13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Pretendimet për pronën në “Shadërvan” të Prizrenit, paditësi i drejtohet Kushtetueses lidhur me shkeljet e Gjykatës Supreme

 

Në Gjykatën e Prizrenit ishin zhvilluar disa procedura gjyqësore civile lidhur me pretendimet për pronësinë e një prone në sheshin “Shadërvan” të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Parashtruesi i kërkesës, Fatos Kakeli si paditës në gjykata të rregullta, fillimisht kishte iniciuar kontest pronësor në Gjykatën Komunale në Prizren. Në këtë kontest, paditësi kërkonte që t’i njihej e drejta e pronësisë në ngastrën kadastrale nr. 3390 në “Sheshin e Shadërvanit” në Prizren, duke pretenduar që ajo pronë i takonte paraardhësit të tij, I. K, ndërkaq sipas tij, kalimi i pronësisë tek pronarët aktualë (të paditurit) ishte bërë përmes mashtrimeve në të kaluarën.

Paditësi në këtë kontest kërkonte që kontrata e shitblerjes të anulohej dhe e drejta e pronësisë në pronën e kontestuar t’i njihej atij dhe bashkëpaditësve të tjerë.

I pakënaqur me vendimet e gjykatave të rregullta, tanimë paditësi Kakeli i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi po pretendon se gjykatat nuk i morën parasysh pretendimet e tij.

Në kërkesën e dorëzuar më 4 nëntor 2022 në Gjykatën Kushtetuese, thuhet se objekt i saj është kontrolli i kushtetutshmërisë së aktvendimit për refuzim të kërkesës për përsëritje të procedurës të Gjykatës Supreme, i cili ka shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, “E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm” në lidhje me nenin 6 paragraf 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti pretendon sa kalimi i pronësisë tek pronarët aktualë- paditësit ishte kaluar në mënyrë të paligjshme tek I.Sh.

Argument kyç i paditësit ishte fakti se një aktvendim mbi trashëgiminë ishte i falsifikuar, rrjedhimisht H.M nuk kishte qenë trashëgimtar i ligjshëm dhe nuk ka mundur ta bartë pronësinë tek I.Sh, paraardhësi i të paditurve.

Lidhur me padinë e mësipërme të parashtruesit të Kërkesës u zhvilluan një sërë procedurash, ndërkaq procesi kontestimor përfundoi me Aktgjykimin të Gjykatës Supreme të 14 majit 2013, i cili, mes tjerash, hodhi revizionin e paditësit dhe konfirmoi aktgjykimet e instancave më të ulëta të cilat nuk aprovuan kërkesëpadinë e paditësit.

Tutje, në kërkesën e parashtruar pranë Gjykatës Kushtetuese thuhet se, pas përfundimit të procedurës kontestimore, parashtruesi i kërkesës, brenda afatit ligjor, parashtroi disa kërkesa për përsëritje të procedurës, duke pretenduar që aktvendimi mbi trashëgiminë është i falsifikuar, mirëpo të njëjtat kërkesa të parashtruesit u refuzuan.

Sipas kërkesës, në shkurt të vitit 2018, duke qenë se parashtruesi i kërkesës inicioi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren ndaj të paditurve, ai përsëri parashtroi kërkesë për përsëritjen e procedurës, por kjo prokurori kishte hudhur kallëzimin penal, me arsyetimin se ka kaluar afati i parashkrimit për ndjekje penale.

Paditësi në kërkesën e tij ka potencuar faktin që vendimet e gjykatave të rregullta, të cilat janë finalizuar me aktvendimin e Gjykatës Supreme me të cilën kanë refuzuar kërkesën për përsëritje të procedurës, janë mbështetur në konstatimin e Prokurorisë dhe se të njëjtat kanë potencuar faktin që procedura civile kërkon që për këtë duhet të ekzistojë një aktgjykim penal i formës së prerë për një gjë të tillë.

Andaj, sipas kërkesës, ky interpretim i ngushtë i gjykatave të rregullta rreth lejueshmërisë së kërkesës për përsëritje të procedurës, sipas paditësit, ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për qasje në gjykatë dhe i kanë pamundësuar atij realizimin e të drejtave civile.

Lidhur me pranueshmërinë e kërkesës, parashtruesi si bazë ka përmendur nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), se kërkesat për përsëritje të procedurës mund të aktivizojnë nenin 6 (1) të KEDNJ, në rastet kur ato do të ishin përcaktuese të drejtpërdrejta “të të drejtave dhe detyrimeve civile“-siç është rasti konkret.

Në kërkesë, pala paditëse ka marrë për bazë rastin Melis K. Greqisë si rast tejet i ngjashëm me rastin e tyre, ku pala fillimisht kishte humbur rastin pronësor në procedure civile, mirëpo e njëjta kishte kërkuar përsëritjen e procedurës pasi bazohej në dëshmi të rreme.

Në këtë rast, pala humbi fillimisht rastin pronësor në procedurë civile. Mirëpo, më vonë në proces penal, një dëshmitar u shpall fajtor për dëshmi të rreme në procedurën e mëhershme pronësore. Duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Civile, pala kërkoi përsëritjen e procedurës e cila bazohej në këtë dëshmi të rreme”, thuhet në kërkesë.

Tutje, në kërkesë thuhet se, faktet e rastit në Melis janë pothuajse identike me rastin e tyre, me dallimin që ata nuk kanë një vendim gjyqësor penal me të cilin pala kundërshtare apo ndonjë person i tretë është dënuar për falsifikim të dokumentit apo mashtrim. Arsyeja e vetme për një rezultat të tillë, siç u tha, është fakti se në rastin e tyre ka kaluar afati i parashkrimit.

Po ashtu, në kërkesë thuhet se legjislacioni procedural civil vendor njeh si bazë të lejueshme për përsëritjen e procedurës edhe rastet kur, shembull, për shkak të vdekjes së të dyshuarit, parashkrimit të lëndës, amnistisë, etj., nuk ka qenë i mundur nxjerrja e një aktgjykimi final.

Sipas paditësit, duke qenë se ekziston dyshimi i bazuar se aktvendimi për trashëgiminë është i falsifikuar, por rasti nuk është proceduar tutje thjeshtë për shkak të parashkrimit, pala nuk ka asnjë mjet tjetër juridik në dispozicion që do t’ia mundësonte qasjen në gjykatë, ashtu që gjykata në procedurë civile të rishikojë faktet e çështjes nën dritë të rrethanave të reja.

Si raste praktike të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me pranimin e kërkesave për përsëritje të procedurës, paditësi ka përmendur rastin e Komunës së Gjakovës. Duke gjykuar rastin në merita, Gjykata Kushtetuese gjeti se në procedurën sipas kërkesës për përsëritjen e procedurës ishte shkelur neni 6 i KEDNJ.

Tutje, pala paditëse ka përmendur edhe në rastin e parashtrues Selvete Aliji ku Gjykata Kushtetuese kishte trajtuar edhe shkeljet e nenit 6 të KEDNJ në raport me kërkesën e palës për përsëritje të procedurës, ku kishte anuluar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit me të cilën ishte refuzuar kërkesa e palës për përsëritje të procedurës.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet të zbatojë logjikën e njëjtë përjashtimore në rastin konkret pranë saj, duke qenë se parashtruesi i kërkesës nuk ka asnjë mjet tjetër në dispozicion që të përmbushë të drejtat dhe detyrimet e tij civile ashtu siç kërkon neni 6 (1) i KEDNJ, ndaj edhe rezultati i kërkesës së tij për përsëritjen e procedurës është vendimtar.

Në kërkesë thuhet se, Ligji për Procedurën Kontestimore qartë përcakton se nuk është i nevojshëm aktgjykimi penal dënues për të mundësuar hapjen e procedurës në rastet kur vendimi civil është pasojë e veprës penale të palës kundërshtare apo personave të tretë, siç dyshohet në rastin konkret.

Tutje, në të thuhet se, edhe nëse procedura penale nuk mund të zhvillohet, si në rastin konkret, procedura civile do të mund të rihapej konform Ligjit kjo pasi që “falsifikimi i dokumentit” është vepër penale, ashtu siç është edhe “mashtrimi” që dyshohet të mund të ketë ndodhur në këtë rast.

Në kërkesën e paditësit thuhet se Gjykata Supreme e interpreton tejet ngushtë situatën duke anashkaluar tërësisht pikën (e) të nenit 234 (1), duke mos konsideruar rastin në fjalë si vepër penale potenciale të palës kundërshtare apo të personit të tretë, çfarë në realitet është.

Pala paditëse në kërkesë ka theksuar faktin se, vetëm në vitin 2019 pala merr dijeni konkrete, mes tjerash, për njohuritë e dëshmitarëve të rastit, të cilët dëshmojnë pranë Prokurorisë që Aktvendimi është i falsifikuar, të njëjtit do mund të dëshmonin në favor të palës edhe në procedurë civile, ndërkaq dëshmimi i tillë është “provë“.

Në fund të kërkesës thuhet se, aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i ka mohuar palës të drejtën që kërkesat e tij të natyrës civile të dëgjohen meritorisht nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj, duke cenuar kështu të drejtën e tij kushtetuese për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Përmes kësaj kërkese, parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ. Po ashtu, parashtruesi ka kërkuar që të shpallet i pavlefshëm vendimi i Gjykatës Supreme për refuzim të kërkesës për përsëritje të procedurës si dhe ti kthehet kjo çështje në rigjykim kësaj gjykate.

Ndryshe, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati i palës tjetër, Ethem Rugova ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim që rasti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij pas pranimit të njoftimit do ta analizoj çështjen dhe do ti përgjigjet pretendimeve të parashtruesit të kërkesës/BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Hashim Thaçi sot ka ditëlindjen

sh-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, feston sot 56-vjetorin e lindjes. As kësaj radhe ai nuk do të mund të festojë pranë familjarëve të tij për...

Totaj e Lladrovci diskutojnë për një bashkëpunim ekonomik

Në një takim zyrtar sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prani të miqve anglezë. Diskutimet u fokusuan...

Lajmet e Fundit