11.8 C
Prizren
E premte, 1 Maj, 2026
Home Blog Page 8828

Fundi i EULEX-it

0

Polici-EulexBE-ja në shtator të këtij viti do të ketë një mision tjetër në Kosovë. Ai nuk do të quhet më EULEX. Selinë do ta ketë në zyrën e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë dhe do të jetë më i vogël se misioni aktual i BE-së për sundimin e ligjit – EULEX.

Misioni, që gjithashtu do ta ketë për qëllim sundimin e ligjit Kosovë dhe që do të ketë kompetenca ekzekutive, do të ndryshojë në dukje nga EULEX-i, por jo shumë në përmbajtje.

Në mes të janarit, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe ministër i Drejtësisë, do ta udhëheq delegacionin kosovar që në Bruksel do të zhvillojë takime të ndryshme me përfaqësues të shteteve anëtare. Njëkohësisht pritet të zhvillohen edhe bisedat zyrtare mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për ristrukturimin e misionit,shkruan Tribuna.

Takimet do t`u paraprijnë diskutimeve që shtetet anëtare do t’i nisin prej 20 janarit për misionin e ri në Kosovë. Ky mision, emri i të cilit ende nuk është definuar, do të ketë kompetenca ekzekutive në veri të Kosovës dhe në sferat tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Vetëmashtrimi i LDK-së në Prizren

0

Nuhi Salihu gazetarShkruan: Nuhi Salihu

Dega e LDK-së në Prizren si opozitë para mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit shihej si parti serioze që mund të rimerrte pushtetin në këtë komunë.

Por,analizat,konsultat dhe përllogaritjet e zyrtarëve të saj nga qendra dhe vet dega nuk sollën rezultate pozitive.

Pas zgjedhjeve maratonike të vitit 2009, aktiviteti partiak varej nga grupi i këshilltarëve në Kuvendin e Prizrenit ,ndërsa më pas me zgjedhjet brendapartiake në krye të Degës mbetën emra të njëjtë në strukturat drejtuese.Madje, në forumin e gruas kryetarja aktuale është zgjedhur me aklamacion.

Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren, është përcjellë me disa mosmarrëveshje të vogla,por që në fakt reflektuan si hapësirë për ftohje të raporteve ndërmjet zyrtarëve të shumtë të kësaj partie.Zyrtarët e Forumi Rinor, përkundër vullnetit për angazhime nuk posedonin ndonjë aftësi për të qenë të zëshëm në ndryshimet që duhej bërë,pas humbjes së zgjedhjeve famoze të 2009-ës. Pak para zgjedhjeve të 3 nëntori, grupi i eksperteve i përbërë nga disa njerëz të LDK-së ka qenë mjaft aktiv për t’i dhënë këtij subjekti politik ngjyrën e një organizmi të fuqishëm opozitar në Prizren,përmes angazhimeve konkrete në terren për të demaskuar deri diku keqqeverisjen nga pushteti lokal.

Por, interesant ishte fakti se ky grup kishte përkrahjen e kryetarit të degës, i cili shumicën e kohës e kalonte në kryeqendër e fare pak në bazë,ndërsa një grup i këshilltarëve tashmë vepronte i pavarur brenda Kuvendit të Prizrenit, pasi që me veprimet e tyre në këtë organ ishin më afër pozitës se sa që kishin koordinim me grupin e ekspertëve dhe me vet kryesinë e degës, ndërsa me pjesën tjetër të bashkëpartiakëve në Kuvend i bashkonte vetëm afërsia e ulësve.Të gjitha këto veprime sollën një çorientim të plotë të Degës së partisë, e cila për shumë vite kishte qeverisur me Prizrenin.Ky çorientim pati pasoja edhe në anëtarët e kësaj partie të cilët në heshtje filluan ta braktisin atë.

Edhe pse Dega e LDK-së në Prizren,Kuvendin e saj zgjedhor e kishte mbajtur më herët, për dallim nga disa degë të tjera në nivel vendi dhe pritej një mobilizim maksimal qysh në fillim të vitit 2013, sepse ishte vit i zgjedhjeve lokale,Kryesia e Degës, e cila takohej çdo 4 apo 5 muaj,filloi të takohej më shpesh “çdo dy muaj”,edhe atë të shtunave pasdite për relaks pak buzë Lumbardhit.Në vend të mobilizimit për të hyr maksimalisht e përgatitur në zgjedhje,filloi “telenovela” e përzgjedhjes së kandidatit për kryetar.

Numri i kandidatëve ishte i vogël,duhej të përzgjidhjej ndërmjet kreut të degës dhe kandidatit të fundit për kryetar të Prizrenit, i cili ishte në krye të grupit të ekspertëve.Në fillim,kreu i Degës përkrahte kandidaturën e kandidatit tjetër,por më pas ai jo që i përbiu fjalët e veta por edhe “çorbën” që i’a përgatitën drejtuesit e partisë,të cilët deshironin ta shihnin atë në Prizren e shumë pak në Prishtinë.

Pas përzgjedhjes së kandidatit për kryetar u përcaktuan edhe emrat e kandidatëve në listën zgjedhore për Kuvendin e Prizrenit, listë kjo që nuk dallonte nga ato të partive rivale.E menduan se shumë lehtë do ta rimarrin pushtetin,sepse kandidati i partisë kryesore rivale po përballej me drejtësinë, dhe se votuesit do të mbështesin masivishtë kandidatin e LDK-së.Një komoditet të tillë ua fuqizonin edhe analistët kosovar nëpër televizionet tona qendrore,të cilët me analizat e tyre merreshin si një grup muzikor që bënte muzikë në Prishtinë,por nuk e dinin se vallja luhej në Prizren.

Në anën tjetër,partia që e mbante pushtetin përkundër problemeve të ndryshme brendapartiake(zgjedhjet brenda PDK-së),ishte më konkrete për të rifituar Prizrenin duke bërë koalicione parazgjedhore me partitë e komuniteteve,ndërsa edhe partitë tjera ishin mjaft aktive kryesisht duke përfituar edhe numër të theksuar të elektoratit që kishte dikur LDK.Një gjë ishte interesante,sepse para fushatës të gjitha grupet e ndara që përmenda më lartë u bënë bashkë,”ëndërruan” se do të fitojnë e mos po i’u prishen planet vepruese për të ardhmen.Silleshin më shumë nëpër zyre të partisë dhe kishin shtabet e veta elektorale,sepse me ngulm deshironin që të mos u’a zënë ulëset në Kuvend,dikush nga rivalet e listës partiake zgjedhore më të ri,më të përkushtuar për tu shërbyer interesave të qytetarëve dhe për të qenë përfaqësues të denjë të partisë.

Fushata e nderë,pa ndonjë ofertë serioze për votuesit,me fjalime sikur pjesëmarrësit e tubimeve të ishin njerëz të botës akademike e jo qytetarë të rëndomtë përplot halle, nuk solli ndryshimin në Prizren për LDK-në sikurse në Gjilan,Pejë, Ferizaj,Suharekë e Lipjan. Por,më 3 nëntor kishte fitues brenda LDK-së,e ata ishin disa nga këshilltarët që prapë morrën vota të mjaftueshme për Kuvend e që në fakt nuk çanin kokën se a do ta merr pushtetin partia e tyre apo jo,vetëm se atyre mos të i’u ik “karriga e butë” e Kuvendit të Prizrenit. Rezultati i 3 nëntorit,deklasoi shumë zyrtarë të kësaj partie,dhe problemi më i madh ishte si të gjendej sadopak ndonjë motiv për të garuar në balotazh.

Afërsia e Bashkimit Demokratik i dha jo pak motiv vetëm optimistëve më të mëdhenjë të kësaj partie.Partneri i koalicionit ishte mjaft aktiv për të përkrahur kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit gjatë fushatës në balotazh,por në anën tjetër rivali kishte mbledhur rreth vetes edhe disa parti tjera dhe kishte siguruar veten për të mos u befasuar në raundin final.Përfundoi edhe balotazhi,dhe pas disfatës filluan të gjenden ‘fajtorët” e saj.Filluan të flasin shumë njerëz,vetëm sa për të thënë se janë “viktima” apo edhe njerëz të shpresës për këtë parti,e cila pa një platformë strategjike veprimi me njerëz të konsumuar politikisht kishte ëndërr “rikthimin e pushtetit” në Prizren….(Autori është gazetar i TV Prizrenit dhe RTV21)

Pajtimi në Kosovë në optikën e fotografëve ndërkombëtarë

0

Pajtimi ne Kosove-fotografiMarrëdhënia mes shqiptarëve dhe serbëve është ende e rënduar nga e shkuara. Ç’formë merr pajtimi në këto kushte? Një grup ndërkombëtar fotografësh përpiqen të gjejë përgjigje vizuale për një temë të rëndësishme.

Përmendorja e vëllazërim bashkimit në Prishtinë nuk është më moderne, megjithatë ajo ende ekziston: e madhe, e pamirëmbajtur dhe e paanashkalueshme, simbol i një kohe të shkuar. Dikur kjo përmendore gjigande prej betoni simbolizonte vëllazërinë dhe bashkimin mes popujve të Jugosllavisë, sot monumenti i martirëve është një dëshmitar i heshtur i një sistemi politik të tejkaluar.

“Monumenti na kujton se shqiptarët dhe serbët kanë një të shkuar të përbashkët”, thotë fotografi kosovar, Jetmir Idrizi, për Deutsche Welle. Ai e ka fotografuar monumentin bardhë e zi dhe e ka copëzuar fotografinë në shirita të hollë. Shumë nga motivet fotografi i gjen në Mitrovicë në veri të Kosovës. Qyteti verior që nga koha e luftës është i ndarë dhe në gjendje të jashtëzakonshme. Në veri të qytetit jetojnë serbct, në minorancë në territorin e Kosovës, ndërsa në jug pakica shqiptare. Ura e barrikaduar mbi lumin Ibër është kthyer në simbol të konfliktit mes shqiptarëve dhe serbëve.

E shkuara e përbashkët

Që nga viti 2008 Kosova është e pavarur, por shumë serbë, që ende nuk duan ta pranojnë këtë realitet, e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Marrëveshja e prillit 2013 rrit shpresat për një normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Për Jetmir Idrizin pajtimi lidhet mjaft me të shkuarën e përbashkët të etnive të ndryshme në vend. Duhet parë edhe një herë e shkuara për të shkuar përpara. Së bashku me pesë fotografë të tjerë nga Mongolia, Hungaria, Mali, Gjermania dhe territoret palestineze ata kanë shëtitur një javë nëpër Kosovë. Secili prej tyre ka pasur fokusin e tij për të interpretuar temën e pajtimit. Fotografët kanë fiksuar portrete njerëzish, peisazhesh, situatash në ndryshme në vend. Veprat e tyre gjenden në ekspozitën fotografike “Pajtimi në Kosovë” të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar(GIZ). Ekspozita paraqitet njëkohësisht në Prishtinë, Bonn dhe Berlin.

Pajtimi – realitet i jetuar

Jetmir Idrizi ka lindur në Prishtinë. Në kohën e luftës 15 vjeçari së bashku me familjen shkoi si refugjat në Maqedoni, më pas në Belgjikë dhe më vonë u kthye në Kosovë. Sot ai është një fotograf i mirënjohur dhe punon si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ku ka shumë miq. Për të pajtimi është një realitet, që jetohet përditë. Megjithatë ai e kupton zemërimin dhe urrejtjen e atyre, që humbën të afërmit gjatë luftës. Familja e tij nuk u prek nga tragjedi të tilla.

Edhe Merlin Nadj-Toma është njëri prej fotografëve, që marrin pjesë në seminarin e GIZ. Fotografitë e prera të Jetmir Idrizit e kanë impresionuar së tepërmi. “Për mua kjo është shumë simbolike. Jetmiri tregon se këto monumente qëndrojnë në Kosovë, por nuk funksionojnë më e megjithatë aty brenda është shansi, që këto copëza të ngjiten sërish.”

Fotografja gjermane fillimisht kishte vështirësi të hynte brenda temës së pajtimit në Kosovë, në një vend ku konflikti është ende prezent dhe në disa pjesë ende i pazgjidhur: “Reagimi i parë ishte, që Kosova është absolutisht vendi i gabuar për këtë temë”, thotë Nadj-Toma. Por gjatë një jave vizitë në Prishtinë ajo përjetoi momente të bukura. “Në një ëmbëltore dhe në një farmaci kemi takuar shqiptarë dhe serbë, që punonin së bashku.” Aty nuk luante rol etnia. “Kjo ishte një gjë e bukur. Këtë nuk e kisha përjetuar më parë.”

Ndryshimi i perceptimit

Nadj Toma ka fotografuar në Prishtinë momente të jetës së përditshme: Një shesh futbolli, pallate banimi. Fotografitë e saj i dallon një tis ëndërrimtar, të gjitha janë të mjegulluara. “Kështu këto vende marrin një ndriçim tjetër. Për mua ishte e rëndësishme që të tregoja se një ndërrim i vogël i perceptimit mund të ketë efekte të mëdha.”

Jetmir Idrizit i pëlqejnë fotot e koleges. “Fillimisht kisha një lloj shqetësimi se kolegët do të fotografonin përbri njëri-tjetrit një serb dhe një shqipar. Por ata më treguan se pajtimi është më shumë se kaq.” Në ekspozitën e hapur në Muzeun e Landit në Bonn fotografitë e tij qëndrojnë përbri atyre të Merlin Nadj-Tomas. Ajo vetë është lindur në Gjermani, por prindërit e saj janë serbë. Gjatë takimit të dy krijuan një lidhje të veçantë. “Kemi bërë shaka për njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të sfidonim njëri-tjetrin, por në një frymë pozitive.” Të dy fotografët praktikojnë në një mikrokozmos, atë që duhet të ishte realitet për të gjithë shqiptarët dhe serbët në të ardhmen: Të lenë pas të shkuarën dhe të shohin së bashku përpara.

Politikanët paguajnë për zgjerim të rrjetit në Facebook

0

facebookNdikimin e rrjeteve sociale nuk po e lënë pa e shfrytëzuar politikanët kosovarë. Tani e një kohë, disa prej politikanëve kanë filluar të paguajnë që faqet e tyre personale të kenë më shumë pëlqime në Facebook, e ndjekës në Twitter.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që është ndër politikanët me më së shumti pëlqime në Facebook, mirëmbajtjen e faqes së tij personale ua ka besuar një grupi të të rinjve, derisa jo rrallë herë poston vet.

Sipas zëdhënësit të Pacollit, Jetlir Zymberaj, shpërndarja e faqes nëpërmjet formës së sponsorizimit ka filluar së voni, ndërsa bëhet me mjete financiare të vet zëvendëskryeministrit, transmeton KTV.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, llogarinë e tij në Facebook edhe atë në Twitter e mirëmban vet, e ndonjëherë ndihmohet edhe nga këshilltarët e tij ose kabineti. Të paktën kështu thotë Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë, i cili megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së se kush paguan që ajo të shpërndahet përmes sponsorizimit.

Hoxhaj mbetet larg Pacollit për nga numri i pëlqimeve në Facebook, me vetëm 24 mijë të tilla, derisa Pacolli ka afër 123 mijë.

Faqe të sponsorizuar në Facebook e ka edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila thotë se kryesisht e mirëmban vet, por nuk di se sa paguhet për të.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e shpërndan faqen e tij në këtë mënyrë, derisa postimet e tij janë mjaft të pranishme në faqet e përdoruesve shqipfolës, pavarësisht nëse e keni pëlqyer apo jo. E, për shpërndarjen e faqeve në këtë mënyrë që për synim ka edhe rritjen e numrit të pëlqimeve, paguhet nga 1 deri në 100 euro në muaj.

Me 1 euro, faqja juaj mund të shpërndahet te 10 mijë përdorues, një herë brenda një muaji; e me rreth 100 euro në muaj, ajo mund të shpërndahet te 200 mijë përdorues, deri 60 herë brenda një muaji të vetëm!

Faqet e sponsorizuara u shtuan dukshëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, që sigurisht do të kenë edhe një valë tjetër në zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen në këtë vit.

Abdullah Zeneli e Ag Apolloni poshtrojnë dhe fyejnë njëri-tjetrin

0

AbdullahZeneli-AgApolloniViti “artistik” në Kosovë po nis me përplasjen mes dy shkrimtarëve. Botuesi dhe shkrimtari, Abdullah Zeneli pretendon të jetë kërcënuar nga laureati i çmimit për romanin më të mriz në vitin 2013, “Rexhai Surroi” Ag Apolloni. ““O Budullah Zeneli, vazhdo te hash m… ende. Large Facebookut time, se t’rrehi si qen.”. Pretendon Zeneli ti ketë shkruar Aplloni në një mesazh privat, të cilin thotë se do ta denoncoi në Polici, Dekanat e Rektorat.

Si përgjigje ndaj këtij kërcënimit të pretenduar, botuesi Abdullah Zenli i ka shkruar një letër publike shkrimtarit Ag Apolloni ku të cilën e ka titulluar “I dashur Homo novus”.

Megjithëse thotë s do ta denoncoi rasti në Polici, Zeneli thotë se nuk po frikësohet nga Aplloni. “Çdo të lumen ditë pi kafe tek “Corneri” (Sheshi i librit & Sheshi Zahir Pajaziti, nën fotografinë e madhe të Ibrahim Rugovës) nga ora 13 deri në orën 15. Të pres, eja kur të duash, me kë të duash, me ç’armë të duash”, i shkruan ai në letrën publike Apollonit, shkruan Express.

Më poshtë lexojeni të plotë letrën:

“Letër e hapur Ag Apollonit

I dashur Homo novus,

Në prag të Vitit të Ri, pak orë para se t’ia lëmë lamtumirën vitit 2013, më nise një mesazh kërcënues me këtë përmbajtje:

“O Budullah Zeneli, vazhdo te hash mut ende. Large Facebookut time, se t’rrehi si qen.”

Mesazhi, për të qenë korrekt dhe përgjegjës ndaj të vërtetës, erdhi nga faqja jote e rrjetit social Facebook, ku më bëre bllok, ndaj në pamundësi të të përgjigjem aty, zgjodha këtë deklarim të hapur për opinionin.

Të reagosh sot ndaj çdo dukurie është akt qytetarie, ndërgjegjjeje dhe përgjegjësie.

Reagohet, fundja, nga çdo cep i botës, jo pak herë edhe ndaj Akademisë Suedeze për kriteret dhe emrat që vlerëson me Çmimin Nobel. Madje ka ndodhur edhe të refuzohet ai çmim. Po ashtu, reagohet edhe ndaj shumë e shumë çmimeve të një kategorie tjetër, me vlera e pa vlera, kombëtare e ndërkombëtare.

Së këndejmi reagova edhe unë ndaj çmimit “Rexhai Surroi”, që e ndan tash e sa vjet kompania (parapëlqen ta quajë veten Grup) Koha, e ndihmave të pakursyera ndërkombëtare. Këtë e kam dëgjuar qyshkur, por më ka bindur se është vërtet kështu, reagimi i drejtë i ish-ambasadorit Dell. Besoj se edhe ti, edhe opinioni e di këtë. Thashë “tash e sa vjet”, por dua me qenë pak më konkret në këtë pikë.

Kompania (Grupi) Koha, me ndihma ndërkombëtare, për 7 (shtatë) vjet rresht pati bërë fushatë natën e ditën kundër konkursit më se të sinqertë letrar, dhe, me djersën e punën e vet: konkursit BUZUKU. Nga viti 2000 deri më 2006 Buzuku pati katër konkurse letrare: 3 për roman dhe një për dramë. Qenë vlerësuar objektivisht më se 140 dorëshkrime (103 romane dhe 37 drama).Nuk dua të përmend as autorët e vlerësuar me çmime, as jo pak autorë të cilëve u janë marrë për botim dorëshkrimet (janë tek ëikipedia). Dorëshkrimet autorët i kishin nisur thjesht në adresën “Buzuku”, Kuvendi i Bujanit 42, Prishtinë – Kosovë (pra, nuk qëndron fyerja që i ke bërë ti dhe klani yt se Kosova nuk ka botues, i cili ka një adresë ku mund t’ia postosh një dorëshkrim). Me këtë konstatimin në parantezë ju nuk më keni fyer mua, as Buzukun, por institucionet e Kosovës: asnjë subjekt juridik nuk mund të regjistrohet pa një adresë, me një fjalë, seli.

Homo novus-ët duket jetojnë jashtë realitetit.

Unë dhe shtëpia ime botuese bëmë një tërheqje taktike, siç thuhet, për t’ia lënë vendin ambicieve të sëmura të kompanisë Koha, e cila stoliset me pupla të huaja, ndaj nuk dua të zgjatem më tepër në këtë pikë.

A thua, përse më kërcënove me shprehje aspak të denja për një rrugaç, e jo për një ligjërues universiteti publik (shtetëror!) apo laureati të një palo çmimi?

Shprehjet “vazhdo te hash mut ende” dhe “t’rrehi si qen” nuk e denjojnë askend.

Ty po!

Biografinë time e dinë ata që duan ta dinë, por duhet ta dinë edhe ata që nuk duan ta dinë.

Si ti!

Gjithë jetën jam marrë me libra dhe s’do pushoj të merrem deri në frymën e fundit. Ti, as që ke qenë i lindur kur unë kam dërguar libra me maune në Shqipëri dhe kam sjellë së andejmi po ashtu libra. Kur ishin në kulmin e tyre diktaturat. Kur njëra diktaturë (milosheviçiane) u tregonte dhëmbët dhe u kërcënohej shqiptarëve “të mos hanin mut” për Kosovën Republikë, dhe “do t’ju rrahim e vrasim si qentë” po e kërkuat këtë, madje mbyllnin institucionet, gjë që ndodhi edhe me “Rilindjen”, unë nuk u dorëzova, por krijova subjektin më dinjitoz të mundshëm, me kuptimin simbolik, ndërmarrjen botuese “Gjon Buzuku”. Nuk ma patën lejuar regjistrimin në Prishtinë, por qe treguar e guximshme Gjykata e Gjakovës, për ç’gjë i jam mirënjohës përjetë.

Se çfarë pengesash kam pasur atëbotë, kur ti ishe një çilimi, nuk po të bezdis, edhe pse një detaj dua të ta bëj të qartë: më 14 maj 1991, duke udhëtuar nga Shkupi (atëbotë atje i shtypja librat se në “Rilindje” ende vigjilonin argatët e dreqit) me veturën plot libra, në aksin rrugor Kaçanik-Ferizaj, m’u pat lëshuar pas policia serbe dhe vetëm një Zot na i kishte kursyer jetët, mua dhe dy vëllezërve që kisha në veturë). Dhuna që m’u pat bërë mua dhe vëllezërve të mi në stacionin e policisë në Ferizaj ty të duket tani si një përrallë, derisa thua çnjerëzisht:

“Xhamadani vija-vija, mut Kosova, mut Shqipnia” (Ag Apolloni, “Ulërima”, Om, Prishtinë 2013, f. 150-151. Redaktor: Bardh Rugova, editor: Xhemajl Avdyli).

Përkundër kësaj, unë kurrë nuk u ndala. Pyete mikun tënd, dashamirësin e shqiptarëve, Z. Hans-Joachim Lanksch se ç’kemi bërë për afirmimin e librit shqip, sidomos në Frankfurt, por edhe gjetkë, ndër të tjerë edhe për të harruarit e deriatëhershëm të letrave shqipe: Konica, Koliqi, Camaj, Trebeshina, Demaçi, Kokalari etj. etj.

Do të ndalem edhe te një fakt tjetër shumë interesant, meqenëse ke pranuar çmimin “Rexhai Surroi”. Kur ky Surroi ishte drejtor i përgjithshëm i “Rilindjes” qe botuar monografia “Rilindja 1945-1985”. Monografinë e pati përgatitur i përndritshmi Ali Sutaj dhe më pati angazhuar t’ia bëja korrekturën letrare (e ke emrin tim aty, nuk të gënjej). Dukjen e kopertinës ia patën besuar Shyqri Nimanit. Varianti i parë i kopertinës qe një shkronjë, e madhe natyrisht, nistorja e Rilindjes. Pra, R! Drejtori Rexhai Surroi nuk e lejoi me motivacion se asocon në Republikë!

Epo, ia pafsh hairin çmimit “Rexhai Surroi”!

Për të mos u zgjatur në historira, se ne që kemi bërë ca vjet shquhemi për këtë, po kaloj tek paloromani yt, “Ulurima”, për ta zbërthyer me pak fjalë keqkuptimin, apo tendencën që po ma mvesh ti, derisa ulërin dhe më kërcënon si një bishë (“O Budullah Zeneli, vazhdo te hash mut ende. Large Facebookut time, se t’rrehi si qen.”):

Po qe se “romanit” apo sajesës së quajtur “Ulirima” i hiqen 200 e sa shënime (fusnota), tekstet koti në anglisht, vjelur andej-këtej, vargjet konfuze të “Zombit” (të cilin libër, pa të lënduar, kam refuzuar të ta botoj, si tejet të dobët, perverz e çfarë jo tjetër), bibliografia (hahaha), treguesi i emrave të përmendur (prapë hahaha) etj. s’del një dyzinë faqesh! Edhe ato që janë gjoja sajesa tuat, janë llomotitje pa kripë.

Ok. S’ka gjë, vetë ke dashur, pa të detyruar njeri.

Por këtu duhet shtuar diçka: reagimin e njerëzve që marrin vesh diçka nga letërsia e mirëfilltë dhe nuk e hanë sapunin për djathë, servirur pra nga homo novus-ët, që ke guxim njërit syresh t’i kanosesh, ta kërcënosh, t’ia tregosh nofullat e muskujt pa fije edukate. Është shumë shqetësues fakti sesi instinkti mund arsyen. Instinkti është aftësi, apo prirje natyrore e lindur e kafshëve, sidomos e bishave që ulërijnë në çdo kohë. Njerëzit e arsyeshëm duhet të kenë intelektin, jo ulërimat, muskujt e nofullat.

E pra, një i tillë, që reagon ndaj përdhosjes së letërsisë, të artit, të qenies kombëtare, jam edhe unë, siç kam qenë gjithë këto 62 vjet!

Në faqen tënde në facebook kishe aluduar se s’brengosesh fare për mentalitetin neandertal, duke aluduar në një reagim të vetëm:

Timin.

Mbase ke menduar se do të fyhem.

Natyrisht se jam fyer!

Jo për vete, se jam bërë imun qyshkur me komplote, jargavitje e jashtëqitje të tilla, por për faktin se ti pandërgjegjshëm ke fyer mikun e shqiptarëve, Z. Lanksch, meqenëse neandertali është paraardhës i gjermanëve. Nëse s’e ke ditur, mësoje pra!

Në ndërkohë ke fshirë të gjitha komentet e mia (censorë të jenë homo novus-ët? Disi e pabesueshme, por ja që qenkërka e vërtetë!) dhe më nis kërcënim fshehur.

Po ta them pa ekuivok:

Çdo të lumen ditë pi kafe tek “Corneri” (Sheshi i librit & Sheshi Zahir Pajaziti, nën fotografinë e madhe të Ibrahim Rugovës) nga ora 13 deri në orën 15. Të pres, eja kur të duash, me kë të duash, me ç’armë të duash.

Përfundimisht:

Po të kisha pasur frikë nga kërcënues si ti, kurrë s’do të ishte krijuar tradita e shkëlqyer e Botimeve Buzuku. Por, me këtë veprim tuajin, më shqetëson vetëm një gjë. Rilindja e fjalësit milosheviçian nga një bashkëkombas imi dhemb shumë. Lufta me armiqtë shekullorë edhe merr fund një ditë, por lufta marramendëse brenda llojit është e pafalshme, sidomos kur ajo shpallet nga një “kuadër” universitar, gjoja “poet”, “studiues”, “laureat” e gjepura të tjera… dhe do doja të ta rikujtoj Fishtën, meqë ti, homo novus Ag Apolloni, e do më shumë të huajën sesa baltën shqiptare, derisa çdo gjë shqiptare të duket ferr i vërtetë!

Ajme!

Zoti të ndihmoftë, homo novus!

Ag Apolloni, të uroj një vit të mbarë!

Më 1 janar 2014

Abdullah Zeneli

Prishtinë, Kuvendi i Bujanit 42

Nr. cel. 044 174 257

PS

Kërcënimin do ta deponoj në institucionet relevante: Polici, Dekanat, Rektorat.”

 

Dacic: BE do të na bëjë presion për shkak të Kosovës

0

Ddacic5-20Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë se nuk është i sigurt se negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojnë më 17 janar, për shkak se do të ketë presione shtesë mbi Serbinë përpara konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, të planifikuara për 21 janar.

“Me Brukselin nuk isha në kontakt që shtatë ditë, për shkak të festave, por javën tjetër do të vazhdojnë takimet e grupeve të punës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka cekur më herët vazhdimin po jo edhe datën”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se nuk është pajtuar për 17 janarin si datë për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, sepse “nuk ishte në disponim që të pranonte këtë datë meqë paraqet presion shtesë mbi Serbinë”.

“Nuk dua të punojmë nën presion, por për të gjetur zgjidhjen më të mirë”, tha Dacic, duke shtuar se patjetër pret presione. “Kriteri kryesor politik për progres të mëtejshëm në negociatat me BE-në do të jetë suksesi dhe vazhdimi i dialogut me Prishtinën”.

Sipas tij, fokusi i dialogut të ardhshëm, nga pavarësia ka kaluar në formimin e Asociacionit të komunave serbe.

Presidentja fal vetëm për Pavarësi

0

Atifete jahjagaQysh në fillim të muajit janar, e para e vendit, pritet të themelojë me dekret Komisionin, i cili do t’i pranojë të gjitha kërkesat për falje. Më pas, ky Komision, do t’’i rekomandojë Presidentes për faljet. Mirëpo, për çdo falje, varet ekskluzivisht nga Presidentja.

Presidentja e Kosovës, sikurse edhe herëve tjera, me 17 shkurt, bënë faljen e të burgosurve, sipas kompetencave që i jep Kushtetuta.

Ndërkohë, udhëheqës të Institutit të Kosovës për Drejtësi, shpresojnë se edhe këtë vit do të ketë falje në bazë të ligjit.

Pasi, vite me parë nga ish presidentët kishte pasur shkelje të rënda, duke falur persona që nuk i plotësojnë kriteret sipas ligjit.

Selim Selimi, këshilltar ligjor i Presidentes, Atifete Jahjaga, tha për Kosovapress, se Presidentja, tashmë, dy herë ka shpallur falje, në bazë të kompetencave që i jepen asaj nga Kushtetuta dhe ligji në fuqi, por edhe rregullores së brendshme të zyrës së Presidentes.

“Tash, Presidentja, është në planifikim të formimit të Komisionit për Falje, Komision që Presidentja e formon, gjithashtu, me dekret dhe, i mbledh personat që kanë të bëjnë me faljen, të institucioneve të ndryshme dhe ai Komision i shqyrton të gjitha kërkesat një nga një dhe ai Komision i propozon Presidentes numrin që i plotësojnë kushtet ligjore dhe kushtet që janë të rregulluara me legjislacionin sekondar dhe, pastaj, Presidentja e ushtron kompetencën e saj kushtetuese dhe i fal personat që janë propozuar”, tha ai.

Megjithatë, ka pasur shumë kritika se ish presidentët kanë falur në mënyrë të kundërligjshme persona të burgosur që nuk i plotësojnë kriteret ligjore. Por, Selimi thotë se i burgosuri duhet t’i plotësojë kriteret për të paraqitur kërkesën për falje. Mirëpo, ai thotë se nuk do të ketë falje në kundërshtim me ligjin.

“Më herët, në faljen e parë, ka pasur persona, në faljen e dytë jo. Por, vepra penale e vrasjes nuk përjashtohet nga këto kritere për t’u falur, janë disa kategori tjera që kanë të bëjnë. Por, kriteret e rëndësishme janë pendimi i të burgosurit, pastaj aftësia e të burgosurit për t’u risocializuar më tutje, pasi që të tregojë në kërkesën e tij apo saj se i burgosuri e meriton një falje të tillë, një kompetencë që i është dhënë Presidentes. Pra, veprat penale janë të përfshira, përveç të disa kapitujve specifik që janë veprat penale kundër rendit kushtetues, veprat penale kundër shtetit e tjera”, thotë Selimi.

E, në anën tjetër, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shpreson se edhe këtë herë, Presidentja do ta shfrytëzojë institutin e faljes duke respektuar plotësisht ligjin, siç e ka bërë edhe në dy herët e kaluara.

“Unë shpresoj që ajo që është ndërtuar nga Presidentja Jahjaga do të vazhdoj, nuk do të ketë kufizime në numrin e personave që duhet falur. Duhet falur ata persona, të cilët e meritojnë faljen të bazuar në kritere, të bazuara në ligj. Por, krejt kjo varet nga vullneti individual dhe nga pushteti i jashtëzakonshëm që ka Presidenti, sepse falja nuk është e drejtë e të dënuarit, por e Presidentit”, thotë Musliu për Koosvapress.

Musliu, thotë se duke parë fillet e zbatimit të institutit të faljes në Kosovë, atëherë, sipas tij, është një pasqyrë jashtëzakonisht e keqe se si është zbatuar ky institut në Kosovë. Kjo, sipas tij, për shkak se në vitin 2009, 2010 dhe 2011 ka pasur të dënuar, të cilët janë falur në kundërshtim me kriteret dhe me ligjin për falje.

Maxhuni: Fokus të veçantë krimit të organizuar dhe korrupsionit

0

ShpendMaxhuni-policiakosoves

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni në një intervistë të shkurtër dhënë Indeksonline, ka thënë se Policia e Kosovës për vitin 2014, do të vazhdoj aktivitetet e saja konform përgjegjësive, gjithnjë duke u bazuar në objektivat strategjike të cilat dalin nga plani strategjik zhvillimor 2011-2015 si dhe plani vjetor per vitin fiskal 2014.

Sipast tij, prioritet i prioriteteve do të jetë vazhdimi dhe avancimi me të gjitha kapacitetet në dispozicion kundër të gjitha dukurive negative për shoqerinë tonë e me fokus të vecante kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Besojmë fuqishëm se me një bashkepunim ndërinstitucional relevant do të arrijmë që edhe pergjatë vitit 2014 të arrijmë suksesin e dëshiruar në të mirë të sigurisë së vendit dhe qytetarëve”, tha Maxhuni.

Ai tha se avancimi i bashkëpunimit ndërkombetar do të vazhdoj të jetë prioritet edhe në vitin 2014. Pjesmarrja në operacione të përbashkëta me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë si dhe pjesmarrja në iniciativa te ndryshme rajonale dhe me gjerë do të jetë synim për vitin 2014.

“Avancimi dhe modernizini i disa segmeteve më të rëndësishme brenda PK-së do të jenë në kuadër të planifikimeve për vitin 2014 me qëllim të arritjes së sukseseve të dëshiruara në kuadër të vizionit dhe misionit që ka PK”, tha Maxhuni.

Konform obligimeve që dalin në kuadër të proceseve integruese të vendit, Maxhnuni tha se PK do të vazhdoj që të përmbushë me kohë të gjitha obligimet e nevojshme në mënyrë shumë profesionale me qëllim që këto procese të realizohen sa më shpejt në të mirë të qytetarëve të vendit.

“Duke marrë për baze specifikat e punës qe ka Policia e Kosovës dhe natyrën e punës që bëjnë pjestarët e saj, avancimi i mirëqenjës së pjestarëve të PK do të jetë në agjendën time edhe në vitin 2014. Shpresoj dhe besoj që me ndihmën e Qeverisë së vendit do të arrijmë që duke filluar nga ky vit të kemi lëvizje pozitive në kuadër të statusit social i cili do të ndikoj në avacnsimin e mirëqenjes së pjestarëve të PK-së, si garantues të sigurisë dhe përspektivës euroatlantike të vendit”, tha ai.

Për fund, ai ka falenderuar të gjithë pjestarët e Policisë së Kosovës për punën dhe kontributin e tyre të dhënë për sigurinë dhe rendin në vend si dhe të gjithë qytetarët e vendit për bashkëpunimin dhe partneritetin e krijuar me PK.

Ndahet në dysh BKUK-ja

0

BKUKPritet që më 3 janar të bëhet ndarja e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në dy Biblioteka, Universitare dhe atë Kombëtare. Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës, thonë se kjo është paraparë në marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit, ku tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për të filluar puna në objektin e ri.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha për Radio Kosovën se ka qenë i shqetësuar për vonesat rreth lëshimit të objektit. Ai tha se konform memorandumit të mirëkuptimit për ndarjen e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, është zgjedhur Bordi i Bibliotekës, i cili ka hartuar rregulloren e punës.

“Sigurisht që esenciale në këtë proces mbetet lëshimi i objektit të ri dhe fillimi i bartjes së fondeve librare nga Biblioteka Kombëtare, që janë rreth 50 mijë tituj që duhet të barten në Bibliotekën Universitare, sepse janë libra universitarë. Ndërkaq, një kontingjent tjetër do të vijë nga përkthimi, janë deponuar një pjesë e madhe në Bibliotekën Kombëtare dhe do të barten edhe ato”.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Ramize Bajraktari, tha se obligim i Bibliotekës është që të dërgojë një pjesë të punëtorëve profesionistë në Bibliotekën Universitare.

“Ne kemi për obligim institucional dhe ligjorë, që të dërgojmë një pjesë të punëtorëve profesionistë atje, që të fillojnë me punën dhe përpunimin e librave dhe të fillojë punën Biblioteka Universitare ashtu siç duhet nga ana profesionale. Pjesën tjetër ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë ngritjen profesionale përmes trajnimeve, që i zhvillojmë këtu në qendrën e trajnimeve.”

Me ndarjen e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Universiteti i Prishtinës krijon kushte më të mira për studentët. Rektori Gashi, tha se Biblioteka Universitare do të jetë e tipit të hapur, ku studentët mund t’i marrin librat t’i lexojnë pa pasur nevojë për ndonjë shërbim.

Kjo bibliotekë do të ketë salla moderne të leximi. Brenda saj mund të ketë ndonjë librari që shet libra të rinj universitar, që boton Universiteti i Prishtinës. Në Bibliotekën Universitare do të ketë hapësira edhe për punëtorë të pavarur shkencorë, doktorantë për punë hulumtuese, krijuese e shkencore.

Thaçi: Greqia mbështet Republikën e Kosovës

0

Thaci5-21Kryeministri Hashim Thaçi ka uruar homologun e tij grek, Samaras, me rastin e pranimit të Presidencës së radhës së BE’së.

Në një postim në Facebook, Thaçi thotë se Greqia është shtet që mbështet Kosovën dhe se beson se Athina do të luaj rol të rëndëishëm gjatë muajve të Presidencës së saj në proceset integruese të Kosovës.

“Unë besoj fuqishëm që brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Greqia do të luaj rol të rëndësishëm në implementimin e Agjendës Evropiane, përmes prioriteteve të caktuara për rritjen ekonomike dhe punësimin si dhe për integrim të mëtujeshem të rajonit – përfshi Kosovën”.

“Derisa Samiti i Selanikut, nën Presidencën Greke të BE-së i vitit 2003, ishte pikë kthese për hapjen e perspektivës së zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë në veçanti edhe perspektivën e Kosovës, unë sot shpreha bindjen time se Presidenca aktuale do të jetë mundësi unike për të përafruar integrimin e Kosovës me BE-në, përmes përmbylljes së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në mes Kosovës dhe BE-së, si dhe marrjen e vendimit për Liberalizimin e Vizave për Kosovën – si dy shtyllat kryesore të integrimit tonë në BE”, shkruan Thaçi.

“E çmojmë lartë rolin e Greqisë, si fqinjë rajonal dhe mbështetëse e Republikës së Kosovës në procesin e integrimeve Euro-Atlantike dhe kam kënaqësinë të konfirmoj përkushtimin tonë në fuqizimin e kësaj perspektive edhe gjatë vitit 2014. Si kryesuese e BE-së, presim nga Greqia që ta mbështes procesin e normalizimit te marrëdhënieve në mes te Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete te pavarura, si dhe të mbështesë arritjen e marrëveshjeve të reja. Shteti i Kosovës do të jetë partner serioz në ndërtimin e perspektivës evropiane të rajonit dhe më gjerë”, shkroi Thaci.