11.8 C
Prizren
E premte, 1 Maj, 2026
Home Blog Page 8829

Prokuroria nuk heton akuzat e Smajl Latifit

0

SmajlLatifi10-5Ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi nuk është intervistuar deri më tash nga Prokuroria, për akuzat që ka bërë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit për blerjen e votave në këtë qytet.

”Jo nuk jam intervistuar nga askush”, thotë Latifi për “PrizrenPress” .
Kryeprokurori i rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxhaj,pat premtuar se nëse akuzat e Latifit kanë bazë, Prokuroria do të fillojë hetimet.

“Nëse ka bazë, ne do të nisim hetimet këtu s’ka pardon”, pat premtuar Hoxhaj.
Ndërkaq, Latifi shpreson se organet e drejtësisë do t’i marrin seriozisht akuzat e tij, që ka bërë publikisht për blerjen e votave nga PDK-ja.

“Shpresoj se këtë vit do të sqarohet edhe kjo punë”, shpreht shkurt Latifi.

Ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Ministrinë e Bujqësisë për blerjen e votave në Rahovec.
“Ka pasur blerje të votave me anë të subveciovene. Unë do të doja që ndonjë prokuror të më intervistonte dhe t’i tregoj faktet që kam”./PrizrenPress.com/

 

Vdes kompozitori i muzikës klasike, Wojciech Kilar

0

Wojciech Kilar-kompozitorPianisti polak Wojciech Kilar, kompozitor i muzikës klasike dhe kolonave zanore të filmave të mëdhenj si filmi i shpërblyer me Oskar, “The Pianist”, dhe “Bam Stroker’s Dracula”, ka vdekur në moshën 81 vjeçare.

Kompozitori i suksesshëm vdiq të shtunën në qytetin Katowice të Polonisë, pas një sëmundje të gjatë, njofton ‘Huffington Post’. Vdekjen e tij e bëri të ditur Jerzy Kornowicz, kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve.

Sipas tij, fuqia dhe mesazhi i muzikës së Kilar, së bashku me karakterin e tij fisnik, do t’i mbijetojnë kohës. Kilar ishte i dashuruar pas kompozimit të simfonive dhe koncerteve dhe ato i konsideronte më të rëndësishme sesa kolonat zanore të filmave. Ai inspirohej nga muzika popullore polake, lutjet fetare dhe himnet dhe padyshim që do të mbahet mend për muzikën e jashtëzakonshme të kompozuar për The Pianist.

Haliti: Të flasim më pak e të punojmë më shumë

0

Xhavit halitiNënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se detyrimisht institucionet e Kosovës duhet t’i përkushtohen qytetarit dhe rinisë. Kërkon mbështetje për sektorin e bujqësinë për ta nxjerrë nga kriza prodhuesin bujqësor.

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se viti që sapo lamë pas i ka sjell të mira Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, thotë për lajmi.net se gjatë vitit 2013 është punuar shumë dhe janë realizuar shumë premtime.

Si pozitive i sheh edhe zgjedhjet lokale të nëntorit, të cilat u vlerësuan nga të gjithë si zgjedhjet më të mira të organizuar nga vetë kosovarët deri më sot.

“Viti i kaluar ka sjellë të mira”.

“Është punuar. Për aq sa janë premtuar, një pjesë janë realizuar, mirëpo ka pasur edhe premtime të parealizuara”.

“Zgjedhjet, për dallim nga zgjedhjet e kaluara kanë qenë më të mira, më të pranueshme dhe, realisht janë pranuar ashtu siç janë mbajtur. Janë vlerësuar pozitivisht edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe nga vëzhguesit vendorë”.

“Vërejtje ka pasur por me rëndësi është që është ndryshim i madh pozitiv lidhur me zgjedhur”.

Por, si e vlerëson Halitin rezultatin që prodhuan këto zgjedhje për partinë e tij, PDK?

“PDK’ja, në qoftë se e masim suksesin në humbjen e disa komunave, atëherë duhet të kemi parasysh që kemi humbur disa nga komunat e rëndësishme që i kemi pasur në qeverisje”.

“Por, në anën tjetër numrin e votave e kemi ruajtur, dhe primatin politik në Kosovë, sipas numrit të elektoratit që e ka votuar PDK’në, e kemi ruajtur”.

Xhaviti Haliti sugjeron të gjithë që në vitin 2014 të flasim më pak e të punojnë më shumë.

“Detyrimisht ne duhet t’i përkushtohemi qytetarit dhe rinisë me qëllim që të hapim vende të reja pune, përndryshe të tjerat nuk kanë ndonjë vlerë të madhe”.

“Përkushtimi i dytë duhet të jetë përmbushja që duhet të kemi në drejtim të liberalizimit të vizave”.

“Këto janë dy detyrime të cilat duhet t’i përmbushim si politikë, ndërsa në anën tjetër, do të thosha që do të duhej t’i përkushtohemi shumë përpjekjeve për t’i mbështetur bujqësinë e cila po shpresoj që do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për ta nxjerrë nga kriza që ka hy edhe konsumatori i produkteve bujqësore por edhe prodhuesi bujqësor”.

Haliti pret që viti 2014 t’i sjell sërish fitore PDK’së në zgjedhjet nacionale.

E për koalicione të mundshme, thotë se është herët të flitet.

“Është herët të ju them kush me kë do të jetë në koalicion në zgjedhjet e viti 2014, sepse unë nuk mund të flas si i pavarur”.

“Por, unë besoj që Partia Demokratike e Kosovës do të fitoj”.

Era e ndryshimeve politike

0

Era politikeZgjedhjet lokale të 3 nëntorit krijuan një hartë të re politike në Kosovë. Disa nga komunat që për parti të caktuara njiheshin si bastione, me zgjedhjet e fundit nuk do të quhen më të tilla.

Kështu, Prishtina nuk udhëhiqet më nga një kryetar i LDK-së, as Mitrovica e Jugut, Malisheva e Ferizaj, nuk do të udhëhiqen nga PDK-ja, kurse AAK-ja humbi bastionin më të madh Pejën, si edhe Gjakovën.

Në këtë hartë, vendin e vet tash do ta kenë edhe Vetëvendosje me Prishtinën dhe AKR me Gjakovën e Mitrovicën e Jugut. Një fituese e madhe e zgjedhjeve ishte edhe “Lista serbe” me marrjen e pushtetit në nëntë komuna.

Me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në Kosovë u ndëshkuan të gjitha keqqeverisjet me anë të votave të qytetarëve, thonë për Radio Evropën e Lirë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, qytetarët me rezultatet përmbysëse në 20 komuna, dëshmuan se kërkojnë ndryshime dhe qeverisje e menaxhim më të mirë të komunave dhe nuk duan të vazhdojë trendi i deritashëm.

Analisti Ilir Deda thotë se ndryshimet e 1 dhjetorit janë fitore e madhe e qytetarëve dhe demokracisë në Kosovë.

“Është një humbje e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe është një fitore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fitues të vërtetë janë Vetëvendosja, e cila ka fituar kryeqytetin, Shpend Ahmeti, Mimoza Kusari -Lila në Gjakovë dhe Aleanca Kosova e Re në Mitrovicë”, thotë Deda.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj, thotë se me këto zgjedhje u tregua qartë se votat e qytetarëve ishin kundër qeverisjes së keqe në të gjitha komunat.

“Vota në pothuajse çdo komunë ka qenë votë negative. Ka qenë votë kundër qeverisjes së deritashme. Kjo e tregon një vërejtje shumë të madhe për gjithë klasën politike. Kjo tregon se qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur fare me mënyrën se si po qeveriset Kosova dhe kërkon një ndryshim rrënjësor të qasjes që ka klasa politike, kërkon një kompetencë më të madhe, një përgjegjësi më të madhe dhe një llogaridhënie më të madhe”, thekson Arifaj.

Krahas PDK-së që ka nën udhëheqje 10 komuna dhe LDK-së me 9, edhe “Lista serbe” do të ketë po ashtu nën udhëheqje 9 komuna të Kosovës dhe pritet të drejtojë Asociacionin Serb të Komunave.

Publicisti Belul Beqaj thotë se ky subjekt politik i formuar nga Beogradi, është fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve.

Misioni i serbëve të Thaçit përfundoi. Filloi misioni i serbëve të Daçiqit.

“Misioni i serbëve të Thaçit përfundoi. Filloi misioni i serbëve të Daçiqit. Kujtoj se është çështje e rrethanave kur edhe ministri kosovar i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, do të shpallet tepricë teknologjike në Qeverinë e Kosovës, ngase të gjitha veprimet kryesore në komunat serbe, po i kryen ministri i Serbisë i ngarkuar për Kosovë. Ky është ai ndryshimi që duhet ta analizojmë seriozisht dhe çfarë efektesh do të na sjellë”, vlerëson Beqaj.

Qëndrimet e partive më të mëdha politike

Se në Kosovë po krijohet një hartë e re politike, për këtë flasin edhe vetë partitë më të mëdha.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, beson se votuesit nuk e zhgënjyen PDK-në, por se tani, edhe PDK-ja duhet t’i bëjë disa ndryshime të brendshme që të ruajë primatin në skenën politike.

“Votuesit na kanë dhënë mbështetje për të udhëhequr vendin, por të njëjtën kohë na e kanë dhënë edhe mesazhin për ndryshimet e nevojshme e të domosdoshme në PDK, si parakusht i domosdoshëm për të vazhduar udhëheqjen në nivel të Republikës së Kosovës dhe në shumicën e komunave”, thotë Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në garën e tij për kryetar të Prishtinës humbi nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, thotë se LDK-ja po kthehet në subjektin numër një në Kosovë.

Ai pret që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LDK-ja të marrë nën drejtim Qeverinë e Kosovës.

“Nuk do të jetë ditë e largët që ne do të shënojnë fitore në zgjedhjet nacionale dhe LDK-ja do ta themelojë Qeverinë e Kosovës dhe në mënyrë të përgjegjshme e të ndërgjegjshme, ne do të qeverisim me vendin”, shprehet Mustafa.

Pas zgjedhjeve lokale, ambiciet janë drejtuar kah ato parlamentare.

Njëri nga liderët kosovar që në vazhdimësi ka thënë se do të luftojë që të bëhet kryeministër, është Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Pavarësisht humbjeve në Pejë e Gjakovë, Haradinaj ende shpreson se e ka të hapur mundësinë për t’u bërë kryeministër.

“Unë u ofroj qytetarëve një kualitet qeverisës të një qeverisjeje 100-ditëshe që kam qenë dhe do të ofertoj me të në garë me secilin që hyn në këtë garë dhe kuptohet qytetarët më pas do të vlerësojnë. Ne i kemi 15 për qind të votave të qytetarëve të Kosovës”, thekson Haradinaj.

Aktualisht, subjektet politike po synojnë të përmbyllin një reformë zgjedhore, e cila do t’i paraprinte shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, zgjedhjet edhe mund të përshpejtohen, marrë parasysh faktin se në Kuvendin e Kosovës koalicioni aktual konsiderohet se e ka humbur qysh moti shumicën.

Motra sakrifikon për nderin e familjes

0

Hasimja-mirashHasimja, historia e femrës që jeton mes së vërtetës dhe legjendës.

Gjakmarrja ishte një plagë e rëndë në mesin e popullit tonë. Edhe pse personazhi i tregimit tonë është një femër, që vendosi të hakmerrej në vend se të falte, Hasimja, që këndohet nëpër këngë, flet për kurajën femërore, duke kryer një akt, që ishte “detyrë” ekskluzive e burrave.

Për Hasimen e Mirashit të Ferizajt sot këndohet edhe këngë. Ajo ka mbetur përjetë pjesë e historisë së këtij vendi, shpeshherë duke u parë edhe si legjendë historia dhe jeta e saj, megjithëse gjithçka ndodhi me të vërtetë, dhe kjo jo më shumë se rreth 100 vjet më parë. Ajo njihet si femra që u bë kurban për familjen. Ndërsa jeta e saj dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi u bënë frymëzim për artistë, shkrimtarë e gazetarë, të cilët sot jetën e Hasimes e tregojnë në vargje kënge, tregime e romane, por edhe në reportazhe, siç po bëjmë edhe ne.

Rënia në gjak dhe betimi i Hasimes

Tregohet se Hasimes, e cila vinte nga Mirashi, një fshat në Komunën e Ferizajt, ia vrasin dy vëllezërit, duke mos i lënë meshkuj në familje, pasi babai i kishte vdekur që më parë. Atëbotë Hasimja kish pas qenë kthyer në shtëpinë e të atit në Mirash. Para se të kthehej, Hasimja kishte qenë e martuar në fshatin Akllap, por ishte kthyer në gjini, pasi burri i saj kishte shkuar në luftë dhe nuk ishte kthyer për rreth 9 vjet. Në fshatin Akllap, Hasimja lë djalin e saj të vetëm Rexhepin, i cili thuhet se nuk ishte martuar kurrë dhe kishte vdekur krejt vonë, rreth moshës 70-vjeçare. Siç edhe thamë, me t’u kthyer në gjini, Hasimes ia fikin oxhakun e shtëpisë së babës, duke ia vrarë dy vëllezërit e vetëm. Ajo betohet në hakmarrje. Betimi i saj s’ishte i zakonshëm. Aq thellë kishte depërtuar pikëllimi për vëllezërit e vrarë, sa Hasimja s’shihte rrugëzgjidhje pos hakmarrjes. Ajo kish pas thënë: “Kush merr hakun, do t’ia fali krejt çka kam, tokë, dhen e dhi, edhe unë do t’bahem niqahu i tij”. Siç tregohet në këngë, një njeri nga fshati Begracë i Kaçanikut, Halil Begraca (Lila) kishte pranuar të marrë hakun për Hasimen në këmbim të pasurisë dhe martesës me Hasimen. Por, pushka nuk krisi. Haku nuk merret. Thuhet se Hasimja kishte pritur mbi tri vjet në shtëpinë e Lilës, por ai prapëseprapë s’kishte marrë hakun, por turpërisht e kishte tradhtuar Hasimen, duke ia sjellë hasmin në konak me shpresë se mos do ta pajtonte. Tradhtia e Lilës në këngë këndohet me vargjet: “Prit me muj, e prit me vjet, pushka e Lilës s’po kërset”.

Marrja e hakut dhe dorëzimi në polici

Meqë Lila e kishte tradhtuar, duke ia sjellë armikun në shtëpi, Hasimja ik nga shtëpia e Lilës veshur me rroba mashkulli. Ajo kalon nga fshati Begracë në fshatin Kaçanik i Vjetër, pastaj Gërlicë, Komogllavë, Sojevë, për të arritur krejt e këputur në Ferizaj, prej ku pastaj shkon drejt e në Mirash. Në Mirash shkon drejt e te dera e hasmit. Aty thërret te dera e shtëpisë, e një zë plake e pyet se kush është. Hasimja i thotë se po më duhen meshkujt, dhe e pyet se ku janë. Plaka i tregon se meshkujt kanë dalë te lama. Hasimja niset drejt e te lama, ku takon meshkujt nga shtëpia e hasmit. Aty, pasi ndërron dy –tri fjalë, u ofron duhan, duke e nxjerrë kutinë me dorën e majtë, ndërsa me dorën e djathtë nxjerr alltinë për t’i vrarë dy nga meshkujt e shtëpisë së hasmit, Xhemën dhe Sejdiun. Fjalët e fundit të Xhemës tregojnë se ai e kuptoi se kush ishte dorasi, ndërsa në atë moment Hasimja i thotë se po lufton për vëllezërit e saj. Nisja e Hasimes për ta marrë gjakun në këngë përshkruhet kështu:

“Po ban Xhema haj medet për mue
Me ditë t’sodit haj paskem marue
S’ish kanë burrë o, po ish kanë grue
E Hasimja o ç’naj ka kallxue
O për vllaznit e mi, unë more kam luftue”

Pas aktit kriminal, Hasmija shkon dhe dorëzohet në polici, në stacionin e Ferizajt. Pas daljes në Gjykatë, për krimin që kishte kryer, Hasmija dënohet me 15 vjet burgim.

Dalja nga burgu dhe ikja nga atdheu përgjithmonë

Megjithëse në këngë historia e Hasimes përfundon me marrjen e hakut, në jetën reale historia e saj vazhdon me përplot peripeci të jashtëzakonshme, disa prej të cilave do t’i tregojmë këtu për herë të parë, pasi s’janë përmendur kurrë më herët. Si e dënuar me 15 vjet, Hasmija vuante dënimin e saj në burgun e Nishit. Meqë ishte mrekullisht e bukur, bukuria e saj kishte përhumbur krejt një gardian burgu, i cili edhe i vardiset. Si shqiptare e denjë dhe me moral të lartë, Hasimja nuk lejon kurrsesi ta poshtërojë veten dhe, në një rast, kur i vardiset gardiani, ajo e godet në kokë me një shufër metalike, për ta lënë të vdekur në vend. Për këtë krim të dytë, Hasimes i dyfishohet dënimi, pra merr 15 vjet më shumë për t’i bërë krejt 30 vjet dënim me burg. Bukurisë së Hasimes nuk mund t’i rezistonte as gardiani i dytë që vjen në atë burg. Por, meqë kishte dëgjuar fatin e atij të mëparshmit, me një diplomaci, ky i dyti i kishte propozuar martesë në këmbim të lirimit të menjëhershëm. Në fillim, Hasimja kurrsesi nuk e kishte pranuar ofertën e gardianit. Por, kur gardiani i kishte kujtuar se për 30 vjet ajo do të qëndronte në atë burg dhe nuk dihet nëse do të dilte gjallë ose jo, Hasimja kishte pranuar, por me një kusht. E vetëdijshme se po bënte mëkatin më të madh në jetë, po martohej me armikun më të madh që kishte, Hasimja i kishte kërkuar gardianit që në këmbim të martesës me të, të mos e kthente kurrë në Kosovë. “Mëkatin që po bëj unë, martesën me një shka, nuk ma fal tokë e Kosovës. Prandaj, as nuk dua kurrë më këmbë e imja e ndytë të shkelë në tokën e pastër të Kosovës”, kishte thënë Hasimja. Ndërsa, edhe pse ende ishte gjallë, në Kosovë historia e Hasimes ishte bërë këngë.

Takimi me bashkëvendësit në parkun e Nishit

Më vonë, nga kosovarët që shkonin të punonin në Serbi në vitet 40-50, tregohet se në qytetin e Nishit kishin pas shkuar dy persona nga Ferizaj, njëri nga fshati Zaskok dhe tjetri nga fshati Pleshinë. Duke pushuar në parkun e qytetit, pasi i kishte dëgjuar duke folur shqip, atyre u afrohet një zonjë dhe i pyet se nga janë. Ata i tregojnë se janë nga dy fshatra të Ferizajt. Zonja i pyet se a kanë dëgjuar për një grua me emrin Hasime. “Kemi dëgjuar po si jo”, po thotë njëri prej tyre. “Madje, edhe këngën ia di”, i thotë tjetri, dhe ia nis ta këndojë. Gjersa këndohej kënga, zonjës fillojnë t’i dalin lotët, për çka preken dy burrat. “Pse po qan?”- e pyesin ata. “Këtë këngë që po këndoni, kjo Hasimja jam unë”, u kish pas thënë zonja dhe ishte ulur aty me bashkëvendësit, ku ua kishte treguar gjithë historinë e saj. “Pse nuk je kthyer?” s’e kishin pas lënë pa e pyetur ata. “Në Kosovë s’mund të kthehem kurrë, pasi kam bërë mëkatin më të madh në jetë, jam martuar me një shka”, u kish pas thënë Hasimja. Ndoshta edhe do të ketë pasur të drejtë. Tokë e atdheut nuk pranon këmbë të tradhtarit, këmbë të ndyrë në llumin e tradhtisë dhe lidhjes kurorë me armikun. Hasimja e kishte kuptuar mirë këtë dhe, morali i saj ishte aq i lartë sa ajo pranoi të bëjë një mëkat të tillë, duke e dënuar njëkohësisht veten për të humbur atdheun./Kosova sot/

QKUK me mungesë të kuadrit në disa fusha

0

QKUK5-24Qendra Klinike Universitare e Kosovës, përballet me mungesë të kuadrit në disa fusha mjekësore. Ekspertë të shëndetësisë thonë se Ministria e Shëndetësisë ka ndarë specializime pa ndonjë planifikim. Kurse, zyrtarë të kësaj të fundit thonë se nuk pati interesim të mjekëve të rinj për disa lëmi, derisa po punohet në këtë drejtim, transmeton RTK.

Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare ankohen për mungesë të stafit në disa lëmi. Drejtori mjekësor Nexhmedin Shala thotë, se qendra terciare ka nevojë për anesteziologë, infektolog, kardiokirurgë por edhe staf të mesëm.

“Në radhë të parë kemi mungesë të theksuar të specialistëve anesteziolog. Kemi staf të pamjaftueshëm infektologësh dhe kemi numër të pamjaftueshëm të kardiokirurgëve prandaj Klinika e Kardiokirurgjisë nuk po punon me kapacitetet e plota. Kemi numër të vogël fizikanësh të cilët janë pjesë e rëndësishme e planifikimit për radioterapi në Institutin e Onkologjisë”.

Talat Gjinolli ekspert shëndetësor thotë se kjo situatë është rezultat i mos planifikimit të kuadrove nga Ministria e Shëndetësisë dhe dhënies së specializimeve pa kritere të mirëfillta.

“Po pikërisht këtu është ai problemi i huqjes së detyrave dhe përgjegjësive që i ka Ministria e Shëndetësisë, d.m.th këtu nuk ka planifikim të kuadrove. Planifikimi mund të bëhet kur merren shumë të dhëna nga terreni nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i cili bënë monitorimin dhe i jep impute Ministrisë së Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me të bëhet planifikimi, do të thotë ka dështuar në planifikim prandaj është edhe ky kaos”.

Por, Ministri Ferid Agani thotë se Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në zhvillimin e resurseve njerëzore, ndonëse në konkurset e hapura për disa profile nuk pati mjaft të interesuar.

“Ne jemi munduar të stimulojmë disa lëmi deficitare siç është p.sh anesteziologjia, neonatologjia pra me konkurs të hapur permanent për punësim, por fatkeqësisht nuk ka pasur interesim të duhur nga kolegët. Por megjithatë kemi një numër të kënaqshëm të specializantëve në këtë drejtim”.

Ministri Agani po ashtu thotë se me statutin e ri, QKUK ka të drejtë të gjeneroj të hyra vetanake prandaj menaxherët e klinikave do të mund të investojnë në mjekët e ri apo në kuadrin të cilin e kanë mungesë në mënyrën e duhur. Sipas tij, pagesa është stimuluesi kryesor, por kjo deri më tani nuk ka qenë e mundur në mungesë të infrastrukturës ligjore.

Pritjet e Kosovës nga Presidenca Greke e BE-së

0

Hoxhaj-Enver5-21Që nga dita e djeshme, Greqia ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Këshillit të Bashkimit Europian. Kryesimin e BE’së, Greqia e mori nga Lituania.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka uruar Greqinë për marrjen e kryesimit të BE’së ndërsa ka thënë se Kosova ka pritje të mëdha gjatë kësaj periudhe.

“Po e filloj vitin 2014 me urime. E uroj Presidencën Greke të Këshillit të Bashkimit Europian. Pritje ambicioze përpara nga Kosova. E falënderoj Presidencën e Lituanisë dhe Ministrin Linas Linkevicius për arritjet e mëdha dhe kryesimin e shkëlqyeshëm të BE’së. Kosova mirëpret mbështetjen tuaj”, ka shkruar Ministri Hoxhaj në Twitter.

Bashkë me Sllovakinë, Spanjën, Qipron dhe Rumaninë, Greqia është ndër pesë vendet anëtare të BE’së që nuk e ka njohur ende Kosovën.

Roberts pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi

0

IvorRobertsIsh ambsadori britanik në Serbi, Ivor Roberts në një intervistë për B92 ka deklaruar se angazhohet për një politikë më realiste dhe një realitet të ri politik në Ballkan, përkatësisht në raportet diplomatike.

Në këtë kuadër, ai prezanton një mendim ndryshe për kufijtë, duke deklaruar se ata janë të ndryshueshëm, përkatësisht, se korrigjimi i kufijve në Ballkan, mund ti kontirbuojnë paqes së përhershme.

“Aty ku kufijtë krijojnë ndjenjën e pasigurisë, jostabilitetit dhe dhunës, aty kufijtë nuk kanë ndonjë funksion të dobishëm”. Ivor thotë se është për ndryshim kufijsh edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konsideroj se rajoni në veri të lumit Ibër, duhet ti kthehet Serbisë, e disa pjesë të territorit të Luginës së Preshevës ti kthehen Kosovës,” ndërsa shton se “është edhe për bashkim kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve”.

Cliff: Kryetarët serbë do t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës

0

IanCliff6-12Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff në një intervistë për gazetën ‘Kosova Sot’, të numrit festiv ka thënë se kryetarët e zgjedhur të 9 komunave serb do t’i zbatojnë marrëveshjet për gjykatat.

“Mendoj se pika që ka nxjerrë barnoresha Ashton para ministrave në Bruksel ka qenë se Serbia e ka pranuar konceptin e një gjykate bazike në Mitrovicën e veriut” duke mbuluar 7 bashki, 4 prej tyre në veri të Mitrovicës. Por. Kur të shkohet përtej kësaj, ka një marrëveshje se si degët duhet të funksionojnë dhe këtu ka shumë punë që të bëhen në këtë drejtim”, ka thënë ambasadori britanik duke folur për gjykatat e Kosovës.

Ai ka shtuar se “ne shpresojmë shumë se do të ketë një marrëveshje për Gjyqësorin para fillimit të negociatave me Serbinë më 21 janar”.

Cliff po ashtu ka thënë se Serbia gjatë këtyre negociatave nuk është kushtëzuar me njohjen e Kosovës, kur është pyetur nga gazetari për këtë gjë.

“Mund të them se jo, pra përgjigja e saktë është jo. Përfundimet e KE-së janë, para se gjithash, se Serbia angazhohet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën gjatë periudhave të negociatave dhe në fund ky normalizim duhet të jetë i vendosur edhe më një marrëveshje të saktësuar ligjore”.

Për kryetarët e sapozgjedhur të komunave serbe, Cliff ka thënë se ata nuk mund ta bllokojnë strukturën kushtetuese të Kosovës. “Është e rëndësishme që asnjëri të mos mendojë që këto shoqata mund të bëhen një lloj shtetit brenda shtetit. Pra nuk është kjo dhe të gjitha krahasimet për të cilat kam thënë më përpara me Republikën Srpska janë ato që nuk janë të vërteta, sepse ato derivojnë nga pushteti i etniteteve në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe ato nuk kanë kapacitet që ta bllokojnë strukturat kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Cliff.

I kënaqur me vitin 2013-të

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja vitin 2013-të e vlerëson si të sukseshëm për këtë qytet. Ai thotë se gjatë këtij viti në Prizren janë realizuar projekte të shumta.

“Kemi realizuar shumë projekte në infrastrukturë,arsim, shëndetësi, turizëm…”.

Muja premton se edhe gjatë vitit 2014-të, qeveria komunale do të punojë dhe investojë edhe më shumë për të përmisuar jetën e qytetarëve.

“Qeveria komunale në mandatin e ardhshëm do të jetë e përkushtuar, që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarin të vazhdojë rrugën e realizimit të projekteve të nisura për Prizrenin edhe më të zhvilluar”.

Sipas tij, objektivat kryesore të “Qeverisë Muja III”, do të jenë realizimi i synimeve për një zhvillim të hovshëm social dhe ekonomik.

“Do t’i fuqizojmë politikat e biznesit privat me synim hapjen e vendeve të reja të punës. Ky zhvillim do të jetë në përputhje me planet rregullative urbane, për ndërtimin modern të qytetit tonë”.

“Do ta bëjmë reformimin e administratës publike komunale duke e përmbyllur në plotni procesin e digjitalizimit të shërbimeve komunale”.

Muja premton se gjatë katër viteve të ardhshme, përveç infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore, prioritet do të jetë edhe shtimi i kapacitetit të ujit të pijes,ndërtimi i impiantit për pastrimin e ujërave të zeza, ndërtimi i tregjeve dhe parkingjeve me PPP,trafiku urban me PP, dhe ndërtimi i sheshit të Lidhjes së Prizrenit.

“Po ashtu do të rregullojmë edhe rrugën transiti i vjetër, rrugën unazore deri në kala,ndërtimin e objektit të bibliotekës…”. /PrizrenPress.com/