5.7 C
Prizren
E hënë, 4 Maj, 2026
Home Blog Page 8786

Ende s’ka asgjë të re për parti

0

Jakupkrasniqi10-6Jakup Krasniqi thotë se ende ka kohë për formimin e partisë politike, për të cilin ka folur tash e disa muaj.

Zgjedhjet e përgjithshme, sipas preferencave të subjekteve politike, do të duhej të mbaheshin në pjesën e parë të vitit, përkatësisht në muajin qershor, edhe pse nuk e kanë përmbyllur ende reformën zgjedhore, një kusht ky i faktorit ndërkombëtar.

Por, Kryeparlamentari Krasniqi, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se zgjedhjet ende nuk janë shpallur dhe se nuk di që ato mund të mbahen në qershor.

“Zgjedhjet ende nuk janë shpallur. Unë nuk e di këtë”.

Sa i përket themelimit të partisë së re, Krasniqi thotë se ende nuk ka ndonjë lëvizje.

“Një herë, edhe pak, jo. Ende nuk ka asgjë”.

“Ne jemi duke i analizuar disa rrethana, besoj se ka kohë, por ta shikojmë”, ka thënë Jakup Krasniqi për lajmi.net.

Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, që dikur ishin dy figurat kryesore brenda së PDK`së, tash e një kohë të gjatë kanë ngrirë marrëdhëniet me strukturat e partisë, edhe pse zyrtarisht nuk e kanë konfirmuar largimin.

Që nga fundi i vitit të kaluar, ata kanë dhënë deklarata në opinion, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, për themelimin e një partie politike, por deri më tash ende nuk ka ndonjë veprim konkret.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj kanë dalë hapur kundër PDK’së, duke e sfiduar atë me “Iniciativat Qytetare” në Drenas dhe Malishevë.

Pavarësisht thirrjeve publike nga ZëvendësKryetari Kadri Vesli dhe Nënkryetari Hajredin Kuçi për kthim në PDK, as Limaj dhe as Krasniqi nuk kanë pranuar të lëvizin nga pozicioni i tyre.

Ndërkohë, është përfolur një takim i mundshëm mes Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt, në tentim për ta dëgjuar njëri-tjetrin, për të parë nëse udha e tyre politike do të mund të jetë ende e përbashkët, apo ajo do të ndahet përfundimisht.

Sirianët strehohen edhe në Kosovë

0

azilkerkuesitEdhe këtë vit Kosova përballet me kërkesa për azil nga shtetasit e huaj, kryesisht nga Siria. Aktualisht janë tetë persona që mbahen në Qendrën për Azilkërkues. Ata vijnë nga vatra të ndryshme të konfliktit.
Drejtori i departamentit për Shtetësi, Migracion dhe Azil në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi, thotë se kërkesat për azil varen nga zonat e konflikteve.

“Këto kërkesa vijnë kryesisht nga Afganistani, Pakistani, Palestina, Algjeria e Iraku”, thotë Krasniqi për KosovaPress.

Kohëve të fundit ka rënë fluksi i azilkërkuesve. Ndërsa, si edhe më parë, ata që kërkojnë strehim në Kosovë, këtë e shfrytëzojnë si vend transit për të dalë në Evropë.

“Azili nuk i jepet një azilkërkuesi në rast se nuk plotëson njërin nga pesë kushtet e parapara me ligj: nëse nuk arrijmë të sigurojmë dëshmi se i njëjti azilkërkues – në vendin prej nga vjen – nuk diskriminohet në bazë të kombësisë së tij, në bazë të racës së tij, në bazë të religjionit, në bazë të bindjeve politike të tij, si dhe në bazë të asaj se i takon një grupi të caktuar shoqëror. Nëse për këto elemente nuk ka dëshmi, nuk ia japim azilin në Kosovë”, tha Krasniqi.

Vitin e kaluar DSHAM-i ka pasur 62 kërkesa. Aktualisht, në qendrën për Azilkërkues në Magure të Lipjanit qëndrojnë tetë persona.

LEXO PO ASHTU: “Pranoni refugjatët shqiptarë nga Siria”

Fitim Zariqi, shef i Qendrës thotë se këtë vit kanë pasur shtatë kërkesa për azil.

“Për momentin kemi tetë persona. Disa janë edhe prej vitit të kaluar. Disave prej tyre iu është dhënë mbrojtje plotësuese nga Divizioni i Azilit; disa janë në procedurë të kthimit; e disa janë në procedurë të intervistimit”, thotë për Zariqi.

Kjo është qendra e përhershme për akomodimin e azilkërkuesve në Kosovë, në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Migrim dhe Azil. Kjo qendër ka kapacitet për akomodimin e 50-60 azilkërkuesve.

Edhe Zariqi thotë se azilkërkuesit janë kryesisht prej vendeve të Lindjes.

“Tash për tash prinë Siria. Në vitin 2011 ka prirë Afganistani. Të tjerët janë nga Pakistani, Algjeria, Maroku, Kongo etj.”, thotë Zariqi.

Ai shtoi se azilkërkuesit kryesisht vijnë për çështje ekonomike, ndërsa e shfrytëzojnë azilin për të kaluar në vendet e Perëndimit. Sipas tij, më së shumti ka të tillë që janë larguar gjatë procedurës së azilit.

“Në Kosovë qëndrojnë dy ose tre muaj, pastaj largohen”, shton ai.

Azilkërkuesit që akomodohen në këtë qendër kanë pakon higjienike, shujta ditore, këndin e lojërave, dhomën rekreative, bibliotekën, fushat e futbollit, volejbollit, basketbollit etj..

Zariqi thotë se azilkërkuesi nuk ka të drejtë të dalë nga qendra, pa iu lëshuar letërnjoftimi për azil. Ndërsa, pas dhënies së letërnjoftimit, ai është i lirë të dal nga ora 08:00 deri në orën 22:00 në mbrëmje. Ndërsa, pas orës 22:00 duhet të kthehet në qendër, përndryshe nuk mund të hyjë.

Edhe Policia e Kosovës ka rolin e vet në këtë drejtim. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, thotë se çdo rast, i çdo shtetasi të huaj që kërkon azil në Kosovë, drejtohet tek Drejtoria për Migrim.

“Puna e Policisë është legjitimimi i këtyre personave, marrja e shënimeve të identitetit, fotografimi, marrja e shenjave të gishtave… Me arsyeshmërinë e kërkesës, se pse kërkojnë mbrojtje nga shteti jonë, merret departamenti në kuadër të MPB-së”, tha Sadriu.

Sipas tij, numri më i madh i azilkërkuesve paraqitet nëpër stacionet policore, por edhe nëpër pikat kufitare. Megjithatë, ka të tillë që hyjnë ilegalisht në territorin e Kosovës, në tentim për të dalë në shtetet tjera të Evropës. Në rastet e tilla, iniciohet lënda për kalim të paligjshëm të kufirit, ose qëndrim të paligjshëm në Kosovë. /KosovaPress/

Java e ardhshme, me reshje të dobëta bore

0

BoraMbi vendin tonë, sot ka mbajtur mot i vranët i përcjellë me reshje të dobëta bore. Reshje më intensive kishte në vise malore, ku trashësia e borës arriti mbi 20 cm. Vlera minimale e temperaturës u shënua -3 gradë, kurse më e larta e ditës ka arritur në 1 gradë celsius. “Shtypja atmosferike është e ulët 930 milibar dhe si rrjedhojë e kësaj do të kemi mot të vranët vende-vende me reshje të dobëta të borës dhe me temperatura nën zero. Lagështia relative e ajrit nuk pësoi ndryshime të mëdha 92%-90%. Dukshmëria horizontale nga 1km në 5 km. Era vazhdon të fryjë nga ana e veriut dhe verilindjes e cila në mëngjes kishte arritur shpejtësinë nga 3-15m/s”, bën me dije Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
IHK edhe për javën e ardhshme parasheh të kemi mot kryesisht të vranët dhe në vende- vende me reshje të dobëta të borës.
“Temperaturat do të ulën për 2 deri 3 gradë. Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja. Pas së martës pritet që temperaturat maksimale të marrin vlera pozitiv dhe të ketë reshje të karakterit lokal. Do të fryjë erë nga ana e jugut dhe juglindjes”, njofton IHK

3.5 kilogram drogë gjenden në një autobus në pikëkalimin e Vërmicës

0

DrogaaNjë sasi e drogës, afro 3.5 kilogram të llojit “marihuanë” është gjetur mëngjesin e të shtunës, në pikë kalimin kufitar, në një autobus që po qarkullonte në linjën e rregullt nga Tirana për në Prishtinë, ndërsa Elsan H. Neziraj, nga një fshat i Krujës është arrestuar nga policia e Prizrenit, në cilësinë e të dyshuarit.

Përpjekja për përfitim të paligjshëm duke transportuar substanca narkotike ka dështuar për djaloshin 24 vjeçar, shtetas nga Shqipëria, pasi kontrolli i ushtruar nga policia dhe doganierët kosovar, në autobusin e kompanisë “KEY reisen” nga Tirana, rreth orës 8:30 minuta në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, afër Prizrenit rezultoi me gjetjen dhe konfiskimin e drogës, në sasi prej 3 kilogram e 350 gram.

Rastin e konfirmoi edhe policia në Prizren. Drejtori rajonal, Nexhmi Krasniqi tha për “Zërin” se droga është gjetur gjatë kontrollit të autobusit, ndërsa si i dyshuar nga policia masa e sigurisë për ndalin 48 orësh i është shqiptar shtetasit nga fshati Gërnec i Krujës, Elsan Nezirajt.

“Për rastin janë njoftuar organet përkatëse, përfshirë edhe Prokurorinë, ndërsa me të tashmë po merret njësiti i Forenzikës dhe ata të antidrogës”, tha nënkoloneli Krasniqi.

Kjo është sasia më e madhe e substancave narkotike që është zbuluar këtë vit, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, që vlerësohet ndër më të ngarkuarit në rajon.

Ndryshe, pas luftës, në Vërmicë janë konfiskuar edhe sasi më të mëdha të drogës. Trendi i transportit të narkotivëve përmes kësaj linje, referuar raporteve policore, për dallim nga vitet e mëparshme, kohët e fundit ka shënuar rënie të dukshme.

Rexhepi nuk largohet nga qeveria!

0

BajramRexhepi-ministerMinistri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka demantuar zërat e fundit që disa ministra të PDK-së do të largohen nga Qeveria e cila drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi.

Në mesin e emrave të përfolur, aty ishte edhe i pari i MPB-së, por që ky i fundit ka demantuar atë.

“Nuk merrna me spekulime të mediave, kështu që kush ja’u ka thënë, pyetne atë”, ka thënë shkurt për Indeksonline, ministri Bajram Rexhepi, transmeton indeksonline.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme, sa është e drejtuar nga Rexhepi, ka pasur disa skandale, ndër to edhe ajo e ‘Pasaportave biometrike, në vlerë prej 1.4 milion euro”.

Emigrantë nga Kosova kapen në Hungari

0

Emigrante kosovarNjë grup prej 12 emigrantëve të cilët kanë hyrë në Hungari në mënyrë ilegale, janë zënë nga policia e rrethit të Csongrad, këtë fundjavë në qytetin jugor të Morahalon, i cili ndodhet jo shumë larg qytetit të Szeged.

Policia njofton se emigrantët kanë ardhur nga Afrika e Veriut, Kosova, Pakistani dhe Afganistani.

Emigrantët ilegalë janë gjetur të fshehur në një automjet udhëtarësh i cili raportohet të jetë i vjedhur në Itali, ka qenë duke u drejtuar nga një 21 vjeçar nga Novi Sadi, detyra e të cilit ishte që t’i dërgonte këta persona në Vjenë të Austrisë, raporton lajmi.net.

Zsuzsanna Veg e cila është drejtoreshë e Zyrës për Emigracion dhe Nacionalitete, tha se kufiri i Hungarisë me Serbinë, është pika kyçe prej nga emigrantët hyjnë në Hungari, posaçërisht personat që kërkojnë statusin e refugjatit. Sipas saj, shumica e tyre nuk kanë mundur ta presin kohën për aplikimin për azil dhe janë larguar nga vendi para se procesi i dhënies së azilit të përfundojë.

Thaçi: Ta kryejmë reformën zgjedhore gjatë shkurtit

0

Thaci5-21Kryeministri Hashim Thaçi, pas mungesës së konsensusit për ndryshimet kushtetuese, ka ftuar të gjithë spektrin politik kosovar që të bëj reforma të nevojshme zgjedhore që të garantohen zgjedhje fer dhe demokratike, në të cilat do të respektohej vullneti i qytetarëve.

“Pas mungesës së konsensusit të domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, ftoj spektrin politik të Kosovës që t’i bëjmë reformat e nevojshme zgjedhore që garantojnë proces fer, transparent, demokratik dhe respektim të vullnetit të qytetarëve, si dhe të plotësojmë pritjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

Kreu i Qeverisë, Thaçi, ka renditur reformat e nevojshme ligjore dhe fushat në të cilat do të duhet që të punohet në reformën zgjedhore.

“Tani na mbetet t’i bëjmë reformat e nevojshme ligjore, që prekin ligjin për zgjedhjet nacionale në disa fusha, për të cilat pres të arrijmë konsensus politik, por edhe aprovimin në Kuvendin e Kosovës, si: përcaktimi i kohëzgjatjes së fushatës elektorale, përcaktimi i numrit të kandidatëve në listat zgjedhore,përcaktimi i pragut zgjedhor, përcaktimi i të drejtës për votim me kusht dhe çështje tjera të rëndësisë së përbashkët të të gjithë spektrit politik”.

Kryeministri ka ftuar spektrin politikë që këto ndryshime të bëhen deri në pjesën e parë të muajit shkurt.

“Ftoj spektrin politik që këto ndryshime t’i bëjmë në afatin e parë të mundshëm, në pjesë e parë të muajit shkurt”.

“Po ashtu, PDK-ja shpreh gatishmërinë për pjesëmarrje në debate si dhe vullnet për arritjen e konsensusit politik”- ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi në Facebook.

Ivanoviq pret normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

0

OiverIvanovicKryetari i Listës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq ka thënë që Serbia asnjëherë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por që pret të ketë një numër marrëveshjesh, që do t’i normalizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në një intervistë për RTK 2, Ivanoviq ka thënë se pret që numri i daljes së qytetarëve për zgjedhjet në Mitrovicën Veriore të jetë më i vogël, ndërsa që ka pohuar se nuk e di a do të garojë sërish për të parin e kësaj komune.

Ndërroi jetë këshilltarja e AKR-së, Gjylgjyzara Karaxhija- Xheravina

0

Gjylgjyzara Karaxhija-Xheravina-AKRNë Qendrën Klinike të Shkupit, ndërroi jetë Gjylgjyzara-Karaxhija, shefja e Grupit të këshilltarëve të AKR-së në Kuvendin Komunal të Gjakovës.

Lajmin për vdekjen e këshilltares komunale e ka bërë të ditur kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, përmes një postimi në Facebook.

“Me pikëllim të thellë ju informojmë se 30 min më parë zemra e Zarushit pushoi së rrahuri. Këtë betejë Zarushi e humbi, por shpirti, puna dhe vepra e saj do të shërbejnë si motiv për ne”, thuhet në postimin e kryetares Kusari-Lila në Facebook.

“Trupi i saj gjendet ende në Shkup, ndërsa do të ju mbajmë të informuar për ceremoninë mortore.
Ngushëllime bashkëshortit dhe vajzës dhe familjes së ngushtë dhe të gjerë të cilët gjithmonë duhet të jenë krenar për gruan, Nënën dhe vajzën që patën.
U prehtë në paqe shpirti saj i bardhë!”, ka shkruar Kusari-Lila.

Gjylgjyzara Karaxhija – Xharavina vdiq nga pasojat e një aksidenti komunikacioni, të enjten në mëngjes.

Xharavina, e njohur në Gjakovë si Zarushi, u godit nga një veturë, derisa ishte duke udhëtuar me biçikletë për në vendin e saj të punës, në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”.

Rexhepi: Kuadër ligjor për luftrat jashtë vendit

0

BajramRexhepi-ministerAutoritetet në Kosovë thonë se janë duke kompletuar bazën ligjore për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftën në Siri. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se baza ligjore do të mbështetet në praktikat më të mira të botës për këtë çështje, meqë Kosovës i mungon një praktikë e tillë.

“Në mënyrë preventive dhe një përcjellje e këtij fenomeni, mungon baza ligjore, prandaj ne bashkërisht po mundohemi ta kompletojmë, në mënyrë që këtë fenomen, i cili megjithatë është shqetësues, ta përcjellim edhe me më shumë vëmendje, më me shumë mbikëqyrje, por në të njëjtën kohë edhe të kemi bazë ligjore nëse ka vend që të veprohet”, tha ministri Rexhepi.
Më herët agjencitë e zbulimit thanë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Ministri Rexhepi thotë se ka numra të ndryshëm por askush nuk e ka numrin e saktë, “sepse ndodhë që një i ri, ose çfarëdo individi, i cili do të shkojë në Siri, zakonisht shkon nëpërmjet Turqisë, e nëpërmjet saj qarkullojnë shumë njerëz të cilët kanë edhe bizneset e tyre dhe është shumë vështirë të dallohet se cili është, ndërsa kalimi ilegal nga Turqia në Siri, që kryesisht është ilegal, nuk ka bazë argumentuese me e ditë se cili ka qenë. Por, aty sillet diku, të dhënat e ndryshme janë për nja 80, si të sigurt, që mund të jetë me lartë më poshtë, aty diku sillet, 80 deri në 100 maksimumi”.

Ministri Rexhepi thotë që solidarizimi shqiptarëve në fillim të luftës në Siri me opozitën që luftonte kundër regjimit të Bashar Al Asadit, mund të ishte i natyrshëm duke pasur parasysh edhe të kaluarën e Kosovës. Por, gjërat atje kanë ndryshuar dhe në luftë janë përfshirë grupe të lidhura me organizata terroriste.

“Fatkeqësisht, në bazë të informatave që kemi, shumica e këtyre djemve ose burrave që shkojnë në Siri, më tepër janë të sistemuar nëpër grupe të caktuara, të cilat janë edhe terroriste, disa, dhe më së paku janë një opozitë e mirëfilltë kundër regjimit të Asadit. Prandaj, këtu tash është pikëpyetje se cili është motivi. Dhe këta njerëz, të cilët nëse e kalojnë një kohë nëpër këto grupe, organizata, çfarë frymëzimi marrin dhe kur kthehen atëherë me të vërtetë paraqesin një problem shqetësues. Kështu që, nëse fjala ime vlen diçka, unë apeloj që, ne nuk kemi njerëz me çue posht, me shkue dhe me u indoktrinua nga grupe të caktuara qoftë terroriste dhe një frymë që nuk përkon me ambientin tonë”.

Ministri Rexhepi thotë se shkuarja në Siri ndodhë në rrugë individuale por ka edhe organizata joqeveritare që veprojnë në Ballkanin perëndimorë, që ndihmojnë dhe lehtësojnë shkuarjen e luftëtarëve të rajonit atje. Ai thotë se nuk është numri i atyre që shkojnë në Siri shqetësim për Kosovën, por dukuria, meqë Kosova është vend i njohur me islamin e saj laik.
“Dhe çdo frymë e një islamizmi radikal, është shqetësues, për arsye se është e huaj për neve dhe normalisht që krijohet një imazh i keq për Kosovën. Kosova nuk është trualli ose vendi i përshtatshëm ku mund të zhvillohet një islamizëm radikal. Ne jemi shumë krenar për tolerancën dhe diversitetin e religjioneve që kemi dhe mirëkuptimin mes konfesioneve të ndryshme fetare. Ndërsa, nesh ty të vjen një rrymë e cila është intolerante dhe ndjell urrejtje ndaj konfesioneve tjera, ajo është e rrezikshme dhe natyrisht që aty duhet me të gjitha instrumentet të gjejmë formën, jo vetëm të veprimit ose të ndjekjes penale, por edhe segmentet tjera të shoqërisë të bëjnë punën e vet në mënyrë që të mos na forcohet një element i tillë”, tha Rexhepi, transmeton Oranews.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë thirrje në disa raste kundër përfshirjes së shqiptarëve luftën në Siri dhe që të mos bihet pre e interpretimeve të gabuara të islamit, thirrje të cilave u janë bashkuar tashmë edhe Bashkësitë Islame në Shqipëri e Maqedoni.