresimit të këtij peticioni elektronik tek autoritetet komunale të Prizrenit.

Pavarësisht se në nenin 69 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale mbi “Të drejtën e peticionit”, nenet 95 dhe 96 të Statutit të Komunës së Prizrenit mbi “Peticionet” dhe nenin 6 te Rregullores për Transparencë të Komunës së Prizrenit mbi “Peticionet”, nuk parashihen peticionet elektronike, ne besojmë se kjo është një formë inovative e artikulimit të kërkesës dhe vullnetit të qytetarëve dhe duhet të shërbejë si bazë për veprim adekuat nga institucionet përgjegjëse.
Platforma online www.merrpjese.org , është prodhuar nga EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes në vendimmarrje përmes medieve sociale”, përkrahur nga UNDP.