Institucionet e Kosovës, edhe pse çdo vit po vazhdojnë të organizojnë ceremoni festive për të shënuar Ditën e Forcës së Kosovës- si forcë ushtarake, përveç fjalëve të mëdha që fliten nëpër përvjetor të tillë, akoma nuk kanë arritur të bëjnë asgjë konkrete në themelimin e Forcave të Armatosura. Edhe pse Kosova po shkon në përvjetorin e tetë nga shpallja e pavarësisë, formimi i forcës ushtarake të mirëfilltë, në kapacitetet që i duhen shtetit të Kosovës, vazhdon të mbetet një nga dobësitë kryesore të spektrit politik, që po udhëheq vendin.
Tani kur bota është e trazuar dhe po vazhdon të trazohet me të madhe, sikurse edhe Evropa e Ballkani, çështja e sigurisë së shtetit të Kosovës akoma mbetet vetëm në duart e faktorit ndërkombë- tar. Edhe politika, por edhe analistët konsiderojnë se pavarësisht që Kosova aktualisht është nën ombrellën e mbrojtjes nga NATO, domosdo se i duhet këtij shteti të ri edhe ushtria. Peng kryesor në këtë proces po vazhdon të paraqitet faktori politik minoritar serb, por një përgjegjësi të madhe mbajnë edhe zyrtarët e lartë të shtetit, që nuk po gjejnë kurajë të bashkohen në një zë me opozitën për të gjetur një formulë alternative ligjore të themelimit të FAK-ut, duke tejkaluar veton minoritare.
Opozita dhe analistët politikë tehun e kritikës ia dresojnë Qeverisë së Kosovës. “Është fatkeqësi që Kosova edhe pas 17 vjetësh në liri nuk e ka ushtrinë e vet, që është një obligim i institucioneve të këtij shteti, sidomos pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të të gjitha kushteve për formimin e ushtrisë, e që nuk e kemi akoma për shkak të interesave të ngushta të liderëve, të cilët e kanë udhëhequr dhe po e udhëheqin vendin”, tha për “Kosova Sot” nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi.
Duhet vota e dyfishtë e serbëve
Përfaqësues të pozitës flasin për bllokimin që po i bëhet këtij procesi nga përfaqësuesit serbë në koalicionin qeverisës, pa votën e të cilëve tash për tash nuk mund të votohen ndryshimet kushtetuese dhe ligji për FAK-un. Këta të fundit zgjidhjen e shohin vetëm te ndikimi i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar- konkretisht SHBA-së. Deputeti nga LDK-ja, Anton Çuni, tha se në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, udhëheqës ushtarakë të SHBA-së dhe të NATO-s kanë vlerësuar se FSK-ja mund të transformohet në Forcë të Armatosur.
“Ka mbetur vetëm vendimi politik nga Kuvendi për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ndryshime kushtetuese kërkohet vota e dyfishtë prej 2/3, pra edhe e komuniteteve etnike. Në këtë drejtim, ka pasur shqetësime nga komuniteti serb lidhur me sigurinë e tyre. Mendoj se bashkë me partnerët tanë SHBA-në dhe NATO-n do të arrijmë t’i sigurojmë serbët se Ushtria e Kosovës nuk do të jetë rrezik për ta, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon”, tha deputeti Çuni për “Kosova Sot”.
Ai konsideron se formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës po bëhet akoma më i rëndësishëm, tani kur siguria në rajon dhe më gjerë po duket të jetë e brishtë me tendenca të rritjes së aktiviteteve të ndryshme, që e sfidojnë atë. “Në kushtet e rritjes së kërcënimeve globale sidomos nga terrorizmi botëror dhe faktorë të tjerë destabilizues dhe cenues të paqes globale, nevoja që edhe Kosova të ketë Ushtrinë e vet është shumë e madhe. Nëpërmjet Ushtrisë, Kosova realizon marrëdhënie të reja me partnerët strategjikë dhe me NATO-n. Në këtë aspekt, FSK-ja i ka kapacitetet për t’u shndërruar në Forca të Armatosura dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së do të vazhdojë të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse”, tha Anton Çuni për “Kosova Sot”.
Fajin e kanë liderët
Analisti i politikave të sigurisë, prof. Jeton Kelmendi, thotë se çështja e mosbërjes së Forcave të armatosura është shqetësim i madh për qytetarët e Kosovës. Ai thekson se ata, të cilët flasin fjalë të mëdha si formë e angazhimit për themelimin e ushtrisë, për interesat e tyre personale, janë penguesit dhe kundërshtarët kryesorë të këtij procesi. “Për mendimin tim kundërshtarët e Ushtrisë se Kosovës janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Derisa Hashimi të gjitha pazaret i bëri me serbët vetëm për pozitën e tij në krye të shtetit, madje lëshoi shansin më të mirë për të siguruar mbështetjen për FAK-un, tani edhe ky tjetri, pra Mustafa, as që mendon fare për Ushtrinë e vendit, por vetëm po i prolongon gjërat. Mendoj se kjo është një skenar i rrezikshëm, sepse këta drejtues të shtetit po na lënë pa ushtri”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.
Kritik për këtë lojë pa fund është edhe analisti Florim Zeqa. “Mbetet e pajustifikueshme neglizhenca e institucioneve shtetërore rreth formimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), apo siç po e parapëlqejnë pushtetarët dhe ndërkombëtarët për heqjen e akronimit të “Republikës” në ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Edhe përkundër ombrellës së sigurisë nga NATO, mosbërja e Ushtrisë së Kosovës paraqet rrezik dhe pasiguri për të ardhmen e shtetit tonë, kur dihen rrethanat e gjithëmbarshme globale, kur bota, Evropa dhe Ballkani janë të trazuara çdo ditë me kriza të reja dhe nga më të ndryshmet deri tek terrorizmi i përmasave globale”, tha analisti Zeqa. Edhe ai shpreh dyshimin se arsyeja pse pushtetarët aktualë e kanë lënë në harresë themelimin e Ushtrisë së Kosovës, qëndron tek paaftësia qeverisëse, vasaliteti ndaj Brukselit e Beogradit, e në veçanti varësia nga kushtëzimet e Listës Serbe, sikur kjo e fundit ua ka vënë ‘lakun në fyt’ pushtetarëve kosovarë.