Eqrem Kryeziu nuk ka lënë pa komentuar vlerësimin që publicisti dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka bërë për LDK-në dhe kandidaturën e tij në zgjedhjet lokale të vitit të kalur për kryetar të Prizrenit.
Ai ndjen ‘keqardhje’ që Buxhovi ka ikur nga LDK-ja.
“Më vjen keq që iku nga LDK-ja. Tanimë e kam harruar edhe shkasin pse iku”, tha Kryeziu për “PrizrenPress”.
Publicisti dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi në një intervistë për “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se nuk e sheh Eqrem Kryeziun, si një politikan me perspektivë. Ai ka fajësuar LDK-në që ka kandiduar Kryeziun për kryetar të Prizrenit, ndonëse nuk ia ka përmendur emrin.
“Nuk mund të fitohet Prizreni me një kandidat që ka humbur tri parë zgjedhje”, ka thënë Buxhovi. Ai tha se LDK është dashur ta fitojë Prizrenin, por jo me një kandidat siç ishte Eqrem Kryeziu.
Ndërkaq,Eqrem Kryeziu ka ironizuar me këtë vlerësim të Buxhovit.
“Po, falemnderit!.Buxhovi paska kapur në interesimin e vet një kontekst shumë të gjerë, marramendës për aftësinë time të perceptimit. Aty qenka dhe vogëlsia ime”.
“E kam kënaqësinë se paska vlerësuar, si të denja për vëmendjen e tij, edhe zgjedhjet komunale në Prizren. Nuk do t’ia trazoj qetësinë e nevojshme për për të shkruar për kultivimin e patriotizmit shqiptar. Suksese Buxhovit!”./PrizrenPress.com/
Zvarritja e Ligjit për dëshmorët, invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka irrituar një numër të madh të personave që i takojnë kësaj kategorie. Ata thonë që me mos miratimin e këtij ligji, shteti ka dështuar për të mbrojtur vlerat e luftës. Madje Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paralajmëron ashpërsim të masave për përmbushje të kërkesave të tyre.
Gani Kurti, një veteran i UÇK-së, që aktualisht jeton në Mitrovicë, thotë që me përfundimin e luftës kishte shpresuar për një jetë më të mirë, por sot zhgënjimi i tij është shumë i madh me institucionet e vendit.
“Si veteranë kishe se ndryshe askush nuk merret me neve, disa që kanë pasur të njohshëm kanë filluar të punojnë, ndërsa një pjesë e jona kemi mbetur shumë keq. as që është interesuar askush për ne. Sot në vend që të jemi si veteranë, me pas diçka një përparësi, këtu nuk ke asgjë. Marre për këtë qeveri për këta deputetë, që sjellin ligje e nuk i zbatojnë ato”, theksoi ai.
Kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhemajl Muharremi thotë për Radio Kosovën se për mungesën ligjore të njohjes së vlerave të luftës dhe e benificioneve që do të duhet t’i gëzonin këto kategori fajtore është Qeveria dhe Parlamentit. Ai paralajmëron radikalizëm të veteranëve të luftës, nëse brenda gjashtë muajve nuk rregullohen këto çështje.
“Ne jemi shumë të vendosur që brenda këtij gjatë mujori t’i detyrojmë institucionet e vendit që të bëjnë ligjin për veteranët e luftës duke mos i përjashtuar që pas datës 10 mars të gjitha mundësitë të cilat janë të parapara edhe me statutin e organizatës së veteranëve të UÇK-së, nuk do të përjashtohen as protestat e as demonstratat dhe format tjera”, theksoi ai.
Edhe procesi i verifikimit të statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u zvarritur, ndonëse, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit për Kategoritë e Luftës, i cili udhëhiqet nga ministri i FSK-së, Agim Çeku, pas shumë kohësh ka filluar verifikimin në terren të aplikacioneve.
Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka adresuar kritika drejt këtij komisioni, për mospërmbushje të obligimeve.
“Konsideroj që kjo pengesë ose moskryerje e detyrës është tek ky komision dhe jam i bindur se sikur ky komision të përmbushte detyrën e vet, nuk do të kishte probleme”, theksoi Krasniqi.
Nga shtatë Zona sa kanë qenë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, numri i atyre i atyre që kanë aplikuar të fituar statusin për kategori të caktuar të luftës sillet deri në 66 mijë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur një rast hetimi lidhur me grupet që organizojnë shkuarjen e kosovarëve për të luftuar në Siri. Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina i ka konfirmuar Radio Kosovës se tashmë ka nisur hetime ndaj një personi. Por, ajo nuk ka treguar detaje se për çfarë veprash saktësisht po hetohet personi dhe lidhjet.
Një dosje me emrin “Siria” tashmë është hapur në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Materia e saj mësohet se përmban hetime dhe informacione për persona të përfshirë në grupet që organizojnë shkuarjen e kosovarëve për të luftuar në Siri.
Burime brenda prokurorisë kanë konfirmuar se ato që janë gjetur tregojnë se asnjë dokument që identifikon ata si shtetas të Kosovës nuk u mbetet kosovarëve që kalojnë shtigjet e panjohura aziatike për të mbërritur në Siri.
Gjithashtu sapo të mbërrijnë destinacionet atyre u merren dokumentet dhe numrat e kontaktit të familjarëve në Kosovë, që zakonisht kontaktohen vetëm në rast plagosjesh të rënda apo vrasjesh të tyre.
Në këtë mënyrë, sipas këtyre hetimeve, grupet që menaxhojnë ata përpiqen të mbajnë fshehtë identitetin dhe informacionet për rrjetin e tyre, financimin dhe qëllimin e tyre.
Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, i ka thënë Radio Kosovës se deri më tani nuk ka ekzistuar materie e mjaftueshme për të hapur raste ose ngritur aktakuza dhe raste të tilla nuk ka pasur në prokuroritë e rregullta.
Por, nga Prokuroria Speciale e Kosovës një shtetas kosovar tashmë po hetohet të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhet direkt me shkuarjen për të luftuar në Siri.
Shefja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina ka shpalosur vetëm atë që përbën stadin fillestar të hetimit.
“Tani për tani unë mund të iu konfirmoj se në Prokurorinë Speciale të Kosovës është i hapur një rast kundër një personi dhe ky rast ndodhet në fazën e veprimeve fillestare. Asgjë më tepër nuk mund të iu konfirmoj për shkak të ruajtjes së fshehtësisë së hetimeve”, i ka thënë Morina Radio Kosovës.
Morina nuk ka dhënë detaje të tjera për kategorinë e veprave për të cilat dyshohet ky shtetas kosovar.
Policia, sipas zëdhënësit Baki Kelani, gjithashtu ka intensifikuar hetimin e këtyre rasteve. Kelani ka njoftuar për dëshmi të mbledhura dhe intervistime të disa personave.
Sidoqoftë përkundër informatave të Agjencisë së Inteligjencës dhe rasteve të regjistruara nga policia, Prokuroria e Shtetit konsideron se është e vështirë të ndiqen shumica e të përfshirëve në konfliktin në Siri.
Veprimet e tilla në shumicën e rasteve, sipas legjislacionit kosovar nuk është gjetur se bien ndesh në mënyrë të plotë me ligjet e vendit, konventat dhe normat ndërkombëtare.
Aktualisht në ekzekutivin dhe legjislativin e vendit po diskutohet çështja e ligjit që u heq shtetësinë e kosovarëve që luftojnë në Siri, e që sipas të dhënave të besueshme brenda hetuesisë aktualisht janë rreth 40 persona./rtk/
Kosovarët qëndrojnë në radhë, diku edhe grumbull para dyerve të ambasadave të huaja në Kosovë.
Mënyra sesi presin, dëshpërimi që ka kapluar fytyrat e tyre dhe ofshama që lëshojnë nga lodhja, duke qëndruar në këmbë gjatë, tregon se për kosovarët integrimi në Bashkimin Evropian është proces i vështirë, shkruan Zëri.
Vetëm logoja dhe flamujt e vendeve evropiane që i kanë përballë ku po presin të marrin viza për të shkuar në këto shtete, të bëjnë të ditur se në ato objekte janë vendosur ambasadat, përndryshe përshtypja e parë që të krijohet kur sheh këta njerëz është se ata janë kapluar nga kriza dhe po shtyhen për të marrë bukë.
Analistët vlerësojnë se pranimi i fusnotës për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale rezulton të ketë qenë një nga mashtrimet e shumta në procesin e bisedimeve në Bruksel.
Deri më tani vendit tonë i është pamundësuar që të flasë për aktivitetet që organizohen nga shtetet fqinje dhe ato rajonale.
Qeveria e Kosovës me pranimin e fusnotës pretendonte të anëtarësoje vendin në 36 organizata dhe mekanizma rajonalë me formulën e re të përfaqësimit, por, siç duket, pranimi i saj nuk rezultoi i suksesshëm për politikën e jashtme të vendit, ngase nga 36 organizata dhe mekanizma rajonalë vendi ynë deri më tani ka arritur të anëtarësohet vetëm në 14 të tillë.
Prandaj, pranimi i fusnotës për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale rezulton të ketë qenë një nga mashtrimet e shumta në procesin e bisedimeve në Bruksel. /Kosova Sot/
Tridhjetë kosovarë kanë udhëtuar gjatë janarit për në Siri, kanë bërë të ditur burime të huaja të inteligjencës. Numri i kosovarëve që kanë shkuar atje varësisht nga burimet e raportimit variron prej 4 në 400. Por, një gjë është e sigurt, 6 kosovarë janë vrarë atje.
Burime të ndryshme që merren me këtë çështje kanë ofruar informacione me shifra për “Kohën Ditore”.
Sipas tyre, shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria e Lugina e Preshevës janë të pozicionuar në grupe të ndryshme radikale ndërluftuese.
Vërehet se shqiptarët e pozicionuar në shumë grupe janë duke luftuar edhe ndërmjet vete. Pos shqiptarëve në këtë luftë ka edhe evropianë të tjerë.
Hulumtimet e kryera nga ICSR mbështetur në 1.500 burime, kanë treguar se mbi 11 mijë evropianë janë përfshirë në këtë luftë. /KD/
Derisa procesi i kompensimit për ish të burgosurit politikë ka hyrë në fazën përfundimtare, mes atyre që kanë vuajtur dënimet e regjimit komunist është ngritur dilema nëse duhet marr ato para nga shteti apo jo. Edhe nëse i marrin, çka të bëjnë me to. Ka ditë që ish-të burgosurit politikë, individualisht po dalin me deklarata të ndryshme rreth kësaj çështje.
Dikush thotë që nuk ka nevojë shteti t’i kompensojë. Tjetri thotë se paratë duhet marrë por ato duhet të dhurohen më pas për çështje humanitare. Një palë e tretë e favorizon mesin. Thotë që një pjesë të parave duhet mbajtur e një pjesë të dhurohet. Në grupin e deklaruesve është futur edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ai i cili ka vuajtur 10 vjet burg.
Kreu i Kuvendit, ka preferuar që me paratë e kompensimit të krijohet një fond për shkollimin e fëmijëve të dëshmorëve. Por më larg se ai ka shkuar Daut Xhemajli, gjithashtu i burgosur nga regjimi i Serbisë, sipas të cilit ai dhe bashkëvuajtësit e tij nuk kanë qëndruar në burgjet serbe për t’u shpërblyer sot me para/tribuna/
Rruga që shpie për në Hade është paralajmërim për gjendjen e shtatit e të banorëve që jetojnë aty. Aq shumë baltë, saqë është e vështirë të dallohet nëse ajo është e asfaltuar.
Balta është futë e zezë. Krijohet nga mbetjet e qymyrit, i cili bartet me shiritin transpoetues krejt pranë rrugës. S’ka rrethojë që e pengon depërtimin e kalimtarëve deri aty. Duket si pjesë industriale e Korporatës Energjitike të Koosvës.
Në territorin indistrial s’mund të lëvizet pa pasur pajisje mbrojtëse, kapela a mbathje të veçanta.
Por këto rregulla nuk vlejnë për banorët lokalë. Enden andejpari çdo ditë.
Përvç pluhurit dhe zhurmës, janë vazhdimisht të rrezikuar. Mihja bëhet krejt afër rrugës. Ajo bëhet edhe më e frekuentueshme nga qytetarët, pasi fshati nuk ka transport publik. Dikur aty kanë jetuar afro dyqind familje. Sot numri i shtëpive është përgjysmuar, por shumica prej tyre janë boshatisur./Koha Ditore/
Ish agjenti i Shërbimit Informative të ish Jugosllavisë (UDB), Bozhidar Spasiq i njohur për qëndrimet e tij në opinion e gjerë të Ballkanit, në një intervistë për një televizion ballkanik flet në mënyrë kontroverse për periudhën e funksionit të këtij shërbimi. Ai njihet për deklarimet e forta veçanerisht kundër shqiptarëve, si dhe popujve tjerë të rajonit tonë.
Në ketë intervistë ai flet për një atentat të mundshëm ndaj ish presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq që sipas tij ishte dashur të kryhet nga Xhavit Haliti, Enver Hadri dhe Xhafer Shatri. Po ashtu ai lakon edhe emra tjera të krerëve shtetëror të Kosovës dhe Maqedonisë. Tezat e tij nuk janë vërtetuar asnjëherë deri me tash.
Me poshtë gjeni të transkriptuar intervistën e Bozhidar Spasiqit
Tre shqiptarë terrorist ku njëri prej tyre është i vdekur kurse tjetri është në Kosovë dhe është shumë i rëndësishëm. Ai është Xhavit Haliti të cilin tash shtypi e konsideron si udhëheqës të mafias në Kosovë dhe njërin nga tregtarët kryesor me organe njerëzore. Të bëhet e qartë, më shumë shqiptarëve iu janë marrë organe sesa serbëve dhe ky është problemi për shqiptarët në Kosovë që ta hapin ketë çështje duke e ditur se do të ishte katastrofë për Thaçin dhe të tjerët. Për serbët atyre nuk iu bën fare. Për ta është problem pasi që ketë ua kanë bërë edhe shqiptarëve lojalë, shqiptarëve të ndershëm të cilët nuk kanë dashur të jenë pjesë e tyre.
Pra këta tre terrorist shqiptar, Xhavit Haliti, Xhafer Shatri dhe Enver Hadri janë takuar në gjysmë rrugë të Shtutgartit dhe kanë bërë marrëveshje që ata të fillojnë sulme terroriste në vendin tonë. Aty është përmendur kryerja e atentatit ndaj Sllobodan Millosheviqit i cili në atë kohë nuk e di se a ka qenë presidentit i shtetit, por ishte në Serbi dhe pat filluar të ekspozohet dhe autobusët me fotografitë e tij irritonin të gjithë vendin, etj., dhe ata vendosin që ta bëjnë ketë duke porositur edhe pushkë të cilat do të bliheshin në Sllavonski Brod. Më pas një shqiptar bleu gjashtë kallashnikov dhe disa revole të cilat një kroat shofer i autobusit do të duhej që t’i merrt nga Sllavonsi Brod dhe me pas t’i fusin shqiptarët. Nuk e dinin që njeriu që e bënte ketë ishte bashkëpunëtori ynë, kështu që unë në fund i kam bartur ato armë në Kosovë në një fshat, me dukej ishte fshati Prilep afër Deçanit. Ne sigurisht se u përkujdesëm për ato armë që mos të jenë aktive pasi që po të shtihej nga ato pushkë ato do të shpërthenin dhe do të lëndonin duart, kështu që kush ka shtënë me ato armë më nuk do të mund të shtinte. Ata kur filluan të stërviteshin për atë atentat. Aso kohe në Kosovë do të duhej të shkonte Milosheviqi dhe me ato armë ata nuk do të mund të kryenin atentat, kështu që masa të caktuara u ndërmorën për këta tre shqiptar të emigracionit. Ndaj tyre u hodhën disa mjete të lehta shpërthyese dhe tash ndjehem fajtor pse ato shpërthime ishin të lehta dhe në një situatë të caktuar erdhi deri te vrasje e Enver Hadrit. Është e rëndësishme të thuhet se në varrimin e Enver Hadrit në Bruksel erdhën dy kongresist amerikanë, Diogardi dhe Bob Dol. Vetëm fakti i ardhjes së dy kongresistëve amerikanë në varrim, të cilët më herët kishin punuar për CIA, tregon se kush qëndronte pas krejt këtyre operacioneve. Në arkivat e tyre (Xhafer Shatrit) janë gjetur bileta aeroplani që do të shkonin në takim në Moskë, kështu që kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizimit nuk ka miq.
Kush e kontrollin sot Kosovën?
Sot Kosovën e kontrollojnë të gjithë dhe askush. Ajo çfarë mund të thuhet është se atje ekzistojnë shumë shërbime informative që mbledhin të dhëna. Mendoj që fondin më të madh të zhvillimeve në Kosovë e posedon Gjermania, shërbimi informative dhe ky shërbim para 4-5 vjetësh e ka përpiluar një raport i cili quhet: “Kush janë shefat e mafias në Kosovë”? nga ky raport ne mund të shohim qartë se si shërbimi informative gjerman raporton se kush janë tregtarët e organeve dhe se dikush ka dashur seriozisht, edhe pse ne ua kemi tërhequr vërejtjen në mënyrë private, që kjo ekziston dhe askush nuk duhet ta nëpërkëmbë ketë, kanë treguar për Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Ekrem Llukën, sigurisht edhe për Haradinajn i cili gjendet në Hagë, etj. Pra këtu janë rreth 150 njerëz nga të cilët për 50 prej tyre opinioni duhet të dijë se sa të këqija i kanë sjellë popullit serb, ata terroristë dhe ajo bandë rreth Thaçit. Dhjetë herë më shumë të këqija i janë bërë popullit shqiptar. Kjo mund të krahasohet edhe me tregimin për Stalinin dhe atje (në Rusi) Stalini i ka vrarë rreth 20 milionë rusë, kështu që një ditë këtu do të hapet çështja se sa shqiptarë në ndërtimin e kuazi-shtetit vranë shqiptarët. Serbë nuk kanë mundur të vrasin aq shumë pasi që ata kishin ikur nga Kosova.
Atentati ndaj Millosheviqit ishte shenjë. Unë në vitin 1997 ose 98 kam shkruar letër, në kohën kur e kisha agjencinë private detektive dhe isha shumë i padëshiruar për policinë serbe, por populli me pranonte, në kohën kur asgjë nuk ndodhte në Kosovë, i shkrova presidentit të Serbisë dhe i thash që nëse kështu vazhdohet do ta humbisni Kosovë. Asnjëherë askush nuk më është përgjigjur në ketë letër dhe me pas ketë letër e kam botuar në gazeta. Unë pata shkruar që Shërbimi Informativ i Serbisë merrej me tregtinë e duhanit, naftës, etj., derisa shqiptarët në Malishevë patën ndërtuar istikame në rreth 20 kilometra që ta presin ushtrinë dhe policinë serbe. Askush nuk u bazua në atë letër dhe kur Shërbimi informativ merret me tregti atëherë ai nuk është Shërbim.
A është e vërtetë që kreu aktual politik i Kosovës ka punuar për Shërbimin Shtetëror Informativ?
Sigurisht se kanë punuar. Veçanërisht shqiptarët ishin të interesuar që të bashkëpunojnë me Shërbimin… ata ishin bashkëpunëtorët me kualitativ. Bashkëpunëtorët me të mirë të Shërbimit të atëhershëm ishin shqiptarët dhe sllovenët, nuk di ta sqarojë ketë, por sllovenët ishin shumë pedantë në bashkëpunim dhe dëshironin ta bashkëpunon me ne për të gjitha specifikat, por vetëm për sllovenët jo. Na jepnin informacione për ushtashët (kroatët), boshnjakët, shqiptarët, serbët, por ata (sllovenët) asgjë nuk tregonin për sllovenët. Pra kreu aktual i Kosovës duke filluar nga ajo piramida ku është Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe ministri aktual i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai ishte profesor i shquar, ai me qejf jepte informacione për gjendjen në Universitetin e Kosovës. Pra shikoni kush është shef i Policisë. Në Maqedoninë Perëndimore e cila i takon Kosovës dhe maqedonët mund të shohin ëndrra, sepse kjo është kështu, atje është njëfarë lideri Ali Ahmeti dhe ai është i afërt me Hashim Thaçin, përmendet në raportin e shërbimit informativ të Gjermanisë si klan. Pra atje të gjithë janë klane dhe gjermanët i quajnë klane. Ali Ahmeti me dajën e tij ishte bashkëpunëtor i Shërbimit dhe tash ka dalë në opinion që ai ishte bashkëpunëtor i Shërbimit edhe pse ai thotë se nuk ishte. Dhe kjo do të dalë më vonë edhe pse Serbia po sillet në mënyrë korrekte dhe nuk po e hap ketë çështje, por kur të vije koha do të hapet dhe do të shihet që disa që e udhëheqin Kosovën ishin agjentë të UDB-së. /Orainfo/
Ishte kthyer nga Italia në vitin 99, duke lënë familjen pas për t’iu bashkangjitur luftës. E pas përfundimit të luftës, Xhevdet Jashari, deri më 2008-ën, ishte pjesë e Policisë së Kosovës, për t’u larguar më pas drejt Italisë, e për të përfunduar në Belgjikë, në kërkim të kushteve më të mira, raporton KTV.
Pas 5 vjet qëndrimi në kurbet, ishte rikthyer, ndërsa tani ka mbetur i pazgjidhur një problem që e kishte edhe më herët: strehimi. Ai thotë se me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, nuk i ishin bërë të ditura të drejtat që i takojnë si i rikthyer, të parapara me Rregulloren për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar.
Por, sipas Ministrisë së Brendshme, atij iu janë bërë të ditura të gjitha informatat e nevojshme dhe se deri tani ka përfituar pako të ndryshme ndihmash. Një prej arsyeve që atij fillimisht iu është refuzuar kërkesa për t’i siguruar strehim, ishte se Jashari kishte dhënë adresën e shtëpisë së babait të tij si vendbanim.