Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se drejtësia në Kosovë sikur është bërë një makineri e padrejtësive të shumta, që po bëhen në vazhdimësi ndaj qytetarëve në rend të parë, në vend që të ishte e kundërta dhe të ishte shembull për të ndarë drejtësinë në mënyrë meritore dhe duke u bazuar vetëm në ligj. Sipas tyre, në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë drejtësi efikase e të mirëfilltë, për sa kohë do të jenë të kapur nga politika institucionet kyçe të drejtësisë dhe po ashtu derisa të eliminohen emërimet me “vizë” të politikës në Gjyqësor e prokurori, në mënyrë që pastaj të kemi gjyqtarë e prokurorë profesionistë dhe që bëjnë punën me guxim e integritet profesional. Ndaj është shtruar edhe çështja se a është tanimë koha e fundit për ta pastruar drejtësinë nga të dyshuarit për korrupsion dhe vepra të tjera inkriminuese në Gjyqësor e prokurori përmes një reforme të thellë, siç është ajo e ‘VETTING’-ut në Shqipëri dhe për rrjedhojë të bëhet vlerësimi i integritetit personal të të gjithë kandidatëve në mënyrë të detajuar dhe meritore?
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sistemi i drejtësisë u përngjan tymtarëve të termoelektranës në Obiliq, të tymtarëve që vjellin gazra, të cilët vështirësojnë jetën normale në atë zonë, ndërsa sistemi i drejtësisë ka prekur cep më cep Kosovën, e cila po vuan nga veprimi i ngathët dhe nga mosguximi për të ndarë drejtësi si duhet. “Sistemi politik i zhytur në krim dhe kriminalitet, si duket, ka arritur të futë nën kontroll tërë sistemin e drejtësisë, i cili tashmë dyshohet se është i kapur nga politika, duke u bërë pjesë e krimit ekonomik dhe korrupsionit të lartë, me prokurorë e gjyqtarë jokompetentë, që janë në vendet udhëheqëse, të cilët mund të korruptohen e shantazhohen më lehtë. Ndërsa mungesa e guximit për të vepruar lidhet drejtpërdrejt edhe me aftësitë dhe përgatitjet e tyre profesionale”, ka shtuar ai.
Prandaj, sipas Dibranit, ligji i ‘Vetting’-ut i ngjashëm me atë në Shqipëri do të ishte nisma e parë për t’u vënë në binarë normal ky sektor kaq i ndjeshëm, por, siç tha, strukturat e korruptuara dhe të implikuara qoftë nga drejtësia apo politika do të rezistojnë e do të pengojnë për aq sa ndikimi i jashtëm nuk do të bjerë pamëshirshëm mbi ta, për të dalë Kosova nga kjo krizë e thellë. “Sistemi i drejtësisë është me të njëjtat figura, edhe politika po sillet me të njëjtët politikanë, të cilët sado që ndërrojnë partitë, veprimet e tyre nuk kanë sjellë progres dhe asnjë qasje reformuese, prandaj me një sistem të drejtësisë të kapur nga politika as të mos shpresojmë se bëhen reforma dhe ndryshime cilësore. Ndërsa, nëse Amerika dhe vendet e BE-së nuk do të bëjnë një trysni mbi politikanët dhe mbi strukturat drejtuese të sistemit të drejtësisë, koha e duhur për Kosovën do të vonojë shumë!”, u shpreh analisti Shefqet Dibrani.
Kelmendi: Drejtësia e dorëzuar përballë politikës
Analisti tjetër, Naim Kelmendi, thotë se kjo gjendje e Gjyqësorit, por edhe përgjithësisht e sistemit të drejtësisë duhet pashmangshmërisht që të reformohet me njerëz e kuadro të afta dhe të përgjegjshme e me integritet moral dhe profesional, duke i larguar kështu, siç tha, nga këto institucione ata gjyqtarë e prokurorë me të kaluar të dyshimtë, e të cilët janë inkuadruar që një kohë të gjatë nëpër sektorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, ku të njëjtët nuk kanë bërë thuajse asgjë për të avancuar dhe zhvilluar drejtësinë, derisa, sipas tij, njerëzit e tillë nuk i japin askujt llogaridhënie për dështimet e tyre në shumë aspekte.
Kelmendi tutje shton se tanimë sikur sistemi i drejtësisë në përgjithësi është dorëzuar tërësisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuara, teksa në anën tjetër, siç tha, për fat të keq është evidente se qytetarët përballen me padrejtësi të ndryshme në vazhdimësi pikërisht në ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar e të lidhur me mafio-politikanë e pushtetarë dhe mafio- oligarkinë e inkriminuar, kështu që këta gjyqtarë e prokurorë po u bëjnë shumë padrejtësi qytetarëve me vendimet e tyre, duke ndarë padrejtësinë për ta në vend të drejtë- sisë. “Pra, mjerisht gjendja e tillë është mjaft e zymtë dhe lë shumë për të dëshiruar, ngase drejtësia në Kosovë sikur është bërë një makineri e padrejtësive të shumta, që po bëhen në vazhdimësi ndaj qytetarëve në rend të parë, në vend që të ishte e kundërta, pra që ajo të ishte shembull për të ndarë drejtësinë në mënyrë meritore dhe duke u bazuar vetëm në ligj. Por, konsideroj se në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë drejtësi efikase e të mirëfilltë për sa kohë do jenë të kapur nga politika institucionet kyçe të drejtësisë dhe po ashtu, derisa të eliminohen emërimet me “vizë” të politikës në Gjyqësor e prokurori, në mënyrë që pastaj të kemi gjyqtarë e prokurorë profesionistë dhe që bëjnë punën me guxim e integritet profesional”