15 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 8649

Përkujtohet masakra e Burimit të Malishevës

0

Masakra e malishevNë Malishevë është përkujtuar masakra e Burimit. Përveç, kryetarit të Komunës, Ragip Begajt, homazhe kanë bërë edhe qindra qytetarë të Dragobil, Astrazupit dhe vendeve tjera.

Masakra e Burimit, është më e madhe në Komunën e Malishevës, gjatë luftës së fundit, që ka ndodhur 15 vite më parë, tek Vrella e Mëhillit në fshatin Burim. Nderime, janë bërë edhe në vendin e vrasjes.

Me këtë rast, kryetari Begaj, i ka ngushëlluar familjarët e 42 viktimave të kësaj masakre.
Më 31 mars 1999, në vendin e quajtur “Vrella e Mëhillit”, në periferi të fshatit Burim, ishin ekzekutuar 38 shqiptarë, ndërkohë që katër të tjerë ishin djegur.

Kjo ka qenë masakra më e madhe që ka ndodhur gjatë kohës së luftës së fundit për liri në komunën e Malishevës./PrizrenPress.com/

I sulmojnë prindërit

0

Dhuna-fizikeDje, në orët e pasdites, në dy vende të ndryshme kanë ndodhur dy raste të dhunës së ushtruar nga anëtarët e ngushtë të familjes, njofton Policia në Prizren.

Rasti i parë është regjistruar në fshatin Sopijë e Suharekës, me ç’rast i dyshuari mashkull ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe vëllait të tij. Gjatë këtij sulmi lëndime ka pësuar nëna e të dyshuarit e cila ka kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të lëndimeve në syrin e djathtë. Për ta arrestuar të dyshuarin policia është detyruar të përdor “Sprej”.

Ndërsa, rasti i dytë është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Astrazup i Malishevës. Sipas raporteve hetimore thuhet se e dyshuara e gjinisë femërore e ka sulmuar nënën e saj. Kjo është konstatuar edhe me raport mjekësor.

Në të dyja rastet, prokurorë të shtetit kanë nënshkruar vendimet për ndalimin e të dyshuarve për ushtrim të dhunës në familje. Në të dyja rastet kanë qenë të përfshirë hetuesit primarë kundër dhunës në familje. /PrizrenPress.com/

Vjedhje e rëndë në Prizren, një i arrestuar

0

PoliciaKS-prangatPolicia e Kosovës njoftoi se është arrestuar një person pasi i njëjti me forcë kishte hapur dyert e shtëpisë së viktimës.

I dyshuari kishte arritur të vjedhë një hidrofor të ujit, televizor Plazma, studio. Vlera e dëmit nuk dihet.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Nesër fillon muaji i pastrimit në Komunën e Malishevës

0

MalishevaDuke filluar nga dita e martë, më 1 prill, fillon edhe muaji i pastrimit në territorin e Komunës së Malishevës. Kjo u bë e ditur, nga kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, në mbledhjen e rregullt të së hënës, të Këshillit të Drejtorëve, ku u paraqit edhe orari i pastrimit të ambientit nëpër fshatrat e Komunës së Malishevës, të përgatitur nga drejtoria komunale e shërbimeve publike.

Fillimisht, nesër më 1 prill, duke filluar nga ora 09:00, do të filloj pastrimi i ambientit në qytetin e Malishevës, ku janë të përfshirë, të gjithë punëtorët e administratës komunale, shkolla të mesme dhe fillore dhe të institucioneve tjera që janë në Malishevë.

Në mbledhjen e sotme, Begaj ka kërkuar nga drejtoritë komunale, që të vazhdojnë me punët e tyre të përditshme dhe vazhdimin e realizimit të projekteve, sikur edhe raportimin e punëve të kryera deri më tani. /PrizrenPress.com/

Gashi: Thaçi nuk mund të thërret seancë të jashtëzakonshme

0

ArbenGashi-LDKLidhja Demokratike e Kosovës thotë se Kryeministri, Hashim Thaçi, nuk mund të thërras seancë të jashtëzakonshme, kur Ligji është në procedurë kuvendore.

Ky qëndrim nga tabori i partisë më të madhe opozitare vjen menjëherë pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se nëse Kryesia nuk e futë të hënën në rend dite Ligjin për veteranët e luftës, atëherë do të thërras seancë të jashtëzakonshme Kuvendin.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për lajmi.net thotë se do ta përkrahin Ligjin, por me amendamentet që i ka propozuar LDK’ja, shkruan Botapress.

“Ligji është në procedurë kuvendore dhe Kryeministri nuk ka të drejtë që të thërras seancë të jashtëzakonshme”.

“Ne e kemi përkrahur dhe do ta përkrahim Ligjin, por me amendamentet që i ka propozuar nga LDK-ja”.

Ligjin për veteranët e Luftës nuk ka mundur të futet në rend dite në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, për shkak se nuk arriti të marrë 2/3 e votave të deputetëve

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe deputetët e komunitetit serb, kanë votuar kundër futjes në rend dite të këtij Ligji me procedurë të shmangur.

GP i LDK’së , kishte kërkuar që Ligjin për veteranët e luftës të futen edhe disa amendamente që njohin kontributin e ushtarëve të FARK-ut.

Komuna shpreson te Qeveria për ta zgjidhur problemin e tunelit të Restelicës

0

Tuneli i RestelicesDerisa banorët e Restelicës së Gorës kërkojnë zgjidhjen e problemit të tunelit, në hyrje të këtij fshati, autoritete lokale shprehen se e kanë të pamundur ndërhyrjen dhe se kanë kërkuar ndihmën e Qeverisë.

Sipas banorëve, tuneli jo vetëm që rrezikon jetën e qytetarëve të këtij fshati, por edhe shumë të tjerë. “Këto shqetësime ata disa herë i kan bartur deri tek institucionet lokale dhe ato qendrore, por deri më tani është gjetur vetëm një zgjidhje e pjesshme”, ka pohuar Xhinxho Hikmet, kryetar fshati, shkruan Koha Ditore.

Sipas tij, pjesa e parregulluar vazhdon të shqetësojë banorët, ngase po qe se ndodh me e keqja, respektivisht shembja e tij, e që kjo është shumë e mundshme, fshati mund të bllokohet tërësisht, ngase nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’u lidhur me botën.

Edhe banorë e tjerë të këtij fshati theksojnë se nuk është dashur të zvarritet kaq gjatë ky problem.

Isufi: Garojmë vetëm në zgjedhje, pa LDD-në e Dacit

0

AhmetIsufi-AAKNënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se kjo parti ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare, pas të cilave ka për synim ta qeverisë Kosovën. Isufi ka thënë se koalicioni me LDD-në e Nexhat Dacit ka qenë vetëm për zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se AAK-ja është e hapur për të gjithë ata që kanë vullnet për t’iu bashkuar vizitonit të tyre, duke bërë të qartë se AAK-ja nuk do të ndërrojë mendje sa i përket postit të kryeministrit.

“Ne kemi deklaruar se e kemi përcaktimin për ta udhëhequr qeverinë e vendit. E për këtë kemi argumentet e fuqishme se AAK-ja meriton udhëheqjen për shkak të dinamikës që ka përcaktuar z. Haradinaj si kryeministër për 100 ditët e udhëheqjes së tij”, është shprehur Isufi në një intervistë për “Epokën e re”.

Isufi është i bindur se kësaj here AAK-ja do të dalë forca e parë politike në mënyrë që ta udhëheqë qeverisjen në vend.

“Jemi të hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e AAK-së. Mendojmë se si parti politike e cila vepron për 15 vjet në skenën politike të Kosovës, AAK-ja ka nevojë të dalë parti e fuqishme dhe ta marrë pushtetin. Pretendojmë të jemi partia e parë politike në vend”, ka deklaruar Isufi, duke shtuar se AAK-ja do të jetë e hapur për koalicione paszgjedhore. “Sa iu përket koalicioneve, ato i përcaktojnë përafrimet e programeve politike si dhe votat që do t’i fitojnë partitë politike në këto zgjedhje. Prandaj, do t’i shohim programet që do të dalin në skenë dhe nga ato programe do të shohim se kënd mund ta kemi partner në qeverisje”, është shprehur Isufi.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka vlerësuar se partitë politike e kanë filluar herët fushatën zgjedhore. Ai e ka kritikuar PDK-në që, sipas tij, nuk është duke përjashtuar asnjë mjet për të fituar mbështetjen e qytetarëve.

“Partitë politike e kanë filluar fushatën më herët sesa duhet, sidomos partia në pushtet, e cila nuk po zgjedh mjete për ta fituar përkrahjen e qytetarëve, madje edhe duke i kaluar normat demokratike të cilat ekzistojnë në shoqëri. Po ashtu, PDK-ja, duke e ofruar Projektligjin për Veteranët e UÇK-së para zgjedhjeve, është krejt e tejdukshme se do të manipulojë këtë shtresë, e cila nuk e meriton këtë qasje”, ka theksuar Isufi.

Isufi ka folur edhe për procesin e dialogut në Bruksel, ku partia e tij është pjesë e ekipit të Qeverisë së Kosovës në këtë proces. Ai ka thënë se mbështetja e procesit të dialogut mbase i ka kushtuar dhe do të mund t’i kushtojë AAK-së edhe me votë por, sipas tij, këtë veprim AAK-ja e ka bërë për interesa të shtetit të Kosovës.

“AAK-ja çdo veprim të saj e ka matur me interesat e Kosovës dhe do të vazhdojë ta masë me interesa të tilla, edhe nëse i kushton me votë”, ka thënë Isufi.

Kujtohen 106 të vrarët në Pastasel të Rahovecit

0

Pastaseli RahovecitNë 15 vjetorin e masakrimit të 106 civilëve në Pastasel të Rahovecit, sot duke filluar nga ora 12:00 do të mbahet tubim përkujtimor, për t’i kujtuar të rënët për lirinë.

Më 31 mars të vitit 1999, kohë kjo kur Kosova po kalonte nën tmerret e luftës, u vranë dhe u masakruan 106 martirë nga forcat paramilitare serbe.

Në mesin e të vrarëve ishin edhe shumë persona nga fshatrat Kaznik, Pallushë, Guri i Kuq, Kramovik, Çifllak, Zatriq dhe nga Gremniku i Klinës.

Nga kjo masakër shpëtuan 12 persona të tjerë për ta dëshmuar këtë tragjedi që e preku fshatin Pastasel të Rahovecit.

“Lazarati” në Suharekë

0

Lazarati në Suharekë“Lazarati” në qendër të Suharekës, pranë gjimnazit “Jeta e Re” të këtij qyteti. Bëhet fjalë për një mbishkrim në një tabelë të vendosur në dritaren e një shtëpie të pabanuar në këtë lokacion, shkruan “Koha Ditore”.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Suharekës anëtari i legjislativit, Leonard Shala, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka ngre shqetësimin për rritjen e nivelit të konsumimit të drogës.

“Veç dukurive të tjera, në shkollat tona po konsumohet edhe droga, ky është një alarm për neve”, ka thënë ai.

“Mbishkrimi ‘Lazarat’ në një shtëpi të pabanuar afër gjimnazit paraqet mesazh të qartë dhe shqetësues për shoqërinë tonë dhe për sigurinë në komunë”, ka nënvizuar ai gjatë debatit ku po flitej për planin vjetor të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Themelohet “Forumi Transparanca”

0

PlatformaPas procesit të konsultimeve ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të medieve, që ka zgjatur për disa muaj dhe në përpjekje të gjetjes së formave për rritjen e transparencës institucionale, në muajin mars në Prizren është themeluar Platforma e përbashkët e veprimit të aktivistëve të shoqërisë civile dhe medias, e titulluar në mënyrë simbolike “Forumi Transparenca”.

Kjo platformë synon që të koordinojë dhe promovojë veprimet e aktivistëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve që janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike, të rrisë vizibilitetin e punës së shoqërisë civile përmes prezencës së shtuar në mediat lokale dhe qendrore, pastaj të ngre aftësinë avokuese të shoqërisë civile për qeverisje më transparente dhe llogaridhënëse në Prizren, si dhe të ngre pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe të sigurojë që kërkesat e tyre merren parasysh.

Ky trup joformal përbëhet nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike dhe misioni i tij është koordinimi i veprimeve të këtyre akterëve për të rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit. Gjatë vitit të parë të veprimit, EC Ma Ndryshe do të udhëheq Sekretariatin e Forumit, ndërsa aktivitetet e tij do të realizohen me ndihmën e projektit “Transparenca Online e komunës së Prizrenit”, që përkrahet financiarisht nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Pas konsultave të brendshme është arritur pajtimi që veprimet konkrete të kësaj platforme fillimisht të përfshijnë avokimin për miratimin dhe zbatimin e Planit të Veprimit për Transparencë në komunë, monitorimin e praktikave në hartimin, miratimin dhe shpenzimin e buxhetit komunal me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes qytetare, pastaj monitorimin e zbatimit të vendimeve dhe dokumenteve të miratuara nga Kuvendi i Komunës, ndërkohë që do të krijohen forume publike të diskutimit mbi çështjet e qeverisjes demokratike dhe çështje të tjera.

Aktivitetet që janë paraparë të zhvillohen brenda këtij viti përfshijnë takimet e rregullta mes OJQ-ve dhe medieve, organizimin e tryezave të diskutimit dhe avokimin për qeverisje demokratike, pastaj hartimin e dokumentit “Forumi i qeverisjes demokratike në Prizren”, sikurse edhe debate ballafaquese me vendimmarrësit komunal, me pjesëtarë të komunitetit mbi qeverisjen demokratike, etj. Në këtë drejtim, “Forumi Transparenca” pret bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithë akterëve të shoqërisë, në mënyrë që të avancohet qeverisja demokratike në Prizren. /PrizrenPress.com/