13.3 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 8647

EULEX-i do të ketë rol mbështetës

0

BajramRexhepi-ministerMinistri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka bërë me dije se roli i ardhshëm i EULEX-it pritet të fokusohet tek mbështetja e institucioneve vendore në fushën e sundimit të ligjit. Ai ka deklaruar se në mandatin e ri ky mision do ta ndihmojë Kosovën të jetë sa më afër BE-së.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Rexhepi ka vlerësuar se në të ardhmen pret edhe mbështetjen e këtij misioni në avancimin e partneritetit strategjik me agjencitë e specializuara të sundimit të ligjit siç janë: EUROPOL, INTERPOL, EUROJUST etj. “Mandati i ardhshëm i EULEX-it duhet të fokusohet në mbështetjen e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit me qëllim që ta afrojë Kosovën sa më afër Bashkimit Evropian, gjithnjë duke u bazuar në parimin e pronësisë vendore, pra sa më shumë përgjegjësi te bartura tek institucionet vendore”, ka thënë Rexhepi. Sipas tij, institucionet vendore kanë ngritur kapacitetet e nevojshme për t’i përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore në të gjitha fushatë.

Rexhepi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se ministria që drejton i ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë dalë nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave. Madje ai ka deklaruar se në këtë fushë Kosova qëndron edhe më mirë se vendet e rajonit. “Duhet të ritheksoj se në disa prej kritereve nga udhërrëfyesi qëndrojmë edhe më mirë se vendet e rajonit, edhe përkundër faktit se Kosova është dashur ta adresojë dyfishin e kritereve – gjithsejtë 95 nga ato që vendet e rajonit i kanë pasur rreth 45”, është shprehur Rexhepi. Ai ka folur edhe për gjendjen në pjesën e veriut. Rexhepi ka bërë me dije se situata në veri po vazhdon të normalizohet. “Tanimë kemi autoritet kufitare të Republikës së Kosovës, të cilët operojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve te Republikës së Kosovës. Po ashtu, kemi përmbyllur me sukses procesin e integrimit të 290 individëve nga komuniteti serb në Policinë e Kosovës. Së shpejti presim të kemi funksionalizim edhe të sistemit të drejtësisë në atë pjesë të vendit”, është shprehur Rexhepi.

Sa iu përket vrasjeve të fundit në qytetin e Pejës, ai ka thënë se Policia e Kosovës së bashku me institucionet e drejtësisë janë duke punuar për zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtij akti. Ministri Rexhepi i ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë me organet e rendit, duke ofruar çfarëdo informate që do të mund të kontribuonte në zbardhjen e këtij rasti.

Digjen dy lokale hoteliere në Rahovec

0

Rahovec-digjen lokaletMbrëmë pas mesnate, rreth orës 2 e 30 ka shpërthyer një zjarr i madh në dy lokale afariste në Rahovec. Nga zjarri janë dëmtuar lokalet hoteliere “All Star 2” dhe “Hardhia”. Lokalet ndodhen në pronën e ish ndërmarrjes shoqërore tregtare “Podrima”, që ka qenë pronë komunale e që i është dhënë në shfrytëzim ndërmarrjes tregtare.

Bashkë me lokalet janë djegur edhe disa vetura që ndodheshin në afërsi.

Zjarrfikësit janë përballur me flakët gjatë gjithë natës, duke e vënë nën kontroll zjarrin. Dëmet materiale janë të konsiderueshme, ndërsa përgjegjësit komunal për emergjenca janë në vend të ngjarjes, duke bërë evidentimin e dëmeve. /PrizrenPress.com/

Zeneli: AAK-ja ka probleme serioze

0

LulzimZeneli-LDDNënkryetari i LDD-së, Lulzim Zeneli, është shprehur i befasuar me deklarimet e nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka thënë se AAK-ja në zgjedhjet parlamentare do të garojë e vetme e jo si koalicion AAK-LDD.

Zeneli ka thënë për “Epokën e re” se deri më tani nuk i ka rastisur të ballafaqohet më një situatë të tillë, kur nga e njëjta adresë politike dalin qëndrime diametralisht të kundërta për një çështje që është e shkruar dhe e nënshkruar nga liderët e dy partive politike.

“E lexova intervistën në gazetën tuaj dhe më është dashur kohë të reflektoj rreth porosisë së asaj deklarate. Të them të drejtën, për këtë periudhe 15-vjeçare të pluralizmit politik, aq sa është edhe përvoja ime e vogël në politikë, nuk më ka rastisur të ballafaqohem me një situatë të tillë nga një adresë politike, nga një subjekt me përvojë jo të vogël politike, të kemi deklarime me porosi diametralisht të ndryshme për diçka që është e shkruar qartë dhe e firmosur”, ka deklaruar Zeneli.

Ai ka treguar se ekziston koalicioni parazgjedhor AAK – LDD për zgjedhjet parlamentare, i cili në formë marrëveshje është i nënshkruar nga liderët e të dy partive politike.

“Siç e dini, AAK-ja me LDD-në në prill të vitit të kaluar kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi në formatin e koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Marrëveshja është firmosur nga kryetarët e të dy partive politik dhe nëse kësaj ia shtojmë edhe deklarimet e z. Haradinaj dhe z. Daci nga takimi i fundit, e që në asnjë moment, për asnjë nuancë nuk e vënë në dyshim vazhdimësinë e koalicionit, por përkundrazi biseduan për zgjerimin e mundshëm”, ka thënë Zeneli, duke shtuar se deklarimet e nënkryetarit Isufi flasin për probleme serioze sa i përket konsistencës së qëndrimeve në strukturën udhëheqëse të AAK-së.

“Atëherë mund të themi se një deklaratë e tillë, aq e drejtpërdrejtë dhe që nuk le hapësirë për dualizëm interpretimesh, jep të kuptojmë se në strukturën udhëheqëse të AAK-së ekzistojnë probleme serioze sa i përket konsistencës së politikave dhe qëndrimeve. Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe, kurse kemi një deklaratë të nënkryetarit të AAK-së, e cila është e kundërta e deklarimit të kreut të AAK-së pak ditë më parë pas takimit publik me kryetarin e LDD-së, Nexhat Daci”, është shprehur Zeneli.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se LDD-ja ka hyrë në koalicion me AAK-në në bazë të parimeve të shëndosha e jo në bazë të interesave grupore.

“Në vendet me demokraci të konsoliduar, koalicionet ndërtohen mbi bazën e orientimeve politike, programeve, interesave të grupimeve dhe të tjera. Ndërsa LDD-ja çështjen e koalicionit e ka kuptuar edhe më fort se kaq, që koalicioni duhet gjithsesi t’i adresojë parimet e shëndosha dhe të besueshme, të krijosh themel të bashkëpunimit në të cilën besojnë të gjithë, i beson ti së pari, pastaj mund të presësh efekte të sinergjizmit. Ndërsa ajo që është thënë nga nënkryetari i AAK-së s’ka të bëjë me këtë dhe LDD-ja ndahet nga ai mendim”, ka deklaruar Zeneli.

Mirëpo Zeneli ka thënë se në qoftë se deklarimet e Isufit janë politika zyrtare, atëherë nuk beson se ka vend për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet AAK-së dhe LDD-së. “Kjo mbetet të shihet, mirëpo në qoftë se deklarimet e tilla janë politika zyrtare, atëherë nuk besoj se ka vend për bashkëpunim”, ka thënë Zeneli.

Filloi paraqitja e provimeve për afatin e prillit

0

FakultetiEdukimit-prishtineAgnesa Xhemajli, absolvente në Fakultetin e Edukimit, priste në radhë në orët e mëngjesit për t’i paraqitur provimet. Ajo ndjehej e lumtur për ndërprerjen e grevës së punëtorëve të administratës, por edhe për lejimin e afatit të prillit.

“Më kanë mbetur edhe 4 provime për të diplomuar dhe jam e lumtur që administrata sot vazhdoi punën, pasi që në këtë afat kemi mundësi t’i paraqesim dy provime dhe shpresoj që të diplomoj së shpejti”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Artan Mjekiqi, kryetar i Këshillit Grevist, ka thënë se nga e hëna do të kryhen të gjitha shërbimet e studentëve, duke përfshirë edhe paraqitjen e provimeve, por edhe shërbimet e tjera pas arritjes së marrëveshjes me ushtruesin e detyrës së rektorit, Anton Berishaj.

Mst: S’ka shtyrje të afatit të provimeve

Ushtruesi i detyrës së rektorit, Anton Berishaj, ka thënë për gazetën Tribuna, se çdo gjë do të shkojë sipas dinamikës së paraparë dhe se nuk do të ketë shtyrje të mbajtjes së provimeve për muajin prill.

“Pse të ketë shtyrje të provimeve, si pasojë e grevës. Kjo është çështje teknike, ata vetëm teknikisht sot kanë filluar të bëjnë paraqitjen e provimeve dhe nuk ka ndërruar asgjë në datën e mbajtjes së provimeve”, ka thënë Berishaj, duke shtuar se pas përfundimit të grevës, puna e administratës gjatë ditës së hënë ka shkuar mirë.

Berishaj është zotuar se do të jetë në mbrojtje të të drejtave të studentëve.

“Normalisht, nuk është tani vetëm interesi i studentëve, por ato janë shumë komponentë, normalisht që studentët janë si prioritet dhe unë do t’i mbrojë interesat esenciale, jo vetëm të studentëve, por edhe të punëtorëve. Por, në këtë rast, ishte një disponim që t’ju ndihmojmë, apo t’i përkrahim në këtë afat”, ka thënë ushtruesi i detyrës së rektorit Anton Berishaj.

Jahjaga vlerëson mbështetjen e Panamasë

0

Jahjaga-PanamaPresidentja Atifete Jahjaga e cila po qëndron në vizitë në Panama, ka takuar presidentin e këtij vendi, Ricardo Martinelli.

Jahjaga dhe Martinelli kanë biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, ndërsa presidentja Jahjaga ka vlerësuar mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës.

“Gjahtari i UÇK-së”, që sot i shërben Serbisë

0

MauricioSalustro-prokurorIsh-prokurori italian Mauricio Salustro ka çka t’i kallëzojë Bruno Vekariçit për 15 vjetët që kaloi në Kosovë. Njëherë si gjyqtar i UNMIK-ut e më vonë si prokuror i EULEX-it, nëpër duart e tij kanë kaluar shumë emra dhe raste. Por periudha që Salustro kaloi si prokuror duhet të jetë më joshëse për zëvendësprokurorin e Serbisë për krime lufte, shkruan Tribuna.

Këshilltari i tij italian ka ndjekur pothuajse të gjithë ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që për Serbinë është “ushtri terroriste”. Mirëpo jo gjithë herë Salustros i ka shkuar puna mbarë si gjyqtar, por edhe si prokuror. Disa nga rastet që Salustro ishte gjyqtar i kanë dështuar e po ashtu edhe si prokuror. Në vitin 2009 gjyqtarë të EULEX-it rrëzuan një vendim të kolegëve të tyre nga UNMIK-u.

Ata shpallën të pafajshëm Florim Ejupin të cilin UNMIK-u e kishte dënuar me 40 vjet burg. Në rastin e Ejupit njëri nga anëtarët e Trupit Gjykues ishte Mauricio Salustro. Ai e dha votën kur gjyqtarja Hajnalka Karpati, shpalli fajtor Ejupin për shpërthimim në autobusin e “Nish Expressit”, ku gjetën vdekjen 11 serbë.

“Koha e Ngrirë”, roman austriak për luftën e Kosovës

0

83368Edhe sot, shtatë vjet më vonë, një copëz e kësaj lumturie të kaluar ka mbetur brenda teje, lëkurëhollë. Vetëkuptohet, për shumë muaj në jetën tënde nuk pati tjetër përveç kësaj dashurie, ti ishe ajo, ti nuk ekzistoje më. Çfarë dhuntie, çfarë dhuntie e tmerrshme të jesh i zoti të heqësh lëkurën, të harrosh vetveten deri në këtë shkallë. Ti ndihesh i pavdekshëm, por jo i pavdekshëm si njeri, por sikur ti, deri atë çast vdekatar, të gjesh një çast pavdekësie” (“Koha e ngrirë”, Anna Kim) . Që nga mbarimi i luftës në ish-Jugosllavi, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka njoftuar për më tepër se 30 000 njerëz të humbur.

Sipas të dhënave zyrtare më të fundit, janë identifikuar afërsisht 15.000 persona. Ky është sfondi i ngjarjes që Anna Kim na rrëfen në librin e saj të dytë “Koha e ngrirë”: kërkimet e një kosovari për fatin e gruas së tij të zhdukur dhe depërtimi hap pas hapi i tregimtares, në vetë të parë, në bashkëlidhjet komplekse që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje traumatizuese. Ajo jo vetëm që fillon të njohë jetën e përditshme në zonat konfliktuale shqiptaro-serbe, por para së gjithash, asaj fillojnë t’i shfaqen përmasat e mirëfillta të kujtimeve dhe të humbjes së kujtimeve, të jetëshkrimeve të këputura në mes.

“Koha e ngrirë” është çmuar me çmimin “Heinrich Treichl” të Kryqit të Kuq Austriak (2009), bursën “Elias Canetti” (2009) dhe çmimin e Bashkimit Europian për letërsinë për vitin 2012. Stili poetik dhe guximtar e bën këtë vepër tërheqëse edhe për të gjithë ata lexues të mirë, që kërkojnë një lloj letërsie të re. Shpalosja e përmasave të kujtesës dhe humbjes së saj, e fateve të këputura në mes dhe një “kohe të ngrirë” që fotografon jetën para e pas tmerreve të pakuptimta të luftës, është boshti i tij.

Anna Kim lindi në 1977 në Daejeon, Korea e Jugut, dhe u shpërngul në Gjermani në 1979. Ajo studioi Filozofi dhe Teatër në Universitetin e Vjenës. Ajo ka botuar tri romane: ‘Anatomie einer Nacht’ (Anatomia e një nate, 2012), ‘Die gefrorene Zeit’ (Koha e ngrirë, 2008) dhe ‘Die Bilderspur’ (Gjurmë fotografish, 2004). Gjithashtu, ajo ka botuar disa tregime, ese dhe poezi në gazeta, revista letrare dhe antologji, si edhe një vëllim me poezi, Das Sinken ein Bückflug. Kim është çmuar me çmime dhe bursa të ndryshme dhe jeton në Vjenë.

Arrestohet Ramadan Muja

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është arrestuar nga EULEX-i. Arrestimi i tij, është bërë në orët e vona të natës.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se Muja është arrestuar për shkak vazhdimit të shkaljeve ligjore, që ka bërë edhe pas dënimit 2 vjet me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren.

“EULEX-i ka konstatuar se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka vazhduar me avazin e vjetër të shkeljes së ligjit dhe sjelljeve jo të mira në raport me vendimin e dënimit të Gjykatës Themelore”, tregon burimi i sigurt brenda EULEX-it.

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, bashkë me pesë ish- bashkëpuntorët e tij, muajin e kaluar është dënuar 2 vjet me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ai pas dënimit është përballë me protesta të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Prizrenit.

Për shkak frikës nga protestuesit, Muja ka pezulluar vetëvetën, duke mos dalë për disa ditë në vendin e tij të punës. Organet e drejtësisë kanë vlerësuar se me këtë vendim, Muja ka bërë shkelje tjetër ligjore, që e kanë dërguar atë në pranga të EULEX-it.

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren, ndërkaq pas arrestimit të Ramadan Mujës, ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje mësohet se është diskutuar gjendja e krijuar pas arrestimit të kryetarit Ramadan Muja.

Sipas burimit të ‘PrizrenPress’-it, anëtarët e Kryesisë së këtij subjekti politik në këtë qytet, i janë gëzuar arrestimit të Mujës. Ata, madje kanë kërkuar nga lideri i tyre- kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, që të mos intervenoi në organët e drejtësisë për lirimin nga burgu të Mujës. Aprililiii

 

Azem Pula jep dorëheqje nga AKR-ja në Prizren

0

Azem PulaAzem Pula ka dhënë sot dorëheqje nga AKR-ja në Prizren.Ai thotë se vendimin për dorëheqje shumë shpejt do t’ia dërgojë edhe Presidentit të AKR-së, Behxhet Pacollit.

“Pas 11 muaj anëtarësimi sot kam dhën doreheqje nga AKR”, ka njoftuar Pula.

Anëtari i Kryesisë së AKR-së në Prizren, Azem Pula në zgjedhjet e fundit lokale në balotazh, kishte mbështetur kandidatin e LDK-së, Eqrem Kryeziun, për kryetar të Prizrenit.

Kryetari i Degës së AKR-së, Naser Bresa, veprimin e Pulës, ndërkaq këtë mbështetje e pat vlerësuar individual.

“Arsyeja e dorëheqjes sime është mos respektimi i marrvështjes nga kryetari Deges Naser Bresa dhe koordinatori Shefki Avdullahu dhe disa zyrtar të lart te AKR-së Prishtinë”, ka thënë Pula./PrizrenPress.com/

 

Takimi Thaçi – Dacic përfundon pa marrëveshje

0

Thaci_Dacic_Ashton5-21

Takimi i sotëm në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, për çështjen e funksionalizimit të drejtësisë në veri të Kosovës, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje.
Pas përfundimit të takimit, kryeministri Thaçi u ka thënë mediave se kishte përparim por ka munguar edhe më tutje marrëveshja për drejtësinë.

Takimi mes dy kryeministrave ka zgjatur pak më shumë se një orë ndërkaq parashihet që takimi tjetër të mbahet javën e ardhshme.

Edhe pse para nisjes në Bruksel, kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se ky takim do të sillte marrëveshje, ajo nuk është arritur për momentin edhe pse të dyja palët insistojnë se është vetëm çështje teknike

Bruksel: Filloi takimi

Në Bruksel, në rundin e sotëm të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, ka filluar takimi i përbashkët tripalësh, ka njoftuar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e zonjës Ashton.

Në nisje të takimit të sotëm, kanë biseduar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe zonja Ashton, e pastaj është mbajtur edhe takimi i zonjës Ashton me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiqi, i cili ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Aleksandar Vuçiq.

Para takimit zoti Thaçi u tha gazetarëve se do të diskutohet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për çështjen e sistemit të drejtësisë dhe “funksionalizimin e plotë në pjesën veriore sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”.

Në këtë kuadër ai theksoi se “në takimin e fundit ne kemi arritur marrëveshje në parim, ndërsa sot pres edhe zyrtarizimin e kësaj marrëveshjeje”.