1.4 C
Prizren
E shtunë, 18 Janar, 2025

Gjimnazi “Loyola”- një portë e dijes dhe mendësisë evropiane

Intervistë me drejtorin e gjimnazit “Loyola” në Prizren, P. dr. Axel Bödefeld

 

– I nderuar z. P. dr. Bödefeld, gjimnaazi “Loyola” sivjet shënon 12-vjetorin e punës. Si e vlerësoni rrugëtimin e deritanishëm të këtij institucioni arsimor me nam në Kosovë?

– P. dr. Axel Bödefeld: Më duket se kjo kohë ka qenë me plot angazhime, sidomos i themeluesit të shkollës, P. Walter Happel, i cili kishte shumë guxim dhe ka treguar shumë angazhim, punë, forcë e durim, për të përgatitur rrugën për këtë shkollë. Gjatë së kaluarës, shumë nxënës kanë pasur mundësinë jo vetëm të arrijnë provimin e maturës, por të mledhin shumë dituri e përvojë për jetën së bashku. Po ashtu shumë nxënës kosovarë kanë pasur mundësi për të mësuar jo vetëm faktet, por edhe qëllimin dhe mënyrën e studimit në vendet perëndimore.

– Sipasa Jush, cili është çelësi i sukseseve që deri më tani ka arritur gjimnazi “Loyola”?

– P. dr. Axel Bödefeld: Jam absolutisht i bindur se çelësi i suksesit të gjimnazit “Loyola” qëndron në faktin se ne e marrim seriozisht mësimin, ngase mendojmë se mësimi, arsimi, shkolla janë vende, janë stacione në jetën e nxënësve të cilat kanë një vlerë shumë të madhe. Ne, p.sh., kemi rregullore të qartë, të cilën të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë. Nxënësit i vërejnë rregulloret, por edhe e kuptojnë mendimin e rregulloreve, p.sh nxënësit e fillojnë në mëngjes punën pikërisht me uniformë, i bëjnë detyrat e shtëpisë, sepse detyrat kanë një vlerë, kemi një atmosferë të qetë brenda klasës, etj. Poashtu është e rëndësishme të jenë të pranishëm të gjithë nxënësit në klasë dhe nëse dikush mungon, ne i informojmë menjëherë prindërit për këtë. Këta janë vetëm disa shembuj të cilët dëshmojnë se ne mendojmë seriozisht për zbatimin e rrgullave të shkollës. Pastaj janë investimet në objektin shkollor, hapësirat përreth etj., ku ofrohen kushte të mira për fëmijët, për të thyer përshtypjet që ndonëjherë mund të ekzistojnë se shkolla nuk është e rëndësishme.

– Çdo punë ka të veçantat e veta, e për më tepër puna juaj si drejtor që sivjet bëni dy vjet në krye të gjimnazit “Loyola”. Si e vlerësoni këtë periudhë?

– P. dr. Axel Bödefeld: Që nga fillimi jam munduar të përmirësojmë lidhjet e “Loyolës” me institucionet tjera, si lokale, ashtu edhe me ato qendrore në Prishtinë. Këtë e kemi bërë jo vetëm me institucionet politike, por kam investuar shumë kohë për të krijuar lidhjet edhe me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, sepse mendoj se shkolla duhet të jetë një mes i jetës publike, sepse nuk ka kuptim nëse shkolla largohet nga qendra e jetës. Në shkollë ka nevojë për përfshirjen në diskutime publike të nxënësve, të jetë në lidhje më projektet e reja, me iniciativat e reja, sepse duhet t’i edukojmë fëmijët për të ardhmen, jo për të tanishmen. Dua të përmend në këtë rast, mes tjerash, lidhjen me Qendrën e Iniciativës Kosovare (ICK) që për mua është mjaft e rëndësishme, sepse ky është një shembull dhe një iniciativë e cila përgatit të rinjtë për të ardhmen.

– Çka konsideroni parësore në punën tuaj për të ardhmen?

– P. dr. Axel Bödefeld: Sfida e parë, për çka më vjen keq, por kjo është e vërteta, është sigurimi i kushteve financiare të shkollës. S’ka vlerë nëse kemi shumë ide, shumë iniciativa, pa pasur asnjë siguri financiare për ne si institucion shkollor. Për këtë shkak është e rëndësishme që në të ardhmen të arrijmë një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe shpresoj se vërtet këtë do ta arrijmë dhe Qeveria do të kryejë detyrimet që ka ndaj nesh. Kemi shumë takime e biseda me Ministrinë e Arsimit, por për mua kjo është sfida, është detyra më e rëndësishme. Vërtet shpresoj se kjo do të ndodhë, veçanërisht për interesin e nxënësve kosovarë dhe Qeveria e Kosovës do t’i paguajë borxhet që ka ndaj shkollës sonë.

– Cili është interesimi i nxënësve dhe prindërve për të siguruar një vend në këtë shkollë dhe cili është bashkëpunimi me ta?

– P. dr. Axel Bödefeld: Bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm, sepse edukimi ndodh jo vetëm në shtëpi, jo vetëm në shkollë, por ndodh së paku në dy vende, por më duket edhe në më shumë vende. Për këtë shkak, nëse prindërit nuk pajtohen me parimet e shkollës, ose në rast se një shkollë ka interesa ose qëllime shumë të ndryshme prej interesave të prindërve, edukimi nuk ka sukses, edukimi nuk funksionon dhe në fund fëmijët kanë shumë probleme, sepse kanë humbur ose humbin orientimin. Për këtë bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm. Kam shumë përvojë në bashkëpunimin me prindërit në Gjermani dhe më duket se disa probleme janë shumë të ngjashme, veçanërisht për një shkollë private është e rëndësishme që prindërit të pajtohen me parimet e institucionit. Unë investoj shumë kohë në rast se ka disa pyetje ose konflikte t’ua shpjegoj prindërve idetë, parimet pedagogjike të shkollës. Por nganjëherë arrijmë në një situatë kur bashkëpunimi për të ardhmen s’ka vlerë dhe prandaj është më mire, veçanërishtë për fëmijët, që prindërit dhe shkolla të ndahen. Në anën tjetër, një lidhje shumë e ngushtë me prindërit ofron shumë mundësi për shkollën, sepse mund të hapë dyert për përvoja të dobishme. Për shembull, këtë vit për herë të parë disa maturantë kanë bërë praktikë në disa kompani dhe disa prindër na kanë ndihmuar të gjejmë vende për këtë.

– Një bashkëpunim i punës suaj mendojmë se është edhe bashkëpunimi me shtetin gjerman dhe mbështetjen që “Loyola” sigurisht ka. Çfarë në të vërtetë u ofrohet nxënësve si rezultat i këtij bashkëpunimi?

– P. dr. Axel Bödefeld: Së pari, nxënësit mund të jenë të sigurtë se mësimi në gjuhën gjermane është në një nivel shumë të lartë, i pranuar në mbarë botën, prandaj lidhja jonë me shtetin gjermn është një siguri për nivelin e mësimit. E dyta, lidhjet e kontaktet e shkollës me Gjermaninë janë të dobishme për nxënësit, p.sh. në iniciativën për arsim profesional ne bashkëpunojmë me disa kompani, që tani më janë janë dhjetë, e të cilat ofrojnë arsimim profesional dhe më vonë edhe studimet në Gjermani. E treta, përkrahja e Ambasadës Gjermane për ne, veçanërisht në këtë situatë politike në Kosovë, është shumë e rëndësishme. Pa përkrahjen dhe pa besimin e Ambasadës, e posaçërisht të Ambasadores gjermane, znj. Angelika Viets, problemet financiare të gjimnazit “Loyola” do të ishin ndoshta edhe më të mëdha.

– Nga këndvështrimi juaj, a mund të tërhiqni një paralele në mes të nxënësve kosovarë dhe atyre evropianë. Çfarë duhet të ndryshojmë ne?

– P. dr. Axel Bödefeld: Sfidat, temat, problemet e të rinjve janë të njëjta në mbarë botën. Adoleshenca, puberteti janë të ngjashme kudo në botë. Mënyrat se si të rinjtë e kalojnë këtë kohë janë të ndryshme, por sfidat janë të njëjta. Për këtë shkak, unë kam përshtypje se me kohë i kuptojnë më mirë edhe nxënësit e Loyolës, sepse shumë probleme e sjellje më duken të njohura, por vërtet në anën tjetër shoqëria kosovare ndoshta krijon disa probleme për të rinjtë, sepse më duket pak më e ngushtë e më mbyllur, sesa për shembull shoqëria gjermane. Nuk dëshiroj të krijoj përshtypjen se vetëm shoqëria gjermane është një model, është një shembull, por ka kushtet në të cilat është më e lehtë ose më e vështirë të kalojnë mirë adoleshentët. Pastaj, koncentrimi i shumë prindërve në sukseset akademike absolute vetëm me nota pesë, vërtet është shumë e vështirë të pranohet për shumë nxënës sot.

– Që nga themelimi ka kaluar një kohë e gjatë që shërben për të parë të arriturat dhe vështirësitë e kaluara. Si e shihni gjimnazin “Loyola” në të ardhmen?

– P. dr. Axel Bödefeld: Unë kam dëshirë dhe shpresoj se „Loyola“ do të zhvilohet në një vend ku fëmijët, të rinjtë do të kenë mundësi të bëjnë përvoja të ndryshme, pa frikë të mësojnë çka është demokracia, të ushtrojnë përgjegjësitë; kanë mundësi të zbulojnë talentet e tyre dhe kanë dëshirë të mësojnë shumë gjëra e aspekte të jetës për të ardhmen në të gjitha fushat. Unë dëshiroj që “Loyola” të vazhdojë të ofrojë një vend të sigurtë, një vend interesant, një vend plot me mundësi për nxënësit dhe pastaj në bazë të një fundamenti stabil, ata të marrin përgjegjësinë për jetën e tyre e të ardhmen e vendit.

– Çfarë do t’i shtoni në fund kësaj interviste?

– P. dr. Axel Bödefeld: Dëshiroj të theksoj edhe një herë se në shkollë nuk është vetëm drejtori, sepse mundësitë e drejtorit janë të kufizuara. Çdo drejtor varet nga stafi dhe suksesi i gjimnazit “Loyola” patjetër është suksesi i stafit. Shumë mësimdhënës investojnë shumë kohë, shumë durim, shumë energji për të ofruar mësim çdo ditë, çdo javë, për të inkurajuar e për të korrigjuar nxënësit. Pra, pa stafin adekuat në shkollë, në konvikt dhe në shkollën fillore, “Loyola” nuk do të kishte pasur këtë sukses, prandaj patjetër dhe për këtë arsye dëshiroj të falënderoj stafin, kolegët e mi dhe t’u uroj të gjitha të mirat në të ardhmen në 12-vjetorin e themelimit të shkollës.

Intervistoi: Enver Sulaj

Më Shumë

Fatos Kongoli sot feston ditëlindjen e 81-të, ndër përfaqësuesit më të mirë të letërsisë shqipe

Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan dhe sot feston ditëlindjen e 81-të. Ai konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë...

Akullnajat mbi 10 metra formohen në Prizren, temperaturat zbresin në -5 gradë Celsius

Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë Prizrenin ditët e fundit kanë shkaktuar formimin e akullnajave që arrijnë lartësinë mbi 10 metra. Termometri ka shënuar...

Lajmet e Fundit